Shkodra kryeqytet i Shqipërisë !
Po japim një letër intime dërguar P.Palit dhe botuar në, “Nëpër gjurmët e Fishtës”, autori: K.Ç. (f.74): Para se të nisesha për në Paris, ne jemi konsultuar me Mons. Sarreqin, Kryeipeshkvin e Shkodrës, mbi vijën politike që ne duhet të mbanim në Konferencën e Paqes dhe ai na këshilloi të kërkojmë pavarësinë e Shqipërisë, një të vetme, të pandarë e pa dallime besimesh. Dhe kjo mënyrë të të gjykuari erdhi duke u perforcuar solemnisht dhe në emër të klerit dhe të popullsisë katolike në Lidhjen e Kombeve në dy rasa:
Kur P.Anton Ashiku shkoi në Gjenevë për të kërkuar ndarjen e Shqipërisë në kantone;
Kur një farë Lamberti, ortodoks, avansonte të njëjtën kërkesë në Lidhjen e Kombeve.
Të dyja herët Mons. Sarreqi pohoi telegrafisht pranë Lidhjes së Kombeve atë që Mons. Bumçi, lidhur me këtë, ngulte këmbë në Paris, Londër e gjetkë. Nëse Mons. Bumçi nuk do të bënte këto deklarata, mendoj që Shqipëria do të ishte ndarë mes Greqisë e Serbisë, perveç Vlorës e Hinterlandit të saj që do t’i kishte kaluar Italisë. Më në fund edhe Lambert Lapy. Po japim më poshtë shkresën e Lambert Lapy, ashtu si e kemi, pa ndryshuar asgjë:
Konstantinopojë 18 qershor 1923
Monseigneur Archeveque de Scutari d’Albanie
Scutari
Monseigneur! Kam ndere ty benj njoftim qe Komiteti tonë qe u filua në Korçë me 1920 dhe ka dege në Shqipni si dhe jashtë Shqipnisë ju lutet ne ju eshte e munndun dhe e pelqyme per me filua dhe ne Shkodre nje dege të ketij Komiteti me anen e disa miqve të Zotnise si Z. Gaspar Bletoja Gurakuki ose te tjere.- Qelimi i Komitetit po e veshtroni ne memurandumin qe po ju dergojmë siç derguame dhe ne Shoqni te Kombeve dhe cila na u pergjiq me akt nr. 11/28222/1240 me date 9 Maj 1923 tue na dhene shprese se ka me ba hapate e duhura.- Komiteti vendosi me ju dergue kopjene e memorandumit dhe tue ju lutun Zotit tonë Archiveskopit Shkodres me i dergue shentetise te nalte Papa ne Roma ose originalin ose kopjene tue mbajt originalin ne Shkodre dhe tue ju lutun ne papa per me ba hapete e duhuna per Keshtenet e Shqipnise siç ka ba per Krishtenet e Anadollit ne Konference te Lozanit dhe gjetke.
Tue ju puth doren dhe tue u prosterue perpara Shenjtesise tuaj dhe tue prite pergjigje mbetem juaj me bese
Lambert Lapy
Adresse
Meyer Lambert Lapy
Ingenieur
Constantinopl.
Shënim: Shkresa asht vulosë me vulën: “Komiteti i Katolikeve shqiptare
Gazeta “Ora e Maleve” që “Në dy fjalë kenduesve” (lexuesve), e ka si primare idenë e njësisë shtetërore e administrative dhe këtë formë rregullimi shoqëror e kuptonte kështu, si shkruhet kalimthi në vj. 1923): “Përsa i përket të ndamit të Shqipnisë në kantone, kjo asht nji çashtje administrate të mbrendshme, e cila rregullohet, ashtu si e do e mira e atdheut, prej fuqisë ekzekutive e prej parlamentit të zgjedhun ligjërisht prej popullit”. Edhe te vepra “Gomari i Babatasit” Fishta shkruan : “…qi ndër kantona/ ta bajmë shtetin sado vona/Por tue e ruejtë njësinë shtetnore/ Edhe të drejtat qytetnore…”; “Nuk duem prift as nuk duem frat/ Jezuitt duen ndrydhë nen bat/ Se këta janë “obskurantista”, “kantonista” e “monarkista”. Anëtarët e Grupit “Ora e Maleve”: Fishta, Gurakuqi, Mjeda, Bumçi, Sh. Gurakuqi, Nd. Çoba Nush Topalli etj, me protesten energjike kanë sqaruar se elementi katolik shqiptar, qoftë në pikëpamje kombëtare, qoftë në pikëpamje fetare, ka tanë interesin e vet me ndejë i bashkuar me Shqipërinë e pavarur.
Duke pergenjeshtruar gazetat “Veçernja Posta”, Sarajevë e “Jugoslovenski List” për lajmet tendencioze shkruajnë: “… na të nënshkruemit në emën të të gjithë popullit të Shkodrës tue protestue me gjithë fuqinë e shpirtit tonë kundra këtyne lajmeve tendencioze e njiheri shnderuese të atij nam e nder të këtij populli kreshnik lusim atë të shkëlqyeshmën kryesi që ta interesojë mbi këtë çashtje të naltin Kuvend Kushtetues që nëpër ato mjete që ai njef ma të perdorshme e ma të mjaftueshme, ta mbajë gjithmonë ngjitë fatin e Shkodrës e të Shqipnisë së Verit me fat të Shqipnisë mbarë. ( ndjekun nënshkrimet e për Komisionin “Shkodra Kryeqytet” firmosë kryetari P. Gjergj Fishta). Po vetë fakti që u kërkua me të madhe Shkodra kryeqytet i Shqipërisë është kundër akuzave të kantonizmit. Në artikullin “Malcia në rrezik” lexojmë: “Pse pa male nuk ka Shkodër, pa Shkodër s’ka Shqipni Veriore, e pa Shqipni Veriore, per ne Shqipnia nuk ka kuptim”. ( “O. e M., nr. 30,1923).
“Bile bash pse dëshirojmë me kenë pjesë e Shqipnisë e per me largue çdo rrezik, lypim që Shkodra të jetë kryeqytet”.(O. e M., 6/1924). Sa për vërtetim që gazeta ka shkruar shpesh për këtë problem, po sjellim sa më poshtë: “Tesh pak ditë e tekndej filloi me u perhapë fjala nëper qytetin tone se njifarë ingjinierit, i quejtun Lambert Lapi i kishte drejtue, prej anës së Komitetit Kristian të Stambollit, nji apel Lidhjes së Kombeve në emen të krishtenëve të Shqipnisë. Ky perkujdesim i pakerkuem prej anës së Z. Lambert Lapit i çuditte shqymi katolikët e Shkodrës, kaq sa secili nder ne xuni me të shpejtë me dyshue mos të rrjedhte prej trillimeve të ndonjë propagande të huej sidomos tue kundrue se i naltpermenduni Lambert Lapi, i panjohun mirë në Shqipni nuk ishte i autorizuem prej të krishtenëve të Shqipnisë… kristianët e Shqipnisë nuk kanë nevojë per mbrojtjen e një njeriu të panjohun: kanë mjaft në gji të vet atdhetarë të aftë e besnikë që dijnë me i dalë zot të drejtave të krishtenimit në themel të një urtisë, të një arsyes e të një drejtësisë vëreverte të bindshme… Propagandat e kombeve të hueja… anmiqtë e kombit shqyptar do të orvaten në të gjitha mënyrët per me mujtë me pertrimë ndasinë ndërmjet dy elementave të ndryshme per kah besimi, ndermjet kristianëve e muhamedanëve… Jo, kombet fqinje mos të perkujdesen fare per gjendjen shoqnore të kristianëve të Shqypnisë, pse këta e perbuzin shqimit perkrahjen e tyne antifilantropike… (Intriga të damshme, në “O.e m.”, 1923, nr.14). “Sa për popull të maleve tona mund të thomi pa u trembë se na bie fjala në tokë, se tue sakrifikue ligjin e lirinë e vet kantonale, ka sakrifikue gjithshka. Për ma tepër ka dhanë armët, djalin në ushtri, ka la të dhetën, me një fjalë, lëshue në dorë të shtetit shqiptar kanunin e vet indogjerman, mburojën e indipedencës personale, armën i asht shtrue ligjës së atij armiku që për 500 vjet gati me pushkë për faqe, s’e la kurrkund me ngulë në tokë të Lekë Dukagjinit… Tashti këtë tradicion, këtë indipedencë kantonale, porsa frati i lajmon se krajlat e kanë qitë Shqipninë dukë në vedi e asht gati me rrotullue edhe ai kanunin e vet në themel të nje statuti të përbashkët me dhanë djalin në ushtri, me la të dhetën…” (Një frat i Dukagjinit, Shtatë të vramë që lypin gjyq, “O e M.” nr.32/1924). Dhe në një vend tjetër: “…Po, po, keni arsye ju Lukë Lukaj, Ivanaj, Ceno Bega me avoketën tuej, me e mbajtë Shqypninë e Nordit për një kanton, por… të Serbisë” (“Ku struket lepuri, “O.e M. nr. 24/1924).
Tashti le të lexojmë mendimin e gazetës “Republika”, plot vner antikatolik e antiklerikal, që të shohim të dyja anët e medaljes. Në gazetën “Republika” lexojmë:
“… Për me coptue Shqipninë, tue shkoqë krahinën e Shkodrës e tue ndërtue, sa për sot, një kanton për me mujtë ma lehtësisht me ia dhanë nesër të huejit… Mbi kantone, d.m.th. mbi coptimin e shkatërrimin e Shqipnisë e të kombit shqiptar (firmosë Republika)… kantonalizmi shqiptar nen influenca e nen protekcione fqinj!…Përsa i përket klerit katolik, ky asht ende sot per coptimin e Shqipnisë e sidomos që Shkodra me rrethinën e saj të vihet si kanton në vedi, ani ende me Serbiën ose me Dreqin e mallkuem veç mos të jenë e bashkueme me Shqipni etnografike, sidomos tash që e kena ende Kosovën. …Mbasi Shqypnia nuk mund të ekzistojë si shtet krejt i lirë, lypet të jenë nën robninë e dikuj. E sikurse e deshtne Austrinë e pastaj Italinë, tash pranojnë edhe ndokënd tjetër… f.94 (Shih: Historia e Shqipnisë së Re pj. II e nëpër valët e saj. Shqipnia e kleri katolik. Pergjegjja e së përkohshmës “H i D“).
Kantonizmi te Dela Roka/“… Mjeda gëzonte namin si “patriot i flaktë”, por në ditët e para të funksionit të tij në Shkodër nxitoi të projektojë dhe të kërkojë formimin në Shqipërinë e Veriut të një kantoni katolik të pavarur nga pjesa tjetër e shtetit, për të mbrojtur bashkësinë e tij fetare, që ishte pakicë ndaj një qeverie që e parafytyronte si armike” (f. 159)… Fillohet të mendohet për një shtet katolik në Shqipërinë e Veriut, ose për një ndarje të vendit në tri kantone të përfshira nën një kushtetutë të tipit feudal. Argjipeshkvi i Shkodrës Mjeda bisedon për këtë me një të deleguar të Lidhjes së Kombeve… ( f. 84, shënimi 171). “Nostalgjitë e katolikëve për një zgjidhje politike që t’i shkëpuste nga qeveria e konsideruar “islamike” e vendosur në Tiranë, rriteshin, me gjithë deklaratat e Zogut për laicizëm. Projekti i një kantoni o një shtet-xhuxh shqiptar katolik i pavarur, i sajuar në territorin e Shkodrës, ishte bërë përsëri aktual; sigurisht ishin të vetëdijshëm se në praktikë ishte i pazbatueshëm, sepse kjo do të thoshte ndër të tjera të dorzoheshe te fqinjtë e fuqishëm serbë, të cilët tradicionalisht nuk ishin të butë as ndaj katolikëve, as ndaj shqiptarëve tjerë, por megjithatë çështja diskutohej…” (f. 135), (Shif: Roberto Moroco dela Roka, “Kombësia dhe feja në Shqipëri, 1920-1944).
Por Zotëri Roberto Moroco dela Roka as nuk e ka kuptue idenë kantonale, as nuk ka dijeninë e zhvillimit të kësaj ideje në Shqipëri, nuk po thomi për prirjen e tij…
Po japim më poshtë protestën që i është dërguar Lidhjes së Kombeve nga elementi katolik dhe nga deputetët katolikë:
Protesta që i asht derguem Lidhjes së Kombeve! Na të nenshkruemit, përfaqësuesit e popullit katolik të Shkodrës, tue pasë marrë vesht se një apel i asht drejtue me 9 maj 1923 Lidhjes së kombeve prej disa shqiptarëve kristianë banues në Stambollë, e shohim me detyrë të shfaqim mendimin tonë mbi atë apel. Nisim tue thanë se nenshkruesit e atij apelit nuk kanë pasun asnji perfaqësim as autoritet prej anës sonë, e pra, shkado qi të kenë shkrue n’emen tonë, bie vetvetiu e mbetet pa fuqi. Persa i perket të ndamit të Shqipnisë në kantone, kjo asht një çashtje administrative e mbrendshme e cila rregullohet, ashtu si e don e mira e atdheut dhe e popullit prej fuqisë ekzekutive e prej Parlamentit të zgjedhun ligjësisht prej popullit. Refuzojmë me perbuzje e në mënyren ma kategorike edhe kerkesën per nji mbrojtje nga ana e shteteve fqij mbi popullin kristjan të Shqipnís i cili ka mbrojtun e do të mbrojë kurdoherë indipedencen e sypranín e shtetit të vet, e dëshiron të rrojë i lirë e në bashkim më vëllaznit e vet muhamedanë. Tue mbrapsun edhe njiherë si në formë, si në substancë çdo gja që të kenë thanë e të kenë shkrue redaktuesit e paautorizuem të apelit të permendun, qellimin e të cilit nuk duem ta cilësojmë, po nënshkruhemi: Shuk Sereqi, Filip Kraja, Ndoc Pistulli, Ejell Koliqi, Ndoc Çoba, Kel Deda, Kolë Gjinaj, Ndrekë Kiçi, Lec Shkreli, Mark Kapidani, Luigj Summa, Cuk Bufli, Balto Çoba, Tef Gera, Kel Marubi, Luigj Simoni, Mark Shllaku, Filip Summa, Ndrekë Kaçulini, Pjerin Simoni, Loro Pogu, Kolë Kujxhija, Hilë Staka, R. Daberdaku, K.Mjeda, Simon Dodmasej, Mikel Musani, Jak Zojzi.
Deputetët: Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, At Gjergj Fishta, N. Ivanaj, Patuk Saraçi, Shuk Gurakuqi.
(Shih gazetën “Shtypi”, datë 15 korrik 1923).
Krijoni Kontakt