"Piratët e bankave", dy shqiptarë kapen në Angli

Policia: Përmes identiteteve të rreme zhvatën më shumë se 100 mijë
paund

Nga Londra
Muhamed Veliu

Arrestohen dy emigrantë shqiptarë, të cilët kishin zgjedhur si mënyrë
pasurimi mashtrimin e bankave angleze. Policia e zonës Northampton në
veriperëndim të Anglisë, ka zbuluar mekanizmin e mashtrimit të
emigrantëve Altin Husha dhe Vojsava Stena, të cilët tashmë janë
prangosur. Të dy shqiptarët, në mënyrë ilegale kanë përfituar 100
mijë paund (140 mijë euro) përmes disa llogarive bankare. Paratë e
përfituara nga mashtrimi ata ia qarkullonin njëri-tjetrit.
Gjithashtu, është zbuluar se disa shuma parash janë transferuar
jashtë Anglisë. Sipas policisë së zonës Northampton, mësohet se me
paratë e përfituara nga mashtrimi, shqiptarët kishin blerë dy makina
luksoze. Tani ata do të përballen me drejtësinë angleze për posedim
të mjeteve që të inkriminojnë në një vepër penale. Husha dhe Stena
kanë dalë përpara gjykatës "Northampton County Court" ku u janë
komunikuar nëntë akuza të përbashkëta për pastrim parash dhe mashtrim
fiskal. Gjykata vendosi që ata të gjykohen në gjendje të lirë. Nuk
dihet ende se cili është statusi i tyre në Britaninë e Madhe.

Skema e mashtrimit

Policia thotë se "mashtrimi i bankave angleze nuk është një krim i ri
me autorësi 100% shqiptare". Fillimisht ishin grupe kriminale nga
Nigeria, që e kanë praktikuar dhe vazhdojnë këtë krim, duke përfituar
shuma të mëdha. Për këtë lloj krimi, ata përdorin hapjen e disa
llogarive bankare përmes dokumenteve të falsifikuara. Dhjetë vjet më
parë, në Britaninë e Madhe lehtësisht cilido mund të hapte një
llogari bankare, duke përdorur si mjet identifikimi vetëm dhe kartën
e studentit. Pasi hapej llogaria bankare, në të kryheshin veprime të
shumta bankare. Në këtë mënyrë, banka rriste gjithnjë e më shumë
besimin ndaj klientit, duke i ofruar më pas edhe kredi të ndryshme.
Ekspertët e antikrimit financiar shpjegojnë se, pasi pranohej kredia
e parë, mashtruesit kërkonin rishikimin e kredisë. Duke paraqitur
plan-biznesi të rremë kërkonin rritjen e shumës së kredisë, kërkesë
që nuk kundërshtohej nga bankat, pasi edhe fitimet e tyre në raste të
tilla ishin disa herë më të larta. Por më pas, kreditori zhdukej,
ndërsa bankat e kuptonin se identitetet e tij ishin të rreme.

Rasti "shqiptar"

E njëjta metodë është përdorur nga shumë shqiptarë. Sipas
statistikave të policisë, në vitin 1998 kur nisi emigrimi shqiptar
drejt Anglisë, ata hapën llogari bankare si shtetas grekë apo
italianë. Pas disa vitesh, kur kontot e llogarisë ishin aktive dhe
kishin qarkulluar para, morën kredi të majme mbi 100 mijë sterlina,
që nuk i kthyen më. Për bankat britanike, hetimi i këtyre rasteve
është i pamundur për vetë koston e hetimit, pasi përfshihen detektivë
privatë, të cilëve kostoja e hetimit mund të shkojë disa herë më e
madhe sesa ajo e shumës që i është marrë bankës nga individi.

Ndalohet ripublikimi ketij artikulli ne gazeten Albanian Mail e cila
vjedh lajme ne menyre sistematike nga ky autor.