Emri:  art-big-67461.jpg

Shikime: 120

Madhësia:  8.3 KB

Në vazhdim të ciklit të emisioneve "Minoriteti grek në Shqipëri- emigrantët shqiptarë në Greqi- ura mirëkuptimi midis popujve" përgatitur nga Auron Dodi, vijon një reportazh nga fshati i Derviçanit, i Komunës së Dropullit

Nëqoftëse do të mësosh me të vërtetë se në ç'kushte jeton minoriteti grek në jug të Shqipërisë ja vlen të bësh një vizitë në fshatin e Derviçanit, të komunës së Dropullit. Derviçanin na e rekomandojnë edhe në Gjirokastër si një vend që dallohet ndër të tjera për restorante kualitative dhe cilësinë e kuzhinës. Dallimin e parë e vëren që pa hyrë brenda në fshat. Rruga që të çon për atje është e drejtë, e asfaltuar mirë dhe me shenja e tabela dygjuhëshe- një pamje që dallohet dukshëm përshembull nga ajo e rrugëve që të çojnë në Gjirokastër. Kolegët minoritarë grekë na thonë me shaka se pas disa vitesh Derviçani do të marrë emrin qytet, jo më fshat. Pamja e parë e fshatit na surprizon pozitivisht: shumica e shtëpive janë dykatëshe, të lyera me ngjyra të gëzuara. Këtë të diel që shkojmë në Dervican, në kishën e fshatit ka një shërbesë fetare. Atë e mban njëri nga tri peshkopët e sapoemëruar grekë në jug të Shqipërisë, ndaj godina e rinovuar e kishës është më se plot.

Në rrugët e Derviçanit sheh shumë grupe njerëzish: pjesa më e madhe të moshës së mesme dhe të moshuar, por edhe të rinj. Kur i pyesim për problemet dhe hallet që kanë si minoritarë, shumica në shikojnë të çuditur, pasi, sipas tyre, hallet që kanë ata janë si ato të të gjithë njerëzve, që jetojnë në Shqipëri. Kështu Foto, një pensionist na thotë:

"Jo nuk kemi probleme, kemi problemet jetike që ka e gjithë Shqipëria, nuk kemi ndonje problem të veçantë ne, të thuash që të na trajtonin ndryshe apo...Probleme që janë kur kalon nga një sistem në një sistem tjetër, ato kemi, probleme të përgjithshme që ka i gjithë populli i kemi edhe ne"

Jani, që ka qenë përpara kryekamerier në Gjirokastër dhe tani po pret të fillojë një punë të re, mendon njësoj si Foto:

"Nuk kemi përplasje me shtetin, bile kohët kanë ndryshuar dhe kanë ardhur kohë të tjera tani me fitoren e Partisë Demokratike në Shqipëri. Si gjithë shqiptarët edhe ne mundohemi të punojmë. Në përgjithësi nuk kemi probleme."

Pak më vonë, na zë syri një grup grash, me veshje tipike të dropullitëve, me shaminë e bardhë karakteristike rreth kokës dhe me fustane me ngjyra të errëta. Prej tyre, një nënë e moshuar na thotë se ka gjithë jetën që jeton në këtë fshat:

"Këtu lindëm, këtu banojmë tani dhe mirë jemi këtu"

...dhe se probleme nuk ka pasur:

"Jo shumë mirë jetojmë, kemi fëmijën, venë e vijnë, mirë jeshëm të gjithë..."

Marrëdhëniet me shqiptarët, sipas derviçanasve kanë qenë gjithnjë të mira dhe joproblematike janë edhe tani. Kështu gruaja e moshuar, kur e pyesim nëse ka probleme në kontakte me shqiptarët na thotë:

"Jo, s'kemi gjë,mirë jemi, jemi shumë mirë, vëllezër, mirë jemi."

Madje sipas saj marrëdhëniet me shqiptarët kanë qenë tradicionalisht të mira, kjo edhe në saj të karakterit të përmbajtur të minoritarëve

"Edhe atëherë mirë, edhe tani mirë jemi, jemi të urtë ne, nuk jemi..." (qesh)

Miqtë e familjes së saj janë jo vetëm grekë, por edhe shqiptarë, dhe këtu përkatësia fetare nuk luan asnjë rol:

"Kemi edhe mikë shqiptarë, edhe myslimanë, edhe ortodoksë, nëpër dasma, nëpër ndonjë vdekje, shkojmë, vemi"

Ngjashëm për marrëdhëniet me shqiptarët shprehet edhe pensionisti Foto:

"Unë për mendimin tim nuk shikoj ndonjë problem në marrëdhëniet me shqiptarët, as me myslimanët...ne kemi jetuar bashkë, bashkë kemi qenë. Kemi kaq vite që vemi në Greqi, po kaq shokë e miq shqiptarë sa kemi këtu, nuk kam në Greqi. Probleme që mund të jenë janë probleme që ka edhe shqiptari me shqiptarin, po jo të tjera"

Edhe Derviçani, si e gjithë Shqipëria është prekur mjaft nga emigracioni. Bashkëbiseduesit na thonë se rreth gjysma e fshatit janë emigrantë në Greqi. Por midis tyre ka edhe emigrantë që kthehen në fundjavë në shtëpi, meqenëse qyteti më i afërt grek, Janina është vetëm një orë larg me makinë nga Derviçani. Jani, ish-kryekamerieri në Gjirokastër na thotë se emigracioni ka ndikuar pozitivisht në mirëqënien e Derviçanasve:

"Ka ndihmuar shumë emigracioni. Çdo familje këtu i ka njerëzit në Greqi. Ka familje që i kanë njerëzit në Greqi, të gjithë. Ka edhe emigracion të afërt këtu, shumica punon në Janinë dhe kthehen nga Janina, çdo të premte, çdo të shtunë, siç i kanë problemet"

Pensionisti Foto e ka praktikuar shpesh vajtjen dhe ardhjen në Janinë, në kërkim të punës, të cilën jo të gjithë e gjejnë në Shqipëri:

"Dal në Greqi, shkojmë e vijmë, ca ditë jemi këtu, ca jemi andej, në kërkim të punës të gjejmë, ajo është kryesorja, puna akoma nuk është e siguruar"

Një nga grupmoshat që e ndiejnë më fort papunësinë është padyshim rinia. Oresti, një i ri që ka studiuar informatikë dhe që tani punon në Gjirokastër, na thotë se ai vetë nuk pati vështirësi për punë. Por jo të gjithë për mendimin e tij e kanë të lehtë:

"Për mua qe e lehtë të gjeja punë, por besoj që për rininë, është vështirë të gjejë punë këtu, në përgjithësi"

Arta, një vajzë e re që ka mbaruar universitetin na thotë:

"Kam mbaruar universitetin për gjuhë letërsi greke në Gjirokastër dhe tani punoj sekretare në një firmë këtu."

Edhe Arta nuk e ka patur të vështirë të gjejë punë:

"...të lehtë, po, sa mbarova universitetin, menjëherë gjeta punë"

As Oresti dhe as Arta nuk mendojnë se në punësimin e tyre ka luajtur ndonjë rol përkatësia etnike. Oresti mendon:

"Nuk besoj se është problem, je minoritar apo jo, të gjesh punë. Tani ka ardhur koha që njerëzit të caktohen në punë nga ana profesionale"

Marrëdhëniet me shqiptarët ata i kanë shumë të mira. Oresti:

"Kam shumë shokë shqiptarë, myslimanë...nuk kemi dallime të tilla, shumë shokë dhe e kalojmë mirë"

Arta madje na flet për martesat e përziera. Ajo na tregon se disa shoqe të saj janë martuar me shqiptarë:

"Nga klasa ime, nga 30 vajza që ishim, pesë vajza janë të martuara me burra shqiptarë"

Sidoqoftë, përkatësia e të rinjve në një minoritet nuk kalon gjithmonë pa u regjistruar nga bashkëbiseduesit e tyre. Kështu Oresti na tregon:

"Ne jemi pak të ngatërruar tani, se kudo që vemi, në Greqi na thonë jeni shqiptarë, në Shqipëri na thonë jeni grekë, as ne nuk e dimë nganjëherë çfarë jemi... Gjithsesi, unë grek nga prejardhja, edhe shtetas shqiptar, në shtetin shqiptar jetoj dhe zbatoj rregullat e shtetit shqiptar."

Fenomeni i braktisjes së fshatrave greke nga minoritarët, që shkojnë emigrantë me sa duket do të vazhdojë. Oresti na bën këtë karakterizim të jetës në fshat për të:

"Jeta në fshat, besoj se është më e vështirë se jeta në qytet. Gjithsesi tani, rinia është larguar, ka ngelur mosha e madhe...dhe ata besoj janë mësuar me këtë jetë dhe nuk ndeshen me shumë probleme. Kurse për ne të rinjtë- është një çikë problem"

Me një lloj pikëllimi dhe keqardhjeje, Oresti na tregon se shumë shumë shokë të tij i tërheq Greqia për shumë arsye:

"Tani në këto kohë, shokët e mi janë larguar, shumica, edhe këta që kanë mbetur këtu, i kanë sytë për nga Greqia, atje e shikojnë të ardhmen. Greqia është një shtet anëtare e BE-së dhe besoj se ka kushte më të mira për të rinjtë se sa Shqipëria: kushte më të mira jetese, gjen më lehtë punë, rrogat janë më të larta se në Shqipëri. Këto janë disa arsye që të rinjtë i shikojnë dhe largohen nga Shqipëria."


Auron DODI/DW