Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Justin Dëshmori: Apologjia e parë

    Justin Dëshmori

    Apologjia e Parë


    Mbrojtje

    1. Perandorit Tit Elit Hadrian Anton Piut August Çezarit dhe birit të tij Verisimus Filozofit dhe Lusit Filozofit, bir i Çezarit nga natyra dhe i adoptuari i Augustit , një dashurues i kulturës dhe Senatit të Shenjtë e gjithë popullit Romak – nga ana e njerëzve të çdo kombi të cilët padrejtësisht janë urryer dhe fyer, unë Justini, biri i Priskut dhe nipi i Bakut nga Flavia, Neapoli, në Siri, Palestinë, duke qenë dhe unë vetë një nga ata kam hartuar një mbrojtje dhe kërkesë.

    2. Arsyeja e do që ata që janë vërtet besnikë dhe filozofë duhet të nderojnë dhe të kujdesen për të vërtetën duke përbuzur ndjekjen formale të mendimeve të të lashtëve, nëse ata janë të pavyer.
    Dhe arsyeja as nuk do as kërkon që të ndiqni ata që bëjnë ose mësojnë atë çfarë është e padrejtë; ai që do të vërtetën duhet të zgjedhë në çdo mënyrë, qoftë edhe me çmimin e jetës së tij, nëse duhet të flasë dhe të bëjë atë që është e drejtë, megjithëse vdekja do ta marrë. Kështu bëni pra ju, qëkurse quheni të devotshëm dhe filozofë dhe ruajtës të drejtësisë dhe dashës të kulturës; më së paku na dëgjoni, dhe ashtu do të duket në do të jeni vërtetë të tillë . Sepse në këto faqe ne nuk vijmë përpara jush me lajka ose të bëjmë një fjalim për të fituar përkrahjen tuaj, por për t’ju kërkuar juve të jepni gjykime duke u mbështetur në hetimet e sakta dhe strikte, dhe jo të shtyrë nga paragjykimet ose respekti për njerëzit bestytë ose nga impulse irracionale dhe thashetheme të këqija që kanë zënë vend, duke dhënë një votë, e cila në të vërtetë do ishte kundra vetes tuaj. Sepse jemi plotësisht të bindur se ne mund të vuajmë vetëm në qoftë se provohet se jemi keqbërës ose të tregohet që jemi kriminelë. Ju mund të na vrisni, por nuk mund të na bëni ndonjë dëm të vërtetë.

    3. Por që asnjë të mos mendojë se kjo është një shprehje e paarsyeshme dhe mendjemadhe, ne kërkojmë që akuzat kundër nesh të hetohen. Nëse vërtetohet që ato janë të vërteta, le të dënohemi si të tillë. Por nëse askush nuk ka prova kundër nesh, arsyeja e vërtetë nuk ju lejon [ju] t’u bëni dëm njerëzve të pafajshëm për shkak të një thashethemi të keq, ose për më tepër të dëmtoni veten tuaj kur ju vendosni të merrni vendimin mbi bazën e pasionit dhe jo të gjykimit. Çdo njeri i nderuar duhet të dijë që kjo është një sfidë e sinqertë dhe drejtësi e vetme që qytetarët duhet të japin një tregim të drejtë të jetës dhe mendimeve të tyre dhe që qeveritarët, po ashtu, duhet të japin vendimin si ithtarë të devotshmërisë e të filozofisë e jo me dhunë tiranike. Nga kjo, si qeveritarët edhe të qeverisurit do të fitojnë. Siç ka thënë diku një i vjetër “në qoftë se qeveritarët me ata që qeverisin nuk bëhen dashurues të mençurisë, qytetet nuk do të përparojnë ”. Ndaj na bie neve t’u ofrojmë të gjithëve rastin që të hetojnë jetën tonë dhe mësimet tona se mos ne vetë mbajmë fajin, që ata që nuk na njohin siç duhet të veprojnë nga padija. Por juve ju bie, siç e kërkon arsyeja, të na dëgjoni dhe kështu të tregoheni gjyqtarë të mirë. Sepse në qoftë se ata që nxënë të vërtetën nuk bëjnë atë që është e drejtë, ata nuk mund të mbrohen përpara Perëndisë.

    4. Nami i thjeshtë i emrit s’do të thotë asgjë të mirë ose të keqe, përveç veprimeve që lidhen me atë emër. Në të vërtetë sipas këtij emri, ne jemi njerëz të hirshëm . Por ne nuk e mendojmë të drejtë të kërkojmë falje për shkak të emrit nëse është provuar që ne jemi kriminelë dhe nga ana tjetër, nëse as mbrojtja e emrit, as sjellja jonë nuk tregon që ne jemi keqbërës, ju duhet të përballoni një problem: duke dënuar padrejtësisht njerëz për të cilët nuk u provua asgjë, ju i keni borxh një dënim drejtësisë. As fitimi as dënimi nuk do ta përligjte emrin veçse në qoftë se diçka e admirueshme ose e keqe do të provohej vërtet prej tij. Ndër ju nuk dënohet i akuzuari para se të provohet fajësia; kurse me ne ju merrni emrin si provë, megjithëse pikërisht për këtë emër ju duhet më tepër të dënoni akuzuesit tanë. Sepse ne jemi akuzuar që jemi të krishterë; dhe nuk është e drejtë të urresh hirin. Përsëri, nëse ndonjë nga të akuzuarit mohon akuzën duke thënë se ai nuk është [i krishterë], ju e lironi atë si të mos kishit kundër tij provë për sjellje të keqe, por atë që pohon se është i tillë, ju e dënoni për pohimin e tij. Do të duhej më mirë të hetoni jetën e rrëfyesit dhe të femohuesit, kështu do të dilte nga veprimet e tyre se çfarë personi është çdonjëri. Ka nga ata që duke mësuar nga Krishti, mësuesi i tyre, kur vihen për të dëshmuar, u japin zemër të tjerëve që të mos mohojnë, dhe po ashtu të tjerë, sjellja e keqe e të cilëve u jep shkak atyreve që pëlqejnë të akuzojnë të gjithë të Krishterët për padevotshmëri dhe krim. Kjo është tërësisht e padrejtë. Ka nga ata që marrin emrin dhe veshjen e filozofëve, por nuk bëjnë asgjë të denjë për profesionin që kanë; siç e dini, njerëz ndër të lashtët që mbronin dhe predikonin pikëpamje të kundërta, janë përfshirë në emrin e filozofit. Disa nga ata mësuan madje dhe paperëndishmërinë dhe ata që u bënë poetë shpallën papastërtinë e Zeusit me gjithë bijtë e tij. Dhe ju nuk i ndaloni ata që ndjekin mësime të tilla, por u ofroni dhe çmime e ndere atyreve që në fjalë të bukura fyejnë i ato [perënditë].

    5. Çfarë do të thotë kjo? Në rastin tonë nuk bëni hetime, megjithëse ne s’jemi të prirur as të kryejmë krime as të kemi idera të tilla të paperëndishme. Kurse ju na dënoni padrejtësisht pa vendim, të udhëhequr nga pasione të paarsyeshme dhe fshikullat e demonëve të këqij. E vërteta duhet të thuhet. Në kohët e vjetra demonët shfaqnin veten e tyre duke joshur gratë, duke mashtruar djemtë e rinj dhe duke fanitur njerëzve pamje tmerruese, kështu ata që nuk i gjykonin drejt këto ndodhi ishin të mbushur me tmerr. Robër të frikës dhe pa kuptuar që këta ishin demonë të këqij, ata i quajtën ato perëndira dhe i dhanë secilit prej këtyre demonëve emrin që ai kishte zgjedhur për veten e tij. Kur Sokrati u përpoq me arsye të vërtetë dhe me hetimet e duhura të bënte të qarta këto gjëra dhe ta largonte njeriun nga demonët, ata, duke punuar ndërmjet njeriut të ngazëllyer në ligësi komplotuan që ta dënojnë me vdekje si të pabesë dhe të paperëndishëm duke hapur fjalë që po fuste hyjni të reja . Dhe tani ata bëjnë të njëjtën gjë me ne. Për këto gabime, u dënuan jo vetëm mes Grekëve me arsye, përmes Sokratit, por ndër barbarët, nga vetë Arsyeja, që mori formë dhe u bë njeri e u quajt Jesu Krisht. Duke iu bindur atij ne themi që demonët të cilët bëjnë gjëra të tilla jo vetëm që nuk janë quajtur me të drejtë perëndira, por në fakt janë të këqij, demonë jo të shenjtë, veprimet e të cilëve në asnjë mënyrë nuk janë si të njerëzve të dhënë pas virtytit.

    6. Kështu pra, ne jemi quajtur të paperëndishëm. Ne sigurisht rrëfejmë që jemi të paperëndishëm kundrejt qenieve të tilla që mendohen si perëndira, por jo kundrejt Perëndisë më të vërtetë, Atit të drejtësisë, përmbajtjes dhe virtyteve të tjera, i cili është i paprekshëm nga i ligu. Atë dhe Birin që erdhi prej atij dhe na mësoi këto gjëra dhe ushtrinë e ëngjëjve të mirë të cilët e ndjekin atë dhe janë bërë si ai dhe Shpirti profetik, që ne adhurojmë dhe lavdërojmë duke i dhënë ndere në arsye dhe në të vërtetë dhe kujtdo që dëshiron të mësojë duke transmetuar [të vërtetën] pa u lëkundur siç ne e kemi mësuar.

    7. Por dikush do të thotë “Disa të krishterë janë arrestuar dhe dënuar si kriminelë”. Ndoshta shumë në kohë të ndryshme, nëse ju shqyrtoni në çdo rast sjelljen e atyre që janë të akuzuar; por të mos dënohen [të gjithë] për shkak të burgosjes së tyre të mëparshme. Ne pranojmë se mes grekëve, ata të cilët mësonin çka dukej më e mirë për ta, janë të gjithë të rreshtuar nën emrin e filozofisë edhe pse mësimet e tyre janë plot kontradikta, kështu emri që sulmohet është i njëjtë për ata që janë e ata që duken si të mençur. Ata të gjithë renditen si të Krishterë. Prandaj ne kërkojmë që veprimet e atyre që bota i kallëzon tek ju, të hetohen, që çdo i dënuar të dënohet si kriminel, por jo si i krishterë, dhe kushdo që provohet i pafajshëm të lirohet, sepse nuk është krim të jesh i krishterë. Por nuk duam nga ju të dënoni akuzuesit tanë, se mjaft vuajnë nga veset e tyre dhe nga mosdija e së mirës.

    8. Merrni parasysh që ne i kemi thënë këto gjëra për shpëtimin tuaj, qëkur jemi vendosur në gjyq ne mund të mohojmë [që ne jemi të krishterë] por ne nuk dëshirojmë të jetojmë duke thënë një gënjeshtër. Se duke u përgjëruar për jetën që është e përjetëshme dhe e pastër, ne vuajmë që të jemi me Perëndinë, Atin dhe Krijuesin e gjithë gjërave. Ne jemi të dëshiruar të rrëfejmë duke qenë të bindur dhe duke besuar që ata të cilët i kanë treguar Perëndisë me veprimet e tyre se duan t’i shkojnë pas dhe të jetojnë me të, ku e keqja nuk i ngacmon dot, ata janë të aftë t’i arrijnë këto gjëra. Shkurt, kjo është ajo që ne po kërkojmë, që kemi mësuar nga Krishti dhe po jua mësojmë të tjerëve. Platoni, po ashtu, tha se Radamanthus dhe Minos do ta dënonin të ligun që erdhi përpara tyre . Ne themi se kjo është ajo çfarë do të ndodhë, por në duart e Krishtit dhe në të njëjtët trupa, të ribashkuara me shpirtrat e tyre dhe të destinuara për ndërshkim të përjetshëm, jo vetëm për një periudhë 500 vjeçare, siç tha ai. Në qoftë se ndonjëri thotë se kjo është e pabesueshme ose e pamundur, së paku gabimi na bie neve dhe askujt tjetër, për sa kohë që nuk jemi dënuar për ndonjë krim të vërtetë.


    Besimi dhe jeta e të krishterëve

    9. Sigurisht ne nuk nderojmë me shumë sakrifica dhe kurora lulesh objektet që njeriu ka krijuar, vendosur në tempull dhe i ka quajtur perëndira. Ne e dimë që ato janë pa jetë dhe të vdekura dhe nuk përfaqësojnë formën e Perëndisë, sepse ne nuk mendojmë për Perëndinë si të kishim llojin e formës që disa thonë se e imitojnë për tu nderuar, por në fakt ekspozojnë emrat dhe format e demonëve të këqij që u janë shfaqur atyre [njerëzve]. Ju e dini mjaft mirë pa jua thënë ne se si artizanët e përgatisin lëndën e tyre, duke gërryer dhe latuar, duke modeluar e duke i dhënë formë. Dhe shpesh ata nxjerrin perëndira nga enë që i kanë përdorur për qëllime të ulëta, duke ndryshuar e duke i shndërruar me mjeshtëri vetëm pamjen e tyre. Ne e quajmë jo vetëm irracionale, por edhe një fyerje për Perëndinë t’u japësh emrin e tij gjërave që prishen të cilat vetë kanë nevojë për kujdesje, lavdia dhe forma e të cilit është e pashprehshme. Ju jeni të ndërgjegjshëm që artizanatët në këto [gjëra] janë të papastër dhe, për të mos shkuar në hollësira, të dhënë pas gjithfarë vesesh; ata korruptojnë edhe vajzat që punojnë për ta. Ç’absurditet të flitet për njerëz të shthurur si bërës e çbërës të perëndive dhe që u dashka të caktoni njerëz të tillë si rojtarë të tempujve ku vihen, pa menduar që është e paligjshme të flasësh për rojtarë të perëndive.

    10. Por ne kemi mësuar [nga tradita jonë] që Perëndia s’ka nevojë për blatime lëndore nga njeriu kur dihet që ai është krijuesi i gjithçkaje. Ne jemi mësuar dhe besojmë plotësisht që ai pranon vetëm ata që imitojnë gjërat e tij të mira, të cilat janë butësia dhe drejtësia, dashuria për njerëzimin dhe çdo gjë tjetër që i përket Perëndisë, i cili quhet kështu me një emër që s’i është dhënë nga askush. Ne gjithashtu jemi mësuar se në fillim ai në mirësinë e tij krijoi të gjithë gjërat që janë për hir të njeriut prej një lënde pa formë, dhe në qoftë se ata i tregojnë vetet e tyre të denja për planin e tij me anë të veprimeve që bëjnë, ne kemi mësuar që ata do të numërohen të denjë për të jetuar me të, duke mbretëruar së bashku dhe të lirë nga prishja dhe vuajtjet. Sepse siç ai na bëri nga mosqenia, kështu ne besojmë se ata që zgjodhën atë që i pëlqen atij do të merren për hir të asaj zgjedhjeje të vlefshëm për të mos u prishur e për të qenë miq të tij. Ne nuk jemi krijues të vetes sonë, por ndjekës të gjërave të cilat janë të dashura për Perëndinë, duke i zgjedhur ato me fuqinë e arsyeshme që ai na ka dhënë; kjo është një çështje bindjeje dhe na çon në besim. Ne e besojmë atë për të mirën e të gjithë njerëzve, që ata të mos privohen nga të mësuarit e këtyre gjërave, por madje nxiten t’i marrin ato parasysh. Sepse atë që ligji i njeriut nuk e bën dot, Fjala, duke qenë hyjnore, do ta kishte sjellë me kohë, në qoftë se demonët e këqinj nuk do të kishin hapur akuza të rreme e të paperëndishme, ndihmuar nga dëshira e keqe që është në natyrën e çdo njeriu [dhe e shpreh veten e saj] në të gjitha mënyrat. Megjthatë, asnjë nga këto nuk luan rrol për ne.

    11. Kur ju dëgjoni që ne kërkojmë një mbretëri, ju menjëherë mendoni për diçka thjesht njerëzore. Por ne flasim për një Mbretëri me Perëndisë, siç del e qartë kur rrëfejmë Krishtin në gjyqin tuaj, megjithëse e dimë që vdekja është ndërshkimi për këtë rrëfim. Sepse po të kërkonim një mbretëri njerëzore, ne do ta mohonim atë me kusht që të shpëtonim jetët tona dhe do qëndronim të fshehur me qëllim që të fitonim gjërat që kërkonim. Por meqenëse nuk i kemi vënë shpresat tona në të tashmen, nuk jemi të shqetësuar që do të vdesim, përderisa, në çdo rast, do të na duhet, gjithsesi, të vdesim.

    12. Në fakt nga të gjithë njerëzit ne jemi ndihmësit dhe aleatët tuaj më të mirë në sigurimin e paqes , të bindur siç jemi që as i ligu, as ziliqari, as komplotuesi, as edhe i miri s’mund t’i fshihen Perëndisë dhe çdonjëri do të shkojë në dënimin e përjetshëm ose shpëtimin, sipas natyrës së veprimeve të tij. Sikur të gjithë njerëzit të dinin këtë, askush s’do të zgjidhte vesin, qoftë për pak, po ta dinte që ishte në rrugën e dënimit të përjetshëm; çdo njeri do të ndiqte monopatin e vetëpërmbajtur dhe të rregullt të virtytit, që ashtu të merrte të mirat që vijnë nga Perëndia dhe të shmangte ndërshkimin e tij. Janë disa që mundohen të fshehin keqbërjet e tyre për shkak të ligjeve dhe ndërshkimeve që ju dekretoni, duke ditur se përderisa ju jeni thjesht njerëz, për keqbërësit është e mundur t’ju shpëtojnë; po nëse do të mësonin dhe do të bindeshin se mendimet tona, ashtu si dhe veprimet tona, s’i fshihen Perëndisë, ata sigurisht do të bënin një jetë të rregullt, nëse jo vetëm nga pasojat, siç ju do të pohonit. Por duket se ju keni frikë t’i keni të gjithë njerëzit të sjellshëm dhe të mos ju mbetet asnjë për t’u dënuar; kjo do të ishte sjellja e xhelatëve publikë, jo e qeveritarëve të mirë. Gjëra të tilla ne jemi të bindur se vijnë nga demonët e këqij, ata që kërkojnë flijime dhe shërbime nga njerëzit që jetojnë pa mend; por ne nuk kemi mësuar [të presim] ndonjë sjellje të paarsyeshme nga ju që keni qëllim jetën e përkushtuar dhe filozofike. Por nëse si njerëz të pamend parapëlqeni zakonin sesa të vërtetën, atëherë vazhdoni dhe bëni ç’të mundni. Qeveritarët që pëlqejnë më tepër famën se të vërtetën kanë aq fuqi sa dhe hajdutët në shkretëtirë. Vetë Fjala ju ka treguar që nuk do t’ia dilni mbanë. Dhe pas Perëndisë që e lindi atë ne nuk njohim rregull më mbretëror ose më të saktë se ai. Sepse tamam siç njerëzit përpiqen të shmangin trashëgimin e varfërisë, vuajtjes, fatkeqësitë e të parëve të tyre, kështu njeriu i ndjeshëm nuk do të zgjedhë çfarëdo gjë që Fjala ndalon për t’u zgjedhur. Ai paratha të gjitha gjërat që do të ndodhnin – Mësuesi ynë – nënkuptoj ata që është Biri dhe apostulli i Perëndisë Atë dhe Mjeshtri i të gjithëve, që është Jesu Krishti nga i cili ne kemi marrë emrin të Krishterë. Ne jemi të sigurtë se çdo gjë që ai na mësoi është e vërtetë, meqenëse siç edhe shohim që çdo gjë që ai predikoi ka për të ndodhur. Kjo është vepër e Perëndisë: të lajmërojë diçka para se të ndodhë dhe pastaj ta tregojë atë duke ndodhur siç u paratha. Unë do të ndaloja këtu e nuk do të shtoja më meqë e bëra të qartë që ne kërkojmë çfarë është e drejtë dhe e vërtetë. Por megjithëse e di që nuk është e lehtë të ndryshosh një mendje e cila është e lidhur nga padija, unë marr guximin të shtoj diçka për të bindur dashuruesin e së vërtetës, se jam i sigurtë që një mund të çlirohet nga padija duke e vendosur të vërtetën kundrejt saj.

    13. Cili njeri i mençur nuk do të pranonte që ne nuk jemi të paperëndishëm meqë ne adhurojmë Formuesin e universit duke shpallur, siç na është mësuar, të mos kemi nevojë për gjak, të pira dhe temiam, por ta lavdërojmë atë me fjalën e lutjes dhe të falenderimit për gjithçka që na ka dhënë? Ne kemi mësuar që i vetmi nder i denjë për të është të mos djegim me zjarr gjërat që ai i ka bërë për ushqimin tonë, por t’i përdorim ato për veten tonë dhe ata në nevojë, me falenderime, duke iu lutur solemnisht dhe duke himnuar për krijimin tonë dhe gjithë mjeteve të shëndetit, për larminë e krijesave dhe ndryshimin e stinëve dhe duke i dërguar lutjet tona që të mund të jetojmë përsëri në mosprishje përmes besimit tek ai . Është Jesu Krishti që na ka mësuar këto gjëra, që lindi për këtë qëllim dhe u kryqëzua nën Pontin Pilat, i cili ishte mëkëmbës i Judesë në kohën e Tiber Çezarit. Ne do të tregojmë që do ta nderojmë atë sipas arsyes së vërtetë, meqë kemi mësuar që ai është biri i Perëndisë së vërtetë që e mban atë në vendin e dytë, kurse Shpirtin profetik në vendin e tretë. Është kjo arsyeja pse ata na akuzojnë si të marrë duke thënë që ne i japim vendin e dytë, pas të pandryshueshmit dhe të përherëekzistueshmit Perëndi dhe krijuesit të gjithë gjërave, një njeriu të kryqëzuar, duke mos njohur misterin e përfshirë në të, për të cilin ne kërkojmë vëmendjen tuaj që t’jua shpjegojmë këtë.

    14. Ju themi qysh përpara të jeni të kujdesshëm, me frikën se mos demonët, të cilët ne i kemi sulmuar, ju mashtrojnë dhe ju ndalojnë që të kuptoni plotësisht atë çfarë ne themi. Sepse ata luftojnë që t’ju kenë si skllevër dhe shërbëtorë të tyre dhe herë me shfaqjet në ëndrra, herë me truket magjike, ata mbajnë fort të gjithë ata të cilët nuk luftojnë deri në fund për shpëtimin e tyre, siç bëjmë ne, që pasi jemi bindur me anë të Fjalës, heqim dorë nga ata dhe ndjekim të vetmin të palindur Perëndi përmes Birit të tij. Ata që më parë kënaqeshin në kurvëri, tani kënaqen në vetëpërmbajtje; ata që përdornin artet magjike, ia kanë kushtuar veten e tyre së mirës dhe Perëndisë së pafillim; ne që më parë kënaqeshim me mënyrat e shtimit të pasurisë e pronës, tani sjellim atë çfarë kemi në një fond të përbashkët dhe e ndajmë me gjithëkënd në nevojë; ne që urrenim dhe vrisnim njëri–tjetrin dhe nuk shoqëroheshim me njerëz të fiseve të tjera për shkak të zakoneve [të ndryshme], tani, pas shfaqjes së Krishtit, jetojmë së bashku dhe lutemi për armiqtë tanë dhe përpiqemi të bindim ata që padrejtësisht na urrejnë, kështu që ata duke jetuar me urdhëresat e frikshme të Krishtit, të mund të ndajnë me ne shpresën e mirë të të marrit të njëjtat gjëra [që ne do të marrim] nga Perëndia, Zoti i të gjithëve. Kështu, që kjo të mos duket si sofizëm, e quaj të udhës që para se të jap demonstrimin tonë, të rikujtoj disa nga mësimet që kanë ardhur nga vetë Krishti. Është detyra juaj atëherë që si perandorë të fuqishëm të shqyrtoni nëse gjërat që ne kemi mësuar ua mësojmë të tjerëve besnikërisht. Thëniet e tij ishin të shkurtra dhe të sakta, sepse ai nuk ishte një sofist, por Fjala e tij ishte pushteti i Perëndisë.

    15. Rreth vetpërmbajtjes ai tha këto: “Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e tij përpara Perëndisë” . Dhe: “Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje; është më mirë për ty që të hysh në Mbretërinë e Perëndisë me një sy se sa të dërgohesh me dy në zjarrin e përjetshëm” . Dhe: “Kushdo që martohet me një grua që është përzënë, shkel kurorën” . Dhe: “Ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit dhe ka eunukë që janë bërë vetë eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë këtë le ta kuptojë” .
    Dhe kështu ata që bëjnë martesën e dytë sipas ligjit njerëzor, janë mëkatarë në sytë e Mësuesit tonë , si dhe ata që e shikojnë një grua dhe e dëshirojnë atë. Sepse ai dënon jo vetëm njeriun që shkel kurorë, por edhe njeriun që dëshiron të shkelë kurorë, sepse jo vetëm veprimet tona, por edhe mendimet tona i manifestohen Perëndisë. Shumë burra dhe gra në të gjashtëdhjetat e të shtatëdhjetatat e tyre që kanë qenë dishepuj të Krishtit që nga fëmijëria kanë ruajtur pastërtinë e tyre: dhe unë jam krenar që mund të tregoj njerëz të tillë në çdo komb. Atëherë çfarë do të themi për shumicën e panumërueshme të atyre që i kanë kthyer shpinën vetpërmbajtjes dhe mësimit të këtyre gjërave? Sepse Krishti nuk thirri të drejtët ose të maturit për pendesë, por të paperëndishmit, të papërmbajturit dhe të padrejtët. Kështu ai tha: “Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët për pendim” . Sepse Ati Hyjnor dëshiron më tepër pendimin e një mëkatari sesa dënimin e tij.
    Kjo është çfarë ai na mësoi me dashurinë e tij për gjithë njerëzit: “Sepse po qe se doni ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe kurvat? Por unë po ju them: duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin ”.
    Që ne të ndajmë gjithçka dhe të mos bëjmë asgjë për lavdinë [tonë] ai tha këto gjëra: “Jepi kujtdo që të kërkon dhe mos refuzo që ti japësh atij që të kërkon hua. Dhe në qoftë se ju u huani atyre që shpresoni t’ua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe kumerqarët u japin hua mëkatarëve, që t’u kthehet aq sa dhanë . Kështu edhe për ju, mos mblidhni për vete thesare mbi tokë ku i brejnë tenja dhe ndryshku dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin. Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet ? Ndaj mblidhni thesare në qiejt ku as tenja as ndryshku s’do t’i brejnë”. Dhe: “Jini të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm dhe bën që dielli të perëndojë mbi mëkatarët, të drejtët dhe të ligjtë . Mos mendoni se çfarë do të hani o çfarë do të vishni. A nuk jeni ju më të mirë se zogjtë dhe bishat? E pra, Perëndia i ushqen ata. Kështu pra, mos mendoni për jetën tuaj për atë që do të hani o për atë që do të vishni, sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen . Sepse ku është thesari juaj do të jetë dhe zemra juaj” . Dhe: “Mos i bëni këto gjëra me qëllim t’ju admirojnë, përndryshe nuk do të shpërbleheni tek Ati juaj, që është në qiej” .

    16. Rreth të vuajturit gjatë dhe të qenit shërbëtorë tek të gjithë dhe të lirë nga zemërimi, kjo është çfarë ai tha: “Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja dhe tjetrën dhe atë që të mori mantelin mos e pengo të të marrë dhe tunikën . Kushdo që është i zemëruar është i denjë për zjarrin. Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të. Ashtu le të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” .
    Ne s’duhet të grindemi: ai nuk ka dashur që ne të imitojmë të ligjtë, por më tepër me durimin dhe butësinë tonë të tërheqim të gjithë njerëzit nga turpi dhe dëshirat e këqija. Këtë ne mund ta tregojmë në rastin e të shumtëve që më parë kanë qenë në anën tuaj, por janë kthyer nga rrugët e dhunës e të tiranisë, kaluan në këtë anë duke vëzhguar jetët qëndrueshme të fqinjëve të tyre, duke parë durimin e çuditshëm të atyre që vuajnë, duke provuar vetë këto në tregtitë me ta.
    Për të mos u betuar, për të thënë përherë të vërtetën ja ç’ka thënë ai: “Mos u betoni fare, por fjala jote të jetë: po, po, jo, jo. Gjithçka më tepër nga këto vjen nga i ligu” .
    Që Perëndia duhet të adhurohet, ai na e tregoi këtë kur tha: “Urdhëresa më e madhe është: Do ta adhurosh Zotin Perëndinë tënd dhe vetëm atij t’i shërbesh me gjithë zemrën tënde dhe fuqinë tënde, Zotit që të bëri ty” . Dhe: “Kur njëri erdhi tek ai dhe i tha, ‘Mësues i mirë’, ai u përgjigj e tha: Nuk ka asnjeri të mirë përveç Perëndisë që bëri të gjitha gjërat” . Ata që nuk jetojnë siç ai na mësoi duhet të dinë që nuk janë të Krishterë të vërtetë edhe nëse mësimet e tij janë në buzët e tyre, sepse ai tha: “ Jo gjithkush që më thotë mua Zot, Zot do të hyjë në Mbretërinë e Qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. Sepse kushdo që më dëgjon dhe bën çfarë unë them, dëgjon atë që më dërgoi mua. Shumë do të më thonë, Zot, Zot a nuk hëngrëm dhe pimë në emrin tënd dhe bëmë vepra të fuqishme? Dhe atëherë unë do t’u them atyre: Largohuni prej meje ju të gjithë që keni bërë paudhësi . Atëherë do të ketë të qara dhe kërcëllim dhëmbësh. Atëherë të drejtët do të shkëlqejnë si dielli por të ligjtë do të dërgohen në zjarrin e përjetshëm. Se shumë do të vijnë në emrin tim duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë. Ju do t’i njihni nga frytet e tyre. Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr” .
    Kështu ne kërkojmë prej jush që të dënoni ata që nuk jetojnë në përshtatje me mësimet e tij por thjesht thonë që janë të Krishterë.

    17. Më shumë se të tjerët ne përpiqemi t’u paguajmë taksat atyreve që ju keni caktuar, siç jemi mësuar nga ai. Sepse njëherë në kohën e tij, disa erdhën tek ai dhe e pyetën nëse ishte e drejtë t’i paguanin taksa Çezarit. Dhe ai u përgjigj: “Më thoni e kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim”. Ata thanë: “E Çezarit”. Atëherë ai u tha atyre: “Jepini pra Çezarit atë që i përket Çezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë” . Kështu ne adhurojmë vetëm Perëndinë, por në punë të tjera ne ju shërbejmë me kënaqësi duke ju kujtuar juve si perandorë dhe sundimtarë të njerëzve dhe duke u lutur që bashkë me fuqinë tuaj perandorake të mund të keni mendje të shëndoshë. Në qoftë se ju nuk i kushtoni vëmendje lutjeve dhe fjalëve tona të hapura për çdo gjë, nuk do të na dëmtojë neve, sepe ne besojmë ose jemi plotësisht të bindur që çdo njeri do të vuajë në zjarrin e përjetshëm sipas veprave të tij dhe njëkohësisht do t’i kërkohet të japë llogari për dhuratat që ai ka marrë nga Perëndia siç tha Krishti: “Kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë” .

    18. Shikoni fundin e të gjithë ish perandorëve, si vdesin të gjithë; dhe nëse kjo ka qenë thjesht një nisje në të pandërgjegjshmen, të ligjtë paskan qenë me fat. Mirëpo meqë ndërgjegja vazhdon për të gjithë ata që kanë jetuar dhe dënimi i përjetshëm është aty që pret, mos gaboni dhe prisni të bindeni, sepse këto gjëra janë të vërteta. Sepse si orakujt e vdekjes dhe dëshmitë e fëmijëve të pafajshëm, përgjërimi i shpirtrave njerëzorë [që kanë ndërruar jetë], dërguesit e ëndrrave dhe rojet e magjive dhe çfarë është bërë nga ata që kanë dijeni për këto gjëra – të gjitha këto do t’ju bindin që shpirtrat vazhdojnë të jenë të gjallë edhe pas vdekjes. Gjithashtu, ekzistojnë njerëz që janë të kapur dhe shqyer nga shpirtrat e vdekjes, që kushdo i quan të mbizotëruar nga djajtë dhe maniakë, ekzistojnë dhe orakujt kaq të mirënjohur mes jush, të Amfilokut, Dodonës e Pithos dhe çdo tjetër të atij lloji, mësimet e shkrimtarëve, Empedokliut dhe Pitagorës, Platonit dhe Sokratit, kanali tek Homeri dhe zbritja e Odiseut në Had për të vizituar të vdekurit dhe histori të tjera si këto. Na trajtoni edhe ne të paktën si këta; ne besojmë në Perëndi jo më pak se ata, bile më tepër, meqenëse ne po presim të marrim përsëri trupat tanë megjithëse ata do jenë të vdekur dhe të varrosur në tokë, duke shpallur që asgjë s’është e pamundur për Perëndinë.

    19. Vërtet, çfarë do të dukej më e pabesueshme për një vrojtues, nëse ne nuk do ishim fare në trup dhe dikush të thoshte që është e mundur që kjo formë e jonë të vijë në jetë me kocka, nerva e mish nga një pikë e vogël e farës njerëzore? Merrni në konsideratë këtë hipotezë: sikur të mos ishit të tillë siç jeni, të lindur nga prindër dhe dikush t’ju tregonte farën njerëzore dhe pikturën e një njeriu dhe t’ju siguronte që njëri mund të rritej tek tjetra, do ta besonit ju pa e parë duke ndodhur? Asnjeri s’do guxonte të mohonte [që ju s’do ta besonit].
    Në të njëjtën mënyrë mosbesimi triumfon ndaj ngjalljes së të vdekurve, sepse ju kurrë nuk keni parë as edhe një çast të saj. Por ju, sikurse edhe më parë nuk besuat që nga një farë e vogël qenie të tilla (si njeriu) mund të zhvilloheshin e tashmë ju e shihni të ndodhë, kështu pra kini parasysh që është e mundur për trupa njerëzorë të shndërrohen e të përhapen në tokë si rëra, të ngrihen përsëri në kohën e duhur me anën e dekretit të Perëndisë e të vishen me mosprishjen . S’mund të imagjinoj që ndonjë koncept i mjaftueshëm i fuqisë hyjnore mund të mbahet nga ata që thonë se gjithçka kthehet tek ajo çka qenë dhe se as vetë Perëndia nuk mund të bëjë më tepër se kaq. Por unë mund të theksoj se ata s’do ta kishin besuar si të mundur që krijesa të tilla siç ata janë të vijnë në këtë botë si qenie, tashmë e shohin veten si janë, e kuptohet tërë botën (si është) dhe se nga çfarë janë bërë. Ne kemi besuar që është më mirë të besosh gjëra që janë të pamundura për natyrën tonë dhe të njeriut, sesa të mos besosh si të tjerët, meqenëse ne e dimë se Mësuesi ynë Jesu Krishti tha: “Gjërat që janë të pamundura për njeriun janë të mundura për Perëndinë”. Dhe: “Mos ki frikë ata që të vrasin dhe pastaj nuk kanë ç’të bëjnë më, por ki frikë atë që pas vdekjes ka fuqi të të hedhë trupin dhe shpirtin në Gehenë ”. Gehena është vendi ku ata që jetojnë në padrejtësi do të dënohen si dhe ata që nuk besojnë se këto gjëra do të ndodhin, gjëra që Perëndia na i ka mësuar nëpërmjet Krishtit.

    20. Të dy, Sibili dhe Histaspi, thanë që do të ketë një shkatërrim të gjërave të prishme nga zjarri. Të ashtuquajturi filozofë stoikë mësojnë që vetë Perëndia do të shpërbëhet në zjarr dhe universit do të bëhet përsëri nga fillimi. Ne mendojmë se Perëndia, bërësi i gjithçkaje, qëndron më lart se gjërat që ndryshojnë. Por nëse në disa pika ne biem dakord me poetët dhe filozofët të cilët ju i nderoni, dhe në disa pika të tjera mësojmë më plotësisht dhe për çështje më të dobishme mbi Perëndinë, dhe jemi të vetmit që japim prova, pse padrejtësisht urrehemi më shumë se të tjerët? Kur ne themi se të gjitha gjërat janë rregulluar dhe bërë nga Perëndia, duket sikur themi mësimet e Platonit, kur flasim për ardhjen e një shkatërrimi nga zjarri, ato të Stoikëve, kur themi që shpirtrat e të padrejtëve do të dënohen pas vdekjes, duke vazhduar ende të qëndrojnë në gjendje të ndërgjegjëshme dhe shpirtrat e të virtytshmëve të shpëtuar nga dënimet do të gëzojnë lumturinë, duket sikur ne jemi dakord me poetë dhe filozofë (të ndryshëm), kur themi se njeriu nuk duhet ta adhurojë punën e duarve të tij, themi të njëjtat gjëra si komediani Menandër e të tjerë që kanë thënë këtë e që krijuesi është më i madh se ajo çka ai ka krijuar .

    Epërsia e krishtërimit mbi paganizmin

    21. Duke thënë që Fjala, i cili është burimi i parë i Perëndisë, u lind për ne pa bashkim seksual si Jesu Krishti mësuesi ynë, dhe që u kryqëzua e vdiq e pas ngjalljes u ngjit në qiej, nuk ju paraqisim asgjë të re nga çfarë ju thoni për të ashtuquajturit bij të Zeusit. Ju e dini për sa bij të Zeusit flasin shkrimtarët që ju i nderoni: Hermesi, fjala hermeneutike dhe mësuesi i të gjithëve , Aslepi, i cili ishte një shërues, pasi u zgjodh nga drita u ngjit në qiej - siç bëri Dionisi i cili u ça në copa, Herakliu, i cili për t’u shpëtuar torturave hodhi veten në zjarr, Dioskuri i lindur nga Leda dhe Perseu i Danaes dhe Belerofoni, i cili megjithëse me origjinë njerëzore kalëroi Pegason . Eshtë e nevojshme të përmend Ariadnën dhe të gjithë ata që si ajo thuhet se janë vendosur mes yjeve? Dhe ç’të them për perandorët tuaj të rënë, të cilët ju i mendoni të denjë për t’u ngjallur në përjetësi, duke na nxjerrë një dëshmitar i cili betohet se ka parë Çezarin të ngrihet në qiell nga turra e druve? As nuk është e nevojshme të përmed çfarë veprimesh janë të lidhura me secilin nga këta që ju i quani bij të Zeusit, përveçse (të theksojmë) që ata kujtohen për mirësi dhe se mësonin nxënës - për të gjitha këto konsiderojeni një gjë të mirë të qenit imitues të perëndive . Qofshi larg nga çdo mendje e kthjellët që mirëpret koncepte të tilla të perëndive si Zeusi, të cilin ata e quajnë rregulluesin dhe bërësin e gjithçkaje, i cili duhet të ketë qenë një prindvrasës dhe djali i një prindvrasësi dhe që i nxitur nga dëshira e të ligut dhe e kënaqësive të turpshme zbriti në Ganimedë duke joshur shumë gra e më pas shumë bij të tij ishin fajtorë për të njëjtat veprime. Por siç thamë më parë, ishin demonët e ligj që bënin këto gjëra. Na është mësuar që vetëm ata që jetojnë afër Perëndisë në shenjtëri dhe virtyt fitojnë pavdeksinë, dhe ne besojmë se ata që jetojnë padrejtësisht dhe nuk ndryshojnë do të dënohen në zjarrin e përjetshëm.

    22. Tani, në qoftë se Biri i Perëndisë që është quajtur Jesu do të ishte një njeri i zakonshëm, ai do të ishte i denjë të quhej Bir i Perëndisë për shkak të urtësisë së tij, sepse të gjithë shkrimtarët e quajnë Perëndinë at të njeriut dhe të perëdive. Kur ne themi, siç e thamë më parë, se ai u lind nga Perëndia si Fjala e Perëndisë në një mënyrë të veçantë përtej lindjes së zakonshme, kjo s’duhet të ishte e çuditshme për ju që flisni për Hermesin si fjala lajmëtare e Perëndisë. Në qoftë se dikush kundërshton sepse ai ishte i kryqëzuar, kjo është e njëjtë dhe me bijtë e Zeusit që vuajtën, siç u renditën më parë. Meqënëse vuajtjet e tyre të tmerrshme rrëfehen jo si të njëjta, por të ndryshme, kështu që edhe pësimi i tij të mos duket më i keq, do t’ju tregoj, siç kam marrë përsipër, duke ecur përpara me argumentat, se ai ishte më i mirë, sepse ai u tregua më i mirë nga veprimet e tij. Nëse ne deklarojmë se ai u lind nga një virgjëreshë, ju duhet ta shihni këtë si të njëjtë me Perseun. Kur themi se shëroi të çalët, të paralizuarit dhe të lindurit e verbër, duket sikur flasim për të njëjtat gjëra si ato që janë bërë nga Aslepi.

    23. Me qëllim që t’ua bëj sa më të qartë, do t’ju paraqes provat se gjërat që ne themi, si nxënës të Krishtit dhe të profetëve që erdhën para tij, janë të vetmet të vërteta dhe më të vjetra se gjithë shkrimtarët që kanë jetuar, dhe ne kërkojmë që të pranohen jo sepse ne themi të njëjtat gjëra me ata, por sepse ne themi të vërtetën – se Jesu Krishti u lind si Bir i Perëndisë, duke qenë Fjala e tij, i Parëlinduri dhe fuqia dhe duke u bërë njeri sipas vullnetit të tij na mësoi këto gjëra për pajtimin dhe rinovimin e racës njerëzore – dhe para se ai të vinte mes njerëzve si njeri, ishin disa të cilët, nën ndikimin e tashmë të përmendurve demonëve të ligj, thanë përmes poetëve se tashmë kishin ndodhur mitet që ata kishin shpikur dhe se tani ata janë përgjegjës për shpifjet dhe veprat e paperëndishme kundrejt nesh, për të cilat nuk ka as dëshmitarë as demostrime.

    24. Së pari, megjithëse ne themi të njëjtat gjëra që thonë grekët, ne urrehemi vetëm për shkak të emrit të Krishtit. Ne nuk gabojmë, por vritemi si ofendues [për shkak të adhurimit, ndërsa] të tjerë adhurojnë pemë e lumenj, minj e mace, krokodila dhe shumë lloje kafshësh irracionale dhe jo të njëjtat objekte nderohen nga të gjithë, por kafshë të ndryshme në vende të ndryshme, kështu që të gjithë janë të papastër për njeri-tjetrin për shkak të mos paturit të njëjtin objekt për të adhuruar. Ky është i vetmi ankim që ju keni kundër nesh, që ne nuk adhurojmë të njëjtat perëndi si ju dhe nuk spërkatim dhe nuk sjellim oferta dhjami për të vdekurit, kurora për statujat e tyre dhe therore. Siç e dini, të njëjtat qenie janë perëndira për disa dhe kafshë të egra për disa të tjerë, ndërsa të tjerë mendojnë për to si viktima të shenjta.

    25. Së dyti, ne dhe të gjithë njerëzit e racave njerëzore që më parë adhuronim Dionisin, birin e Semelit dhe Apollon, birin e Letos, të cilët në pasionin e tyre për meshkujt bënë gjëra për të cilat është e pahijshme qoftë dhe të flasim për to, ose që adhuronim Persefonin dhe Afërditën të cilat ishin të çmendura [nga dashuria] për Adonisin, misteret e të cilave ju i festoni, ose Aslepin e disa të tjerë që ju i quanit perëndira, ne tani nëpërmjet Jesu Krishtit i përçmojmë ata edhe nëse rrezikojmë të vdesim dhe i jemi përkushtuar tërësisht Perëndisë të palindur dhe të paprekshëm. Ne nuk besojmë se ai u dashurua ndonjëherë si i çmendur pas Antiopës ose të tjerave, as se u dashurua me Ganimedën, nuk besojmë se ishe ai i cili, pasi kërkoi ndihmë nga Theti, u çlirua nga mostrat me njëqind duar, as se ai u vu nën ankth, për shkak të gjestit të djalit të Thetit, Akilit, i cili do të shkatërronte sa e sa grekë për hatër të konkubinës tij, Briseidës . Ne mëshirojmë ata që besojnë (histori të tilla), sepse e dimë që përgjegjës janë vetëm demonët.

    26. Pika e tretë është se pas ngjitjes së Krishtit në qiej demonët nxitën njerëz të ndryshëm të thonin se ishin perëndi dhe ju, jo vetëm që nuk i persekutuat, por i konsideruat të denjë për t’u nderuar. Një ishte një farë Simoni, një Samaritan nga fshati i Gitës, i cili në kohën e Klaud Çezarit, përmes arteve të demonëve që punonin tek ai, bëri punë të mëdha magjie në qytetin tuaj perandorak të Romës dhe e mbanin për një perëndi. Ai u nderua prej jush si një perëndi dhe i ndërtuat një statujë në lumin Tibet, midis dy urave, me këtë mbishkrim në latinisht: SIMONI DEO SANCTO . Pothuajse të gjithë samaritanët dhe disa në vende të tjera e rrëfejnë këtë njeri si perëndinë e parë të tyre dhe e adhurojnë atë si të tillë dhe një grua e quajtur Helena, e cila udhëtonte me të gjatë atyre ditëve dhe që ishte një prostitutë e njohur, ata thonë se ishte Koncepti i parë i prodhuar prej tij. Pastaj ne kemi të dhëna rreth një farë Menandri, i cili ishte gjithashtu një samaritan, nga fshati i Kapareteas, i cili ka qenë një nxënës i Simenit dhe që ishte i zaptuar nga demonët. Ai mashtroi shumë në Antioki me artet magjike, bile i bindi ndjekësit e tij se s’do të vdiste kurrë; ka akoma nga ata që besojnë këtë [siç e mësuan] nga ai. Pastaj është njëfarë Marcion nga Ponti që vazhdon t’u mësojë atyre që ka kthyer se ka një Perëndi më të madhe se Krijuesi. Me ndihmën e demonëve ai ka bërë që shumë nga çdo racë njeriu të blasfemojnë e të mohojnë Perëndinë, Bërësin e gjithësisë, duke deklaruar se ka një tjetër i cili është më i madh dhe ka bërë gjëra më të mëdha se ai. Siç ë thamë, të gjithë ata që marrin [mendimet] nga këta njerëz janë quajtur të krishterë, pikërisht siç njerëzit që nuk kanë të njëjtat mësime me filozofët e që kanë të përbashkët me ta emrin e filozofisë, duke krijuar, kështu, nam të keq. Nëse ata kanë kryer punë të turpshme për të cilat tregohen histori – përmbysja e dritës, marrëdhëniet e çrregullta seksuale dhe të ngrëna me mish njeriu , ne nuk e dimë; por jemi të sigurt se ata as përndiqen e as vriten prej jush në asnjë lloj mënyre për shkak të doktrinave të tyre. Ne kemi hartuar dhe kemi ndarë një shkrim kundër të gjithë herezive që kanë dalë, të cilin po jua jap juve nëse doni ta konsultoni.

    27. Që të mund të shmangim çdo padrejtësi dhe padevotshmëri, ne na është mësuar që të braktisësh fëmijët e sapolindur është vepër prej njerëzish të ligj – së pari sepse ne vëmë re se gati të gjithë [fëmijët e gjetur], djem apo vajza, rriten për t’iu dhënë prostitucionit. Ashtu si të lashtët thuhet se mbarështonin kopera gjedhësh ose dhish, apo delesh e kuajsh në livadhet e tyre, ashtu tani ju [rritni fëmijë] për qëllime të turpshme, dhe kështu në çdo komb një turmë femrash dhe hermafroditësh dhe nga ata që bëjnë veprime të parrëfyeshme dalin në shesh si prostitutër publikë. Ju arrini deri aty sa që mblidhni taksa prej tyre të cilët duhej t’i kishit zhdukur nga bota juaj e qytetëruar . Dhe çdokush që i përdor ato, përveç fajit të pabesisë ndaj Zotit, padevotshmërisë dhe shthurrjes, mundet të bëjë që rasti ta sjellë të martohet me fëmijën, farefisin apo vëllanë. Disa prostituojnë deri me gratë dhe fëmijët e tyre, dhe të tjerë gjymtohen haptazi për qëllime sodomie dhe e quajnë atë si pjesë të mistereve të mëmës së perëndive – ndërsa krahas secilit prej tyre që ju i mendoni si perëndira, një gjarpër cilësohet si simbol dhe mister i madh. Ju na ngarkoni veprime që ju i bëni haptazi dhe i nderoni, thua se drita hyjnore të ishte përmbysur e përvjedhur, gjë e cila natyrshëm nuk na dëmton neve që s’pranojmë të bëjmë këto gjëra, por më tepër dëmton ata që i bëjnë këto dhe pastaj ngrenë dëshmi të rreme [kundër nesh].

    28. Ndër ne kryesori i demonëve të këqij quhet gjarpër, Satan dhe Djall, siç mund ta mësoni po të studioni shkrimet tona. Krishti ka parathënë se ai do të hidhet në zjarr bashkë me gjithë miqtë dhe ata që e ndjekin pas për t’u ndëshkuar në jetë të jetëve. Perëndia vonohet ta bëjë këtë për hir të racës njerëzore, sepse ai e di më përpara se ka shumë nga ata që duhen shpëtuar me anën e pendesës edhe pse shumë ndoshta s’kanë lindur ende. Në fillim ai e bëri racën njerëzore të pajisur me arsye, të aftë të zgjedhë të vërtetën dhe të bëjë të drejtën, kështu që të gjithë janë pa përligjje përpara Perëndisë, mbasi ata u krijuan me fuqinë e arsyes e të vëzhgimit. Kushdo që nuk beson se Perëndia kujdeset për këto gjëra ose mundohet të thotë se ai nuk ekziston, ose arrin në përfundimin se ai ekziston, por miraton të keqen, mbetet [i pandjeshëm] si një gur, dhe pranon se virtyti dhe vesi nuk janë realitet, por janë njerëzit që i ndajnë gjërat në të mira dhe të këqija pas mendjes së tyre. Ky është kulmi i padevotshmërisë dhe i padrejtësisë.

    29. Dhe përsëri [ne nuk i braktisim fëmijët] sepse disa prej tyre, po të mos i marrin të tjerë njerëz, ata mund të vdesin dhe kështu ne do të bëheshim vrasës. Por sa për të filluar, ne martohemi për të rritur fëmijë, ose në të kundërt, duke hequr dorë nga martesa ne jetojmë në vetëpërmbajtje të përsosur . Për t’u treguar se marrëdhëniet e paligjshme të mishit nuk janë në misteret tona – s’ka pak kohë që një prej nesh i paraqiti një peticion prefektit Feliks në Aleksandri duke kërkuar që një doktor të lejohet ta bënte atë eunuk sepse doktorët thoshin se nuk u lejohej ta bënin atë pa lejen e prefektit. Kur Feliksi në asnjë mënyrë nuk do ta pranonte kërkesën, i riu qëndroi beqar i kënaqur me aprovimin e ndërgjegjes së vet dhe të shokëve të tij besimtarë . Unë e mendoj me vend t’ju kujtoj rastin e vonë të Antinoüs, ku me anën e terrorrit u detyruan njerëzit ta adhurojnë si Perëndi megjithëse e dinin mirë se kush ishte ai dhe nga vinte .

    Argumente nga profecitë

    30. Por që ndonjë të mos flasë kundër nesh, çfarë e përjashton [supozimin] që ky person të cilin ju e quani Krisht, të ishte një njeri, me prejardhje njerëzore dhe të bënte këto mrekullira që ju i bëni vetëm me anë të magjive dhe që u shfaq si Biri i Perëndisë? Ne do t’ju sjellim demonstrimet tona. Ne nuk besojmë në zhurmat e thjeshta, por jemi të detyruar t’u besojmë atyre që profetizuan [këto gjëra] para se ato të ndodhnin, sepse tani ne shohim gjëra që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur siç u paratha. Mendojmë se ky do të jetë demonstrimi ynë më i madh dhe më i sigurtë për ju.

    31. Mes Judejve ndodheshin disa njerëz që ishin profetë të Perëndisë, ndërmjet të cilëve Shpirti profetik frymëzonte për ngjarjet që do të ndodhnin. Qeveritarët e suksesshëm të judejve i mbajtën me kujdes profecitë e tyre, siç ato ishin thënë kur ato u profetizuan, me vetë gjuhën e tyre hebraishte dhe siç ishin rregulluar në libra nga vetë profetët. Kur Ptolemeu, mbret i Egjiptit, po krijonte një bibliotekë dhe vendosi të bashkonte shkrimet e gjithë gjinisë njerëzore, ai mori vesh rreth këtyre profecive dhe dërgoi njerëz tek Herodi, atëherë mbret i judenjve, duke i kërkuar atij t’i dërgonte librat profetikë. Mbreti Herod ia dërgoi ato të shkruara në gjuhën hebraishte të lartpërmendur. Meqë përmbajtja e tyre nuk ishte e kuptueshme për egjiptianët, ai i kërkoi atij që t’i dërgonte një njeri që mund t’i përkthente ato në greqisht . Kjo u bë dhe librat vazhdojnë të qëndrojnë edhe tani në duart e egjiptianëve. Gjithashtu i kanë edhe judejtë kudo. Por megjithëse i lexojnë ato, ata nuk kuptojnë çfarë ato thonë, por na konsiderojnë si armiq dhe kundërshtarë, duke na dëbuar ose dënuar me vdekje, si edhe ju, kur të mundin, siç dhe e shikoni - sepse në Luftën judaike që ndodhi së fundmi, Bar-Kohba, udhëheqësi i revoltës së judejve urdhëroi që të krishterët të bëheshin objekt i dënimeve të tmerrshme, deri sa të mohonin Jesu Krishtin dhe ta blasfemonin [atë] . Ne e gjejmë atë të parathënë në librat e profetëve, që Jesu Krishti ynë do të vinte, i lindur nga një virgjëreshë, rritur me cilësi njerëzore, duke shëruar çdo sëmundje e duke ngjallur nga vdekja, i urryer dhe i kryqëzuar nga të paditurit, duke vdekur për t’u ngjallur përsëri e për t’u ngjitur në qiell, duke qenë me të vërtetë e duke u quajtur Bir i Perëndisë. Ne gjejmë gjithashtu që njerëzit e dërguar prej tij do t’ia thonin këto gjëra çdo rrace njerëzore dhe që njerëzit do të besonin në të. Kjo u profetizua pesë mijë vjet përpara se ai të shfaqej, pastaj tre mijë vjet, dy mijë vjet, një mijë vjet dhe një herë tjetër tetëqind [vjet më parë] . Sepse profetë të rinj vinin siç dhe brezat kalonin.

    32. Sepse Moisiu, i cili ishte i pari i profetëve, tha këto fjalë: “Skeptri nuk do t’i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, deri sa të vijë Shilohu; dhe atij do t’i binden popujt. Ai e lidh gomarin e tij të vogël në pjergull dhe kërriçin e gomaricës së tij në pjergullën më të mirë; i lan rrobat e tij në verë dhe mantelin e tj në gjakun e rrushit” . Ju mund të hetoni me kujdes dhe të mësoni se në kohën e kujt Judejtë kishin qeveritarin dhe mbretin e tyre. Ishte deri ne shfaqjen e Jesu Krishtit, mësuesit tonë dhe Zbuluesit të profecive të papranuara siç ishte parathënë nga Shpirti profetik i shenjtë dhe hyjnor përmes Moisiut, që një qeveritar nuk do të largohej nga Judejtë derisa të vinte ai për të cilin Mbretëria ishte përgatitur. Sepse Juda ka qenë i pari i Judejve, pas të cilit ata u quajtën judenj dhe pas shfaqjes së Krishtit ju filluat të qeverisni mbi Judejtë dhe të fitoni kontrollin e tokave të tyre. Thënia: “Ai do të jetë pritja e kombeve” është një dëshmi që njerëzit e çdo kombi do të presin me padurim ardhjen e dytë të tij. Siç edhe e shikoni fare qartë dhe jeni të bindur me faktin që njerëzit e çdo race e kërkojnë atë që u kryqëzua në Jude, menjëherë pas të cilit tokat e Judesë ranë në ju. Lidhja e gomarit në hardhi dhe larja e rrobës në lëng rrushi është një shfaqje simbolike e gjërave që do t’i ndodhnin Krishtit dhe e veprimeve të tij. Sepse gomari po qëndronte në hyrje të një fshati i lidhur tek një hardhi atëherë kur ai urdhëroi shokët e tij që t’ia sillnin atë; kur ia prunë i hipi dhe hyri në Jerusalem ku ishte Tempulli i madh i judejve të cilin ju më vonë e shembët. Pas kësaj ai u kryqëzua për të përmbushur pjesën tjetër të profecisë. Larja e rrobës së tij me lëng rrushi ishte parathënia e pësimit të tij të cilin ai duhet ta vuante duke pastruar me gjak ata që besojnë në të. Sepse njeriu që beson në të dhe në të cilin banon Fara e Perëndisë, Fjala, është çfarë Shpirti hyjnor përmes profetëve quan veshje. Gjaku i rrushit, për të cilin u fol, ishte një shenjë që ai do të shfaqej, do të kishte gjak, jo nga fara njerëzore, por nga pushteti hyjnor. Pushteti i parë pas Perëndisë Atë dhe mjeshtër të gjithçkaje, madje edhe Birit [të tij], është Fjala – si ai u bë me trup dhe u bë njeri do ta themi më poshtë. Siç gjaku i rrushit nuk u bë nga njeriu, por nga Perëndia, kështu u dëshmua që gjaku i tij nuk duhej të vinte nga fara njerëzore, por nga pushteti hyjnor, siç thamë më parë. Isaia, një tjetër profet, duke profetizuar të njëjtat gjëra me fjalë të tjera tha: “Një yll do të dalë nga Jakovi dhe një lule do të çelë nga çatia e Jeseut dhe mbi krahet e tij kombet do të shpresojnë” . Ylli ndriçues ka dalë dhe lulja është rritur nga çatia e Jeseut: ky është Krishti. Sepse nga pushteti i Perëndisë ai u ngjiz në një virgjëreshë të farës së Jakovit, i cili ishte at i Judës, babai i Judejve, siç e shpjeguam; Jeseu ishte i pari i tij, duke u bazuar tek profecia dhe ai ishte bir i Jakovit dhe i Judës brez pas brezi.

    33. Dhe përsëri dëgjoni se si është profetizuar fjalë për fjalë nga Isaia se ai do të lindte nga një virgjëreshë. Ai tha: “Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” . Sepse Perëndia dëshmoi qysh përpara me anë të Shpirtit profetik që gjërat që janë të pabesueshme dhe të menduara si të pamundura për njerëzit do të ndodhin, kështu kur këto të ndodhnin nuk do të ishin të pabesuara por do të pranoheshin me besim sepse ishin parathënë. Disa nga të paktët, duke mos kuptuar profecinë që u referua, do të na qortojnë ne se jemi kundër poetëve të cilët thanë se Zeusi erdhi mbi gratë për hir të kënaqësive seksuale. Ne do të përpiqemi të shpjegojmë këto fjalë qartazi. Sepse “ Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë” do të thotë që Virgjëresha do të ngjizet pa marëdhënie. Sepse po të kishte marëdhënie me dikë ajo nuk do të ishte një virgjëreshë; por pushteti i Perëndisë duke ardhur mbi Virgjëreshën e mbuloi atë dhe bëri që ajo të ngjizet duke qenë akoma një virgjëreshë. Engjëlli i Perëndisë, i cili u dërgua tek kjo Virgjëreshë në këtë kohë, i solli asaj një lajm të mirë duke i thënë: “Ja, ti do të mbetesh shtatzënë nga Shpirti i Shenjtë dhe do të lindësh një djalë dhe ai do të quhet Biri i më të Lartit dhe ti do t’ia vësh emrin Jesu, sepse Ai do të shpëtojë njerëzit e tij nga mëkatet e tyre” siç ata që mbanin mend gjithçka rreth shpëtimtarit tonë Jesu Krishtit na e mësuan neve. Ne u besojmë atyre që në momentin kur Shpirti profetik përmes të lartpërmendurit Isaia tha që kjo do të ndodhte. Shpirti dhe Pushteti nga Perëndia nuk mund të mendohen si ndonjë tjetër nga Fjala e cila gjithashtu është i parëlinduri i Perëndisë. Kështu ky [Shpirt], duke ardhur mbi Virgjëreshën e duke e mbuluar atë, e bëri atë shtatzënë jo me marrëdhënie, por me anë të fuqisë [hyjnore] . Emri Jesu në hebraisht do të thotë njësoj si shpëtimtar në greqisht dhe kështu engjëlli i tha virgjëreshës: “Dhe do ta quani atë Jesu sepse do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre”. Mendoj se edhe ju jeni dakord se të gjithë ata të cilët profetizuan s’ishin të frymëzuar nga askush tjetër, veçse nga Fjala Hyjnore.

    34. Dëgjoni gjithashtu, në ç’pjesë të tokës kishte për të lindur, siç profeti tjetër, Mikea, paratha. Ai tha: “Dhe ti Betlehem, tokë e Judës, je më i vogli mes udhëheqësve të Judesë, por nga ti do të dalë një Sundimtar që do të kujdeset për popullin tim” . Ky është një fshat në tokën e Judejve, tridhjetë e pesë stade nga Jerusalemi, në të cilin Jesu Krishti u lind, siç ju mund të mësoni nga regjistrimet të cilat u bënë nga Kuirini, prokurator në Jude .

    35. Pas lindjes së tij, Krishti duhej të jetonte i fshehur nga njerëzit e tjerë derisa të bëhej burrë, siç ndodhi në fakt. Dëgjoni profecitë që i referohen kësaj. “Një fëmijë na u lind dhe një bir na u dha dhe ai do të ketë qeverrimin përsipër” – këtu vërtetohet fuqia e kryqit të cilin kur ai u kryqëzua ai e mori mbi shpatulla, siç do të shpjegohet më qartë ndërsa argumenti përparon. Përsëri i njëjti profet, Isaia, i frymëzuar nga Shpirti profetik tha: “I kam shtrirë duart mbi njerëz të pabindur dhe kundërshtues, mbi ata që ecin në rrugë jo të mirë. Ata tani kërkojnë gjykim prej meje dhe guxojnë t’i afrohen Perëndisë” . Përsëri me fjalë të tjera ai thotë përmes një profeti tjetër: “Ata më shpuan duart dhe këmbët dhe hodhën short për rrobën time . Tani Davidi, mbret dhe profet, që i tha këto nuk vuajti asgjë nga këto gjëra. Por ishte Jesu Krishti që ndeu duart kur u kryqëzua nga Judejtë të cilët e kundërshtuan dhe e mohuan që ai ishte Krishti. Siç tha profeti: “Ata e vunë me tallje në fronin e gjykimit dhe thanë: Na gjyko” . “Ata çpuan duart e mia dhe këmbët”, ishte një parathënie e gozhdëve që i mbërthyen duart dhe këmbët mbi kryq. Mbasi e mbërthyen në kryq, ata që kryqëzuan atë hodhën short për rrobat e tij dhe i ndanë midis tyre. Që këto gjëra ndodhën vërtet, prej Veprave ju mund të mësoni ç’u bë nën Pontin Pilat. Dhe që kjo u profetizua qartë se ai do të merrte fronin e tij mbi një pulisht gomari dhe ashtu do të hynte në Jerusalem, për këtë do të citojmë fjalët e një profeti tjetër, Zefania, siç vijon: “Gëzohu o bija e Sionit, klith nga gëzimi o bija e Jerusalemit, shiko Mbretin tonë si vjen tek ti i butë dhe hipur mbi një pulisht gomari” .

    36. Kur ju dëgjoni fjalët e profetëve të folura me një karakter të veçantë, mos mendoni për to si të folura nga njerëz të vetëfrymëzuar, por nga Fjala hyjnore që i shtynte ata. Sepse nganjëherë ai flet si parathënëse e gjërave që kanë për të ngjarë, nganjëherë ai flet si në vendin e Perëndisë, Mjeshtrit dhe Atit të të gjithave, ndonjëherë në si në vend të Krishtit, herë në vend të popullit që i përgjigjet Zotit ose Atit të tij. Ju mund ta shihni të njëjtën gjë tek shkrimtarët tuaj, ku një njeri është autori i tërë veprës, por paraqet personazhe në dialog. Duke mos e kuptuar këtë, Judejtë, që i kanë të tyret librat e profetëve, nuk e njohën Krishtin edhe kur erdhi Ai, dhe ata na urrejnë ne që shpallim se ai erdhi dhe u dëftejmë se ai u kryqëzua prej tyre siç kishte parathënë.

    37. Që ju ta shihni qartë këtë, keni fjalët e folura nga personazhi At nëpërmjet të lartpërmendurit profet Isaia: “Kau njeh pronarin e vet dhe gomari haurin e të zotit, kurse Izraeli nuk më njeh dhe populli im s’kupton. Mjerë, komb mëkatar, popull i mbushur me mëkate, farë e keqe, fëmijë të paligj, ju keni braktisur Zotin” . Përsëri në një tjetër vend ku i njëjti profet flet në mënyrë të ngjashme për Atin: “Ç’lloj shtëpie do të ngrini për mua? – thotë Zoti. Qielli është froni im dhe dheu është vendi i këmbëve të mia” . Dhe përsëri gjetkë: “Shpirti im i urren hënat tuaja dhe sabatet, s’duroj dot ditën e madhe të kreshmës dhe përtacinë tuaj, as do t’ua vë veshin kur të dilni përpara meje. Duart tuaja janë të mbuluara me gjak dhe po të sillni blatime mielli të imtë dhe temjam mua më duket një gjë e urryer; dhjamin e qingjave dhe gjakun e demave unë s’i dua. Se kush ua kërkoi këto nga duart tuaja? Më mirë hidhni poshtë çdo faturë padrejtësie, bëni copa nyjet e kontratave të dhunës, mbuloni të pastrehët dhe vishni të paveshurit, u çoni bukë të uriturve . Mund të vini re tani atë lloj gjërash që u mësuan nga profetët si të ishin prej Perëndisë.

    38. Kur Shpirti profetik flet nën personazhin e Krishtit, ai thotë: “Shtiva tërë ditën duart e mia në drejtim të një populli rrebel, që ecën në një rrugë jo të mirë” . Dhe përsëri: “I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën. Nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave. Por Zoti më ka ndihmuar prandaj nuk qeshë hutuar; për këtë arsye e bëra fytyrën time si një strall dhe e di që nuk do të turpërohem. Eshtë afër ai që më justifikon” . Dhe përsëri kur ai thotë: “Ndanë midis tyre rrobat e mia dhe më kanë shpuar duart dhe këmbët. Unë rashë dhe fjeta; pastaj u zgjova se Zoti më përkrah” . Përsëri kur thotë: “Ata më përqeshin, zgjatin buzët dhe tundin kokën, duke thënë: Le ta çlirojë veten” . Tërë këto gjëra iu bënë Krishtit nga, Judejtë siç mund ta merrni vesh. Se kur ai u kryqëzua ata ngritën buzët e tyre dhe tundën kryet duke thënë: “Ai që ngjalli të vdekurit, le të shpëtojë tani veten” .

    39. Kur Shpirti profetik flet për gjëra që do të vijnë, thotë: “Sepse ligji do të vendoset nga froni dhe Fjala e Zotit nga Jerusalemi dhe ai do të gjykojë në mes të kombeve dhe do të qortojë shumë njerëz; dhe ata të kthejnë shpatat në plugje dhe heshtat në gërshërë krasitjeje dhe asnjë komb s’do të ngrejë shpatat kundër një kombi tjetër dhe s’do të stërviten më të luftojnë” . Ne mund t’ju tregojmë juve se kjo ka ndodhur vërtet. Sepse një grup prej 12 burrash ishin nga Jerusalemi dhe ishin burra të zakonshëm, të pastërvitur në të folur, por me fuqinë e Perëndisë ata dëshmuan para çdo rrace të njerëzimit se ishin dërguar nga Krishti për të lëçitur Fjalën e Perëndisë tek të gjithë; dhe tani ne që një kohë vrisnim njeri-tjetrin, jo vetëm që nuk bëjmë luftë me njeri-tjetrin, por që të mos gënjejmë ose mashtrojmë përndjekësit tanë me kënaqësi vdesim duke dëshmuar Krishtin. Sepse do të mund të zbatonim thënien: “Gjuha u betua, mendja mbetet e pabetuar” . Por do të ishte qesharake kur ushtarët e rekrutuar dhe paguar prej jush ju mbeten besnikë për tërë jetën e tyre, duke shpërfillur prindërit, tokën amtare dhe tërë familjet e tyre, megjithëse ju s’kini asgjë të paprishme për t’u ofruar, ndërsa ne që dëshirojmë paprishmërinë, të mos i heqim të gjitha me durim që të marrim atë që dëshirojmë prej Atij që është i aftë ta japë atë.

    40. Dëgjoni tani sa parashikime janë bërë rreth atyre që do të shpallnin mësimin e tij dhe do të dëshmonin ardhjen e tij; sepse profeti dhe mbreti i lartpërmendur tha këtë përmes Shpirtit profetik: “Dita i flet ditës, nata i sjell dije natës. S’ka gjuhë ose e folur në të cilën fjalët e tyre nuk do dëgjohen.Tingulli i tyre u hap në tërë dheun dhe fjalët e tyre në tërë kufijtë e botës së banuar. Ai e vendosi altarin e tij në Diell dhe rri aty, si dhëndër që po del nga dhoma e tij dhe do të gëzohet si një kampion që fiton garën e tij” . Veç këtyre, e kam menduar të mirë e të udhës të përmend disa fjalë të tjera profetike të folura përmes të njëjtit David, nga të cilat ju mund të merrni vesh se si Shpirti profetik i nxit njerëzit drejt jetës dhe ai dëshmon për komplotin që thuri Herodi mbret i Judejve dhe Pilati, i cili ishte prokurori juaj, me ushtarët e tij, kundër Krishtit. Ai gjithashtu dëshmon se ai do të besohej prej njerëzve të çdo rrace dhe që Perëndia e quan atë Bir të tij dhe ka shpallur se ai do t’ia nënshtrojë armiqtë përpara tij dhe se si demonët mundohen me sa munden të shpëtojnë nga fuqia e Perëndisë Atë dhe Mjeshtër i të gjithave dhe nga ajo e Krishtit dhe sesi Perëndia i thërret tërë njerëzit të pendohen përpara se të vijë dita e gjyqit. Këto fjalë kanë qenë si vijon:
    “I bekuar është njeriu që nuk ka ecur në shoqëritë e të paperëndishmëve dhe që s’ka qëndruar në rrugën e mëkatarëve, ai ka zënë vend mbi selinë e murtajës, po vullneti i tij është në ligjin e Zotit dhe ligjin e tij do ta mendojë ai ditë e natë. Dhe ai ka për të qenë si pema e mbjellur anës rrjedhave të ujit, që do të japë frutet në stinën e tij dhe fleta e tij nuk do të fishket dhe çdo gjë që bën do të jetë e mbarë. Nuk janë kështu të paperëndishmit, jo, por janë më tepër si kashta që era e çon tutje nga faqja e dheut. Ndaj të paperëndishmit nuk do të ngjallen në gjykim, as mëkatarët në këshillin e të drejtëve, sepse Zoti e di rrugën e të drejtëve dhe rruga e të paperëndishmëve do të shkatërrohet.
    “Pse janë tërbuar kombet, kurse popujt shpikin gjëra të reja? Mbretërit e Dheut u çuan dhe qeveritarët e tyre u mblodhën kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij, duke thënë, “Të thyejmë prangat e tyre dhe të hedhim tej zgjedhën e tyre”. Ai që banon në qiell do të qeshë me përbuzje dhe Zoti do t’i përqeshë. Pastaj ai do të flasë me zemërim dhe do t’i ndëshkojë me inatin e tij. Jam ngritur lart nga ai si mbreti në Sion, mali i Tij i Shenjtë, duke shpallur dëshminë e Zotit. Zoti më tha: Ti je Biri im, sot të kam lindur, kërko prej meje dhe unë do të jap kombe për trashëgim dhe kufijtë e dheut për pronë; ti do ti kullotësh me shkop prej hekuri, ti do ti dërrmosh ata si enë poçari. Dhe tani o mbretër, kuptoni, mësoni tërë ju që gjykoni dheun. Shërbejini Zotit me frikë dhe gëzohuni prej tij me drithërime. Pranoni bindjen se mos zemërohet Zoti [dhe] kur të inatoset ju do të shkatërroheni menjëherë sa të ndizet zemërimi i tij. Të bekuar janë tërë ata që e kanë vënë besimin tek ai”.

    41. Dhe përsëri në një profeci tjetër, Shpirti profetik, duke dëshmuar përmes të njëjtit David se Krishti mbasi të kryqëzohet do të mbretërojë, tha: “I këndoni Zotit, tërë dheu dhe shpallni shpëtimin e tij nga dita në ditë; sepse i madh është Zoti dhe duhet lavdëruar lart, i frikshëm përtej tërë Perëndive. Sepse të gjitha perënditë e kombeve janë fytyra demonësh, kurse Perëndia bëri qiejt. Lavdia dhe lavdërimi janë para tij dhe fuqia e krenaria në vendin e shenjtërimit të tij. I jepni lavdi Zotit, Atit të brezave. Merrni hir dhe shkoni para fytyrës së tij dhe adhurojeni në oborret e tij të shenjta. Le ta ketë frikën tërë dheu dhe përpara tij le të ndërtohet dhe të mos shkundet. Le të ngazëllehen mes kombeve; Zoti ka mbretëruar nga pema” .

    42. Tani kur Shpirti profetik flet për gjëra që do të vijnë sikur të kenë ndodhur, siç ilustrohet në pasazhet e cituara - do t’ju shpjegoj edhe këtë që ashtu ata që vijnë te kjo nuk do të kenë të falur [për moskuptim]. Gjërat që ai i di plotësisht që do të ndodhin i flet qysh përpara sikur ato të kenë ndodhur. Vini kujdes të madh pasazheve të cituara [dhe do të shihni] se kjo është mënyra që duhen marrë. Davidi i foli fjalët e cituara 1500 vjet para Krishtit, si Ai u bë njeri, si u kryqëzua, si asnjë prej atyre që ishin kryqëzuar para Tij nuk u dha gëzim kombeve dhe as ndonjë që u kryqëzua pas Tij. Kurse në kohën tonë, Jesu Krishti, që u kryqëzua dhe vdiq, u ngjall përsëri dhe, duke u ngritur në qiej filloi të mbretërojë; dhe për shkak të asaj që u shpall prej apostujve në të gjitha kombet si [e ardhur] prej Tij, ka gëzim për ata që shikojnë përpara tek pavdekësia që premtoi Ai.

    43. Në mënyrë që asnjë të mos nxjerrë përfundime nga ç’kam thënë për ngjarjet që po flasim, sepse ato ishin të parashikuara dhe të parathëna, përsa i përket fatit të pashmangshëm - unë mund ta shpjegoj edhe këtë. Ne kemi mësuar nga profetët dhe deklarojmë si të vërtetë se dënime dhe ndëshkime dhe shpërblime të mira i jepen, sipas cilësisë së veprimeve, çdo njeriu. Sikur të mos ishte kështu dhe tërë gjërat të ndodhnin në rrjedhën e fatit, asgjë nuk do të na lihej neve. Sepse në qoftë se është dëshmuar që një njeri duhet të jetë i mirë dhe një tjetër i lig, as i pari është i pranueshëm as tjetri i qortueshëm. Dhe nëse raca njerëzore s’ka fuqinë me anë të zgjedhjes së lirë të shmangë atë që është e turpshme dhe të pëlqejë atë ç’ka është e drejtë, atëherë nuk ka përgjegjësi për veprime të çdo lloji. Por ne duhet të demonstrojmë se njeriu ecën drejt ose rrëzohet për shkak të zgjedhjes së tij të lirë. Ne shpesh vëmë re të njëjtin njeri të shkojë pas gjërash të kundërta. Në qoftë se do të ishim të predestinuar të ishim të liq ose të virtytshëm, njeriu nuk do të ishte i aftë të bëjë të kundërtën dhe të ndërronte mendje. Nuk do të ishin ca të virtytshëm dhe ca të ligj, sepse atëherë duhet të deklaronim se qenka fati shkaku i të këqijave dhe se [në të njëjtën kohë] ai vepron në kundërshtim me veten - ose të pranojmë si të vërtetë mësimin e treguar më lart se nuk ka virtyt të vërtetë ose ves të vërtetë, por gjërat quhen të këqija ose të mira vetëm me opinion; gjë kjo që siç na tregon Arsyeja e vërtetë është padevotshmëri dhe ligësia më e madhe. Mirëpo ne themi se shpërblimet e merituara janë destinuar pakthimshmërisht për ata që kanë zgjedhur të mirën dhe po kështu se ndëshkohen me të drejtë ata [që kanë zgjedhur] të kundërtën. Se Perëndia nuk e bëri njeriun si qeniet e tjera, pemët e kafshët, të cilat s’kanë fuqi të zgjedhin. Sepse ai nuk do të ishte i merituar për shpërblim ose lavdërim nëse nuk do të zgjidhte të mirën e vetes, por ishte i krijuar kësisoj dhe ngaqë as do ta mendonte të drejtë ndëshkimin po të ishte i keq, në qoftë se nuk do të ishte i tillë nga vetja e tij, por do të ishte i paaftë të jetë i ndryshëm nga ajo për të cilën ka qenë formuar (krijuar).

    44. Shpirti i Shenjtë profetik na i mësoi këto gjëra duke thënë përmes Moisiut që Perëndia i tha njeriut të parë të krijuar: “Shih, unë të vura përpara të mirën dhe të keqen, zgjidh të mirën” ..Dhe përsëri përmes Isaisë, tjetër profet, kjo u tha për të njëjtin qëllim, si nga Perëndia At dhe Sundues i të gjitha gjërave: “Lahuni, bëhuni të pastër, hiqeni ligësinë nga shpirtrat tuaj, mësoni të bëni të mirën, jepni gjykim për jetimin dhe mbroni çështjen e vejushave dhe ejani dhe na jepni llogari bashkë, thotë Zoti. Dhe megjithëse mëkatet janë si vjollca, unë do t’i bëj të bardha si lesh, dhe po të jenë të kuqe gjak, unë do t’i bëj të bardha si bora. Dhe nëse do të jeni të gatshëm të më dëgjoni, ju do të hani frutet e tokës; por po të mos doni të më dëgjoni, shpata do t’ju grijë; sepse goja e Zotit i foli këto gjëra” . Fjalia “shpata do t’ju grijë” nuk do të thotë se i pabinduri do të theret prej shpatash, por shpata e Perëndisë është zjarr - të cilin ata që bëjnë të keqen do ta ushqejnë. Për këtë ai thotë “shpata do t’ju grijë sepse goja e Zotit e foli këtë”. Sepse sikur ai të fliste për një shpatë që pret dhe menjëherë shkatërron, ai nuk do të kishte thënë “do të grijë”.
    Kësisoj, kur Platoni thoshte “Faji i takon atij që zgjedh dhe Perëndia është i lirë nga faji” , ai e mori këtë nga profeti Moisi. Sepse Moisiu ishte më parë se Platoni dhe tërë shkrimtarët grekë. Dhe çdo gjë që poetët dhe filozofët thanë rreth pavdekësisë së shpirtit, dënime pas vdekjes, soditje të gjërave qiellore dhe mësime të atij lloji - ata morën shenja nga profetët dhe kështu u bënë të aftë të kuptojnë këto gjëra dhe i përhapën ato. Kështu duken se ishin vërtet farat e së vërtetës në të gjithë njerëzit, por u provua se ata nuk i kuptuan ato siç duhet përderisa ata kundërshtojnë njëri-tjetrin.
    Kështu, kur ne themi se ato gjëra që do të ndodhin kanë qenë profetizuar, ne nuk themi se ato do të ndodhin për hir të fatit të pashmangshëm, por meqë Perëndia i di që përpara se çfarë do të bëjnë gjithë njerëzit dhe është vendimi i tij që secili të shpërblehet sipas cilësisë së veprimeve të tij, ai parathotë, me anën e shpirtit profetik, çfarë do të bëjë ai në pajtim me cilësinë e asaj që ata do të bëjnë. Kështu, ai udhëheq përherë racën njerëzore në të menduar dhe në të kuptuar, duke treguar se ai kujdeset për këtë dhe parashikon për njerëzit. Por nga veprat e demonëve të ligj vdekja u dekretua kundër atyre që lexojnë librat e Histaspit, Sibilës ose të profetëve që kështu të trembin popullin e të mos marrin njohurinë e gjërave të mira, duke u këshilluar me ata dhe që t’i mbajnë njerëzit nën skllavërinë e tyre. Por ata nuk patën sukses përgjithmonë, mbasi ne jo vetëm me guxim këshillohemi me këto libra, por gjithashtu, siç shihni, i sjellim ata që ju t’i inspektoni, duke qenë të sigurt se ç’ka shpallin ata do të mirëpritet nga të gjithë. Edhe sikur të bindim vetëm pak njerëz kjo do të jetë një fitim i madh për ne; sepse si vreshtarë të mirë ne do të marrim shpërblimin tonë prej Mjeshtrit tonë .

    45. Tani mbani vesh si u dha përmes Davidit profetik, se Perëndia, Ati i të gjithëve, do ta merrte lart Krishtin në qiell mbasi ta ngjallte nga të vdekurit dhe pastaj do të mundte demonët që janë armiqtë e tij, gjersa të plotësohet numri i atyre të cilët i njeh qysh herët dhe që janë të mirë dhe të virtytshëm, për hir të të cilëve “nuk ka sjellë ende dënimin e botës me zjarr”. Fjalët janë këto: “Zoti i tha Zotit tim: Rri në krahun tim të djathtë gjersa unë të bëj armiqtë e tu nën këmbën tënde. Zoti do të dërgojë shkopin e fuqisë nga Jerusalemi dhe të dominojë në mes të armiqve të tu. Fillimi është me ty në dorën e fuqisë sate, në shkëlqimin e bijve të tu të shenjtë. Unë të kam lindur ty nga barku përpara se të dilte ylli i mëngjesit . Fjalia “Ai do të dërgojë shkopin e fuqisë për ty nga Jerusalemi” është parashikimi i fjalës së fuqishme të cilën apostujt e Tij, duke dalë nga Jerusalemi lëçitën kudo, dhe të cilën, megjithëse vdekja është dekretuar kundër atyre që lëçisin ose dhe dëshmojnë emrin e Krishtit, ne kudo e presim dhe e lëçisim. Në qoftë se ju i përgjigjeni këtyre fjalëve me armiqësi, ju s’mund të bëni më tepër, siç thamë përpara, se sa të na vrisni, gjë që nuk do të na bëjë dëm, por do t’ju çojë në dënim të pasosur në zjarr juve dhe gjithë ata që janë padrejtësisht armiq të Ungjillit dhe nuk pendohen.

    46. Që disa të mos kundërshtojnë pa arsye, në mënyrë që të kthejnë njerëzit nga ajo që ne lëçisim dhe që themi se Krishti ka lindur 150 vjet më parë në kohën e Kuirinit dhe shpalli atë që ne themi se shpalli edhe më vonë, nën Pontin Pilat dhe kështu na akuzojnë [siç mendohet] se gjithë njerëzit e humbur para asaj kohe ishin të papërgjegjshëm. Unë do ta zgjidh këtë vështirësi qysh përpara. Ne kemi mësuar se Krishti është i parëlinduri i Perëndisë dhe kemi dëshmuar që më parë që ai është arsyeja në të cilën çdo racë njerëzish merr pjesë. Ata që jetuan në pajtim me arsyen janë të krishterë, paçka se u quajtën të paperëndishëm, si p.sh tek grekët Sokrati dhe Herakliti dhe të tjerë si ata; ndër barbarët [jo grekët] Abrahami, Anania, Azaria, Mikaeli dhe Elia dhe shumë të tjerë, punët dhe emrat e të cilëve s’mund t’i rreshtojmë duke e ditur se do të ishin shumë. Kështu edhe ata që jetuan pa arsye ishin të pahirshëm dhe armiq të Krishtit dhe vrasës të atyre që jetuan me arsye. Por ata që jetuan me arsye dhe ata që jetojnë ashtu tani, janë të krishterë, pa frikë dhe të patronditur. Sepse arsyen pse ndodhi që një njeri u zu tek një virgjëreshë nga fuqia e Fjalës sipas vullnetit të Perëndisë Atë dhe Sunduesit të të gjithëve dhe u quajt Jesu dhe mbasi u kryqëzua dhe vdiq u ngjall përsëri dhe u ngjit në qiej, njeriu inteligjent do të jetë i aftë ta kuptojë prej fjalëve që u folën në shumë mënyra. Por meqë demonstrim tjetër nuk nevojitet për tani, unë do të vazhdoj me demonstrime më të nevojshme.

    47. Dëgjoni se si Shpirti profetik tha që toka e Judejve do te rrënohet. Fjalët janë thënë si nga populli, që habitet për sa ndodhën, si vijon: “Sioni u bë shkretëtirë, Jerusalemi u bë shkretëtirë, shtëpia e altarit tonë u bë një mallkim dhe lavdia të cilin etërit tanë e lavdëronin u dogj me zjarr dhe tërë gjërat e lavdishme ranë. Dhe ju i dini këto dhe kini heshtur dhe na keni përulur shumë” . Ju e dini mirë që Jerusalemi është prishur dhe askujt nuk i lejohet të banojë aty, kjo është thënë tek Isaia, profeti: “Toka e tyre është një shkretëtirë, armiqtë e tyre e kanë atë faqeza dhe asnjë nga ata s’do të banojë në të” . Ju në vijim e dini që nën mbrojtjen tuaj s’ka asnjë aty dhe që vdekja është caktuar për çdo jude që kapet duke hyrë .

    48. Siç ishte profetizuar se Krishti ynë do të shërojë sëmundjet dhe do të ngjallte të vdekurit, dëgjoni ç’është folur si vijon: “Me ardhjen e tij i çali do të kërcejë si sorkadhe dhe gjuha e memecëve do të zgjidhet, i verbëri do të shohë dhe lebrozët do të pastrohen dhe të vdekurit do të ngjallen dhe do të ecin” . Që ai i bëri këto gjëra ju mund t’i mësoni nga Veprat e ato që ndodhën nën Pontin Pilat. Siç u dëshmua nga Shpirti profetik se ai do të vihej në vdekje, së bashku me njerëzit që shpresonin tek ai, dëgjoni çfarë është thënë përmes Isaias si vijon: “Shih si i Drejti mbaron dhe asnjë s’e merr për zemër dhe njerëzit e drejtë theren dhe askush s’u vë veshin. I drejti merret larg nga prania e ligësisë dhe varri i tij do të jetë në paqe, ai merret larg nga mesi ynë” .

    49. Dhe përsëri siç është thënë përmes të njëjtit Isaia se popujt paganë që nuk e kërkonin atë do ta adhurojnë dhe judejtë që vazhdimisht e kërkonin nuk do ta njihnin kur të vinte. Këto fjalë janë thënë si prej vetë personazhit Krisht, si vijon: “U shfaqa tek ata që nuk më kërkuan, më gjetën ata që nuk më kërkonin. Unë i thashë “Jam këtu” një kombi që nuk e thërriste emrin tim, i ndeva duart e mia mbi një popull të pabindur dhe kundërshtar, mbi ata që ecnin në rrugë të keqe, por sipas mëkateve të tyre, një popull që ngriti zemërimin tim” . Sepse Judenjtë, duke pasur profecitë dhe vazhdimisht duke kërkuar Krishtin, nuk e njohën kur erdhi, për më tepër e keqtrajtuan, kurse njerëz paganë që as kishin dëgjuar për Krishtin derisa apostujt dolën nga Jerusalemi, provuan gjërat e tij dhe iu dhanë profecive, u mbushën me gëzim dhe besim, u larguan nga idhujt dhe iu përkushtuan Perëndisë së pafillim përmes Krishtit. Sepse shpifjet që do të thuheshin kundër atyre që dëshmojnë Krishtin ishin njohur përpara dhe se do të goditej kushdo që shpif për të dhe që është më mirë të mbahen zakonet e vjetra, dëgjoni çfarë është thënë shkurt përmes Isaias: “Mjerë ata që e quajnë të ëmblën të hidhur dhe të hidhurën e quajnë të ëmbël” .

    50. Sesi i bërë njeri për ne ai duroi vuajtje dhe çnderim dhe do të vijë përsëri me lavdi – dëgjoni profecitë që u patën thënë rreth kësaj: “Sepse ata ia dhanë shpirtin e tij vdekjes dhe u numërua ndër keqbërësit, ai i mbajti me vete mëkatet e të shumëve dhe ai do të ndërmjetësojë për të ligjtë . Sepse shikoni, shërbëtori im do të kuptojë dhe do të lartësohet e lavdërohet. Shumë do të habiten me ju, kështu ju do të përbuzeni nga njerëzit, ashtu edhe lavdia juaj, kështu shumë kombe do të çuditen dhe mbretër do të mbyllin gojën; sepse ata që s’u ishte folur për të, do të shohin dhe ata që nuk kishin dëgjuar, do të kuptojnë. O Zot, kush ka besuar rrëfimin tonë dhe kujt i është zbuluar krahu i Zotit? Ne kemi folur para tij si fëmijë, si rrënja në tokën e etur. Ai s’ka pamje as lavdi; dhe ne e pamë atë dhe ai s’kishte pamje as bukuri, sepse trupi i tij u çnderua dhe u përul përtej çdokujt tjetër nga njerëzia. Ai qe një burrë i goditur, që dinte si ta duronte sfilitjen, sepse fytyra e tij u shndërrua nga plagët dhe ai u çnderua dhe askush nuk e çmoi. Eshtë ai që i mban mbi vete mëkatet dhe mundohet për ne dhe ne e mendojmë atë të brengosur, dërmuar dhe të pikëlluar. Por ai u plagos për ligësitë tona dhe u sfilit për mëkatet tona. Shpagimi i paqes sonë është përmbi atë; dhe prej plagëve të tij ne u shëruam. Ne u shpërndamë si delet, çdokush shkoi në rrugë të tij. Dhe ai dha veten për mëkatet tona dhe nuk hapi gojën nga pikëllimi. Ai u çua si qengj për t’u therur dhe siç është pa zë kur e qethin, ashtu ai nuk hapi gojën. Në përuljen e tij gjykimi i tij humbi” . Sepse mbasi u kryqëzua, deri edhe miqtë e braktisën duke e mohuar. Por më vonë kur u ngjall nga të vdekurit dhe iu shfaq atyre dhe i mësoi të dëgjojnë profecitë, ku është parathënë se të gjitha këto do të ndodhnin dhe kur ata e panë të ngjitet në qiell dhe besuan tek ai dhe morën fuqinë që ua dërgoi prej atje dhe shkuan tek çdo rracë njerëzore, ata lëçitën këto gjëra dhe u bënë të njohur si apostuj.

    51. Për të na dëshmuar ne se ai që i vuajti këto gjëra është nga një prejardhje e pakapshme dhe mbretëron mbi armiqtë e tij, Shpirti profetik na foli: “Kush do të shpallte lindjen e tij? Sepse jeta e tij është marrë nga dheu; për llogari të ligësisë së tyre ai shkon tek vdekja. Dhe unë do të jap keqbërësit për varrimin e tij dhe të pasurit për vdekjen e tij, sepse ai nuk bëri të keqe, as faj u gjend në gojën e tij. Dhe Zoti do ta pastrojë atë nga goditjet. Në qoftë se ti jep një flijim për mëkatin, shpirti yt do të shohë pasardhës. Dhe Zoti do të heqë shpirtin e tij nga e keqja, për t’i dëftyer atij dritë dhe për ta formuar atë me mirëkuptim, për të përligjur të Drejtin që është shërbëtor i mirë i shumë vetave. Dhe ai do të na heqë mëkatet. Për këtë ai do të trashëgojë shumicë gjërash dhe do të mbajë plaçkën e zënë të fortëve; për këtë shpirti i tij iu dha vdekjes dhe u numërua me keqbërësit dhe ai vetë mbajti mëkatet e shumë vetave dhe për shkak të ligësive të tyre ai u tradhëtua” . Dëgjoni si ai do të shkonte lart në qiell, siç është profetizuar. Kjo është thënë: “Ngreni lart portat e qiellit, le të hapen që mbreti i lavdisë të hyjë. Kush është Mbreti i lavdisë? Zoti i fuqisë dhe Zoti i pushtetit” . Dhe që ai ka për të ardhur nga qielli me lavdi, dëgjoni se çfarë është folur për këtë përmes profetit Jeremia: “Shikoni se si Biri i Njeriut vjen mbi retë e qiellit dhe engjëjt me të” .

    52. Përderisa kemi treguar gjithë këto gjëra që kanë ndodhur duke shpallur qysh përpara përmes profetëve para se të ndodhnin, po kështu duhet besuar që këto gjëra që u profetizuan në mënyrë të ngjashme dhe janë ende për të ndodhur, do të ndodhin me siguri. Pikërisht si këto gjëra që kanë ndodhur më parë dolën të vërteta, të shpallura qysh përpara dhe po të pranuara, kështu në të njëjtën mënyrë ato që mbetën edhe pse jo të njohura madje të pabesuara, do të vijnë e do të kalojnë. Sepse profetët parathanë dy ardhje të Krishtit - njëra që ka ndodhur, si e një njeriu të çnderuar dhe të vuajtur dhe e dyta, kur siç është parathënë, do të vijë nga qielli me lavdi me shpurën e tij engjëllore, kur ai do të ngrejë trupat e tërë njerëzve që kanë jetuar në kohëra dhe do të veshë të denjët me mosprishjen, kurse të ligjtë, përherë të vetëdijshëm, do t’i dërgojë në zjarrin e përjetshëm me demonët e këqij. Siç është parathënë se këto gjëra do të ndodhin, ne do t’ju tregojmë. Kjo u fol përmes profetit Ezekiel: “Nyja do të bashkohet me nyjen, eshtra me eshtrën dhe trupi do të rritet sërish. Dhe çdo gjë do të përkulet tek Zoti dhe çdo gjuhë do ta dëshmojë atë” . Që të ligjtë do të dënohen, duke qenë të ndërgjegjshëm, është folur gjithashtu për këtë pikë siç vijon: “Krimbi i tyre s’do të pushojë dhe zjarri i tyre nuk do të shuhet” . Dhe atëherë ata do të pendohen, kur nuk do t’u bëjë asnjë dobi. Çfarë do të thonë dhe bëjnë Judejtë kur të shohin atë të vijë me lavdi, u profetizua kështu përmes profetit Zaharia: “Unë do të komandoj katër erërat të sjellin bashkë fëmijët e shpërndarë; unë do të komandoj erën e veriut t’i sjellë ata dhe erën e jugut të mos i mbajë mbrapsht” . Dhe pastaj do të ketë një vajtim të madh në Jerusalem, jo vajtim goje e buzësh, por gjëmë zemre dhe ata nuk do të çjerrin rrobat e tyre por mendjet e tyre. Fis pas fisi do të qajnë dhe atëherë ata do të shohin atë të cilin e përndoqën . Dhe do të thonë: “Pse o Zot na bëre të ikim larg rrugës sate? Lavdia që e mburrnin etërit tanë u bë fatkeqësia jonë” .

    53. Unë do të përmendja shumë profeci të tjera, por po pushoj duke menduar se këto janë të mjaftueshme për të bindur ata që kanë veshë për të dëgjuar dhe kuptuar dhe duke parë që njerëz të tillë mund të kuptojnë atë që ne s’mundemi, si ata që thonë historitë mitike për të ashtuquajturit bij të Zeusit, thonë fjalë që thjesht s’kanë prova. Sepse pse ne u dashka të besojmë një njeri të kryqëzuar se është i parëlinduri i Perëndisë së pafillim dhe që ai do të gjykojë tërë racën njerëzore, veçse mbasi gjetëm dëshmi të shpallura rreth tij para se të vinte dhe që u bë njeri dhe e shohim që gjërat kanë ndodhur ashtu? Sepse ne kemi parë mjerimin e tokës së Judenjve, dhe burrat e çdo kombi që u bindën nga lëçitjet që vijnë prej apostujve dhe kanë hequr dorë nga zakonet e tyre të vjetra duke u endur kot, - këta jemi ne, qëkur kemi marrë vesh se të krishterët paganë janë të shumtë dhe më besnikë se ata të dalë prej judenjve dhe samaritanëve, sepse tërë kombet e tjera të njerëzimit janë quajtur paganë prej Shpirtit profetik, kurse fiset Judease dhe Samaritane janë quajtur Izrael dhe shtëpia e Jakovit. Si është profetizuar se më shumë do të bëhen besimtarë paganët sesa Judenjtë dhe Samaritanët, unë do të citoj ç’është profetizuar. Është folur kështu: “Gëzohuni o të zhveshur dhe të paduruar, shpërtheni dhe klithni, ju që nuk u munduat, sepse fëmijët e të mjeruarve janë më shumë se fëmijët e asaj që pati një burrë” . Sepse tërë paganët u mjekuan nga Perëndia i vërtetë, duke i shërbyer duarve të njerëzve. Kurse Judenj e Samaritanë, duke pasur fjalën e Perëndisë të dhënë atyre përmes profetëve dhe vazhdimisht në kërkim të Krishtit, nuk e njohën atë kur ai erdhi, me përjashtim të disa të paktëve, shpëtimin e të cilëve Shpirti profetik e tha përmes Isaias. Sepse ai tha duke folur si për ata: “Në qoftë se Zoti s’na kishte lënë një farë, ne do të ishim bërë si Sodoma e Gomora” . Moisiu thotë historinë e Sodomës dhe Gomorës, qytete njerëzish të pabesë që Perëndia i përmbysi, duke i djegur me zjarr dhe me squfur; asnjë nga populli atje nuk shpëtoi përveç një të huaji nga raca e Kaldeasve me emër Lot me të cilin shpëtuan edhe të bijat. Ata që duan mund ta shohin fshatin e tyre të tërë të rrënuar e të djegur dhe tokat e tij pa fije prodhimi. Që kjo ishte ditur qysh përpara se ata prej kombeve do të bëheshin të besës e të devotshëm, ne do të citojmë atë që është thënë përmes Jeremisë, profetit. Ai foli kështu: “Izraeli është i parrethprerë në zemër dhe paganët janë parrethprerja” , duke parë të tilla gjëra duhet me arsye të sjellin bindjen dhe besimin tek ata që e mirëpresin të vërtetën dhe s’janë fodullë dhe të kontrolluar nga pasionet e tyre.

    Vazhdon...

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Paganizmi imitim i krishtërimit

    Paganizmi imitim i krishtërimit

    54. Por ata që përdorin mitet e shpikura nga poetët nuk u ofrojnë demonstrim të rinjve që i mësojnë. Unë jam i përgatitur të tregoj se atyre u është thënë me nxitjen e demonëve të mallkuar të mashtrojnë e ta çojnë në rrugë humbjeje rracën njerëzore. Por kur ata ndjenë të thuhet përmes profetëve që Krishti kishte për të ardhur dhe që njerëzit e pabesë do të ndëshkoheshin në zjarr, ata nxorrën një numër të ashtuquajtur bij të Zeusit duke menduar se ata mund të bënin njerëzit të besojnë se ç’është thënë rreth Krishtit ishte thjesht një përrallë me mrekullira si historitë e poetëve. Këto histori ishin të përhapura ndër grekë dhe paganë, kurse siç kishin shpallur profetët, Krishtit i duhej besuar veçanërisht. Siç do ta qartësoj, ata megjithëse i dëgjuan fjalët e profetëve, nuk ua vunë veshin siç duhej, por bënë gabime duke imituar ato që ishin thënë rreth Krishtit. Profeti Moisi ishte, siç thashë më lart, më i lashtë se tërë shkrimtarët [grekë] dhe kjo profeci u bë përmes tij siç e citova: “Sundimtari nuk do të ndahet nga Juda, as qeveritari nga kafshët e tij, gjersa ai të vijë për ata që u është caktuar; dhe ai do të jetë shpresa e kombeve, duke e lidhur gomarin e tij në pjergull, duke e larë rrobën e tij me gjakun e rrushit” . Kështu, kur demonët ndjenë këto fjalë profetike, ata nxorën sikur Dionisi kishte qenë një bir i Zeusit, duke hapur fjalën se ai ishte zbulues i hardhisë (nga kjo futën verën në misteret e tij) dhe u mësuan atyre se mbasi ishte bërë copash, ai u ngjit në qiell. Tani profecia e dhënë përmes Moisiut nuk tregonte saktë se nëse ai që do të vinte do të ish Biri i Perëndisë dhe nëse, hipur në një mëz, ai do të mbetej mbi tokë apo do të ngjitej në qiell; dhe fjala “mëz” mund të kuptohet si një gomar, ose një kalë. Kështu duke mos ditur se i parëthëni për të ardhur do të sillte mëzin e një gomari, apo të një kali, si simbol të ardhjes së tij dhe siç u tha më lart, nëse ai ishte Bir i Perëndisë apo njeri, ata thanë se Belerofoni, njeri i lindur nga njerëz, ishte ngjitur në qiell mbi kalin Pegaso. Kështu kur ata dëgjuan se u tha përmes profetit tjetër Isaia se ai kishte për të lindur nga një virgjëreshë dhe do të ngjitej në qiell me fuqinë e vet, nxorrën fjalë se kjo është thënë për Perseun. Kur ata morën vesh se ishte folur siç u tha në profecitë e lashta “i fortë si gjigant për të ngarë vrapin e tij” ata thanë se Herkuli kishte udhëtuar në tërë dheun. Përsëri kur ata morën vesh se ishte profetizuar që ai do të shëronte sëmundje dhe do të ngjallte të vdekurit, ata nxorën në shesh Aslepin .

    55. Por kryqëzimi kurrë nuk u imitua në rastin e ndonjë nga të ashtuquajturit bij të Zeusit; sepse ata nuk e kuptonin atë se, siç u shpjegua, çdo gjë e thënë rreth tij ishte shprehur simbolikisht. Megjithatë, siç paratha profeti, kryqi është simboli më i madh i fuqisë dhe autoritetit të tij, siç mund të tregohet nga gjërat që ju shihni. Reflektoni tërë gjërat e universit dhe mendoni nëse ato mund të qeverisen ose të mbahen tok në shfaqe pa këtë figurë. Sepse deti nuk mund të përshkohet veçse nëse shenja e fitores, e cila quhet velë , mbetet e lidhur pas anijes; toka nuk plugohet pa të, po ashtu bujqit dhe kovaçët nuk e bëjnë dot punën veçse me veglat e asaj forme. Figura njerëzore ndryshon nga kafshët e paarsyeshëm pikërisht me këtë, që njeriu qëndron drejt dhe mund të shtrijë duart e tij dhe me fytyrë që nga balli e poshtë, ajo që quhet hunda, përmes së cilës hyn fryma për krijesat e gjalla - dhe kjo shpalos pikërisht figurën e kryqit. Kësisoj është thënë përmes profetit: “Fryma para fytyrës sonë është Krishti, Zoti” . Deri edhe simbolet tuaja shpjegojnë fuqinë e kësaj figure - mbi flamujt dhe trofetë me të cilat ju bëni tërë procesionet tuaja solemne, duke i provuar këto objekte në formë kryqi si shenja autoritetit, sado që pa e kuptuar se çfarë po bëni. Pastaj ju ngreni lart imazhet e perandorëve tuaj të vdekur në këtë figurë dhe me mbishkrime i quani perandorë. Kështu tani, meqë unë bëra ç’munda për t’ju bindur, si me argumenta, ashtu edhe duke iu referuar një figure të dukshme, unë nuk ju qortoj tani ju edhe sikur të mos besoni. Pjesa ime u krye dhe mbaroi.

    56. Demonët e mallkuar s’ishin të kënaqur duke thënë para shfaqjes së Krishtit se kanë ekzistuar të ashtuquajturit bij të Zeusit. Mbasi ai u shfaq dhe jetoi mes njerëzve, kur ata morën vesh se ai ishte parathënë nga profetët dhe panë sesi i besonin dhe e kërkonin atë në çdo racë, ata përsëri, siç treguam më lart, nxorrën të tjerë, Simonin dhe Menandrin e Samarisë, të cilët duke bërë punë të fuqishme magjie mashtruan dhe akoma po mashtrojnë shumë. Sepse siç thashë më parë, Simoni jetonte në qytetin tuaj perandorak të Romës nën Klaud Çezarin dhe kështu la përshtupjen përpara Senatit të Shenjtë dhe popullit romak se mendohej të ishte perëndi dhe të nderohej me statujë si perënditë e tjera të cilat ju i nderoni. Ne ju kërkojmë të mblidhni Senatin e Shenjtë dhe popullin tuaj si gjyqtarë të bashkuar të këtij peticioni tonë, që në qoftë se disa janë gabuar nga mësimet e tij, ata të munden të mësojnë të vërtetën dhe të largohen prej atij gabimi. Dhe nëse dëshironi, shkatërrojeni statujën.

    57. Demonët nuk mund të bindin njerëzit se s’do të ketë zjarr dënimi për të pabesët, ashtu siç nuk qenë të aftë të mbajnë Krishtin të fshehur kur erdhi. Tërë ç’mund të bëjnë ata është t’i bëjnë njerëzit të jetojnë kundra arsyes, meqë janë rritur me zakone të këqija pasionesh e paragjykimesh për të na vrarë e për të na urryer. Megjithatë ne nuk i urrejmë, por siç del sheshit, i mëshirojmë dhe mundohemi t’i bindim ata të ndërrojnë rrugë. Sepse ne nuk e kemi frikë vdekjen, duke pranuar se patjetër do të vdesim, dhe [përderisa] s’ka asgjë të re [për jobesimtarët], por gjërat vazhdojnë të jenë njësoj në këtë dekret - në qoftë se mërzia i zë ata që i provojnë këto gjëra qoftë për një vit , atëherë që të lirohen nga vuajtjet dhe nevojat ata duhet t’i vënë veshin mësimeve tona. Në qoftë se nuk besojnë se ka gjë pas vdekjes, por deklarojnë se ata që vdesin kalojnë në pandjeshmëri, atëherë ata janë mirëbërësit tanë duke na liruar nga vuajtjet dhe nevojat e jetës së këtushme. Por më tej ata tregojnë veten si të ligj, mizantropë dhe paragjykues. Sepse ata nuk na vrasin që të na lirojnë, por për më tepër na vrasin që të na marrin jetën dhe kënaqësitë e saj.

    58. Siç thashë më parë, demonët e mallkuar kanë nxjerrë në shesh gjithashtu Marcionin e Pontit, i cili dhe tani po mëson njerëzit të mohojnë se Perëndia është Krijuesi i të gjithave në qiell e tokë dhe që Krishti i parathënë nga profetët është Biri i tij. Ai predikon një tjetër Perëndi përveç Krijuesit të Universit dhe po ashtu një tjetër Bir. Shumëve ua ka mbushur mendjen, sikur ai vetëm ta dinte të vërtetën dhe tallet me ne, megjithëse ata s’kanë prova për gjërat që thonë por rrëmbehen pa arsye, si dele nga ujku dhe bëhen pre e mësimeve të paperëndishme dhe të demonëve. Sepse ata që quhen demonë nuk përpiqen për tjetër veçse t’i tërheqin njerëzit larg nga Perëndia që i krijoi ata dhe nga Krishti i parëlinduri i tij. Ata që s’mund të ngrihen përmbi dheun, ata janë mbërthyer nga adhurimi i gjërave tokësore dhe nga punët e duarve njerëzore. Ata bile i shtyjnë mbrapsht ata që synojnë soditjen e gjërave hyjnore, që mendimi i tyre të mos jetë i matur e i pastër dhe jeta e tyre e lirë prej pasioneve dhe i çojnë ata drejt padevotshmërisë.

    59. Që ju të mësoni se Platoni huajti nga mësuesit tanë, e kam fjalën nga Fjala [që foli] përmes profetëve, kur tha se Perëndia bëri universin duke ndërruar lëndën e paformë, dëgjoni gjërat e thjeshta të Moisiut i cili siç u tha më lart ishte i pari nga profetët dhe më i lashtë se shkrimtarët grekë. Shpirti profetik provoi përmes tij se si në fillim Perëndia bëri universin dhe nga se duke thënë: “Në fillim Perëndia bëri qiellin e dheun. Dhe dheu ishte i padukshëm dhe i papajsur dhe errësira ishte përmbi humnerë; dhe Fryma e Perëndisë sillej mbi ujra. Dhe Perëndia tha: “Le të bëhet dritë dhe kështu u bë” . Kështu nga fjala e Perëndisë i tërë universit u bë nga ky substrat, siç është parashtruar nga Moisiu dhe Platoni e ata që janë në një mendje me të, siç edhe ne që e kemi mësuar prej tij dhe ju gjithashtu mund të jeni të sigurtë për këtë. Ne dimë gjithashtu se Moisiu kishte folur qysh përpara për atë që poetët e quajnë Erebus .


    60. Në diskutimin për natyrën e Birit të Perëndisë në Timaeus e Platonit, kur ai thotë “ai vuri atë si një X në Univers” kjo u mor hua nga Moisiu. Sepse është regjistruar në shkrimet e Moisiut se në kohën e tij, kur izraelitët kishin ikur nga Egjipti dhe ishin në shkretëtirë, ata u ndeshën me bisha helmonjëse dhe nepërka dhe gjithëfarë lloj gjarpërinjsh të cilët vrisnin njerëzit. Me një frymëzim dhe ndikim që erdhi nga Perëndia, Moisiu mori bakër dhe bëri trajtën e një kryqi dhe e vuri atë përmbi tendën e Shenjtë duke i thënë popullit: “Nëse ju e shikoni këtë trajtë dhe i besoni asaj, ju do të shpëtoni”. Dhe ai kujton që kur kjo u bë gjarpërinjtë ngordhën dhe kështu ai na thotë, populli i shpëtoi vdekjes . Platoni, duke e lexuar këtë dhe duke mos e kuptuar qartë, duke mos i rënë në të se ajo ishte trajta e kryqit, por duke menduar se ishte [shkronja] Hi, ai tha se fuqia më pranë Perëndisë ka qenë në formën e X në Univers. Dhe ai foli për një të tretë, pasi ai kishte lexuar atë që unë kam cituar nga Moisiu, se që Shpirti i Perëndisë sillej mbi ujra duke thënë: “Qeniet e rendit të tretë përmes të tretit” . Dhe dëgjojmë se si shpirti profetik ka thënë përpara përmes Moisiut se do të ketë një shkatërrim me zjarr. Ai tha: “Zjarr i përjetshëm ka për të rënë dhe do të kullufitë deri edhe humerën përposht” . Kështu nuk është se ne kemi të njëjtat mendime si të tjerët, por ajo që thonë gjithë të tjerët është imitim i mendimit tonë. Ndër ne ju mund të dëgjoni dhe të mësoni këto gjëra nga ata që nuk dinë as shkronjat e alfabetit – të paarsimuar dhe të pagdhendur në të folur, por të urtë e besimplotë në mendje – madje nga sakatët dhe të verbërit. Kështu ju mund të shihni se këto gjëra nuk janë produkt i urtësisë njerëzore, por janë folur nga fuqia e Perëndisë.

    Adhurimi i krishterë

    61. Se si ne ia përkushtuam veten Perëndisë kur u bëmë të rinj përmes Krishtit, këtë do ta shpjegoj ngaqë mund të duket e pasinqertë po ta lija jashtë prezantimit tim. Ata që janë të bindur dhe besojnë se gjërat që ne lëçisim dhe themi janë të vërteta dhe premtojnë se ata mund të jetojnë sipas tyre, janë mësuar të luten dhe të kërkojnë Perëndinë me agjërim për faljen e mëkateve të tyre të kaluara, ndërsa ne lutemi dhe kreshmojmë me ta. Atëherë ne i çojmë ata aty ku ka ujë dhe rilindin me të në të njëjtën mënyrë të rilindjes me të cilin ne vetë patëm rilindur; sepse ata lahen në ujë me emrin e Perëndisë Atë dhe kryetar të të gjithave dhe të Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht dhe të Shpirtit të Shenjtë. Sepse Krishti tha: “Nëse nuk lindni sërish ju nuk hyni dot në Mbretërinë e Qiejve” . Tani është e qartë për të gjithë se ata që kanë ardhur në qenie s’mund të hyjnë në mitrën e atyre që i lindën ata. Por siç u tha më lart, është thënë përmes profetit Isaia se si ata që kanë mëkatuar dhe pendohen do të shpëtojnë nga mëkatet e tyre. Ai tha këtë: “Lani veten tuaj, bëhuni të pastër, hiqni tej ligësirat prej shpirtrave tuaj, mësoni të bëni mirë, jepni gjykim për jetimin dhe mbroni të drejtën e vejushës dhe ejani të arsyetojmë së bashku, thotë Zoti. Dhe megjithëse mëkatet tuaja janë si lulëkuqja, unë do t’i bëj ato të bardha si lesh dhe megjithëse ato janë si bojë gjaku, unë do t’i bëj ato të bardha si bora. Në qoftë se ju nuk më dëgjoni, shpata do t’ju hajë; sepse goja e Zotit i ka folur këto gjëra” . Dhe ne mësuam nga apostujt arsyen e këtij [riti]. Me lindjen tonë të parë ne lindëm nga e domosdoshmja pa dijeninë tonë, nga fara e qullët, nga mardhëniet e prindërve tanë me tjetri-tjetrin dhe u ritëm me zakone të këqija dhe sjellje të këqia. Kështu, që të mos mbetemi fëmijët e domosdoshmërisë dhe të padijes, por të [bëhemi bij] të zgjedhjes së lirë dhe të dijes dhe të shkëpusim falje të mëkateve të cilat i kemi kryer tashmë , në ujë ne përmendim, mbi atë që ka zgjedhur të lindë përsëri dhe është penduar për veprimet e tij mëkatare, emrin e Perëndisë Atë dhe Mjeshtër të të gjithave. Ata që e çojnë në pastrim atë që do të lahet, i thërresin [Perëndisë] vetëm me këtë emër. Sepse askush s’mund t’i japë një emër të përshtatshëm Perëndisë së pashprehshëm, dhe në qoftë se ndonjë do të guxonte të thoshte se ka një emër tjetër, ai është një i çmendur i pashpresë . Kjo larje është quajtur ndriçim meqenëse ata që i mësojnë këto gjëra ndriçohen përbrenda. I ndriçueshmi lahet gjithashtu me emrin e Jesu Krishtit, i cili u kryqëzua nën Pontin Pilat dhe në emrin e Shpirtit të Shenjtë, i cili paratha nëpërmjet profetëve gjithçka rreth Jesuit.

    62. Kur demonët dëgjuan këtë larje të parashpallur me anën e profetëve, e ujdisën që ata që shkojnë nëpër tempuj e tyre dhe gatiten t’u afrohen e t’u blatojnë të pira dhe djegin oferta, duhej ta spërkatnin veten – dhe më tej ata do të lanin veten tërësisht ndërsa hynin nëpër shenjtëroret ku ata janë të grupuar. Urdhëri që priftërinjtë u japin ithtarëve të tyre të heqin këpucët kur hyjnë në tempuj dhe u afrohen atyre [demonëve], është një imitim i adoptuar nga demonët kur morën vesh ç’i ndodhi Moisiut, profetit të lartpërmendur. Sepse në kohën kur Moisiu mori urdhrin të shkojë në Egjipt dhe të nxjerrë që andej popullin e izraelitëve që ishin atje, kur ai po kulloste në Arabi delet e të ungjit, Krishti ynë iu drejtua aty me formën e një zjarri që digjte një kaçube dhe tha: “Zgjidh sandalet e tua dhe eja afër e dëgjo”. Kur ai i hoqi dhe u afrua, ai ndieu se duhej të shkonte në Egjipt dhe të nxjerrë jashtë popullin e izraelitëve të atjeshëm dhe mori fuqi të madhe nga Krishti i cili i foli në formën e zjarrit. Ai shkoi dhe nxorri jashtë popullin mbasi bëri mrekullira të mëdha – nëse doni të mësoni rreth tyre ju mund të merrni vesh me hollësi nga shkrimet e tij.

    63. Ende tani judejtë të gjithë lëçisin se vetë Perëndia i paemër i foli Moisiut. Qysh atëherë Shpirti profetik tha për t’i dënuar ata përmes profetit Isaia, i lartpërmendur, siç kemi thënë më parë: “Kau e di pronarin e tij dhe gomari stapin e ustait të tij, kurse Izraeli nuk më njeh dhe populli im nuk kupton” . Po ashtu, Jesu Krishti, ngaqë Judejtë nuk dinë ç’është Ati dhe ç’është Biri, tha vetë këtë si dënim të tyre: “Asnjë nuk e njeh Atin perveç Birit, as Birin nuk e njeh kush përveç Atit dhe ata të cilëve Biri do t’ua zbulojë atë” . Tani Fjala e Perëndisë është Biri i tij, siç thashë më parë. Ai gjithashtu quhet “Engjëll” dhe “Apostull” sepse [si ëngjëll]ai lajmëron çfarë është e domosdoshme të dihet dhe [si apostull] është dërguar për të dëshmuar për çfarë është paralajmëruar , si vetë Zoti tha: “Ai që më dëgjon, dëgjon atë që më dërgoi mua” . Kjo mund të sqarohet nga shkrimet e Moisiut, ku gjejmë: “Dhe engjëlli i Perëndisë i foli Moisiut në një flakë zjarri që dilte nga kaçubja dhe tha: Unë jam ai që jam, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tuaj; shko në Egjipt dhe nxirr prej andej popullin tim” . Ata që dëshirojnë mund të mësojnë çfarë rrodhi nga kjo; sepse është e pamundur t’i hedhësh të gjitha në këtë faqe. Këto fjalë u shqiptuan për të demonstruar se Jesu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Apostull, i cili është së pari Fjala dhe shfaqet tani në formë zjarri, tani në formën e krijesave të patrup. Megjithatë, tani, si u bë njeri me vullnet të Perëndisë për hir të racës njerëzore, ai hoqi gjithfarë vuajtjesh që demonët komplotuan për ta mundur me anë të Judenjve zemërgur. Sepse ata e kanë të shprehur qartë në Shkrimet e Moisiut, “Dhe Engjëlli i Perëndisë i foli Moisiut në flakën e zjarrit të kaçubes e tha: “Unë jam ai që jam, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, Perëndia i Jakobit”, e pastaj ata thanë se ai që i tha këto gjëra është Ati dhe Bërësi i Universit. Jesui përsëri, siç e cituam, kur ishte me ta tha: “Asnjë s’e njeh Atin përveç Birit dhe Birin perveçse Ati dhe ata të cilëve Biri mund t’ua zbulojë”. Kështu Judejtë, duke vazhduar të mendojnë se Ati i universit i ka folur Moisiut; ndërsa ishte Biri i Perëndisë i cili është quajtur edhe Engjëll edhe Apostull, ai që i foli atij, u qortuan me të drejtë si nga Shpirti profetik edhe nga Krishti vetë, mbasi ata nuk njihnin as Atin as Birin. Sepse ata që njësojnë Birin me Atin janë të dënuar sepse as nuk e njohin Atin, as pranojnë se Ati i universit ka një Bir, i cili duke qenë Fjala i parëlindur i Perëndisë është gjithashtu hyjnor. Më parë ai u shfaq në trajtën e zjarrit dhe me imazhin e një qenieje të patrup tek Moisiu dhe tek profetët e tjerë. Por tani në kohën e mbizotërimit tuaj – ai siç kam thënë – u bë njeri nga një virgjëreshë sipas vullnetit të Atit për shpëtimin e atyre që besojnë tek Ai dhe duroi përbuzje e vuajtje që ashtu, duke vdekur dhe u ringjallur sërish, ai të triumfonte mbi vdekjen. Çfarë iu tha Moisiut nga kaçubja: “Unë jam ai që jam, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tuaj”, ka qenë një shenjë që tregonte se ata, megjithëse të vdekur, ende ekzistonin dhe ishin njerëzit e Krishtit. Sepse ata ishin të parët e gjithë njerëzve që përkushtuan vetveten për të kërkuar Perëndinë . meqë Abrahami ishte ati i Isakut, Isaku i Jakovit, siç Moisiu kujton.

    64. Nga ç’është thënë, ju mund ta kuptoni pse demonët ishin të detyruar të kenë imazhin e të ashtuquajturës Kore të ngritur tek burimet e ujërave duke thënë se ajo ishte një bijë e Zeusit, duke imituar çfarë është thënë përmes Moisiut. Sepse Moisiu tha, siç u kam cituar: “Në fillim Perëndia bëri qiellin dhe dheun dhe dheu ishte i padukshëm dhe i papajisur dhe Shpirti i Perëndisë endej përmbi ujra” . Në imitim të Shpirtit të Perëndisë, ku flitej se endej përmbi ujra, ata folën për Koren, bijë e Zeusit. Me keqdashësi të ngjashme ata folën për Athinanë si një bijë të Zeusit, por jo si rezultat i një marrëdhënieje, pai e dinin se Perëndia caktoi krijimin e botës prej Fjalës, ata folën për Athinanë si koncept të parë. Këtë ne e quajmë shumë qesharake, të ofrosh një formë femërore si imazh të konceptit intelektual. Dhe po ashtu, të tjerë të ashtuquajtur bij të Zeusit janë të dënuar nga veprimet e tyre.

    65. Ne, sidoqoftë, mbasi lajmë atë që është bindur dhe nënkuptojmë pranimin e tij, e çojmë atë tek ata që quhen vëllezër, ku ata mblidhen. Ata atëherë ofrojnë me zemër lutje të përbashkëta për veten e tyre dhe për atë që u ndriçua dhe për të gjithë të tjerët kudo, që ne të bëhemi të denjë, pasi mësuam të vërtetën, të bëhemi qytetarë të mirë dhe mbajtës të porosive, që ashtu të shpëtojmë me shpëtim të përjetshëm. Me mbarimin e lutjeve ne përshëndesim njëri-tjetrin me një të puthur. Atëherë, buka dhe një kupë uji vere të përzier, sillen te kryetari i vëllezërve dhe ai, duke i marrë, i drejton lart lavdërime e lavdi Atit të universit përmes emrit të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë dhe blaton falënderime për faktin që jemi gjykuar të denjë t’i presim këto gjëra prej tij. Kur ai i ka mbaruar lutjet dhe falënderimet , e tërë bashkësia e pranishme pohon duke thënë “Amin”. “Amin” hebraisht do të thotë “ashtu qoftë”. Kur kryetari ka bërë falënderimet dhe i tërë komuniteti ka pohuar, ata që ne i quajmë dhiakonë i japin secilit nga të pranishmit një copë nga buka e shuguruar , verë e ujë, dhe ata e marrin atë për t’ua çuar atyre që mungojnë.


    66. Këtë ushqim e quajmë Falenderim, të cilin askush nuk lejohet të marrë përveç atyre që besojnë se gjërat që mësojmë janë të vërteta dhe kanë marrë larjen për ndjesën e mëkateve për rilindje dhe ata që jeton siç Krishti na e la trashëgim. Sepse ne nuk i marrim këto gjëra si bukë e rëndomtë ose pije e rëndomtë; por si Jesu Krishti Shpëtimtari ynë u mishërua nga fjala e Perëndisë, mori mish dhe gjak për shpëtimin tonë, ne gjithashtu kemi mësuar se ushqimi i shenjtëruar nga fjala e lutjes e cila vjen nga ai, prej të cilave mishi ynë dhe gjaku ynë ushqehen me transformim, është mishi dhe gjaku i atij Jesui të bërë trup. Sepse apostujt, në kuptimet e hartuara prej tyre, të cilat quhen Ungjij, kështu e zbatuan atë ç’ka u ishte porositur; që Jesui duke marrë bukë dhe duke falenderuar tha: “Bëjeni këtë për kujtimin tim, ky është trupi im”; dhe po ashtu duke marrë kupën dhe duke thënë falënderimin tha: “Ky është gjaku im”; dhe ua dha ato vetëm atyre . Edhe këtë demonët e mallkuar duke imituar e përdorën si diçka që duhej bërë në misteret e Mithrës; mbasi në ritet e tyre të fshehta të fillimit nxjerrin bukë dhe një kupë ujë, duke shqiptuar disa thirrje të cilat i dini ose mund t’i mësoni.

    67. Pas këtyre [shërbesave] në vazhdimësi ia kujtojmë njëri-tjetrit këto gjëra. Ata që kanë më shumë, ndihmojnë ata që janë në nevojë dhe ne rrimë gjithmonë bashkë. Mbi çdo gjë që marrim ne bekojmë Bërësin e të gjithave përmes Birit të tij Jesu Krishtit dhe përmes Shpirtit të Shenjtë . Dhe ditën e quajtur e Dielë mblidhen në një vend ata që jetojnë në qytet ose në fshat dhe aty kujtimet e apostujve ose shkrimet e profetëve lexohen aq gjatë sa e lejon koha. Kur lexuesi ka mbaruar, kryetari, me një fjalim, na nxit dhe na fton t’i imitojmë këto gjëra fisnike. Pastaj ne ngrihemi bashkë dhe bëjmë lutje. Dhe, siç u tha më lart, kur kemi mbaruar lutjen, sillet buka, vera e uji dhe po ashtu kryetari drejton lart lutje e falenderime duke përdorur sa më mirë aftësitë e tij dhe bashkësia pohon duke thënë: Amin. Pastaj bëhet të ndarët dhe të marrët e gjërave të shenjtëruara nga secili dhe ato dërgohen me anën e dhiakonëve tek ata që mungojnë. Ata që dëshirojnë, kontribojnë sipas mundësisë . Ato që mblidhen i jepen kryetarit dhe ai kujdeset për jetimët, gratë e va dhe ata që janë në nevojë për shkak të sëmundjeve ose të tjera shkaqe, për ata që janë në burg e të huajt që janë në kalim mes nesh; shkurt ai është mbrojtësi i tërë atyre në nevojë. Ne të gjithë e imitojmë këtë mbledhje të Dielave sepse ajo është dita e parë në të cilën Perëndia duke shndërruar errësirën dhe lëndën bëri universin dhe Jesu Krishti Shpëtimtari ynë u ngjall së vdekurish po atë ditë. Mbasi ata e kryqëzuan atë një ditë para së shtunës, dhe një ditë pas së shtunës ai iu shfaq apostujve të tij dhe nxënësve dhe u mësoi atyre këto gjëra që unë ua kalova juve gjithashtu, për t’i shqyrtuar me seriozitet.

    Përfundim

    68. Në qoftë se ajo që themi ju duket e arsyeshme dhe e vërtetë, trajtoheni me respekt - në qoftë se ju duket pa mend, atëherë na përbuzni neve si krijesa të marra dhe mos na dënoni me vdekje, sikundër armiqtë të cilët nuk bëjnë gabim. E kam thënë përpara se ju nuk do t’i shpëtoni gjykimit të ardhshëm të Perëndisë në qoftë se vazhdoni të mbeteni të padrejtë, ndërsa ne do të thërresim: “Ç’dëshiron Perëndia, ajo të bëhet!” Në bazë të letrës së atit tuaj, të madhit dhe të ndriturit Çezar Hadrian, ne do mund të kërkonim që urdhri juaj i gjykimit të jepej ashtu siç deshëm. Ne nuk e kërkojmë këtë mbi bazën e gjykimit të Hadrianit, por sepse e dimë se ajo që lypim është e drejtë kemi bërë peticion dhe shpjegim. Kam bashkëngjitur një kopje të letrës së Hadrianit, që kështu ju të merrni vesh se flas të vërtetën në këtë çështje. Kjo është kopja:
    “Hadriani i drejtohet Minuncius Fundanus . Mora letrën e drejtuar tek ne nga parërendësi juaj i Nderuari Serenius Granianus dhe nuk më duket e drejtë ta kaloj në heshtje këtë raport se mos njerëz të pafajshëm pësojnë të këqija dhe akuzuesve të rremë u jepet rasti të bëjnë dëm. Kështu në qoftë se populli i krahinës suaj mund ta mbështesë me prova peticionin e tij kundër të krishterëve, duke i akuzuar ata për diçka përpara gjyqit tuaj, unë s’i ndaloj që ata të ndjekin këtë rrugë; por nuk lejoj ata të përdorin vetëm kërkesa e pretendime të zhurmshme në këtë punë. Është shumë më e drejtë që në qoftë se ndonjë dëshiron të ngrerë një akuzë, juve të

    njiheni me çështjet që ju paraqiten. Ndaj nëse dikush sjell një akuzë dhe e provon që njerëzit e përmendur të kenë bërë diçka në kundërshtim me ligjet, ju të caktoni dënime në pajtim me natyrën e shkeljeve. Por ju duhet të bëni shumë kujdes që në qoftë se dikush akuzon dikë nga këta njerëz thjesht për hir të shpifjes, ju duhet ta ndëshkoni atë me dënime të rrepta për këtë shkelje”.

Tema të Ngjashme

  1. Papizmi, si Protestantizmi me i hershem, nga i bekuari Pt. Justin Popovic
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 23
    Postimi i Fundit: 13-04-2013, 15:14
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-05-2009, 11:07
  3. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-02-2009, 07:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •