Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    ► ☆☆☆ ◄
    Anëtarësuar
    26-10-2005
    Vendndodhja
    Mëmëdhe
    Postime
    4,834

    Shqipëria “e ngrirë” në kufirin greko-turk

    Sëmundja e papandehtë e kryeministrit turk Erdogan për të mos ardhur në Shqipëri, pavarësisht se si u justifikua nga të dy palët, pa dyshim që ngjan me një sëmundje mirëfilli diplomatike. Shumëkush këto ditë hamendëson se ç’mund të fshihet pas kësaj pandehme ndjellakeqe. Natyrisht që nuk është vetëm mosprivatizimi i Albetelekomit prej turqve shkaku kryesor, as ‘kapriçioja”e pashëmbëllt e Berishës për të bojkotuar në mënyrë të turpshme e tekanjoze vizitën e paradokohëshme të Erdoganit në Tiranë, meqë ky na paskësh ftuar Nanon si krushk në dasmën e djalit të vet. Me sa duket diplomacia shqiptare, e drejtuar nga dora e fortë e Berishës, sërish ka mbetur e ngrirë dhe e paralizuar në kufirin e nxehtë greko-turk për arsye e shkaqe shumë më serjoze, ku e ku më të rëndësishme nga ato që mund të duken e zhbirilohen së largu.
    Për t’ju qasur enigmës së kësaj ngrirjeje diplomatike më në thellësi do të lipset të vështrojmë marrëdhëniet dy palëshe në distancë. Kështu, kur Berisha ishte president, në kryqëzimin e “21 dhjetorit”, presidenti turk Demirel bëri kurban një dash para se të ulej për bisedime me presidentin Berisha në Pallatin e Brigadave, ku ishte hequr, paraprakisht, edhe shtatorja e Skënderbeut, për të mos e lënduar në ndjenjat historike mysafirin e lartë turk që po shkelte për herë të parë në tokën shqiptare. Asokohe diplomacia shqiptare dhe krerët më të lartë të politikës e quanin me krenari e me zë të lartë popullin turk jo vetëm vëlla, po edhe të një gjaku.Veç nuk është bërë ende e qartë se kë kishim patur të përbashkët, ne nënën e ata babën historik, apo e kundërta. Sidoqoftë, nga dashuria e papërmbajtur shqiptaro-turke pat lindur e para shkollë private e huaj e që natyrisht do të qe turke, e hapur në hyrje të Tiranës, mu te “21 dhjetori”, ku dashi u bë kurban, shkollë e cila u pagëzua më vonë me emrin e presidentit të ndjerë Turgut Ozal, për t’u pasuar më pas me shumë shëmbuj të tjerë në fushën e tregtisë, ushtrisë, shëndetësisë, industrisë, kulturës, etj…
    Zëdhënësit dhe shkarrashkruesit zyrtarë asokohe thoshin me mburrje dhe me kompetencë agresive që populli shqiptar jo vetëm që është në shumicë dërrmuese musliman, po edhe se konvertimi fetar nga të krishterë në muslimanë na qënkësh bërë për të mirën tonë. Madje edhe pushtimi pesë shekullor otoman paskësh qënë një fat i madh për ne, fat që na kishte shpëtuar nga asimilimi dhe shfarrosja që do të na bënin sllavët dhe grekët. Sipas kësaj pikëpamje, Turqia vërtet na kishte mbajtur të pushtuar për pesë shekuj, vërtet na kishte lëshuar të fundit në Ballkan, por ama këtë e kishte bërë nga dashuria e madhe që kishte për ne si “vëllezër të një gjaku”, sepse, po të mos na kishte pushtuar, e, ca më keq, po të na lëshonte më parë, pra, po të bëheshin shqiptarët të pavarur që në kohën e Lidhjes së Prizrenit, para Bullgarisë, Serbisë, le më edhe para Greqisë, do të ishin gllabëruar e shfarrosur me rrënjë e me degë nga këta fqinjë kaurrë të panginjur me antishqiptarizëm, për këtë arsye edhe të mallkuar jo vetëm folklorisht!
    Ne në të vërtetë nuk paskëshim qënë përnjimend të pushtuar, po gjasme të pushtuar, pasi ishim ne që realisht e kishim patur nën sundim Turqinë, meqë, gjithnjë sipas studjuesve në fjalë, shumë vezirë, gjeneralë e pashallarë të shquar të perandorisë që kishin bërë histori në Anadoll paskëshin qënë shqiptarë! Edhe Qemal Ataturku i madh na qënkësh me origjinë shqiptare! Edhe një sulltan që tani nuk ia kujtoj dot emrin, ka pas qënë me origjinë shqiptare! Sami Frashëri ynë kishte hartuar enciklopedinë e parë turke! Vaso Pasha na ishte kështu e kështu, guvernator në Liban…Këta burra të shquar që kishin bërë emër në Turqi nuk kishin asnjë faj që e kishin lënë historinë e Shqipërisë djerrë, dmth pa histori, pa mëvetësi, pa zhvillim, më prapa nga të gjithë popujt e rajonit! Mjaftonte që qenë bërë të mëdhenj e kishin ndikuar me mish e me shpirt në lartësimin e perandorisë që ne na mbante nën zgjedhë. Por kjo mjaftonte ama për t’u ndjerë fodullë e krenarë!
    Atëbotë edhe Skënderbeu në shumë artikuj e përsiatje kësodore doli se na kishte marrë më qafë teksa kishte rezistuar dhe luftuar kundër turqve për 25 vjet! E pra, për këto arsye “madhore e shkencore”, të pathëna e të padëgjuara deri në atë kohë, kush kishte emër katolik e sidomos ortodoks do të shihej si një tradhtar i kamufluar, potencial, i rrezikshëm, si një grekofil, si një sllavofil, ca më keq akoma, si një sllavokomunist, si një sllavoortodoks i mallkuar, me një fjalë si një palo “lindor” i pandreqshëm e më se i dyshimtë, pasi në dejet e tij nuk rridhte asnjë pikë gjaku prej shqiptari të vërtetë! Në Shqipëri më pak, por në Kosovë e sidomos në diasporë kishte jo pak që i hanin dhe i gëlltisnin pa i përtypur këto dokrra e këtë biçim propagande të ndyrë që në thelb ishte dhe është antishqiptare, përçarëse, djallëzore, e ndyrë samëska.
    Për këto arsye e në këto rrethana Berisha president u shty edhe më larg në veprime më konkrete, duke u shfaqur kryesisht në diplomaci e në propagandë si një kryenacionalist i thekur dhe i orientuar jo vetëm kundër Serbisë, e cila kishte pushtuar Kosovën, po edhe kundër aleatit të saj, Greqisë, për të mos përmendur Rusinë, me të cilën marrëdhëniet i mbajti krejt të ngrira, më keq edhe se me Kinën, kundër së cilës që në ditët e para të pluralizmit organizoi protesta para Ministrisë tonë të Jashtëme. Ai shpresonte se kësisoj do t’u mbushte mendjen diasporës e veçanërisht “rajersonëve amerikanë” se ishte një antikomunist i kulluar, një antilindor i betuar, një antisllav, gjë që vetkupton autimotaikisht, sipas tij, edhe një aleat të mrekullueshëm dhe të pazëvendësushëm i SHBA-ve, pavarësisht se kishte pas qënë vetë një komunist i flaktë.
    Dhe, duhet thënë, për hir të së vërtetës, në vitet e para ai pati sukses në këtë drejtim, pasi edhe më vonë, kur Berisha ra në opozitë, qeveria Nano për jir të kësaj propogande besohej nga shumëkush në diasporë e në Kosovë se ishte një qeveri greke e instaluar në Tiranë...Në këtë klimë, nuk do shumë mend për të kuptuar, Turqia për ne do të ishte “vëllau i madh” e kryesor mbrojtës!
    Por ja që tani ujërat po rrjedhin në kah të kundërt. Tani, me sa duken bathët, “vëllau i madh” po na bëhet Greqia!

    ****

    Sidomos në diplomaci zelli i tepërt dhe dehja nga vetvetja e një amatori dhe e një deliranti politik, herët a vonë, të ha kokën. Greqia zyrtare, e cila fillimisht e kishte përkrahur Berishën për të ardhur në pushtet, e zhgënjyer, qe bindur shumë shpejt, jo vetëm për shkak të arrestimeve spektakolare të disa minoritarëve, se Berisha ishte një antigrek meqë qe vetshpallur një proturk i zellshëm, duke e etiketuar nën zë si një udhëheqës të orientuar në veprimet e tij politike si prej një “muslimani të vërtetë”, i cili bënte flirte hapur me Turqinë dhe me shtetet islamike në dëm të interesave të saj, pasi edhe zyrtarisht Shqipëria qe futur, e vetmja në Ballkan, në Konferncën Islamike. Fjala e Gazidedes, e shefit të shërbimit tonë sekret në Kuvend kur u shpall gjëndja e jashtëzakonëshme për rolin tejet negativ të shërbimeve të fshehta greke e amerikane në ngjarjet e vitit 1997, provon, më së paku, se të dy palët, përfshi edhe SHBA-në, në atë kohë ishin përfshirë në mosbesim dhe në një urrejtje të ndërsjellë që i kapërxente edhe marrëdhëniet diplomatike.
    Është e qartë, pas dhjetë vjetësh, Berisha kryeminstër nuk dëshiron të bëjë të njëjtat gabime.Greqia jo vetëm që është anëtare e BE-së, po ka edhe një lob tejet ndikues në Bruksel e sidomos në SHBA. Më mirë se kushdo Berisha tashmë e ka kuptuar, pasi e ka provuar e paguat shtrenjtë në kurrizin e vet, se një acarim i ripërsëritur me Greqinë do të ketë një kosto tepër të shtrenjtë për të personalisht. Sikur PDNJ, me urdhër nga Athina të dalë nga koalicioni, qeveria e tij bie menjëherë, pa qënë e nevojëshme për situata të ngjashme me ato të vitit 97! Sikur bankat greke të kërkojnë paratë e debitorëve, sikur nafta të bllokohet në kufi një javë, sikur kompanitë celulare të mos punojnë për disa ditë, se u “janë prishur kompjuterat”, siç ndodh rëndom në dogana, atëhere mund të kuptohet lehtë se në ç’kolaps do të bjerë qeveria dhe vetë Berisha!
    Ndaj nga antigrek Berisha po përpiqet me çdo cmim të shfaqet si një progrek i sinqertë, duke e paguar shtrënjtë faturën që të mos duket si një antiturk, po si një jo proturk. Vetëm kështu mund të japë provën e ndryshimit e të besimit te zyrtarët grekë... Doni varreza të ushtarëve grekë? Doni eshtra? Doni shkolla greke? Doni Himarën? Doni favore të kompanive greke? Veç hapni gojën e kërkoni, të dashur vëllezër grekë që dje ishit armiqtë e mi të betuar!
    Nuk besoj të jetë e vështië të përfytyrohet se ç’do të kishte bërë Berisha president po qe se skandali me këngët militare, antishqiptare e rraciste të ushtarëve grekë, të kishte ndodhur në vitet 90-të. Le më sikur të kishin bërë vaki çuditë në Himarë gjatë zgjedhjeve, ku hapur digjej flamuri shqiptar e ku deputetët grekë silleshin si të ishin në ndonjë ishull grek! A do të kishte zbritur me avion Berisha president në Athinë për të takuar kryeministrin grek, Karamanlis, për t’iu varur atij në qafë në mënyrë aq mallëngjyese?
    Për këto arsye nuk janë vetëm kompanitë e celularëve, as vetëm bankat greke, as vetëm çisternat e naftës e të gazit që vijnë nga Greqia, madje as mbi gjysmë milion emigrantë që punojnë shumica në të zezë në Greqi që janë vënë në kandarin diplomatik të Berishës për të mbajtur anën e Greqisë në dëm të interesave si të Shqipërisë, pse jo edhe të “vllaut “ të djeshëm, Turqisë. Berisha kryeministër ka vetëm hallin e vet. Ai beson se ka nxjerrë mësime nga e kaluara e vet e hidhur, ndaj tashmë është më se e qartë se nuk do që të rrëzohet sërish nga pushteti, pasi e di se, për t’a dëmtuar e rrezikuar, më kollaj edhe se në vitin 97, aktualisht është Greqia më e aftë, më influente dhe më potente se Turqia.
    Diplomacia primitive e transformimit të paturpshëm nga anti në pro, nga vëlla me kokë në armik të betuar dhe anasjelltas, sipas interesit vetiak dhe jo atij kombëtar, është karakteristika më kryesore e tij jo vetëm në këtë rast. Të bësh “birin e kurvës” në fund të fundit nuk është ndonjë zotësi e aftësi që domosdo do të të sjellë dobira afatgjatë. Vendet e vogla nuk mund të bëjnë më politikë enveriste,duke kujtuar se mund të bëhen qëndra botërore e marksizmit, po as e rajonit. Nuk mund të luajnë ndonjë rol në politikën globale dhe as rajonale udhëheqës të tillë të paqëndrueshëm, të karfosur kotekot, të pavetëdijshën për peshën reale të tyre, që kujtojnë se po shkove të flesh për inat të vjehërrës me mullixhiun, ia ke hedhur jo vetëm familjes, po edhe gjithë katundit! Nuk mund të gëzojnë respekt dhe aq më pak dinjitet, qoftë edhe në Ballkan, udhëheqës që, për të mbijetuar politikisht sa më gjatë zbatojnë kësisoj parimin e strucit, duke fshehur kokën në rërë për të shpëtuar vetëm veten, duke sakrifikuar, pa e carë kokën, jo vetëm njëherë, interesat madhore kombëtare.
    Ndaj kjo lloj “diplomacie” do t’i kushtojë Berishës, po edhe popullit, sërish shtrenjt, pavarësisht se Turqia nuk është anëtare e BE-së, por ama ajo është një shtet tepër i fuqishëm, me një ndikim jo të vogël në rajon po se po, po edhe në botë. Me Turqinë nuk mund të bëhen dot shakara të tilla. Ja përse Shqipëria, mjerisht, ka mbetur peng, e ngrirë në kufirin greko-turk. Është thuajse e njëjta situatë diplomatike që pat ndodhur me Rusinë dhe Kinën në vitet e para të demokracisë, por ja që tani na u dashkërka edhe vota e tyre në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Kosovës! Diplomacisë shqiptare i duhet të lëpijë ato që ka thënë ndaj tyre, po kjo, nuk bën më fajde.
    Fatkeqësisht zyrtarët tanë të lartë nuk nxjerrin mësime as nga pësimet e njëpasnjëshme e tyre. Ata vazhdojnë të luajnë keq e mos më keq, si megallomanë e fodullë qesharakë në diplomaci, si amatorë e fajdexhinj katundi që kënaqen kur fitojnë ca kacidhe sot për sot. Ne quajtëm pas lufte vëllëzër gjithë popujt e Jugosllavisë, më pas gjithë popujt e Bashkimit Sovjetik, më pas Kinën e bëmë motër, e tash po duam të bëjmë herë SHBA-në e herë BE-në, duke i nëmosur pa pikë turpi vëllezërit e motrat e djeshëm, njëri pas tjetrit, si armiq të betuar, në mënyrë që të fitojmë dashurinë e porsa gjetur të “vëllaut” të ri të madh! Ndaj edhe kemi mbetur si krrushq të ngrirë edhe në kufijtë e BE-së. .Ja përse edhe mini-shteti Mal i Zi, paçka se para më shumë se një viti u shpall i pavarur, firmosi pas një viti MSA-në me zotin Olli Rehn, ndërsa ne, pas 16 vjetësh! Ne jemi më të fundit krahasuar edhe me Maqedoninë, ne vazhdojmë të mbetemi të ngrirë e të kallkanosur në kufijtë e BE-së, pasi, për hicmosgjë jemi herë pro dhe herë kundër, herë vëllezër të përjetshëm dhe herë armiq të përbetuar!
    Ne nuk jemi të besueshëm. Me këta drejtues të hallakatur asesi nuk mund të ngjallësh besim. Andaj po na lenë gjatë dhe pa vizë hyrëse në kufijtë e shteteve, te të cilët dëshirojmë, me aq padurim, të integrohemi.



    Gazeta Shqiptare.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e mondishall
    Anëtarësuar
    28-11-2006
    Vendndodhja
    Ne Selanik te Greqise
    Postime
    2,690
    Analizave te tilla, te tipit enverian, sado perseprapthi qe te ngjasin, ju ka kaluar koha me kohe. Vellezer dikur jane quajtur vendet me ideologji te perbashket. Mbi kete baze ndertoheshin dhe marredheniet shteterore. Sot s'ka me nevoje termash te tille ne politikat shteterore. Ka marredhenie interesash qe levizin po sipas interesave, por ama pa ekstremitetet e dikurshme. Mania e analizave bardh e zi te con patjeter ne etiketime te ftohta apo te ngrohta te marredhenieve, gje qe stonon me menyrat dhe format e zhdervjellta ne te cilat levizin sot keto marredhenie. Kur shpreh duf per vartesite e sotme ekonomike, nga firma greke, italiane, etj, ke nostalgji per metoden e kundert te trumbetuar dikur, te ndertimit te cdo gjeje, me forcat e veta. Gjithmone do kete te kenaqur e te pakenaqur, pas nenshkrimit te marreveshjeve me firmat e huaja, pas dhenies apo jo te lejeve vepruese ne territorin shqiptar. Kur ndodh nje veprim i tille ekonomik, kuptohet qe do pickohet ose guduliset edhe politika perkatese. S'ka ketu as inat vjehre, as lepirje te te peshtyres, as krahasime te tjera me fjalet e urta popullore. Cudi si paskemi kaq kohe per kerkime te tilla fjalesh dhe analizash demode, ne vend te mendimit te vertete shkencor per ecjen perpara. Boll me me izma dhe epitete te vjeteruara e shterpezuara qe vjeterojne dhe shterpezojne me keq propaganden gazetareske.

Tema të Ngjashme

  1. Lufta ballkanike dhe Shqipëria
    Nga Albin në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-07-2014, 07:05
  2. Procesi i Pavarësimit të Kosovës
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 12-10-2012, 06:23
  3. Përgjigje: 500
    Postimi i Fundit: 16-10-2009, 14:46
  4. Mocioni, Berisha flet për gjithçka, por jo për Fazlliç
    Nga njemik në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 19-12-2008, 10:44
  5. Janullatos: Nuk ka përparim me djegien e kishave dhe xhamive
    Nga Jesushaus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 08-04-2004, 07:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •