Importuesit, shkak rritja e “arit të zi” në bursat ndërkombëtare. Ja ndryshimet gjatë viteve të karburanteve
Çmimi i naftës rritet me 5 lekë
Eurodiezel shkon në 130 lekë/litri, nafta “D2” 120 lekë/litri
Fabiola Çela
Çmimi i karburanteve në të gjitha pikat e tregtimit ka pësuar një rritje deri në 5 lekë për litër.
Çmimi i naftës eurodiezel ka arritur në 130 lekë për litër, ndërsa i naftës “D2” ka arritur në 120 lekë. Prej disa ditësh, të gjitha pikat e tregtimit të karburanteve në kryeqytet kanë rritur çmimet, duke pasqyruar rritjen e naftës në tregun botëror. Sipas tregtarëve, importimi i sasive të reja të karburanteve ka ardhur sipas strukturës së çmimeve aktuale në tregjet ndërkombëtare të naftës, për shkak të rritjes së tyre në bursat botërore. Ndërkohë që për vetë konjukturën e tregut vendas çdo luhatje e çmimit në tregjet ndërkombëtare reflektohet në tregjet vendase.
Çmimet
Çmimi i karburanteve gjatë ditëve të fundit ka pësuar një rritje prej 5 lekë për litër. Importuesit e karburanteve pohojnë se në tregun e brendshëm po reflektohen çmimet e tregut ndërkombëtar dhe se ata po mbajnë marzhe fitimi të njëjta si më parë. Çmimi i naftës “D2” varion nga 115-120 lekë për litër, çmimi i naftës “D1” (eurodiezel) 120-130 lekë për litër. Nuk është hera e parë që çmimi i karburanteve pëson rritje. Çmimi i karburanteve është më i lartë së në tregjet e vendeve fqinjë, për shkak se tregtarët shqiptarë të karburanteve kanë kapacitete të vogla depozituese si dhe transportuese, çka i detyron ata të blejnë në tregjet e huaja të pakicës së karburanteve. Efektet negative të këtij tregu të dobët pasqyrohen në rritjen më të lartë të çmimit të karburanteve në tregjet e vendit. Rritja e çmimit të naftës do të ndikojë në ekonominë shqiptare, veçanërisht në sektorin e transportit, në bujqësi dhe mbi bizneset e vogla.
Vendimi
Një vit më parë, qeveria mori vendimin për të liberalizuar dhe thjeshtuar më tej procedurat për dhënien e licencave të tregtarëve të karburanteve, me qëllim shtimin e këtyre operatorëve të rinj në këtë treg. Në këtë mënyrë synohet që të rritet konkurrenca ndërmjet këtyre subjekteve, për të eliminuar monopolet dhe vendosjen e ekuilibrave në çmimet e karburanteve. Aktualisht në Shqipëri operojnë rreth 6 importues vendas, ndërsa dy importues të tjerë janë grekë. Por kompanitë vendase zënë rreth 70-80 për qind të sasisë së naftës që importohet.
Viktor Nushi: Çmimet u rritën si rrjedhojë e tregut botëror
Shkak për rritjen e çmimit të naftës në vend është ndryshimi i çmimit në tregun botëror. Përfaqësuesi i Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi, ka deklaruar se rritja e çmimit të karburanteve në tregun vendas ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së çmimit të naftës në tregun botëror. Sipas tij, rritja e çmimit të naftës në tregjet botërore ka nisur që në fillim të muajit maj, aktualisht një fuçi naftë kuotohet me 71 dollarë. Nushi është shprehur se e gjithë sasia e karburanteve që po tregtohet në vend është importuar me çmime të larta, pasi është i tëri furnizim i ri. “Deri para disa ditësh në treg ishin karburantet, të cilat ishin importuar me çmime të ulëta, prandaj dhe çmimet u mbajtën në të njëjtat nivele për një kohë të gjatë. Ndërsa tani në treg është karburanti që është importuar gjatë ditëve të fundit”, është shprehur Nushi.
Nako: Taksa përmes një sistemi të bazuar në deklarimin personal
LSI: Taksa e sheshtë në kuadrin e reformës fiskale
“Taksa e sheshtë” e propozuar nga qeveria ka qenë dje objekt i një tryeze të rrumbullakët që ka organizuar Lëvizja Socialiste për Integrim me grupe të ndryshme interesi dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi që aplikimi i kësaj takse të mos jetë një reformë e dështuar. “Mënyra e aplikimit të kësaj takse nuk duhet të jetë një reformë e dështuar dhe që mund të sillte një faliment edhe të financave dhe të buxhetit të shtetit, për arsye të mungesës së vizionit apo të mungesës së përgatitjes së duhur për ta implementuar atë në mënyrë që t’i shërbejë zhvillimit ekonomik”, tha Meta. Ndërkaq, duke paraqitur qëndrimin e LSI për “taksën e sheshtë”, anëtari i kryesisë së LSI, Sokol Nako, rikujtoi se “LSI-ja në kuadër të këtij debati, i rikthehet edhe njëherë propozimit të saj për aplikimin e kësaj takse në platformën elektorale të zgjedhjeve të 3 korrikut”. “Për aplikimin e “taksës së sheshtë” dhe ndërhyrjet që qeveria parashikon të bëjë me ligjin “Për të ardhurat personale”, do të theksoja se është e domosdoshme që ky tatim që në mënyrë pasive derdhet nga punëdhënësit të kthehet në një tatim i cili vilet mbi bazën e deklarimit personal të tatim-paguesit. Pra duke bërë këtë ndryshim radikal hapen mundësi të shumta, sepse në një sistem të bazuar në deklarimin personal, mund të operohej në një mënyrë shumë elegante me shumat që përjashtohen ose zbriten nga e ardhura bruto e këtij tatimi dhe të cilat mund të reflektonin shumë mirë situatën sociale dhe familjare të këtij tatim-paguesi”, tha Nako. Sipas Nakos, një sistem i tillë do të ndihmonte dhe në politikat e çdo qeverie për të luftuar papunësinë. “Çdo qeveri ka politika të shpallura për mbështetjen e shtresave në nevojë të prekura nga fenomeni i papunësisë. Për më tepër mund të shfrytëzohet ky rast, pra i kalimit të sistemit të deklarimit personal, dhe për njohjen e disa prej shpenzimeve që kryejnë tatim-paguesit në një nivel personal kundrejt paraqitjes së faturës duke ushtruar një presion indirekt mbi subjektet e biznesit, ku dimë që informaliteti është i madh në fshehjen e deklarimit të shitjeve apo xhiros”, tha Nako. Sipas tij, “ulja e nivelit të shkallës tatimore duhet të jetë shumë e kujdesshme. Ne kemi propozuar si fillim një masë 19 për qind që përbën vetëm 1 për qind ulje, për të parë efektet në vitin e parë dhe të dytë në aplikimin e saj”. Në tryezën e djeshme, Gjergj Buxhuku, kryetari i Konfindustrisë, shprehu vlerësimin për LSI në këtë angazhim që ka ndërmarrë, që si një forcë politike shumë e rëndësishme në vend jo vetëm që kundërshton atje ku mendon që duhet kundërshtuar, por njëkohësisht ajo që është shumë e rëndësishme jep alternativë konkrete. Kuptohet që për çështje të tilla është për t’u vlerësuar imitimi i një debati të tillë, ku personalisht do të kërkoj edhe vazhdimin e këtij bashkëpunimi të mëtejshëm.
19 per qind
është propozimi i LSI-së për “taksën e sheshtë” nga 20% që është sot, që përbën vetëm 1 për qind ulje, për të parë efektet në vitin e parë dhe të dytë në aplikimin e saj
10 per qind
është propozimi i qeverisë për “taksën e sheshtë” për të gjitha pagat e të punësuarve, të cilët do të kontribuojnë në buxhetin e shtetit, taksë që është konsideruar si taksë varfëruese
© 2003 Gazeta Panorama
Ruaj Lidhjet