Si do të bëhet përzgjedhja e arsimtarëve


"Të pastrojmë të gjitha nivelet e shkollës nga mësuesit pa arsimin përkatës". Kjo mbetet motoja i reformës arsimore në Qarkun e Elbasanit, e cila ka hyrë në etapën e dytë të zhvillimit të saj. Drejtoria Rajonale e Arsimit në Elbasan, pas fazës evidentuese seleksionuese, gjatë muajit prill dhe maj harton listat përkatëse për të gjitha ata mësues që duhet të largohen përfundimisht nga sistemi arsimor në të katra rrethet e këtij Qarku. "Jemi duke zbatuar një udhëzim të Ministrisë së Arsimit që ka lidhje me evidentimin e mësuesve pa arsim dhe ata jashtë profilit, të cilin po e zbatojmë gradualisht dhe pa krijuar probleme sociale në këtë sektor", ka pohuar Gazmend Bylyku, përgjegjës i sektorit të burimeve njerëzore pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Elbasan. Sipas tij, jo vetëm në zbatim të ligjit që nxit reformën në arsim, por dhe për vetë traditën afro shekullore të këtij qyteti në fushën e arsimit, ka kaluar koha që në shumë shkolla të këtij rajoni, mësimdhënia ende të bëhet me mësues pa arsimin përkatës ose jashtë profilit. "Në qytet ka me qindra mësues të diplomuar me arsim të lartë të të gjitha degëve, por që janë në pritje të vendeve të lira të punës, pasi jo pak vende mbahen për hir të vjetërsisë në punë nga mësues pa arsimin që kërkon koha", ka shpjeguar Bylyku, duke shtuara se "ne do të ofrojmë vende të lira pune sipas arsimit dhe profilit që kërkon çdo nivel shkolle, pavarësisht se shumica e të rinjve apo të rejave të diplomuar, pretendojnë në qytet apo në rrethina të tij". Në kuadrin e kësaj reforme, mësohet se në shtatorin e ardhshëm, vetëm për rrethin e Elbasanit, do të largohen afro 150 mësues, të cilëve nuk u përkon shkalla e arsimit me atë të vendit të punës. "Në kuadrin e reformës, që presupozon së pari largimin e të padiplomuarve, ne synojmë futjen e brezit të ri me diplomë me arsim, pavarësisht se një pjesë e tyre, ka refuzuar të punojë në fshatra të largët", ka shpjeguar kreu i arsimit në Qarkun e Elbasanit, Fatos Bajraktari. Sipas tij, do të humbasin të drejtën e punësimit të gjitha ata mësues, që pas hapjes së vendeve të lira të punës, refuzojnë të shkojnë atje ku është mundësia e punësimit. Aktualisht, reforma ka nisur në zona rurale të këtij rrethi, ku reforma ka prekur të gjithë ata që kanë qenë me shkollë të mesme të përgjithshme apo dhe bujqësore, të cilët kanë punuar mësues, vetëm ngaqë nuk ka pasur kuadro në këto zona. Të paktën në 20 shkolla rurale të Elbasanit, gjer dje mësohet të jenë larguara 20 mësues pa arsimin përkatës. Sipas inspektorëve të kësaj drejtorie, në zbatim të urdhrit të ministrit, do të vazhdojnë të jenë në arsim vetëm ata që e kanë mbaruar të mesmen pedagogjike për mësues të Ciklit të Ulët nga viti 1972 e tutje, ndërsa të tjerët do të largohen. Në këtë kategori që presupozohen pa arsimin përkatës, përfshihen edhe ata që janë në vazhdim të shkollës së lartë me kohë të pjesshme gjer në marrjen e diplomës. Sipas informacionit në Drejtorisë Rajonale, veç rrethit të Elbasanit që do të selektojë 150 mësues pa arsim përkatës, gati po aq është dhe numri i atyre që do të shkurtohen nga tre rrethet e tjera.

Gazeta Shqip