Tringa e Grudës - një zanë mali


Shkruar nga www.malesia.org
Wednesday, 16 January 2008

Me rastin e 90 vjetorit të vdekjes së heroinës shqiptare, Tringë Smajles, (apo siç e quante populli Tringa e Grudës) SHKA "Gruda" në fund të vitit të kaluar organizoi në Tuz një akademi, ku folën: dr. Palokë Berisha, Kadri Ujkaj, Ndua Bacaj, dr.Lukë Gjokaj dhe Pjetër Ivezaj.

Në fillim të akademisë së organizuar me rastin e 90-vjetorit të vdekjes së Tringë Smajles Ivezaj, në emër të organizatorit, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Shoqatës "Gruda" mr. Rrok Gjolaj, i cili aktivizimin e seksionit për shkencën, (në kuadër të shoqatës), e konsideroi si një bërthamë që shpreson, që në të ardhmen rreth vetes të tubojë intelektualë nga e gjithë Malësia. "Ky seksion dha kontribut të çmueshëm duke organizuar edhe dy sesione të tjera të mëparshme", tha Gjolaj.
Profesori dhe studiuesi i njohur nga Malësia, Dr. Palokë Berisha në kumtesën e tij "Tringë Smajlja Ivezaj - krenaria e popullit shqiptar" theksoi se Tringa radhitet ndër ato femra shqiptare që dhanë një kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar në shekullin XX. Ai vuri në dukje se kjo heroinë mori pjesë në luftë në ballë të frontit për lirinë e popullit shqiptar, për furnizimin e luftëtarëve me ushqime, me ujë dhe municion. Në fund, folësi Berisha thirri që Smajl Martinit dhe vajzës së tij, Tringës, t'u jepet vendi i merituar në histori: "Le të ngriten përmendore për Smajl Martinin dhe Tringën dhe le të mbajnë emrin e tyre institucionet kulturore edukativo-arsimore".
Kritiku letrar nga Kopliku - Shqipëri, Kadri Ujkaj, u paraqit me kumtesën:"Figura epike e femrës shqiptare në poezinë tonë popullore". Ai në kumtesën e vet vuri në dukje se Tringës, populli nuk ia kurseu këngën, këtë dëshmi të përjetësisë si kreshtë e qëndresës, e duke sfiduar deri edhe ligjet e natyrës, feminilitetin e saj në emër të lirisë. "Tringë Smajlja në 90 vjetorin e saj të vdekjes përjeton forcën e dashurisë për liri, si domethënie ekzistenciale e kombit tonë, që është ndër më të masakruarit, ndër më të coptuarit etj".
Për publicistin dhe studiuesin nga Malësia e Madhe andej kufirit - pra në Shqipëri, Ndue Bacaj, Tringë Smajlja ishte një ndër simbolet më sinjifikative të Grudës, Malësisë së Madhe dhe krejt Shqipërisë, duke e krahasuar atë me një zanë mali, që kishte, jo vetëm trajta njerëzore të racës sonë, por edhe hyjnore, si vetë zanat që nuk u kanë munguar kurrë trojeve tona. Tringë Smajlja ishte jo vetëm një burrëreshë e patriote që u jepte zemër kryengritësve, por ishte edhe një luftëtare e sprovuar duke marrë pjesë në shumicën e betejave. Dr. Lukë Gjokaj në kumtesën e vet tha se që para kryengritjes legjendare të Malësisë, si rrallë herë në historinë e ndonjë vendi, krah për krah me trimat dhe vëllezërit e vet do të sulmojnë dhe marrin pjesë në operime luftarake edhe vashat malësore. Ndër to posaçërisht u veçua Tringë Smajlja, e cila u nderua dhe u bë e njohur me epitetin e saj heroik - Tringa e Grudës.
Ndërkaq, Pjetër Ivezaj, duke folur për jetën dhe angazhimet e saj dhe të babait - Smajlit, në luftëra të ndryshme, tha se Tringa ishte pjesëmarrëse aktive e shumë luftërave, pastaj edhe në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, si dhe ishte njëra nga organizatoret kryesore të saj. Duke e mbyllur fjalën, Ivezaj përmendi edhe kontributin e Tringës në hapjen e shkollave në Dinoshë, Priftën, Kshevë.
Në emër të familjes së afërt tubimin e përshëndeti Martin Ivezaj, i cili duke përgëzuar organizatorin dhe folësit, duke përmendur mes tjerash Hotin, Grudën dhe në përgjithësi Malësinë, tha se Historia e Popullit Shqiptar u ka mbetur borxh këtyre trevave, në të cilat kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme të popullit tonë. Këtë akademi përkujtimore e drejtoi profesoresha Vitorre Lulgjuraj. Koha Javore rr.d.