Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956

    Enver Petrovci, një artist i shumanshëm

    Petrovci, një artist i shumanshëm

    I angazhuar në 54 teatro me kontratë, si aktor, Petrovci thotë se ka luajtur në karrierën e tij rreth 100 role në teatër. Sa për filmin, thotë se nuk e ka vlerësuar kurrë të qenit aktor filmi, ndërsa si regjisor, skenarist apo drejtor fotografie po. Roli i tij i parë ka qenë në dramën “Mblesëria” të Çehovit, ku kishte rolin kryesor. Thotë se ambicia e tij është e madhe, prandaj është i vetmi artist shqiptar që ka arritur të luajë në një skenë serbe. Vlerëson artin e kinemasë dhe teatrit që është bërë në vitet e komunizmit, kur gjithçka ishte e pastër dhe arti ishte i mirëfilltë. “Uroj shumë që të mos emëroni drejtorë teatrosh të anëtarësuar në parti, pasi politika i prish shumë punë artit. Kjo ka ndodhur në Kosovë, uroj shumë të mos ndodhë edhe këtu”- shprehet Petrovci. Pas një kohe të gjatë shkëputjeje nga skena si aktor, ai thotë se preferon më shumë regjisorin e filmave dhe teatrit, pasi nuk ka më energjitë e duhura për angazhimin në teatër. Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Ai studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike ne Prishtine në degën e aktrimit, si dhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd. Tani punon në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, si dekan dhe profesor i lëndës së aktrimit. Është një ndër themeluesit e Akademisë së Arteve në Prishtinë dhe prej disa vitesh i teatrit privat “Dodona”, po në kryeqytetin e Kosovës. Në teatër ka luajtur në role të rëndësishme dhe regjisor i shumë shfaqjeve dhe filmave shqiptarë.

    Teatër
    “Idioti” i Dostojevskit – regjisor dhe në rolin kryesor
    “Dëshmitari kryesor” - regjisor
    “Kush më ka faj që jam shqiptar” - regjisor

    Filmografia
    “Kur pranvera vonohet” – 1980, serial
    “Lazari” - 1984
    “Rojet e mjegullës” - 1988
    “Forbidden sun” - 1989
    “Migjeni” - 1990
    “Nekrologji” - 1994
    “Lule të kuqe, lule të zeza” - 2003
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    Enver Petrovci shfaq dramën “Dëshirë për vrasje”

    Sapo ka mbërritur në Tiranë dhe entuziazmi i tij nga pritja që i është rezervuar dallohet lehtësisht në sytë e tij. Aktori i madh, regjisori dhe skenaristi, drejtori i kamerës dhe fotografisë në filmat shqiptarë dhe shfaqjet e shumta në teatër, mbart mbi vete legjendën e një artisti të madh. Kështu e njohin në Kosovë, Serbi dhe Shqipëri, por edhe kudo në botë, ku ai ka prezantuar artin e tij në festivale të ndryshme të kinemasë dhe teatrit. Petrovci diskuton me tone të hareshme para medias, por ajo që të bie në sy në temperamentin e tij tipik prej artisti është dëshira e madhe për të bërë art të mirëfilltë.Kur e pyesin pse erdhi në Tiranë për të dhënë këtë shfaqje premierë, përgjigjet thjesht: “Dua të ndjehem artist i vërtetë. Në Kosovë nuk ndjehem i tillë. Aty arti nuk kuptohet si këtu. Më janë bërë oferta shumë të mira në Kosovë, por ato nuk vlejnë për mua. Janë joprofesionale dhe unë nuk punoj dot në atë mënyrë”. Edhe pse i vetëm në konferencën për shtyp, pasi artistët e tjerë të trupës së shfaqjes ende nuk kanë mbërritur, ai i mban të gjithë të gozhduar aty për rreth 1 orë. Koha nuk ndihet. Ai flet dhe rrëfen eksperiencën me teatrin Serb, ku ishte i vetmi artist shqiptar që ka luajtur si aktor i tij dhe me një sukses të jashtëzakonshëm. Por në Tiranë ka preferuar të vijë me një rol në një vepër të huaj. Drama e autorit suedez Lars Loren e ka ngacmuar fillimisht, duke i dhënë më pas dëshirën për ta parë në skenë. Kështu, me regji dhe përkthim nga artistja kosovare Arta Kallaba, Petrovci do të jetë në trupën e aktorëve të shfaqjes. Nën titullin intrigues “Dëshirë për vrasje”, drama ka për protagonistë treshen Petrovci, Arta Muçaj dhe Luan Jaha. Drama nuk do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar dhe të bën çudi fakti, pasi ardhja e një aktori kaq të madh meritonte një hapësirë në këtë teatër. Shfaqja është zgjedhur të jepet në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, ku edhe do të shiten biletat. Ajo do të vihet në skenë tre ditë radhazi, nga 20 Prilli deri në 21 dhe 22.
    My silence doesn't mean I am gone!

  3. #3

    Për: Enver Petrovci, një artist i shumanshëm

    Petrovci: Kam shitur shtëpitë për të ngritur teatrin

    Aktori e regjisori ndodhet në Tiranë për një tragjikomedi.
    Që nga kujtimet e fëmijërisë, te suksesi dhe projekti ku humbi të gjitha kursimet.
    Që nga fëmijëria deri më sot, marrëdhënia me prindërit, studimet për aktrim, gjetja e një qëllimi në jetë, ngritja e dy teatrove, humbja e kursimeve të së gjithë jetës… Regjisori e aktori Enver Petrovci rrëfen jetën e tij, në prag të premierës së tragjikomedisë “Hajdutja e bukur”, shkruar nga Ruzhdi Pulaha, në skenën e Teatrit të Metropolit.
    Le ta nisim nga fëmijëria juaj, si ka qenë ajo? Ç’kujtime ruani me dashuri edhe sot?
    Ka qenë një fëmijëri e bukur. Kam shumë kujtime. I pari përkon me moshën dyvjeçare. Babai im hyri me biçikletë në oborr, isha me motrën, pashë se mbrapa biçikletës kishte një kuti këpucësh. U gëzova dhe thashë: babai na ka blerë këpucë. Hymë brenda në shtëpi. E pashë babanë shumë të zymtë, bashkë me xhaxhain dhe kuptova se nuk ishte puna për këpucët… Dola në oborr dhe, pas një kohe të shkurtër, babai me xhaxhain dolën me një arkivol të vogël nga shtëpia. Motra ime kishte vdekur pas katër ditësh që kishte lindur.
    Kujtesë kjo e një dyvjeçari?!
    Po, po. E mbaj mend, sepse motra lindi dy vjet pas meje. Madje nga ajo kohë kujtoj dhe një tjetër episod. Një ditë shoh një vezë mbi parvazin e dritares së shtëpisë, doja ta merrja duke menduar se ajo ishte e zier. Mora një shkop dhe e hoqa vezën nga parvazi i dritares, ajo ra poshtë dhe u thye. Aty kuptova se ajo nuk ishte e zier. Kjo ka qenë tendenca ime e parë për vjedhje.
    Realisht keni vjedhur ndonjëherë?
    Kam qenë në shkollën fillore, diku nga klasa e dytë kur kam vjedhur për herë të parë. Shkova në vetëshërbim (kështu quheshin dyqanet, si sot supermarketet) për të blerë dy kg bukë. Rrugës takova Habiben, shoqen e klasës, e cila më pëlqente. Për herë të parë u solla si mashkull i vërtetë. I them: A po vjen me mua të më bësh shoqëri. Ajo m’u përgjigj: Po. Kur hyra në dyqan, mora bukë dhe para se të dilja pashë qeset e bonboneve. Një prej tyre ishte e hapur dhe bonbonet binin prej qeses. Meqë nuk kisha lekë, i “vodha” dy bonbone dhe i futa në xhepin e majtë, që ishte i shqyer dhe ato ranë në fundin e astarit të xhaketës. Pagova bukën dhe, kur do dilja për të ikur në shtëpi, më erdhi një zotëri, ndoshta roja i dyqanit dhe më pyet: Ke gjë për të paguar? I thashë: Jo, dhe nisa të skuqem. Habibeja më pa që u skuqa. Zotëria më futi dorën në xhep, por nuk gjeti gjë, më pa dhe nga xhepi tjetër dhe përsëri asgjë. Më ftoi në zyrë, ku më kontrolloi më tepër dhe m’i gjeti bonbonet. “Pse i vodhe?”, më tha. “Sepse po më pret Habibeja dhe desha ta qeras”, iu përgjigja.
    Si ishte familja juaj? Fëmija i satë ishit në shtëpi?
    Zyrtarisht unë jam fëmija i dytë në familje. Jemi tre fëmijë dhe një nga mamaja. Babai ka qenë radiologu i parë në Kosovë dhe, në krahasim me të tjerët, kemi jetuar mirë. Ka qenë ballist gjatë kohës së Luftës, ndërsa pas Luftës u detyrua të jetë komunist. Këtë ma ka treguar kur u bëra 25 vjeç. Mamanë e kam pasur infermiere, por kur lindi vëllai i vogël, shtatëmuajsh dhe me probleme shëndetësore, nëna u detyrua ta lërë punën dhe t’i kushtohet vëllait. Atë vëlla e dua shumë. Prej asaj kohe, ajo nuk hyri më në punë. Që të jem i sinqertë, nuk kishte nevojë se me rrogën e babait jetonim shumë mirë.
    Shpesh bëhen ngjasime për fëmijët. Zakonisht thonë: i ngjan nënës, i ngjan babait… Po ju kujt i keni ngjarë?
    Tani në këtë moshë po i ngjaj babait, edhe në ecje, në buzëqeshje. Kur shoh veten në pasqyrë, shoh tim atë. I ri më duket se i kam ngjarë dajës. Mamaja ime ka qenë shumë e bukur, por edhe daja. Ne fëmijët, në krahasim me të, kemi qenë majmunë dhe dyshoja për mamanë time atëherë (qesh) duke hyrë në gjynah, se tani vërtet po i ngjaj babait.
    Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me ta?
    Me babait si fëmijë kam punuar shumë. Ai ndërtoi dy shtëpi pa kredi, me rrogën e vet. Atëkohë Titoja i jepte kredi secilit intelektual. Babait tim nuk i dhanë, prandaj më vjen shumë keq kur këta profesorët e moshuar e shajnë Titon. Për ta sharë duhet ta shaj unë, për babain tim. Ka përfituar secili nga ai nga një shtëpi minimumi, ku kësti i kthimit ka qenë si një paketë cigare në muaj. E pra, kam punuar me babain, më ka hyrë puna në gjak, ndoshta për shkak të tij, ndërsa sipas mamasë kam qenë fëmija i saj më i dashur. Më kujtohet kur u pranova në Beograd, në Akademinë e Arteve, im at u gëzua shumë, ndërsa mamaja nisi të qajë. E pyeta: Mama nuk po gëzohesh? (ishte shumë vështirë të pranoheshe në Akademinë e Beogradit), ajo më tha: “E humba përgjithmonë djalin”. Dhe vërtet ashtu ndodhi, sepse jetoja në Beograd, ajo jetonte me mall për mua. Kur vija në Prishtinë qante nga gëzimi, kur nisesha për të ikur, qante nga pikëllimi. Një ditë i thashë “mama përcaktohu”: o qaj kur vij, ose kur iki.
    Kush jua ka vënë emrin?
    Im atë, Bajrami. Dua të them se çdo mëhallë ka pasur çezmën e vet. Dhe merrnim secili nga një gjym dhe prisnim në radhë për ujë. Më kujtohet në pritje e sipër, të moshuarit më pyesnin; si quhesh? Unë thosha: Enver. Aty kishte dhe shumë serbë. O Enver Hoxha?!-, më thoshin. Unë nuk e dija kush ishte. Por kur filluan të gjithë të më thërrisnin Enver Hoxha, e pyeta babain: Pse të gjithë më bëjnë hoxhë, askush nuk më bën prift. Babai më tha: Kur të rritesh, e kupton.
    Si vendosët të bëheshit aktor? A ishte dikush në familje, në fisin tuaj artist? Ç’nxitje patët për këtë profesion?
    Nuk kam pasur asnjë që të merrej me art, as në familje e as në fis. Në moshën 6-vjeçare im atë bleu një televizor të përdorur, e bleu në Shkup. E gjithë mëhalla gëzoi se një shtëpi u bë me televizor. Ne e quanim kinoshtëpiake. Ka pasur program nga ora 6-8. Më kujtohet spikerja, kur dolën lajmet e Radio Televizionit të Beogradit. Mendoja se si është e mundur që ky njeri të zvogëlohet kaq shumë e të hyjë në kuti. Ndoshta është bota e përparuar që e zvogëlon njeriun, e fut brenda. Por kur një ditë pashë orkestrën me 100 veta brenda të zvogëluar shumë, thashë: kjo është e pamundur, si kanë hyrë të gjithë ata në kuti?! Mora një kaçavidë të hapja kutinë. Më pa im atë dhe më tha: Ç’po bën? Dua të shoh si kanë hyrë njerëzit brenda, i thashë. Ai ma shpjegoi me aq sa mundi. Më kujtohet fjalia ime e parë artistike: Baba kur të rritem, dua të jem si ata brenda. Më vonë e kuptova se ata brenda quheshin aktorë. Kjo dëshirë nuk më është zbehur kurrë.
    Kur ka qenë koha kur nisët aktrimin?
    Kam qenë në shkollë, ndoshta kam qenë në klasën e shtatë të fillores dhe kam luajtur rolin e një plaku dhe për kostum i mora gjyshit tirqet, kapelën e bardhë dhe jelekun, brezin, që më rrinin pak të mëdha. Më kujtohet pas shfaqjes disa mësues më thanë: Është gjynah të mos bëhesh aktor. Unë ua kthej: Normal që do të bëhem. Më ka ndihmuar Zoti që s’kam punuar me teatrot amatorë, sepse do më kishin prishur si aktor. Këtë e kam kuptuar tani që jam pedagog i Aktrimit, kur pranoj amatorë të talentuar, ka shumë punë me ta për të larguar atë mendimin e gabuar që kanë për aktrimin. Këtë hall s’e kam pasur për fatin tim të mirë. Pas gjimnazit shkova në shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë, dega e Aktrimit, e cila ishte hapur dy vjet më parë, e profesor ishte Faruk Begolli. Ai më pranoi dhe pas një viti më tha: Është gjynah të jesh në Prishtinë. Pse nuk tenton të shkosh në Beograd? Beogradi ishte ëndërr atëherë. Para meje kishte qenë vetëm Faruk Begolli dhe Bekim Femiu. E dëgjova dhe shkova, por s’u pranova, për fajin tim.
    Pse?
    Sepse gënjeva. Kur më pyetën çfarë ke bërë këtë vit pas gjimnazit, unë u thashë: Kam studiuar mjekësi. Gënjeva sepse kisha drojë, pasi kisha dëgjuar se nuk pranojnë studentë që ishin marrë me aktrim përpara. U ktheva i zhgënjyer, por një sekretar, i cili kishte emrin Koço, më tha: Eja vitin tjetër, por eja i sinqertë. U ktheva në Prishtinë, kreva shkollën e lartë dhe shkova sërish në Beograd. Kur me pyetën sërish se çfarë kisha bërë këto dy vite pas gjimnazit, u thashë: Kam studiuar aktrim. “Eh, tani je pjekur”, më thanë dhe më pranuan në Akademi. Ishte viti 1974. S’kisha kujt t’ia thosha gëzimin tim, shkova në një park afër Akademisë që quhej Kalemekdan edhe bërtisja si i çmendur “Jam pranuar në Akademi!” dhe bëja kollotumba.
    Keni pasur ndonjë idhull në rrugën tuaj artistike?
    Kam pasur idhull Bekim Fehmiun, të cilin pata rast ta njoh personalisht në fund të vitit të tretë të Akademisë së Arteve, në Beograd. Mbetëm përgjithmonë shok. Më vonë, kemi luajtur shah shpesh, kur kishim kohë. Tentuam të luajmë dy herë bashkë në teatër, por nuk luajtëm asnjëherë. Në rastin e parë më morën ushtar dhe e lashë projektin, ndërsa herën e dytë ika nga projekti, pasi nuk më pëlqente ideja e regjisores. Bekimi më inspironte dhe ishte një shtysë për mua që të ecja përpara. Thosha më vete: si mund të shkojë një shqiptar në Beograd, të bëjë karrierë si aktor, kur mundet ai, pse jo unë?
    Megjithatë më pas ju u bëtë një yll i skenës. Cili ka qenë çelësi i suksesit tuaj?
    Ia kam hapur rrugën vetes, me punë. Duke e organizuar dhe menaxhuar vendin ku eventualisht me kolegët e mi studentë mund të punoja. Isha student i veçantë, kështu regjisorët e rinj nisën të më dallonin, edhe në provime isha shumë mirë. Një nga shfaqjet më serioze në kohën që isha student, ishte në “Teatrin e Hapur” në qytetin e studentëve. Aty organizova një shfaqje, pas insistimit tim të madh te zv/drejtori, të cilit i kërkova një hapësirë për prova, për të bërë shfaqje. Pas insistimit tim gjashtëmujor, na dha një korridor pak më të gjerë për të bërë prova. Ftova kolegët e mi dhe një regjisor të gjeneratës sime, Egon Savin dhe bëmë shfaqjen ‘Mblesëria’ e Çehovit”, me të cilën më pas shkuam në disa festivale vendëse dhe europiane. Pas kësaj m’u hapën rrugët dhe ishte gjithmonë më e lehtë. Nisa të xhiroja në televizion. Pas diplomimit, më ftoi drejtoresha e famshme botërore e Teatrit “Atele 212”, e cila më dha një rol episodik. Pas atij roli, pata ftesë për në Amerikë, por nuk dija gjuhën angleze. Producenti më tha të mësoj gjuhën dhe për gjashtë muaj të shkoja në Amerikë, në Los Angelos. Shkova në Londër, në një kurs anglishteje, pas asaj shkova te vëllai im në Suedi ta ushtroj pak në praktikë gjuhën. Kur isha aty, më telefonoi Mira Trajiloviç dhe më ftoi të kthehem në Beograd, që të luaja rolin kryesor në shfaqjen “Kurora e Kosancicit nr 7”. Unë iu përgjigja se u nisa për në Amerikë. Ajo më tha: Prej Amerikës nuk ka fat, atje do të jesh gjithmonë i huaj, kurbetçi.
    Ishte nder i madh të të ftonte një drejtoreshë e tillë, sidomos mua që isha ende shumë i ri, vetëm 27 vjeç. Nuk guxova t’i thosha jo. U ktheva në Beograd, bëra shfaqjen dhe për “fatin tim” më shpallën “yll i ri i skenës së Teatrit të Beogradit”. Më pas filluan rolet një pas një dhe e harrova Amerikën. Prej atëherë nuk kam pasur krizë pune. Kështu ka nisur karriera.
    Nuk shkuat më në Amerikë?
    Kam qenë privatisht, shumë më vonë për një çmim që mora nga “Arts Link” në New York si “Aktori më i mirë i Europës Juglindore” në vitin ‘96, për filmin “Migjeni”. Dhe atëherë shkova të merrja çmimin pas pesë vjetësh, pasi kisha shumë punë. Atje m’u dha rasti të punoja në teatrin “La mamma theatre”, por sërish u ktheva.
    Çdokush në vendin tuaj nuk do ta linte t’i shpëtonte ky rast. Ju pse u kthyet?
    E kuptova se me punën që bëja unë nuk ishte me rëndësi nëse luaja në New York, Paris apo Prishtinë. Çdo njeri që e shijonte teatrin tim, për mua ishte publik. E sidomos më joshte, se gjuhën që flisja unë, ma merrnin vesh shumë më lehtë populli im. Mos harroni edhe edukatën që kam pasur dhe që kam. Pastaj një artist nuk ka për detyrë të bëjë vetëm famë, por edhe një qëllim. Unë ndërkohë e gjeta qëllimin: që me artin tim të vetëdijësoj popullin tim aq sa mundem. Ta kultivoj atë, ta mësoj për të bukurën, sa ka nevojë, pavarësisht kurtheve që më kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë politikanët provincialë. Deri në fund, kjo është arsyeja pse e bëj.
    A ju plotësonte vetëm kjo?
    Kurrë në jetën time s’kam pasur kohë të mendoj a po më mungon diçka. Edhe kur kam qenë pa shtëpi, apo kur bridhja rrugëve pa shtrat për të fjetur… Kam qenë njeri shumë pozitiv, atë e merrja si diçka normale, si pjesë e karrierës sime. E rëndësishme ishte se kisha një qëllim dhe nuk i lejoja vetes të mendoja për gjendjen time materiale të momentit. E kam ditur se me para do të bëhem një ditë. Mendoj se gjëja më e lehtë në botë është të bësh para. Para mund të bësh edhe po të jesh budalla. Qëllimi për të bërë para është aq i zbrazët! Kam takuar njerëz që kanë bërë para, por asnjë nuk ka qenë i lumtur. Por kam takuar njerëz që e kanë pasur qëllim në jetë dhe kanë arritur të jenë të lumtur.
    A ju ka ndjekur sadopak familja në karrierën tuaj?
    Motra më ka ndihmuar materialisht në fillim, vitin e parë të studimeve në Beograd. Më pas, prindërit nuk kishin dhe aq mundësi të më ndiqnin. Por as unë nuk i kam lodhur me famën time. Rrija me komshinjtë siç rri dhe sot. Merrja karrocën me mbeturina e hidhja jashtë, pastroja shtëpinë nga bora, ndihmoja babanë si përherë. Me fjalë të tjera, nuk shisja pordhë. Se e kam kuptuar se kur një aktor nis të shes pordhë, karriera e tij ka marrë fund. Ai nuk zhvillohet më. Thjesht ai bëhet pordhac. Kam pasur dhe unë një kohë të tillë krize, por shpejt arrita të kuptoj se si aktor nuk po mundja të zhvillohesha. Në rrugë isha artist i madh, në skenë jo. Dhe shpejt iu ktheva jetës së rëndomtë, që kisha pasur më herët. Ashtu jetoj sot e kësaj dite. Edhe pse familjen time e pengon kjo jeta ime e rëndomtë. Më thonë: duhet të sillesh më me autoritet, sepse ashtu do të të çmojnë më tepër. Shqiptarët kanë qejf ashtu. Ndoshta e kanë mirë, por nga ana tjetër e di që do të bëhem pordhac dhe do të mbetem vetëm autoriteti i së kaluarës
    Cilin nga rolet tuaja doni më shumë?
    Në gjuhën shqipe ka qenë “Idioti” i Dostojevskit, me të cilin u ktheva në Prishtinë si mysafir. Po me atë shfaqje kam ardhur në Tiranë, të cilën e shfaqja në të gjithë Shqipërinë. Atëherë nuk njihja asnjë në Shqipëri, ishte viti ‘92, por Shqipëria më njohu dhe unë e njoha. Edhe prej atëherë kam pasur kontakte të shkëlqyeshme me Shqipërinë. Kam dhe një dëshirë në lidhje me Shqipërinë, do doja të jepja mësim në Akademinë e Arteve, t’ju fal diçka nga eksperienca ime.
    Po me regjinë, pse dhe kur vendosët të merreni?
    Pas shfaqjes “Daja Vanja”, me regji të Slobodan Unkovsit, mora forcë që të merrem me regji. Edhe prej atëherë merrem me regji. Për mua është shumë më lehtë të merrem me regji sesa të aktroj. Dhe deri tani nuk kam bërë asnjë shfaqje jo të suksesshme. Jam shumë i kërkuar nga aktorët për të bërë regjinë, kjo tregon se puna që bëj si regjisor ka kuptim.
    Ndërkaq, ju hapët në Prishtinë edhe dy teatro. Cila është gjendja e tyre sot?
    Teatri “Dodona” u hap në vitin 1993 dhe, më pas, pas vdekjes së babait tim, e adaptova shtëpinë e tij në teatër dhe e quajta “Teatrin e Babës”.
    Ia dedikuat babait?

    Kam pasur një shok, Blerim Islamin, i cili më nxiti që të gjitha paratë që kisha fituar gjatë jetës t’i fusja në një projekt të përbashkët. Në të njëjtën ndërtesë, ai do bënte hotelin, ndërsa unë Akademinë e Arteve. Ai më mashtroi, duke mohuar që i kam dhënë paratë dhe për to jemi ende nëpër gjyqe. Unë mbeta pa para. Kur vendosa të bëj teatrin, një prej ndërtuesve më pyeti, “A je ti djali i Bajram Petrovcit?” Po i thashë. “Nëse je ti djali i tij, atëherë unë po ta ndërtoj teatrin me këste, pasi babai yt ka qenë burri i fjalës dhe unë të besoj”, më tha. Pa asnjë lekë në xhep e ndërtova teatrin, pasi babai im, edhe pse i vdekur, ka lënë nam te njerëzit. Ndaj dhe e quajta “Teatri i Babës”, sepse ai e ndërtoi atë teatër. Pastaj e pagova me këste, natyrisht duke shitur një banesë që kisha në Beograd e një në Prishtinë dhe duke hyrë në kredi. Tani ky teatër nuk funksionon pasi ministritë nuk e adhurojnë, por teatri “Dodona’ tani është teatri i qytetit.


    Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/03/2...#ixzz2ODW16dxf
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Enver Petrovci, një artist i shumanshëm

    PERSONAZH/ Flet aktori dhe pedagogu Enver Petrovci

    “Daja” një film ku gjuha ishte pjesa më e vështirë për mua

    - Në fillim nuk e pranova me kënaqësi këtë rol, pasi kishte të bënte me dialektin

    -Një film kur për gjuhën punova më shumë se për rolin

    -të gjithë kolegët më ndihmuan për dialektin tironc

    -Regjisori Harxhi, kishte bërë një organizim perfekt

    - Tirana më ka falur shuam dashuri, do di si t’ja shpërblej

    - Tirana ka njerëz të mrekullueshëm, ndryshe nga Prishtina

    -Jeta artistike në Tiranë duhet të mbështete nga politika

    -Gjuhën shqipe do ta mësoj perfekt, që në Teatrin Kombëtar të dal i realizuar


    Albert Z. ZHOLI

    Filmi i fundit artistik “Daja” i regjisorit Ilir Harxhi ka ngjallur shumë diskutime. Një film tejet interesant, emocional, me një subjekt që i përshtate kohës që jetojmë dhe që nuk ka asnjë ekzagjerim. Skenaristi ka ruajtur subjektin nga zmadhimi apo mbivlerësimi i situatave duke përcjellë një ngjarje reale, që ka ndodhur jo pak herë në Shqipërinë postkomuniste. Daja nga Tirana (rol që e luan me mjeshtëri Enver Petrovci), është një burrë babaxhan, tipik tiranas i vjetër. I shëndetshëm, i qetë, i afruar me njerëzit, mirëbërës, dorëlëshuar por edhe punëtor i madh. Ai ka disa vjet që ka ngelur i ve dhe pa fëmijë dhe vazhdon atë pasion të qoftexhiut tipik tiranas, profesion që se zëvendëson me asgjë. Punon me orar të zgjatur, se tek puna ai shmang brengat e jetës. Është një burrë tradicional. Në vitet e para të demokracisë ai ndihmon nipin, djalin e mors të emigrojë në Greqi. Për vite të tëra nipi hesht. Por papritur ai dërgon tek Daja një zarf me foto, ku brenda kishte dhe një zarf për abshkpuntorin e tij. Hapen zarfet dhe daja me bashkpuntorin shkëmbejnë fotot. Nipi mes femrash, mes gëzimit, jetës së qefit, që fton dajën në Greqi. Daja tundohet. Shkon bashkë me bashkëpunëtorin në Greqi. Tundohet nga femrat e bukura. I dëshiruar pas femrave dhe qejfit të rastit ai pinë disa viagra Bie në kllapi. Nipi mendon se vdiq dhe problemi është si ta kalojnë në Shqipëri pasi kalimi me morg ka shpenzime. Këtu nis një odise tjetër ajo e korrupsionit në Shqipëri...

    Ju kohët e fundit ishit në rolin kryesor të një filmi artistik, ku kishit rolin e Dajes nga Tirana, Çfarë përbën për ju ky rol?

    Unë në fillim nuk e pranova me kënaqësi këtë rol, pasi kishte të bënte me dialektin. Ka shumë aktorë të tjerë që janë rritur këtu dhe nuk e kanë shumë problem dialektin. Eksperienca ime më ka treguar kështu, se është më e lehtë ta thuash një tekst, në gjuhë të huaj, që se ke fol kurrë, ose e flet pak, se sa në një dialekt të veçantë brenda një gjuhe. Ne jemi mësuar me dialektin tonë dhe është shumë e vështirë të ndërrosh dy apo tri germa brenda një fjale në dialekt se sa të mësosh një gjuhë të re. Por ën fakt ishte këmbëngulja e regjisorit Ilir Harxhi, duke më thë se mundesh, mundesh ta realizosh Dajën e Tiranës. Dhe në fakt të gjithë kolegët e tjerë ishin tiranas, flisnin atë gjuhë që ma lehtësuan deri diku këtë mësimin e saj me veçori në theks. Me ndihmën e tyre besoj se ja dola mbanë. Këta djem që punova më thanë se në film, ja dola po aq mbarë sa tironcit e vërtetë. Kjo më gëzon.

    Ju dhe në veshje dhe në gjuhë përcollët tek spektatori tironcin e vërtetë, tipik. Në momente të caktuara nuk gabove që të dilje tek vetja ose si daja si kosovar?

    Unë nuk kam luajtur Dajan, apo tironcin si karakter, por kam luajtur tironcin (si i thonë këtu) si dialekt. Pra dialektin e tyre. Mirëpo karakterin e kam gjetur në mardhëniet me të tjerët. Ka si Daja shumë njerëz, në mesin e shqiptarëve. Këta njerëz, kur mbesin pa grua, pa fëmijë, sakrifikohen për nipër, mbesa apo kushërinj. Punojnë, bëjnë mirë dhe harrojnë veten. Në këtë rast Daja është tipik, bamirës, i dashur, njerëzor, korrekt që i përkushtohet të afërmve dhe investon për nipin që të ikë jashtë shtetit, vetë Daja është i ve, pa fëmijë. Ai i lidhur me punën ka harruar jetën e tij private. Pra këtë kam nxjerr unë në rol.

    Ku ishte vështirësia në këtë rol?

    E theksova tek gjuha, tek teksti. Ishte shumë i vështirë teksti për mua me këtë dialekt. Unë kam një të keqe dhe një të mirë. Kur marr një rrol, futem me idenë mendimin dhe dëshirën se unë këtë rrol e bëj më mirë se kushdo në botë. Këtë e formoj bindje në vete. Madje kam këtë bindje se roli im do të jetë më i miri ën botë. Pa u futur me këtë bindje nuk mund ta realizoj rolin, apo nuk e nis rolin. Eci me bindjen se mua më shkon teksti, mua më shkon dialogu. Derisa Harxhi nuk më bindi në fillim, por me kohën ai më bindi.

    Dhe ku punuar më shumë në këtë rol?

    Unë në këtë rol kam punuar më shumë në tekst, pra në dialekt, të mësoja dialektin tironc të Dajës. Pra nuk punova në rol aq sa në dialekt. Dialekti ishte pjesë e rolit, madje pjesa më e rëndësishme. Unë i jap shumë kujdes gjuhës. Ajo ka një ndjeshmëri të veçantë tek spektatori. Unë po kështu i kam dhënë nj rëndësi të veçantë gjuhës serbo-kroatishte, dhe dialektet e tyre po ashtu dhe dialektet kroato-boshnjake. Pra këto gjuhë duke pasur role, i kam mësuar shumë bukur, pasi u dhashë shumë rëndësi gjuhës. Tashmë me këtë rëndësi po eci drejtë mësimit të gjuhës shqipe, gjuhës standrate.

    Pra është nj ëndërr?

    Po e them me bindje se një ëndërr e jetës sime është që kur të ngjitem në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës me një rol, gjuha ime të tingëllojë më bukur se e çdo aktori tjetër shqiptar që luan në këtë skenë gjigande. Kjo është ambicia ime, që gjuha ime shqipe të jetë më e bukura, e të gjitha kohërave. Kjo është ambicia. Ti thua mbase se arrij? Besoj se po. E kam detyrë brenda vetes.

    Kjo ambicie është pjesë e asaj që keni disa vjet që si ndaheni Tiranës?

    Mua Tirana më pëlqen madje shumë. Tirana ka edhe probleme pro probleme ka gjithkund. E ndjej veten të respektuar pasi njerëzit në Tiranë dinë si ta shprehin dashurinë. Kjo mua më mungon në Kosovë, por nuk më ka munguar dikur kur kam jetuar në Beograd. Por në Prishtinë kjo dashuri e pastër njerëzore më mungon. Këtu kam gjetur dashurinë tjetër, respektin e munguar, pasi të gjitha këto i ndjej të bëhen me dëshirë edhe ndaj familjes time.

    Jeta artistike në Tiranë a është e niveleve të metropoleve evropiane?

    Përsa i përket njerëzve po, ndërsa porsa i përket qeverisë jo. Në një vend nuk mjafton vetëm te kesh artistë të mirë, pro duhet patjetër të kesh dhe një qeveri të mirë, që ta dojë dhe ta stimulojë artin. Këtu ka shumë artistë ët talentuar, në muzikë, balet, teatër, por pa mbështetjen e ligjeve të çdo qeverie në funksion të artit, këta do ngelen në hije. Por jo vetëm qeveria por edhe çdo investim në drejtim të artit duhet të ketë lehtësime që jeta artistike të gjallojë. Kështu është në çdo vend Evropian. Pra kur qeveria nuk e mbështet dot në mënyrë të plotë artin, athere ai do gjejë nj ëmnyrë tjetër që çdo investim tjetër që bën dikush për artin duhet tu lehtësohen taksat, pasi financojnë artin. Ose duhen të tjera ligje që e lehtësojnë biznesin që ndihmon. Psh jashtë kur bëhen filma koordinohen shteti me privatin në mënyrë ligjore për të bërë këtë investim kolosal. Nuk duhet të ketë konflikte mes artit kulturës dhe financimit. Ka shumë njerëz që duan ta financojnë artin, por nuk janë ligjet e përshtatshme që ta lehtësojnë këtë investim. Më këta artistë, me këto institucione, jeta artistike në Tiranë duhet te ketë dhe më shumë gjallëri, më shumë hapësirë. Tirana ka shumë avantazhe, ka shumë objekte që të impresionojnë. Në Tiranë ndihesh gjithmonë mirë dhe me një politikë të mirë arti do të marrë vendin që i takon.


    Ju në këtë film keni luajtur dhe në tokën greke, kishte ndonjë emocion të veçantë ky vend?

    Unë kam luajtur në këtë vend dhe më parë, më herët madje në greqisht. Por nuk kam pasur ndjesinë e të qenit vetë, Unë në këtë film kam qenë me njerëzit e mi. Kam qenë i relaksuar, aq më tepër që regjisori Ilir Harxhi, është marrë me të gjitha detajet e realizimit të filmit dhe ne nuk na ka munguar asgjë. Ne si ekip ishim të qartë dhe ne jemi ndjerë si në Shqipëri. Aty takuam shumë shqiptarë, kalonim mbrëmjet mes shqiptarëve, na shoqëronin shqiptarë dhe kështu ne ishim kudo në ambiente të mirëpritura. Kudo ku lëvizëm, asnjëherë nuk na ngacmuan , apo të na pengonin. Çdo gjë eci sipas planit. Në Greqi jemi ndjerë si në vendin tonë.

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: Enver Petrovci, një artist i shumanshëm



    N'Konak - Enver Petrovci, aktor, regjisor dhe dramaturg

    Korrik 2020

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: Enver Petrovci, një artist i shumanshëm

    ENVER PETROVCI nderohet me Çmimin për Vepër Jetësore

    MAJ 2021

    Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore për teatër, shkruan KultPlus.

    Ministri Çeku, në fjalën e tij u shpreh se këtë herë çmimet për teatër po ndahen me pak vonesë me qëllimin që gjithçka të jetë profesionale dhe të realizohet në mënyrën më të mirë.

    “Nuk kemi dashur që këtë punë ta kryejmë sa për sy e faqe, por ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk ka qenë një proces i lehtë sepse ka pasur mjaft nominime cilësore por këto janë çmime tradicionale vjetore. Ky komunitet ka qenë një zhvillim kulturor sepse teatri është reflektimi më i saktë i gjendjes shpirtërore të një shoqërie”, tha Çeku duke potencuar që juria ka vendosur që t’i shpërblejë me këto çmime për një punë të mirë në një kohë të vështirë.

    Juria profesionale e përbërë nga: regjisori Ilir Bokshi, aktori Astrit Kabashi, aktorja Shengyl Ismaili, regjisori Ben Apolloni dhe regjisori Kushtrim Koliqi, kishte vendosur që në mënyrë unanime çmimet vjetore për teatër të ndahen në këtë formë:

    Çmimi për vepër jetësore t’i ndahet aktorit Enver Petrovci.

    Ky çmim është ndarë për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit dramatik në Kosovë, kontribut i dhënë si Aktor, Profesor, Dramaturg, Regjisor dhe Themelues i Institucioneve Teatrore në vend.


    https://www.kultplus.com/teatri/enve...eper-jetesore/
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 01-06-2021 më 11:08

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: Enver Petrovci, një artist i shumanshëm



    Universiteti i Prishtinës i ndanë titullin "Profesor Emeritus", profesorit Enver Petrovci


    Enver Petrovcit i ndahet titulli “Profesor Emeritus”

    Senati i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për ndarjen e titullit “Profesor Emeritus” për Enver Petrovcin, mësimdhënës i rregullt në Fakultetin e Arteve të UP-së.

    Organi më i lartë akademik i UP-së ka aprovuar kërkesën e Këshillit të Fakultetit të Arteve, të mbështetur nga Këshilli i Fakultetit Filozofik dhe i atij Ekonomik, me ç’rast i ka caktuar titullin në fjalë profesorit Petrovci, transmeton Klan Kosova.

    Dorëzimin e titullit “Profesor Emeritus” profesorit Petrovci ia dorëzoi rektori Qerimi, në një ceremoni simbolike të organizuar në dekanatin e Fakultetit të Arteve.

    “Është hera e parë që nga ky pozicion po e dhuroj një titull kaq të veçantë honorifik, sikurse është profesori emeritus. Njëherësh, është hera e parë që një titull i tillë i caktohet një mësimdhënësi në Fakultetin e Arteve. Ka shumë gjera që në jetë dhe në profesion zëvendësohen, por themeluesi është i pazëvendësueshëm”, tha rektori, teksa i prezantoi titullin profesorit Petrovci, i cili ishte ndër aktorët e parë që iu bashkua nismës së udhëhequr nga profesor Faruk Begolli, për hapjen e Katedrës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve, para tri dekadash.

    I nderuar me pranimin e këtij titulli u shpreh profesori Petrovci. Duke i falënderuar kolegët për iniciativën dhe rektorin për ndarjen e titullit, ai tha se këtë titull e pranon në emër të tij, por edhe të profesorit Begolli.

    Titulli “Profesor Emeritus” iu dorëzua me motivacionin: “Për kontributin dhe përkushtimin shumëvjeçar dhënë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, për avancimin e vlerave akademike dhe krijimin e kuadrove të reja në artet skenike”.

    Fakulteti i Arteve, duke e nderuar profesorin Petrovci, e vlerëson të kaluarën e çmuar të tij në këtë institucion.


    Gazeta Kultplus

    https://www.kultplus.com/lajme/enver...esor-emeritus/

Tema të Ngjashme

  1. Arti duhet të jetojë!
    Nga Fiori në forumin Arti shqiptar
    Përgjigje: 216
    Postimi i Fundit: 30-05-2007, 19:08
  2. Desire - Various Artist
    Nga StterollA në forumin Krijime në gjuhë të huaja
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 09-07-2003, 21:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •