Më 24 korrik, Parlamenti i Republikës së Serbisë mbajti seancën e 7-të saj të jashtëzakonshme, ku u shqyrtua propozim rezoluta e Qeverisë së Serbisë lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Në Parlament u zhvillua një debat nëntë orësh, si zakonisht sipërfaqësor, që më së shumti ishte në funksion të zbrazjes së mllefit, të frustracioneve banale, që tashmë janë bërë pjesë tipizuese e identitetit serb. Sipas një maniri teatral, në foltore renditeshin figura të njohura, apo të panjohura politike që kishin një emërues të përbashkët: të gjithë ishin jashtë koordinatave kohore, ashtu si gjithmonë, të humbur në hapësirë dhe kohë. Për një shqiptar, kjo atmosferë ngjall kujtime të hidhura, ua përkujton një kohë dhe një botë anksioze nga e cila, me shumë sakrifica u ndanë njëherë e përgjithmonë.
Kjo seancë parlamentare nuk dallohej nga të tjerat që janë mbajtur në periudha të tjera kohore, kur me Serbinë udhëhiqnin koniunktura të tjera politike. Dikush fliste për amanetin hyjnor të Car Llazarit, dikush fliste për komplotin perëndimor anti-serb, dikush për rrezikun islamik për Evropën që vjen nga shqiptarët, dikush për mobilizimin total për mbrojtje të shpirtit serb, më pragmatikët për mbrojtje të 15% të territorit serb, dikush për unifikim me nënëloken Rusi, dikush për marrje të masave kundër atyre shteteve që në mënyrë të njëanshme do të pranonin pavarësinë e Kosovës etj. Marrë në tërësi, edhe pas të gjitha luftërave që u nxitën nga kjo logjikë politike, historike dhe etike serbe, sikur asgjë nuk është ndryshuar, sikur s'ka ndodhur tragjedia, sikur askush nuk është mbushur me mend.
Serbët gjithmonë mendonin dhe flitnin kështu, por ama tani diçka thelbësore ka ndryshuar: fjalëve të tyre askush nuk u beson, ashtu si edhe kërcënimeve. Pikërisht humbja e kredibilitetit të ligjërimit të tyre është burimi i mllefit të tyre kolektiv. Të mësuar gjatë dy shekujve të fundit që të jenë të ledhatuar nga kancelaritë evropiane, që bënin dhe ç'bënin shtete, ata nuk kuptojnë për se ligjërimi i tyre nuk has më në mirëkuptim. Ata tashmë kanë hyrë në dimensionin e reflekseve të kushtëzuara dhe me inat përsërisin argumente, veprime të njëjta për të fituar statusin e popullit hegjemon duke mos hequr dorë nga aspirata që edhe nga kjo krizë të dalin fitimtarë, me një shtet më të madh sesa ai paraprak. Me këtë ecuri ata janë mësuar dhe tani nuk kuptojnë se ç'po ndodh. Në të gjitha periudhat e kaluara ata kanë qenë të tillë dhe kanë fituar, ndërkaq tani po pësojnë.
Politika aktuale serbe nuk arrin të shpjegojë kontekstin e ri historik, ku ata si popull i krishter nuk përkrahen nga shtetet e krishtera perëndimore, por mbrohen shqiptarët që ata i cilësojnë si myslimanë. Diagnoza e tyre për krizën është burim i konfuzionit të tyre, për shkak se me këto relacione të shpifura fetare nuk mund të përkufizohet natyra e krizës. Serbët pretendojnë që të përfitojnë nga përkatësia fetare edhe pse objektivisht s'kanë të drejtë, për të gjitha pretendimet që i shfaqën gjatë tërë periudhës historike, veçmas në këtë fazë të fundit që lidhet me shpërbërjen e Jugosllavisë. Por, shpjegimet e mirëfillta nuk ofrojnë as elita intelektuale dhe gjithsesi jo ajo fetare. Ekziston një pakt, tashmë i amalgamuar në mes të elitës politike, intelektuale dhe fetare, kështu që asnjë forcë relevante nuk arrin që të krijojë distancë ndaj të se vërtetës së ideologjizuar serbe, ndaj projektit të tyre për statusin e shtetit hegjemon në Ballkan.
Deri më tani, një pjesë e madhe e elitës politike serbe gjykohet në Tribunalin e Hagës. Elitat e tjera, ajo intelektuale dhe fetare, që frymëzuan përfaqësuesit e elitës politike që tani i dëlirin hundët në qelitë e Hagës, janë në liri dhe vazhdojnë avazin e tyre pa u penguar nga askush. Këtë punë e vazhdojnë edhe anëtarët, votuesit e partive politike, udhëheqësit e të cilëve sot gjykohen në Hagë. Faktori ndërkombëtar me vonesë do ta kuptojë gabimin, kur lejoi që luftërat në hapësirat jugosllave të përfundojnë pa emërimin e fajtorit. Prandaj, kriza zgjat dhe asnjëherë nuk do të përfundojë nëse nuk do të dënohet botëkuptimi serb i së vërtetës për vetveten, për historinë, për formacionet shoqërore etj. Ka ardhur koha që dikush t'ua thotë të vërtetën, që dikush ta penalizojë të vërtetën e tyre që shkakton në vazhdimësi konflikte me përmasa botërore. "E vërteta" serbe shkaktoi Luftën e Parë Botërore, e vërteta serbe mbi Kosovën e shkatërroi Jugosllavinë dhe përfundimisht, kur do ta penalizojë edhe Serbinë, ata do të vetëdijesohen se janë shkaktarë kryesorë të konflikteve me përmasa të ndryshme. Pa denacifikimin, pa demokratizimin dhe pa demilitarizimin e Serbisë, siç u veprua me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore, paqja dhe stabiliteti nuk do të vendoset në këtë pjesë të trazuar të Evropës.
Faktori ndërkombëtar bën përpjekje të sforcuara, që në mënyrë racionale ta zgjidhë çështje e statusit të Kosovës. Sikur ka harruar se këto metoda dështuan edhe në kohën e dhunimit brutal të normave ndërkombëtare, kur Millosheviqi zbatonte strategjinë e gjenocidit, të pastrimit etnik. Serbët nuk e pranojnë argumentin e arsyes, prandaj edhe sillen në mënyrë arrogante. E përdorin dhe pranojnë vetëm argumentin e forcës. Kështu ka qenë gjithmonë.
Gjatë periudhës së ekzistimit të formacioneve të ndryshme jugosllave, serbët parapëlqenin që veten ta paraqesin si popull me kapacitete shtet-formuese. Siç dihet, shtetet janë formuar dhe kanë funksionuar mbi baza të standardeve të ligjeve që kanë garantuar mbrojtjen e sigurisë dhe barazisë së qytetarëve. Nëse këto parime nuk respektohen, atëherë shtetet shndërrohen në mekanizma që gllabërojnë vlerat njerëzore dhe vetë njerëzit.
Faktori ndërkombëtar, që me shumë durim përpiqet t' i mbushë mendtë serbit, duhet të ketë parasysh faktin se ata gjithmonë kanë pasur dy lloje politikash, përkatësisht sistemesh. Ata asnjëherë nuk arritën të formojnë një shtet ligjor që ka garantuar funksionimin e të gjitha parimeve kushtetuese. Ata pra, prej fillimit të krijimit të shtetit të tyre, kanë zhvilluar politikë në dy rrafshe, në dy sisteme, në atë të fshehtë dhe në atë publik. Vendimet më të rëndësishme janë marrë në sistemin e fshehtë. Aktualisht sistemi publik bashkëpunon me Gjykatën e Hagës, ndërkaq kripto-sistemi me kriminelët e luftës, mlladiqët dhe karagjiqët. Kjo nuk është risi, por standard atavist.
Në fillim të krijimit të Jugosllavisë, që ndërlidhej ngushtë me luftërat ballkanike dhe rrjedhimisht me Luftën e Parë Botërore, serbët kanë zhvilluar aktivitete shumë efektive politike në mënyrë ilegale. Më 29 maj të vitit 1903, një organizatë ilegale e quajtur "Crna Ruka" (Dora e zezë) ose si "Ujedinjenje ili smrt" (Bashkimi ose vdekja) organizuan komplotin ashtuquajtur të majit, duke vrarë mbretin serb Aleksandar Obrenoviq dhe mbretëreshën, Draga Obrenoviq, me qëllim që të hiqet nga skena politike dinastia e Obrenoviqëve. Me metoda të njëjta, më 28 qershor 1914, në Sarajevë u vra pretendenti i fronit austro-hungarez, Franc Ferdinandi, nga dora e Gavrillo Principit, anëtarit të një organizate po ashtu të fshehtë, "Mlada Bosna", segment i organizatës "Dora e zezë".
Organizata "Dora e zezë" u formua më 9 maj të vitit 1903 në Beograd. Themelues ishin një sërë njerëzish me renome në shoqërinë serbe, që përmes atentateve dhe kërcënimeve të ndryshme ilegale përpiqeshin t'i imponojnë botëkuptimet e tyre. Këto organizata synonin përmes frikës dhe misticizmit t'i imponojnë interesat e tyre sistemit legal. Serbët asnjëherë nuk u çliruan nga fatalitet i dyfytyrësisë, sistemit legal, ku respektoheshin sa për sy e faqe ligje, dhe atij ilegal, ku nuk respektoheshin as ligjet, as standardet, por vetëm qëllimet, botëkuptimet dhe interesat e një grupi joformal. Ky shkrim, natyrisht, nuk ka për qëllim që të analizojë funksionin e një organizate konkrete ilegale, por logjikën, përcaktimin serb, që përmes sistemit informal të realizojë disa interesa që nuk përputhen me standardet e shoqërive moderne. Kjo logjikë e veprimit ilegal politik në traditën serbe, është e ngjashme në tërësi me logjikën e mafies. Nga kjo zonë e hirtë kanë ardhur urdhra për likuidim të shkencëtarëve, si bie fjala i historianit kroat, Milan Shuflaj, i cili dëshmoi shkencërisht praninë shqiptare në Kosovë në periudhën e Mesjetës, deputetëve, gazetarëve, ministrave, kryeministrave, siç ishte rasti me Ivan Stamboliqin dhe Zoran Xhinxhiqit, apo të mbretërve dhe mbretëreshave. Në këtë listë, qëllimisht nuk i vë shqiptarët e ekzekutuar në mënyra dhe periudha të ndryshme, ngaqë lista do të ishte tepër e gjatë.
Tashmë ka ardhur koha që në mënyrë të haptë, akuzuese, të thuhet se aspiratat, ambiciet serbe nuk mund të realizohen legalisht, për shkak se vijnë ndesh me standardet ndërkombëtare, që janë të obligueshme për shtetet anëtare të OKB-së.
Çka dëshmoi procesi i shthurjes së Jugosllavisë? Pikërisht këtë cen, këtë devijim të politikës serbe, këtë ikje nga obligimet që imponohen nga sistemi legal, në voluntarizmin e sistemit ilegal.
Politika e regjimit të Millosheviqit nuk mund të zhvillohej brenda sistemit legal, që të paktën formalisht do të duhej t'i respektonte normat ndërkombëtare, ligjet e luftës etj. Për t'i realizuar këto objektiva nacionaliste, që vinin ndesh me standardet vendore dhe ndërkombëtare, regjimi i Millosheviqit e përdori në mënyrë të pacipë metodën tradicionale serbe, aktivizimin e grupeve joformale, që kësaj radhe u bënë të njohur si njësitet paramilitare. Millosheviqi, ashtu si përmes mitingjeve, pra metodave joinstitucionale politike i detyroi kundërshtarët e vet që të largohen nga pushteti, ashtu përmes njësiteve paramilitare që i formoi ai vetë, synoi që t'u bishtëroi ligjeve të luftës dhe të realizojë sa më lehtë projektin e pastrimeve etnike. Jo vetëm Millosheviqi, por të gjithë elitat serbe, por edhe faktori ndërkombëtar, silleshin si të verbër ndaj këtij fenomeni, pra realizimit të interesave etnike, përmes formacioneve ilegale paramilitare dhe parapolitike. Pra, të gjithë këta politikanë, intelektualë, klerikë, gazetarë, i shihnin këto devijime me pasoja tragjike dhe jo vetëm që nuk reagonin, por i mbështetnin ato me argumentin se luftërat kështu i zgjidhkan antagonizmat e natyrave të ndryshme brenda në shoqëri.
Ekzistojnë mendime që përpiqen të amnestojnë heshtjen, në fakt mbështetjen e elitave serbe për veprimin kriminal të njësiteve paramilitare, me argumentin e frikës së tyre që t'i kundërvihen një regjimi kanosës, siç ishte ai i Millosheviqit. Mirëpo ky argument e humbi kredibilitetin e vet, për shkak se këto elita, edhe pas largimit të Millosheviqit nga skena politike, jo vetëm që vazhduan me heshtjen, përkatësisht me tolerimin e krimeve, por e intensifikuan atë politikë që Millosheviqin e çoi në Hagë. Të liruar nga bagazhi i rëndë, komprometues i regjimit të Millosheviqit, politikanët aktualë serbë po zhvillojnë idenë se aktorët ishin të dobët, se ata bënin gabime, ndërkaq teksti ka qenë në rregull. Tani ata sërish e kanë aktualizuar tekstin, pra të vërtetën serbe për Kosovën, për historinë, përkatësisht për rolin hegjemonist serb në Ballkan. Thënë shkurt, serbët i braktisën politikanët e vjetër ashtu si braktisen kostumet e vjetra, dhe inauguruan politikanë të rinj që do të vazhdojnë atë kurs politik, që bie ndesh me të vërtetën historike dhe me standardet ndërkombëtare.
Është tepër cinike tentativa e presidentit serb, Tadiq, që të duket sa më sharmant, i pafajshëm, i moderuar kur ai në fakt është pinjoll i një trashëgimie kriminale shtetërore, e një tradite që përmes krimit, gjenocidit, ka okupuar territore të popujve të tjerë duke i shpërngulur dhe shfarosur ata, është tepër lodhëse të dëgjohet logjika legaliste që buron nga mendja e mykur e kryeministrit Koshtunica që, në manirin e Al-Kaedës përpiqet logjikën e vet t'ia imponojë botës, është tepër irrituese të dëgjohen kërcënimet luftarake të radikalëve serbë, me në krye vorraxhiun Nikoliq. Derisa nuk do të dënohet politika serbe, për krimet që janë bërë ilegalisht apo legalisht, derisa serbët nuk ndërgjegjësohen për veprimet e tyre kriminale, derisa ata nuk i kompensojnë dëmet e bëra, asnjë politikan serb nuk mund të ketë të drejtë morale për harresë, për sjellje komode, veçmas jo për përsëritje sharmante apo inatçore të pretendimeve luftënxitëse serbe.
Rezoluta e re e Parlamentit serb, ku përsëriten kërkesat serbe që i përjetësojnë konfliktet në Ballkan, ku me arrogancë sfidohen shtetet, kryesisht perëndimore, nëse do të njohin pavarësinë e Kosovës, është vetëm një provë e re e sëmundjes së vjetër serbe që përkufizohet si mani për relevancë të pamerituar, për hegjemoni që mund të imponohet vetëm me dhunë të vazhdueshme, që natyrisht e prodhon konfliktin, duke e rrënuar kështu paqen dhe stabilitetin në rajon.
Këto ambicie serbe, që prej fillimit nuk kanë mundur që të realizohen përmes parimeve dhe standardeve legale, por vetëm përmes një rruge jolegale dhe joformale, sidomos kanë dëmtuar interesin e popullit shqiptar në të gjitha planet, prej atij material e deri te ai shpirtëror.
Nëse do të rihapen bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës delegacioni kosovar duhet në mënyrë këmbëngulëse, jo të argumentojë dhe ta mbrojë kërkesën për pavarësi të Kosovës, se ajo nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë, por të zbulojë efektet shkatërruese për interesin shqiptar që vinin nga të dy sistemet, atij legal dhe atij ilegal, shpeshherë të yshtur nga mania serbe për relevancë të pamerituar. Përfaqësuesve serbë duhet t'u merret e drejta e harresës, e pafajësisë dhe e relativizimit të fajit. Ata duhet të vetëdijesohen se ashtu si në të kaluarën, ashtu edhe në tashmen, nuk janë në gjendje të formojnë një shtet ligjor, por gjithmonë manifestojnë tendenca, që përmes formacioneve parapolitike, paramilitare, parapolicore dhe natyrisht edhe para-ekonomike të imponojnë interesin e tyre etnik, apo të një grupi të veçantë të interesit. Prandaj, ata lehtë-lehtë likuidojnë kundërshtarët e vet politikë, qofshin ata mbretër, kryeministra, gazetarë, apo kundërshtarë etnikë, duke zbatuar politikën e spastrimeve etnike, që realizohen përmes formacioneve paramilitare dhe parapolicore. Serbët, natyrisht kanë të drejtë të bëjnë ç'të duan me veten, ta mashtrojnë njeri-tjetrin, të organizojnë komplote, të vriten, por ata tashmë kanë humbur mandatin moral dhe politik që të organizojnë jetën, të përcaktojnë fatin e të tjerëve, veçmas jo të shqiptarëve që s'kanë asgjë të përbashkët me ta.
Por, problemi me ta nuk përfundon me kaq. Nëse atyre u merret e drejta që të kenë statusin e popullit dhe shtetit hegjemon, duhet pritur që ata do të fillojnë ta globalizojnë krizën. Në Rezolutën e fundit ata paralajmëruan këtë tendencë duke krijuar një aleancë me Rusinë, që po ashtu manifeston dobësinë në krijimin e shtetit ligjor, me Rusinë, ku funksionon po ashtu logjika e dorës së zezë që likuidon kundërshtarët politikë, etnikë, gazetarë apo nëpunës joluajalë, sipas parimeve mafioze. Aleanca që krijohet mes Serbisë dhe Rusisë tashmë ka tejkaluar caqet e Kosovës dhe ka marrë përmasa më absurde, të tendencës për rikthim të politikës në mendësinë e luftës së ftohtë, të sfidimit të sistemit të vlerave demokratike perëndimore. Duhet pritur me durim, që mjellma ta përfundojë këngën e vet.
Shekulli
Krijoni Kontakt