Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 67
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    26-09-2003
    Vendndodhja
    varavingo
    Postime
    1,084

    Shtohen zërat për dorëheqjen e ministrit nën akuzë Basha

    Nga Mero Baze


    I dashur Lulëzim!

    Lexova dje shkrimin tuaj të botuar në gazetën RD, me pseudonim, ku rreshtoje një sërë shpifjesh të rëndomta ndaj meje pa asnjë gjë të vërtetë dhe më duhet të të sqaroj për disa elemente që nuk kanë të bëjnë me të, por me profilin tuaj si politikan. Praktika e shkrimeve me pseudonim te gazeta RD ka historinë e saj, të cilën ti nuk e njeh, se ke qenë emigrant. Ajo ka nisur në vitin 1992, kur zbuan nga PD Preç Zogajn, ka vazhduar me Arben Imamin, pastaj me Genc Rulin, pastaj me Eduard Selamin e kështu deri në vitin 1997. Prej atij viti gazetën e drejtoi një miku im, Astrit Patozi, deri para pak muajsh dhe kjo praktikë për hir të së vërtetës u ndërpre. Megjithëse plot të tjerë u larguan nga PD, gazeta nuk u përdor më si kobure ndaj tyre. Nuk u përdor as kur iku Genc Pollo, as Leonard Demi, as Ferdinand Xhaferri, Tritan Shehu, Albert Brojka etj. Nuk u përdor, pasi u pranua gjerësisht se kjo mënyrë ishte primitive dhe kishte dëmtuar imazhin e kryetarit real të partisë, i cili nuk kërkon të implikohet në raste të tilla. Në atë kohë përdorej rëndom pseudonimi Dylejman Karaj, tani është gjetur një pseudonim më i pranueshëm.

    Ajo që dua të të them dhe që ty të ka bërë nervoz është e ardhmja jote si politikan. Ti duhet ta mbash mend se e ke bërë intervistën tënde të parë për shtypin shqiptar në gazetën time, në kompjuterin tim dhe fotografitë e para si politikan i ke bërë me aparatin tim fotografik. Unë kam qenë ai, që ndryshe nga ç`thua ti në shkrim, kam bërë betejë publike pa pseudonime, për t`u pranuar shpikja elektorale e KOP-it si një reformë brenda PD. Jo se e besoja deri në fund, por shpresoja se duke ardhur në këtë parti djem të rinj pa komplekse nuk do të keqpërdoreshin nga klanet dhe koniukturat brenda asaj partie si paraardhësit e tyre. Kam bërë betejë me militantët e PD që t`ju pranojnë, kam bërë betejë me kundërshtarët e PD dhe natyrisht me drejtues të lartë të PD që sot i ke në krah në qeveri. Po ta përsëris, se shkrimet dhe debatet e mia kanë qenë publike dhe nuk jam penduar kurrë për to, pavarësisht se jam zhgënjyer nga një tufë hajdutësh që u turrën me lugë në brez të vjedhin ç`ka mbetur pa vjedhur në këtë vend. Ti ende nuk je për mua një hajdut, ashtu sikundër nuk je i tillë as për organet e drejtësisë. Por, në mënyrë shumë zhgënjyese ti je bërë shumë bindës si një politikan burracak, pa personalitet dhe që mendon se do të rritesh nën hijen e Sali Berishës si kungujt që zgjaten në kërkim të diellit. Ti mor djalë, do t`i bindësh qytetarët që je politikan, kur t`i marrësh vetë vendimet së paku për veten tënde, se për më tej vështirë se të beson kush. Unë i qëndroj bindjes sime se ti duhet t`i kishe shkuar në zyrë Dhori Sollakut dhe t`i përgjigjeshe politikisht sulmit të tij. Nga ana tjetër, nuk jam dakord që mazhoranca të ta heqë imunitetin, nëse sulmi i Dhori Sollakut ka qenë politik. Nëse sulmi i tij ka qenë politik, atëherë prokurorja e re, e cila akoma nuk është demonizuar si kamikaze politike, le ta mbyllte çështjen. Fakti që shumicës iu desh të të hiqte imunitetin nën presionin e Sali Berishës, do të thotë që ose sulmi i Sollakut nuk ka qenë politik, ose që ti po bën politikë me një akuzë të ngritur nga shteti. Nëse shumica të heq imunitetin dhe beson që ti duhesh hetuar, ti nuk ke asnjë arsye të mbash postin e ministrit të Jashtëm, pasi nuk ke pse na njollos nëpër botë, duke iu kujtuar të gjithëve, kur të japin dorën, se po hetohesh për korrupsion. Kështu do të më mbushje mendjen se ke ardhur për të ndenjur gjatë në këtë vend. Kështu si po sillesh, më duket se po humbe në vitin 2009, do ikësh prapë në Holandë, ku mund të jesh i qetë, se të ka vdekur dhe ai burri që ta ka blerë shtëpinë dhe s`ke kujt t`i jesh mirënjohës.

    Ti duhet të kesh guximin t`i përballosh vetë betejat publike, jo të bësh letra me pseudonime në gazeta dhe të vësh në pozitë të vështirë miqtë e mi të vjetër në atë gazetën RD, të cilët nuk i kam lënë dje të japin dorëheqjen, vetëm pse dua të shikoj se deri ku shkon pafytyrësia që fshihet pas buzëqeshjes tënde. Për më tepër, më duhet të them se kanë 7 muaj që nuk kanë paguar as shtypshkronjën dhe kjo gazetë shtypet me paratë e mia, duke botuar shpifjet e tua kundër meje.

    Së dyti, dua të të risqaroj për të disatën herë për shpifjet që bën në adresë time. Së pari, unë, Mero Baze, nuk kam kërkuar asnjë tender te Genc Pollo apo Elvana Hana. Ti vet e di mirë që ke dhënë tendera dhe ke bërë ndere për botues të tjerë, por mua më vjen mirë se në fund të fundit gazetarët kanë përfituar ndonjë rrogë mujore. Së dyti, unë, Mero Baze, nuk i kam përkufizuar në asnjë rast tiranasit si “specie në zhdukje”, siç keqciton ti. Unë, Mero Baze, nuk jam përgjegjës për problemet që kanë tiranasit sot me trojet e zëna që po legalizohen. Nëse tiranasit kanë votuar kundër PD disa herë, e kanë bërë, pasi janë në të drejtën e tyre ta shikojnë identifikimin me lidershipin e PD të prurjeve urbane nga Bathorja në Sauk, që sot po marrin tapi mbi tokat e pronarëve. Ato prurje i kanë kthyer ata realisht në një pakicë të rrezikuar, siç thoshte Saimir Shehri, kur donte të mbronte vendin e punës. Unë nuk kam zaptuar asnjë tokë dhe nuk i kam ngushtuar hapësirën asnjë tiranasi. Unë banoj në një apartament të blerë me kredi si shumica e qytetarëve.

    Së fundi, dua të sqaroj dhe problemin e biznesit tim. Është e vërtetë se qysh muajin parë që PD erdhi në pushtet u detyrova të shes gazetën, pasi kisha 240 mijë euro borxh, për shkak të përkushtimit tim gjysmë donkishotesk për të risjellë në pushtet Partinë Demokratike dhe për të qenë avokat i saj për tetë vite, kur e braktisën të gjithë. Ishte një parti që e sulmonte çdo gazetë dhe çdo stacion televiziv, shpesh jo pa të drejtë. E sulmonte “Esmeralda e TVSH”, “Esmeralda e ‘Klanit’”, “Esmeralda e TOP-it”, “Esmeralda e ‘TV Kohës’” dhe gjithë produktet qeveritare që i lëpihen çdo qeverie. Ti nuk ke si ta dish, se ke qenë emigrant. Këto 240 mijë euro natyrisht që nuk prisja të m`i jepte Sali Berisha dhe nuk ia kam kërkuar kurrë, por prisja rregulla të ndershme loje dhe t`i rekuperoja me biznes. Muajin e parë, njeriu yt që u emërua si zëdhënës i kryeministrit, Ermal Hasimja, lëshoi një urdhëresë, të cilën e kam akoma në tavolinë, kur urdhëronte gjithë institucionet që gazetës “Zëri i Popullit” dhe gazetës “TemA” të mos i japin reklama, se janë gazeta partiake. Pra, që muajin e parë të qeverisjes, ti më ke bashkuar mua me Erion Braçen, gjë për të cilën nuk më vjen aq keq tani që Erioni është në opozitë. I kam shlyer borxhet falë blerësit të gazetës, të cilit do t`i jem mirënjohës gjithë jetën dhe për një shkak tjetër. Sapo bleu gazetën “TemA”, atij iu vërsulën në shpinë policia tatimore, policia elektrike, policia e ndërtimit dhe gjithë policitë e tjera të qeverisë (përjashto policinë ushtarake të Mediut, se e ka mik). Dhe atij brenda një viti iu desh të paguante rreth 1,2 milionë dollarë gjoba, vetëm pse kishte bërë krim që kishte blerë gazetën “TemA”. Pati dhe një përpjekje zyrtare për t`i hequr licencën e biznesit, por dështoi. Në këto kushte, ai u detyrua që në mes të vitit që shkoi të më rikthejë sërish gazetën “TemA”. Kjo gazetë, i dashur Luli, është prapë e imja. Nëse nuk beson, pyet Argitën, se te zyra e saj i kam ribërë dokumentet e reja. Prandaj, ke rast të nisësh dhe njëherë sulmin. Por, të lutem, jo me pseudonim, se do trishtosh shumicën e qeverisë që e ka pësuar prej atyre pseudonimeve tek ajo gazetë.

    Dhe njëherë të mirëkuptoj për ndryshimin e mbiemrit nga Mero Baze në Mero Braçe dhe nuk dua të ta bëj dhe ty të njëjtën gjë, pasi i bie të ta shkruaj Lulëzim Berisha dhe pastaj të ngatërrojnë me atë tjetrin në burg, pa shkuar akoma.



    Gazeta Tema

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    06-03-2005
    Postime
    30
    Ku mund ta gjej artikullin e pd qe shkruahet me siper?

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    artikulli i rd-se eshte shkruar nga blendi kasmi.. kryeredaktori.. por rd ska arkiv.. ska as lidhje qe ti shkruash.. e ti kerkosh dicka.. dikush qellimisht e mban rd-ne si ato qypat e baltes qe kalamajt fusin pare.. pra te mbyllur per publikun.. sic duket nuk duan te kene qeverine ne dore me shum se 3-4 vite e do ta dorzojne prap te ustallaret..

    mero nuk e permend bledin po thot e ka shkruar basha me pseudonim..pra ben ironi..
    mirpo bledi nuk eshte pseudonim por person me emer real..

    menjefjale mero bazja u prish perfundimisht me pd-ne..

    kjo nuk eshte gje e mire..
    tema e meros ka dhene ndihmese te jashtzakonshme ne ardhjen ne pushtet te berishes..
    dhe duhej ti mbanin mire pipzat..
    sic duket pd ka marr fund e nuk ka me aty komunikim e harmonizim punesh..

    kjo eshte shenj e keqe..
    tash edvin bracja eshte me i sigurte ne betejen per marrjen e pushtetit.. dmth te zures se sales se pushtetet e tjera ata i kane e nuk i leshuan kurre..

    do jet krim ne se vota e 3 korrikasve hidhet ne lume e pd kapitullon para ppsh-se dhe njihere si me 97..

    athere shqiperi e kosove vihen perfundimisht nen ganxhat e kanibaleve enveriste ..
    do te duhen 30 vjet qe te dal nje azem me shoke ti tundi mafiozet perseri..

    keq shum keq..

  4. #4
    Moderator
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    2,009
    Ja edhe komenti i Myftarajt ne gazeten "Sot" te sotme per kete ceshtje.

