Shkruar nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI
Monday, 14 January 2008

"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."


S’ka dyshim se fillimi i dialogimit të “grupeve të interesit”, të ashtuquajtura “tekniko-ekonomike” serbo-shqiptar në Prishtinë, më 3 mars 2004, është një shkelm i rrezikshëm, dhe me pasoja të paparashikuara për ardhmërinë e statusit përfundimtar të Kosovës.

Lind pyetja pse kjo “formulë dialogimi” e ashtuquajtur “grupe punuese për standardet e Kosovës”, është përgatitur dhe rezervuar si “hap i parë”, në mënyrë që mëpastaj (domethënë në një intereval kohe të padefinuar), të hyhet papengesa në “temën” e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës? – Sepse kjo metodologji e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare (këtë çasje me të drejtë mund ta quajmë me dimensione ndërkombëtare ngase çështja e Kosovës është ndërkombëtarizuar që nga Konferenca e Rambujesë në Paris, më 18 shkurt 1999, i rezervon të drejtën vendore dhe atë ndërkombëtare SMZ-së, në mënyrë që nesër të marrë pjesë direkte (si partner i barabartë) së bashku me palën shqiptare në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Me një fjalë, epilogu i këtij dialogu të filluar serbo-shqiptar, do të rezultojë me hartimin e një “platforme politike” të njësuar dhe të harmonizuar nga të dy palët e theksuara nën mbikëqyrjen dhe miratimin e faktorit ndërkombëtar, e cila do të shërbejë si bazënisje për zgjidhjen e problemit të Kosovës, domethënë me pëlqimin e dyanshëm, ashtu si po kërkon Serbia nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo është esenca e organizimit dhe e zhvillimit të dialogut për “standardet e Kosovës” nga ana e “grupeve të interesit”, të palëve në konflikt, e jo kurrfarë “muhabeti” për zgjidhjen e problemeve “teknike dhe ekonomike” të cilat qëndrojnë “pezull” midis Kosovës dhe SMZ-së. Pra, deklaratat e këtilla si nga politika zyrtare serbo-shqiptare (Beograd-Prishtinë), ashtu edhe nga instancat politike paqësore ndërkombëtare të UNMIK-ut, janë vetëm me syzhe të qëlluar të përrallave të bukura multietnike transicionale për t’i vërë “ në gjumë çapkenët e lazdruar”.

Tanimë, të gjithë e kemi të qartë faktin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) i ka meritat kryesore dhe të padiskutueshme për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, e jo asnjë politikë e djeshme apo e sotme zyrtare shqiptare, e cila sot është në pushtet ose jashtë pushteti në Kosovë. Mirëpo, praktika katërvjeçare (qershor 1999-mars 2004) e “elitës politike” shqiptare në Kosovë, me të gjitha veprimet e saj të deritashme qoftë diplomatike, qoftë politike e ka injoruar këtë faktor vendimtar të ndryshimit të faqes së historisë së Kosovës si në kuptimin e politikës së brendshme në relacionet ndërballkanike, ashtu edhe të asaj ndërkombëtare.

Ky diskurs i politikës së paekulibruar ndaj faktorit ushtarak(UÇK) shqiptar, (me vetëdije dhe pavetëdije) është duke rrezikuar sheshit standardet e ndërkombëtarzimit të çështjes së Kosovës. Këtë defaktorizim dhe defensivë të politikës shqiptare, ndër të tjera, e provojnë edhe aplikimi dhe miratimi i të ashtuquajturave “standarde teknike” për Kosovën, të cilat janë “patentuar” dhe inicuar qe katër vjet rradhazi nga Serbia me në në krye Kishën Ortodokëse Serbe(KOS-in), e jo nga bashkësia ndërkombëtare, e cila në mënyrë naive “fajësohet” për vënien në jetë të standardeve të theksuara serbe dhe proserbe.Me një fjalë, “standardet teknike” për Kosovën janë pjellë difrekte dhe indirekte e raporteve antishqiptare të politikës dhe të propagandës të KOS-it në Kosovë me në krye peshkopin e saj, Artmenije Radosavleviqin. Në saje të raporteve të rreme dhe të inskenuara për” shkeljen e të drejtave” të njeriut minoritetit serb në Kosovë, qarqet zyrtare të politikës së Beogradit me në krye eksponentët e saj shovinistë dhe antidemokratë, Nebojsha Çoviq, Vladan Batiq, vladika Artmeije e të tjerë, arritën, që të riaktualizojnë “Platformën politike”(sipas skemës raciste dhe antisemitiste të Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, më 1986) të regjimit çetniko-fashist të Slobodan Milosheviqit, që në radhë të parë kishte për qëllim kompremtimin dhe denoncimin e luftës së drejtë çlirimtare dhe antikoloniale të UÇK-së, si dhe të politikës aktuale shqiptare dhe të politikës paqësore të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Si pasojë e indiferencës së politikës dhe diplomacisë shqiptare në Ballkan,(pas vënies së Kosovës nën administrimin paqësor ndërkombëtar të UNMIK-ut dhe të KFOR-it) Serbia ia arrti, që ta “kthejë gëzofin sipas motit”, në radhë të parë, duke shfrytëzuar dobësitë dhe koncesionet e politikës së jashtme të Shqipërisë së regjimit të Fatos Nanos. Së pari, në planin ndërkombëtar e fitoi simpatinë dhe mbështetjen e parezervë të Shqipërisë, e cila ndër shtetet e para në Evropë, dhe në botë, u angazhua që Serbia ( e cila per shkaqe të politikës dhe agresioneve të saj pushtuese kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës ishte izoluar nga bashkësia ndërkombëtare pothuajse një dekadë të plotë. Mirëpo, as politika e jashtme e as diplomacia zyrtare e Tiranës nuk dijti, as nuk deshi, që në favorin e saj, ta kapitalizonte një epërsi të këtillë të diplomacisë në instancat e bashkësisë ndërkombëtare) “pa asnjë therrë në këmbë”, të rikthehej në institucionet dhe në organizatat ndërkombëtare (OKB, OSBE, Pakti i Stabilitetit për shtetet e Evropës Juglindore etj.).Së dyti, pa u zgjidhur statusi përfundimtar i Kosovës, dhe pa u zgjidhur ama asnjë problem tjetër i shqiptarëve të kolonizuar në Ballkan (në Greqi, në Serbi, në Mal të Zi, dhe në FYROM)Shqipëria e Fatos Nanos rivendosi marrëdhënie diplomatike me Beogradin, si dhe i sforcoi në shkallë edhe më të lartë marrëdhëniet ndërshtetërore me vendet kolonialiste sllave fqinje.

Nga një pozicionim i këtillë i gabuar dhe krejtësisht iracional i diplomacisë dhe i politikës së jashtme të pushtetit shtetëror të Fatos Nanos në kontekstin e politikës së marrëdhënieve ndërshtetërore ballkanike dhe të asaj ndërkombëtare karshi çështjes shqiptare të pazgjidhur në Kosovë, përkatësisht në Shqipërinë Etnike, ndikoi pozitivisht në rehabilitimin e politikës pushtuese të SMZ-së, sepse asaj iu hapën shtigje të reja, që në planin ndërkombëtar, sërish t’i vërë në “rend dite” kërkesat e vjetra stereotipe të politikës gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, se “Kosova është tokë serbe, dhe çështje e brendshme e Serbisë”. Artikulimn e kësaj teze antishqiptare, politika dhe propaganda serbomadhe e Beogradit, duke shfrytëzuar paktimin me diplomacinë zyrtare të Fatos Nanos, dhe të partenrëve të saj tradicionalë ndërkombëtarë, qysh para katër vitesh, e dëshmoi në praktikë me shkëputjen e Mitrovicës nga sistemi juridik ndërkombëtar i administratës së UNMIK-ut; me zhbërjen e tampon Zonës së sigurisë kufitare të Kosovës me Serbinë (si rrjedhim, territori i Kosovës rrudhet për, 2500 hektarë tokë në favor të FYROMIT); me krijimin e enklavave njëetnike serbe, të cilat sot me dirigjimin dhe me ndihmën direkte të Beogradit dhe të KOS-it, po kërkojnë kantonizimin e Kosovës; me kushtëzimin e pashmnagshëm, që në Kosovë të rikthehet mbi 75% e popullsisë serbe, e cila tani ka “statusin e refugjatit” në Serbi etj. E gjithë kjo bazë strategjike e artit demagogjik dhe e paranojës kolektive të politikës zyrtare serbe të Beogradit, pa dyshim ka ndikuar në hartimin e “standardeve teknike” për Kosovën, prapavija e së cilës në thelb është e lexueshme dhe tejet transparente: destandardizim i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës (rikthim në “devizën” e vjetër-Kosova çështje e brendshme e Serbisë), dhe destabilizim e mohim i tërësishëm i të gjitha përpjkjeve dhe investimeve të bashkësisë ndërkombëtare për ndërtimin e një Kosove demokratike, paqësore dhe të pavarur nga sistemi kolonial i SMZ-së.

Prandaj, fillimi nga puna i “grupeve të interesit” serbo-shqiptar në relacionin Prishtinë-Beograd, i paralajmëruar qëmoti si “kornizë standardizuese” për zgjidhjen e çështjeve ‘ekonomike dhe teknike” të Kosovës, nuk ka lidhje me asnjë standard as normë të së drejtës ndërkombëtare, por është përzierje direkte në çështje të brendshme të Kosovës nga ana e SMZ-së. Për më tepër, zgjedhja dhe miratimi i “formulës” së këtillë negociuese “teknike”, e imponuar pikësëapri nga politika recidiviste e aventurave militariste të Slobodan Milosheviqit, ka për qëllim izolimin e faktorit ushtarak (UÇK-TMK) nga politika zyrtare shqiptare e Kosovës, dhe ajo ndërkombëtare, si dhe për të rikthyerr Kosovën në çështje të brendshme debatimi të Serbisë dhe të Malit të Zi, përkatësisht për ta rikthyer Kosovën nën sovranitetin kolonial të SMZ-së.

Në mënyrë që të mos cenohet për vdekje, e gjithë ajo që është arritur në ndërkombëtarzimin e çështjes së Kosovës për të jetuar si shtet sovran dhe i pavarur nga SMZ-ja, politika shqiptare në Kosovë, nevojitet që në mënyrë imediate ta rishqyrtojë pëlqimin e saj lidhur me fillimin e “grupeve profresionale-negociuese” për çështjet “teknike” të Kosovës, dhe në vend të saj t’i jepë shans arsyes dhe drejtësisë (jo politikës komprometuese antishqiptare të Serbisë, që po vepron jashtë çdo arsyeje të së drejtës historike dhe të vetëvendosjes së Kosovës dhe të shqiptarëve), duke shpallur referendumin gjithëpopullor shqiptar në Kosovë, ku qytetarët e saj do të deklarohen për statusin e saj, si dhe për të gjitha problemet, që sot rëndojnë mbi supet e saj. Ky do të quhej standard i ligjshëm, i moralshëm, demokratik dhe i arsyeshëm, i bazuar në vlerat ekzistuese të sistemit pozitiv juridik ndërkombëtar, e jo kursesi “standardet teknike” të “grupeve negociuese të interesit”, të patentuara nga SMZ-ja, dhe të “finalizuara” nga mbështetësit e saj të politikës shqiptare, si dhe të asaj ndërkombëtare, të cilat erdhën shprehje si rrjedhojë e politikës së pritjes dhe e nënshtrimit ndaj konsideratave gjepolitike të kolonializmit shekullor të SMZ-së.

Është me interes të veçantë, të nënvizojmë faktin se sipas një paradigme të këtillë “STANDARDIZUESE” të “grupeve të interesit” për çështje “teknike” , që kanë për objektiv kryesor zhvlerësimin e interesit të përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror të Kosovës,( të përqafuar nga politika shqiptare), në historinë e derisotme të rendit ndërkombëtar, nuk është zgjidhur asnjë konflikt kolonial pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Një qasje e këtillë problemit kolonial të Kosovës, të paktën nënkupton mospranimin e prerë të agresorit kolonial serbomadh, që çështja koloniale Kosovës të mos i nënshtrohet asnjë parimi a standardi zgjidhjes së drejtë juridike ndërkombëtare, por edhe më tej të lihet pezull si çështje “teknike” e brendshme e Serbisë. Këtë “refleks historik” antishqiptar të paranojës së shfrenuar dhe të “metodologjisë pajtuese” të regjimit serb të Beogradit nuk janë në gjendje ta shohin vetëm ato politika, të cilat për hir të “biznesit vetjak”, interesin nacional e kanë kuptuar vetëm si “vlerësim rasti” dhe jashtë kohe. Ky është “avantazhi strategjik” i politikës dhe i diplomacisë shqiptare në zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës? Së pari, “pajtim teknik”, e së fundi, “përqafim besnik” me Serbinë, duke mohuar kështu vetëvetën, si dhe të gjitha viktimat dhe gjakun e derdhur për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Po qe se do të triumfonte logjika e një politike të këtillë falimentuese, e cila do të ishte një shkelmim i fortë pavarësisësisë së Kosovës, atëherë, vërtet, do të vinte në shprehje simetria e balancës së vetëkënaqësisë dhe e kapitullimit përpara paradoksit ekspansionist dhe kolonialist të SMZ-së në kurriz të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Nëse Kosova ka probleme të brendshme, atëherë, në asnjë mënyrë nuk është e logjikshme, as e mundur, që ato t'i zgjidhë duke bashkëpunuar me grupe të ndryshme "tekniko-profesionale" të politikës propagandistike të regjimit imperilaist serb të Beogradit, por vetëm në bashkëpunim të ngushtë brendashqiptar, dhe me partnerët e saj të natyrshëm ndërkombëtarë, siç janë Amerika dhe Anglia me aleatët e tyre, të cilat ndikuan drejtpërdrejt (diplomatikisht dhe ushtarakisht) në shpëtimin e Kosovës dhe të shqiptarëve nga terrori gjenocidal i Serbisë së Slobodan Milosheviqit.
Prishtinë, 9 Mars 2004 (Kosova e Lirë)