Kte qe ka shkruar kte artikull e kam komshi ne lagje, duket si person ne rreshkitje e siper, se vetem uluret bertet, por ne fakt eshte i zgjuar edhe shkruan bukur (edhe ndonjeher paksa vulgar) por eshte person qe kur shkruan ja vlen ta lexosh, edhe kte artikull per erresiren qe ka mbuluar shqiperine, ja vlen ta lexosh.. sepse me te vertete erresira ne shqiperi eshte kthyer ne nje katastrofe te vertete, te gjith flasin per ngrohjen globale edhe gjera te tjera qe mund te jete edhe fundi njerzimit, por neve ne shqiperi skemi nga ta marrim vesh, sepse skemi drita qe te shohim lajmet, jemi kthyer ne bageti ne dele ne kafshe.. por ndoshta kjo eshte levizje e zgjuar e qeverise ne pushtet, sepse duke na len pa drita, na len te pa-informuar nga bota qe na rrethon, smarrim vesh se c'behet me boten jashte, edhe normale ulim zerin edhe rrime si kafshet ne stan pa ber ze.. nuk dalim te bertasim edhe te ulurasim sic dalim per partite politike, por rrime edhe mbulohemi me batanije ne kte te ftohte dimri, ndezim qirinjt edhe rrime te strukur ne ndonje cep dhome, sepse jemi te pafuqishem, skemi ku informohemi, besojm ne gjithcka qe na thuhet ne nje edicon lajmesh (komplet te korruptuar nga partite politike) edhe ne me kaq mbyllim syte edhe rrime po te strukur aty ku jemi ne ate cep dhome te ftohte.. me zhurmen e gjeneratorve qe degjohet tek lokali afer pallatit i cili ka zhurme te madhe sepse aty ka edhe levizje te rinjsh qe dalin edhe pine kafe te gjith te lyer edhe te parfumosur, por ndoshta kan 5 dite pa u lare, edhe kur bashkohet era parfumit me eren e pisllekut, del nje ere qe te mbyt hundet te shkaterron.. ky eshte realiteti i erresires ne shqiperi, qe kto qeveri qe jan ne pushtet po na trajtojne si kafshet.


tani mjaft me lexuat mua, vazhdoni lexoni shkrimin e komshiut tim Edison Ypi.

LAVDI ERRËSIRËS
Edison Ypi

Sa e bukur sa e mirë, sa e ndritur sa e dlirë, sa e shijshme sa e pështirë, kjo katrania errësirë ! Errësira e shtëpive të halleve, e spitaleve të rënkimeve, e shkollave të filizave të thara, e semaforave të errët të trafikut të rrezikut, e furrave dhe bizneseve të ftohur, e frigoriferëve të ngrohur, e zyrave të kompjuterave të dallavereve, e ndriçimit me celular të rrugëve të periferive, e kandilit të katundeve të baltrave etj. etj.

Po ! Sepse sapo ikën i zhurmshmi Zotni Korenti, bashkë me të edhe e llamburitura Zonja Drita dhe vjen e rënda e heshtura Zonja Errësira, menjëherë shpërthen tjetra, ajo e çthurura, ajo e pafreja, kunata, e pamata imagjinata.

Ta zemë se për shkak të mungesës së dritës, pasi je bërë derr nga të priturit e pafund në shtëpi ku pa dritë veçse të grindesh me të tut' hiç ske ç'bën, ke dalë vrik përjashta. Kot, kuturu, pa e ditur ku do vesh e çfarë do bësh. Ke dalë për të dalë, por ashtu në nxitim e sipër ke harruar pa mbërthyer ndonjë apo disa kopsa në pjesën e përparme të pantollonave. Një variant i këtij varianti mund të ishte që nëse pantollonat nuk i mbyll me kopsa por me zinxhir, të kesh harruar pa e mbyllur atë zinxhir. Me a pa kopsa, me a pa zinxhir, me hir a me pahir, pa problem dil. Ik e dil e shëtit i qet'. Nuk do lejojë errësira të të duken horrllëqet hallatet. As të tuat as të ndonjë tjetri që e ka gjetur i njëjti taksirat.

Ky ishte si të thuash një rast i cekët, i thjeshtë, sa për ilustrim.

Shpëtimtarja errësira zgjidh probleme shumë më të ndërlikuara dhe shumë më të thella.

Zoti është i madh !

Sa i madh ?! Kush dhe kur e mati Zotin ?! Meqënëse paska një Zot të madh, kush tha se nuk ka një tjetër Zot edhe më të madh ?!

Qindra mijëra të ardhurit gjatë viteve të tranzicionit në dhe rreth Tiranës dhe qyteteve të tjera të mëdha ! Gjatë viteve të fundit të diktaturës banorët e qyteteve të mëdha u ligështuan aq keq, u pllaquritën aq paq, sa gati s'dhanë shpirt nga të pangrënët, të palarët, dhe një mijë e një halle të tjera. Tani pas kaq vitesh, ata, me ardhjen e tyre, bashkë me veten dhe sorollopët sollën edhe jetën, dinamizmin, energjinë, paranë etj. Del pyetja; Për ato qytete të mëdha me qytetarë të ngordhur, të ardhurit e gjallë, ishin një fat i madh apo një fatkeqësi e madhe ?!

Ta blesh e të mos e kesh ! Ta shesësh e të vazhdosh ta kesh !

Këto meditime me madhësinë e Zotit, me të ardhur të çuditshëm të zhurmshëm, me blerje e shitje të hatashme të pabesueshme, që janë vetëm shembuj, si dhe shum' e shum' të tjera meditime kaq të thella që të afrojnë me thelbin e mistershëm e ekzistencës, a mund të bëhen dot në dritë ?! Kurrën e kurrës ! Drita guximin e mendimit e vret. Errësira atë guxim e ngjall. E sheh pra sa e dobishme është errësira ?!

Prandaj kur s'ka dritë, meqënëse meditimi zjen, s'ka as problem. Problem ka kur errësirë s'ka. Pa dritë mund të bëhen shumë gjëra. Pa errësirë nuk bëhet kurgjë. Duket, por nuk është e koklavitur. Nuk duket, por është interesante.

Ky interesantizëm i errësirës, ama vetëm po të dish ta shohësh dritën e errësirës, është fare i thjeshtë; Drita është ajo që duket sheshit. Drita është sipërfaqja, cektësia, kotësia, mëndjelehtësia. Errësira është ajo që edhe duket edhe nuk duket, por më tepër nuk duket. Errësira është palca, thelbi, thellësia, misteri, serioziteti. ja një Test; Cila nga të dyja të duket më interesante, Drita apo Errësira ?! Po tu duk Drita je i cekët i pa korrektueshëm. Po tu duk Errësira, ndoshta je i cekët, por dobarem je i shërueshëm.

Në të vërtetë s'po është edhe aq nevoja për t'i hyrë këtyre spjegimeve përderisa ky kuptim i errësirës ka nisur tashmë të dihet të njihet të kuptohet gjërësisht. Prova e kësaj kuptueshmërie në rritje është se, siç thonë ata që dinë të shonë, ato parrullat mbi mure "Duam Drita" do dhe po zëvendësohen me "Duam Errësira". Ku janë ato parrulla ?! Janë atje ku janë ! S'ka rëndësi ku janë. Rëndësi ka të arrish t'i lexosh në errësirë të plotë.

Sa të bukura errësirat ! Jo vetëm këto artificialet, njerëzoret. Perëndia nuk e ka bërë kot aq të bukur atë që lajmëron ardhjen e Zonjës Errësirë, Hirësinë e Tij Muzgun dehës frymëzues. Po qepallat mbi sy, ato që ta sjellin në çast sapo ta kërkosh Zonjën misterioze, kot i ka bërë Perëndia ?! Si do ishte kjo botë me vetëm ditë e dritë, pa muzgje, pa qepalla, pa mbyllje qepallash, pa errësime, pa mendime, pa ëndërrime ?!

Le ta lidhim tani aty ku pak më lart na u zgjidh, tek efektet apo frutet e mrekullueshme të errësirës, se ato na interesojnë më tepër.

Errësirë. Dy komshinj nëpër shkallë. Njëri ngjitet tjetri zbret. Është aq errët sa gishtat në sy t'ja shtjenë njëri-tjetrit, as njëri as tjetri nuk do kuptonin nga u erdhi. Belaja që i gjeti ! Nuk e detektojnë dot njëri-tjetrin ! Si ta detektojnë ?! Infra Red ?! Mirë do ishte por s'kanë ! Nuk shihen pra, por kanunin e mirsjelljes nuk mund ta shkelin. Nuk mund të mospërmbahen deri n'at' masë sa të mos përshëndeten. Përshëndeten. Përshëndetja e errësirës shumë më e ndershme dhe e pastër se përshëndetja e Dritës. Pa elementë të pa nevojshëm të dukshëm të neveritshëm. Pa surrate kërcënuese, pa ngërdheshje paragjykuese acaruese, pa zgjerime e ngushtime të befta sysh të lyrshëm.

Drita me gjithato ngatërrestare është e pisët. Errësira kompakte është e pastër. Shumë punë mund të bëhen më mirë në errësirë. Puna e derrit doganierit për shëmbull. Ose ajo e nëpunësit të allishverishit.

Errësira ka efekte nga më të çuditëshmet. Pa llogaritur atë që dihet prej të gjithëve, nxehtësinë që çlirohet nga rehatia e dashurisë në errësirë, nuk mund të mos theksohet një tjetër tipar termal errësor. Nuk është ashtu siç duket nga një vështrim i përciptë, pra që errësira gjithmonë plevitos. Errësira edhe ngroh. Ngroh për shembull frigoriferin e ujrave dhe të mishrave duke i bërë të dyja, edhe ujin të qelbet të mos pihet edhe mishin të kalbet të mos hahet.

Por edhe këto shembujt me frigorifera ujra e mishra nuk duken ta vërtetojnë aq mirë rolin e madhërishëm të së domosdodhmes Errësirë.

Pak dritë ju lutem, pak dritë ta shohim errësirën nga një kënd tjetër më i errët. E sollët kandilin ?! Po ! Faleminderit ! Ja,

Drita nuk ka nuanca. Në dritë duken të gjitha. Errësira ka nuanca. Në errësirë ca gjëra duken ca të tjera nuk duken. Këtu më rri ! Shqiptarët nuk i kanë hiç qef gjërat që duken. Ata vdesin për gjërat e pa qarta, për gjërat që edhe duken edhe nuk duken, edhe thuhen edhe nuk thuhen, edhe çfaqen edhe zhduken, edhe janë edhe s'janë, edhe vijnë edhe ikin, edhe këtu edhe atje, edhe po edhe jo, edhe athere edhe tani, as athere as tani. Kjo është e gjitha ! Të tjerat, poezirat, ato me m'the e t'thash' si "vetëm në errësirë shihen yjet", etj. etj. janë kot fare. Prit edhe pak sa t'bëhet Nat' krejt, zi krejt. Futja gjumit ! Brenda gjumit, nën dritën e vakët të qiririt të shpresës së errësirës të ëndërrës për Dritë, dëgjo Rilindasin e madh nga varri ç'gulçon; Se drit' e errësirës në varr do t'ju shpjerë.