Petrika GROSI
Të gjithë filmat e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, prodhime të paraviteve ’90, që nga filmi i parë shqiptar “Tana” e deri te filmat më të fundit, prodhuar nga regjisorët tanë të kohëve të sotme, mund të gjenden fare lehtë nëpër site të ndryshme në internet, ku me po kaq lehtësi, vetëm për disa minuta, mund të shkarkohen dhe të shikohen nga kushdo, në çdo cep të botës. Mënyra se si këta filma kanë përfunduar në duart e individëve apo administratorëve të këtyre siteve, të cilët i tregtojnë kundrejt pagesave online, apo i ofrojnë edhe falas për shikim e shkarkim, mbetet ende e paqartë. Përmes Arkivit Qendror të Filmit dhe Qendrës Kombëtare Kinematografike, që janë të vetmit distributorë, si dhe të ndonjë siti të tretë në internet, deri sot nuk ekziston asnjë kontratë mbi të drejtat e autorit. Të paktën kështu ka pohuar kryetari i QKK-së, Xhevdet Ferri, i cili thotë se “ekzistojnë tratativat, por deri sot të gjithë filmat para ’90-s, që shfaqen apo ofrohen në internet, janë në mënyrë pirate”. Disa nga më kryesoret ndër këto site, që piratojnë filmat e rinj dhe të vjetër shqiptarë, e jo vetëm filmat por edhe këngët, komeditë, vallet, janë: http://www.unitedalbanian.com, http://www.thealbanians.com, http://www.downloadalbanianmovies.com, http://www.jeshil.com, etj. Dëmi që u shkaktohet pronarëve të këtyre filmave, që aktualisht janë shteti, regjisorët, skenaristët dhe autorët, është i pallogaritshëm dhe shkon në miliona euro në vit. Psh., nëse hyn te unitedalbanian.com, mund të gjesh dhe të shikosh pa paguar asnjë lek filma si “Nëntori i dytë” i regjisorit Viktor Gjika, “Flutura në Kabinën time” i Vladimir Priftit, “Duel i heshtur” i Dhimitër Anagnostit, “Ëndërr për një karrige” i Fehmi Oshafit, “Pallati 176” i Mevlan Shanajt, etj. Ndërkaq, te një sit tjetër në internet, thealbanians.com, mund të gjesh 52 filma të rinj e të vjetër shqiptarë të regjisorëve Dhimitër Anagnosti, Ibrahim Muço, Pirro Milkani, Viktor Gjika, Muharrem Fejzo, Kujtim Çashku, Xhanfize Keko, Vladimir Prifti, Kristaq Prifti, Spartak Pecani, Kristaq Dhamo, Bujar Kapexhiu, etj. E njëjta gjë ndodh edhe te siti download.albanianmovies.com, për të kaluar kështu te një tjetër sit interneti siç është www.jeshil.com, të cilit nuk i mungojnë as statistikat për shkarkimet e filmave, sipas të cilave rezulton se për një muaj shkarkohen në mënyrë pirate mbi 40 mijë herë filma shqiptarë, të cilët, nëse do të vlerësoheshin minimalisht me 5 euro secili, do të sillnin një fitim prej 200 mijë eurosh në muaj. Siç e shikoni, 200 mijë euro në një muaj humbin vetëm nga një sit interneti që piraton 80 filma. Mendoni sa arrin kjo shumë nëse llogaritet në vleftën reale të saj dhe nëse përfshijmë këtu të gjitha sitet në internet, të cilat ofrojnë dhe tregtojnë në mënyrë pirate qindra produksione shqiptare të kinematografisë së para dhe pas viteve ’90... Nëse u referohemi sërish statistikave të sitit www.jeshil.com, më i shkarkuari është filmi i Bujar Kapexhiut, “Edhe kështu, edhe ashtu”, me 2783 downlodime, për të vazhduar me “Beni ecën vetë” i regjisores Xhanfize Keko me 1474 downlodime, apo “Zonja nga qyteti” i Pirro Milkanit me 1426 downlodime, “Letra ere” i Edmond Budinës me 1312 downlodime deri te filmi për fëmijë “Mësim për Lindën” i regjisores Donika Muçi me 908 downlodime, etj. Të gjitha këto janë shkarkime të bëra vetëm në një sit brenda një muaji. E megjithëse këta filma ofrohen nga sitet pirate pa asnjë të drejtë, sërish nuk u mungon një “C” e copyright-it fiktive, pasi piratët shqetësohen më tepër se shteti ynë, më tepër se QKK-ja, Zyra për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit në Ministrinë e Kulturës dhe dhjetëra shoqata të tjera, që filmat shqiptarë të mos vidhen. Nëse në një vend tjetër të BE-së, Amerikës a gjetkë, do të ndodhte një fenomen me përmasa, dëm dhe evidencë të tillë, skandali do të ishte i pashmangshëm dhe në lëvizje do të viheshin strukturat shtetërore deri te interpoli për të neutralizuar vjedhësit dhe për t’i ndëshkuar ata. Ndërkaq, për fat të keq, drejtorët e institucioneve përkatëse, deri te ministrat e Kulturës, Ekonomisë dhe Financave, i kemi të preokupuar me halle të tjera, më të mëdha se mbrojtja e pronës intelektuale dhe e pasurisë kombëtare nga vjedhja dhe shmangia e një dëmi që shkon në miliona euro në muaj.
Ky realitet do të ndiqet dhe investigohet më tej nga gazeta “Albania”, e cila vë në dispozicion faqet e saj për debatin mbi piraterinë me filmat shqiptarë. Për këtë gjë, ftojmë të gjithë kineastët, specialistët e fushës apo palët e interesit, që të kontribuojnë në zhvillimin e një debati produktiv për një problem kaq të prekshëm, sidomos për prodhuesit dhe autorët e filmave.
Disa nga filmat më të piratuar
“Përrallë nga e kaluara”, Dhimitër Anagnosti
“Malet me blerim mbuluar”, Dhimitër Anagnosti
“Duaje emrin tënd”, Ibrahim Muço
“Ballë për ballë”, Kujtim Çashku
“Çifti i lumtur”, Pirro Milkani
“Dimri i fundit”, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro
“I teti në bronz”, Viktor Gjika, Dritëro Agolli
“Gjeneral gramafoni”, Viktor Gjika, Vath Koreshi
“Mësonjëtorja”, Muharrem Fejzo
“Taulanti kërkon një motër”, Xhanfize Keko
“Yjet e netëve të gjata”, Viktor Gjika
“Zonja nga qyteti”, Pirro Milkani
“Shoqja nga fshati”, Pirro Milkani, Ruzhdi Pulaha
“Unë e dua Erën”, Vladimir Prifti
“Udha e shkronjave”, Vladimir Prifti
“Liri a vdekje”, Kristaq Mitro, Ibrahim Muçaj
“Tokë e përgjakur”, Kristaq Mitro, Ibrahim Muçaj
“Tirana, viti zero”, Fatmir Koçi
“Dora e ngrohtë”, Kujtim Çashku
“Dhe vjen një ditë”, Vladimir Prifti
“Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo
“Tana”, Kristaq Dhamo
“Tela për violinë”, Bujar Kapexhiu, Pëllumb Kulla
“Treni niset në 7 pa 5”, Spartak Pecani
“Cuca e maleve”, Dhimitër Anagnosti, Loni Papa
“Brazdat”, Kristaq Dhamo, Dhimitër Xhuvani
“Ata ishin katër”, Kujtim Çashku
gazeta-albania
Ruaj Lidhjet