    Berisha u nda nga Mero Braçe, por jo nga Merobraçizmi

    Nga Kastriot Myftaraj - Gazeta e PD "Rilindja Demokratike", dje, në ditën e përvjetorit të shtatëmbëdhjetë të saj, për herë të parë gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë vjetëve, editorialin e saj nuk ia kushtoi kësaj ngjarjeje, por një sulmi të ashpër kundër Mero Bazes, beniaminit thuajse për shtatëmbëdhjetë vjet të Sali Berishës, çka ishte gjithashtu një gjë që ndodhte për herë të parë gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë vjetëve që ekziston kjo gazetë.Editoriali me titull «Përse Baze dhe Braçe kërkojnë largimin e Lulzim Bashës», nuk ishte pa emër, siç ndodh rëndom me editorialet e kësaj gazete, por ishte nënshkruar nga vetë kryeredaktori i gazetës, Blendi Kasmi, që tregon seriozitetin e çështjes, aq më tepër që këtë herë Kasmi kishte shkruar plot 1481 fjalë, një gjë kjo e pazakonshme për të. Atakimi i Mero Bazes në këtë shkrim bëhet në terma ekstremisht të ashpra, çka tregon se Mero Baze e ka ezauruar krejt durimin e Berishës, dhe ky i fundit ka vendosur ta flakë tutje si limon të shtrydhur, që është shndërruar në kaktus me gjemba, acarues deri në padurueshmëri. Kjo kuptohet kur Kasmi (Berisha) shkruan: «Imponohemi të reagojmë in-ekstremis ndaj projektit të fundit që po shfaqet sa në konferenca shtypi apo në faqe të ndonjë media, atij Braçe-Baze, jo për një motiv polemist. Nuk do të përmendnim emrin e zëdhënësit të Ramës, sikur muajt e fundit drejtori dhe pronari i gazetës ‘TemA’, Mero Baze, që në qarqe militantësh të PD po e konsiderojnë si Mero Braçe, të mos i kishte lejuar vetes të bënte çdo ditë në median e shkruar dhe elektronike hijen e zëdhënësit të kreut të PS apo jehonën e tij».(“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Berisha dhe Kasmi kujtohen të dëgjojnë korin e militantëve të mbetur rrugëve vetëm kur u duhet të legjitimojnë sulmet e tyre ndaj Bazes, që e ka mbushur kupën. Përndryshe zëri i militantëve nuk vjen në gazetën e “Rilindja Demokratike” ku drejton Kasmi, njeriu që Berisha e ka bërë dhe anëtar të Këshillit Bashkiak të Tiranës që të marrë leje ndërtimi për pallate në tokat pronë e tij, si dhe i cili, Kasmi, e ka marrë ndërtesën e madhe pronë e tij përballë Kuvendit, të cilën e ka lëshuar me qera, për biznese, në shuma mjaft të larta. Editoriali i RD, para se të jetë një denoncim për Mero Bazen, si Mero Braçe, është në fakt një denoncim për vetë Berishën, që e ka toleruar Mero Bazen in extremis, siç thotë vetë Kasmi, dhe që tash po e atakon se ai është bërë i pangopur në kërkesat e tij. Kjo kuptohet kur Kasmi shkruan: «Kjo gazetë ka respektuar dhe respekton vendimin e drejtorit të gazetës ‘TemA’, Baze, që fill pas zgjedhjeve dha me qira apo ia shiti gazetën e tij të ‘djathtë’ ortakut të Ramës në biznese, përderisa ai kishte atributet e pronarit të gazetës dhe mund ta trajtojë si të dojë plaçkën e tij».(“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Berisha i toleroi këto se i konvenonte që njeriu i tij i besuar Baze të kishte lidhje me njerëzit e Ramës, pasi këto ishin tekefundit kanale komunikimi të Berishës me Ramën, për të bërë pazare politike. Por kur Baze u bë i pangopur dhe e teproi në kërkesat e tij për të përfituar nga abuzimi me pushtetin e PD, duke caktuar fituesin e tenderave dhe duke emëruar njerëz në dogana, tatime etj., atëherë Berisha u detyrua që ta godiste. Nga artikulli kuptohet se Berisha është treguar abuzivisht shumë i durueshëm me Bazen. Kasmi shkruan: «Nuk kemi reaguar ndaj sulmeve për tendera ndaj ISKSH apo paraqitjen në këto tendera të firmave fantazmë, me dokumente të falsifikuara se, pavarësisht motiveve personale të këtyre sulmeve, kemi menduar se e rëndësishme është të respektohet liria e medias. Por nuk mund të abuzohet me të drejtën e informimit, duke vjellë vrerin e pakënaqësisë ndaj humbjes së një tenderi, me dokumente të falsifikuara. Nuk kemi reaguar kur gazeta ‘TemA’ i kushtoi ditë të tëra tenderave të Ministrisë së Arsimit, pavarësisht nga sa ai deklaronte se ishin tenderuar shuma miliona euro, me tenderë të drejtpërdrejtë. Bëhet fjalë për 20 milion euro, që në asnjë rast nga Ministria e Arsimit nuk janë dhënë me tender të drejtpërdrejtë. E vërteta e vetme në të gjithë këtë mesele ishte se botuesi i gazetës ‘TemA’ nuk kishte fituar tenderin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sulmet ndaj doganave, ku ka vepruar i njëjti mekanizëm në publikimin e shumë shifrave abuzive».(“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Pra, Mero Baze i kishte rritur kërkesat e tij, prandaj ai duhej frenuar, se nga “torta” e tenderave kërkonin dhe të tjerë dhe nuk mund të lejohej Baze të merrte sa herë të donte feta të mëdha. Dhe kur Mero Bazes i ranë në dorën që zgjati për të marrë copat që donte nga “torta” e tenderave, ai u shndërrua në Mero Braçe. Editoriali i Kasmit na zbulon se si Berisha, me durim, u mundua për një kohë të gjatë që ta bënte Mero Braçen të kthehej përsëri në Mero Baze: «Ndonëse është e dhimbshme dhe dëshpëruese të shohësh një media si ‘TemA’ që keqpërdoret për gjoba ndaj të gjithë atyre që nuk i kanë dhënë tenderat e preferuar, nuk i takon gjithsesi "RD të polemizojë për ato që nxijnë faqet e gazetave, por nuk mund të mos sqarohen të vërtetat që fshihen pas këtyre sulmeve false, që pas fasadës së tyre për të ashtuquajturën barazi në tendera apo drejtësi të informimit, tentojnë të fshehin gjobat që vendosen ndaj këtyre institucioneve».(“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Le të mos mundohet kot kryeredaktori i RD të japë sqarime për barazinë në tenderë, se të gjitha ata që e lexojnë shkrimin e tij e kanë të qartë se nuk ka barazi në tenderë, se nëse do të kishte atëherë pushteti nuk do të ishte treguar kaq i duruar me Bazen, dhe që në tentativat e tij të para për të fituar tenderë abuzivisht do ta kishte denoncuar në Prokurori. Me ato që thotë Kasmi, del se drejtoresha e ISKSH, Hana, Ministri i Arsimit, Pollo, etj., kanë konsumuar një vepër penale që nuk e kanë denoncuar Mero Bazen për korrupsion pasiv. Ajo që kanë bërë ata është që të venë në dijeni Berishën, që i ka tërhequr veshin Mero Bazes dhe i ka kërkuar të ulë pretendimet e veta. Pra një histori mafiozësh. Megjithatë, kryeredaktori i RD na e bën të qartë, se Mero Bazes do t’ i faleshin të gjitha këto, sikur ai mos të sulmonte Lulzim Bashën. Kasmi shkruan: “Në rastin konkret kemi një reagim të imponuar in-ekstremis, sepse deri sot, veç Braçes me konferenca shtypi, askush nuk e kishte menduar se Lulzim Basha duhet të largohet nga posti i ministrit të Jashtëm”. (“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) E pastaj Kasmi ka kurajën të shkruajë në fillim të editorialit: “Në rastin kur fjala e lirë kompromentohet duke tjetërsuar të vërtetën, qoftë edhe kur një pjesë të sado evogël të medias vihet mbi interesin publik, atëherë ky lloj korruptimi është më i rrezikshëm se korrupsioni në pushtetet e tjera, pasi nuk ndëshkohet dhe synon vetëm të manipulojë opinionin dhe jo t'i thotë atij të vërtetën”. (“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) A nuk na dha kryeredaktori i RD me editorialin e tij shembullin e këtij lloj korruptimi, që ai e quan më të keqin e të gjithëve, për shkak se e thotë qartë se RD ka heshtur për aferat e Mero Bazes dhe detyrohet të flasë vetëm se ai kërkoi dorëheqjen e Lulzim Bashës? Më tutje Kasmi pyet: “Me ardhjen e PD në pushtet kemi një dashuri të Bazes dhe Braçes, që paraqiten me teza të njëjta para opinionit. Se çfarë e bashkon Braçen me Bazen, më mirë e dinë ata të dy”. (“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Sintonia e Bazes me Braçen mund të konsiderohet si rezultat i frymës së Merobraçizmit që mbizotëron në mediat pro PD. Kjo do të thotë se, në rast se njerëzve të gazetave dhe televizioneve pro PD nuk u kënaqet lakmia për tendera dhe emërime abuzive të njerëzve të tyre, që do t’ u paguajnë shpërblim, ata braçizohen dhe fillojnë të atakojnë qeverinë. Mero Baze është vetëm epitomë e frymës së Merobraçizmit që ekziston në mediat pranë qeverisë. Frymën e Merobraçizmit në mediat pranë PD e kanë Aleksandër Frangaj, Blendi Fevziu, Fahri Balliu, Andi Bushati, etj. Editoriali i djeshëm i RD i paralajmëron merobraçistët që mos ta teprojnë shumë se do të ndëshkohen. Në fund të editorialit ka dhe një paraljmërim ezoterik për Mezo Bazen: “Gazeta nuk ka reaguar edhe ndaj thirrjeve aspak qytetare, të cilat i konsiderojnë banorët e Tiranës si një specie në zhdukje, kur në të vërtetë qenie të tilla janë ata që përçojnë këto teza”. (“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Këtu arrihet deri në kufijtë e kërcënimit fizik!

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    26-09-2003
    Vendndodhja
    varavingo
    Postime
    1,084
    Citim Postuar më parë nga Brari Lexo Postimin

    menjefjale mero bazja u prish perfundimisht me pd-ne..
    ....

    keq shum keq..

    Brar mu sme vjen keq qe Merrua u prish me Berishen por me vjen keq qe nje Kungull si Lul Basha drejton politiken e jashtme shqiptare. Ska ma zi.

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e elen
    Anëtarësuar
    07-01-2005
    Vendndodhja
    United States of Albania
    Postime
    919
    Citim Postuar më parë nga vagabondo_nyc Lexo Postimin
    Brar mu sme vjen keq qe Merrua u prish me Berishen por me vjen keq qe nje Kungull si Lul Basha drejton politiken e jashtme shqiptare. Ska ma zi.
    Ty te vjen inat vacabondo se sje ne vend te Lulit..
    Ky Luli nuk ka te beje me vajzen e Sales mo??? Zotesi eshte pse jo??
    Never take life seriously. Nobody gets out alive anyway

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-03-2005
    Postime
    926
    Përse Baze dhe Braçe kërkojnë largimin e Lulzim Bashës

    Bledi KASMI
    Rilindja Demokratike


    Ndryshe nga 17 vjet më parë, Shqipëria është sot vendi i më shumë se 80 titujve të përditshëm dhe periodikë të gazetave dhe revistave, pa futur këtu median elektronike. Sot kemi një realitet krejt të ndryshëm nga ai i 17 viteve më parë, ku nuk ka më gazetarë që të vriten, burgosen apo që të rrihen. Madje nuk ka më pushtetarë që të denoncojnë me padi penale gazetarët, pavarësisht vërtetësisë apo certifikatës së “mallit” që shitet në treg. Shqipëria klasifikohet sot si një ndër vendet që nuk ka probleme me lirinë e fjalës, por kjo nuk do të thotë se raportet mes vetë mediave dhe lexuesve janë po aq të lira sa liria e fjalës. Mjafton një konkluzion i një organizate mjaft prestigjioze ndërkombëtare për gjendjen në të cilën ndodhet shtypi i sotëm. Tirazhi i të gjitha mediave të marra së bashku nuk e kalon tirazhin e “RD” të ‘91-it, shkruan Human Rights Watch., e cila arrin në këtë konkluzion 17 vjet pas daljes së numrit të parë të kësaj gazete.

    Tranzicioni i mediave ka qenë mjaft i vështirë dhe ajo nuk mund të mos jetë prekur prej tij. Mund të jetë i korruptuar një pushtet legjislativ apo ekzekutiv, por ai rrëzohet dhe ndëshkohet përmes votës së qytetarëve, apo vendimeve të drejtësisë. Mund të jetë i korruptuar një sistem gjyqësor, por përgjegjësitë e tij mund të ndëshkohen nga drejtësia. Korrupsioni tek këto pushtete mund të luftohet, të ndëshkohet dhe të kurohet gjithmonë nëse ekziston një media e lirë, profesionale dhe besnike e misionit për t’i shërbyer interesit publik. Në rastin kur fjala e lirë kompromentohet duke tjetërsuar të vërtetën, qoftë edhe kur një pjesë të sado evogël të medias vihet mbi interesin publik, atëherë ky lloj korruptimi është më i rrezikshëm se korrupsioni në pushtetet e tjera, pasi nuk ndëshkohet dhe synon vetëm të manipulojë opinionin dhe jo t’i thotë atij të vërtetën.

    Imponohemi të reagojmë in-ekstremis ndaj projektit të fundit që po shfaqet sa në konferenca shtypi apo në faqe të ndonjë media, atij Braçe-Baze, jo për një motiv polemist. Nuk do të përmendnim emrin e zëdhënësit të Ramës, sikur muajt e fundit drejtori dhe pronari i gazetës “TemA”, Mero Baze, që në qarqe militantësh të PD po e konsiderojnë si Mero Braçe, të mos i kishte lejuar vetes të bënte çdo ditë në median e shkruar dhe elektronike hijen e zëdhënësit të kreut të PS apo jehonën e tij.

    Kjo gazetë ka respektuar dhe respekton vendimin e drejtorit të gazetës “TemA”, Baze, që fill pas zgjedhjeve dha me qira apo ia shiti gazetën e tij të “djathtë” ortakut të Ramës në biznese, përderisa ai kishte atributet e pronarit të gazetës dhe mund ta trajtojë si të dojë plaçkën e tij.

    Nuk kemi reaguar ndaj sulmeve për tendera ndaj ISKSH apo paraqitjen në këto tendera të firmave fantazmë, me dokumente të falsifikuara se, pavarësisht motiveve personale të këtyre sulmeve, kemi menduar se e rëndësishme është të respektohet liria e medias. Por nuk mund të abuzohet me të drejtën e informimit, duke vjellë vrerin e pakënaqësisë ndaj humbjes së një tenderi, me dokumente të falsifikuara.

    Nuk kemi reaguar kur gazeta “TemA” i kushtoi ditë të tëra tenderave të Ministrisë së Arsimit, pavarësisht nga sa ai deklaronte se ishin tenderuar shuma miliona euro, me tendera të drejtpërdrejtë. Bëhet fjalë për 20 milion euro, që në asnjë rast nga Ministria e Arsimit nuk janë dhënë me tender të drejtpërdrejtë. E vërteta e vetme në të gjithë këtë mesele ishte se botuesi i gazetës “TemA” nuk kishte fituar tenderin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sulmet ndaj doganave, ku ka vepruar i njëjti mekanizëm në publikimin e shumë shifrave abuzive.

    Ndonëse është e dhimbshme dhe dëshpëruese të shohësh një media si “TemA” që keqpërdoret për gjoba ndaj të gjithë atyre që nuk i kanë dhënë tenderat e preferuar, nuk i takon gjithsesi “RD të polemizojë për ato që nxijnë faqet e gazetave, por nuk mund të mos sqarohen të vërtetat që fshihen pas këtyre sulmeve false, që pas fasadës së tyre për të ashtuquajturën barazi në tendera apo drejtësi të informimit, tentojnë të fshehin gjobat që vendosen ndaj këtyre institucioneve. Heshtja e kësaj kohe ka pasur të bëjë vetëm me respektimin e lirisë së fjalës, por duhet kuptuar se liria e fjalës mbaron aty ky nis spekullimi dhe manipulimi, e drejta jote mbaron aty ku shkelet liria e tjetrit, i cili nuk mund të nxihet përditë, javë e muaj me radhë për interesa personale ordinere.

    Në rastin konkret kemi një reagim të imponuar in-ekstremis, sepse deri sot, veç Braces me konferenca shtypi, askush nuk e kishte menduar se Lulzim Basha duhet të largohet nga posti i ministrit të Jashtëm. Ishte ky deputet, i cili la imunitetin për t’u hetuar për rrugën Durrës-Kukës, jo bazuar mbi raportin e mirëfilltë politik të Sollakut, por se u bazua tek morali i tij, ndonëse kishte një raport të Kuvendit, i cili pasqyronte qartë se nuk ekzistonte asnjë shkelje ligji në tenderin e rrugës Durrës-Kukës. Ishte ky veprim, i cili vendosi standardin më të lartë politik të këtij legjislativi, duke u zhveshur nga mburoja ligjore e deputetit dhe duke shkuar vetë në dyert e drejtësisë. Ndoshta drejtuesi i gazetës “TemA” së bashku me zëdhënësin e Ramës janë zemërthyer pse Basha nuk shkoi tek Sollaku, por e vërteta është se kërkesa e Sollakut ishte e mirëfilltë politike, nuk kishte të bënte aspak me tenderin e rrugës Durrës-Kukës, por për faktin e thjeshtë se duhet të bërtiste Braçe dhe Baze.

    Gjatë këtyre viteve janë me dhjetra akuzat e ngritura ndaj politikanëve me imunitet, por askush nuk kishte guxuar që të shkonte vetë në dyert e drejtësisë. Edhe tani janë të rreshtuar në rresht të gjithë ushtarët e Ramës, dhe këmbëngulin që të mos kufizohet imuniteti për deputetët, pavarësisht se kemi një kërkesë edhe nga Komisioni i Venecias dhe Brukseli për këtë qëllim. Ka një dystandartizim të dukshëm, ku, nga njëra anë, kemi një Lulzim Basha, i cili la imunitetin për t’u përballur me akuzat e montuara politike dhe, nga ana tjetër, kemi një grup deputetësh të afërt me kreun e PS, të cilët kanë frikë të kufizojnë imunitetin, duke u trembur nga e shkuara dhe e sotmja e tyre.

    Basha ka vendosur një standard të ri në komunikimin mes institucionit të akuzës dhe Parlamentit, ku i hapet rruga ballafaqimit të Prokurorisë me këdo nga deputetët që thërriten prej saj, gjë siç duket i tremb ata që çdo ditë ulërasin në konferenca shtypi apo mbushin faqet e mediave kundër këtij standardi. Gazeta e njohur “Herald Tribune” shkruan se lwnia e imunitetit tw Bashws ishte njw shenjw e qartw e ndarjes me tw shkuarwn, kur zyrtarwt mbroheshin pas imunitetit politik. Me ardhjen e PD në pushtet kemi një dashuri të Bazes dhe Braçes, që paraqiten me teza të njëjta para opinionit. Se çfarë e bashkon Braçen me Bazen, më mirë e dinë ata të dy.

    Ka një urrejtje të drejtuesit të “TemA” ndaj figurës së ministrit të Jashtëm, Basha. Duke huazuar tezat e Braçes, Baze, më shumë se një duf dhe mllef ndaj Bashës, ka një urrejtje ndaj KOP-it dhe rolit që ai luajti në zgjedhjet parlamentare, si dhe kontributit që ai po jep në qeverisje. Ka një sulm personal të tipit fletërrufe ndaj figurës politike të ministrit Basha, që nisi në prag të fushatës për zgjedhjet lokale nga Rama dhe po vazhdon tani nga zëdhënësi i Ramës, dhe drejtuesi i “TemA”.

    Gazeta nuk ka reaguar edhe ndaj thirrjeve aspak qytetare, të cilat i konsiderojnë banorët e Tiranës si një specie në zhdukje, kur në të vërtetë qenie të tilla janë ata që përçojnë këto teza. Nuk kemi reaguar se ky nuk është konsideruar si një problem i gazetës apo i banorëve autoktonë të Tiranës, që qenkan një specie në zhdukje, por thjesht e kemi identifikuar si një kompleks të atyre që prezantojnë qëndrime të tilla.

    Tirana ka mirëpritur dhe strehuar në gjirin e saj, gjatë këtyre dhjetra viteve, me qindra mijëra njerëz nga e gjithë Shqipëria, dhe gjithnjë u ka hapur dyert pa tentuar kurrsesi asimilimin apo tjetërsimin e atyre që ka mirëpritur, dhe është e turpshme që këtë komunitet që themeloi kryeqytetin e shqiptarëve, ta konsiderosh një specie në zhdukje. Ishte kjo Tiranë, të cilën edhe diktatori e urrente dhe që e persekutoi jo pak përgjatë gjysmë shekullit të diktaturës, megjithatë nuk arriti ta konsideronte një specie në zhdukje dhe nuk mundi të nënshtronte. Ishin banorët e kësaj Tirane ata që iu hapën dyert dhe strehuan studentët e Dhjetorit ‘90, kur ndiqeshin nga sigurimsat e diktaturës, dhe u ngritën në këmbë duke u përballur pikërisht në këtë vend me aparatin me të fuqishëm të asaj kohe, dhe tërhoqën zvarrë shtatoren e diktatorit. Nuk meriton ky komunitet tezat “specie në zhdukje”, artikuluesi i kësaj sentence duhet t’u kishte kërkuar prej kohësh të falur atyre, megjithëse kjo është çështje morali.

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-03-2005
    Postime
    926
    Gabim e ka Luli dhe ustai i Lulit që sulmojnë Mero Bazen.

    Nuk hidhet Baze poshtë për nje dosë bjonde 150 kilshe si Elvana Hajnja
    apo për një prostitutë politike si Genc Pollo.

  9. #9
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Une nuk e di, se qe prej kur ka filluar ta lexoje z.Kasmi gazeten TemA, por nese ka nje gazete qe i ka bere reklame KOP-it dhe i ka dhene mundesi atij te shpalose platformen per zgjedhjet e 3 korrikut 2005, ajo ka qene gazeta TemA. Kush shkruan ndryshe, shpif.

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    nuk me duket kungull lul basha or ti vagobondos..

    me cpo lexoj ai shum bukur po e drejton politiken e jashtme e sidomos ceshtjen e kosoves..

    sigurisht qe ps do vazhdoje luften kunder lul bashes te cilen e nisi sapo lul basha u cfaq si kop-ist..
    po nga mafia ps e edvin mafiozit nuk pritet tjeter..

    prandaj dhe merua do duhej te duronte me kto tenderat e te mos binte ne drrasa te kalbura.. pra te behej ortak ne fushatat edvino braco kanibaliste kunder pd-se.

    sikurse dhe pd do duhej te vleresonte voten e 3 korrikut qe te mos e flliq askush se eshte vota me e paster qe eshte dhene ndonji here..

    nejse.. ja cthot sot bled kasmi..ne rd..


    ---------------

    Të mohosh veten

    Bledi KASMI


    Nuk do t'i përgjigjesha pamfletit të drejtuesit të gazetës TemA, sepse sikurse shkruaja në editorialin e tre ditëve më parë, ai shkrim nuk synonte të nxiste polemika, por të saktësonte disa të vërteta, të cilat nuk munden që të mbulohen nga balta e vazhdueshme e dezinformimit. Nuk do të doja që të përgjigjesha as për fyerjet si koleg apo drejtues i kësaj gazete, kur shkrimin tim ia atribuon një tjetri, pavarësisht nga firma ime poshtë tij. Periudha e pseudonimeve ka marrë fund një herë e mirë. Në media, ajo ka qenë një huazim i një të shkuare të errët të historisë sonë, asaj të sigurimit të shtetit, por që kurrsesi sot nuk mund të serviret si realitet në këtë gazetë, simbol i rrëzimit të atij sistemi.

    Do të doja të sqaroja se pamfleti yt është fund e krye një trillim dhe dezinformim i plotë, një mohim i vetvetes dhe i padenjë për një gazetar, që dëshmon për një krizë totale, duke i lejuar vetes përdorimin e një fjalori prej halabaku ordiner. Ju, në hyrje të shkrimit tuaj, si në një krizë paranoje, krahasoni veten me udhëheqës dhe themelues të PD. Nëse ty të pëlqen krahasimi i vetes me liderë të PD, pavarësisht se nuk ke qenë as edhe një ditë në forumet drejtuese të saj, po të rikujtoj se kjo gazetë, në të gjitha momentet, ka mbajtur qëndrimin e forumeve të PD. Nuk mund të mohoj faktin se në zgjedhjet e vitit 2001, nga forumet e PD, u përzgjodhe kandidat në zonën e plazhit-Durrës, zona elektorale, e konsideruar më e mira në favor të PD për t'u fituar, sikundër po në atë periudhë ti zgjodhe ndarjen përfundimtare me PD, kur në orën 12.00 të mesditës, kur kishin kaluar vetëm pak orë nga hapja e kutive të votimit, i dorëzove zonën elektorale rivalit tënd socialist, duke u bërë thirrje komisionerëve të bojkotonin procesin zgjedhor pa asnjë miratim apo vendim të forumeve të asaj partie që të kandidoi ty. Arsyet e aktit tënd i di ti vetë dhe nuk po ndalem këtu në shkrim, për të mos lënduar në ndonjë prej tyre, por nuk besoj se ka qenë për t'u dhënë kurajo komisionerëve që ishin nën terror atë ditë.

    Në shkrimin tuaj, ju pretendoni se gazeta që drejtoj paska 7 muaj që nuk paguan detyrimet në shtypshkronjën e "TemA"-s, ndërkohë që me dokumente faktohet që gjatë 3 muajve që drejtoj këtë gazetë, me fatura që mbajnë firmën e bashkëshortes tuaj, janë paguar të gjitha detyrimet që kemi pasur. Në rast se gazeta ka detyrime të mëparshme ndaj teje, i sigurt të jesh se nuk pranojmë të mbetemi borxhli, edhe sikur ti ta doje këtë.

    Në shkrimin tuaj, ju pohoni se gazetën e shitët apo ia dhatë me qira ortakut të Edi Ramës në biznese, se ishe i zhytur në borxhe prej Berishës. Kësaj, nga krahina jote, i thonë: "Për inat të sime vjehrre, shkoj dhe fle me mullixhinë". Nuk më intereson kujt ia shet apo ia jep me qira gazetën tënde personale, por dezinformon në mënyrë të padenjë kur shkruan se qiraxhiu i gazetës tënde të "djathtë" sapo e mori në dorëzim atë, ka paguar 1.5 milion dollarë gjoba nga tatimet, policia elektrike, etj. Me këto faktoni se gazeta u dha me qira për të prerë gjoba. E them këtë, sepse disponohen dokumentet që faktojnë se qiraxhiu i gazetës tënde, pronari i lokalit më të madh dhe frekuentuar në kryeqytet, kishte arritur me miqtë e tu, para se PD të vinte në pushtet, të regjistrohej si biznes i vogël dhe i paguante taksa shtetit sa një kioskë tek "Rrapi i Treshit". Nëse ndokush mendon se duke marrë me qira gazetën "TemA" do t'u shpëtojë detyrimeve tatimore të përcaktuara me ligj, vetëm sa mashtrohet. Nëse merr përsipër avokatin e tij për gjoba të pamerituara, të sugjeroj që ankesat, klienti yt, t'i adresojë tek autoritetet përkatëse, duke pasur garanci se ato do të shqyrtohen.

    Në shkrimin tuaj pretendoni se lufta ndaj zonjës Hana është parimore dhe se nuk keni marrë pjesë në tenderat e këtij institucioni. Nuk mund të mos mjerohesh kur shikon se si humbja e një tenderi të ka degraduar, deri në mohim të vetvetes. Nga shkrimi i botuar në gazetën "TemA" të dt. 2 gusht 2007, ju pranoni pjesëmarrjen e kompanisë tuaj në tenderin e ISKSH. "Skandali nisi kur shoqëria që dha çmimin më të ulët "Mediasoft", u zhduk fare nga listimi i çmimit pas disa ditësh, duke iu zhdukur dosja, edhe pse kishte konkurruar zyrtarisht.", shkruhet në këtë numër të "TemA".

    Përpara se të arrihej deri tek botimi i këtij shkrimi, sipas dokumenteve zyrtare, është dorëzuar kërkesa për pjesëmarrje në tender. Nuk ka asgjë të keqe që një kompani të marrë pjesë në një tender, problemi qëndron se dokumentacioni i paraqitur, sikurse është verifikuar më pas edhe nga Drejtoria e Tatimeve, ka qenë i falsifikuar, duke fshehur detyrimet që firma ka pasur, përmes ndryshimit të NIP-it.

    Zonja Hana mund të ketë problemet dhe dobësitë e veta në punën e saj, dhe kjo gazetë nuk merr aspak përsipër që t'i mbrojë ato, nëse ekzistojnë, sikurse nuk mund të mbrojë dobësitë e asnjë zyrtari tjetër, por ajo drejtoreshë meriton një përgëzim që nuk u përkul para presionit të gazetës "TemA", që, me një stil gjobëprerës, kërkonte të merrte tenderin me dokumente të falsifikuara.

    Ju e konsideroni zotin Basha si të pafytyrë, duke dëshmuar standardin e një halabaku ordiner, dhe e bëni këtë sepse këtij ministri i takoi rasti që një zotim elektoral të PD, për kufizimin e imunitetit dhe çështje që kanë të bëjnë me transparencën e qeveritarëve dhe administratës ndaj organeve të hetimit, ta shndërrojë në realitet. Ai, këtë pafytyrësi, siç pretendoni ju, me fjalor ordiner, nuk e bëri për të bindur Berishën, por sepse kufizimi i imunitetit për rastet e hetimit ndaj korrupsionit është standardi i vendit ku ai është edukuar dhe shkolluar, është standardi i Europës Perëndimore, dhe prej 200 vitesh i Shteteve të Bashkuara. Është një kërkesë e BE ndaj Shqipërisë. Kjo parti, katër vjet më parë, dorëzoi në Parlament ligjin për këtë çështje, që kërkonte kufizimin e imunitetit të zyrtarëve që hetohen për korrupsion. Ligji i parë i dorëzuar në Kuvend, pas fitores së zgjedhjeve të PD në 2005, është i njëjtë, ka të bëjë me kufizimin e imunitetit të deputetëve. Opozita e refuzon kategorikisht ligjin dhe mazhorancës nuk i mbetet gjë tjetër, veçse, me procedura parlamentare, ta zbatojë atë në çdo rast. Ky standard duket se nuk i përshtatet drejtuesit të "TemA" dhe ofendon me fjalor thuajse të njëjtë me të Braçes, përtej çdo etike, duke ditur se këta qeveritarë kanë hequr dorë nga proceset ndaj gazetarëve. Ai është një standard larg dorëzimit të zonës elektorale në Durrës rivalit socialist, në një moment mjaft të vështirë për PD dhe opozitën e asaj kohe. Nuk mund të vlerësohet ky standard, sepse standard më i mirë duket ai i dhënies me qira të fletushkës tuaj të "djathtë" "TemA" ortakut të Ramës, me mendimin se mund t'i krijohet imuniteti ndaj çdo shkeljeje ligji. Ai standard është shumë larg atij të vendosur nga drejtuesi i "TemA", që synon fitoren me dokumente të falsifikuara të tenderave dhe kur nuk ia arrin qëllimit, shkruan fletërrufe.

    Standardi juaj është të hapësh fletushkën tënde me lajmin se janë prokuruar nga Ministria e Arsimit, me prokurim të drejtpërdrejtë 20 milion euro, ndonëse ky është një dezinformim i plotë, i cili, sipas një deklarate zyrtare të Ministrisë së Arsimit është "një sulm çukist i drejtuesit të gazetës "TemA" që lidhet me dëshirën për të marrë tendera, pa hyrë fare në garë, për t'u pasuruar në mënyrë abuzive".

  11. #11
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    26-09-2003
    Vendndodhja
    varavingo
    Postime
    1,084
    Baze: Raportet e mia me Berishën

    INTERVISTA/ Analisti i njohur komenton përplasjet brenda PD-së dhe sulmet ndaj tij: Basha të iki. Aleatët, ministrat më të dobët


    Bashkëpunëtori i vjetër i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, analisti Mero Baze, paralajmëron në një intervistë për "Shqip" furtunën që pritet të përpijë partinë më të madhe mazhoritare në rast se shefi i qeverisë nuk ndryshon strategjinë e qeverisjes. Përplasjet brenda PD-së, analisti Baze i ka konsideruar si përpjekje të pafundme për të coptuar pushtetin e 3 korrikut në miniqeveri të vogla brenda qeverisë "Berisha". Lidhur me akuzat e lëshuara ndaj tij nga segmente të PD-së, ai është përgjigjur se "i vetmi tender që kam humbur me dashje është tenderi për të shitur Sali Berishën, kur e shitën të gjithë". Gazetari që punon prej 18 vjetësh përkrah shefit të mazhorancës aktuale, ka hedhur akuza ndaj ministrave të kabinetit Berisha. Baze i kërkon Berishës dorëheqjen e Bashës për një përfaqësim më dinjitoz të Shqipërisë në sytë e të huajve dhe cilëson si ministra të dobët dy prej aleatëve të PD-së, Ndokën dhe Pollon.

    Zoti Baze, ka disa kohë që e djathta po përballet me një luftë brenda llojit të saj. Si një ndër analistët që e njeh mjaft mirë kampin e djathtë, si e konsideroni këtë situatë?

    Kam idenë se nuk kemi të bëjmë me ndonjë luftë të mirëfilltë politike dhe as me luftë klanesh, por me një përpjekje të pafundme për të coptuar pushtetin e 3 korrikut në miniqeveri të vogla brenda qeverisë "Berisha". Ky është tipari i parë dhe identiteti real i qeverisë që kemi. Sa herë miniqeveritë kanë probleme, aq herë ngrihen tonet dhe imitohen lojëra luftash. Ky oreks i shtuar i aleatëve natyrisht që ka hapur orekse dhe brenda PD-së. Brenda PD-së ka pakënaqësi ndaj mosprekjes së pushtetit. Njerëzit që nuk e prekin pushtetin, ose nuk e ndjejnë atë, janë të zemëruar me njerëzit që konsiderohet se janë në pushtet. Por pushteti realisht është eksportuar nga klientelizmi dhe nepotizmi në grupe interesash që nuk kanë shumë lidhje me atë që mund të quhet PD. Kështu që brenda PD-së ka më shumë nervozizëm në rritje dhe kjo ka krijuar idenë e grupeve. Në të vërtetë nuk ka grupe. Grupi i ministrave të PD-së janë njerëz luajalë të Sali Berishës dhe natyrisht do të marrin gjithë meritat e mirëqeverisjes apo taksën e keqqeverisjes së tij. Të tjerët që nuk janë ministra kanë problem mënyrën se si duhet të përfaqësohen në elektorat si njerëz me pushtet, pasi në PD nuk ka një strukturë politike që të menaxhojë pushtetin dhe të eksportojë fuqinë e pushtetit te çdo deputet, me qëllim që ata të ndihen në pushtet. Pra, në PD ka realisht nervozizëm nga të mos pasurit një mekanizëm se si menaxhohet pushteti. Nuk ka një autoritet në PD ku mund të trokasësh dhe ta zgjidhësh një problem. Kjo ka krijuar natyrisht pakënaqësi të mëdha te grupi i deputetëve, pakënaqësi që rëndojnë pa pasur shumë faj profilin e ministrave të PD-së në qeveri. E gjithë kjo situatë ka bërë që Kryeministri më shumë të humbasë energji duke shpikur "qoka" për të pakënaqurit, se sa të hedhë ndonjë ide për të qenë, për të qeverisur vendin.

    Edhe në shtypin e shkruar ka nisur një lloj konflikti që ka në qendër të vëmendjes dy organe pranë PD-së, ju si botues i gazetës "Tema" dhe gazeta "RD", që koordinohet nga pushtetarët e djathtë. Në një shkrim të kësaj gazete, që kontrollohet nga pushteti, ju konsideroheni njësoj si nënkryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Keni deklaruar se pas këtij veprimi fshihet ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. A është ky një sulm ndaj jush dhe cilët janë protagonistët e tjerë që fshihen pas këtij veprimi?

    Ka pasur disa shkrime të tilla në gazetën "RD" dhe me sa e njoh unë praktikën e asaj gazete, kjo do të vazhdojë deri në 30 të tilla. Natyrisht që nuk ndihem i lënduar për shpifjet, por më vjen keq për kthimin prapa në kohë, në fillim të viteve ‘90-të, të praktikave më primitive të asaj partie. Është për të ardhur keq për gjithçka. Për nivelin e ulët, për vjetërsinë që përcjellin dhe për moshën e re që mbrojnë. Pas sulmeve qëndron Lulzim Basha, pasi Kryeministri dhe vetë zoti Basha janë nervozuar nga kritikat e mia në shtyp për qëndrimin me dy standarde që është mbajtur ndaj akuzave që janë ngritur ndaj tij. Një politikan që do të bëjë karrierë në atë parti duhet të ketë guxim të përgjigjet vetë në raste të tilla. Fshehja pas pseudonimeve vë në pozitë të vështirë dhe Kryeministrin Sali Berisha, i cili ka vite që bën përpjekje të harrohet ajo përvojë e keqe e viteve ‘90-të, kur zboi gjithë themeluesit e PD-së me shkrime të tilla me pseudonime. Berisha ka reflektuar, pasi tani i ka marrë sërish në kabinet ata që ka pështyrë, por për Bashën, i cili na erdhi në politikë me kostume firmato, është gjynah të dalë prej saj me kostume "Gabi".

    Përse mendoni që pas heqjes së imunitetit shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, duhet të japë dorëheqjen si ministër?

    Është një zinxhir zhvillimesh. Unë si shumë të tjerë besova se Dhori Sollaku bëri sulm politik ndaj tij në prag të ikjes dhe për këtë arsye shkarkimi i tij u shpejtua po politikisht. Tashmë prokuroria e re duhet ta kishte mbyllur çështjen, nëse akuza ndaj Bashës kishte qenë politike. Fakti që ajo nuk e mbylli, ndryshoi historinë. Në këtë rast PD duhet t‘i qëndronte besnike qëndrimit të saj se akuza ndaj Bashës ishte politike dhe të bllokonte heqjen e imunitetit, pra t‘i qëndronte tezës së saj që ky është një gjyq politik dhe ne nuk e çojmë "kokën e ministrit në sini". Por PD nën presionin e Berishës bëri veprime të çartura. I hoqi imunitetin unanimisht Lulzim Bashës dhe e mbron të mos japë dorëheqjen si ministër. Kjo punë e ministrit mua më duket absurde, se llogorja politike e një politikani është karrigia e deputetit, jo kolltuku i ministrit. Kolltuku i ministrit është detyrë për t`u shërbyer qytetarëve. Dhe unë nuk gjej ndonjë kënaqësi të madhe popullore te shoqëria shqiptare, që ministri i tyre i Jashtëm sa herë të takohet me ndonjë personalitet të huaj, t`u kujtojë atyre qoftë dhe për dhjetë sekonda pasi të buzëqeshë se është pa imunitet dhe akuzohet për korrupsion. Nëse i duhet për diçka Lulzim Basha PD-së, i duhet si deputet dhe politikan. Ministra të Jashtëm gjejmë sa të duam, pasi ministri i Jashtëm real i yni është Kryeministri dhe politika e tij. Në këtë pikë mendoj se është absurde dhe e dëmshme për Lulzim Bashën të qëndrojë i mbrojtur me dhunë si ministër. Problemi i dytë që mund të lindë është se prokuroria e re, ose "Silvia Konti", siç e quan Kryeministri, mund t‘i kërkojë sërish Kryeministrit kasetën e mbledhjes së qeverisë ose shiritat e saj dhe ato duhet t‘i jepen nëse Dhori Sollakut i janë refuzuar politikisht. Nëse nuk i jepen, atëherë ka diçka për të cilën jemi gënjyer herën e parë, ose do të gënjehemi tani.

    Mendoni se jeni vendosur në qendër të sulmit të disa deputetëve të djathtë, për arsye se komentet tuaja të fundit po tregojnë të palarat e atyre që erdhën në pushtet për të luftuar korrupsionin?

    Kam 18 vite që punoj si gazetar dhe jetoj si i tillë që nga dita që është rrëzuar komunizmi në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve kam dëgjuar kërcënime politikanësh, gjyqe politikanësh, kryeministrash, kryetarë parlamentesh, akuza presidentësh. E kam shumë të pasur biografinë me këto gjëra. Kam provuar të prek dhe kufijtë e vdekjes nga profesioni im si gazetar, më kanë bërë shosh makinën me plumba natën e 14 marsit 1997, bashkë me Beqirin, shoferin e Sali Berishës, i cili erdhi më mori në mesnatë në shtëpi, për të shkuar në presidencë. Jam dënuar katër herë me vdekje në lista që janë bërë publike gjatë viteve 1997-1999 nga Tirana në Prishtinë; më kanë qëlluar makinën time private me armë në mars të vitit 2001; kam parë ndërsa isha duke humbur ndjenjat në makinë banditë që bëheshin gati të shpërthenin bomba mbi mua më 2005 në Gjirokastër dhe shumë ngjarje të tjera të forta. Një njeri që është ndeshur me tigra, me të çjerrat e këtyre maceve tallet.

    Segmente të PD-së ju akuzojnë se veprimet tuaja të fundit, të cilat kanë tone të larta kritike, vijnë si pasojë e tenderave të pamarra nga ana juaj. Sa të vërteta janë këto akuza dhe si i perceptoni ju të tilla deklarata?

    Ky është dimensioni më origjinal i korrupsionit të kësaj qeverie dhe i përpjekjes për të mos u gjykuar. Është teori e ngritur në art nga Kryeministri. Sa herë akuzon dikush qeverinë për korrupsion, ai përpiqet të gjejë arsye personale. Në fakt, në rastin tim nuk ka asnjë arsye personale dhe ai i ka shpikur ato. Ka shpikur që unë i kam kërkuar tender Genc Pollos. Unë me Genc Pollon nuk flas me gojë, nuk komunikoj prej vitit 1999, pasi jemi prishur keq, ngaqë unë nuk pranova të përdoresha prej tij kundër Sali Berishës. Më ofroi para, ndihma nga fondacione të huaja për gazetën dhe natyrisht "të ardhme të ndritur" në politikë. Ndenjëm gjatë gjithë pasdites te një piceri në rrugën e Kavajës dhe më siguroi se kisha mbetur i fundit që s`po e pranoja atë ofertë. Bile bënte dhe diversion vulgar për botuesin e gazetës "55" dhe atë të "Shijak TV", me të cilët, sipas tij, e kishte mbyllur pazarin. Unë ruajta principet e mia dhe u prisha me të dhe ky është i vetmi tender që nuk kam marrë prej Genc Pollos, por është tender i vitit 1999, kur kishte dalë në pazar koka e Sali Berishës si politikan. Nuk jam penduar për asnjë moment që e kam humbur si mik, dhe as nuk jam i mërzitur që e paska fituar si mik Sali Berisha. Por dua të them se i vetmi tender që kam humbur me dashje është tenderi për të shitur Sali Berishën, kur e shitën të gjithë. Nga ai tender mund të isha bërë milioner dhe s‘do të kisha nevojë të shisja as gazetën. Akuzat e tjera janë banale dhe shpifje të rëndomta të Lulzim Bashës. Unë nuk kam asnjë kompani që mund të hyj në tendera. Unë bëj gazetë dhe gazeta shitet në treg. Tenderat që ka në dorë qeveria për fushata sensibilizuese, apo reklama, që afrojnë me profesionin e gazetës, Kryeministri e di vetë kujt ia jep, se i bën me prokurim të drejtpërdrejtë. Nëse unë ose ndonjë i afërmi im e ka emrin aty, ta thotë.

    Çfarë qëndrimi do të mbani ndaj këtyre segmenteve për të ruajtur reputacionin tuaj?

    Unë do të vazhdoj të them të njëjtën fjali që kam thënë ditën e parë, që këta zyrtarë janë të korruptuar. Kjo nuk ka të bëjë me reputacionin tim, por me të vërtetën.

    Në këto 17 vjet jetë të Partisë Demokratike, zërat oponentë brenda partisë kanë munguar. Vetëm vitin e fundit, ngjarjet e rëndësishme të vendit dhe momentet delikate të politikës kanë treguar se brenda PD ekzistojnë më shumë se dy klane. Cili do të ishte ilaçi që do të shëronte partinë nga kjo sëmundje?

    Nuk është e vërtetë që nuk ka pasur oponencë brenda Partisë Demokratike. Është partia që ka prodhuar më shumë parti në këtë vend për shkak të kundërshtive që ka pasur. Problem ka qenë se nuk kanë mundur të bashkëjetojnë dot me njëra-tjetrën brenda partisë. Tani po përvijohet një traditë e re pozitive prej zotit Berisha. Ai po pranon grupet e presionit, po pranon lobingun, po bën kompromise dhe kjo është dukuri e re në atë parti. Ka pranuar të bëjë kompromise të forta dhe duke djegur ministra cilësorë siç ka qenë rasti i Ilir Rusmalit. Pra, ka dëshmuar se është një Kryeministër dhe një lider që nëse e vendos para faktit të kryer me shifra dhe projekte që i rrezikon pushtetin të toleron dhe të bën lëshime.

    Keni ndërmarrë një fushatë kritikash në adresë të drejtoreshës së ISKSH-së dhe ministrit të Jashtëm, të cilët njihen si të afërt të ngushtë të Kryeministrit Berisha. A mund të themi se marrëdhëniet tuaja me të djathtën po vijnë duke u shkatërruar?

    Elvana Hana është simbol i zyrtares që ka kapur shtetin, që ka institucionalizuar nepotizmin, që ka konflikt të hapur interesi në mënyrën se si menaxhon atë institucion. Mbrojtja që Kryeministri i bëri asaj dëshmoi se ai e trajtoi atë si mbesë të gruas dhe jo si zyrtare të korruptuar. Këtu merr fund debati politik dhe nuk besoj se ia vlen të flasim për cilësitë pozitive të Kryeministrit lidhur me dashurinë që ka për farefisin e gruas. Ministrin e Jashtëm nuk e kam akuzuar për korrupsion. E kam akuzuar për politikan pa identitet. Kur të rritet dhe të dëshmojë se di të marrë vendime për veten e vet, natyrisht do ta përshëndes. Shpresoj t`ia arrijmë asaj dite. Për korrupsion nuk e kam akuzuar deri më sot. Përkundrazi e kam inkurajuar projektin e rrugës Rrëshen-Kalimash, e cila është një vepër me rëndësi historike për shqiptarët. Nuk jam marrë as me pasuritë e tij si politikan, as me lehtësinë me të cilat i ka vendosur ato pasuri në Holandë apo Kosovë. E mendoj apriori si një politikan që e nis nga zero më 2005. Të shikojmë çdo bëjë pas kësaj dhe le ta gjykojmë. Deri tani po bën ç‘po i thonë dhe nuk dimë kë të vlerësojmë, Lulzim Bashën, apo Lulzim Berishën.

    Mendoni se qeveria duhet të ndryshojë dhe se ministrat nuk po japin rezultatet e duhura në detyrën që u është ngarkuar, çka do të rrezikojë ta kthejë PD-së sërish në opozitë pas zgjedhjeve të 2009-ës? Cili është ministri më i dobët i kabinetit?

    Realisht ministrat më të dobët janë ministrat e partive aleate, Ndoka e Pollo, por problemi është se nuk kemi një qeveri të integruar. Kemi qeveri që punon në mënyrë diskrete dhe nuk është e bashkuar. Kryeministri duket se më shumë energji harxhon duke qeverisur qeverinë, se sa duke qeverisur Shqipërinë.

    Kohët e fundit keni dhënë dorëheqjen nga Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit, duke e lidhur motivin e largimit tuaj me skandalin e fundit të festivalit të fundvitit. Është vërtet kjo arsyeja e largimit tuaj nga ky institucion, apo pas largimit tuaj fshihen skenarë të tjerë?

    Nuk ka asnjë skenar. U pa qartë se festivali i vuri vulën një sërë aktesh banale që prodhon drejtori i Përgjithshëm, Petrit Beci, me politikën e tij klienteliste dhe korruptive. Është një dështim dhe unë jam përgjegjës për atë dështim, pasi kam votuar propozimin e ardhur nga "TV Klan" pa pyetur shumë për integritetin e këtij njeriu. Ishte një presion i orëve të fundit prej kolegëve të mi të "Klan"-it dhe Kryeministrit Berisha dhe unë formova një shumicë për të në këshill. Si person përgjegjës e kam detyrë morale të largohem. Mendoj se Petrit Beci po ashtu duhet të largohet një orë e më parë, pa e kthyer atë pasuri kombëtare në një bahçe private. Por kjo tashmë është çështje e vullnetit që ka këshilli për ta frenuar atë dhe për t‘i treguar vendin. Unë isha përgjegjësi kryesor, pasi dy vjet më parë aty përfaqësoja vullnetin e shumicës politike në vend dhe votova njeriun e gabuar. Tashmë të gjitha palët janë të lira të forcojnë këshillin dhe ta ndalin këtë rënie pa pengesa të RTSH-së. Shpresoj që në vend të këshillit të mos forcojnë Petrit Becin.

    Kryeministri Berisha erdhi në pushtet me fytyrën e ndryshimit, çka tregon se kjo është një strategji e duhur për të fituar sërish zgjedhjet e 2009-ës. Mendoni se para mbajtjes së zgjedhjeve duhet të ndryshojë Kryeministri, ministrat e tij dhe bashkëpunëtorët që e rrethojnë, apo ndoshta duhet të gjejë strategji të reja për të mbajtur pushtetin, duke përfshirë figura të reja në politikë?

    Loja për të fituar zgjedhjet e 2009 është e hapur. Kryeministri ka bilanc të mirë në ndërtimin e rrugëve. Ka bërë një histori më vete në këtë periudhë. Ai ka po ashtu një sukses të dukshëm në dogana dhe tatime, pavarësisht mungesës së eficencës në investimin e këtyre të ardhurave. Kryeministri ka probleme serioze me demagogjinë për lehtësinë e investitorëve, pasi ose nuk e di që nuk u ka bërë asnjë nder, ose e di dhe tallet me ta. Ka probleme serioze me konceptin e tij për luftën kundër korrupsionit, pasi mendon se ai luftohet me arrestime. Në fakt ai luftohet me reforma që ndryshojnë infrastrukturën e shtetit që të lehtësojë shërbimet, që modernizojnë garat dhe zhdukin qytetarët nga thinjtë e batakçinjve në pushtet. Ai e ka një keqkuptim të madh këtë çështje dhe nëse vazhdon me këtë keqkuptim e ka një betejë të humbur. Në planin politik ai duhet të forcojë dukshëm PD-në dhe bën mirë të thërrasë figura të reja në strukturat e saj, por jo me katapultim direkt e në krye, pasi na dalin kunguj si këta të tjerët. Rekrutimi i të rinjve nuk duhet bërë me fushatë, por duhet bërë çdo ditë, me qëllim që ata të integrohen natyrshëm në PD dhe të mos fyhen duke u pompuar brenda muajit. Rekrutimi i të rinjve në PD është urgjent dhe duhet të jetë prioriteti i politikës së tij. Ai nuk duhet të lodhet duke i bërë thirrje gjithkujt që kërkon të hyjë në PD dhe aty të nisë gara. Politika nuk nis duke u bërë nga emigrant ministër, zëvendësministër apo drejtor Telekomi. Jo se ata njerëz mund të mos e meritojnë, por duke qenë pa përvojë politike, nuk i dëshmojnë dot aftësinë e tyre dhe bëjnë idiotësira që u rëndojnë në karrierë. Futja përditë e të rinjve në PD dhe integrimi i përditshëm i tyre krijon një shpresë të re për atë parti. Rekrutimi me fushata dhe më keq akoma me rekomandime klienteliste dhe familjare, e bën atë një parti klienteliste që prodhon mosmirënjohje për ata që i kanë besuar realisht garës dhe vlerave të asaj partie.


    Gazeta Shqip

  12. #12
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Jam dënuar katër herë me vdekje në lista që janë bërë publike gjatë viteve 1997-1999 nga Tirana në Prishtinë;

    thote mero aty lart mes tjerash..

    ..
    di ndonje cjane keto lista e ku jan te publikuara..

    ???

  13. #13
    Restaurator Orbis Maska e Baptist
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Postime
    8,690
    Lulzim Basha eshte nje nder politikajte me te kuturuar, me te edukuar, me te denje dhe me reprezentativ te kultures demokratike te kombit shqiptar dhe qe ka pasur ndonjehere politika shqiptare ne dispozicion. Ai eshte shembull si duhet te jene te tjeret. Ai te zbardh fyfyren kudo qe te shkoje e te te prezentoje. Ne te duhet te shikohet i gjithe copori i matrapazeve politik ne shqiperi sepse asnjeri nuk i afrohen as gjer te thembrat, per me teper te kujtojne lehjet e qeneve te rruges rreth kontejnereve te Tiranes.
    Aeneas Dardanus
    Lavdi, pasthirrme fosilesh, germadhash e rrenojash vershelluese. -Eja pas meje!...

  14. #14
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    po pvete shoki fatos,

    Jam dënuar katër herë me vdekje në lista që janë bërë publike gjatë viteve 1997-1999 nga Tirana në Prishtinë;

    thote mero aty lart mes tjerash..

    ..
    di ndonje cjane keto lista e ku jan te publikuara..

    ???
    po pse ben sikur nuk e ke pietur saline?

  15. #15
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    du-sivet pse nuk e do fatosin nano?
    na rreshto ndonje arsye..


    baptist..

    mir e kie qe mendon ashtu per lul bashen.. por..

    te keqen duhet me kohe me e luftue se ndryshe kur te ha.. baje si magari sa her dush kot eshte..
    e din besoj se cka thosh magari kur e hante uku..

    cka thosh o bap.. ?

    ..

    sapo lul basha u cfaq si kop-ist.. (kop-i qe formoj saliu kur ishte ne opozite) menjihere shpertheu kunder tije.. nje fushate fyerjesh e shpifjesh.. nga dy artileri enveriste..ajo e pdk-se ne kosove dhe e selise roze ne tirane..
    dhe luli nuk foli.. as argita..as saliu.. dhe kjo gerrmerr kunder lulit u be oshetime.. qe tash luli nuk e ndal dot..
    ke ven re ti bap.. qe nga kosova asnji politikan nuk cohet me than.. cka kini more me bash berishen.. leni more te qet se po na bajn rrugen..
    asnji nuk cohet me i dal ne krah lulit..as tani qe eshte nen bresheri te brace baze edvineve as athere kur ish nen bresheri te kosov pres epok zezes..
    pse..sepse politikanet ne kosove.. marrin avdes tek edvin brace ruci..
    sikur te ishte edvini kryeminister.. e te leshonte vec nji po.rdhe diku ne malsi kinse po per-uron ndoj rrug.. e pa ba asnji cm rruge kosove ..krejt me sejdi e hashim me lim e me qos.. me albin e me hazyr.. do i thurshin levdata.. edvinos..
    berish basha po e realizon e ata nuk ndihen.. ata pra politikanet e kosoves.. sepse.. enverizmi i ka hi per palc e se mezi presin qe mbas instalimit te enverizmit ne kosove sa me shpejt te ndodhe kjo dhe ne shqiperi..

    prandaj duhet dhen alarmi se.. enveristet duan ta festojne 100-vjetor-16 tetorin e 2008 me dy krahet enveriste ne pushtet.. si ne kosov si ne shqiperi..

    pra basha u kujtu von me u ndesh me polpotistet.. e kur kujtohesh von.. ta kan shti ujin nen rrogoz..

    e ti baptist leni ato tema me ndajfolje e lidhsa e pun boshe e thuj dicka per shqiptari.. more vesh..
    nuk eshte loje qe ningjat qe vran drin e bardhyl..xhem e sabahet.. ahmet krasniq e qe tritoluan rugoven.. tash do jene zyrtaret e kosoves....
    eshte tragjedi kjo..

    hajt ne te semes thosh beqir ballukja e kadri hazbija e mehmet fiqreti..kur enveri ekzekutonte shoket.. bedri a tuk a nako a koc.. mirpo nje dizaj.. e provuan vet cdo me then.. te te vene para nje grope e aty te ta bejne shoshe trupin..

    e hengri kosova enverizmim.. po e paguan shtrenjte.. sepse nuk u binden se ish pun e keqe..

    nuk ndalen kup limo pojatistet vec me xhema e bardhyla e drina..
    mos te rrehet kush..




    tash ne teme.. te temes..



    nejse..



    ----


    Mbi polemikën Baze - RD

    Nga Fatos Lubonja

    Kam ndjekur me vëmendje të veçantë polemikën e gazetës së partisë në pushtet, RD, ndaj gazetarit të njohur si mbështetës i PD, Mero Baze, pasi ky sulmoi kryeministrin Berisha, duke e akuzuar as më shumë as më pak si mbrojtës të korrupsionit të njerëzve të tij. Kam ndjekur edhe kundërpërgjigjet e Bazes, i cili e nisi këtë polemikë pas fjalës së kryeministrit në fund të vitit 2007, ku, mes tjerash, deklaroi se shumë kritika i vinin qeverisë, pasi pronarët e mediave kërkonin të merrnin tendera që qeveria nuk iua jepte, pasi nuk i meritonin, duke përfshirë në këtë akuzë edhe gazetën “TemA” të Bazes.

    Mendoj se ajo polemikë meriton të merret shumë më gjatë në analizë dhe shumë më thellë nga ç'duket se po e merr shtypi ynë, pasi ngërthen në vetvete disa probleme të rëndësishme që kanë të bëjnë jo vetëm me raportin e pushtetit tonë të katërt me pushtetet e tjera, por edhe me krejt atë që po ndodh në vend pas ardhjes së PD në pushtet. Nëpërmjet asaj polemike shoh probleme tashmë të strukturuara si probleme prej kohësh, të instaluara në trupin tonë shoqëror si sëmundje kronike, që bëhen edhe më dramatike, kur kemi parasysh se, sikurse tregon polemika, ato po i thellon tashmë partia që e mori pushtetin, pikërisht me premtimin se do t'i zgjidhte.

    Pa pretenduar një trajtim shterues, le të ngacmoj disa nga problemet kryesore që shoh në atë polemikë e në komentet për të.

    Problemi i parë që meriton të diskutohet është se Baze, i cili ka kredibilitetin e njeriut që ka qenë afër PD, aq sa mund të thuhet se e ka të lidhur fatin e tij me atë të PD, zbulon se i gjithëpushtetshmi Berisha, ai që ishte garanti i luftës kundër korrupsionit, nuk është ashtu sikurse mendohet dhe gjykohet nga shumë, i gjithëpushtetshëm, por, përkundrazi, shumë i dobët, pasi qeveria e tij është shndërruar në disa miniqeveri, le t`i quajmë feude, ku secili feudal mjel “sisën” e tij të “lopës publike”, kurse Berisha është i pafuqishëm të veprojë kundër tyre, sepse përndryshe ata e rrëzojnë nga pushteti dhe Berisha pushtetin e do më shumë sesa të mirën publike. Nuk mund të mos të të kujtohet nga përshkrimi i Bazes paraardhësi i Berishës, Nano dhe sistemi i tij i instaluar i korrupsionit. “Mjeshtëria” e tij më e madhe ka qenë pikërisht mbajtja e ekuilibrit midis feudalëve të vegjël e të mëdhenj, midis të cilëve edhe kryefeudali i Tiranës, Rama, për t'i lënë ata dhe njerëzit rreth tyre të mjelin lopën publike me sa më pak zhurmë dhe me sa më shumë efikasitet; sigurisht edhe duke kërkuar pjesën e tij që duhet të ishte llokma më e madhe. Baze nuk e shtyn akuzën e tij për Berishën deri këtu. Ai edhe insinuon, por edhe tërhiqet njëkohësisht, duke vazhduar të ushqejë mitin se kryeministri është i vetmi garant i ndershmërisë në politikën shqiptare. Pavarësisht kësaj, një gjë del qartë nga polemika: sistemi i ndërtuar nga Nano për të mjelë lopën publike ka dalë më i fortë sesa Berisha që premtoi ta ndryshonte atë. Ky është një problem që meriton të debatohet gjatë, sepse gjithnjë e më shumë po del në pah se një sistem i ndërtuar nga një mori faktorësh e aktorësh nuk mund të ndryshohet nga një njeri i vetëm, pasi ai është më i fortë se çdo njeri i vetëm dhe se akuzat kundër personave të veçantë shpesh nuk janë gjë tjetër veçse mbrojtja më e mirë që i bëhet vetë sistemit.

    Së dyti, meriton të analizohet ajo klithmë që lëshuan shumë ndaj Bazes: “Po tani o i mjerë, ku do të shkosh?!” Kuptimi ishte i qartë. “Opozita nuk të duron dot, tani të goditën dhe të tutë. Nga do t'ia mbash?”

    Në fakt, të mos kesh simpatinë e të dy palëve në pushtet ose të të godasin të dy palët që kanë qenë ose janë në pushtet, sepse nuk vlerëson asnjërën prej tyre dhe i kritikon të dyja, kjo do të ishte gjendja më e mirë për një gazetar, jo vetëm sepse tregon pavarësinë e tij nga pushtetet politike, por edhe sepse është e vërteta e shumicës së shqiptarëve. Mjafton të shohësh përqindjen e pjesëmarrësve në votime. Dhe jo vetëm, ka shumë nga ata që kanë votuar duke zgjedhur të keqen më të vogël, pra që gjithsesi nuk është se i duan të dy palët. Pra, ky do të ishte pozicioni më i vërtetë për një gazetar, madje edhe më fitimprurësi nga pikëpamja e tregut të shtypit, sikur ky të ishte vërtet i lirë. Megjithatë, nuk është kështu. Klithma ndaj Bazes shpreh një të vërtetë të rëndësishme: se nuk është e lehtë të ekzistojë në Shqipëri një shtyp që godet të dy palët, mu pse të dy palët kanë monopolizuar përveç shumëçkaje edhe mediat. Kasta e politikës ka krijuar edhe kastën e gazetarëve të ndarë në dy palë. Hapësirat për të tjerët vijnë duke u ngushtuar me gjithë pretendimin e Berishës se liria e shtypit ka bërë përpara. Problemi që shtrohet duke ndjekur polemikën është: si i bëhet që të rritet dhe jo të zvogëlohet hapësira e pushtetit të vërtetë të katërt, që do të thotë të rritet edhe kredibiliteti i pushtetit të katërt. Në gjendjen që kemi sot, të dy palët e kanë shumë kollaj të diskreditojnë kritikët ndaj tyre: nuk je kredibël, sepse je me kundërshtarin, jo pse thua të vërtetën. Nuk ka gjendje më komode për të dy palët. Baze u identifikua me Braçen, duke u hedhur në radhët e armikut dhe problemi u zgjidh. Sepse midis nesh dhe armikut nuk ekziston asgjë, je në tokën e askujt.

    Një tjetër problem i vjetër e i ri që nxori në pah mënyra sesi u godit Baze nga PD dhe organi i saj, ishte një stil i njohur tashmë i pushtetarëve tanë i goditjes së gazetarëve kritikë ndaj tyre. Në vend që të merren me ato, për të cilat i akuzojnë, ata “strehohen” në motivet e “e ulëta” që e kanë shtyrë autorin t'i thotë ato, deri dhe në biografinë e tij. “Nuk ka marrë tendera, kërcënon për të marrë tendera, kërkon edhe më shumë nga ç'ka marrë, ka bërë pazare me kundërshtarët”, këto qenë disa nga akuzat që i erdhën Bazes nga RD për të bindur publikun për pavërtetësinë e akuzave të tij. Kuptohet, gjetja e këtyre shkaqeve të ulëta bëhet për të ulur kredibilitetin e atij që i thotë. Jemi përsëri në një sëmundje të njohur e të vjetër të marrëdhënieve të pushtetarëve tanë me kritikën, sepse faktet e thëna mbeten fakte, pavarësisht nga ajo se kush i thotë dhe pse i thotë dhe vetëm përgënjeshtrimi bindshëm i fakteve të thëna është arma më e mirë për ta diskredituar një kundërshtar që shpif. Kurse, sikurse ka treguar historia e deritanishme, futja në kundërakuza të tilla veçse e thellon hendekun midis së vërtetës dhe pushtetit. Kjo mënyrë reagimi është historia e njohur e atij politikani që sa më shumë qëndron në pushtet, aq më shumë bëhet autoreferencial, duke humbur gjithnjë e më shumë kontaktin me të vërtetën. Duke rritur, për kompensim, arrogancën ndaj kritikëve të tij si mjet për të vërtetuar se e vërteta është me të, ai, në fakt, nuk bën tjetër veçse ul edhe më kredibilitetin e tij. Sepse, sikurse thuhet, përgjithësisht pushteti dhe e vërteta rrallë herë koincidojnë, kurse te ne deri tani e kemi të vështirë të besojmë se kanë koinciduar ndonjëherë.

    Por problemi kryesor që vazhdon të gjallojë në vendin tonë e që e nxjerr në pah edhe njëherë me forcë polemika në fjalë është ai se, megjithëse Sollaku iku dhe erdhi me bujë një prokurore e re e angazhuar për luftën kundër krimit e korrupsionit, ne prapë vazhdojmë të vuajmë mungesën e një sistemi drejtësie që do të hynte si arbitër i paanshëm në konfliktet midis pushtetit të katërt dhe pushtetit të parë, apo edhe në konflikte të tjera të ngjashme si ai midis mazhorancës dhe opozitës. Akuzat që ngre Baze ndaj Berishës dhe të tijve dhe kundërakuzat që ngre Berisha dhe të tijtë kundër Bazes nuk janë gjëra të lehta. Në thelb, janë të njëjta me akuzat që ngre opozita kundër mazhorancës dhe mazhoranca kundër opozitës. Në çdo vend sadopak serioz e vërtet demokratik, publiku, i cili, sipas këtyre akuzave është i dëmtuari kryesor, ka të drejtën të sqarohet dhe jo vetëm, por ka të drejtën të kërkojë vërtetimin dhe ndëshkimin e fajtorëve qoftë ky Baze, qoftë Berisha dhe të tijtë, qoftë të dy palët. Kurse kësisoj, mungesa e sistemit të drejtësisë zhvleftëson gjithçka - edhe vetë ekzistencën e fjalës së lirë.

    Kur e pyetën Çurçillin se ç`do të thoshte ai sikur qeveria e tij të ishte e korruptuar, ai u përgjigj: “Do të pyes si është drejtësia. Nëse më thonë se drejtësia është në rregull, atëherë do të thoja: nuk ka problem, liria dhe demokracia do të funksionojnë.”

    *Marrë nga gazeta “Korrieri”

  16. #16
    jom mo i bukri katunit Maska e TikTak
    Anëtarësuar
    26-04-2005
    Postime
    1,633
    kom taku mtiron i shoqen teme qi ka pas qen mholland me lul bashen kur ky bote i si kurs 9 mujor ene grun e lulit

    hahahahahahahahaha tgjith kujtojshin se luli qe pederast pardon my french
    no glove no love

  17. #17
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Fatos Lubonja e ka fiksuar dhe analizuar mire shkembimin e "zjarrit" mes z.Baze dhe gazetes RD. Por me thene te drejten mua me habisin shume te gjithe gazetaret ne Shqiperi, duke nisur me Fatos Lubonjen vete qe eshte shprehur edhe me pare kunder korrupsionit.

    nga artikulli i Lubonjes

    Ky është një problem që meriton të debatohet gjatë, sepse gjithnjë e më shumë po del në pah se një sistem i ndërtuar nga një mori faktorësh e aktorësh nuk mund të ndryshohet nga një njeri i vetëm, pasi ai është më i fortë se çdo njeri i vetëm dhe se akuzat kundër personave të veçantë shpesh nuk janë gjë tjetër veçse mbrojtja më e mirë që i bëhet vetë sistemit.
    E ku qendron shpikja ketu me lart? Patjeter qe eshte sistem me shume faktore dhe aktore. Per kete mjafton qe si gazetar cilesor te shfletosh materialet qe publikon Transparency International ne faqen e vet rregullisht. Ne Shqiperi paraqiten prej disa vitesh rezultatet e Indeksit te Korrupsionit qe e mat kjo NGo ne shume vende te botes e askush nuk kujdeset t'i shkoje punes deri ne fund, ta analizoje me themel. Dhe pastaj bejne si te habitur. Korrupsioni nuk luftohet nga nje njeri, por nga nje shoqeri e tere. Dhe po aq sa c'e do ta luftoje me vepra korrupsionin ai qe drejton luften kunder korrupsionit duhet ta duan dhe te gjithe bashkeudhetaret e tij, duhet ta doje dhe shtypi si vezhgues dhe luftues i kesaj dukurie, duhet ta duan prokuroria dhe gjykata dhe duhet ta duan njerezit.

  18. #18
    Per Mero Bazen duhet treguar respekt!

    Ndoshta eshte nder te paktet gazetare shqiptare, qe i ka qendruar me besnikeri te vertetes, qe i ka dale perballe se keqes dhe nuk eshte mposhtur.

    Sic duket PD ka rene ne gjum, sepse deri tash prej saj nuk po prodhohet politike, prej saj nuk del me asgje.

    Sic duket cdo gje mori fund pas fitores se vitit 2005 dhe tashme mendojne se permes Berishes dhe permes paaftesise se opozites, ata kane siguruar nje qeverisje te qete.

    Pas vitit 2005 e ketej,shume gjera kane ndryshuar per mire ne Shqiperi, shume gjera duhej te ishin bere me mire, por shume te tjera jane lene ashtu sic ishin.

    Ne Shqiperi ka nje sistem politik, qe ushtrohet ne formen e beselidhjeve bashkefshatare, marreveshjeve me perqindje interesash, interesave te grupeve nga me ordineret deri tek ato me mafiozet.

    Politika duhet te ndryshoje formulat e kryerjes se zgjedhjeve, nder te tjera duke rritur pragun e hyrjes per ne parlament, duke menjanuar keshtu partizat shushunja, qe dijne vetem te thithin sa majtas e sa djathtas, duke prodhur mosstabiltet dhe duke u bere cerdhe korrupsioni.

    Asnjehere nuk do te kete nje qendrushmeri ne qeverisje, per sa kohe pjese koalicionesh behen dhe parti qe rekrutojne deputet nga salla e parlamentit, per ti perdorur ato si shantazh per marrje postesh dhe per mbijetesen e qeverisjes.

    Baze ka te drejte kur ze ne goje kete fenomen dhe po ashtu Berisha nuk mund te beje asgje, per sa kohe funksionon mekanizmi i Dushkut dhe mekanizmi i rekrutimit te deputeteve.

    Shpesh mendoj se cila eshte aresyeja qe qeverisjet ne Shqiperi nisin e humbin aftesine qeverisese per disa muaj?
    Pse nuk arrin kurre nje qeverisje ta coje misionin e nisur deri ne fund?
    Pse degjeneron puna ne administrate dhe me pas ajo shnderrohet ne cerdhe korrupsioni?

    Eshte i vertete fakti se ne nuk kemi nje trashegimi te qeverisjes demokratike, se nuk kemi nje klase politike ne nivelin e kohes, se ne ende nuk po arrijme te shkeputemi nga te menduarit "me mua ose kunder meje", se ne ende nuk arrijme te pranojme dhe te zbatojme forcen e ligjit por pranojme dhe zbatojme formulat anadollake etj etj, por vitet po shkojne dhe ne ende jemi duke u sjelle rreth e qark e duke bere hapa shume te vegjel perpara.

    Se ne ende nuk arrijme te kuptojme dhe pranojme kritiken, por nxitojme te gjejme dhe te shpikim mjete dhe menyra per te zene mat tjetrin dhe aq me keq per ta diskredituar.

    Kryeministri dhe qeveria e tij, PD dhe deget e saj, duhet te levizin dhe te mos presin qe te vije 2009 dhe permes prerjes se shiritave te pretendojne fitoren e zgjedhjeve.

    Nuk mjafton vetem retorika neper faqet e RD, por PD duhet te shkundet, duhet te levize dhe te beje paralel me Ramen levizjet neper Shqiperi per te provuar se ajo qeveris me efektivitet.

    Jo ne formen e nje fushate dhe as ne formen e nje kundervenje me Ramen, por ne nje forme te kulturuar dhe moderne te gjeje format dhe rruget per t'u ballafaquar me zgjedhesit, per t'ju dhene atyre llogari per deshtimet dhe per t'ju treguar se cfare do te bejne ne vazhdim.

    Perndryshe Berisha dhe te tjeret do te behen te bezdisshem per zgjedhesit ne fushaten qe do te vije!

  19. #19
    Restaurator Orbis Maska e Baptist
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Postime
    8,690
    Citim Postuar më parë nga Brari Lexo Postimin
    baptist..

    mir e kie qe mendon ashtu per lul bashen.. por..
    Brar! Une per Bashen nuk mendoj hiq-fare; per Bashen une reflektova vetem ate qe kam pare nga ai live ne nje emision gozhdues nga ai romi ne Top, ku kishte ftuar 7 a 8 kunder tij me ne krye veten dhe po bente si vithezgjuar dhe po e qante Shqiperine si mos u befsh te te qaj Rahoveci - kundruall qendruimit te esullt, pergjegjeve te drejta pa makinacione me keqardhje gjakftohetesi e qartesi te plote ndaj gozhduesve qe i la me gozhda ne dore...- pra reflektim ishte ky, -s'ka te bej me asnje mendim timin. Nuk me interesojne personat qe rijne ne politike as ata qe merren me politike, por ata qe bejne politike. -Per fat te keq te tille nuk ka politika shqiptare ne asnjeren instance dhe ne asnjerin brez gjeografik, te gjithe jane sherbetore te politikave te gatshme te servuara nga palet e treta te obskure qe i gatuan ato. Ndersa me e miri eshte ai qe zbaton politiken e atij qe i perputhen interesat tona kombetare pak me shume se atij faktorit tjeter politikberes per kete regjion.


    te keqen duhet me kohe me e luftue se ndryshe kur te ha.. baje si magari sa her dush kot eshte..
    e din besoj se cka thosh magari kur e hante uku..

    cka thosh o bap.. ?
    ..

    e di c'thoshte gomari? thoshte: shpresoj qe Brari te kete pare enderr kete gje se po qe e vertete mbarova!

    ...te tjerat i di.

    A di si thote populli per tjerat. "'Zullumi" keputet prej se trashi", e jo prej se holli!
    Kur te nisin te keqijat te ta japin teposhtzen eshte mire me mire t'i leshohesh e te behesh duq pa u demtuar qe ta arrij fundin e fundit sa me shpejte qe te mund ngritesh me kembe serish se ndryshe then qafen bashk me te paudhet.

    ---
    Mero Baze nuk eshte burre i mire e as personaliet me vete. Nuk e meriton konsideraten time -eshte spekulant dhe percares.
    Aeneas Dardanus
    Lavdi, pasthirrme fosilesh, germadhash e rrenojash vershelluese. -Eja pas meje!...

  20. #20
    Citim Postuar më parë nga Duaje Siveten Lexo Postimin
    po pvete shoki fatos,



    po pse ben sikur nuk e ke pietur saline?


    Letër e hapur drejtuar Shtabit të Përgjithshëm të UCK dhe
    përfaqësuesve politik të saj
    Për dijeni qeverisë shqiptare dhe Presidentit të Republikës

    Lidhni qentë që lehin për hesap të Serbisë

    Nga Mero BAZE

    Tani mbetet të besohet nëse këta njerëz flasin dhe serbët
    vrasin ose nëse serbët flasin dhe këta njerëz vrasin.

    Po më detyroni të shkruaj këtë letër të hapur në këtë kohë të
    vështirë për shqiptarët jo aq i shqetësuar nga fati im apo
    miqve dhe kolegëve të mij gazetarë dhe politikanë se sa nga
    rreziku i hapjes së një fronti të brendshëm të luftës civile,
    i cili do të ishte shërbimi më i madh që mund t'i bëhej
    Serbisë në këto momente.
    Ndërsa lajmet nga Kosova janë përditë e më tragjike, po duket
    qartë se faktori politik dhe ushtarak shqiptar përvec se është
    në diskordancë të plotë, ka dhe shenja të qarta armiqësie ndaj
    njëri-tjetrit. Radiotelevizioni i vetëm shtetëror në Shqipëri
    në vend të informacioneve për fatin e shqiptarëve po përpiqet
    të kthehet në një frengji nga ku shpallen lista pushkatimesh
    për shqiptarët. Njerëz të papërgjegjshëm që po përpiqen të
    kalojnë nga jeta e azilantit në jetën e përditshme të
    qytetarëve normalë të shoqërisë shqiptare po përpiqen të
    konvertojnë në urrejtje ndaj shqiptarëve gjithë komplekset e
    tyre të inferioritetit.
    Një komunikatë për shtyp e publikuar
    nga televizioni shqiptar bëri të ditur se tani e tutje Bujar
    Bukoshi ishte një kriminel lufte dhe një tjetër ministër i tij
    Muhamet Bicaj, do të ndiqej si i tillë nga disa shqiptarë
    anonimë që kanë mëse 20 vjet që nuk shkelin në Kosovë. Në fakt
    kërcënime të tilla në rast lufte ndaj shqiptarëve janë të
    rrezikshme, jo aq për fatin e një individi, se sa për rrezikun
    e kthimit të luftës clirimtare në luftë civile.


    I drejtohem Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Clirimtare të
    Kosovës, jo aq nga bindja se është i painformuar rreth kësaj
    situate barbare mes shqiptarëve, por thjesht nga detyra ime
    qytetare për të komunikuar publikisht me të rreth disa
    precedentëve të rrezikshëm që po ndjellin flakët e luftës
    civile në shoqërinë shqiptare.
    Së pari të gjithë duhet të kemi kurajon të pranojmë se
    mospajtimet e brendshme politike janë normale dhe qëndrimet e
    ndryshme politike janë një realitet që pranohet në të gjitha
    shoqërit e hapura. Por mospajtimet modelohen nga kontaktet dhe
    dialogu dhe jo nga listat e pushkatimeve dhe vrasjet e
    intelektualeve.
    Autori i tekstit të djeshëm është Melaim Zeka, i cili ka
    vetmarrë pas Konferencës së Parisit rolin e një farë zëdhënsi
    publik të delegacionit të UCK në bisedimet për paqe në Kosovë.
    Ky njeri nuk është i rrezikshëm pse të dënon me vdekje apo pse
    bën lista të tilla publike. Ky njeri dhe ata që qëndrojnë pas
    tij, nuk janë të rrezikshëm se të vrasin vërtet, por ata po
    përdoren si vrasës ordinerë në një fushatë të tërë vrasjesh
    politike ndaj shqiptarëve.

    Më lejoni zotërinj, t'u bëj publike, se ndërsa në Paris
    zhvillohej Konferenca për Kosovën, ky njeri, pra Milaim Zeka,
    më ka thirrur në prani të një anëtari të delegacionit të UCK,
    Azem Sulës, dhe më ka bërë me dije së bashku me zotin Sula, se
    e kisha bërë hak "me m'i thye kryet qysh herët". Personalisht
    u thashë se nuk pranoja të vihesha para një trupe speciale që
    po më dënonte me vdekje dhe u përmenda se emri im ka
    qarkulluar në disa lista vdekjesh të LPK-UCK-së së bashku me
    disa kolegë të mij, mbi disa prej të cilëve fatkeqësisht tani
    kanë rënë plumbat e vdekjes dhe disa prej tyre po treten nën
    dhe. Unë u përmenda se kam qenë në listë bashke me Enver
    Malokun dhe Sabri Hamitin prej tyre dhe kjo nuk u bëri
    përshtypje por vazhduan me gjuhën e tyre staliniste.
    Ky njeri, pra Melaim Zeka, ka marrë gati publikisht përsipër
    në emër të atyre që përfaqëson vrasjen e Ahmet Krasniqt dhe
    dje shpalli viktimë të rradhës Bujar Bukoshin dhe Muhamet
    Bicajn.
    Tashmë këto lista vdekjesh po mbulohen dhe me një
    ajkë patriotizmi dhe po bëhen publike në televizionin e vendit
    tim, të shtetit tim dhe të kombit tim. Duke shfrytëzuar rastin
    që tani është luftë dhe në luftë njeriu mund të vritet, ky soj
    kriminelësh, që kur u dilte para ndonjë serb në Rambuje ose
    hidheshin nga dritaret e kafeneve ose u lëpiheshin
    gazetaruceve serbe që ishin atje, janë trima vetëm kur
    kërcënojnë dhe vrasin shqiptarët. Ky Melaim Zeka, portetin e
    të cilit e kam të fiksuar vetëm nga karafilat që i ka sjellë
    Enver Hoxhës kur kam qenë nxënës në shkollë të mesme, tani po
    merr përsipër publiksht të gjitha vrasjet e shqiptarëve. Ky e
    mori përsipër Ahmet Krasniqin, e mori përsipër në sy të Azem
    Sulës (Daja), Enver Malokun, natyrisht ka marrë përsipër Sabri
    Hamitin, po merr përsëpr të vrasë Bujar Bukoshin dhe Muhamet
    Bicajn, ka shpallur një list me dhjetë vetë që duhen vrarë mes
    të cilëve është dhe emri im dhe i kolegëve e miqëve të mij
    politikanë dhe gazetarë dhe nuk dihet se ku do ta ndalë
    turrin.

    Unë e kuptoj se njerëz të frustruar nga jeta e emigrantit dhe
    mospërfillja shoqërore kanë plot mllefe ndaj institucioneve
    dhe njerëzve që e kanë krijuar vetë personalitetin e tyre, por
    nuk e kuptoj se ku e gjejnë guximin këta njerëz që të dënojnë
    publikisht me vdekje shqiptarët dhe në shumicën e rasteve t'i
    egzekutojnë ata me ndihmën e serbëve. Them kështu, pasi kam
    bindjen që kolegun tim Enver Maloku mund të mos e kenë vrarë
    miqtë shqiptarë të Milaim Zekës që ata ditë hapën një agjensi
    të re lajmesh, por ata ja kanë bërë publike pretencën njësoj
    si Sabri Hamitit, njësoj si Ahmet Krasniqit, njësoj si Azem
    Hajdarit, njësoj si Fehmi Aganit dhe Alush Gashit. Tani mbetet
    të besohet nëse këta njerëz flasin dhe serbët vrasin ose nëse
    serbët flasin dhe këta njerëz vrasin.
    Unë do të ndjehesha i qetë nëse Melaim Zeka dhe njerëzit që ai
    përfaqëson, të më tregojnë sa serbë kanë vrarë. Është e lehtë
    që për t'u bërë i njohur tani që lufta ka nisur, të bësh lista
    pushkatimesh, por Milaim Zeka dhe gjithë ata që ka nga pas, me
    pushkë apo me damkë në krah, duhet ta dinë mirë, se nëse
    emrat e intelektualëve shqiptarë i kanë në lista për t'i
    vrarë, për t'i sjellë Kosovës dhe Shqipërisë pushtetin e
    proletariatit dhe klasës punëtore, do ta kenë pak të vështirë.
    Do ta kenë të vështirë, së pari për shkak se që nga sot kur
    unë po e bëj këtë denoncim publik ndaj vrasësve të shqiptarëve
    e tutje, ka plot burra që janë të gatshëm ta shikojnë me të
    njëjtin vigjilencë sikundër serbët dhe Melaim Zekën, apo ata,
    që deshën të ma thyenin kryet më shpejt. Melaim Zeka dhe
    banditët që trimërojnë atë, ndjehen trima se shetisin me
    makinat e Shërbimit Sekret shqiptar, se flejnë në vilat e
    qeverisë shqiptare, se flasin me telefon satelitorë nga Kukësi
    duke u paraqitur nga Drenica. Por është vonë për mua dhe
    kolegët e mij gazetarë të trembemi tani nga krimba të tillë.
    Unë e di se Melaim Zeka nuk di të vrasë thjesht se nuk ka
    prekur ndonjëherë pushkë me dorë, por në vend të tij mund të
    shkrepë revolen dikush tjetër, nga ata që e mbajnë në vila dhe
    në katin e katërt të Ministrisë së jashtme në Tiranë
    . Në
    rastin e kolegve të mij nga Kosova, të gatshëm për këtë punë
    janë cetnikët që sillen rrugëve të Prishtinës. Ajo që mbetet e
    vërtetë, është se mbi intelektualët shqiptarë në Kosovë po
    qëllon dora e Serbisë por me një guxim për t'u admiruar ose
    për t'u mëshiruar po i merr përsipër një grup mafioz
    shqiptarësh që manipulojnë me gjakun e atyre shqiptarëve që
    duan lirinë e të Kosovës.
    Personalisht nuk ndjehem i shqetësuar nga lista të tilla
    vdekjesh ashtu sikundër jam i sigurt se dhe personalitetet e
    jetës politike dhe intelektuale në Prishtinë nuk e llogarisin
    as për armik dhe as për kriminel këtë rracë shqiptarësh. Por
    kjo nuk do të thotë që këta njerëz duhen lejuar që me
    pistoleta në dorë t'u japin folësve të Televizionit shqiptar
    trakte ku dënohen shqiptarët me vdekje. Kam duruar deri tani
    katër lista vdekjesh nga kjo rracë dhe do të duroja dhe
    njëqind të tjera nga Daja, nga Zeka dhe nga të gjitha
    pseudonimet që fillojne me emra zvarranikësh dhe përfundojnë
    me pseudonimet e Enver Hoxhës duke u inkarajuar nga proverbi
    shqiptar "qeni që leh nuk të ha", por tashmë ky lloj qeni po
    leh për hesap të Serbisë e cila në fakt ka treguar se së paku
    dhëmbë ka. Ndaj ka ardhur koha të lidhen këta zagarë.


    Tiranë më 31 mars 1999

Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Alfred Uçi tregon
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 20-12-2010, 08:55
  2. Hetimet e Kryeprokurorisë për tragjedinë e Gërdecit
    Nga RaPSouL në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 625
    Postimi i Fundit: 07-07-2009, 23:56
  3. Tri orët milionëshe në dorën e ministrit Fatmir Mediu
    Nga Brari në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 55
    Postimi i Fundit: 07-12-2007, 07:41
  4. Studentët kërkojnë dorëheqjen e ministrit Veliu
    Nga ARIANI_TB në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 09-05-2006, 11:44
  5. Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 28-09-2005, 21:55

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •