Rikthehet debati i unifikimit të SHISH-it me Ministrinë e Brendshme. Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për ndonjë vendim që shkrin në një të vetëm organizimin dhe funksionimin e dy institucioneve, por për një projektligj që ka lidhje me çështjen e përgjimeve.
I përgatitur nga Këshilli i Ministrave, ky projektligj parashikon që për llogari të Policisë së Shtetit dhe SHKB-së në Ministrinë e Brendshme përgjimet parandaluese të kryhen nga Seksioni i Përgjimeve të Policisë së Shtetit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Miratimi i këtij projektligji do t’i heqë kompetencën e drejtpërdrejtë për përgjimet Shërbimit Informativ Shtetëror, konkretisht sektorit të përgjimeve parandaluese, i cili tashmë do të jetë në varësi të strukturave së specializuara të Ministrisë së Brendshme. Do të jetë kjo e fundit që do të drejtojë, menaxhojë dhe administrojë bisedat telefonike që do të përgjohen ndaj personave të vënë nën përgjim.
Përgjimet në dorën e Ina Ramës
Drafti i Këshillit të Ministrave, që i është paraqitur Kuvendit të Shqipërisë, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për përgjimin e telekomunikimeve", ligji "Për përgjimin e telekomunikimeve", fuqizon rolin dhe kompetencat e kryeprokurores së Përgjithshme për çështjen e përgjimeve. Do të jetë Ina Rama ajo që do të japë viston ose do të kundërshtojë zhvillimin e përgjimeve. Kjo pasi në zyrën e saj do të instalohet bërthama komanduese elektronike, pajisja teknike, e cila lejon ose ndalin përgjimin. Kërkesa për ndryshim në dy ligjet e sipërpërmendura nga ana e qeverisë parashikon gjithashtu që përgjimet e autorizuara para datës 1 mars 2008, brenda kushteve të sigurisë teknike, të transferohen në pajisjen e instaluar në mjediset e zyrës së prokurorit të Përgjithshëm brenda afatit 1 deri në 10 mars 2008. Kjo pasi është përcaktuar data 1 mars 2008 si afat në të cilin sistemi i përgjimeve proceduriale të funksionojë në prokurori. Kjo datë është caktuar duke marrë në shqyrtim edhe afatet e nevojshme proceduriale që duhet të kalojë projekti, nga nisma ligjore, shqyrtimi në Kuvend, deri në botimin e tij në Fletoren Zyrtare. Këto instrumente bëjnë të mundur lidhjen me një pikë fundore të rrjetit të telekomunikacioneve, për të realizuar telekomunikimin.
Sistemi përgjues
Përgjimet e kryera sipas nenit 23 të ligjit janë përgjime të lejuara me vendim gjykate. Ndryshimet përcaktojnë se operatorët e telekomunikacioneve duhet të lejojnë organet e autorizuara me ligj të veçantë për të përgjuar, regjistruar dhe riprodhuar komunikimet e kryera në rrjetin e tij dhe kjo në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe me rregulloren e nxjerrë. Më 17 dhjetor të 2007-s, në zyrën e prokurorit të Përgjithshëm është përfunduar dhe është gati për t'u vënë në funksionim mjedisi dhe pajisja që bën të mundur ndarjen e sistemit ekzistues të përgjimeve të telekomunikacioneve në dy sisteme të veçanta. I pari ka të bëjë me një sistem, i cili do të vijojë të qëndrojë në mjediset e SHISH-it, në funksion ekskluziv të veprimtarisë informative. I dyti është në funksion të hetimeve paraprake, i cili do të funksionojë në zyrën e prokurorit të Përgjithshëm. Të dy këta sisteme do të komandohen nga e njëjta bërthamë komanduese elektronike. Gjithashtu, në këshillim me përfaqësues juridikë dhe teknikë të operatorëve, specialistët e ngarkuar të zyrës së prokurorit të Përgjithshëm kanë përcaktuar dhe rënë dakord se brenda periudhës 10-ditore, në përputhje me rregullat e sigurisë teknike, përgjimet, në vijim, për llogari të hetimeve paraprake, mund të transferohen, nga ana teknike, në sistemin e ri.
Krijoni Kontakt