Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956

    Çfarë fshihet pas titujve të librave?

    Disa autorë kanë vrarë mendjen gjatë, të tjerë e kanë lidhur me çështje personale, por ka edhe plagjiatorë

    A do të kishin pasur të njëjtin sukses disa nga veprat më të mëdha të letërsisë sikur të kishin pasur tituj të tjerë, të ndryshëm nga ata me të cilët njihen sot? Këtë nuk mund ta dish, por një gjë është e sigurt: secili titull "fsheh" shpesh një histori po aq interesante sa edhe ajo e rrëfyer në libër. Ja disa prej tyre...

    "The Great Gatsby" ("Gatzbi i Madh") (1925)

    Scott Fitzgerald hoqi mundime të mëdha për t‘i vënë titullin romanit të tij të tretë. Ndër kandidaturat e shumta, të cilat i zgjidhte dhe i hidhte poshtë pafund së bashku me botuesin e tij, ishin variantet: "Trimalchio", "Banketi i Trimalchios", "Mes pirgut të hirit dhe milionerëve", "Gatsby" e shumë variante të tjerë. Në fakt, ishte botuesi ai që i eliminoi një nga një të gjithë titujt e tjerë, për të përfunduar tek ai me të cilin vepra e famshme e Fitzgeraldit njihet sot, pra "Gatzbi i Madh". Po përse Gatsby? Sepse, sipas botuesit, është një emër që evokon dhunë. Për ata që e kanë lexuar veprën, emri i heroit kryesor, por jo ai reali, është Jay Gatsby, ndërsa emri i vërtetë, James Gatz. Domethënia e emrave Gatsby dhe Gatz qëndron në rrënjën "gat", që ngjan me fjalën angleze "gun", armë, me të cilën personazhi kryesor i jep fund jetës. Edhe pse libri nis me optimizëm, ai përfundon në mënyrë të dhimbshme. Gatzbi, pavarësisht jetës që bënte në fillim, është një individ pa rrënjë, pa miq, pa dashuri dhe në fund edhe pa jetë. Në funeralin e tij morën pjesë vetëm tri persona dhe ky ishte trishtimi i fundit, ndaj gjetja e titullit "Gatzbi i madh" është një ironi sarkastike. Përveç referimit me personazhin kryesor, autori ia vuri emrin romanit të tij duke synuar që ai të ishte "Një roman i madh amerikan". Sipas biografëve të tij, Fitzgerald në mënyrë të ndërgjegjshme po përpiqej që në gjurmët e Melville dhe James të ndërtonte një epokë të re të letërsisë amerikane. Për Fitzgerald, "Gatzbi i madh" është vepra e tij më e mirë dhe me këtë mendim bashkohet edhe pjesa më e madhe e lexuesve. Titulli mund të konsiderohet si tentativë e autorit për të përshkruar dhe dhënë ndjenjat e shoqërisë amerikane të epokës. Në libër ëndrrat për madhështi, pasuri dhe sukses, që formuan mitin e kombit amerikan, u shtypën brutalisht.

    "Një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër" (1949)

    Fillimi i viteve ‘80 të shekullit të kaluar nuk ka qenë ndonjë periudhë shumë e mirë. Dy superfuqitë, të superngarkuara me armë, ishin në një gjendje lufte të pashpallur, por që mund të shpërthente në çdo moment acarimi. Qeveritë ishin shumë autoritare dhe forcat e rendit gati për dhunë. Bota perëndimore po ëndërronte për ditën kur i gjithë ky makth do të merrte fund dhe shpresat e vlerat njerëzore do të ringjalleshin e do të triumfonin. Për sa i përket titullit të librit të famshëm të Orwell-it, janë bërë shumë tentativa për të zbuluar domethënien e tij. Shpjegimi më bindës është ai i teorisë së kthimit pas të vitit, domethënë Orwell e mbaroi së shkruari librin në vitin 1948 dhe "48" e kthyer mbrapsht del "84". Por nga ana tjetër, Orwell nisi ta shkruante librin në vitin 1943, për ngjarje që zhvilloheshin në vitet ‘80. Një tjetër teori po në lidhje me titullin e librit është ajo e njohur si argumenti i "Jack Londonit". Në romanin e tij, "Thundra e hekurt" (1908), një libër i adhuruar nga Orwell-i vetë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës qeverisen nga një grup oligarkësh fashistë, të cilët e kontrollojnë popullsinë përmes të ashtuquajturve "mercenarë". Në këtë vepër, data e përfundimit të "qytetit të mrekullueshëm" Asgard është viti 1984. Por kjo datë nuk zë ndonjë vend të rëndësishëm në librin e Londonit. Ja edhe një argument i tretë intrigues në lidhje me përse-në e titullit, që ka të bëjë me gruan e parë të Orwell-it, Eileen. Ajo botoi një poezi në një revistë shkollore në vitin 1934, titulli i së cilës është: "Fundi i shekullit 1984" dhe trajton temën e një shoqërie të së ardhmes, në të cilën shkencëtarët kontrollohen përmes telepatisë. Ndoshta ky mund të jetë një shpjegim bindës, duke qenë se Orwell-i në libër flet pak a shumë për një gjë të tillë. Në historinë e letërsisë, të rralla kanë qenë ato raste kur titulli i një vepre ka ngjallur një kuriozitet të tillë sa në rastin e librit të Orwell-it dhe jo vetëm kaq, por ka pasur shumë nga ata që e kanë konsideruar këtë datë orwelliane, si datën e përmbushjes së ndonjë profecie të frikshme. Ndaj, kur erdhi viti 1985 dhe asgjë nuk ndodhi, për këtë kategori njerëzish duhet të ketë qenë një lehtësim i madh. Por, pavarësisht se ajo datë i përket së shkuarës, vazhdon të mbetet një mister shumë më tepër se orwellian.

    "Lolita" (1955)

    "Lolita" është një nga ato romane në të cilat protagonisti nëm rolin e rrënimtarit. Është kaq mrekullisht i sinqertë dhe brilant, sa ne lexuesit jemi gati t‘ia falim të gjitha mëkatet. Të ëndërrosh një vajzë 12-vjeçare? Epo mirë, në fakt ishte ajo që e joshi burrin. Në fakt, duket si një histori e pashkruar më parë, por në fakt mund të kemi të bëjmë me një plagjiarizëm. Në vitin 1916, një gazetar gjerman, nën një emër të rremë, shkroi një libër me tregime, titulluar "Xhakonda e mallkuar". Njëri prej tyre, një tregim prej vetëm 12 faqesh, quhej "Lolita". Historia është e shkurtër dhe aspak tërheqëse e për më tepër e shkruar pa ndonjë stil të veçantë, përveç faktit se ngjan tmerrësisht me Lolitën e Nabokovit. A është e mundur që vepra e madhe e Nabokovit të jetë një plagjiaturë, duke filluar që nga titulli? Në fakt, kur doli libri me tregime i gjermanit, autori rus ishte vetëm 17 vjeç, por kjo nuk përbën ndonjë fakt bindës. Nabokov, së bashku me familjen, u largua nga Rusia në vitin 1919 dhe pas tri vitesh studimi në Kembrixh ai u zhvendos në Berlin, në vitin 1922. Në këtë qytet ai jetoi për 15 vjet, gjatë të cilave u martua, pati një djalë, shkroi disa romane dhe fitoi shumë reputacion. Por po në Berlin jetonte edhe autori i "Lolitës" së parë dhe libri i tij ndodhej ende në libraritë e kryeqytetit dhe Nabokovi lexonte gjermanisht shumë mirë. A kemi të bëjmë me një "vjedhje"? Gjykojeni vetë.

    "Moby Dick" (1851)

    "Moby Dick" ishte një balenë që ka ekzistuar me të vërtetë. Në kohët kur ato ishin të shumta në numër dhe duke mos pasur frikë nga njerëzit u afroheshin edhe brigjeve, lundërtarët u vinin edhe emra, të cilët ishin veçanërisht të çuditshëm. Një ndër më të famshmit ka qenë "Mocha Dick", emër ky i vendosur sipas ishullit Mocha në brigjet e Kilit. Thuhet se ajo kishte mbytur 30 burra. Kishte përmbysur 4 anije dhe ishte autorja e shumë zullumeve të tjetra detare. Burimi kryesor i informacionit të shkrimtarit Herman Melvill ishte një artikull në një revistë i vitit 1839 i titulluar: "Mocha Dick, ose Balena e Bardhë e Paqësorit". Pikërisht nga ky artikull lindi titulli i librit shumë të famshëm. Për sa i përket ndryshimit nga Mocha në Moby, kjo është e vështirë që të shpjegohet.

    "Hamlet" (1600)

    Legjenda e "Hamlet"-it daton 400 vjet para ekzistencës së vetë Shekspirit. Historia u shfaq për herë të parë në anglisht në vitin 1608. Shekspiri e ka shkruar tragjedinë rreth vitit 1600, çka do të thotë se burimet për veprën ai i kishte marrë vetëm nga materiali për "Hamlet"-in në gjuhën frënge. Por ka edhe një tjetër burim, këtë herë në anglisht: është një dramë, që tani ka humbur, e dikujt me emrin Thomas Kyd, autori i "Tragjedia spanjolle". Në këtë dramë përmendet Hamleti. Kjo mendohet të jetë një tjetër burim i përdorur nga Shekspiri për veprën e tij të famshme. Ndërkohë, ekziston edhe një fakt i çuditshëm. Vetë Shekspiri kishte një djalë me emrin Hamnet. Hamnet dhe Hamlet janë shumë të ngjashëm njëri me tjetrin, çka mund të nënkuptojë një mundësi sipas të cilës ose vepra ka marrë emrin e të birit, ose i biri emrin e veprës. Hamnet lindi në vitin 1585, ndërsa Hamleti u shkrua 15 vjet më vonë, në vitin 1600 dhe ka mundësi që vepra ta ketë marrë emrin nga biri i Shekspirit. Hamnet vetë vdiq në moshën 11-vjeçare, në vitin 1596, 4 vjet para se Shekspiri të shkruante tragjedinë. Por ka edhe teori të tjera në lidhje me influencën e ndërsjellët të emrave. E para është që babë e bir nuk ishin shumë pranë njëri-tjetrit (Shekspiri e kaloi gjithë kohën që Hamneti ishte gjallë në Londër) dhe historia vetë bën fjalë për një princ danez. Ndoshta Shekspiri e zgjodhi historinë për të futur në të gjithë dhimbjen që ndiente për humbjen e parakohshme të të birit. Ndërsa një teori e tretë thotë se emrin Hamlet Shekspiri ia bëri si dhuratë të birit ditën e pagëzimit, duke u zotuar që do të krijonte për nder të tij një vepër të pavdekshme.

    "Rreth botës për 80 ditë" (1872)

    Është një titull i thjeshtë dhe përshkrues. Po a e ka zanafillën vetëm tek ideja e Jules Vernes për librin e tij shumë interesant? Vetë autori francez është shprehur se ideja për librin i lindi teksa po lexonte një artikull të Tomas Cok, në lidhje me një udhëtim përreth botës. Nga ana tjetër ekziston një person, karriera e të cilit është shumë e ngjashme me udhëtimin 80-ditor rreth botës të personazhit kryesor, Phileas Fogg, dhe nuk do të ishte e ndershme ta lije pa përmendur një person të tillë. Ai është manjati amerikan i hekurudhave, me emrin George Francis Train. Ai lindi në vitin 1829 dhe e nisi gjithçka si një lundërtar që merrej me tregtinë e opiumit. Më pas shkoi në Britaninë e Madhe, ku futi në vend tramvajin e parë, i cili prej andej u përhap më pas si mjet udhëtimi urban në të gjitha qytetet më të mëdha të Evropës. Me pasurinë që grumbulloi, George u kthye në Amerikë dhe financoi hekurudhat e vendit. Pas atij realizimi, ambicia e tij ishte politika. Ai filloi fushatën në vitin 1869, me një ambicie të qartë: marrjen e presidencës së vendit. Në mesin e fushatës ai deklaroi se kishte ndërmend që të kryente një udhëtim rreth botës për vetëm 80 ditë, ose ndoshta edhe më pak. Udhëtimin e nisi nga Nju Jorku në fund të korrikut të vitit 1870, duke marrë rrugëtimin me tren deri në Kaliforni dhe në 1 gusht i hipi anijes për në Jokohama. Prej andej, në Hong-Kong, Singapor, Kanalin e Suezit dhe Marsejë. Në Marsejë pati probleme, pasi revolucioni e pengoi të shkonte më tutje. Atij iu kërkua nga revolucionarët të fliste në favor të tij, por gjërat nuk shkuan vaj dhe ai përfundoi në burg. Më në fund, pas një apeli për ndihmë, bërë nga media ndërkombëtare, arriti të lirohej, por jo para 13 ditësh, çka bën që objektivi i tij për një rrotullim rreth botës brenda një kohe të caktuar të mos realizohej sipas parashikimeve. Ai u kthye në atdhe në fund të dhjetorit, duke humbur nga afati 2 muaj. Gjithsesi, zgjedhjet presidenciale të vitit 1972 u fituan nga Ulysses S. Grant. Udhëtimi i tij nuk pati ndonjë jehonë, por tërhoqi vëmendjen e të famshmit shkrimtar i cili ishte në kërkim të temave interesante. Në fund të vitit 1870 ai e përpunoi idenë e udhëtimit të Phileas Fogg-ut dhe ia shiti atë në formë seriali tregimesh gazetës "Le Temops", që e publikoi në copëza të përditshme. Vetë Verne nuk e ka pohuar kurrë faktin që frymëzimi i librit të tij ishte nga udhëtimi i amerikanit aventurier. Vetë George jetoi deri në vitin 1904 dhe kreu edhe tri udhëtime të tjera rreth planetit, duke thyer rekordin e parashikuar dhe duke e përshkruar distancën për vetëm 60 ditë, pra në dy muaj. Në një intervistë shumë kohë pas botimit të librit ai e akuzoi Verne si "hajdut" të idesë së tij, për t‘i rënë botës në 80 ditë. Por për lexuesin që e ka shijuar dhe vazhdon ta shijojë udhëtimin e Phileas Fogg, pak rëndësi ka nga i erdhi autorit ideja. E rëndësishme është se ajo aventurë nuk humbi, por u përjetësua në një vepër të mrekullueshme.

    Gazeta Shqip
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    12-07-2006
    Vendndodhja
    tirane
    Postime
    856
    ndonjehere fshihet shume...
    e ndonjehere fshihet asgje...

    ka disa pseudo shkrimtare, qe gjetjes se titullit i japin shume rendesi...dhe ti si lexues kur e merr ne dore librin, thua kushedi sa intrigues do te jete...por kur e mbaron zbulon se nuk eshte gje tjeter, vecse nje flluske sapuni...

    une si lexuese nuk i jap fare rendesi titullit...

    nese nje liber eshet i bukur, mua me pelqen dhe pike...edhe pse titullin mund ta kete...."Pula"pershembull....

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e desaparacidos
    Anëtarësuar
    23-10-2007
    Postime
    163
    Citim Postuar më parë nga engjellorja Lexo Postimin
    ndonjehere fshihet shume...
    e ndonjehere fshihet asgje...

    ka disa pseudo shkrimtare, qe gjetjes se titullit i japin shume rendesi...dhe ti si lexues kur e merr ne dore librin, thua kushedi sa intrigues do te jete...por kur e mbaron zbulon se nuk eshte gje tjeter, vecse nje flluske sapuni...
    Tamam e njejta gje qe me ka ndodhur mua, po besoj edhe shume njerezve te tjere me Kodin da Vinçi...

    E vetmja gje e bukur qe kishte ky liber ishte fjala "fund"!

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e mondishall
    Anëtarësuar
    28-11-2006
    Vendndodhja
    Ne Selanik te Greqise
    Postime
    2,690
    Kur nje liber behet i njohur, titullit i shumefishohet aq shume vlera, sa behet binjak me emrin e shkrimtarit. Ne kete rast, me te vertete me duket sikur titulli ka fuqine permbledhese te idese te vepres. Kujtoj, psh, Shkelqimi dhe mjerimi i kurtizaneve, Dombi dhe i biri, etj, etj, etj...

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1013
    Postimi i Fundit: 30-06-2011, 13:05
  2. Le Monde des livres - Bota e librave
    Nga oiseau en vol në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-01-2006, 11:29
  3. Perkthimi i librave dhe filmave
    Nga njeriu2006 në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 09-12-2005, 20:13
  4. Gafa e Herrit, perizoma mes librave
    Nga Asteroid në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-06-2003, 11:03

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •