Në përmbledhjen Luletë e verësë, Bukuresht 1890, ai u këndon bukurive të fshatit shqiptar në njëzet e tri vjersha me kumbim të plotë. Këtu filozofia panteiste e edukatës së tij bektashiane dhe ndikimi i fuqishëm i klasikëve persianë harmonizohen bukur me idealizmin atdhetar - një krijimtari letrare kjo në shërbim të qëllimeve të identitetit kombëtar. Ndër vjersha të tilla janë: Jeta, Koh' e shkuarë, Fyelli, Zëmëra, Të vdekuritë, Bilbili, Gjuha jonë, dhe Perëndija. Tipike për prirjen e re filozofike të letërsisë shqiptare që solli Naim Frashëri është vjersha e tij Shpreh:
"Kam shumë shpresë
Te Perëndija. Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.
Pa vjen një ditë Që të na sjellë
Të madhe dritë P'ajo të pjellë:
Qytetërinë, Fatbardhësinë.
Vëllazërija Edhe bashkimi
E njerëzija Është shpëtimi,
Lum kush t'arrijnë!
Pa do të vijnë.
Që Shqipërija Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak' e vërtetë! Pse rri e qetë?
Për Shqipërinë Ditët e mira
Paskëtaj vinë Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T'a shohë zonjë!
Se Shqipëtari E gjuh' e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t'a shohë
Për pakë kohë.
Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë."
Përmbledhja poetike Parajsa dhe fjala fluturake, Bukuresht 1894, e botuar së bashku me shkrimet moralizuese Mësime, Bukuresht 1894, dëshmuan lidhjen e thellë shpirtërore me heronjtë e së kaluarës dhe me traditat shpirtërore të Orientit, sidomos të mistikëve persianë.
Dy vjet më pas doli Iliadë e Omirit, Bukuresht 1896, përkthim shqip i librit të parë të Iliadës, të cilin Naimi e kishte pasë botuar të përkthyer turqisht dhjetë vjet më parë. Istori' e Skenderbeut, Bukuresht 1898, është një poemë epike historike prej 11,500 vargjesh që Naimi duhet ta ketë shkruar rreth vitit 1895, në periudhën e fundit krijuese, e që e shihte si kryeveprën e vet. Figura e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut (1405-1468), simboli dhe thelbi i qëndresës kundër sundimit të huaj, kishte një forcë tërheqëse të veçantë për intelektualët e periudhës së Rilindjes e për njerëzit e thjeshtë. Naim Frashëri nuk mund të gjente temë më të mirë për një poemë epike kombëtare se jeta e princit të merituar, që sprapsi trembëdhjetë fushata ushtarake osmane njëra pas tjetrës në shekullin e pesëmbëdhjetë e që mbrojti pavarësinë e vendit të vet derisa vdiq. Kjo biografi në rend kronologjik me njëzet e dy këngë e varg tetërrokësh, mbizotëruese në letërsinë gojore, u bë libri më i lexuar i letërsisë shqipe asokohe. Ajo përbënte dhe testamentin politik të poetit. Edhe pse është një vepër themelore e romantizmit kombëtar shqiptar të periudhës, Istori' e Skenderbeut nuk i qëndroi provës së kohës si poemë epike kombëtare. Ajo vuan nga po ato dobësi artistike që hasen në veprat e tjera të Naimit dhe në shumë vepra të letërsisë shqiptare të shekullit të njëzetë deri në ditët tona: retorika didaktike e moralizuese si dhe një ndarje e prerë bardhë e zi e protagonistëve në burra absolutisht të mirë e burra absolutisht të këqinj, të gjithë të mbledhur në një re gri sentimentalizmi që të këput shpirtin.
Një vepër tjetër me përmasa të tilla, e botuar në një vit me Istorinë e Skenderbeut është Qerbelaja, Bukuresht 1898, një poemë epike fetare shiite me njëzetepesë këngë, që flet për betejën e Qerbelasë në Irak në vitin 680 të erës sonë, ku u vra Huseini, nip i profetit Muhamed. Ndryshe nga Istori' e Skenderbeut, Qerbelaja është një poemë narrative pa ndonjë hero ose personazh kryesor. Ndoshta ka marrë deri diku si model poemat islamike në gjuhën shqipe të paraardhësve të tij - Myhtarnamenë, 1868, të Shahin bej Frashërit, dhe Hadikaja, 1842, të Dalip Frashërit, të dyja të pabotuara - ndonëse letërsia fetare turke e persiane do t'i kishte dhënë poetit fetar prototipa më të plotë. Për shkak të temës krejtësisht fetare, Qerbelaja kurrë nuk gëzoi atë popullaritet që pati ndër lexuesit shqiptarë të shekullit të njëzetë Istori' e Skenderbeut. Këtu mund të vihen re shumë elemente të botëkuptimit fetar të Naim Frashërit, sidomos panteizmi mbi të cilin ai përsiatej në vargjet e Fletores së Bektashinjet. Në këngën e fundit të Qerbelasë, për shembull, lexojmë:
"Besojmë Zotn' e vërtetë
Q'është gjithësija vetë,
Pa atë s'ka vënt gjëkundi,
Ajy 'shtë kreji dhe fundi.
Më ç'do anë, që shikojmë,
Fëtyrën' e tij vështojmë,
E tërë ç'është kjo jetë,
Ësht' ay Zot' i vërtetë!
Luletë, që lulëzojnë,
Bukurin' e tij tregojnë,
Ajy është trëndafili,
Ajy vetë dhe bilbili,
Po kur desh Zot' i vërtetë
Të dil faqeza në jetë,
Ahere bëri njerinë."
Me rëndësi të madhe për të njohur sektin panteist të fshehtë bektashi është Fletore e Bektashinjet, Bukuresht 1896, e Naim Frashërit. Frashëri besonte se besimi liberal bektashí, me të cilin ai qe lidhur që në fëmini në Frashër, një ditë do të mbisundonte si fe e re e Shqipërisë (22). Përderisa ky besim i kishte rrënjët edhe në Kuranin mysliman, edhe në Biblën e krishterë, ai mund të përforconte unitetin midis njerëzve me fe të ndryshme. Fletorja përmban një paraqitje hyrëse të fesë bektashiane dhe dhjetë vjersha fetare që japin një tablo të rrallë për besimin e këtij sekti (23), i cili në shekullin e nëntëmbëdhjetë luajti një rol të rëndësishëm për mbijetesën e kulturës shqiptare, sidomos me përhapjen fshehurazi të librave shqip. Ajo fillon kështu:
"Bektashitë besojnë Zotn' e math e të vërtetë, Muhammet-Alinë, Hadixhen' e Fatimenë edhe Hasan e Hysenë. Të dy-mbë-dhet' Imamëtë që janë: Ali, Hasan, Hysen, Zejnel- Abidin, Muhamet-Bakir, Xhafer-Sadik, Musa-Qazim, Ali-Riza, Muhammet-Teki, Ali- Neki, Hasan-Asqeri, Muhammet-Mehdi. Kanë gjithë at' Alinë edhe mëmë Fatimenë. Besojnë dhe gjithë të mirët, që janë të par' e të pasdajmë. Se besojnë mirësinë dhe asaj i falenë. Pa si, besojn' e duanë këta ashtu dhe Musan' e Merjemenë dhe Isan' e shërbëtorët' e tija. Të parë kanë Xhafer-Sadiknë edhe plak Haxhi-Bektash-Velinë, q'është ng'ajo derë. Këta të gjithë kanë thënë: bëj mir' e mos bëj keq. Kësaj fjale i kanë prurë besë Bektashitë. E vërteta dh'e drejta edhe mëndja e urtësia dhe gjithë mirësitë mbretërojnë në kët' udhë. Bes' e Bektashive është një udh' e gjerë, që ka përpara dritë urtësinë, vëllazërinë, miqësinë, dashurinë, njerëzinë edhe gjithë mirësitë. Me nj'anë ka lulet' e diturisë, m'anët tjatër të së vërtetësë. Pa dituri e pa të vërtetë dhe pa vëllazëri s'munt të bënetë njeriu Bektashi i vërtetë. Ngaj Bektashinjet gjithësia është vetë Perëndija."
Me gjithë këtë lloj panteizmi e universaliteti, bindjet bektashiane të Naim Frashërit kanë një ngjyrë të fortë kombëtare: "Nukë vetëm në mest të tyre Bektashitë, po dhe me gjithë njerëzinë janë vëllezër' e shpirt. Duanë si shpirtin' e tyre dhe të tjerëtë mysliman' e të krishterë dhe shkojnë mir' e bukurë me gjithë njerëzinë. Po më shumë duanë Mëmëdhenë edhe mëmëdhetarët, që kjo është m'e mirë nga gjithë të miratë... Të përpiqenë dit' e natë për atë
__________________________________________________ _________________
22 kr. Plasari 1993.
23 Pas ndalimit të të gjitha sekteve të dervishëve në Turqi në vjeshtën e vitit 1925, bektashinjtë e transferuan selinë e tyre qendrore në Tiranë dhe themeluan një bashkësi fetare të pavarur, që vazhdoi deri në vitet pesëdhjetë. Kjo bashkësi u shpërnda më 1967, kur një dekret qeveritar ndaloi të gjithë veprimtarinë fetare në Shqipëri. Pas heqjes së këtij ndalimi, më 27 janar 1991 u krijua në Tiranë një komitet i përkohshëm për ringjalljen e bashkësisë bektashiane. Fletore e Bektashinjet ende mungon në botimin e fundit në Tiranë të veprave të Naim Frashërit, Vepra të zgjedhura 1-2 (Akademia e Shkencave, Tiranë 1980, 1985), por është në vëllimin 2 të botimit në Prishtinë, Vepra 1-8 (Rilindja, Prishtinë 1986). Dy teqe bektashinjsh ishin ende në aktivitet në fund të periudhës së diktaturës, ndonëse të dyja jashtë Shqipërisë: një në Gjakovë dhe një në Taylor, afër Detroitit në Miçigan (SHBA).
__________________________________________________ _________________
Krijoni Kontakt