Prej pak kohësh, Pallati Mbretëror nuk është më “foleja” e arkivit të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Godina po kërkon të rifitojë shkëlqimin. Ndërsa asgjë që është shtetërore nuk ka më vend aty. Arkivi ishte shenja e fundit që kishte mbetur nga funksioni më i fundit që ka kryer kjo godinë. Ndonëse i vendosur në dhomat e poshtme, familja mbretërore ka menduar që këto ambiente t’i përshtatë për jetesë, ashtu siç është bërë me të gjithë godinën. Historia e saj kalon nga një pallat për të jetuar aty princeshat, me të gjitha komoditete dhe mundësitë e argëtimit, te funksionet e shumta që ka kryer gjatë kohës së diktaturës e deri më sot. Prej më se dy muajsh, gjithçka që i përkiste arkivit të IMK-së është zhvendosur në Kinostudio, në godinën e përshtatur për Shkollë Restaurimi, ku do të zhvendoset edhe vet Instituti i Monumenteve të Kulturës. Ka qenë një kërkesë e administratës së mbretit për zhvendosjen e këtij arkivi nga pallati ku tashmë jeton princi Leka me familjen e tij. “Nga arkivi nuk ka ngelur asgjë në atë godinë. Edhe kasafortat e posaçme janë lëvizur. Gjithçka është zhvendosur në ambientet në ish-Kinostudio”, - shprehet nëndrejtoresha e IMK-së, Kozeta Mesiti. I gjithë dokumentacioni dhe materialet e tjera qëndronin aty prej vitit 2005, ndonëse në këtë kohë IMK-ja u zhvendos prej aty. Godina u përfshi në listën e pronave, që me vendim të qeverisë iu kthyen familjes mbretërore. Detyrimisht, Instituti i Monumenteve liroi ambientet për t’u zhvendosur pranë Drejtorisë së Ujërave, ku ndodhet edhe sot. Mungesa e ambienteve i detyroi që arkivi të mos lëvizej. Për gjatë gjithë kësaj kohe, të gjitha dosjet e dokumentuara dhe pasuria e fototekës kanë qenë të paralizuara. Specialistët nuk kanë pasur mundësi ta shfrytëzojnë. Qoftë edhe për të realizuar projekte të vitit që po mbaron. Por nëndrejtoresha Mesiti shprehet se gjithçka do të normalizohet kur IMK-ja të zhvendoset në ambientet e reja në Kinostudio. “Janë krijuar kushtet e përshtatshme në një ambient me sipërfaqe normale pune dhe i gjithë impianti i rëndë që ka qenë instaluar në godinën e mëparshme do të rivendoset në ambientet e reja”, - shprehet Mesiti. Ndërsa një projekt tjetër ambicioz që i përket së ardhmes, është dixhitalizimi i tij. Mesiti shprehet se janë në diskutime me projektin Interreg IIIA për të dixhitalizuar me pajisje moderne të gjithë arkivin teknik që ruan IMK-ja. Por do të duhen edhe rreth 2-3 muaj të tjerë që administrata të shkojë në godinën e re. Një tjetër shpërngulje. Nga një cep i Tiranës në një tjetër. Nuk dihet nëse odiseja do të marrë fund këtu, të paktën për disa kohë. Megjithëse Mesiti shprehet se ministri i Ekonomisë, Genc Ruli ka firmosur për kalimin në përdorim të kësaj godine nga IMK-ja përpara se të fillonte tenderimi. Por çështja mbetet e hapur, nëse shtetit do t’i duhet sërish godina. Gjatë 2-3 muajve do të kryhet restaurimi i katit të dytë, mbi shkollën e restaurimit, për të cilin është dhënë një shifër prej 6 milionë lekë të reja. Nëndrejtoresha shprehet se ata kanë kërkuar edhe një shifër 2 milionë lekë të reja për të përfunduar sistemin e ngrohjes.
Arkivi
Fotografi të hershme, raportime të gjendjes së monumenteve, dokumentacion grafik, përshkrimi i çdo prekje restauruese që i janë bërë monumenteve, gjenden në dosjet e arkivit. Aty është pasuria e shumë viteve dhe puna e shumë specialistëve. Arkivi i Institutit të Monumenteve ndahet në dy pjesë: në Fototekën dhe Kartotekën. Disa vite më parë, profesor Emin Riza e shpjegon qartë në një botim organizimin e tij. Kriteret e sistemimit të arkivit janë vendosur që në vitin 1963. Çdo monument ka një numër rendor të pandryshueshëm, i cili është baza për t’iu referuar çdo kërkese për të dhëna mbi të. Dokumentacioni grafik ruhet në dosje. Ai përfshin planimetri qendrash, rilevime objektesh arti. Katalogu bazë i arkivës, për çdo monument apo objekt të dokumentuar, jep të dhëna mbi llojin e dokumentacionit që ruhet për të në arkiv. Një rregullore përcakton funksionimin e arkivit dhe shfrytëzimit të tij nga studiues apo punonjës të Institutit si dhe studiues të interesuar jashtë këtij institucioni për fushën e monumenteve të kulturës.
Fototeka
Instituti i Monumenteve të Kulturës trashëgon një arkiv fotografik(Fototeka) që shënon një histori 40-vjeçare. Historia e tij kalon nëpërmjet fotove të para bardhë e zi, fotove me ngjyra, e për të arritur deri në teknologjinë e sotme dixhitale. Konsolidimi fillon që me krijimin e Institutit në vitin 1965. Në to janë fiksuar kala, kisha, rrënoja qendrash antike apo amfiteatresh, kisha me datim të hershëm e bashkë me to, edhe figura shenjtorësh të realizuar nga mjeshtër të pikturës. Mes tyre gjen banesa karakteristike që sot koha i ka degraduar apo ndonjë edhe ka humbur fare, rrugica të ngushta karakteristike, kulla të malësisë shqiptare, mozaik të zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike etj. Sot mund të ruhen rreth 220 mijë foto të formateve të ndryshe të shoqëruara edhe me negativë. Ndërsa arkivi në tërësi përmban rreth 3.500 dosje të monumenteve të ndryshme. Ky arkiv fillon me fotografi të Mehmet Kallfës në vitet ’60, për të vazhduar me Refik Veselin e të tjerë. Me kalimin e viteve, gjithnjë e më shumë fotografitë filluan të realizoheshin nga specialistët që ndërhynin nëpër monumente. Përparimi i teknikës, e ka pasuruar sot Fototekën edhe me fotografi.
Krijoni Kontakt