Prespë, zbulohet barka prehistorike 4000-vjeçare
Arkeologu Petrika Lera, autor i zbulimit, në një intervistë të posaçme për “Albania”-n. Ky zbulim do t’i paraprijë nisjes së kërkimeve të arkeologjisë nënujore
Roland BEQIRAJ
Në ujërat e Liqenit të Prespës, në fshatin Goricë e Vogël të rrethit të Korçës, është zbuluar një varkë prehistorike që i përket periudhës së bronzit të mesëm. Prof. dr. Petrika Lera, arkeolog, i cili është autor i këtij zbulimi, pohon për gazetën “Albania” se bëhet fjalë për një varkë druri prehistorike, e tipit monoksil, që u gjend e zhytur në ujë, jo shumë larg bregut të liqenit. Sipas prof. Lerës, ndonëse varka nuk ruhet me tërë madhësinë e parë, elementë të tjerë të saj janë mjaft të qartë, duke e bërë këtë zbulim unikal jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Bëhet fjalë për një objekt me moshë 4000-vjeçare, pra për një gjetje mjaft të rëndësishme, me vlera të mëdha historike, arkeologjike, shkencore e kulturore. Ky zbulim do t’i paraprijë kërkimeve të mëtejshme të arkeologjisë nënujore, të cilat duhet domosdoshmërisht të zhvillohen në të ardhmen në Liqenin e Prespës...
Si mbërritët deri te ky zbulim? Në vitin 1968, peshkatarët e fshatit Goricë e Vogël, që ndodhet në buzë të Liqenit të Prespës së Madhe, kishin nxjerrë nga liqeni, me rrjetën e rëndë të peshkimit, shumë copa enësh prej balte të pjekur, me forma dhe madhësi të ndryshme, si dhe mjaft kocka dhe brirë drerësh. E gjithë kjo lëndë e pasur arkeologjike, që i përkiste periudhës së bronzit të mesëm (gjysmës së parë të mijëvjeçarit të dytë p.e.s.), sinjalizonte për praninë në bregliqenin e Goricës së Vogël të një vendbanimi prehistorik. Prej këtyre zbulimeve, një vlerë të veçantë dhe unikale, të pambërritur deri tani në kërkimet tona prehistorike, e përbën gjetja në bregliqenin e Goricës së Vogël e një barke druri të tipit monoksilo. Kjo barkë u gjet e zhytur në ujë jo shumë larg bregut të liqenit, në hapësirën ku 40 vjet më parë ne patëm konstatuar praninë e një vendbanimi lakustër të bronzit të mesëm.
Cilat janë përmasat dhe gjendja aktuale e barkës? Ndonëse barka nuk ruhet në tërë gjatësinë e saj, elementët e tjerë përbërës janë mjaft të qartë dhe specialistët e fushës përkatëse mund ta plotësojnë atë me lehtësi. Në gjendjen aktuale, barka është e gjatë 3.55 metra, e gjerë 0.55 m. dhe e thellë 0.15 m. Kurse lidhur me moshën e kësaj barke, ne jemi të prirur ta dallojmë atë si të bronzit të mesëm, meqenëse materiali arkeologjik që vjen nga vendbanimi lakustër nuk është as më i vjetër dhe as më i vonë se bronzi i mesëm. Megjithatë, në procesin e restaurimit, konservimit dhe të analizës dendrokronologjike, së cilës do t’i nënshtrohet ky objekt, për ta bërë atë eksponat të vizitueshëm, do të fitohen vlera kronologjike më të sakta.
Sa vlera historike dhe studimore përbën kjo për rajonin tonë?
Siç e përmenda edhe më sipër, kjo ka një vlerë të veçantë dhe është unikale deri tani në kërkimet tona. Këtë e themi me bindje, sepse është rasti i parë që në rajonin e Ballkanit gjendet një objekt i kësaj periudhe, pra të lakustrës, të cilat kanë qenë vendbanime liqenore.
A janë të mjaftueshme studimet e deritanishme dhe çfarë do të bëhet më pas?
Njohuritë tona mbi vendbanimin lakustër të Goricës së Vogël apo dhe ato të zbuluara në bregliqenin e Ohrit, pranë fshatit Lin, do të jenë shumë herë më të plota kur ato të bëhen objekt i kërkimeve arkeologjike nënujore. Tashmë kjo ditë nuk do të jetë e largët mbasi në Institutin Arkeologjik këtë vit është krijuar dhe ka nisur nga puna Departamenti i Arkeologjisë Nënujore.
Thahet liqeni, shfaqen vendbanimet e lashta
Ka më shumë se tridhjetë vjet që në liqenet e Prespës vihet re një ulje e vazhdueshme e nivelit të ujit dhe kjo fazë tërheqjeje ka krijuar hapësira të konsiderueshme toke, të cilat shfrytëzohen sot nga fshatarët si toka bujqësore. Pikërisht në këto hapësira toke të liruara nga uji, në afërsi të fshatit Kallamas, në vendin e quajtur “Ishulli i madh”, prej punimeve bujqësore kanë dalë mbi sipërfaqe objekte të shumta arkeologjike, si copa enësh prej qeramike, vegla pune prej guri, mbetje arkitekturore, kocka kafshësh të imëta e të trasha, që dëshmojnë për vendbanime të lashta.
29 Qershor 2007 - gazeta albania
Krijoni Kontakt