Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956

    Shqiptari i parë në tokën e premtuar që në vitin 1884

    Ai ka shkelur tokën e premtuar mes viteve 1884-1886. Në fakt, regjistrimi i shqiptarit të parë në SHBA ka qenë qysh në vitin 1876, por emri i tij ka humbur në regjistrat themeltarë. Sipas studimit të bërë nga Jane Jurgens, pak shqiptarë shkelën SHBA-në para shekullit XX. Kolë Kristofori, që më pas mori emrin Nicholas Christopher, u kthye sërish në Shqipëri dhe më pas më 1892 u vendos në SHBA, përfundimisht. Në “The albanians in America” të Kostandine Demos, thuhet se bashkë me Kolë Kristoforin në SHBA u regjistruan dhe 16 shqiptarë të tjerë nga Katundi, fshat në jug të Shqipërisë.

    Historia
    Shqiptarët janë grupi më i ri i evropianëve të emigruar në SHBA dhe numri i tyre ka mbetur i ulët. Vala e parë është ajo më e pakta para shekullit të XX, ndërsa vala e dytë e emigrantëve shënohet para Luftës së Parë Botërore. Disa nga arsyet e emigrimit që përmenden në këtë studim ishin kushtet e këqija ekonomike, çështje politike ose si rrugë për t’i shpëtuar regjistrimit në ushtrinë turke. Shumë shqiptarë, rreth 20-30 mijë, që për arsye politike emigruan në SHBA, u kthyen në Shqipëri mes viteve 1919-1925. Po shumë nga këta u rikthyen në Amerikë për t’u vendosur përgjithmonë. Një valë tjetër emigrantësh është ajo e vitit 1944 pas marrjes së pushtetit të vendit tonë në dorë të komunistëve dhe pas rënies së komunizmit më 1990-1991 shqiptarët nisën të hyjnë në Amerikë dhe të shtohen në numër, por nuk ka një numër të saktë për to. Sipas institutit të statistikave amerikane, në mes të viteve 1931 dhe 1975, numri total i shqiptarëve që hynë në SHBA ishte 2438. Pas vitit 1982, numri zyrtar i shtetasve shqiptarë që hynë në Amerikë ishte; 1983 (22), 1984 (32), 1985 (45), 1986 (n/a), 1987 (62), 1988 (82), 1989 (69), 1990 (n/a) dhe 1991 (141). Megjithatë këto emigrantë nuk e reflektojnë numrin e saktë të shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Në regjistrimin e përgjithshëm të vitit 1990 numri i njerëzve që deklaronin të paktën një paraardhës shqiptar ishte 47.710, edhe pse popullsia totale në SHBA radhitej nga 75 mijë në 150 mijë e më shumë. Më 1999, USA i siguroi statusin të huajve rreth 20 mijë kosovarëve. Ata u bashkuan me familjet, miqtë dhe organizatat bamirëse, ndërsa një pjesë e tyre zgjodhën të rrinë deri sa situata në Kosovë të qetësohej.

    Modeli i kolonisë
    Emigrantët e hershëm u vendosën rreth Bostonit dhe lëvizën në disa pjesë të tjera të Masaçusetit, ku fuqia punëtore e papërvojë ishte e mjaftueshme. Para 1920 shumica e shqiptarëve të emigruar në SHBA ishin nga qyteti i Korçës. Pjesa më e madhe e burrave, të cilët për më shumë emigruan për arsye ekonomike dhe kërkonin azil politik, nuk kishin ndërmend të rrinin përgjithmonë në SHBA. Ata jetonin në një komunitet me baranga, sepse jetonin lirë dhe paratë e fituara i çonin në shtëpi. Kjo mënyrë u hapi rrugën shumë grave e fëmijëve t’u bashkonin me burrat e shtëpisë në SHBA. Që herët kolonitë e Masaçusetit u vendosën në Worcester, Natick, Southbridge, Cambridge dhe Lowell. Regjistrimi i vitit 1990 zbuloi numrin e madh të shqiptarëve që jetonin në New York me një përqendrim të madh në Bronx, ndjekur më pas nga Massachusett, Michigan, New Jersey, Illinois, California, Ohio dhe Pennsylvania. Koloni shqiptarësh mund të gjesh edhe në Chicago, Los Angeles, Denver, Detroit, New Orleans, Miami, Pittsburgh dhe Washington D.C.

    Studimet
    Nuk ka asnjë studim konkret për shqiptarët që kanë kontribuar në SHBA, megjithatë mund të thuhet se sado që është një komunitet i vogël, figurat dhe njerëzit me eksperiencë nuk i kanë munguar. Gjatë gjithë kohërave shqiptarët kanë mundur të qëndrojnë veçmas pa u asimiluar dhe përzier me grupet e tjera. Komuniteti i New York-ut dhe Massachusett kanë pasur komunikim të rrallë me grupet e tjera, ndërsa grupe të tjera në Midwest u asimiluan më shpejt.

    Më 28 korrik 1935, në artikullin e shkruar nga Arch Farmer, të titulluar “All the World Sends Sons to Become Americans” dhe të botuar në gazetën Chicago Sunday Tribune shkruan; shqiptarët nuk janë një popull fisnor apo klanor... ata lidhin shpejt miqësi me nacionalitete të tjera, bëjnë biznes me ta, marrin pjesë në festa, pra marrin pjesë në mënyrë tipike në jetën e qytetit.
    Shumica e shqiptarëve të shkuar herët në SHBA ishin analfabetë. Sipas Dena Page, në “Odisenë e shqiptarëve të Amerikës” veçohet se nga 5 mijë shqiptarë më 1906, vetëm 20 prej tyre dinin të lexonin e të shkruanin gjuhën e tyre. Për këtë pikërisht u bë një punë e vazhdueshme, sidomos nga gazeta “Kombi”, e cila luftoi analfabetizmin dhe më 1919, 15 mijë shqiptarë nga 40 mijë mësuan gjuhën e tyre. Për një farë kohe emigrantët atje ishin dhe fanatikë të jetës amerikane dhe si rezultat dyshonin t’i çonin fëmijët në shkollë. Gradualisht ata pranuan ndryshimin dhe shkolluan fëmijët.

    Ruajtja e fesë
    Shqiptarët e Amerikës, shumica ishin ortodoksë, myslimanë dhe katolikë. Aktualisht kisha ortodokse shqiptare në SHBA është ndarë dhe vepron në mënyrë të pavarur nga juridiksioni kishtar. Kisha autoqefale u themelua në SHBA nga Noli më 1908. Ajo ka rreth 45 mijë anëtarë dhe 16 famulli në të gjithë vendin. Shqiptarët katolikë nisën të vinin në SHBA rreth viteve 1960-1970 dhe në shtetin e madh ka tri kisha shqiptare; kisha e Zonjës e Shkodrës në Bronx, e themeluar më 1929 dhe me 1350 anëtarë, kisha e Shën Palit në Warren Micigan dhe kisha e Zonjës tonë në Beverly Hills po në Michigan. Ndryshe nga katolikët e vonë, myslimanët e parë emigruan në SHBA rreth vitit 1913. Aktualisht ka rreth 25 mijë-30 mijë shqiptarë myslimanë sunit. Qendra e kryesisë së komunitetit mysliman për SHBA dhe Kanadanë u themelua më 1992 nga Imami Vehbi Ismail. Kryesia përbëhet nga 13 qendra të tjera ose xhami të ndërtuara në Connecticut, Philadelphia, Toronto, New York, New Jersey, Florida dhe Michigan. Por në SHBA s’kanë munguar as bektashinjtë. Teqja e parë bektashiane është lokalizuar në Taylor, Michigan dhe urdhri fetar u formua më 1954. Ata kishin një librari të vogël ku dhe publikonin “The Voice of Bektashism” (Zëri i Bektashizmit).

    Punët
    Shqiptarët e Amerikës që erdhën para viteve 1920, kryesisht merreshin me bujqësi dhe punuan në ferma. Disa që vinin nga qytetet punuan në dyqane dhe u bënë shitës. Pjesa më e madhe e atyre që jetonin në Masaçuset u punësuan në një kompani optike, ndërsa një pjesë tjetër në një fabrikë tekstilesh. Të mbeturit gjenin punë si kuzhinierë, kamerierë dhe pastrues. Të hershmit mundën të hapnin dhe bizneset e tyre, ku ndër më të suksesshmit ishin hapja e dyqaneve dhe restoranteve. “Më 1925 shumica e shqiptarëve të Greater Boston deklaruan që zotëronin më shumë se 300 dyqane ushqimore dhe fruta-perimesh”, shkruan Dennis Lazar.
    Sot shqiptarët janë punësuar në disa lloj profesionesh dhe sipërmarrjesh.

    Qeverisja
    Shqiptarët amerikanë, sipas shkrimeve, kanë lidhje shumë të ngushtë me Shqipërinë dhe gjithnjë kanë festuar eventet. Të gjithë kishat ortodokse kanë pasur një rol të madh në zgjimin e ndjenjës së nacionalizmit. Politika e hershme përpiqej që shqiptarët atje të merreshin me çështjen shqiptare, duke i ndezur dhe ndjenjat e krenarisë, sidomos për çështjen e pavarësisë nga otomanët. Petro Nini Luarasi ishte një ndër ata që formoi për herë të parë organizatën nacionale të shqiptarëve në Amerikë, “Malli i Mëmëdheut” dhe Sotir Peçi hapi gazetën e parë javore “Kombi”. Në këtë gazetë trumbetohej pavarësia shqiptare nga turqit. Në 6 janar 1907 u formua organizata “Besa-Besën” dhe krijimi i kishës ortodokse shqiptare më 1908 ishte një hap i mëtejshëm drejt lirisë dhe eveniment për komunitetin atje. Më pas, më 1909, Fan Noli hapi gazetën “Dielli” dhe si pasues i “Kombit”, edhe kjo gazetë mbronte independencën e Shqipërisë. Editori i gazetës ishte Faik Konica dhe më 1912 u formua Federata Pan-Shqiptare e quajtur “Vatra”. Që nga ajo kohë e deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët amerikanë treguan interes për politikën amerikane, e cila do të mund të ndërhynte në zgjidhjen e çështjeve shqiptare. Me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri pati dhe një valë tjetër emigrantësh në tokën e premtuar. Sot shqiptarët amerikanë janë përshtatur totalisht dhe janë një lob i fuqishëm në SHBA.

    Personalitete
    Arshi Pipa ka lindur në Shkodër dhe është një ndër figurat e spikatura, të cilët kanë kontribuar në jetën e shqiptarëve të Amerikës. Ai ka dhënë mësim për humanizëm, filozofi dhe gjuhë italiane në disa kolegje të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.


    Nicholas Pano është profesor historie dhe ka punuar në Fakultetin e Arteve dhe Shkencës në Illinois University. Ai ka kontribuar në gazetën e shkollës me disa studime dhe është autor i “Populli i Republikës së Shqipërisë”, i publikuar më 1968.

    Peter R. Prifti autor dhe përkthyes. Ai ka shërbyer jashtë mase në studimet e shqiptarëve. Është autor i disa botimeve, mes të cilëve “Socialist Albania Since 1944”, (Shqipëria Socialiste që nga 1944", botim i vitit 1978.

    Stavro Skendi (1906–1989) ka lindur në Korçë. Ai ka marrë titullin profesor nderi i gjuhëve të Ballkanit e kulturës dhe ka punuar po në këtë drejtim në Universitetin e Columbias, që nga viti 1972 e deri në vdekje.

    Biznesi
    Anthony Athanas është lider komuniteti dhe është pronari i një restoranti të famshëm në Boston, që prej 50 vjetësh.

    Liderët e komunitetit
    Constantine A. Chekrezi, përkrahës i lëvizjeve në Shqipëri dhe për një kohë të shkurtër editor i gazetës “Dielli” dhe botues i “Ilyria” nga marsi në nëntor të vitit 1916. Ai është autor i shumë shkrimeve, nga mund të veçojmë “E shkuara dhe e tashmja e Shqipërisë”, që u konsiderua si e para punë në anglisht e shkruar nga një shqiptar.

    Kristo Dako, mësues dhe një nga figurat e lëvizjes së hershme nacionaliste. Ai është autor i “Albania, çelësi për në lindjen e afërt” botuar më 1919.

    Faik Konica (1876–1942), një ndër liderët më me influencë në komunitetin shqiptar të Amerikës. Botues i revistës “Albania” nga 1897–1909 dhe editor i “Diellit” nga 1909–1910 dhe 1921–1926. Ai është bashkëthemelues i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës më 1912. Ai ka qenë që nga viti 1926 deri më 1939 ministër i plotfuqishëm i Shqipërisë.

    Fan Stilian Noli (1865–1964) një ndër personalitetet më të rëndësishëm në SHBA dhe politikën shqiptare dhe kryesues i lëvizjes nacionaliste. Noli formoi kishën ortodokse shqiptare në Amerikë më 1908.

    Eftalia Tsina (1870–1953), është nëna e mjekes Dimitra Elia dhe ka qenë promotore e përhapjes së kulturës në botimet e saj. Më 1920 ajo themeloi të parën organizatë të gruas në Amerikë, të quajtur “Bashkimi”.

    Argëtimi
    John Belushi (1949–1982), aktor dhe komedian i njohur shumë për punën e tij origjinale në serialin televiziv Saturday Night Live “Të shtunat mbrëma live” (1975–1979). Po kështu, edhe filmat ku ka luajtur ai janë shumë të njohur.

    James (Jim) Belushi, vëllai i tij i vogël, është gjithashtu aktor shumë i njohur që ka depërtuar dhe në Hollivud. Filmat më të njohur të tij janë Mr. Destiny (1990) Only the Lonely (1991), (I vetëm i vetmuar) Ditari i Dhitmanit (1992) e shumë të tjerë.

    Stan Dragoti është producenti dhe drejtori më i spikatur në kinematografi e televizion dhe është drejtori i disa filmave shumë të njohur.

    Gazetaria
    Gjon Mili (1904–1984), fotograf i revistës “Life” (jeta) dhe shumë të tjerave që nga 1939. Punët e tij si fotograf ruhen në Muzeun e Artit modern në New York, librarinë Time-Life, Institutin e Teknologjisë Kembrixh dhe në bibliotekën nacionale të Parisit.

    Donald Lambro është shkrimtar, analist politik dhe reporter investigativ.

    Mjekësia
    Andre dhe Dimitra Tsina Elia janë pioniere në fushën e mjekësisë në komunitetin shqiptar. Andre Elia (1906–1991) u diplomua në universitetin e mjekësisë në Boston më 1935 dhe u praktikua në fushën e obstetrish-gjinekologjisë. Dimitra Elia (1906–1965) është e para shqiptare amerikane që praktikoi mjekësinë e përgjithshme në SHBA.

    Muzika
    Thomas Nasi, muzikant dhe kompozitor. Diplomohet në konservatorin New England për muzikë më 1918. Ai trajnoi korin e Kathedrales së Shën George në Boston... nga 1916–1918.


    POLITIKA
    Steven Peters (1907–1990) ka shërbyer si analist kërkimor në Departamentin e Shtetit amerikan më 1945 dhe në shërbimet e huaja më 1958. Ai është autori i “Anatomia komuniste e gllabërimit” (The Anatomy of Communist Takeovers) dhe në botimet zyrtare.

    Rifat Tirana (1907–1952), ekonomist në profesion dhe anëtar i stafit të Ligës Nacionale më 1930. Kur vdiq ai ishte me zëvendësshef i misionit të Agjencisë së Sigurimit në Spanjë.

    Bardhyl Rifat Tirana shërben si zëvendësshef i Komitetit të Inaugurimit presidencial nga 1976–1977 dhe drejtor i Agjencisë së Gatishmërisë së mbrojtjes civile nga 1977–1979.

    SPORTI
    Lee Constantine Elia është basketbollist dhe menaxher i Chicago Cubs nga 1982–1983 dhe i ekipit të Philadelphia Phillies nga 1987 më 1988.

    SHKRIMTARE
    Shqipe Malushi, poete, eseiste dhe specialiste e informacionit të mediave. Ajo ka publikuar disa reportazhe dhe artikuj në gazeta.

    Loretta Chase ka lindur në Worcester, Massachusetts dhe është një romanciere shumë popullore.

    Nexhmie Zaimi është autore e librit “Binjtë e shqiponjës” dhe “Autobiografia e një vajze shqiptare” botuar më 1937.

    Gazeta PANORAMA
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,205

    Për: Shqiptari i parë në tokën e premtuar që në vitin 1884

    Emigrantët e parë shqiptarë në Amerikë - "Shqiptarët e Amerikës"

    Korrik 2021 - TCH


    https://www.youtube.com/watch?v=aEkE_Els-R4

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,205

    Për: Shqiptari i parë në tokën e premtuar që në vitin 1884



    Akademikët shqiptarë në SHBA analizojnë rolin e diasporës në marrëdhëniet mes dy vendeve

    Zëri i Amerikës - VOA


    Shoqata për Studime Shqiptare në Shtetet e Bashkuara mbajti një diskutim me tema të ndryshme për të shënuar 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Tema të Ngjashme

  1. Roli i UNMIK në Kosovë
    Nga Hyllien në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 38
    Postimi i Fundit: 26-11-2009, 01:04
  2. Nacionalizmi si nocion dhe zbatimi i tij ne praktike!
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 14-09-2009, 17:27
  3. Shqiptari i ri
    Nga ZANOR në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 12-11-2008, 03:08
  4. Toka E Premtuar
    Nga sonnyinter në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 29-06-2005, 13:09
  5. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-08-2003, 11:16

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •