Bizariteti i Homo politikusëve…!



RIKTHIMI I HELIOGABALUSËVE NË MAQEDONI!
Shkruan: Ferit RAMADANI

Kërçovë, 20. 11. 2007


Ata që ia kaluan Perandorit Heliogabalus



Eskalimi i mosmarrëveshjes në Maqedoni ka krijuar një klimë tendosjeje për të dalë në përmasë rrjedha e veprimit që ka më tepër dozë nazizmi se sa prodhim të kualitetit liberal e demokratik. Në këtë reliev të egërsisë së marrëdhënieve, kanë ngritur kokën ata që gjatë një shekulli me veprimet e tyre kriminale ia kaluan Perandorit Heliogabalus, ( kliko KETU, 1 ) i cili për dëshirën e tij, bënte masakra popullore që blerimin e hapsirës ta shihte me ngjyrën e gjakut të kuq, e cila , i krijonte kënaqësi në shpirt, dhe bukuri në pamje! E kësaj ndjenje heliogabalusiane del kokëfortësia e pushtetarëve të Maqedonisë, të cilët kanë humbur forcën e gatishmërisë, dhe me ndërgjegjen e tyre të sëmurë hapin vrragët e vrerit duke vrarë e, duke rrënuar shtëpiat e qytetarëve të pafajshëm ashtu siç dalin në shesh shumë procese, veças , edhe ky i fundit në Brodec !



Ky dështim i mendësisë pushtetare maqedonase në shumë aspekte i ka shmangur gjykimet morale të idealit shqiptar, i cili për barabarësi dhe bashkëjetesë, me forcën e argumenteve ka krijuar alternativa se si mundet të nisë zhvillimi dhe, me hapat e tillë si mund të mbërrihet mirëqenia njerëzore! Megjithatë karakteristika e hipotekës sistemore përveç manovrave perandorake, nuk ka qenë e gatshme të mendojë se si duhet vënë në rrjedha parimet që do të mbijetonin mbi tradicionalizmin e perandorisë heliogabalusiane! Ajo gjithmonë për interesa të ngushta e personale ka sakrifikuar interesat e qytetarëve të vet, dhe ata nëpër atë nëpërkëmbje ideali, çdoherë kanë parë anarkinë e njerëzve të privilegjuar të cilët, sa po i sigurojnë fronet e pushtetit, ua kthejnë shpinën popullit që ua fal besimin, dhe me një pasinqeritet dhe papërgjegjësi sillen për kërkesat dhe zgjidhjen e çështjeve vitale të jetës së tyre!



Të shemben konceptet e një morali kriminal



Qytetarët e Maqedonisë, të cilësdo etnie qoftshin, kanë përjetuar fantazitë fanatike që kanë dalë nga farsat e Heliogabalusëve udhëheqës të cilët kanë pasur vetëm një qëllim: Si t’i rrisin koeficientët e tarifave tatimore, për të mbledhur në buxhetin shtetëror vlerën e të ardhurave, që ato pastaj t’i bartin përmes kanaleve dhe t’i derdhin në xhirollogaritë e tyre private! Qytetari i Maqedonisë është dëshmitarë për ndodhitë e këtyre krimeve kardinale, ashtu siç është dëshmitarë se si koka e tyre vëhet në lojën e rrezikshme dhe të përgjakshme, sa herë që nisin manovrat e përjetësisë perandorake të heliogabalusëve që luftojnë për pushtet, pa pasur përgjegjësi për të sjellur kualitetin e zhvillimit për t’ u realizuar mirëqenia e tyre.



Nëse vrasim mendjen dhe hyjmë në shpalimin e të kaluarës, për të parë procesin e zhvillimit njerëzor, në pozicionin e asaj faktografie do të shpalojmë se gjithmonë kanë dalë sytë e zgudulluar të përmasave qytetare, ( në radhë të parë të shqiptarëve të përndjekur nga sistemi !), dhe barku i thatë i tyre për një kafshore bukë ka përjetuar urinë, karshi syve të djallëzuar të pushtetarëve dhe barkut të stërfryrë po kurrë të ngopur nga gryksia pushtetare! Në këtë përmasë të qytetarëve është theksuar gjithmonë kërkesa për gjetjen e shtegut që shpie deri tek mirëqenia dhe ata, në gjithfarë frontesh kanë përballuar ta sigurojnë atë kafshatë të mundimshme të jetës! Ndërsa Heliogabalusët gjithmonë duke krijuar afera marrëzishë, vjedhjesh, torturash, kanë krijuar klimën se i mbrojnë qytetarët, të cilët, kujdestaruan gjatë dekadave se si ta mbrojnë integritetin dhe sovranitetin shtetrorë për artificializmin e pushtetarëve udhëheqës !



Fatmirësisht, braktisja e konceptit të tillë u bë! Në përballje për një zhvillim të ri të koncepteve duhet patjetër të dalin liberalët e vërtetë të demokracisë! Ata që realitetin e pamjeve e shohin me dioptri të plotë dhe munden t’i shembin konceptet e një morali kriminal! Në të kundërtën, Maqedonia e përkufizuar me konceptet paradoksale do të bijë në shtratin e lëngatës, prej ku do t’i vërsulet asgjasimi! E kujtë i duhet asgjësimi?!!!



Me polifoninë e dërdëllimave, pushtetarët e sojit heliogabalus dalin mediumeve! Gjithfarë grahmash të urrejtjes lëshojnë! Anatemojnë skajshmërisht të pafajshmit që nuk kanë pushtet dhe kërkojnë vënie parimesh në të! Bie fjala, boshëllëkun të cilin e vënë në shqyrtim një kategori etnike e qytetarëve, shqiptarët, e hedhin me cinizëm në heshtjen e mortshme. Me të duan ta mbulojnë një realitet të zhvillimit duke i bërë terroristë në kërkesa. Në realitet, për çfarë kërkesash lindin mosmarrëveshjet? Për liritë themelore! Për parimet e drejtësisë të cilat i takojnë çdo individi! Për barazitë shoqërore dhe ekonomike! Për ofiqet dhe postet me mundësi të paanshme e të barabartë! Për privilegjin shoqëror dhe identitetin në vatanin shekullor?!!!



Rikthimi i pritave të njëmendësisë



Çfarë synimesh parësore! Skemë e gjithëpajtueshmërive që përjashton nga njeriu djallin e mallkuar. Dhe hap horizontin e humanizmit për të rrezatuar dashamirësia. E kjo qenka terrorizëm sipas specifikës së perandorëve të sojit Heliogabalus që e ka ndrydhur e shtrydhur njerëzimin! Që e ka përgjakur blerimin përse ka dashur ta shohë ngjyrën e kuqe në të! Ashtu veprojnë demokratët e sotëm që rendin pas shkrumit dhe hirit, ta shohin në horizontin e zhvillimit shqiptar! Dhe kënaqen me rrënimin kapital të tyre, e pastaj kënaqen me ngulfatjen e të drejtave dhe lirive themelore! Kënaqen me vrasjen e shqiptarëve duke i quajtur kriminelë ! Ata kënaqen edhe kur e zbatojnë teorinë e nazifikimit unitar kundër rritës dhe shtimit multinacional! Prandaj përpiqen t’i zhdukin idetë dhe idealin për identitet e formësi strukturash në amzën e zhvillimit plural!



Rikthimi i pritave të njëmendësisë kundër zgjidhjes së çështjeve plurale, e ka absolutizuar pranimin e vlerave dhe përsosmërinë e tyre për bashkëjetesë! Pozicioni i tillë ka dalë si barrikadë sfinksi që përpiqet të gllabërojë gjithçka, vetëm për ta justifikuar mohimin e lirisë! Në këtë pikëqëndrim të dimensionuar të pushtetarëve ka ngecur gama racionale dhe fleksibile e sjelljes së ekuilibrit dhe zbatimit të kërkesave që perceptojnë e rregullojnë parime drejtësie. Dhe parandalojnë kobin për t’u hapur mundësi të drejtave natyrore e legjitime, vizion për hapjen e horizontit. Kjo mendësi thelbësore përballet me sfidën e shpalljes së gjendjes së luftës e cila, në projektet e zhvillimit ka domethënien e kufizimit të lirisë. Ka praktikën bizantine të mesjetës ! Ka ushtrimin e kryqzatave që përpiqen të bëhen ligjvënse dhe gjykuese!



Bizariteti i Homo politikusëve…



Deri kur ky përvijim i stërkequr do të bëhet pikëpamje e përllogaritjeve të shfarimit nga Homo politikusët perandor! Deri kurë enigma e ksenofobisë së zhvillimit në Ballkan, veçmas në Makorajh do të mbesë në rrjedhën institucionale për të krijuar misterin! Ndërsa koncepti i pranimit të individualitetit që kërkon edhe pranimin e identitetit si vlerë do të bëhet atak i përhershëm i pushtetit kriminal! Regjimi i tillë gjithmonë ka pasur synimin ta shkëpusë barabarësinë për t’i grabitur të varfërit! Ata të shtresës së paprivilegjuar! Ata që s’kanë pranim identiteti, gjuhë e shkrim në administratë! Për t’ua dhënë kënaqësitë dhe privilegjet atyre që kanë pushtet dhe ndjehen të racës karpatiane dhe, përse dijnë të vjedhin institucionalisht, të vrasin institucionalisht, të shtypin institucionalisht! Dhe me gjuhën e shkrimin kryqokirilik, administrativisht të bëjnë anatemën e të tjerëve nëpër mediume, ente e institucione të llojllojshme!



Ky bizaritet e ka sjellë Maqedoninë në varfërinë e skajshme! As prodhimtaria, as tregëtia, as hotieleria, as industria , as..., s’kanë normë ekonomizimi. Mungesat e ndryshme për shkak të raporteve kanë përfëshirë përmasën e një irracionalizimi ! Kjo hallakamë i ka detyruar qytetarët të ndjehen lypsarë që rrijnë e presin në udhëkryqin e misterit se si e kur do të nisë e mbara! Dhe, me hamendje zgjohen e ngrysen të shqetësuar se të djeshmen që e kaluan e dijnë! Por, të nesërmen e presin pa skandale vjedhjesh, pa shitje të kapitalit shoqëror në emër të privatizimit për llogari të individëve pushtetar, biznismenve të krijuar brënda natës pa e derdhur një pikë djersë nga trupi! Si heronjtë e shpallur të perandorisë heliogabalusiane që s’u doli një pikë gjak për lirinë, por, pinë gjakun e të pafajshmive për t’i lënë pa varre e emër në shekuj. Ashtu siç pretendojnë për shprishjen e identitetit dhe mohimin e të drejtave dhe lirive themelore demokratët e rikthimit heliogabalusian...!