Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475

    Albin Kurti: Krerët e Kosovës e kanë harruar pavarësinë

    Albin Kurti: Krerët e Kosovës e kanë harruar pavarësinë


    Albin Kurti, udhëheqës i LV

    "Ndërkombëtarët po përgatisin farsën e një autonomie të zgjeruar për Kosovën"

    Prej ditësh banorët e pallatit të Albin Kurtit kanë vendosur një shirit ku shkruhet "Burgosja e Albinit, turpi dhe mjerimi i politikanëve servilë". Dhe lideri i Vetëvendosjes, i izoluar që prej dhjetë shkurtit, e di mirë se kush janë këta politikanë. E di fare mirë se kush i ka thënë David Blunt, shefit të zyrës britanike në Kosovë, që kërkohet një zgjidhje se "çfarë mund të bëjmë me Albinin". "Ju mund ta arrestoni atë, i kanë thënë politikanët më të lartë shqiptarë, të cilët vazhdojnë të heshtin. Por emrat do t‘i tregojë më vonë. Edhe pse dy policë bëjnë roje te dera e apartamentit të tij, vizitat e miqve dhe të anëtarëve të lëvizjes "Vetëvendosje" janë të shpeshta. E të shpeshta janë edhe vizitat e gazetarëve të huaj, kuriozë për të dëgjuar zërin e vetëm opozitar në Kosovë, për sa i përket procesit të zgjidhjes së statusit. Në një intervistë për "Shqip", Albin Kurti akuzon Ekipin Negociator se e ka braktisur kërkesën për pavarësi.

    Albin, ka një plan 14 pikësh që pritet të zgjerohet dhe t‘iu shitet shqiptarëve dhe serbëve si një marrëveshje. Çfarë mendoni për këtë element të procesit?
    Tani po negociohet ndërmjet faktorëve ndërkombëtarë për pjesën e panegociueshme të këtyre bisedimeve, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat qartazi nuk po ndalen pa qenë i kënaqur Beogradi. Kjo pjesë është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse ajo do të paraqesë bazën e marrëdhënieve të ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që sipas të gjitha gjasave do të jetë në formën e një federate, ose të një konfederate asimetrike. Arsyeja pse them kështu është sepse Traktati i Miqësisë që ka propozuar Kosova në njërën anë (e që e rrezikon po ashtu edhe pakon e Ahtisarit) dhe autonomia e gjerë që ka propozuar Serbia në anën tjetër, nuk krijojnë mundësi që pavarësia të jetë rezultati. Pavarësia është braktisur edhe nga Grupi Negociator i Kosovës.

    Në çfarë kuptimi është braktisur?
    Është braktisur sepse grupi negociator i Kosovës ka rënë në nivelin e pakos së Ahtisarit që e ndan Kosovën përgjatë vijave etnike dhe fetare dhe që parasheh edhe një sundim tjetër ndërkombëtar mbi Kosovën. Pavarësia nuk është më as qëndrim i palës kosovare, prandaj s‘ka as sesi të jetë rezultati i këtij proces. Rezultati, siç po shihet deri më tani, do të jetë një emër i ri për autonominë e Kosovës. Vetëm emri i autonomisë po ndryshon e kjo është federata ose konfederata asimetrike. Konfederatën asimetrike e ka propozuar më 28 shtator në gazetën "The Guardian", eksperti i shquar i të drejtës ndërkombëtare, Antonio Cassese, i cili ka thënë se Kosova duhet t‘i këtë dy përfaqësues në trupin vendimmarrës në krye, Serbia katër, ndërsa tre do të jenë të BE-së. Në atë rast, Serbia do të pyetej për Kosovën, por Kosova nuk do të pyetej për Serbinë.

    Zoti Iscinger deklaroi së fundmi që palët në bisedime nuk mund të marrin 100% atë që kërkojnë, duhet të lëshojnë pe deri në raportin 50%, që të arrihet marrëveshja. Çfarë do të thotë kjo?
    Kjo do të thotë që gjithsesi do të ndodhemi në kuadër të formulës serbe të kahmotshme: më shumë se autonomi, më pak se pavarësi. Domethënë, formula serbe është e paevitueshme, aq më tepër që tani, po e përsëris që opinioni publik ta ketë të qartë, që kërkesa e grupit negociator nuk është më pavarësia, por është pakoja e Ahtisarit, e cila është shumë më pak se pavarësia. Njerëzit po e harrojnë këtë gjë, po mendojnë se Serbia ofron autonomi, kurse Kosova kërkon pavarësi dhe ndoshta ndonjë pavarësi paksa e zbehur do të jetë përfundimi. Jo, pavarësinë shumë të zbehur e ka pranuar grupi negociator dhe tani ky është qëndrimi i tyre. Kështu që tani do të shkohet në variante që e përjashtojnë pavarësinë. Ischingeri ka thënë 50% me 50%, në mënyrë që t‘i vetëdijësojë që të gjithë se negociatat janë pazar dhe nuk mund të marrësh në fund të negociatave krejt atë çfarë ke kërkuar në fillim. Iscingeri, i vetëdijshëm për manipulimin e opinionit publik që po e bëjnë politikanët në Kosovë, po mundohet të vetëdijësojë se procesi nuk është ai që po e paraqesin këta politikanë. Kjo i ngjan një situate sikur të jemi nisur për Gjilan dhe politikanët kosovarë të thonë se "edhe pak e mbërrijmë në Pejë". Rruga është krejtësisht tjetër. Me këtë rrugë ne nuk mund të mbërrijmë te pavarësia, por pikërisht te varianti i Ischingerit, që është autonomi, por nuk do të quhet kështu për shkak se opinioni publik është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj fjale. Jo vetëm për faktin se autonomia nuk është pavarësi, por edhe për faktin se ne jemi shumë koshientë se si defekti kryesor i autonomisë është se atë mund të na e marrin ashtu siç u dëshmua më 1989. Rruga për pavarësi është rruga e referendumit gjithëpopullor si ushtrim i të drejtës për vetëvendosje e jo ajo e negociatave me Serbinë, armikun tonë. Është i turpshëm ai Traktat i Miqësisë me Serbinë që paraqiti Grupi Negociator. Ai ia fal Serbisë krimet nga e kaluara: nuk e përmend as agresionin e saj dhe as humbjet e dëmet që na i ka shkaktuar ajo.

