“Më vjen keq” Las Vegas, por ca gjëra nuk mund të mbeten sekret...

Nga Nga Gjekë Marinaj,
Las Vegas, Nevada


Piktorët shqiptarë Nikolet Vasia dhe Shpresa Beqiri janë vlerësuar në mënyrë të veçantë, jo vetëm nga ekspertët e artit, por edhe nga publiku i Las Vegas-it

“Më vjen keq” Las Vegas, por ca gjëra nuk mund të mbeten sekret...

Me hapjen e ekspozitës së piktorëve shqiptar Shpresa Beqiri dhe Nikolet Vasia, qyteti i Las Vegas-it si gjithmonë ka fituar më shumë se sa ka humbur. Këtë herë nuk është fjala për lojërat tradicionale të bixhozit, megjithëse koncepti i shansit është shfaqur në vendimin që ka marrë Universiteti i Nevadës, në Las Vegas, për sjelljen e tyre nga Shqipëria në Amerikë. Njohja e kufizuar që Amerikanët kanë për artin shqiptar, si dhe mosnjohja e dy artistëve durrsakë, e kanë gjetur Dr. Robert Tracy (profesor i Historisë së Artit dhe të Arkitekturës) të përfshirë në ligjet e logjikës.

Nuk do të ishte fare kështu sikur besimi që ai i kishte thënë kolegut të tij shqiptar Pirro Dollani (Departamenti i Filmit) të ishte fundi i merakut. Edhe Pirroja që e njihte mirë artin e miqve të tij nga Shqipëria ka përjetuar ethet e probabilitetit se a do të ndjeheshin të “firuar” me investimet financiare që administrata e universitetit kishte bërë për vënien në jetë të këtij projekti. Por, shumë shpejt të gjitha palët e kuptuan se investimi në artin e vërtetë nuk del kurrë me humbje. Atëherë, mund të themi se ata humbën diçka të “çmuar” vetëm me mua si gazetar. E kam fjalën për këtë shkrim, i cili, si të thuash i thyen kodet etike të “qytetit të dritës” në thënien e tyre të njohur: “ato që ndodhin në Las Vegas, mbesin në Las Vegas”. Prandaj, “më vjen keq” Las Vegas, por ca gjëra nuk mund të mbeten sekret. Si mund të heshtja unë, një i ardhur nga Teksasi, kur njëri nga shkrimtarët më të çmuar, jo vetëm të Vegasit por të gjithë Amerikës, Dr. R. Baird Shuman, nuk e mbajti dot veten pa komentuar vlerat në pikturat e dy artistëve shqiptarë:

“Të shohësh një ekspozitë të punimeve të artit të dy bashkëshortëve shqiptarë Shpresa Beqiri e Nikolet Vasia, është si të ekspozosh veten tek një eksperiencë krejtësisht transfiksive. Gjerësia e punimeve nga ky çift artistësh të klasit Botëror, që të godet me energji dhe imagjinatë, është krejtësisht e habitshme. Pikturat e tyre përfshijnë një hijeshi të padiskutueshme të nudos, të ngjashme me ato të punës më të bukur të impresionistëve francezë. Në pikturën “Çift Malësorësh” të Vasisë, si dhe në disa nga pikturat e tjera surrealiste, figura njerëzore shfaqet me një delikatesë drithëruese të befasishme. Ato janë përfaqësime formale që të sugjerojnë punën më të mirë të Georges Roualt-it. Beqiri, në një pikturë si “Nëna që tjerr”, kap një delikati orientale që gjendet në një pjesë të mirë të punës së saj. Të dy artistët përdorin me autoritet ngjyra të gjalla, duke krijuar disa pëlhura që sugjerojnë xhamat të bojatisur dritaresh. Pikturat e këtyre artistëve qëndrojnë si testamente të padiskutueshme që afirmojnë sensibilitetin e veçantë artistik të tyre.”

Ky koment është i rëndësishëm, jo vetëm për përmbajtjen, por më tepër që vjen nga një autor i mbi 45 veprave letrare e antologjike, nga një biograf e kritik i shquar në fushën e letërsisë dhe artit, nga autori i librit të titulluar “Georgia O’Keeffe” (1993), si dhe nga një nga profesorët më të respektuar të Universitetit të Illinois në Urbana-Champaign.

Ai, gjithsesi, ka të drejtë. Vasia nuk kënaqet vetëm me formën gjeometrike të elementeve në pikturat e tij, apo me ngjashmërinë kulminante që portretet e tij kanë me subjektin. Ai është ndër artistët e pakët shqiptar që i ka aftësitë për ndërruar nga një stil, nga një subjekt, apo nga një medium tek tjetri, për t’iu përshtatur botës imagjinatave dhe mendimeve që ka për secilën pikturë që kryen.

Ajo që gjejmë të rëndësishme në linjën paradoksale të subjekteve të artit të Vasisë na e ngushton diapazonin e shprehjes. Si nga simbolizmi ashtu edhe aspekti ekspresiv pikturat e tij konsiderohen si pjesë të pandashme të realitetit ndër të cilin janë kompozuar. Në punën e të dyve gjejmë atë pjesë të kundërt të vetvetes që pavarësisht nëse është trajtuar direkt, apo tërthorazi gjithçka varet nga këndi analogjik që i japin eksperiencës së krijuar nga artisti. Por në fund, art mbetet ai që është art. Dy artistët shqiptarë sot ngjiten tek një nivel i ri kreativiteti, ku përveç metaforave të fshehura përmes vijave të penelit, mundën të gjenin një mënyrë që të shfaqet bukuria artistike, mundësia dekorative, kënaqësia vizuale dhe temperatura e përshtatshme e ngjyrave. E pyetur, nëse Amerika i frymëzon apo i demoralizon ata si artistë, ngaqë kanë jetuar në një realitet krejt tjetër, Beqiri përgjigjet: “Megjithëse nuk mund të themi se e njohim Amerikën, janë vetëm tre ditë, zhurma, jeta e dinamizmi që ka Amerika na entuziazmuan pa masë.”

Michel Hugo për Nikolet Vasinë

Entuziazmi është reciprok edhe për Amerikanët ndaj punës së tyre. Michel Hugo, një nga ish-drejtorët më të shquar të fotografisë në Hollyëood, i cili ka bërë mbi 60 filma në degën e tij, i njohur edhe si regjisori i serive televizive si “Dinasty”, “Melrose Place” etj, dha këtë mendim rreth punës së tyre: “Nikolet Vasia të ofron aq shumë sa e kam të vështirë të zgjedh. Stili dhe metodat e tij janë aq të larmishme sa secila pikturë ka vlerat dhe interesat e veta. Progresi i tij duket se ikën përherë e më shumë drejt abstraktes, duke rënë në gjurmët e Jackson Pollock dhe Sam Francis. Ngjyrat që përdor janë plot jetë, atraktive dhe abstraktimi i personazheve është magjepsës.”

Duket qartë nga pikturat e tyre se e para dhe më e rëndësishmja është kërkesa e tyre ndaj vetes që arti që krijojnë të jetë i kuptueshëm të paktën në anën sipërfaqësore nga publiku. E dyta, ata po konsiderohen të suksesshëm si artistët të huaj (këtu në Amerikë) sepse kanë sjell me vete punime që kanë një interes universal. Edhe format që përdorin, idetë dhe subjektet që janë akoma të panjohura për spektatorin e huaj, dalin në sipërfaqe me një entuziazëm dominues kundrejt formave që e kanë fituar (apo humbur) vendin e tyre në historinë e deritanishme të artit. Dhe, në secilin rast, krijimet e tyre të reja po gjykohet se janë kompozuar me mendimin e arritjes në një kulm të caktuar në ecurinë e artit. Michel Hugo, ka mendimet e veta edhe për artin e Beqirit: “Pikturat e Shpresa Beqirit, kanë një naivitet të këndshëm. Kam ndjerë një influencë të fortë nga Modigliani të bashkuar me skenat e lezetshme të folklorit të vendit nga ajo vjen. Stili i saj evoluon ngadalë drejt një përdorimi më Moorish të ngjyrave të ndezura dhe të lirshmërisë së perspektivës.”

Ky është një observim interesant i Hugo-s nisur edhe nga mendimi se me gjithë nevojën për një farë modifikimi të drejtimit të tematikës dhe metodave krijuese që artistët bashkëkohor shqiptarë duhet t’i nënshtrohet, nuk duhet të themi kurrë se arti shqiptar ka pësuar ndonjë farë shkëputje nga jeta. Shumë nga ndjenjat njerëzore, shqetësimet shoqërore, veçoritë individuale të shijeve artistike, si dhe arsyet që të shtyjmë drejt një “shpërthimi” shpirtëror, ekzistojnë në të njëjtën vorbull jetësore si për artistët Beqiri dhe Vasia, ashtu edhe për publikun që ata krijojnë. Kjo është padyshim një nga arsyet që sidomos Vasia u prit me kaq entuziazëm, jo vetëm nga ekspertët e artit, por edhe nga publiku Amerikan i Las Vegas-it. Geanne Gorman është pjesë e këtij publiku: “Artistët tuaj, Vasia dhe Beqiri, janë shumë të pasionuar. Unë dëshiroj të blej diçka nga arti i tyre, sepse ai më ngroh sa herë që e shikoj. Kam përshtypjen se sa herë që të kthej sytë do të gjej disa kualitete të reja artistike në punimet e tyre.”

Me kësisoj admiruesish si Geanne-a, është e vështirë të besohet që Vasia dhe Beqiri janë formuar si artistë në Shqipëri. Me gjithë përpjekjet e profesorëve dhe të artistëve për të mësuar prej tyre, kushtet praktike dhe teorike të përsosjes së profesionit të piktorit, duhet pranuar që kanë qenë të kufizuara. Por puna e tyre e paraqitur në këtë ekspozitë tregon se atyre nuk u mungon asgjë në krahasim më piktorët më të mirë amerikanë. Por ata kanë gjetur mënyrat e tyre... Ja mendimi i Shpresës: “Ne të gjitha vendet e botës i njohim kryesisht nëpërmes artit. Kjo njohje na ka shërbyer si një lloj eksperience, një lloj para-përgatitje, për kudo që shkojmë nëpër botë. Kur kemi qenë në Spanjë, bie fjala, kemi pasur një njohje të plotë për artin spanjoll. Pra e kemi plotësuar nga larg atë pjesë të botës artistike që nuk e përfshinte fusha jonë”

Ekspozita vlerësohet nga ekspertët e artit


Është e rëndësishme të cilësojmë se ekspozita e përbërë nga 18 piktura (nga nëntë për secilin) u vlerësua nga ata që janë ekspertë në fushën e artit. Natyrisht edhe nga publiku, por ne të gjithë jemi të gatshëm të japim gjykime për artin (të paktën në vetvete kur blejmë një pikturë), por jo të gjithë e kuptojmë si duhet atë. Nëse Vasia dhe Beqiri, nuk e kanë gëzuar një vlerësim të tillë, fjala bie në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër të Evropës, kjo ka të bëjë më pak me artin e tyre dhe më shumë me faktin se arti është i vështirë që te kuptohet plotësisht, gjë që kërkon shumë më tepër talent dhe përgatitje për të qenë një gjykues i mirë i artit sesa për të qenë një gjykues i miri i gjërave të tjera në jetë.

Nikoleti thotë: “Kjo është një eksperiencë që nuk e kemi provuar më parë. Në të gjitha rastet që kemi bërë ekspozita, kemi pasur të bëjmë me publikun dhe me individë të interesuar për artin, por këtu kemi gjetur marrëdhënie aq të afërta, aq çiltra sa që të tilla mund të ndodhin pikëshit këtu në Amerikë, si askund tjetër.” Edhe kjo nuk është për t’u çuditur. Këtë herë interesi i njerëzve të kualifikuar, studentëve, dhe pedagogëve për të mësuar diçka nga stili i tyre, motivet që kanë, natyrën e miteve që sjellin në art, një farë koncepti që nuk kuptohet plotësisht, me domosdo, prej tyre, i vuri artistët në një rrafsh kënaqësie të paprovuar më parë: “Ne të dy jemi mësues në lice, dhe pedagogu gjithmonë komunikon me nxënësit, por kjo ishte një lidhje e një lloji krejt tjetër me spektatorin. Gati gjithçka si e barabartë, si miq, dhe ambjenti i njohjes për artin këtu është i çuditshëm,” shton Vasia.

Rëndësia artistike e punës së tyre sillet rreth elementeve të tjera si fuqia ekspresive, natyra e brendshme dredhur në pikturë, gjallëria e ngjyrave, si dhe zhvillimi shpirtëror që sjell jetë aty. Nuk është një shfaqje se si artisti ndjehet ndaj vijave të drejta apo të thyera që integrohen në ndihmë të kompozimit së pikturës, por më tepër se si ata ndjehen ndaj jetës, ndaj perceptimeve që publiku i tyre ka në qenien e vet jetësore, në të cilën ata vetë mund ose nuk mund të bëjnë ndryshime.

Këtë ndjenjë përgjegjësie dhe profesionalizmi e vuri re edhe redaktori i seksionit të kulturës së gazetës kryesore të qytetit Las Vegas Sun (Dielli i Las Vegas-it)Tom Gorman: “Mendoj se Shpresa sjell një sensivitet të qëndrueshëm në punën e saj, gjë që e vlerësova—sidomos pjesën e gjinjve. Ndërsa Nikoleti bie diçka më të errët, por një punë vërtet të mirë, por unë jam më i tërhequr nga forma femërore, pra vlerësoj formën trupore të femrës në pikturat Shpresës.”

Në Universitetin e Nevadës

Për dy ditë Vasia bëri dy portrete para studentëve të Uiversitetit të Nevadës. Në vetëm dy orë kohë, për çudinë e të gjithëve, arriti të befasojë jo vetëm studentët dhe profesorët, por edhe publikun që kishte ardhur për ta parë atë gjatë punës. “Vetëm dy të prekura të panelit mbi pëlhurë dhe kemi një sy të plotë,” tha njëri nga shikuesit. Këtë entuziazëm ia shprehu piktorit tonë edhe dekani i universitet Dr. Jeff Koep: “Uau! Më ke kapur thelbin e shpirtit, dhe për një kohë kaq të shkurtër e ke hedh atë në basme me të gjitha vlerat që ka!” E pse jo, ata e kanë bërë këtë duke ja dedikuar botës së artit diturinë e tyre: gjysmën e kohës nëpërmes imagjinatës dhe gjysmën tjetër nëpërmes intelektit. Ndaj ky demonstrim qe një kënaqësi e vërtet për Vasinë, i dha mundësinë të mësojnë studentët edhe në Amerikë. Ja se si shprehet në lidhje me këtë aspekt Dr. Robert Tracy: “Ne e pamë Vasinë duke derdhur shpirtin e tij nëpërmes fuqisë së panelit në basmë. Çfarë ndjente në zemër e çfarë mendonte në kokë e përktheu nëpërmes krahëve, duarve dhe penelit në portrete, në pikturë.”

Edhe disa nga studentët reaguan ndaj shkathtësisë së piktorit për të sjellë në jetë diçka aq artistike në një kohë vetët të shkurtër. Në kësisoj rrethanash Vasia u demonstroi amerikanëve se si duart dhe paneli janë një zgjatje e shpirtit të tij të brendshëm. Por parë nga një anë tjetër, Vasia nderoi jo vetëm veten dhe Shqipërinë, por edhe përkthyesin Pirro Dollanin, i cili u kishte premtuar kolegëve se sjellja e këtyre dy artistëve në Universitet do të ishte një investim pozitiv. Duke e ditur këtë pyeta: Dr. Tracy, ju mund të sillnit dikë nga një shtet amerikan, nga Teksasi apo Oklahoma, por vendosët të sillnit dy artistë nga një tjetër kontinent, nga Shqipëria. A mendoni se e ka justifikuar investimin e Universitetit tuaj dhe besimin tënd dhe të Prof. Dollanit arti i tyre? “Nuk mund të vësh një çmim në krijimtari, nuk mund të vesh një çmim në shpirtin krijues, në pasionin e një artisti për punën e tij. Arti i këtyre dy artistëve kalon përtej kufijve, përtej kulturës, përtej politikës, përtej vlerave artistike që mund të prisja prej tyre,” u përgjigj ai.

Pikturat e Nikolet Vasisë

Ajo që e bën Nikolet Vasinë mjeshtër të artit, është arritja e një ekuilibri artistik midis influencave të ndryshme të rrymave dhe metodave krijuese në pikturë. Në një nga punimet e tij, të vitit 1993, titulluar “Dhoma e refugjatëve” (40.5 x 50.5 cm) Vasia arrin të venë në fokus figurën e një refugjati, i cili përdor krevatin e tij në vend të karriges për t’i dhënë fund një sahani me ushqim që mbanë në dorë. Rreth dy metra përballë tij janë karriget dhe tavolina e dhomës, të shkëputura nga detajet sipërfaqësore, që prehen në një heshtje të përafërt me figurën e lodhur të refugjatit. Pas tij, një refugjat tjetër që fle në krevatin e vet, i dalë pothuajse krejtësisht nga fokusi, jepet po aq jashtë vendit, po aq i varur në cep të jetës sa ç’janë rrobat e tij të varura në gozhdët e ngulura aty-këtu nëpër murin bojë roze, përball derës së dhomës së vogël. Të gjitha këto elemente plotësojnë atë pjesë të rëndësishme të artistit që është mundësia për të dhënë shtresa të tjera mendimi punimit...

Edhe pikturat me interes historik, që regjistrojnë në pëlhurë fatet dhe fatalitetet e popullit shqiptar në një periudhë të caktuar kanë luajtur dhe luajnë një rol të veçantë në formimin dhe reputacionin e Vasisë si piktor. Përveç pikturës “Dhoma e refugjatëve” do të shtoja edhe një pikturë tjetër të jashtëzakonshme të titulluar “Homazh për Kosovën”. Kjo pikturë është një shembull i pashoq se si peneli i artistit mund të fusë në një atmosfere artistike nga ku e ke të vështirë të dalësh. Ajo është një pikturë që e përfaqëson imazhin e Kosovës në nivele të çuditshme artistike. Kjo pikturë është një reagim artistik spontan i artistit, një ndjenjë e “rrezikshme” personale, një ekspresivitet drithërues. Në njërën anë të jep përshtypjen sikur Vasia i ka derdhur bojërat e vajit, të zezën, të kuqen, të verdhën dhe blunë direkt në gojën e tij dhe ua ka dhënë flakën me zjarrin e brendshëm të dhimbjes për Kosovën, pastaj me të gjithë forcën e ndjenjave prej artisti dhe prej shqiptari e ka përplasur në pëlhurën përballë tij, duke e menduar atë si fytyrën e botën që heshti aq gjatë para Kosovës. Por ne anën tjetër, ajo është një pikturë që duket se nuk është bërë me bojë vaji, por me ngrohtësinë e lotëve të autorit dhe të kombit të tij. Ajo ngjan si një pasqyrë ku shpirti i artistit i ka përzier ngjyrat, jo mendja e tij. Me tej, të duket se në një gjendje gati komo të artistit, boja e vajit është derdhur mbi pëlhurë pa vetëdije, dhe ka marrë format dhe pamjen përfundimtare nga një fenomen hyjnor, që zakonisht është i njohur vetëm nga artistët e vërtetë. Piktura “Homazh për Kosovën” është një pikturë që, për fat të mirë ka lindur një here, por që nuk ma merr mendja se mund të riprodhohet më në ketë nivel artistik, as nga vetë Vasia, as nga piktorët e tjerë, kushdo qofshin ata.

Pikturat e Shpresa Beqirit

Po kështu, edhe pikturat e Shpresa Beqirit na ofrojnë një mënyrë krejt të re për ta parë formën trupore të femrës. Punimet e saj tregojnë se ajo e njeh mirë rëndësinë e forcës së efekteve vizuale në art. Ajo përdorë penelin e saj si çelës për tu futë te bota femërore dhe për të bërë ndryshime artistike pa e cenuar fare moralin femërorë që gjen aty. Përkundrazi. Ajo e idealizon femrën duke “luajtur” me pakëz humor me gjendjen psikologjike të meshkujve. Ajo është e njohur me idenë se, disa meshkuj, që në kontaktin e parë me femrat e rritura, para se t’i japin shansit vetes për tu njohur mendjet, shpirtin apo cilësitë e tjera femërore të tyre, fillojnë t’i zhveshin me sy ato që nga gjoksi e deri tek këmbët. Falë natyrës së artistes, duke qenë gjithmonë një hap përpara spektatorit të saj, ajo u sugjeron meshkujve në fjalë që ti ruajnë vështrimet dhe vëmendjet për gjëra më serioze, duke e bërë ajo vetë ketë “zhveshje”, gjer në nivelin nudo, për ta. Madje edhe kur subjektet e saj janë të veshura si për shembull “Mirditorja” (35 x 50 cm. Vaj, 2003) ajo ua lë sisët krejtësisht të zbuluara. Këto janë vetëm ana humoristike dhe erotike e artit të saj, natyrisht.

Sepse duke e njohur misionin që ka, si dhe kontributin a madh të femrës tek humanizmi, si nënë, si motër, si grua, si shoqe ajo e ngre figurën e gruas në një piedestal në mos hyjnor të paktën mitologjik. Në disa raste si në pikturën e titulluar “3 Nuset” (50x40 cm. Vaj, 2000) ajo i portretizon femrat me një ekzagjerim moderet të syve, buzëve dhe njomësisë së përgjithshme të fytyrës. Për efekte artistike sa më të pranueshme ajo përdor një stil të quajtur fauvizëm duke u mbështetur fort mbi vlerat e së shndritshmes në pikturë duke venë në kontrast ngjyrat dhe thjeshtësinë e formës. Që te mos largohemi nga koncepti i gjinjve të femrës që në artin e Beqirit jepet si një akt krejt njerëzor, si një organ trupor që ka për mision primar zhvillimin e jetës, po i referohem për lexuesin pikturës me titull “Nëna që tjerr” (55x45 cm. Vaj, 2002). Kjo pikturë si kategori e observimit kërkon që ne të përcaktojmë se ku na pozicionon artistja si spektatore në artin e saj. Këtu Beqiri përdorë një formë në të cilën ideja origjinale (është rëndësia e rolit nënë dhe meditimi i saj femëror për jetën) dhe procesi me të cilën ajo e prezanton atë, fitojnë një rëndësi më të madhe se sa ana e dukshme e pikturës. Subjekti, një grua e re, është vënë në qendër të pikturës, e ulur në gjunjët e hapur në atë mënyrë sa ajo përdor shputat e këmbëve të saj si stol. Në të majtë (në të djathtë të spektatorit) ka fëmijën e saj në djep. Ajo është kapur në një moment pune, duke tjerrë, pa u larguar asnjë centimetër fizikisht nga ajo që është preokupimi i saj kryesor. Fëmija, pra zhvillimi i mëtejshëm i jetës, ka aq rëndësi në shpirtin e saj saqë ndonëse e veshur, gjinjtë e saj qëndrojnë jashtë, si në rastin e Rozafës, si simboli me i madh i dashurisë dhe i gatishmërisë prej nëne ndaj fëmijës. Mirëpo, ajo që është me interesante këtu, është elokuenca e Beqirit si Artiste. Ajo përdor formën artistike për ta drejtuar spektatorin tek qëllimet autoriale. Elementet që përdor për ta arritur këtë, janë linjat e nënkuptuara dhe vijat që krijon forma gjeometrike, kompozimi i vijave të qilimit, boshti që mbanë në dorë, një mobilim në formë drejtkëndëshi nën perdet e dritareve në njërën anë, si dhe vijat e lakuara në rrobat e figurës qendrore, ato të vizatimit në djepin e fëmijës, mbulesa mbi pjesën e ngritur në fund të dhomës, si dhe format organike të dy trupave human, në anën tjetër. I gjithë ky planifikim artistiko-konceptual është aplikuar nga autorja vetëm për të përshkruar konceptet mentale ekzistuese në raport me realitetin femëror të kohës.

Pas tri ditësh të suksesshme në Las Vegas

Pas tri ditësh të suksesshme në Las Vegas, miqtë nga Shqipëria u vunë në qendër të vëmendjes, këto orë, jo nëpërmes artit të tyre të pikturës, por nëpërmes artit të mikpritjes shqiptare. Pirro dhe Frida Dollani, shtruan një darkë, ku për nder të artistëve kishin ftuar një grup të vogël miqsh të familjes. Nga jeta intelektuale që bëjnë, kuptohet që miqtë e tyre ishin profesorë, doktorë, shkrimtarë, gazetarë etj...Nga ky art të huajt mësuan se shqiptarët kanë një kulturë universale që shtrihet përtej kufijve të talentit artistik, përtej aplikimit me rigorozitet të aftësive akademike, përtej hapësirës së zakontë shpirtërore.

“Pirro Dollani është filantropi më i madh që kam pasur fatin të njoh gjatë gjithë jetës sime,” thotë zonja Beqiri, tek i sheh dy portretet që burri i saj kishte bërë gjatë dy ditëve të para në Amerikë të bëheshin pjesë e pandarë e darkës... Pikërisht kjo shkëputje nga vetja, kjo dashuri për të vënë në pah arritjet e shqiptarëve të tjerë para arritjeve të veta, i bëri të ftuarit të mendohen. Kristene Peterson, një tjetër gazetare e kulturës pranë gazetës Las Vegas Sun, tregon hapur se ishte ndjer e gëzuar kur redaktori i gazetës (Gorman) e kishte ftuar në këtë darkë, sepse ishte shumë e interesuar për kulturat e tjera. “Nuk e prisja kënaqësinë që shqiptarët tregojnë me njëri-tjetrin dhe krenarinë që kanë për Vasinë dhe Beqirin në veçanti e artistët e shkrimtarët e tjerë shqiptar në përgjithësi. Ata luajnë, qeshin, bëjnë humor me shumë çiltërsi dhe me dashamirësi,” thotë ajo. Më vonë shtojë se e vlerësonte punën krijuese të dy artistëve në fjalë si një art shumë interesant, krejt të ndryshëm nga ato që ishte mësuar të shihte në Amerikë. Gjatë bisedave të saj të lirshme gjatë darkës krijova bindjen se pikturat e Shpresës në gjykimin e saj ishin më fluide, më sensuale, me një thellësi të madhe mendimi dhe të realizuara me një bukuri të plotë. Ndërsa punën e Nikoletit e përshkroi si më e organizuar, me matematike, me intensive në një aspekt krejt tjetër të bukurisë. Ndërsa Gorman me humor thotë se u gjet “i humbur në gjuhën shqipe” dhe se mendoi se qe “i lënë larg pas dore” e përfundon bisedën me këto fjalë: “vërtet u kënaqa me nivelin e sofistikimit të bisedave. Kjo mbrëmje ma ka ngritur nivelin e jetën në një bashkëbisedim që nuk e kam shijuar, veçanërisht te puna ime me gazetarët, ndoshta që nga koha që kam qenë student në kolegj.”

(Shënim: Ky shkrim botohet me disa shkurtime nga redaktori, për shkak të hapësirës që kemi në dispozicion. DH.H)