(Marre nga Shekulli)
Të përmendësh fjalët "barbarë" dhe "barbari", natyrisht mendja të shkon në mënyrë instinktive tek kohë të largëta, tepër të largëta, ndoshta për ndërgjegjen e shumëkujt tek kohët e pakohë, domethënë tek kohë të papërcaktuara qartë, ndoshta edhe prej faktit se askush nuk do që të ketë të bëjë me barbarët dhe me barbarinë. Sepse jetojmë të tjera kohë. Kohë të qytetërimit. Por ja që barbarët dhe barbaria nuk i "ndahen" qytetërimit. Sidomos këtij qytetërimit tonë, në këtë vend ku jetojmë.
Më tronditi ajo që pashë në një kanal televiziv ditën e enjte, një kronikë që ngrinte shqetësimin se si një shpellë me një histori gjashtëmijë vjeçare po shkatërrohej me tërë thesarin që mbart ajo në vetvete, si objekt me vlera kaq të veçanta. Bëhet fjalë për një shpellë në një fshat të Korçës, e cila i kishte rezistuar rrjedhës së kohës në plot gjashtëmijë vjet, u kishte rezistuar edhe atyre epokave dhe kohëve që flitej më shumë për barbarë dhe barbari, por ja që në këtë fillim të shekullit të 21-të ajo po shkatërrohet prej barbarëve që jetojnë në "qytetërim". Dikush kishte marrë leje edhe nga Ministria përkatëse, për të vendosur në brendësi të tokës lëndë shpërthyese, për të hapur… gropa gëlqereje (!) "Shpella prehistorike është në rrezik!", kumtonte me të drejtë dhe me shqetësim qytetari, kronika. Në rrezik janë edhe vizatimet prehistorike në faqet e shpellës, në brendësi të saj. Në rrezik një pasuri e tillë e madhe, që "konkurrohet" aq lehtësisht dhe në mënyrë kriminale, për hir të ndërtimit të një grope gëlqereje! O Zot, çfarë barbarie!,- gati sa nuk klitha prej një zemërimi dhe dëshpërimi të thellë. Si është e mundur të ndodhe një gjë e tillë? Si lejohen të tillë barbarë të hedhin në erë atë që natyra e ka ruajtur me mijëra vjet, duke na e lënë "amanet" këtë trashëgimi që ta ruajmë me kujdes, madje edhe prej vetë asaj?!
Të nesërmen pashë me vëmendje mediat e tjera, se mos ngrihej shqetësimi për këtë veprim, por trishtimi dhe dëshpërimi im ishte akoma më i madh. Asgjëkund nuk pashë të flitej më për këtë akt barbar mbi një objekt kaq të vyer. (Kërkoj ndjesë nëse mund të mos kem vënë re në ndonjë gazetë, ndonjë reagim lidhur me këtë ngjarje). Për çfarë nuk shkruajmë e flasim në media: për politikanë që shahen dhe kacafyten, për dashuritë dhe pabesitë e tyre, për drogë dhe prostitucion, për krime dhe kriminelë ordinerë, duke dhënë shpesh detaje kaq të rëndomta nga gjithë kjo "tematikë" e gjerë... Por asnjë rresht për barbarinë e disa njerëzve që, me psikologjinë e tritolit, hedhin në erë vlera të papërsëritshme kulturore.
Hedhin në erë historinë tonë. Dhe për çfarë? Për një gropë gëlqereje, në rastin në fjale. Për të hapur themelet e ndonjë ndërtimi, pikërisht atje ku është zbuluar se fshihen thesare arkeologjike, në një rast tjetër… Barbarë të kohëve moderne, të "qytetërimit" tonë, ka sa të duash mes nesh. Barbarë që, pa asnjë brerje ndërgjegjeje, me sharra dhe sëpata në duar, u janë vërsulur dhe vazhdojnë t'u vërsulen pyjeve duke i rrafshuar, duke zhbërë në mënyrë tejet barbare atë që natyra ka krijuar në qindra e mijëra vite. Barbarët në "qytetërim", u janë vërsulur dhe vazhdojnë t'u vërsulen lumenjve, duke i zhbërë në një mënyrë të frikshme, duke i devijuar, apo edhe më keq, duke i shndërruar në përrenj të veckël, apo edhe duke i tharë krejt.
Barbarë që masakrojnë Tokën! Dhe janë barbarë me licenca të marra nga shteti, nga organet e tij të specializuara dhe "kompetente". Të specializuar për çfarë? Për akte barbare? Se çfarë emri mund t'u vihet veprimeve të tilla? Shkatërrimit të vlerave kulturore? Rrafshimit të pyjeve? Vjedhjeve dhe dëmtimeve të bëra në Voskopojë, të këtij vendi që krijoi në kohën e vet një qytetërim dhe kulturim pararoje për Ballkanin, ndërsa sot, "qytetërimi" ynë i fillim shekullit të 21-të e trajton barbarisht. Voskopoja, kjo trashëgimi e vyer kulturore, renditet mes 100 site-ve më të rrezikuara në botë, sipas drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe… A nuk është barbari në qytetërim fakti, që njerëzit iu sulën deri edhe kështjellave dhe i "zhveshën" ato duke u marrë gurët për të ndërtuar haure, stalla për bagëti, puse, apo për çfarë t'u lindë nevoja?
Duke iu kthyer shembullit në hyrje të shkrimit, sjell në kujtesë diçka nga një udhëtim turistik nëpër disa qytete të njohura të Spanjës, para katër viteve. Në qytetin historik, Granada, mes gjërave të bukura dhe pikante që na servirën autoritetet e qytetit për të vizituar, na çuan edhe në dy-tri shtëpi në formë shpelle, ku dikur jetonin ciganët. Nuk ishin më shumë se njëqind apo dyqind vjeçare. Brenda tyre nuk kishte ndonjë gjë të veçantë, por turistët e huaj që kalonin në atë qytet, shkonin me kënaqësi nëpër këto shtëpi-shpella, duke parë me sytë e tyre një pjesë të historisë së atij vendi… Dhe të binte në sy kujdesi i lavdërueshëm që tregohej për mirëmbajtjen e tyre. Kurse tek ne një shpellë gjashtëmijë vjeçare bëhet "viktimë" e barbarëve të licencuar për shkatërrim. Dhe ajo që është për të dhënë alarmin, ka të bëjë me heshtjen shtetërore dhe qytetare ndaj kësaj lloj barbarie.
Krijoni Kontakt