Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 14
  1. #1
    Pasioni për shkencën Maska e Qendi
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    2,102

    Trafikimi i Fëmijëve

    Si dukuri , trafikimi i qenieve njerëzore ka qenë i njohur ndër shekuj.Por format e trafikimit kanë evoluar , duke u bërë tani pjesë e rëndësishme e rrjetit të krimit dhe përfitimeve të shumta materiale.Pjesa më e pambrojtur e shoqërisë e përdorur për trafikim mbeten fëmijët , të cilët trafikohen për qëllime të ndryshme.Ata detyrohen , jashtë vullnetit të tyre , të kryejnë punë të pandershme , detyrohen të jenë objekt i kënaqësive seksuale të shthurura të personave të ndryshëm , e madje detyrohen të japin edhe pjesë të trupit të tyre për transplantet e organeve.
    Në të gjithë botën , sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara , numri i fëmijëve të trafikuar çdo vit është 1 milion.Përfitimet vjetore nga trafikimi i fëmijëve kapin shifrën 1.2 miliard euro.
    Nën ndikimin e politikave jo të drejta , të një ekonomie shkatërruese dhe mungesës së humanitetit , sot në zonat e jugut të globit afro 13 milion fëmijë më të vegjël sesa 5 vjeç vdesin nga mungesa e ushqimit , rreth 200 milionë janë nën uri të vazhdueshme , ndërsa nga institucionet mësimore largohen rreth 120 milion fëmijë , pasi në vendet e tyre shkollimi nuk është i detyruar ose publik.
    Episode të tmerrshme të një skllavërie humane gjen sot anekënd botës e në veçanti në vendet më pak të zhvilluara ekonomike.
    Shqipëria , që dikur nuk e njifte dukurinë e trafikimit , sot është bërë prej vendeve ku trafikimi kryhet me përmasa tragjike.Mund të themi se kjo dukuri sot është prej plagëve shumë të thella që po kalon populli shqiptar.
    Janë me dhjetëra e qindra familjet në Shqipëri të cilave u janë zhdukur fëmijët pa gjurmë , u janë zhdukur vajzat nën moshën 18 vjeç dhe shumica kanë përfunduar në rrjetin e trafikimit , duke pushtuar bulevardet dhe rrugët e shteteve fqinj.

    Arsyet e trafikimit të fëmijëve në Shqipëri

    Periudha e gjatë e paqëndrueshmërisë politike në vend , zhvillimi i paktë ekonomik dhe mirëqenia e ulët sociale , për pasojë një varfëri shumë e shprehur në masat e gjera të popullit , janë faktorë kryesor që në këto 13 vjet tranzicioni e kanë karakterizuar Shqipërinë si një truall të përshtatshëm për nxitjen dhe favorizimin e trafikimit të fëmijëve.
    Periudha ndërmjet viteve 1992-1998 shënon lulëzimin me të madhe të trafikimit të fëmijëve , që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
    Në formë të përmbledhur , arsyet e trafikimit të fëmijëve në Shqipëri janë :
    1.Varfëria ,
    2.Paqëndrueshmëria politike ,
    3.Papunësia ,
    4.Martesat e rreme , divorcet ,
    5.Dhuna në familje ,
    6.Niveli arsimor dhe formimi familjar ,
    7.Lidhjet ndërmjet politikës dhe grupeve kriminale ,
    8.Niveli i lartë i korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë ,
    9.Humbja e sistemit të vlerave ,
    10.Dëshira për një jetë më të mire në vendet perëndimore ,

    Prej shkaqeve prioritare për nxitjen e trafikimit mbetet pikërisht varfëria dhe mungesa e funksionimit të plotë të një shteti ligjor , i cili do ta sanksiononte me dënime maksimale trafikimin.
    Në Shqipëri , 29.6 përqind e popullsisë jeton në varfëri , ndërsa gjysma e kësaj përqindje jeton në kushte ekstreme të varfërisë.Mbi 46 përqind e shqiptarëve jetojnë në nivelin e minimumit jetik prej 2 US$ në ditë , ndërsa 17,4 përqind e tyre nën nivelin e minimumit jetik prej 1 US$ në ditë.
    Ajo që e ndihmonte me të madhe këtë dukuri ishte edhe fakti se një pjesë e madhe e viktimave e linin Shqipërinë me shpresën e një jete më të mire dhe përfundonin në duart e trafikantëve.
    Në gjendje të pashpresë dhe në varfëri të skajshme , shumë familje ranë dakord që fëmijët e tyre nën moshën 18 vjeç , qoftë edhe vajza , të shikonin mundësinë e një punësimi të ndershëm në vendet fqinje.
    Sot në Shqipëri ka disa kategori të rrezikuarish për t’u trafikuar ; në radhë të parë fëmijët ( jetimët , ata që punojnë rrugëve në moshë fare të re , fëmijët e përfshirë në procesin e gjakmarrjes , fëmijët e familjeve me dhunë të vazhdueshme e probleme martesore ) , përdoruesit e alkoolit dhe drogës , të rinjtë që kanë braktisur shkollën dhe shumë njerëz me paaftësi fizike.Këtu nuk përjashtohen edhe grate ( viktimat e dhunës në familje , gratë e trafikuara më parë si dhe gratë e veja ).
    E tërë kjo kategori njerëzish është në kushte shumë të pafavorshme për mbijetesë materiale dhe për integrim në jetën normale , andaj shpeshherë janë pre e trafikimit.

    Cilët fëmijë janë më të rrezikuar për trafikim në Shqipëri?

    Sipas studimeve të bëra nga CRCA ( Qendra për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Fëmijëve ) , konsiderohet se fëmijët më të rrezikuar janë :
    Fëmijët nga mosha 5 deri 18 vjeç ;
    Fëmijët që vijnë nga familje me probleme sociale dhe të ardhura të ulëta ;
    Fëmijët që kanë braktisur shkollën ; ose nuk kan shkuar asnjëherë në shkollë ;
    Fëmijët e lënë pas dore ; ose të rritur pa kujdesin prindëror – fëmijët jetim ;
    Fëmijët që vijnë nga familje në të cilat prindërit janë të punësuar jashtë shtetit ;
    Fëmijë që punojnë ose shesin ;
    Fëmijët romë , ose ata që vijnë nga grupe të tjera të margjinalizuara të shoqërisë.
    Ajo që është shumë brengosëse dhe që flet më së miri se në Shqipëri ka humbur filli i një lufte efikase në mbrojtje të fëmijëve është realiteti se shumë fëmijë që arrijnë t’i largohen rrugës së trafikimit , qoftë duke i zënë policia e shteteve fqinje apo edhe duke marrë ndonjë iniciativë personale , pas kthimit në Shqipëri kthehen sërish në duar të trafikuesve për shkak të mosintegrimit në shoqëri dhe pamundësisë së një jetese elementare.
    Vetëm në Tiranë më shumë se 800 fëmijë jetojnë si lypësa , shitës ambulantë , ilustragjinj , larës të xhamave të veturave etj.
    Këta fëmijë , shumica të pambrojtur apo edhe jetim një pjesë e madhe e të cilëve përfundimisht ka braktisur shkollën , rrezikojnë të bien pre e trafikimit.
    Në Shqipëri afro 45 mijë fëmijë nën moshën 18 vjeçare që punojnë me orar të plotë ose të pjesshëm.
    Shumica e këtyre fëmijëve nuk i kanë kushtete e nevojshme në shtëpi dhe ka prindër që nuk kanë mundësi t’ua sigurojnë kushtet.
    Në këtë mënyrë , këta janë të detyruar të mbajnë barrën e sigurimit të të mirave materiale për familjen dhe për vete.
    Duhet ti veçojmë këtu fëmijët rom , të cilët jetojnë në kushtet e një varfërie ekstreme , kur e tërë familja ka vetëm profesionin e lypësit dhe jeton në tendë , duke mos pasur një vend për t’u strehuar.
    Në Tiranë janë të shumta rastet kur nënat nga minoriteti rom pas lindjes dalin së bashku me fëmijët për të lypur , kur ende nuk janë mbushur një javë nga lindja.Është e dhimbshme të shikosh një foshnjë , që ende s’ka mbushur një javë , në një vapë të madhe dhe me buzë të thara tek luhatet në krahët e nënës që lyp te veturat që kalojnë.
    Nuk duhet të harrojmë se Shqipëria është një vend që ka ratifikuar Konventën 182 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës , e cila e obligon marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive për zbatimin sa më të shpejtë të ndalimit dhe luftimit të formave më të rënda të punës së fëmijëve.

    Sa bëhet në këtë drejtim , që fëmijët të ndihmohen ?! Sa bëhet që familjet nga jeta e vështirë , të ndihmohen , të vetmen brengë ta kene . arsimimin , edukimin , shkollimin , kujdesin për fëmijët e tyre me qëllim që të mos trafikohen ?!?

  2. #2
    Pasioni për shkencën Maska e Qendi
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    2,102
    Trafikimi i fëmijëve

    UNICEF ndërmjetësoi për formimin e BKTF, një koalicion i nëntë OJF që merren me antitrafikun e që punojnë bashkarisht sipas një metode që mbështetet në katër parime kryesore për të luftuar trafikimin e fëmijëve. Ky aksion përmbledh parandalimin e trafikimit përmes rritjes së ndërgjegjësimit, mbrojtjen e fëmijëve që kanë qenë trafikuar, ndihmën për riatdhesimin vullnetar të fëmijëve të trafikuar në vende të tjera e që duan të kthehen në shtëpitë e tyre dhe riintegrimin në shoqëri.

    Ne bashkepunojmë ngushtë me qeverinë shqiptare për të zbatuar planin e saj kombetar të veprimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Mbi 15000 fëmijë, pjesëtare familjesh dhe mësues janë kontaktuar me anë të materialeve edukative antitrafik dhe 1500 fëmijë në rrezik, të abuzuar ose të shfrytëzuar janë riintegruar në arsimin zyrtar. Më pak se 10% e tyre e kanë lënë sërish këtë sistem arsimor.

  3. #3
    Pasioni për shkencën Maska e Qendi
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    2,102
    UNICEF: Vazhdon trafikimi i fëmijëve rumunë

    Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, thotë se nuk është bërë sa duhet për të ndaluar shfrytëzimin seksual të mijëra grave dhe fëmijëve rumunë në vendet evropiane. UNICEF-i paralajmëron se ky problem mund të përkeqësohet kur Rumania të anëtarësohet në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm.

    Gjendja shoqërore dhe ekonomike e Rumanisë është përmirësuar që kur udhëheqësi komunist Nikolai Çaushesku u përmbys nga pushteti dhe u vra me anë të revolucionit në dhjetior të vitit 1989. Por Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, thotë se nuk është bërë sa duhet për të ndaluar shumë qytetarë që të largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

    Përfaqësuesi i UNICEF-it në Rumani, Pier Popard, thotë se 16 vjet pas revolucionit, rreth 20 përqind e fëmijëve rumunë jetojnë nën nivelin e varfërisë. Ai thotë se shpesh këta të rinj pa përvojë bien pre e trafikantëve.

    “Varfëria dhe papunësia në Rumani nuk ka dyshim që i bëjnë të rinjtë të largohen nga vendi. Dhe vendet ku ata shkojnë janë Spanja, Italia, Franca, por edhe Britania e Serbia, ku vajza të reja bien pre e një rrjeti trafiku të prostitucionit.”

    Vitin e kaluar, më shumë se 2 mijë e 500 viktima të trafikut u regjistruan zyrtarisht, mes tyre 366 ishin fëmijë. Por përfaqësuesi i UNICEF-it në Rumani, Pier Popard, thotë se këto shifra as që i afrohen realitetit. Ai thotë se numri i grave dhe fëmijëve që trafikohen në vende evropiane dhe shiten në prostitucion është shumë më i lartë.

    Si pjesë e përpjekjeve të saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Rumania miratoi disa ligje kundër trafikimit dhe mori masa të tjera për të mbrojtur fëmijët. Por zoti Popard thotë se këto ligje nuk janë mjaft të fortë për të shkurajuar personat e angazhuar në trafikimin e qënieve njerzore.

    Ai shpreh shqetësim të madh se në disa aspekte gjendja për Rumaninë do të përkeqësohet pasi ajo të anëtarësohet në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm.

    “Rumania do të ketë një prej kufijve të jashtëm më të gjatë të Bashkimit Evropian, më shumë se 2 mijë kilometra. Serbia, Ukraina, Moldavia janë vende tashmë burimi të trafikimit dhe Rumania do të jetë një vend trazit. Rumania do të jetë pa dyshim edhe një vend burimi për trafikimin, por edhe tërheqës i tij. Sapo Rumania të bëhet pjesë e grupit Shengen pas disa vjetësh pa dyshim që do të marë hov trafikimi i qënieve njerzore.”

    Zoti Popard vë gjithashtu në dukje se sapo Rumania të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian nuk do të jetë më i pranishëm në atë vend për të vëzhguar zhvillimet në vend. Ai thotë se agjenci ndihmash të Kombeve të Bashkuara, duke punuar me organizata të pavarura, do të marin përsipër këto funksione vëzhguese. Ai thotë se këto organizata duhet të marrin masat e duhura për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të fëmijëve.

  4. #4
    Pasioni për shkencën Maska e Qendi
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    2,102
    Fëmijët afrikanë, viktimë e skllavërisë moderne

    Në kohën kur zbulimi i trafikimit të fëmijëve afrikanë nga ana e francezëve në muajin Tetor pati reagime të shumta, arrestimi i personit të akuzuar për rrëmbimin e 52 fëmijëve nga Guinea Bisau kah mesi i muajt Nëntor, përsëri riktheu fenomenin e trafikimit të fëmijëve në qendër të masmediave botërore. Tani parashtrohet pyetja se vallë trafikimi i fëmijëve, është një metodë e re dhe moderne e skllavërisë? Në bazë të statistikave të organizatës së UNICEF-it, çdo vit më se 1 milion e 200 mijë fëmijë në mbarë botën trafikohen për qëllime të ndryshme. Ky lloj trafiku, e zë vendin e tretë pas trafikimit joligjor të armëve dhe substancave narkotike. Paaftësia e qeverive të vendeve perëndimore dhe qëndrore afrikane si dhe vendeve jugore aziatike dhe Amerikës Latine, është shndërruar në tregun kryesorë të trafikimit të fëmijëve në botë. Si zakonisht trafikimi i fëmijëve realizohet nëpër vendet të cilat janë të preokupuara me tensione dhe përleshje etniko-fetare. Në rrethana krize qeveria qëndrore nuk është në gjendje të kontrollojë situatën dhe në kushte të këtilla personat profitabil shfrytëzojnë rastin dhe fillojnë të trafikojnë fëmijë për qëllime të ndryshme personale, seksuale, si punëtorë, ushtarë dhe për qëllime të tjera joligjore. Faktorët si luftrat civile, thatësirat dhe fatkeqësitë natyrore të cilat janë ndër shkaqet kryesore të përhapjes së varfërisë dhe urisë në përgjithësi, ka krijuar hapësira të mundshme për trafikimin e fëmijëve afrikan. Në disa raste trafikimi i fëmijëve bëhet edhe me pëlqimin dhe dijeninë e prindërve, kështu që prindërit për shkaqe të ndryshme si varfëria, janë në gjendje ty shesin fëmijët e tyre. Rajoni i Afrikës perëndimore, për shkak anarkisë dhe të luftërave civile në Sieraleon, dhe Liberi gjatë dy dekadave të fundit, është shndërruar në qendër kryesore të trafikimit të fëmijëve. Në këtë rajon, për fat të keq fenomeni i trafikimit të fëmijëve në mesin e popullatës realizohet me pretekst të emigrimit të tyre për pune dhe jetë me të mire nëpër vendet perëndimore europiane. Mousa Sisoko njëri nga mbrojtësit e të drejtave të fëmijëve thotë: disa vende afrikane për të shkatërruar dhe eliminuar fenomenin e urrejtur të trafikimit të fëmijëve kanë nënshkruar traktate bashkëpunimi me vendet e ndryshme të afrikane. Këto traktate janë nënshkruar midis vendeve si, Togo, Benin, Nigeri, Senegali, Guinea Bisau, Gambia, Sieraleone, Mali dhe Burkinafaso. Mos ekzistimi i një ligji të posaçëm kundër trafikimit të fëmijëve ka bërë që trafikantët dhe bandat e ndryshme të mos ndëshkohen me ligj.

    Autoritetet e UNICEF-it, kanë bërë të ditur se si pasojë e sëmundjeve vdekjeprurëse si Sida, kanë humbur jetën më se 8 milion fëmijë nëpër pjesë të ndryshme të Afrikës jugore dhe lindore, dhe kanë apeluar që këto rajone janë shndërruar në tregjet kryesore të trafikimit të fëmijëve. Hyrja e turistëve të huajë nëpër vendet afrikane si Afrikën Jugore, ka krijuar fenomenin e dhimbshëm të trafikimit të fëmijëve. Shumica e vendeve të rajonit akoma nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për ndalimin e fenomenin të ligët të trafikimit të fëmijëve. Trafikimi i fëmijëve të Mozambikut nëpër të gjitha vendet fqinje të Afrikës Jugore, e posaçërisht në Afrikën Jugore gjatë dy viteve të fundi ka patur një rritje drastike prej 100 deri më 1000 fëmijë të trafikuar. Hulumtimet e fundit të OKB tregojnë që mijëra fëmijë nga Mozambiku prej moshës 14 deri më 24, trafikohen nëpër rrjete të ndryshme për qëllime seksuale në Afrikën Jugore. Trafikimi i fëmijëve realizohet nëpërmjet rrjeteve të fuqishme dhe të organizuara mirë. Kështu që grumbullimi i informacioneve në lidhje me kapjen dhe dënimin e organizatorëve të këtyre rrjeteve për forcat policore është një detyrë tepër e rëndë dhe e ndërlikuar. Transferimi fëmijëve nga Afrika nëpër vendet e ndryshme të botës, ka vështirësuar edhe më shumë ndjekjen e trafikantëve të fëmijëve. Në bazë të statistikave, më se 30 mijë fëmijë të kidnapuar nga pjesët e ndryshme të Afrikës Jugore janë transferuar nëpër vendet e ndryshme të botës për qëllime seksuale. Gjithashtu një pjesë tjetër e fëmijëve të trafikuar janë të detyruar të punojnë punë të rënda fizike. Shqetësimi më i madh është se grupet mafioze dhe rrjetet e ndryshme të trafikimit të fëmijëve në korniza të të drejtave për fëmijët, janë duke realizuar trafikimin e fëmijëve në këto rajone. Shoqata humanitare franceze e cila si duket punonte për të ndihmuar fëmijët refugjatë të rajoneve të prekur nga lufta si në Darfur dhe në jug të Çadit, ka rrëmbyer dhe trafikuar më se 103 fëmijë afrikan. Në kohën kur popullata e Çadit dhe Sudanit kuptuan se kjo shoqatë ka lidhje më rrjetin e trafikimit të fëmijëve, qytetarët e këtyre vendeve organizuan protesta anti-franceze. Ligjet e miratuara kundër krimeve si rrëmbim, përdhunim ose abuzim seksual, nuk janë garancë kundër luftës së fenomenit të trafikimit të fëmijëve. Prandaj është e domosdoshme që vendet afrikane të ndërmarrin hapa konkret kundër këtij fenomeni kaq të ligë dhe anti-njerëzorë.

  5. #5
    Carpe Vinum Maska e Zombi
    Anëtarësuar
    27-08-2007
    Vendndodhja
    Postime
    1,035
    Kur lexon keto shifra, te rikujton faktin se ne te vertete jetojme ne nje sketerre!
    • The rest is silence.


  6. #6
    Pasioni për shkencën Maska e Qendi
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    2,102
    Zbulohet banda shqiptaro-greke e trafikimit të fëmijëve

    Policia helene zbuloi një bandë të shqiptaro-greke e cila trafikonte foshnje, bëjnë të ditur burime nga ky vend. Rasti është zbuluar në qytetin Nikeas në Greqi, ku një një çift nga Shqipëria, imigrantë në Greqi, kanë shitur foshnjën e vet për 3.000 euro.
    Foshnja 12 ditëshe i është shitur një çifti nga Greqia që nuk ka pasur fëmijë. Trafikimin e fëmijës e ka ndërmjetësuar banda e njohur e përbërë prej shqiptarëve dhe grekëve, e cila u zbulua nga policia.


    Mediat e Tiranës herë pas here kanë botuar informacione ku është theksuar trafikimi i fëmijëve të mitur në Greqi.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar në Shqipëri janë zhdukur 32 fëmijë, për të cilët edhe sot nuk ka informata se janë gjetur.

  7. #7
    Pasioni për shkencën Maska e Qendi
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    2,102
    Prokuroria italiane alarmohet për trafikimin e fëmijëve shqiptarë. “Jemi përballë një dyshimi të tmerrshëm, ose të një realiteti të frikshëm. Më keq se kaq nuk mund të imagjinohej. Përballë kësaj, trafiku i heroinës dhe kokainës është qesharak”, deklaron Giusepe Ayala, shefi i Komisionit Parlamentar të Antimafias dhe Drejtësisë.

    Si u zhduk fëmija në plazhin e Vlorës

    Pesë vjet më parë në plazhin e Vlorës u gjet trupi i një fëmije të vogël me një shenjë operacioni në veshka. Ministria e Brendshme Italiane përshkruante: “Shenja të thella të tipit kirurgjikal. Dyshohet si viktimë e një trampianti”. Ai trup u kërkua në morgun e Vlorës, në atë të Tiranës, në spitalet e qyteteve të bregdetit shqiptar, por asnjë gjurmë. Antimafia mbolli dyshimin e tmerrshëm. Tani është kthyer në frikë…

    “Jemi duke hetuar, thotë Pier Luixhi Vinja, prokurori i Antimafias Italiane, por nuk mund të them detaje të reja, për shkak të hetimit”. Dhe detajet janë të tmerrshme. Trafik fëmijësh, trafik organesh. Ka prova të sfumuara, ka frikë, panik dhe punë policore. Vinja bën të ditur se disa përgjime telefonike të kapura me urdhër të prokurorisë së Triestes që kanë sjellë elemente të reja për hetimet. “Kinezë që flisnin me njeri-tjetrin dhe bënin fjalë për një kontigjent me fëmijë hantikapatë të shitur për pak lekë. Nga fjalët dhe zëri dyshojmë se kemi bëjmë me trafikantë të vjetër dhe të pjekur”. Dy vjet më parë u dha alarmi në Moldavi, nga një institut fëmijësh. Tani alarmi është dhënë edhe në Shqipëri. Po a mund të ndodhë një gjë e tillë? Natyrisht. Kriminaliteti me pazaret e tij të paligjshme po i afrohet gjithmonë e më shumë njeriut. Në fillim ishte kontrabanda e cigareve, pastaj ai i narkotrafikut, më pas trafiku i klandestinëve, trafiku i fëmijëve që vijnë nga Europa Lindore. Nuk është e vështirë të ndjekësh rrugën e kësaj parabole. Por çfarë duhet bërë?!. “Natyrisht duhet të hetosh, thotë Pier Luixhi Vinja. Një javë më parë ne hodhëm një hap më tej në bashkëpunimin me Ukrainën, me prokurorinë e përgjithshme dhe kjo nuk është gjë e vogël”. Trapianti, në pamje të parë, duket një gjë e thjeshtë. Mblidhen fëmijë të vegjël nga të katër anët e botës dhe i transporton në vendet që konsiderohen me qytetërim të zhvilluar. Organet e tyre vlejnë më shumë se ari dhe klientela është e lartë, e pasur dhe indiferente. “Jemi përballë një dyshimi të tmerrshëm, ose të një realiteti të frikshëm. Më keq se kaq nuk mund të imagjinohej. Përballë kësaj, trafiku i heroinës dhe kokainës është qesharak”. Kjo është deklarata e rëndë e Giusepe Ayala, shefi i komisionit parlamentar të antimafias dhe drejtësisë, njeriu i skuadrës së vjetër të Palermos, mik i Borselinos dhe Falkones. Por ai nuk ka prova të sakta, pasi ato ende mungojnë. Pesë vjet më parë në Vlorë në plazh është gjetur trupi i një fëmije të vogël me një shenjë operacioni në veshka. Lajmi i është dhënë nga një informator një karabinieri në Tuscania. Ky nuk nguroi ta shënonte në raport. Kështu Ministria italiane e brendshme nxori një komunikatë ku shkruante për trupin e fëmijës … “Shenja të thella të tipit kirurgjikal. Dyshohet si viktimë e një trampianti”. Por çfarë ishte në të vërtetë. Dhe autoritetet italiane e kërkuan këtë trup për verifikime. U kërkua në morgun e Vlorës, në atë të Tiranës, në spitalet e qyteteve të bregdetit shqiptar, por asnjë gjurmë e kufomës së fëmijës. “Nuk kemi dijeni për një gjë të tillë”, u përgjigj atëhere Vefi Kona, shefja e urgjencës në spitalin e Vlorës. Graziella Destefani, motra e Shërbesës së Marisë në Vlorë thotë: “Nëpër spitale kemi parë shumë fëmijë të vdekur, sidomos në ditët e atij tërbimi të madh, por asnjë prej tyre nuk shfaqte shenja të tilla. Kam 16 vjet në Vlorë dhe nuk kam dëgjuar për një rrezik të tillë”. Por policia italiane nisi të dyshojë që atëherë për skenare të frikshme. Europa Lindore e egër, ashtu siç është, përbën një burim të madh të fëmijëve të trafikuar. Tregu shtrihet në Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani, Spanjë, Holandë, Britani e Madhe dhe Amerika e Veriut. Rrugët janë të njëjta si të klandestinëve të dëshpëruar. Skafistët dhe tutorët veprojnë për llogari të personave të tretë. Në konkurencë janë mafia italiane, ajo ruse, turke, kineze. Por të tranportosh një organ nuk është njëlloj si të kalosh një pako cigare. Duhet të punosh me mjekë të zotë dhe klinika të pasura. Dhe fatkeqësisht të gjesh fëmijë të vegjël për t’i trafikuar është edhe më e lehtë. Prindërit shpesh herë i shesin për para. Dhe pastaj mafiozët nuk u thonë kurrë atyre se të vegjlit e tyre do të vriten. Mjaft t’i sigurosh se fëmija do të përfundojë në një familje me të ardhme të siguruar. Vërtet asgjë nuk është verifikuar, por dyshimet janë shumë të forta.

    “La Stampa”

  8. #8
    Pasioni për shkencën Maska e Qendi
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    2,102
    Si të luftohet trafikimi i fëmijëve?


    Eliminimi i varfërisë ndër kushtet për t'i dhënë fund trafikimit
    Raportet e UNICEF-it si dhe të organizmave të tjerë ndërkombëtare thonë se trafikimi dhe shfrytëzimi i fëmijëve në dhe nga vendet e pazhvilluara vazhdon të jetë i pranishëm.
    Përjashtim nuk bëjnë as vendet e Evropës Juglindore.

    I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për shitjen, prostitucionin, trafikimin dhe pornografinë e fëmijëve, Juan Miguel Petit, thotë se me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, në Shqipëri duhet implementuar një demokraci e shëndetshme për të luftuar korrupsionin, modernizimin e policisë dhe forcimin e sistemit gjyqësor.

    Sipas tij, duhen strategji të shumta sociale nga ana e qeverisë për zonat e lëna në harresë si dhe të përfshihen organizatat jo qeveritare dhe shoqëria.

    "Lëvizjet e popullsisë dhe migrimi i fëmijëvë për të gjetur rrugë mbijetese, ndodhin në një hapësirë gjeografike që i kalon kufijtë, ndodh në Itali, Greqi, Maqedoni. Në këtë mision ne jemi përqëndruar tek Shqipëria dhe Greqia. Mesazhi që ne duam të përcjellim është se këto çështje nuk i interesojnë vetëm një vendi. Për fëmijët duhet të mendojnë qeveritë e të gjitha vendeve. Pra, çështja që nga Shqipëria janë trafikuar fëmijë në Greqi, është çështje që duhet t’i interesojë edhe autoriteteve greke. Jam i sigurt se autoritetet greke do ta kuptojnë këtë, "- thotë për BBC-në përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara.

    Çfarë mendoni, a po bëhet sa duhet për luftimin e kësaj dukurie dhe si mund të parandalohet ajo?

    Na shkruani!

    Kjo është e keqe e madhe se çka ndodh në shekullin XXI. Kjo nuk ndodh vetëm në shtetet e varfëra, por edhe në shtetet e pasura. Pra, nuk është fjala vetëm për varfërinë, por edhe për degjenerimin dhe moralin e ulët tek njerëzit në përgjithësi. Për mendimin tim, duhet që të luftohet kjo dukuri e keqe dhe shumë e rrezikshme. Për të luftuar këtë të keqe të madhe dhet së pari të investohet në polici dhe në forcimin e sistemit gjyqësor, por për prostitucionin me fëmijë duhet që dënimet të jenë aq të ashpra sa të mos ju shkojë më në mendje ta përsërisin të njëjtën. Edhe dënim me vdekje, pse jo! Se fëmijët janë një krijesëe pafajshme dhe të pafuqishëm. Të gjithë fëmijët e botës janë njësoj, pa marrë parasysh se ku ndodhin gjëra të tilla. Ne duhet t'i luftojmë këto dukuri me shumë ashpërsi.
    Jehon Gorani, Belgjikë

    Unë mendoj se në disa raste fajin e kanë prindërit edhe askush tjetër.
    Çdo prind duhet ta dijë se ku ndodhet fëmija i tij, në çdo hap të ditës. Nëse një prind nuk e din se ku ndodhet fëmija e tij, atëherë, për mendimin tim, ai nuk është prind!
    Bashkim Krasniqi, Londër

  9. #9
    Pasioni për shkencën Maska e Qendi
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    2,102
    Fjala e Avokatit te Popullit ne Konferencen mbi problemet e Trafikimit te femijeve



    Të nderuar bashkëorganizatorë të Konferencës z. Robles, zj. Konrad dhe zoti Bejtja

    Te nderuar zoterinj, ministra, kolegë dhe pjesmarres ne kete konference. Duke falenderuar Këshillin e Europës dhe Qeverinë Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, që kanë organizuar këtë Konferencë ndërkombëtare për problemet e trafikut të fëmijëve si dhe ftesën dhe mundësinë për të folur para këtij auditori të nderuar, më lejoni të paraqes shkurtimisht disa mendime të institucionit të Avokatit të Popullit për këtë çështje.

    Ndonëse Shqipëria qysh në vitin 1992 ratifikoi Konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve, trafikimi i fëmijëve shqiptarë përbën një plagë mjaft shqetësuese. Dihet që ky është një fenomen jo vetëm shqiptar, por për të gjitha vendet ish komuniste që filluan proçeset e tranzicionit drejt demokracisë pas vitit 1990. Këto vitet e fundit është veçori për Shqipërinë që ndërsa për trafiqet e tjera të drogës, prostitucionit, të klandestinëve etj, kemi qënë më tepër vend tranziti se sa vend origjine, për trafikun e fëmijëve jemi veçse vend origjine. Pa mohuar rezultatet pozitive të viteve të fundit që kanë patur të bëjnë sidomos me rritjen e kontrollit të kufijve, por sidomos hartimin nga Qeveria në vitin 2001 të Strategjisë Kombëtare për fëmijët, sipas të dhënave jo të plota, konstatohet se rreth 4000 fëmijë shqiptarë janë larguar në emigracion të pashoqëruar nga prindërit (3000 në Greqi dhe 1000 në Itali). Kjo kategori fëmijësh të ndodhur larg familjes dhe kujdesit të saj, ndodhet përballë rreziqeve të shumta si keqtrajtimi, abuzimi fizik e seksual, trafiku i organeve apo përfshirja në trafiqe të tjera të paligjshme. Në jo pak raste këta fëmijë janë shitur nga të afërmit apo prindërit e tyre ose edhe grabiten dhe shfrytëzohen nga rrjete mafioze e kriminale për qëllime fitimi. Trafikimi i fëmijëve, sidomos i vajzave të vogla, të moshës 14-18 vjeç është një burim fitimi maksimal për trafikantët, të cilët shfrytëzojnë çdo mundësi deri edhe grabitje dhe përdhunime për të realizuar gjahun e tyre.

    Burimet e trafikut të fëmijëve janë: nga familje të divorcuara dhe me mungesë edukimi e kujdesi familjar; nga familje me shumë fëmijë dhe në gjendje të vështirë ekonomike, nga familje fshatare që shpresojnë në ndihmën e fëmijëve pak më të mëdhenj për të rritur fëmijë të tjerë më të vegjël; nga fëmijë të mbetur jetimë dhe pa kujdes; nga familje që prindërit u janë larguar për punësim jashtë shtetit si dhe fëmijët që kanë braktisur shkollën dhe janë marrë me lypësi e veprimtari tjetër të kundërligjshme edhe në Shqipëri.

    Kushtet e jetesës të të miturve të trafikuar në shumicën e rasteve janë të mjerueshme, bëjnë punë të rënda sidomos lypësi dhe me orar të zgjatur dhe pagesë minimale sa për t’u ushqyer. Këta fëmijë janë të preferuar për trafikantët, sepse u kushtojnë pak dhe përfitimi nga puna e tyre është gjithnjë e në rritje.

    Rrugët e trafikimit të fëmijëve zakonisht janë të njëjta me ato të trafikimit të qenieve njerëzore, por shpesh përdoren nga trafikantët edhe dokumente false si kujdestarë apo prindër të tyre. Ka patur jo pak raste ankesash edhe për proçeset e birësimit ndërkombëtar, i cili mbetet një formë trafiku që duhet investiguar në mënyrë të veçantë.

    Fëmijët e rrugës, të cilët për fat të keq më të shumtët janë romë dhe jevgjitë (gipsi) përfaqësojnë kategorinë më të vuajtur, më të pambrojtur, më të ekspozuar ndaj shumë rreziqeve si keqtrajtimi, pasiguria, analfabetizmi, kequshqyerja etj, të cilët ushtrojnë “profesionin” e lypësit, shitësit ambulant, të llustraxhiut etj.

    Fëmijët e përfshirë në punë dhe aktivitete të tjera fitimprurëse janë fëmijë të cilët e kanë braktisur përfundimisht shkollën, ndërsa të tjerë e frekuentojnë atë dhe kryejnë punë të ndryshme, kryesisht pas mësimit, duke u aktivizuar në ekonominë familjare ose aktivitete jashtë familjes. Këta fëmijë janë kryesisht nga familjet shqiptare që kanë bërë migracion nga zonat e varfra verilindore, në qytetet kryesore të Shqipërisë së mesme apo zonat bregdetare. Në veri të Shqipërisë ka shumë fëmijë që janë të rrezikuar nga gjakmarrja dhe si rrjedhojë ata janë të përjashtuar nga lëvizja e lirë, edukimi në shkollë dhe jetojnë në varfëri sepse edhe prindërit e tyre të ngujuar nuk punojnë.

    Sa më sipër paraqita situatën e gjendjes së fëmijëve në tërësi, përtej objektit të kësaj konference. Por cilat janë shkaqet që kanë çuar në këtë gjendje?? Sigurisht që ato burojnë nga shumë faktorë si gjendja dhe niveli i ulët ekonomik e social i vendit, tronditja e bazamentit tradicional të familjes shqiptare, por mbi të gjitha moszbatimi efikas i ligjit dhe mos bashkëpunimi i duhur nga agjencitë e caktuara si policia, prokuroria, gjykata, shërbimet inteligjente dhe struktura të tjera të shtetit si pushteti vendor, shkollat, institucionet e ndihmës dhe përkrahjes sociale etj. Jo në pak raste elemente të korruptuar të këtyre strukturave të shtetit kanë bërë pjesë apo kanë favorizuar këtë situatë, por shumë prej tyre nuk kanë marrë dënimin e merituar.

    Institucioni i Avokatit te Popullit në Shqipëri, duke qene pjese perberese e atyre qe quhen Institucione Kombetare te te Drejtave te Njeriut, gjatë kater vjet të ekzistencës së tij, ka trajtuar ne total rreth 11 mije ankesa, kërkesa e njoftime, me nje mesatare zgjidhjesh pozitive 22-25përqind ne favor te ankuesve. Në tre raportet vjetore të punës që kemi paraqitur para Kuvendit të Shqipërisë kemi pasqyruar edhe gjendjen e rëndë të fëmijëve në Shqipëri dhe kemi rekomanduar masa konkrete për përmirësimin e gjendjes së tyre. Por për hir te se vertetes me duhet te them se raste te natyres qe lidhen drejtperdrejt me tematiken e kesaj konference, nuk kemi patur. Megjithatë në rastet e pakta qe kane patur te bejne me te drejtat e femijeve me prinder te divorcuar apo të femijeve te braktisur, ndjeshmeria dhe kujdesi ynë ka qene maksimal. Eshtë evidente se të miturit shpesh herë nuk dijnë si dhe ku të ankohen, prandaj shpesh herë ne kemi vepruar me inisiativën tonë. Qofte edhe nje artikull gazete, qofte edhe nje rast i shfaqur ne edicione lajmesh, ka mjaftuar qe Avokati i Popullit te fillojë investigimin me qëllim ndihmën ndaj tyre.

    Gjatë shqyrtimit të rasteve konkrete, Avokati i Popullit ka shqyrtuar nëse janë zbatuar detyrimet qe rrjedhin nga nenshkrimi i konventave nderkombetare apo nga legjislacioni vendas. Në këto raste ndërhyrjet e Avokatit te Popullit kanë qene frutdhenese, jo vetëm sepse janë vene ne levizje strukturat e permbarimit, ato të shkollës apo ndihmës sociale, por se duke ju bërë ketyre rasteve edhe publiciteti i nevojshem, është krijuar precedenti pozitiv. Në vitin 2003, nga ana e Avokatit te Popullit jane hartuar Rekomandime per Ministrin e Drejtesise dhe Ministrin e Rendit, per t’i sensiblizuar që të kontrollojnë e t’u kërkojnë llogari organeve të tyre vartëse, për të vlerësuar në radhë të parë interesin e fëmijëve.

    Edhe ne një informacion derguar Kryeministrit te Shqiperise, Avokati i Popullit ka ngritur shqetesimin se pertej studimeve jo dhe aq reale te realizuar nga disa OJF, realiteti fton dhe tregon nje te vertete tjeter. Prandaj kemi rekomanduar se ka vend per nje bashkepunim dinamik dhe real me Ministrine e Punes dhe Çeshtjeve Sociale, Ministrine e Arsimit dhe shume struktura te tjera qe ne Strategjine e Qeverise per femijet shqiptare permenden shpesh, por realisht nuk ndjehen sepse kanë bërë pak.

    Në shume nga vendet nga kanë ardhur miqtë e huaj në këtë konferencë, për fëmijët ka struktura të veçanta te krijuara nga shteti. Në shtete të tilla si Suedia, Norvegjia, Franca, Belgjika etj, këto struktura janë të vjetra dhe mjaft efikase në punën e tyre. Ka edhe vende të tjera si Greqia, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia që sapo i kanë krijuar dhe që kryesisht veprojnë brenda apo në bashkëpunim të ngushtë me Zyrat e Ombudsmenëve, që janë institucione kombëtare, analoge me Avokatin e Popullit në Shqipëri. Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje kolegëve që janë të pranishëm sidomos atyre greke dhe italiane që të ndihmojnë më tepër fëmijët shqiptarë që ndodhen në vendet e tyre. Duke e menduar si efikase, në bashkëpunim me “Save the Children” këtë vit në zyrën tonë, do të fillojë funksionimi i një nënseksioni që do të merret në mënyrë specifike me problemet e fëmijëve në Shqipëri. Por rekomandimi ynë është se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të krijohet një autoritet i fortë shtetëror, i cili jo vetëm që do të nxitë autoritetet dhe organet shtetërore për zhvillimin e fëmijëve, por do të jetë edhe një mbrojtës i të drejtave të fëmijëve. Por për këtë në radhë të parë duhet vullnet politik, angazhim financiar si dhe ndryshimet e duhura në legjislacion.

    Duke përfituar nga rasti ju bëj thirrje strukturave të Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës që ta vlerësojnë pozitivisht kërkesën e vazhdueshme të popullit shqiptar dhe strukturave politike përfaqësuese të tij, që të heqin barrierat që pengojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve, sepse kjo është një nga rrugët e sigurta për të zvogëluar në minimum të gjitha llojet e trafiqeve, përfshirë edhe trafikun e fëmijëve.

    Kjo konferencë besoj se do të shërbejë për t’i dhënë një impuls të ri punës për mbrojtjen e fëmijëve dhe në veçanti luftës kundër trafikut të fëmijëve

    Faleminderit për vëmendjen.

    Ermir DOBJANI

  10. #10
    Pasioni për shkencën Maska e Qendi
    Anëtarësuar
    07-09-2007
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    2,102
    Itali: një çift shqiptar akuzohet për trafikim fëmijësh

    Policia italiane arrestoi një çift shqiptar që akuzohet se ka futur kontrabandë në Itali 36 të mitur. Autoritetet italiane dyshojnë se çifti mund të jetë pjesë e një rrjeti për trafikimin e fëmijëve që vepron midis Italisë dhe Shqipërisë. Çifti shqiptar bënte në Itali një jetë normale që nga viti 1991 dhe kishte leje të rregullta pune. Por gjatë vitit të kaluar, ata shkuan në Shqipëri 16 herë. Policia thotë se çdo herë që ktheheshin në Itali, ata sillnin me vete të mitur të cilët i fusnin kontrabandë, duke përdorur dokumenta të falsifikuara të fëmijëve të tyre. Të miturit e sjellë në Itali ishin midis 8 dhe 16 vjeç. Ata udhëtonin me anije pasagjerësh nga Durrësi në Bari, por me të arritur në Itali zhdukeshin. Autoritetet italiane dyshojnë se burri, Ramiz Petalli dhe e shoqja, Xhuljeta, bëjnë pjesë në një rrjet për trafikimin e fëmijëve që vepron midis Italisë dhe Shqipërisë. Çifti u arrestua pas një hetimi që zgjati një vit. Ata po mbahen të ndaluar nën akuzat për bashkëpunim në vepër kriminale, rrëmbim fëmijësh dhe falsifikim dokumentash për hyrje në territorin italian. Hetuesit po përpiqen të sqarojnë nëse fëmijët u janë grabitur ose rrëmbyer prindërve të tyre në Shqipëri apo janë lejuar nga vetë prindërit, të shtrënguar nga varfëria ekonomike. Ata po përpiqen të sqarojnë gjithashtu se ku përfundojnë këta të mitur pasi hyjnë në Itali. Në të gjithë vendin ka filluar kërkimi i tyre, megjithëse ka shqetësime se ata mund të mos jenë më gjallë ose mund të jenë dërguar në vende të tjera. Hetuesit thonë se fëmijët mund të jenë përdorur për punë të detyruar, pornografi dhe prostitucion ose për trafik organesh. Çdo vit në Itali rezultojnë të zhdukur mbi 3 mijë fëmijë, kryesisht të huaj.

    p.s Eshte nje shkrim i vjeter por qe vlen te permendet.

  11. #11
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    SHBA-raport: Qeveria shqiptare nuk po lufton trafikun


    Departamenti amerikan i shtetit në raportin më të fundit për trafikun e qenieve njerëzore e klasifikon Shqipërinë si të dështuar në luftën kundër trafikut. Vendi ynë përfshihet në listën e vrojtimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku futen ato vende që nuk bënë përpjekje gjatë vitit të kaluar në luftën kundër trafikimit

    Departamenti amerikan i shtetit në raportin më të fundit për trafikun e qenieve njerëzore e klasifikon Shqipërinë si të dështuar në luftën kundër trafikut. Vendi ynë përfshihet në listën e vrojtimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku futen ato vende që nuk bënë përpjekje gjatë vitit të kaluar në luftën kundër trafikimit. “Qeveria nuk identifikoi si duhet viktimat e trafikimit gjatë viti 2007. Gjithashtu ajo nuk ka treguar se po heton apo po ndjek penalisht në mënyrë energjike zyrtarët fajtorë. Qeveria e Shqipërisë nuk paraqiti fakte bindëse për të zbatuar me përgjegjshmëri luftën antitrafik. Vetëm në vitin 2007, ajo ndoqi penalisht 49 trafikantë të dyshuar por denoi vetëm 7 prej tyre”- thuhet në raportin e përpiluar nga SHBA-ja për trafikun e qenieve njerëzore. Sipas raportit aftësia e qeverisë për të financuar shërbimet e mbrojtjes dhe ndihmës ishte e kufizuar. Gjatë periudhës së raportimit njësitë rajonale antitrafik të policisë nuk u trajnuan siç duhet për më tepër që kishte mangësi të pajisjeve për të trajtuar efektshëm trafikimin njerëzor. Në raport shkruhet se ajo që ka ndikuar në mangësinë e policisë në luftën kundër trafikut janë edhe burimet e pamjaftueshme, ndikimi i korrupsionit dhe ndërrimet e shpeshta të rekrutëve të policisë për luftën kundër trafikimit. Në qershor dhe në korrik të viti 2007 qeveria ka pushuar nga puna 20 përqind të oficerëve të policisë që kishin qenë të trajnuar, si pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme për ristrukturimin e policisë. Në tri raste të veçanta Ministria e Brendshme arrestoi 12 oficerë policie të akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore gjate viti 2007, përfshirë këtu gjashtë oficerë që kishin përgjegjësi të drejtpërdrejtë për antitrafikimin në kufi.

    Raporti i SHBA-së shkruan se gjatë viti 2007 qeveria shqiptare identifikoi vetëm 13 gra dhe shtatë fëmijë si viktima të trafikut, në kundërshtim me OJQ-të që raportuan 146 viktima të trafikimit gjatë kohës së raportimit.



    Shekulli
    Sui generis

  12. #12
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Trafikimi i fëmijëve, qeveria dështon në identifikimin dhe mbrojtjen e tyre

    “Qeveria shqiptare ka dështuar në identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të trafikuar”. Ka qenë ky konstatimi i koalicionit shqiptar “Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve”, i cili ka paraqitur dje një analizë mbi trafikimin e fëmijëve në Shqipëri. Sipas kësaj analize, është shqetësues fakti që shteti nuk ka asnjë statistikë dhe të dhënë për fëmijët e trafikuar, por më shqetësues paraqitet fakti që në trafikimin e fëmijëve janë të përfshirë ata që duhet ta luftojnë këtë fenomen, pikërisht punonjësit e policisë. Nga vitet ‘90 deri në vitin 2000, të dhënat flasin për një ulje të trafikut të fëmijëve, ndërkohë që nga viti 2000 deri më sot, të dhënat tregojnë që trafiku i fëmijëve nuk ka pasur ulje. Ndërkohë, të dhënat e policisë me ato të shoqatave të ndryshme në lidhje me trafikun e fëmijëve paraqesin kontradikta të fuqishme, teksa këto të fundit bëjnë të ditur se vetëm gjatë vitit 2007, janë trafikuar 740 fëmijë nga Shqipëria drejt Greqisë. Por, të dhënat e policisë flasin për një numër shumë herë më të vogël, ku sipas tyre, gjatë vitit të kaluar janë trafikuar vetëm 32 fëmijë në drejtim të Greqisë. Përveç trafikut ndërkombëtar, raporti vë në dukje se është rritur ndjeshëm trafiku i brendshëm i fëmijëve, të cilët përdoren për lypje, vjedhje etj.


    Problemi


    “Një dorë e shtrirë është një gisht i treguar ndaj qeverisë”. Ndoshta kjo fjali e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, tregon më së qarti dështimin e qeverisë në luftën e saj ndaj trafikut të fëmijëve. Kryeministri ka qenë i pranishëm në konferencën e organizuar dje nga BKTF, në lidhje me analizën e trafikimit të fëmijëve shqiptarë përgjatë vitit 2007, ku ka deklaruar se duhet një punë më e madhe nga shteti për parandalimin e këtij fenomeni. Problemi më i diskutuar ka qenë fakti i mosidentifikimit dhe mbrojtjes së fëmijëve të trafikuar nga ana e shtetit, teksa mungojnë gjithashtu edhe të dhënat për fëmijët e trafikuar. Edhe kur ato paraqiten, paraqesin kontradikta të thella mes shifrave të policisë dhe shoqatave të ndryshme. Mjafton të përmendim këtu shifrat e trafikut të fëmijëve shqiptarë në drejtim të Greqisë vitin e kaluar, ku sipas shoqatave “Terres des Hommes” dhe “ARSIS”, rezulton se gjatë vitit 2007 janë trafikuar më shumë se 740 fëmijë. Sakaq, të dhënat e policisë janë shumë herë më të ulëta, ku sipas tyre, përgjatë vitit të kaluar janë trafikuar vetëm 32 fëmijë shqiptarë në drejtim të Greqisë. Sipas BKTF, nga vitet 90 deri në vitin 2001, rezulton të ketë një ulje të numrit të trafikut të fëmijëve. Por, sipas tyre, kjo lidhet më së shumti me faktin se kalimi i paligjshëm i kufirit dhe kontrabanda e qenieve njerëzore, është ulur për shkak të tendencës së emigrimit të shqiptarëve sesa si pasojë e masave të marra nga shteti. BKTF bën të ditur se tendencat e trafikut të fëmijëve që prej vitit 2003 nuk kanë pësuar ulje, madje ato mund të jenë rritur. “Sidoqoftë, për shkak të mungesës së të dhënave të grumbulluara e të përpunuara, si dhe informacionit të detajuar mbi numrin e fëmijëve të trafikuar, është e vështirë të flasësh për shifra të sakta të numrit të fëmijëve të trafikuar”, - thuhet në raportin e BKTF. Ndërkohë, përveç trafikut ndërkombëtar të fëmijëve, bëhet e ditur se ka pasur një rritje të ndjeshme edhe të trafikut të brendshëm të fëmijëve, të cilët përdoren për vjedhje, lypje, prostitucion etj.


    Rrugët e trafikut


    Raporti i koalicionit shqiptar “Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve”, thekson se Shqipëria cilësohet ende si një vend origjine për trafikun e fëmijëve, megjithëse nuk konsiderohet më si vend tranzicioni apo destinacioni. Sipas këtij raporti, rrugët e trafikut të paligjshëm të fëmijëve janë Shqipëri-ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë-Greqi, me synim vendet e tjera të Evropës Perëndimore; Shqipëri-Mal i Zi-Serbi-Slloveni-Itali; Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Slloveni, me destinacion përfundimtar vendet e Evropës Perëndimore, si dhe Shqipëri-Greqi-Itali. Sakaq, rrugët detare nuk janë më në destinacion të trafikut të fëmijëve, që prej vendimit të qeverisë, e cila miratoi moratorium kundër përdorimit të skafeve, që ishte dhe mjeti kryesor në trafikun e qenieve njerëzore, dhe tashmë si rrugë e vetme e trafikut mbetet ai tokësor. Ndërkohë, BKTF bën të ditur se trafikimi ndërkombëtar i fëmijëve shoqërohet më pas edhe me trafikimin kombëtar, ku të dhënat e mëparshme tregojnë se 1/3 e fëmijëve të trafikuar, ri-trafikohen. Nga statistikat, rezulton se numri më i madh i fëmijëve të trafikuar i përket komunitetit rom. Kjo vjen si pasojë e varfërisë së tyre të thellë, por edhe të analfabetizmit, ku bëhet e ditur se 64% e romëve deri në moshën 20 vjeç nuk dinë shkrim dhe këndim. Vendet fqinje, Kosova, Greqia, Italia dhe Maqedonia, janë edhe shtetet ku përfundon numri më i madh i fëmijëve shqiptarë të trafikuar, kjo edhe si pasojë e lehtësisë më të madhe për të hyrë në këto vende.


    Policia, e përfshirë në trafik


    Ata që duhet të jenë edhe luftuesit më të mëdhenj të trafikut të fëmijëve, pra uniformat blu të policisë, në fakt janë më të inkriminuarit në trafikun e këtyre të fundit. Kështu, për sa i përket ndjekjes penale të trafikantëve, sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, ka shkatërruar dy rrjete të trafikut të fëmijëve, mes të cilëve ka pasur edhe punonjës policie. Gjatë qershorit të vitit të kaluar, u arrestuan 9 persona si pjesë e një grupi të organizuar të trafikut të fëmijëve drejt Greqisë, mes të cilëve 4 kanë qenë punonjës policie, teksa pas hetimeve rezultoi që në këtë rrjet të ishin përfshirë 35 persona, 15 prej të cilëve punonjës policie. Një muaj më pas u arrestua një tjetër grup trafikantësh të fëmijëve, ku nga 11 të prangosurit, 6 kanë qenë punonjës policie. Ndërkohë, shifrat zyrtare të trafikimit të fëmijëve nga ana e policisë janë qesharake, duke qenë se sipas tyre, përgjatë vitit 2005 janë trafikuar vetëm 7 fëmijë, një vit më vonë 4 dhe vitin e kaluar vetëm tre fëmijë, ndërsa gjatë këtyre tre viteve, si trafikantë janë arrestuar vetëm 12 persona. Sipas BKTF, këto të dhëna janë shqetësuese, në radhë të parë për pjesëmarrjen e lartë të punonjësve të policisë në trafikun e fëmijëve, dhe në radhë të dytë për fshehjen e numrit real të trafikuar nga ana e policisë.

    Tema
    Sui generis

  13. #13
    don't bother me Maska e Apollyon
    Anëtarësuar
    07-11-2007
    Vendndodhja
    periferi
    Postime
    8,589
    Ktu flitet per jevgjit ?

    Se vetem jevgjit merren me trafikim femijesh. Ska lidhje me shqiptaret ky fenomen.
    There is no never ending banquet under the sun. All good things must come to an end.

  14. #14
    i/e larguar Maska e ardyyy
    Anëtarësuar
    16-11-2009
    Vendndodhja
    peja
    Postime
    263
    Ky esht nje fenomen shume shume i keq,ne kete rast une jam nje femij dhe sdo te deshiroja kurrë te me rrembente ndokush,nuk e di si kan zemer keta njerez.

Tema të Ngjashme

  1. Në Shqipëri punojn 50 mijë fëmijë
    Nga Hyllien në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 14-06-2010, 09:02
  2. Trafikimi i Fëmijëve
    Nga Gimi3 në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 28-03-2007, 15:08
  3. Trafikimi i qënieve njerëzore sjell të njëjtat fitime si ai i drogave
    Nga Davius në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 26-04-2006, 14:17
  4. Ndal! Punes Dhe Trafikut Te Femijeve Ne Shqiperi
    Nga StormAngel në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 21-10-2004, 04:45
  5. Raporti i UNICEF-it për trafikimin e fëmijëve shqiptarë
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 18-01-2004, 16:05

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •