(Nga Shekulli)
Qeveria miraton vendimin e KKKP për t'i njohur si kompensim prone Komunitetit Mysliman pjesën ne fillim të Rr. së "Kavajës"
TIRANË- Komuniteti Mysliman është bërë pronar i një pjese të qendrës së Tiranës. Kjo është "kartolina" që i ka dhënë qeveria të gjithë myslimanëve shqiptarë me rastin e festës së Bajramit. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje projektvendimin për kalimin e një sipërfaqe toke në qendër të Tiranës si pronë e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 1185 metra katror në krahun e djathtë të hyrjes së rrugës së Kavajës.
Vendimi
Këshilli i Ministrave ka miratuar më së fundi, pas 7 vjetësh, vendimin e ish- Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për t'i njohur si kompensim prone Komunitetit Mysliman Shqiptar truallin shtetëror, me vendndodhje pranë Dhomës së Tregtisë. Vendimi i djeshëm i qeverisë i njeh të drejtën Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që ta përfshijë këtë sipërfaqe në fondin e tokave për kompensim fizik, por me kusht që ta përdorë atë vetëm për të kompensuar këtë komunitet. Kompensimi në këtë zonë ka ardhur si rrjedhojë e kërkesës që drejtuesit e komunitetit mysliman i kishin drejtuar Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe qeverisë gati 8 vjet më parë në pamundësi për të marrë pronën e tyre në Rrugën e Durrësit, mbi të cilën është ngritur shkolla "Sami Frashëri". Në kërkesën e tij ky komunitet bën të ditur se në bazë edhe të një studimi të miratuar nga KRRT-ja ka përgatitur dhe një kontratë për ndërtimin mbi këtë sipërfaqe të një objekti. Ky vendim përbën një rast të veçantë dhe jo një rregull të përgjithshëm, pasi Këshilli i Ministrave nuk duhet të marrë vendim për çdo subjekt që i kalon fondit të kompensimit fizik.
Prona
Komunitetit Mysliman Shqiptar prej vitit 1996 i janë njohur një sërë pronash në qendër të Tiranës. Por meqenëse këto prona nuk është e mundur që të kthehen fizikisht, sepse mbi to janë ndërtuar prej më shumë se 30 vitesh objekte të tjera, si ndërtesa me funksione publike siç janë shkollat, shteti ka parë si mundësi të vetme që të bëjë kompensimin e tyre në troje ku ai vetë është pronar, duke llogaritur natyrisht dhe efektet financiare në bazë të hartës të vlerës së pronës. Ndërkohë që përsa i përket rastit konkret qeveria synon të bëjë një trajtim të barabartë me subjektet e tjera fetare për të drejtën e pronësisë në qendër të kryeqytetit. Në relacionin shoqërues të këtij vendimi theksohet se shteti shqiptar mbyll ciklin e kompensimit për të gjitha bashkësitë e mëdha fetare në qendër të Tiranës. Disa vjet më parë qeveria shqiptare i njohu Kishës Katolike të drejtën për të ndërtuar një objekt kulti në qendër të Tiranës midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe selisë së Partisë Socialiste.
Komuniteti Mysliman, mbi 50 mijë m/2 troje në Tiranë
TIRANË- Komuniteti Mysliman Shqiptar vetëm në Tiranë zotëron mbi 50 mijë metra katrorë troje të njohura nga Komisioni për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave si detyrim për t'u kompensuar. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga vetë dokumentacioni që ky komunitet ka shkëmbyer me së fundmi me agjencinë e Kompensimit dhe Kthimittë Pronave. Në një letër drejtuar kësaj agjencie, kreu i komunitetit mysliman, Selim Muça nder të tjera bën me dije se ky komunitet ka ende për të marrë 50 mijë metra katror troje vetëm brenda Tiranës. Përveç truallit të përfituar dje në bazë të vendimit të qeverisë, ky komitet zotëron dhe një sërë sipërfaqesh në pika kyçe të Tiranës, ku toka ka një vlerë të konsiderueshme. Por meqenëse këto sipërfaqe sot janë të zëna me godina që shërbejnë për qëllime publike, kryesisht shkolla, shteti shqiptar është përpjekur që t'i kompensojë ato në zona të tjera, duke marrë parasysh dhe vlerën e hartës së pronës. Jo rrallë herë drejtuesit e këtij komuniteti kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për ecurinë e ngadaltë të kthimit dhe kompensimit të pronës nga ana e shtetit. Pakënaqësi që shpesh herë janë bërë publike gjatë festave fetare.
Pronat ku komisioni u ka njohur të drejtën e pronësisë janë më së shumti shkolla
Komuniteti, ja pronat e njohura nga shteti
TIRANË- Komuniteti Mysliman në Shqipëri pretendon të ketë në pronësi mjaft prona në gjithë territorin e vendit, si dhe në kryeqytet. Një pjesë e tyre i janë njohur edhe nga ish- Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në një letër që rreth një vit më parë kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça i ka drejtuar ish-ministrit të Drejtësisë, Bumçi, dhe ish-drejtores së Agjencisë së Pronave, Justina Boriçi, rendit disa prona mbi të cilat ish-komisioni ka njohur të drejtën e pronësisë. Një prej tyre është dhe trualli mbi të cilin është ndërtuar shkolla "Sami Frashëri", mbi të cilin ka qenë ish- Xhamia e Met Fires, me sipërfaqe prej 2610 m2. Të tjera prona të komunitetit mysliman që janë njohur nga ish KKKP janë: trualli mbi të cilin është ndërtuar aktualisht shkolla "Kristoforidhi", ku ka qenë ish Xhamia e Zelës me sipërfaqe 1692 m2; trualli mbi të cilin është ndërtuar shkolla "Lidhja e Prizrenit, ku më parë kanë qenë varrezat e Dervish Hatixhës me sipërfaqe 2400 m2; trualli mbi të cilin është ndërtuar shkolla "Kushtrimi i Lirisë", ku më parë ka qenë Xhamia e Tetovës me sipërfaqe 1099 m2.
Por, përveç trojeve ku aktualisht janë ndërtuar institucione publike, si shkollat, Komunitetit Mysliman i janë njohur dhe një sërë pronash të tjera. Ish- Komiteti ka marrë vendim në favor të Komunitetit Mysliman për njohjen e pronësisë mbi truallin mbi të cilin është bërë zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, me sipërfaqe 1004 m2, si dhe trualli ku kalon sot Unaza me sipërfaqe 1285 m2, që përbëjnë një pjesë të truallit të Namazgjas, ku sot Komuniteti kërkon të ndërtojë Xhaminë e Madhe. Po ashtu, prona të tjera të njohura janë: trualli mbi të cilin është ndërtuar godina e Lidhjes së Shkrimtarëve, si dhe Dhoma e Tregtisë; trualli mbi të cilin është ndërtuar gjimnazi "Qemal Stafa"; trualli i ish-Xhamisë së Vjetër tek trekëndëshi i Ushtarit të Panjohur, prej të cilit është kthyer 580 m2. "Edhe sheshi përpara bustit të ish- diktatorit, përpara muzeut Historik ka qenë truall i Komunitetit mysliman, ish- Xhamia e Karrapicit", thuhet në letrën e Selim Muçës.
Disa prej pronave të njohur nga ish- Komisioni i pronave
Trualli mbi të cilin është ndërtuar shkolla "Sami Frashëri", mbi të cilin ka qenë ish- Xhamia e Met Fires, me sipërfaqe prej 2610 m2.
Trualli mbi të cilin është ndërtuar aktualisht shkolla "Kristoforidhi", ku ka qenë ish- Xhamia e Zelës me sipërfaqe 1692 m2
Trualli mbi të cilin është ndërtuar shkolla "Lidhja e Prizrenit, ku më parë kanë qenë varrezat e Dervish Hatixhës me sipërfaqe 2400 m2
Trualli mbi të cilin është ndërtuar shkolla "Kushtrimi i Lirisë", ku më parë ka qenë Xhamia e Tetovës me sipërfaqe 1099 m2
Trualli mbi të cilin është bërë zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, me sipërfaqe 1004 m2, si dhe trualli ku kalon sot Unaza me sipërfaqe 1285 m2, që përbëjnë një pjesë të truallit të Namazgjas, ku sot Komuniteti kërkon të ndërtojë Xhaminë e Madhe
Trualli mbi të cilin është ndërtuar gjimnazi "Qemal Stafa"
Trualli i ish Xhamisë së Vjetër tek trekëndëshi i Ushtarit të Panjohur, prej të cilit është kthyer 580 m2
Krijoni Kontakt