"RTL", dokumentar paparacit shqiptar të Londrës

Fotot e fierakut pushtojnë revistat angleze e amerikane

Nga Londra
Muhamed Veliu

Jani Jançe, momentin që vendosi t‘i përkushtohej fotografimit të VIP-ave, kurrë se mendonte që vetë ai një ditë do të ishte personazhi VIP i një programi televiziv në Gjermani. Për plot 15 minuta, stacioni prestigjioz gjerman "RTL" në emisionin "Spigel TV" ka pasur në qendër të tij punën e shqiptarit paparac.
Kamerat e RTL-së kanë ndjekur nga afër tri ditë pune të shqiptarit që jeton në Londër prej 10 vitesh, duke fotografuar aktoren, këngëtaren e modelen bionde, Paris Hilton. Ajo, disa kohë më parë publikoi në internet një video duke bërë seks me të dashurin e saj, Rick Salomon, kjo për t‘i shtuar famën dhe rifutur atë fuqishëm në lajmet showbiz të gazetave dhe revistave rozë. Vajza e pronarit të hoteleve me famë Hilton Richard Hilton festonte 26-vjetorin. Për këtë ajo kishte zgjedhur një resors skish në qytezën Ishgel të Austrisë. Këtu fillon dokumentari i "RTL" duke treguar për ditëlindjen e bukuroshes Hillton dhe rolin e paparacëve.

Dokumentari

Interesi i medias gjermane për paparacin shqiptar fillon në kohën e kampionatit botëror të futbollit "Gjermania 2006". E ndërsa me mijëra fotografë nga e tërë bota ishin aty për të fiksuar me aparatet fotografike momentet spektakolare të lojës me këmbë, Jançe ishte nisur me mision fotografimin e grave të futbollistëve anglezë.
Ato ditë, Jançe jep disa intervista të shkurtra rreth misionit të tij në Gjermani, duke u bërë i njohur në qarqet mediatike gjermane të lajmit showbiz. Ky është fillimi i miqësimit me median gjermane.
"Mora një telefonatë nga producentët e emisionit "Spigel TV", të cilët kërkonin të më ndiqnin nga afër teksa fotografoja një VIP. E mirëprita si ftesë dhe u tregova për ditëlindjen e Paris Hillton që e festonte në Austri", tregon ai ekskluzivisht për "Shqip".
Producentët gjermanë e kanë pëlqyer idenë dhe kanë filluar së xhiruari punën e Jançes që në momentin që ai fotografonte Hillton në mbërritje teksa dilte nga aeroporti vjenez.
"Megjithëse isha i rrethuar nga paparacë të tjerë, nuk e ndieja aspak rivalitetin e tyre", pohon Jançe ndërsa tymos një cigare të dredhur në një kafene në "O2 Centre" në zonën Finchley. Sipas tij, ata ishin të zhurmshëm dhe larg standardeve të paparacëve anglezë.
Dita e dytë e qëndrimit në Austri për Jançen ishte një ditë vendimtare. Paris Hilton duhej fotografuar në një terren jo shumë të përshtatshëm teksa bënte ski.
Pasi kanë pritur disa orë me radhë së bashku me grupin televiziv shqiptari i është qepur me makinë nga pas modeles bionde, veshur me një xhup të bardhë që e mbronte nga të ftohtët.
Që në momentin e parë që Hillton ka filluar të bëj ski, aparati kodak i shqiptarit (kallashi) siç e quan ai, ka marrë flakë. Foto në ç‘do pozicion të mundshëm, duke u dhënë editorëve të fotografisë së gazetave sa më shumë zgjedhje. I gjithë fotografimi Hillton është xhiruar drejtpërsëdrejti nga kamerat gjermane. Diçka e rrallë për shqiptarin që fotografon VIP-a, por që në fakt atë moment ishte ai VIP-i i fokusuar në kamerat e "RTL". "Ishte një eksperiencë e bukur. Mbeta i kënaqur", thotë ai buzagaz, duke pohuar se edhe pagesa ishte e mirë.
Të nesërmen, fotot e tij do të botoheshin në dy të përditshme rozë të Londrës, "Daily Star" dhe në "Daily Sport" ku Hillton është prezente gjithmonë falë gjoksit të saj të madh, ideal për t‘u parë nga lexuesit e kësaj gazete tabloide me kokë të kuqe.

Tani J.J

Viti 2007 ka filluar i mbarë për paparacin shqiptar të Londrës. I martuar fundvitin e shkuar me një vajzë nga Tirana, ai është rikthyer i lumtur në Londër për t‘u nisur drejt Spanjës. Gjatë qëndrimit një mujor në Barbeidos ai nuk ka dalë bosh. Shumë njerëz të ekranit britanik që ndodheshin atje me pushime nuk i kanë shpëtuar syrit vigjilent dhe shkrepjes në momente intime. Njëra prej tyre, këngëtarja e njohur amerikane e muzikës xhaz, Macy-Gray.
Pas një më shumë se dy vite pune për kompaninë e njohur të paparacëve "Big-Pictures.com" Jançe ka preferuar të punojë si freelance.
Këtë e shpjegon me faktin se përfiton më shumë. Fotot e tij shiten në të gjithë botën nga agjencia "Xposure". Tani ai njihet si Mr.J.J. Ka zgjedhur që fotot e realizuara t‘i shesë nën emrin Xposure/J.J. Duket si diçka misterioze, por në fakt, ka kuptimin e vet. Shumica e paparacëve të njohur në Londër përdorin pseudonime dhe Jançe ka preferuar që nga tani e tutje në faqet e gazetave përbri fotove t‘i publikohet emri vetëm si JJ.

JJ në familjen "Xposure"

Kompania "Xposure", e cila shet fotot e Jani Jançes në të gjithë botën ka tetë vite që është krijuar. Është një biznes i ndërtuar në baza familjeje. Në krye të saj qëndron babai i katër djemve nga familja Taylor. Njëri prej tyre, Dan, ka kohë që punon nga afër me Jançen. Ai e përshkruan paparacin shqiptar si një njeri që i mëson gjërat shpejt dhe tani është bërë pjesë e familjes së tij.
"Janin e admiroj, pasi ai i kap gjërat shumë shpejt. Tashmë, ai është pjesë e biznesit të familjes tonë. Është i saktë në atë që bën. Njoh njerëz që janë në këtë biznes me vite të tëra, por kur vjen puna janë shumë mbrapa me zanatin krahasuar me Janin që ka vetëm 3 vjet që e bën këtë punë. Puna e paparacëve është e vështirë. Ti vlerësohesh për produktin që prodhon dhe për këtë Jani i ka dhënë të gjitha provat". Dan sqaron se kompania "Xposure" ka marrëdhënie të rregullta me dy agjenci të mëdha në Amerikë dhe një tjetër në Evropë. "Xposure" shet fotot e tyre në Angli dhe ato të sajat anasjelltas.
"Po t‘i numërosh të gjithë paparacët që punojnë për në të gjithë botën i bie të kemi më shumë se 150. Njëri prej tyre është edhe Jani", thotë Dan Taylor në fund të prononcimit të tij për "Shqip".