Ekskluzivisht për "Shqip" flet regjisori i filmit, Alan Trow

"Kësulat", britanikët drejt çakut të parë

Pritet të luajë Isabella Rossellini në rolin kryesor të një gazetareje lufte

Nga Londra
Muhamed Veliu


Regjisor i këtij filmi është britaniku Alan Trow, ndërsa skenari është shkruar nga Jimi Tihofski. Producentët e këtij filmi, ku krahas aktorëve të huaj kanë angazhuar disa aktorë shqiptarë nga Kosova, synojnë që "Kësulat" të jetë një prodhim cilësor për kinematë evropiane. Fabula e filmit është bazuar në një histori të vërtetë. Në qendër të tij është një gazetare britanike e quajtur Kate Osman, e cila me të mbërritur në Kosovë takohet me kolegen e saj, Sophie Leclaund, një korrespondente ndërkombëtare lajmesh, e cila e çon atë drejt zbulimit të fakteve në konfliktin ballkanik. Sophie i tregon Kate rreth një lajmi për të cilin ajo po punon se si dy familje shqiptare dhe të tjera serbe janë përfshirë në konflikt që nga viti 1999. Një prej personazheve shqiptare është mjeku Alban Bregu, i cili ka edhe disa pacientë serbë. Milani është njëri prej tyre. Kur ai sëmuret Albani e kuron madje i jep edhe suport moral. Milan thotë "Albani është një shqiptar trim si shqiptarët e vjetër". Por më tej në film do të shfaqet Albani i mërzitur nga kërcënimet. Ai ka vetëm një rrugë duhet të ndërpresë kurimin e Milan ose do të ekzekutohet. Më tej ngjarjet në film do të jenë tërësisht drama shqiptare. Ardhja e serbëve në fshat, djegia e tij dhe largimi i familjes së doktor Albanin priten të jenë rrënqethëse duke rikrijuar skenat makabre që përjetuan shqiptarët gjatë kohës së luftës. Hallet për Albanin nuk do të kenë të sosur. Pasi ai dhe familja i kanë shpëtuar ushtrisë serbe, duhet të përballet me një shqiptar të quajtur, Besnik, i cili e konsideron mjekun shqiptar si bashkëpunëtor të serbëve. Besniku kërkon eliminimin e Albanit duke i ngritur një kurth, por ai shpëton. A mund t‘u mbijetojë gjatë Albani paragjykimeve të dy komuniteteve të shqetësuara? Përgjigjen shikuesit do ta marrin kur ky film të shfaqet në kinematë evropiane siç synojnë realizuesit e tij.

Regjisori Alan Trow:
"Kësulat", filmi më i rëndësishëm në historinë e Kosovës

Regjisori i filmit, Alan Trow, një ditë përpara nisjes për në Prishtinë, gjatë një interviste ekskluzive për "Shqip" për herë të parë ka rrëfyer detaje të filmit për të cilin flet me shumë pasion. Për të, hera e parë e vënies në kontakt me këtë projekt kinematografik ambicioz ishte kur ai u kontaktua nga skenaristi i filmit, shqiptari nga Podujeva, Jimi Tihofsi. Trow pohon se i gjithë skenari është bazuar në eksperiencat e kaluara gjatë luftës nga familja e producentit shqiptar. "Fillova të punoj për këtë film që në gusht 2006. Që nga ajo kohë kemi punuar shumë për ta zbërthyer me detaje skenarin. Besoj se do të jetë filmi më i rëndësishëm i prodhuar ndonjëherë në Kosovë", rrëfen regjisori britanik, i cili ka një karrierë të pasur kinematografike me një sërë filmash. Sipas tij, ky film nuk është një film i mirëfilltë lufte që kërkon një buxhet miliona dollarësh. Por Alan Trow e shikon atë si një film ku do të dalin në pah jetë njerëzore, vuajtjet e mundimet e shqiptarëve të Kosovës. Regjisori Alan Trow thotë se "Gjatë një periudhe gjashtëjavore ne do të përqendrohemi në atë që quhet faza parapërgatitore. Xhirimet do të nisin në fund të muajit maj. 75 për qind e filmit është me aktorë shqiptarë dhe serbë. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë në anglisht". Trow pohon se janë duke kërkuar tre aktorë të një profili të lartë për të luajtur rolet kryesore, ato të dy gazetarëve dhe një tjetër. Ai ka shumë dëshirë që në filmin e tij të jetë Isabella Rossellini, e cila ka filluar të lexojë skenarin. "Pjesa që ne kërkojmë të luajë Rosellini është shumë interesante. Bëhet fjalë për atë një gazetareje të profilit të lartë që raporton ngjarjet e luftës nga rajoni. Shpresojmë që ajo të bjerë dakord dhe ta luajë këtë rol. Besojmë se pas dy ose tri javësh do të marrim një përgjigje nga ajo", thotë Trow me një zë optimist që të lë të besosh se kjo aktore do të shkelë në Kosovë për t‘u bërë pjesë e këtij filmi.

Filmi

Skenari është më shumë se 100 faqe. Në total, sipas regjisorit pritet të dalë një film 100-minutësh. Pas përfundimit të xhirimeve, Alan Trow pohon se ky film do të ketë një distribucion për tregun ndërkombëtar të filmit në dallim me filmat e tjerë që janë xhiruar deri më tani në Kosovë. Përzgjedhja e aktorëve shqiptarë është bërë me kujdes pas disa audicioneve radhazi. Regjisori Trow shprehet se ka mbetur i kënaqur nga të gjithë ata. Në film do të jenë 47 personazhe nga ato gjashtë do të jenë aktorët që u janë besuar rolet kryesore. Rolet kryesore të karaktereve shqiptare u janë besuar: Bislim Muqajt, Selman Jusufit, Aurita Agushës dhe Blerta Sylës. Mësohet se "Kësula" gjatë festivalit të sivjetshëm në Kanë do të prezantohet si një film në produksion e sipër. Por qëllimi kryesor i realizuesve të tij është fitimi i një çmimi në festivalin e filmit evropian quajtur "Camera Image" në Poloni kthyer në një nga evenimentet më të rëndësishme të kinematografisë evropiane, në veçanti për filmat në gjuhë të huaja.