    Sipas jush, a ka guxim ky Ekip i Unitetit dhe Kuvendi i Kosovës të shpallë pavarësinë menjëherë pas 10 dhjetorit?
    Jo, nuk do ta shpallin. Këta politikanë janë të korruptuar dhe të shantazhuar. Këta nuk ta shpallin pavarësinë asnjëherë. Këta brengosen për pozitat e tyre, për privilegjet e tyre, por jo dhe për fatin e vendit.



    Jeni 100% i bindur në këto që thoni?
    Ata nuk mund ta shpallin kurrsesi, pasi në vend që të shpallet pavarësia e të kërkohet njohja ndërkombëtare, këta presin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës t‘ua shpallin pavarësinë e këta ta njohin. Nga deklaratat e tyre kuptohet se mënyra e tyre është saktësisht e kundërta e rrugës që ka ndjekur Mali i Zi. Ai bëri referendum, pastaj shpalljen, pastaj kërkoi njohje. Kurse këta kërkojnë njohje ndërkombëtare, me gjasë që pastaj eventualisht ta shpallin, e mbase në fund që të mund të mbajnë referendum.

    A e shihni ju si problem fushatën zgjedhore për sa i përket statusit?
    I gjithë ky negocim i rëndësishëm që po bëhet tani në qarqet ndërkombëtare përputhet plotësisht në kohë me fushatën zgjedhore në Kosovë. Qëllimi ka qenë që të shmanget vëmendja e opinionit publik, e madje dhe angazhimet e politikanëve, prej çështjes së lirisë dhe pavarësisë te zgjedhjet apo votimet për partitë.

    Nuk po dëgjojmë shumë premtime pavarësie në këtë fushatë zgjedhore, nëse e krahasojmë me 3 vjet më parë. Ndryshe nga sa ju mendoni, ata thonë kjo është punë e kryer.
    Unë mendoj se ka pasur një marrëveshje mes Joachim Ruecker-it dhe anëtarëve të grupit negociator të Kosovës, që të mos e përmendin shumë fjalën pavarësi. Kur u shpallën zgjedhjet, pasuan disa deklarata të tyre se ne do të jemi unikë, se do të bëjmë këtë e atë dhe që të mos hapej tema e statusit, sepse atëherë do të dilnin më shumë në pah se kush ka lëshuar pe më shumë në Vjenë dhe për çfarë, për koncesionet që janë bërë atje e që janë të pafalshme dhe marramendëse. Në atë mënyrë do të dilte në shesh e vërteta e kompromiseve shumë të dhimbshme që janë bërë. Pra, ka një marrëveshje paraprake xhentëlmenësh mes Grupit Negociator dhe Rueckerit, për të fshehur të palarat e tyre në Vjenë e gjetiu, prandaj dhe pavarësia është më pak në këtë fjalor, ose përmendet vetëm si fjalë, duke besuar se populli shqiptar në Kosovë është disi i fiksuar në këtë fjalë dhe porsa e dëgjon prej ndonjë politikani përjeton njëlloj kënaqësie. Këtë po e bëjnë gjithsesi, por nuk po shkojnë më tutje, as të flasin për përmbajtjen e pavarësisë e as për kohën kur ajo do të bëhet.

    Si e shihni ju një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së?
    Zgjedhjet po organizohen pikërisht për të bërë një koalicion të tillë të fuqishëm qeveritar, sepse përveç se e kanë Grupin Negociator, janë të interesuar për një qeveri të fortë që do të ketë më shumë legjitimitet formal për të nënshkruar marrëveshjen e ardhshme me Serbinë. Nuk janë të kënaqur me koalicionin aktual për shkak se po të dojë LDD-ja e Nexhat Dacit, do të mund t‘ia hiqte votëbesimin qeverisë së tanishme, dhe nuk janë të kënaqur me Agim Çekun, pasi që ai nuk është i fuqishëm në partinë e tij në AAK, ku realisht është vetëm një anëtar i thjeshtë. Prandaj e duan një koalicion LDK-PDK. Për t‘i ndihmuar kësaj është edhe dëshira e zjarrtë e Hashim Thaçit, që me çdo kusht të bëhet Kryeministër dhe ai e ka këtë dëshirë të kahmotshme, me gjasë sepse kur ishte Kryeministër në qeverinë e përkohshme të Kosovës në vitin 1999, qëndroi shumë shkurt dhe siç thotë populli, i ka mbetur ëmbël puna e Kryeministrit. Por faktorët e ndryshëm ndërkombëtarë do t‘ia shfrytëzojnë këtë dëshirë të zjarrtë të Hashim Thaçit për të marrë garancinë që ai do të jetë bashkëpunues në negociatat e mëtutjeshme me Serbinë e që do të duhet të kurorëzohen me një marrëveshje me të. Prandaj nuk mundet Hashim Thaçi edhe të bëhet Kryeministër edhe të refuzojë marrëveshjen me Serbinë. Këto të dyja shkojnë në paketë: kanë shkuar në paketë në kohën e Rambujesë, kur Thaçi e ka pranuar autonominë e Kosovës nën Serbi dhe çmilitarizimin e UÇK-së dhe atëherë e bënë Kryeministër, do të shkojnë në paketë edhe tash. Kështu që tani po e përsërisin të njëjtin model: kur është bërë njëherë suksesshëm (për ta) pse të mos e provojnë prapë? Ndërkohë, është Hashim Thaçi ai që po ua plotëson dëshirat faktorëve ndërkombëtarë, ndërkaq ata po ja menaxhojnë atij dëshirën duke ia lënë të paplotësuar. Nuk duhet të harrohet edhe ky fakt se qendra e numërimit të votave në Prishtinë do të jetë në duart e ndërkombëtareve dhe ajo do të jetë kuzhina ku do të gatuhet koalicioni i ardhshëm.

    A e akuzoni ju Thaçin dhe liderë të tjerë për faktin që ju sot jeni një i burgosur politik?
    Po, këta janë bashkëpjesëmarrës në burgosjen time, në vazhdimin e izolimit tim, për faktin se këta nuk duan të kenë asnjë zë të vërtetë opozitar në Kosovë dhe nuk duan që të jetë dikush që t‘i demaskojë të gjitha mashtrimet, vjedhjet dhe gënjeshtrat e vazhdueshme të tyre. Prandaj, bashkë me kreun e UNMIK-ut, edhe grupi negociator ka qenë drejtpërdrejt i angazhuar në izolimin tim, por edhe në sulme të vazhdueshme kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE. Këta po të ishin të sigurt se do të bëhej pavarësia ashtu siç gënjejnë, do të më lironin mua që të më turpëronin para publikut. Por këta e dinë shumë mirë se koncepti i Lëvizjes VETËVENDOSJE është i vërtetë dhe i drejtë, se që të gjitha analizat tona dolën të sakta, prandaj nuk duan që unë të kem kontakt me popullin dhe të kontribuoj në organizimin e tij kundër tyre. Për një vit e gjysmë në Lëvizjen VETËVENDOSJE unë i kam pasur rreth 150 tubime nëpër fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Dhe kjo ka qenë një armë shumë fuqishme e imja. Ata e kanë hetuar një gjë të tillë, dhe një ndër arsyet kryesore pse më mbajnë të izoluar është pikërisht kjo: të më ndajnë nga qytetarët, meqë këta vetë janë ndarë nga qytetarët, janë shkëputur. Unë nuk jam shkëputur asnjëherë prej qytetarëve dhe tani nëpërmjet mekanizmave të tyre gjyqësore e policore duan ta bëjnë këtë.



    Çfarë do të bëjë Lëvizja VETËVENDOSJE më 10 dhjetor?
    Lëvizja VETËVENDOSJE është shumë e fokusuar në fushatën kundër zgjedhjeve, kundër kësaj farse zgjedhore. Ne themi: Zgjedh përnjëmend! Pra, mos voto! Ne kërkojmë referendum për liri e jo votime për parti. Kjo që bëjmë tash është më e rëndësishme se çfarëdolloj demonstrate. Sepse nëse dalin 40% të njerëzve, këta do të gënjejnë, do të thonë se dolën 52% a 53%, mirëpo nëse ne do të mundemi ta mbajmë nën ¼, atëherë nuk do të mund të gënjejnë aq shumë.

    Sondazhet parashikojnë se do të ketë rritje të pjesëmarrjes në votime, krahasuar me zgjedhjet e kaluara...
    Sondazhet parashikojnë kështu në mënyrë që ta shkaktojnë rritjen. Sondazhet që po bëhen janë kryekëput të porositura. Që nga zgjedhjet e para, numri i votuesve është në rënie. Tash ka arsye si asnjëherë më parë që rënia të jetë jo vetëm e vazhdueshme, por edhe drastike.

    Janë paralajmëruar disa protesta për 10 dhjetorin. A do të protestoni ju?
    Që ne do të protestojmë e do të demonstrojmë së shpejti, kjo është e sigurt, mirëpo nuk duam ta lidhim me datën 10 dhjetor, pasi kjo do të thoshte se ne kemi ca iluzione për atë datë. Pra, thua se ne pritëm deri në këtë datë, nuk u bë e atëherë po protestojmë. Ne e dimë se s‘ka asgjë më 10 dhjetor. Tjetra është se treshja ndërkombëtare që po udhëheq procesin, para se t‘i skadojë afati kësaj gënjeshtre për 120 ditë negociata shtesë do ta shpikë një gënjeshtër të re, në mënyrë që populli të mos befasohet më 11 dhjetor. Pra, në stilin, një konferencë e madhe ndërkombëtare në shkurt apo mars të vitit të ardhshëm, apo një konferencë e madhe e donatorëve, natyrisht nëse jemi të durueshëm edhe pak, do t‘i paraprijë datës dhjetë dhjetor. Gjëra të tilla do të thonë. Këta nuk e lejojnë që t‘i skadojë afati gënjeshtrës së vjetër pa e shpikur gënjeshtrën e re.

    Vetë Presidenti Bush ka thënë në Tiranë se një ditë do them mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur. Nuk e besoni ju këtë?
    Duhet t‘i dallojmë gjërat. Kur Shtetet e Bashkuara thonë pavarësi, ato mendojnë në pakon e Ahtisarit, që nuk është pavarësi. E dyta, kur Bushi thotë se do të vijë dita të thuhet mjaft është mjaft, ai megjithatë nuk po jep kurrfarë afati për këtë, pra s‘po thotë se kur do të ngjajë ajo ‘mjaft është mjaft‘. Dhe e treta, nuk duhet të harrojmë se Bushi e ka gënjyer disa herë popullin amerikan, andaj s‘duhet të befasohemi nëse e gënjen njëherë atë shqiptar.
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  2. #2
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Jeta i takon të gjallëve, dhe ai që jeton duhet të jetë i përgatitur për ndryshime
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-03-2003
    Postime
    10,240

    Milo: Këshillat e mia për Kosovën

    "Shpallja e pavarësisë duhet të bëhet në rrethana të caktuara e të sigurta"


    Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, ishte i pranishëm ditët e fundit në kryeqytetin serb, Beograd, për të marrë pjesë në Konferencën për Pajtim në Ballkan. Gjatë punimeve të këtij aktiviteti, Milo ka replikuar me shumë nga pjesëmarrësit. "Kosova është nisur në rrugën e pavarësisë", u ka thënë Milo atyre. Ndërsa serbëve u ka kërkuar të mos e kërkojnë atë që nuk është e tyre. Ish-ministri i Jashtëm shqiptar, një studiues i njohur i historisë, dha "këshillat" e tij për të arritur deri te shteti i Kosovës, ndërsa foli edhe për ndihmën e Shqipërisë, e cila "është prapavijë e sigurt".

    Zoti Milo, si i komentoni bisedimet për statusin e Kosovës dhe së fundmi planin 14 pikësh të paraqitur nga Treshja ndërkombëtare e Grupit të Kontaktit?

    E kam deklaruar që në fillim se 14 pikat e paraqitura janë paketa e Ahtisarit minus. Kjo do të thotë se këto pika, në mënyrën si janë propozuar dhe nëse qëndrojnë kështu siç janë, synojnë as më shumë dhe as më pak se një konfederatë të ardhshme serbo-kosovare. Për mendimin tim, në këto 14 pika ka mjaft prej tyre që janë shumë të diskutueshme, që janë të formuluara në mënyrë të errët dhe që vetë këto pika në vetvete kanë kontradikta, përjashtojnë njëra-tjetrën. Kështu, ndodh për shembull me pikën 4 dhe 5, duke e krahasuar me pikën e fundit 14. Pra, unë besoj që këto 14 pika mund të jenë një bazë për të diskutuar, por jo për të qëndruar aty. Ka nevojë që në mënyrë eksplicite të sqarohet çështja e sovranitetit të ardhshëm të Kosovës. Nëse nuk përcaktohet qartë sovraniteti, cili do të jetë, do ketë ose jo sovranitet, sa do të ketë, në ç‘raporte do të jetë me Serbinë, atëherë ne do të ndodhemi para një situate, që nuk do të çojë askund tjetër, veçse do të ruajë një ‘status-quo‘ që nuk do të ishte e dobishme për askënd.

    Mendoni se Serbia do ta pranonte një konfederatë me Kosovën duke ditur se për të është shumë e dhimbshme të përmendet edhe fjala pavarësi?

    Konfederata nuk e ka nocionin e pavarësisë, kështu që Serbia do ta pranonte me shumë dëshirë një konfederatë, sepse do të ishte minimumi i asaj që do të humbte me këtë rast. Ndërkohë që pala më e humbur, nëse do të ketë një konfederatë, pa dyshim se do të ishte Kosova.

    Kanë mbetur edhe më pak se dy muaj deri te fundi, deri te 10 dhjetori, ndërkohë që kjo datë është komentuar shumë. Çfarë prisni të ndodhë konkretisht këtë ditë?

    Nuk pres të ndodhë ndonjë gjë e veçantë, duke pasur parasysh dhe duke njohur pozicionet e të dyja palëve. Vetëm nëse ato tërhiqen nga pozicionet e tyre respektive, të deklaruara fort deri në këtë moment, atëherë mund të ketë ndryshime. Por, unë jam i bindur se Serbia do të vazhdojë të qëndrojë në pozitat e saj ekstreme, pra që nuk pranon në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë që besoj se Grupi i Unitetit dhe e tërë klasa politike e Kosovës, nuk duhet dhe nuk besoj se mund të çedojnë me çështjen e pavarësisë së Kosovës. Prandaj, duke qenë se nuk do të ketë lëshime nga të dyja palët për çështjen themelore, atë të sovranitetit të Kosovës, atëherë mbetet që këto bisedime të përfundojnë pa asnjë rezultat konkret. Besoj se më 10 dhjetor, Trojka do t‘i dërgojë një raport për gjendjen ku përfunduan bisedimet midis dy palëve dhe një aneks me mendimet e Trojkës se si e shikon ajo zgjidhjen.

    Ky raport do t‘i dërgohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, i cili pasi ta ketë vlerësuar vetë atë, mund ta çojë në Këshillin e Sigurimit ose jo. Nëse nuk ka garanci se raporti do të kalojë, nuk do të dërgohet. Atëherë, pas dhjetorit, mendoj se fillon një etapë tjetër. Jo më e bisedimeve të drejtpërdrejta, por fillon etapa e përpjekjeve për të realizuar atë që është quajtur njohje e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga disa vende kryesore evropiane, nga disa vende fqinje të Kosovës dhe nga vendet e tjera, që kanë shfaqur simpati për çështjen e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Ky proces do të fillojë diku aty nga mesi i janarit, për t‘u konkluduar rreth pranverës. Mundësisht në prill, kur është edhe Samiti i NATO-së në Bukuresht. Kështu e shikoj unë perspektivën.

    Pra, nuk prisni që Kosova të shpallë pavarësinë tani në dhjetor?

    Nuk besoj se Grupi i Unitetit dhe institucionet e Kosovës do të bëjnë një hap të pakoordinuar. Në asnjë mënyrë. Është shumë e rëndësishme që institucionet e Kosovës të jenë të kujdesshme që veprimet e tyre të jenë në koordinim të plotë me qëndrimet e disa aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, të cilët do t‘i japin mbështetje dhe kuptim aktit të pavarësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës mund të shpallet që më 11 dhjetor, por nëse nuk ka një mbështetje ndërkombëtare dhe nuk ka njohje nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, atëherë do të jetë e vështirë të bëhet realitet. Prandaj duhen koordinuar sa më mirë dhe unë besoj se Grupi i Unitetit është në kontakte të përhershme me faktorët kryesorë ndërkombëtarë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

    Prandaj, mendoj që ky proces do të marrë disa muaj para se të vendoset përfundimisht, në formën e njohjes së pavarësisë së Kosovës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një grup shtetesh evropiane. Ndërkohë që SHBA-të dhe Rusia t‘i rikthehen edhe një herë çështjes së Kosovës, duke pasur kujdes që të krijohen disa balanca të reja në marrëdhëniet midis tyre, ku Kosova nuk është se zë ndonjë vend të rëndësishëm. Ka elemente të tjera gjeostrategjike e gjeopolitike që ngrenë peshë midis Amerikës dhe Rusisë. Kemi çështjen e sistemit antiraketor në Poloni dhe Çeki, çështja e Irakut apo Iranit apo përgjithësisht një përpjekje e Rusisë për të thyer monopolin e forcës unike globale, që ruajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për t‘iu kthyer përsëri sistemit bipolar, që ka qenë deri në përfundim të Luftës së Ftohtë.

    Mendoni se një marrëveshje mes Amerikës dhe Rusisë do ta sjellë pavarësinë e menjëhershme të Kosovës?

    Varet se ç‘marrëveshje do të ishte. Nëse Rusia do të çedonte nga këmbëngulja e saj për ta mbështetur Serbinë në përpjekjet për ta ruajtur sovranitetin mbi Kosovën, atëherë zgjidhja do të ishte lehtësisht e pranueshme. Por, nuk ka siguri se me çfarë çmimi do ta këmbente Rusia lëshimin e atyre pozitave që po mban për Kosovën. Ndoshta me një lëshim amerikan për çështjen e sistemit antiraketor. Por, nga ana tjetër, nuk e dimë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të bëjnë një lëshim të tillë të karakterit strategjik. Ndoshta koha do të tregojë se deri ku do të shkojnë negociatat dhe marrëveshjet mes këtyre dy fuqive.

    Megjithatë, si mund të arrihet deri te shteti i Kosovës, që ai të njihet apo thjesht do të kemi një Tajvan të ri në Ballkan?

    Besoj që njohja ndërkombëtare e Kosovës do të jetë një proces i tërë dhe jo një akt i menjëhershëm. Nëse do të pranojmë variantin e njohjes së njëanshme, atëherë do të ketë një kohë relativisht të gjatë që Kosova të mund të bëhet subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare, e që do të thotë të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara apo anëtare e Këshillit të Evropës apo e OSBE-së. Pse? Sepse do të nevojitet një numër i madh vendesh anëtare të OKB-së që të njihnin një herë Kosovën veçmas dhe pastaj përmes një projektrezolute të tyre, Kosova të mund të pranohej anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po kështu, edhe në Këshillin e Evropës, ndërkohë që në OSBE kjo mund të krijonte vështirësi, pasi edhe aty ekziston e drejta e vetos, sikurse në Këshillin e Sigurimit, pasi çdo vendim merret me unanimitetin e të gjithë anëtarëve. Por më e rëndësishmja do të ishte pranimi i shtetit të ardhshëm të Kosovës në OKB, që të mos përsëritej ajo që të kemi një Tajvan në Ballkan.

    Duke i pasur parasysh të gjitha këto procese, sa kohë mendoni që do të duhej deri te pavarësia e Kosovës në mënyrë të njëanshme?

    Është e vështirë të jepen afate kohore dhe nuk duhet luajtur me ato afate, sepse atëherë do të biem në pozita joserioze, siç ka rënë klasa politike e Kosovës, duke dhënë afate çdo javë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kështu që ky është një proces me mjaft të panjohura dhe që rrugës mund të ketë pengesa të tjera, prandaj duhet pasur shumë kujdes që të mos përcaktohen afate strikte. Jo që nuk dëshirojmë që procesi të përshpejtohet, por, siç thashë, nuk është në dorën e shqiptarëve të Kosovës apo edhe miqve të Kosovës që ky proces të përfundojë brenda një kohe shumë të shkurtër.

    Do të duhet disa kohë që të formësohet plotësisht kuadri i njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Dhe, duke qenë se situatat janë të tilla në rajon, kjo do të kërkonte një angazhim shumë të madh të Bashkimit Evropian, me qëllim që përmes proceseve integruese paralele të vendeve të Ballkanit Perëndimor të mund të shuante apo të absorbonte edhe disa dyshime që mund të kishte për fatin e ardhshëm të Kosovës dhe rajonit, si për shembull ndryshimin e kufijve apo bashkimin me shtetet e tjera. Pra, do të varet shumë nga proceset e ardhshme dhe roli që do të luajë Bashkimi Evropian në Kosovë, por edhe në tërësi në Ballkan.

    Përmendët edhe ndryshimin e kufijve. Por a është duke u biseduar në procesin e statusit të Kosovës edhe për ndarjen e saj?

    Procesi i ndarjes së Kosovës është një opsion që qarkullon në qarqe të caktuara politike e diplomatike jo vetëm në rajon, por edhe në hapësirën ndërkombëtare. Ky opsion shihet si një variant rezervë, por që nuk inkurajohet nga vendet e Grupit të Kontaktit, të cilat e kanë shpallur moscopëtimin e Kosovës si një nga principet kryesore të veprimtarisë së tyre. Është një nga tri ‘jo‘-të e famshme. Por, në qarqet e mbyllura patjetër që diskutohet dhe ka edhe përgatitje që, në rastin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, të mund të përballojnë reagimet e serbëve në Mitrovicën e Veriut dhe pjesërisht në Kosovën Veriore, me qëllim që të mos ketë lëvizje të tilla destabilizuese për Kosovën, por dhe rajonin. Plane të kësaj natyre, jo vetëm civile, por edhe ushtarake janë përpunuar dhe mund t‘u them se janë të gatshme për t‘u zbatuar në rastin kur u nevojitet.

    E mira është që procesi të zhvillohet dhe të përfundojë në mënyrë shumë të butë ose normale, por edhe në rast se do të ketë përpjekje për të destabilizuar rajonin, janë të gjitha masat që po ndërmerren për ta bërë procesin sa më të kontrollueshëm. Sa i përket ndryshimit të kufijve, kjo nuk është çështje e Ballkanit, sepse Kosova është shteti i fundit nga ish-Jugosllavia dhe nuk ka vende tjera që mund të ndryshojnë gjeopolitikën në Ballkan. Me Kosovën e pavarur përfundon procesi i dizintegrimit të një shteti që ishte krijuar artificialisht në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Kombet në Ballkan përfundimisht krijojnë një konturim të qartë të individualitetit të tyre dhe në të njëjtën kohë krijohet edhe një model i mbrojtjes dhe i garancive për minoritetin serb dhe minoritetet e tjera në Kosovë. Por mund të shërbejë edhe si model për të gjitha shoqëritë multietnike në rajon e jashtë rajonit.

    Megjithatë, kemi disa kërkesa. Prisni ndonjë ndryshim brenda Ballkanit?

    Jo. Nuk e besoj se do të mbështeten lëvizje që do të destabilizojnë rajonin. Do të ketë modele për mbrojtjen e minoriteteve kudo që ato janë, me qëllim të mos bëhen lëvizje që shkojnë në kundërshtim me përpjekjet për të ndërtuar një Ballkan të stabilizuar, një Ballkan të integruar dhe që shikon drejt Evropës dhe jo drejt të kaluarës.

    Mitrovica e ndarë është një problem tjetër madhor që ka Kosova. Si mendoni se mund të zgjidhet ky problem, në rast të pavarësisë?

    Çështja e Mitrovicës patjetër që do të jetë një nga pikat më të dobëta për një kohë relativisht jo të shkurtër për Kosovën e pavarur në të ardhmen. Ajo nuk do të mund të zgjidhet me një vendim, as edhe me një dekret. Por, do të kërkojë politika të veçanta e të kujdesshme. Investimi do të jetë i gjithë Bashkimit Evropian në radhë të parë, por edhe i komunitetit ndërkombëtar mbarë, me qëllim që aty të ulen tensionet etnike, të kontrollohen kufijtë e të ndërtohet gradualisht një klimë besimi dhe integrimi e Mitrovicës Veriore me pjesën tjetër të Kosovës.

    Mendoni se nuk është bërë mjaft për integrimin e kësaj pjese?

    Besoj që nuk është bërë mjaft, sidomos nga faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë neglizhuar që në fillim çështjen e Mitrovicës së Veriut, duke ia lënë atë një lloj spontaniteti dhe me kalimin e kohës u shfrytëzua nga Beogradi dhe nga qarqet dominuese serbe në Mitrovicë për të krijuar një enklavë, e cila e shikon veten më tepër të lidhur me Serbinë sesa me Kosovën. Është një situatë që, nëse nuk administrohet me kujdes, gjithmonë mund të prodhojë kriza, mund të prodhojë konflikte, prandaj kërkohet një vëmendje në të gjitha drejtimet me qëllim që të bëhet një bashkim real i kësaj pjese të Kosovës me tërësinë e vendit dhe që popullsia serbe (që është pak a shumë kompakte me këtë pjesë) të mund të gjejë të ardhmen e saj pikërisht në integrimin me Kosovën dhe në pjesëmarrjen në institucionet qendrore të Kosovës, ashtu si dhe përmes krijimit të raporteve të drejta mes pushtetit lokal dhe qendror, gjë që garantohet edhe me paketën e Ahtisarit, plan që proceseve të decentralizimit të pushteteve u ka dhënë një hapësirë shumë të madhe.

    Në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia thotë se do të bëjë embargo. Si mund të zgjidhjet kjo?

    Kërcënimi i Serbisë nuk është serioz, sepse politikat e embargos në Ballkan kanë dëshmuar të pasuksesshme. Jo vetëm për qeveri dhe vende të reja që u bën të pavarura në ish-Jugosllavi, por edhe për regjimin e Millosheviçit. Dihet që u organizua në kohën e luftës në Bosnjë një embargo ndaj ish-Jugosllavisë ose ajo që u quajt muri i jashtëm. Por, kjo nuk pati shumë sukses. Aq më tepër që në rastin kur do të ketë një Kosovë të pavarur komuniteti ndërkombëtar, SHBA dhe BE, jo vetëm që do t‘i vijnë në ndihmë këtij shteti të ri, aq më shumë që ai të drejtohet nga një ekip i përfaqësuesve evropianë, por do të ushtrojnë edhe presione ndaj Serbisë që të mos vendosë embargo, sepse vetë Serbia do të ketë shumë nevojë për mbështetje në integrimin e saj. Vetë Serbia ka dhe do të ketë nevojë për mbështetje nga institucionet financiare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, institucione që udhëhiqen nga vendet perëndimore. Pra, nuk besoj se kërcënimi hipotetik serb mund të ishte realitet.

    Por, nëse ndodh kjo do të ketë rolin e saj?

    Shqipëria është një prapavijë e sigurt për Kosovën. Kjo është dëshmuar gjatë gjithë historisë, por edhe gjatë zhvillimeve dramatike të vitit 1999. Askush nuk mund ta përgojojë Shqipërinë për një ndihmë të natyrshme që ajo i ka dhënë dhe do t‘i japë Kosovës, sepse ne jemi një komb i ndarë që pavarësisht e kemi bërë të qartë se do të respektojmë vendimet ndërkombëtare, pra që s‘do të ketë bashkim, por kjo nuk nënkupton se nuk do të ketë një solidaritet dhe një ndihmë reciproke, gjë që do të ishte e pakuptimtë dhe që askush nuk do ta mendonte.

    Pra, Kosova nuk duhet të ketë frikë dhe duhet të shpallë pavarësinë kur të jetë momenti?

    Besoj se shpallja e pavarësisë duhet të bëhet në rrethana të caktuara e të sigurta që do ta bënin këtë pavarësi konkrete, funksionale e të mbështetur. Klasa politike e Kosovës është aq e mençur sa të kuptojë se një Kosovë e pavarur kërkon një mbështetje të madhe ndërkombëtare, para së gjithash të atyre fuqive që janë të interesuara të ketë një Ballkan të stabilizuar, të sigurt, në paqe, sepse ky rajon është pjesë e Evropës dhe i tillë duhet të konceptohet. Dhe si i tillë të ndihmohet që të integrohet me Evropën demokratike dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar.




    Gazeta Shqip
    #VamosArgentina

  4. #4
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Kumtesë për media



    Themelohet Këshilli Organizativ i Protestave kundër burgosjes së Albin Kurtit



    Njoftojmë qytetarët e Kosovës se është themeluar Këshilli Organizativ i Protestave kundër burgosjes së Albin Kurtit. Ky Këshill do të merret me organizimin e një varg protestash të formave të ndryshme të cilat për synim kanë sensibilizimin e opinionit publik për dëmet dhe rrezikun që po i shkaktohet jetës publike në Kosovë përmes përndjekjes së padrejtë që po i bëhet aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! - Albin Kurtit. Këshilli mëton të jetë pikë bashkuese e organizatave personaliteteve dhe qytetarëve të cilët nuk do ta durojnë padrejtësinë e pushtetit aktual në Kosovë (ndërkombëtar e vendor) kundër mendimit ndryshe.



    Këshilli, si nismë qytetare, konsideron se burgosja dhe izolimi i Albin Kurtit është kryekëput politike, dhe, si e tillë, absolutisht e papranueshme . Po ashtu ne konsiderojmë se ky mospajtim qytetar duhet të shprehet përmes protestave në mënyrë që t’i dërgohet porosia UNMIK-ut dhe sistemit të tij gjyqësor se jemi të vendosur që ta kemi një Kosovë pa gjyqësor politik dhe pa politikanë gjykatës. Angazhimi kundër burgosjes dhe izolimit politik të Albinit sot nënkupton angazhim kundër burgosjes për qëllime politike në përgjithësi.



    Burgosja dhe mbajtja nën arrest e Albinit është vazhdimësi e një politike e cila qëllim përfundimtar ka ndalimin e formave legale dhe te ligjshme të veprimit e protestës si formë e shprehjes së pakënaqësisë. Albini është duke u mbajtur nën arrest si organizator i demonstratës së 10 shkurtit e kjo do të thotë se kushdo që organizon protestë apo demonstratë për ta ngritur zërin kundër politikës aktuale rrezikon të burgoset dhe izolohet. Burgosja e Albinit është sulm kundër lirisë së tubimit dhe shprehjes së lirshme të fjalës. Protestimi kundër kësaj burgosjeje është afirmim i së drejtës për protestë të mbrojtur me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Neni 11), si dhe mbrojtje e së drejtës për fjalën e lirë si e drejtë themelore e njeriut.



    Për më tepër Albinit i është caktuar i njëjti panel gjykatësish i udhëhequr nga Maurizio Salustro. Ky panel dhe ky gjykatës i UNMIK-ut ia kishin ndaluar në mënyrën më të vrazhdë fjalën Albinit në seancën e fundit kundër tij, duke ia mohuar kështu Albinit madje edhe atë liri teorike që e mbrojnë vetë ligjet e UNMIK-ut.



    Ftojmë të gjithë qytetarët dhe organizatat e interesuara që të na bashkëngjiten apo mbështesin në Këshill apo në aktivitetet e veçanta që do të organizohen nga Këshilli, si dhe të kontribuojnë me ide të reja për formën e protestave që duhen ndërmarrë.



    Më poshtë i keni organizatat dhe individët të cilët janë të përfshirë në Këshillin Organizativ si dhe ata që marrin pjesë në të në cilësinë e mbështetësit.





    Organizatat në Këshillin Organizativ:



    Shoqata e të Burgosurve Politik (ShBP)

    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK)

    Unioni i Studentëve Shqiptarë (USSh)

    Lëvizja VETËVENDOSJE!

    Lëvizja për Bashkim (LB)

    Iniciativa e Bashkuar Qytetare (Drenas)

    Organizata ÇOHU!




    Individët në Këshillin Organizativ:



    Muhamet Mavraj

    Driton Lajçi

    Sami Dërmaku

    Sadri Fetiu

    Sami Kurteshi



    Organizatat mbështetëse:



    26 Marsi 1999

    LPK

    KMDLNJ




    Individët mbështetës:



    Rexhep Qosja

    Ali Aliu

    Mehmet Hajrizi





    Këshilli Organizativ i Protestave kundër burgosjes së Albin Kurtit



    31.10.2007 Prishtinë
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

Tema të Ngjashme

  1. "Revolucioni vonuar" dhe Ahmet Krasniqi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 214
    Postimi i Fundit: 20-09-2018, 13:55
  2. Me ne fund u pranua publikisht se kosova ska ushtri
    Nga beni33 në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 126
    Postimi i Fundit: 11-03-2009, 18:14
  3. Albin Kurti: "Të gjithëve na mungojnë"
    Nga ARIANI_TB në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 110
    Postimi i Fundit: 25-01-2006, 22:29
  4. Bisedimet për statusin e Kosovës në tetor 2005
    Nga Harudi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 08-10-2005, 16:27

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •