Nashide Shala

Unë edhe kohë më parë kam shkruajtur në këtë faqe për pasojat që kemi ne si familje në Kukës, nga të qenurit e bashkëshortit tim gazetar. E them këtë pasi ditë më parë, me datë 21 dhjetor, në gazetën "Shekulli" është bërë një shkrim me titull: "Kukës, Këshilli Bashkiak ekskursion me paratë publike", shkruar nga bashkëshorti im Bashkim Shala, gazetar i "Shekullit" në Kukës. Këtë shkrim ne si familje e paguam një milionë lekë. Arsyeja e këtij njëmilionëshi qëndron në faktin së kryetari i Bashkisë së Kukësit kishte premtuar në fushatën e tij elektorale se do t'u jepte 5 (pesë) studentëve më të mirë të gjimnazit të Kukësit të maturës 2006-2007 nga 1 milionë lekë, premtim të cilin e bëri realitet me datë 25 dhjetor. Vajza ime ka fituar të drejtën e studimit dhe studion aktualisht në Universitetin "Lui Paster" të Strasbourgut, falë rezultateve të mira të saj, punës dhe përkushtimit. Vajza ishte e radhitur në pesëshen më të mirë të këtij gjimnazi (konkretisht e treta, sipas dokumentit zyrtar të Drejtorisë së këtij gjimnazi). Por emri i vajzës u spostua duke e kaluar atë në vendin e 7-të. "Spostuesit" nuk e dinin se unë isha treguar disi më e shkathët dhe e kisha marrë vërtetimin nga gjimnazi për renditjen e vajzës para se ta spostonin. Spostimi është bërë me urdhër të Kryetarit të Bashkisë së Kukësit, për të marrë hakun e atij shkrimi mbi një ekskursion që Bashkisë dhe popullit të Kukësit i kishte kushtuar 45 milionë lek. Kukësi është bashkia më e varfër e Shqipërisë, por kur bëhet fjalë për të bërë rrush e kumbulla lekët e taksapaguesve shqiptarë, kjo anashkalohet. Zotërinjtë drejtues të Drejtorisë Arsimore dhe kryetari i Bashkisë, në rast se e kanë nxjerrë mllefin e tyre të 45 milionëshit me 1 milionëshin e kësaj studenteje, atëherë dhe unë do ju them se jo gjithmonë do të ketë mjegull; qëllimi im që po e bëj problem këtë fakt, nuk është i përfitimit të kësaj shume, por është diskriminimi që i është bërë kësaj studenteje. Dhe ju bëj me dije se nga Këshilli Bashkiak janë shpenzuar jo 35 milionë sa është shkruar në shkrimin e dt.21 dhjetor, por janë shpenzuar 45 milionë, pasi ajo shifër atë ditë është deklaruar gabimisht. Kjo është deklaruar nga disa anëtarë të këtij këshilli bashkë-ekskursionistë, të cilët ishin shumë të zhgënjyer nga ky udhëtim, pasi kishin dyshime që paratë ishin keqmenaxhuar nga administratorët, sepse nuk kishin pasur asnjë takim apo risi atje ku kishin shkuar, pra thjeshtë kishin konstatuar çmimet e larta nëpër dyqanet e Francës.

SHEKULLI