Marre nga Tema, 23 shkurt 2007
Botohet vëllimi i dytë "Antologji e plagëve nën terrorin komunist"
Me një të kaluar që është ende e pranishme
Dhurata Hamzai
Ndikimet e komunizmit ende po lënë gjurmë të thella në mentalitetin shqiptar. I parë në këtë rrafsh dalja e vëllimit të dytë të librit "Antologjia e plagëve" nën terrorin komunist veç funksionit dokumentues e atij sintetizues ka dhe një funksion të tretë të rëndësishëm: Sensibilizimin e shoqërisë së sotme shqiptare lidhur me një të kaluar që është ende e pranishme. Ndërsa në vëllimin e parë prej 628 faqesh, botuar në vitin 2005, janë angazhuar disa autorë si Agim Musta, Visar Zhiti, Tanush Mulleti e Enver Lepenica, këtë herë peshën më të madhe të këtij libri e kane mbajtur autoret Agim Musta dhe Enver Memisha. Musta pohon se nuk e mohon ndihmesën e autorëve, miqve dhe institucioneve të cilat i kanë ofruar materialet, dokumente dhe arkivat e duhura. Ndërkohë ata do të jenë edhe të pranishëm në vëllimin e dytë të "Antologjisë së plagëve nën terrorrin komunist". Një prej kritereve të përfshirjes në këtë antologji ka qenë prania në të e autorëve të persekutuar gjatë diktaturës, që kanë qenë të burgosur të internuar, të arratisur. Mbi shtatëdhjete e tre autorë kanë qenë të përfshirë në vëllimin e parë të librit "Antologjia e plagëve". Këmbëngulja e autorit Agim Musta për vijuar me seri të tjera "Antologjinë e plagëve" motivohet jo vetëm nga fakti se ka një mumur të madh personalitesh që meritojne vendin e nderit në këtë antologji, por edhe nga fakti që Shqipëria po kërkon të integrohet në Europë. Për botimin e këtij libri ka kontribuar edhe Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. "Integrimi i saj duket i pamundur, nëse nuk do të mund të shkëputet nga ndikimet e komunizmit, të cilat mbeten pjesë integrale e mentalitetit shqiptar. Në këtë prizëm edhe vëllimi i dytë i "Antologjia e plagëve nën terrorin komunist", veç funksionit dokumentues e atij sintetizues ka dhe një funksion të tretë të rëndësishëm: "Sensibilizimin e shoqërisë së sotme shqiptare lidhur me një të kaluar që është ende e pranishme", thotë Agim Musta. Në këtë libër janë përfshirë At Zef Pllumi, Vilheme Vranari, Dhimitër Pango, Agim Pepa, Ernest Koliqi, Bilal Xhaferi, Klito Fundo, Islam Spahiu, Luigj Martini, Merkur Babameto, Ramadan Sokoli, Pal Doçi, etj, etj. Autori i librit, Agim Musta, është edhe njëri ndër personazhet e kësaj antologjie si një bashkëvuajtës me shokwt e brezit të tij, i cili u dënua nga Gjykata Ushtarake me 13 vjet burg për veprimtari antikomuniste.
"Kur më çuan në burgun e Burrelit, në vjeshtën e 1962-isht, më caktuan në kaushin nr.9. Midis 40 të burgosurve që ishin në kaush, ndodhej dhe Muhamet Hoxha nga Gjirokastra", rrëfen autori mes fragmenteve te tjera të këtij libri, duke përfshirë edhe fakte të përjetuar nga ai vet nën terrorin komunist. Agim Musta u lind në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1930 në një familje intelektualësh. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa gjimnazin e mbaroi në Tiranë. U diplomua në Fakultetin Gjuhë-Histori. Për një dekadë ka shërbyer si mësues historie në Sarandë, Kuçovë dhe Tiranë. Në vitin 1962, u dënua për veprimtari antikomuniste me 13 vjet burg. Agim Musta sot është një prej studiuesve më seriozë të periudhës së diktaturës komuniste. Ka botuar shumë libra me motive nga terrori komunist në Shqipëri, midis të cilave përmendim: "Mandelët e Shqipërisë", "Dosjet e gjalla", "Mjerim pa fund", "Kush ishte Enver Hoxha", "Burgjet e shtetit burg", "Gjëmat e komunizmit në Shqipëri", "Dëshmoj për të vërtetën", "Albumi i burgjeve të diktaturës në Shqipëri", etj. Nw fletët e këtij libri gjenden shumë dëshmi interesante dhe të padëgjuara, të cilat me siguri do të prekin ndërgjegjen e gjithësecilit për mos shkelur kurrë në gjurmët e "moralit" komunist.
Fragmente nga "Antologji e plagëve nën terrorin komunist" II
"Edip Tërshana" misteri i qelisë
E shoqja, Xhevria, shumë shpejt mësoi për arrestimin e Edipit. Ajo i druhet kontrollit të policisë. Për këtë me nxitim fsheh çdo shënim e letër që lidhet me bashkëshortin. E ndihmuar nga Qamil Shehu, librat më të rëndësishëm i fshehën nën çatinë e shtëpisë së Zabit Haxhiut. Më pas ajo mori flakë e librat u dogjën.
Me arrestimin e Jani Konomit, erdhi në Peshkopi bashkëshortja e tij. Ajo për gjashtë javë qëndroi në shtëpinë e Edipit. Në të njëjtën kohë erdhi edhe e ëma e Rexhep Mborjes, e cila për gati tetë muaj bashkëjetoi me Xhevrien. Në shtëpinë e Edipit qëndruan me ditë e javë të tëra edhe familjarë të të burgosurve të tjerë. Kjo për Xhevrien nuk ishte e lehtë. Në kushtet e mungesës së triskave për ushqim e veshmbathje (pushteti dhe Fronti nuk i pajisën me triska, pasi konsideroheshin armiq) ishte e vështirë të përballoje me ushqim e bukë një familje të madhe. Nga ushqimi i familjes ndanë një pjesë edhe për të burgosurit. Sa herë përgatiste diçka për Edipin do të bënte të njëjtën gjë edhe për Janin, Hysniun, Rexhepin, Selimin e Alqin. Në përballimin e vështirësive ekonomike kishte ndihmën e vëllait, Sakipit dhe të Sheh Hysenit.
E bija, Liria, kujton: "Nëna pas arrestimit të Edipit nuk u ligështua, por qëndroi si burrneshë. Me nënën e Rexhep Mborjes që unë e thërrisja teze, bisedonte si të ishin dy motra. Kishte një karakter e forcë të çuditshme. Në fytyrën e saj, nuk ishte e mundur të shikoje brengën, për të shoqin. Kurrë nuk e jepte veten përpara nesh dhe të tjerëve. Me një kurajo të habitshme u mbante lart moralin edhe të afërmve të të burgosurve të tjerë që qëndronin në shtëpinë tonë. Gjendja ekonomike e detyroi të shesë pajën time të nusërisë, e cila aso kohe gjendej me vështirësi e kushtonte shtrenjtë".
*
* *
Burgu ndodhej në një ndërtesë përdhese, pas shtëpisë së Xhevdet Kumbarçes. Brenda atyre mureve të trashë, policët dëfrehen me viktimat e tyre. Në mesin e oborrit një qershi. Me trupin të lidhur pas trungut të saj dhe krahët e hapur në zgjatimet e dy degëve, një i burgosur ngjante si Jezu Krishti i kryqëzuar. Ai herë pas here kërkonte ujë, por xhelatën i përgjigjen: "Kështu do të ngordhësh, qen!". Në një degë tjetër të saj, një tjetër i burgosur qëndron i varur kokëposhtë. Ai lutet që më mirë të vritet nga plumbi. Edipi duhet t'i shohë këto skena. Duhet të shohë edhe lulëzimin e plotë të qershisë në ato ditë maji. Lule dhe tortura! Kontraste që xhelatit i pëlqenin. Ata donin t'i thyenin shpirtërisht të burgosurit. Këtë, në radhë të parë, duan ta bëjnë ndaj Edipit, prandaj "ekranizojnë" para syve të tij skena makabre. Përpara togës së ekzekutimit nuk duan të çojnë njerëz me ideale, njerëz të pamposhtur, por të penduar e të vrarë moralisht.
*
* *
Ditën burgu dukej i qetë. Ai gjallërohej natën. Pas mesit të saj, kërcitje e çizmeve të policëve, rrapëllima dyersh, tringëllima bravash e hekurash. Nga qelia në hetuesi dhe nga hetuesia në qeli. Hetuesit ndërrohen të mposhtin lodhjen e gjumin, të burgosurit nuk lihen asnjë çast të qetë... Tortura fizike e shpirtërore nga njëra anë xhelatët, nga ana tjetër viktimat. Luftë krejt e pabarabartë.
Në qeli e në hetuesi xhelatët provuan edhe mbi trupin e Edipit torturat më barbare. Kryetari i Komisionit amerikan për Shqipërinë, denoncoi torturat që bëheshin në burgjet komuniste të këtij vendi: "... Mbi trupin e tij shqiptari provoi çarje këmbësh dhe mbushje të plagëve me kripë, korrentin elektrik në dhëmbët e thyer ose kockat rrëzë veshit, zhytje në ujë të ftohtë për një kohë të gjatë, deri në grykë, rrahje për vdekje, vendosje thumbash druri nën thonjtë e gishtave, kalimi nëpër të gjitha hallkat e përgatitjes për ekzekutim, dhe së fundi, para togës së pushkatimit".
Ndonëse u torturua barbarisht, Edipi nuk ia tha të gjitha hetuesit. Këtë pohim e bën vetë hetuesi në relacionin për prokurorinë. "Ai ka pohuar vetëm një pjesë fare të vogël të veprimtarisë së tij. Ai nuk ka thënë asgjë rreth grupit, komiteteve, nënkomiteteve të ngritura në Prefekturë".
Shefi i sigurimit K. N. insiston të sigurohen letrat që Edipi u shkroi me 27 dhjetor 1943 Mehdi Frashërit dhe Ministrisë së Arsimit. Ai kërkon të rihapen dosjet gjyqësore të Suat Asllanit, Qenan Dibrës, Sami Qeribashit, Musine Kokalarit, Shaban Ballës, Ivzi Goles dhe Faik Shehut për të gjetur dëshmi të lidhjeve të tyre me Edip Tërshanën.
Në qelitë e errëta të burgut, shëndeti i tij sa vjen e dobësohet. Trupi i tij, dikur i lidhur e i mbushur mirë, është bërë kockë e lëkurë.
Pasi përfunduan hetimet, e lejuan familjen të takohej me të. Xhevria dërgon në takim Lirinë dhe Nihatin. I dërgojnë edhe disa gazeta "Bashkimi", me të cilat kishin "ambalazhuar" rrobat dhe ushqimet. Prej gazetave Edipi informohet rreth situatës, për politikën e brendshme e të jashtme të shtetit shqiptar, për marrëdhëniet vëllazërore me Jugosllavinë e me Bashkimin Sovjetik, mbillet vrer ndaj shteteve perëndimore. Vazhdojnë me intensitet të lartë reformat, shtetëzimet, grumbullimet e mallrave e bereqetit, gjyqet ku dënohen dhjetra e qindra njerëz. Nëpërmjet atyre artikujve shikon edhe valën e urrejtjes që po ngrihej kundër diktaturës. Nuk ishte i burgosur vetëm ai, por një popull i tërë, që jeton mes telave me gjemba.
Për net të tëra, në zyrën e hetuesit, Edipi përballet me lloj-lloj njerëzish. Shumë prej tyre, deri dje i kishte pasur shokë. Por sot ata duken të shpërfytyruar, të tjetërsuar. Është sistemi që prish njeriun, ngrë vëllain kundër vëllait. Shqipëria është kthyer në një shtet ku të gjithë përgjohen.
Ndonëse i dërrmuar për vdekje, ai shpreson se një ditë dhuna do të marrë fund, diktatura do të mundet nga paqja e demokracia.
Pas takimit me Lirinë e Nihatin, Edipi u rikthye në qeli. I prekur nga skena e krijuar dhe ndarja e dhimbshme, tret mendimin në vitet e shkuara. Në pak më shumë se tri dekada iu desh të vendosej në gjashtë qytete. Me pak plaçka ngarkuar herë në kuaj, e herë në karroca, iu desh të braktiste tri herë vendlindjen.
Edipi e parandjen fundin, por nuk i trembet atij. Jeta e tij e shkurtër po këputej, po ai nuk është penduar. E jetoi atë me nder e krenari. Diçka bëri për vendin e tij. Bëri aq sa mundi në jetë, tani nuk mund të ndahet prej saj pa shprehur dufin e zemrës, pa treguar se pse po vuan e po e jep jetën. Në jetë ndodhka t'i shkruash edhe atij që urren më shumë.
Letrat u shkruan në qelinë e errët të burgut, në kushte çnjerëzore, pa mjete... Shfrytëzoi anësoret e gazetave "Bashkimi", çdo cep të tyre që nuk ishte i mbushur me germa... Në njërën prej tyre është grumbulluar tërë urrejtja, në tjetrën tërë dashuria, se njëra shkruhet për diktatorin, tjetra i drejtohet të bijës, Lirisë.
Por që të dyja ato janë një testament politik, një gur i çmuar në historinë e rezistencës antikomuniste të popullit tonë, shprehje e guximit dhe e kurajos njerëzore, por edhe e mprehtësisë intelektuale për të depërtuar në dukuritë më të qenësishme të kohës.
Pas shkrimit të tyre, Edipi mendon se vdekja tani për të nuk kishte më rëndësi. I bindur se e ka përmbushur misionin e vet, vendos t'i japë fund jetës. Pret damarët e krahut, me mendimin se pas vdekjes, familja, bashkë me kufomën, do t'i gjente letrat e shkruara, fshehur në xhaketë. Brenda pak çasteve, në këmbët e tij formohet një pellg gjaku. Edipi, nga hemoragjia, humbet ndjenjat. Rastësisht, derën e qelisë e hap një nëntoger nga Pogradeci. Kur e kupton ç'ka ndodhur, menjëherë jep alarmin. Edipin e dërgojnë me urgjencë në spital, në një dhomë të veçantë, nën mbikqyrjen e rreptë të policisë. Pjesëtarët e familjes nuk u lejuan ta shikonin. I bënë një mjekim intensiv për dy javë rresht. Shefat e policisë me hetuesin K. N. në krye, me britma e sharje urdhërojnë doktor Shyqyriun që ta shpëtonte me çdo kusht. Kjo nuk bëhej nga humanizmi njerëzor. Përkundrazi, nga etja për gjak e viktima të tjera. Ata trembeshin, se me vdekjen e tij, mbyllej një çështje të cilës i ishin përkushtuar për shumë muaj, binte sipari i një tragjedie, që donin ta çonin deri në aktin e fundit. Xhelatët donin ta shpëtonin viktimën jo për ta sjellë në radhët e njerëzve, po për ta çuar në sallën e gjyqit e pastaj para skuadrës së pushkatimit.
Dy letrat u gjetën dhe hetuesi K. N. i shumëfishoi në disa kopje për ta bërë më të plotë dosjen e Edipit. Ato, krahas "fakteve" të tjera, shërbyen si një provë materiale për dënimin e tij me vdekje.
II.
Çfarë i shkroi Edip Tërshana, gjaksorit ENVER
Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nac. Çli. unë që isha në Dibër krijuesi saj, Lëvizja Nac. Çli. asht në tradhti t'Atdheut se jo vetëm që hoqe dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipërija është robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomikisht. Sot organizatorët Sllavë, janë ato që drejtojnë punët shtetnore e para-shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtme e juaj sllave më ka shkaktuar që U.N.O. të jetë kundra nesh, humbim shumë miq; kjo është Tradhti. Jam kundra për vrasjet me Gjyq pa Gjyq që i bahet këtij Populli, pse kështu donte sllavi. Për 20.000-30.000 Shqiptar qi dergjen në burgje se s'janë "KOMUNISTA" Sllavë kjo është tradhti; jam kundra se e plaçkiti, ky është Pushtet Tregu Shqiptar për të vesh Klyshët e Rusisë dhe la Popullin buth-lakuriq që na që kishim për 20 vjet vesh-mbathje, kjo është pra Tradhti; jam kundra këtij Pushteti se është spekullatore tua grabit Popullin me Ligj, mallin e sekuestruar nga Tregëtarët po ja shet ma shtrenjt se Tregtarët që e kishin; la në rrugë nji grumbull familjesh të tregtarëve kinë se janë spekullatorë, kurse Pushteti mori grunin 10 lekë ja shiti 15, mori duhanin 15-20 Fr. ja shiti 100 Fr. 120.
Mallin e U.N.R.A.S. nuk e pa Populli nji pjesë të madhe se shkoj në Rusi e ne Titua kjo është Tradhti; jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miljard e disa milion Fr. Shqip. për të ushqyer Pelat Anshoret e Frontit; sot thuhet gjithka për Pushtetin, dije Nacionalistët thonin gjithçka për Atdheun; A janë tradhti këto? Jam kundra se e ulin aq poshtë Rinin sa thërret jemi binjt e Stalinit aq poshtë sa që përmend Stalinin gjith ngrihen në Këmbë; jam kundra se injoranca sdon Kulturën; kështu duan Sllavët. Kjo besoj tradhëti; jam kundra se liri fjale Shtyp s'ka, ka vetëm terror; do të rrojnë të Frontit të tjerët të vdesin, kjo është shqiptarizëm? Jam kundra se në Historinë për Shkollat Unike thohet; Ballkani në kohët e lashta banohesh prej Grekërve e Maqedonasve Ilirët e lavdishëm zhduken pse kështu i pëlqejnë Imperializmit Sllavë; Pjetri tha; Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivistok, Petrograd e Durrës dhe Dishepulli i tij Stalini në Pushtetin Tradhtar të soçëm në Shqipëri ju mbeti tok dhe tek ne. Jam kundra se grabitni teshat e reaksionarëve si i quani dhe shkuan këto të ardhme pra grabit dhe ha, kësaj i thonë me vjedh lirinë. Është tradhti. Jam kundra se oficerë të mbrojtjes këtu në Dibër arrijnë me grabitë gratë e botës, me grabit kariodhat dhe teshat shtëpiake e kush nuk i thotë gjë. Kjo është poshtërsi. Jam kundra se tregtia, toka dhe nëntoka, ekonomia kombëtare është në dorë të sllavëve, njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare. Është kjo tradhti e naltë.
Enver
Tu i shfaq këto, tu qenë i vendosur me idealin kombëtar unë kam qenë, jam kundra pushtetit, e këtë popullit ja kam vu në dritë, i cili e ka pa dhe pranoi se 95% është kundra pushtetit veç se terrori i madh i mban, pret nënë e mjerë Rusi, i jati do të vrasë të birin, të bijën e vet dhe për këtë është tradhti e pushtetit popullor. Ky pushtet futi përçarje toskë e gegë, katolik e ortodoks, mysliman e ortodoks pra tradhti e naltë. ... more të mjerë, ju ka verbu fanatizmi i ideollogjisë dhe nuk shihni faktin që po i bëni popullit varrin që je tu e ja bërë atdheut me politikën e juaj të jashtme. Është tradhti. Rroftë ideali kombëtar, rroftë Shqipëria me Kosovën që ju ia falët Jugosllavisë. Rroftë populli shqiptar, rroftë flamuri kombëtar i panjollosur.
"Mos e vishni petkun e tradhtisë"
Më 21 nëntor të vitit 1947 mori fund gjyqi kundër dymbëdhjetë të akuzuarve. Për katër ditë rresht Edipi qëndroi përballë trupit gjykues. Jo shumë larg tij, ulen e ngrihen, duke i lëshuar vendin njeri-tjetrit, dëshmitarët. Prokurori ndërhyn sa herë "shkelet" ligji e "përdhoset" drejtësia. Ai, me ton të ashpër e të prerë, u drejtohet gjyqtarëve kur ata nuk e "zotërojnë" situatën apo "tolerojnë" të pandehurin. "Mbrojtësi" i ligjit e i drejtësisë dukej sikur po gjykonte jo vetëm Edipin, por edhe vetë trupin gjykues.
Në pasditen e 21 nëntorit, sipas "fajeve" të kryer, u dha vendimi. Edipin e përplasën përsëri në qeli. Shefat tani duken indiferentë ndaj tij. Hetuesi nuk e thërret si më parë në zyrën e vet. Gardiani parakalon vazhdimisht para derës së qelisë, por nuk e hap atë. Tashmë Edipi për ta nuk kishte kurrfarë interesi. Hetuesi merrej me probleme të tjera. Për Edipin tani filloi "prehja" e "qetësia", që shumë shpejt do t'ia prishnin krismat e armëve. Edipi pret përgjigjen e Gjykatës së Lartë Ushtarake, megjithëse nuk shpreson tek ndonjë mrekulli.
Lejohen takimet me pjestarët e të afërm. Por shumica e miqve nuk i shkojnë në takim, për shkak të rrjedhojave që do të kishin.
Në fund të muajit dhjetor 1947 Xhevrien e lajmërojnë të takohet me Edipin. Edhe kësaj radhe ajo dërgon fëmijët. Në një dhomë të vogël, në prani të gardianit, Liria dhe Nihati qëndrojnë përballë babait të tyre. Gardiani ndjek me kujdes çdo fjalë e lëvizje të Edipit, i cili diç dëshiron t'u thotë atyre, por prania e gardianit ia kyç gojën. Por heshtja në raste të tilla flet shumë, shumë...
Liria dhe Nihati shikojnë që babai i tyre e ka kokën pjesërisht të qethur e të fashuar. Janë plagët ende të pashëruar nga torturat. Edipi, ndonëse i dërrmuar fizikisht, qëndron kryelartë.
Momenti i ndarjes po afronte. Duke u përshëndetur me Lirinë e Nihatin, Edipi u tha: "Mos më vishni petkun e tradhtisë".
*
* *
Për Xhevrien dhe fëmijët e saj, Viti i ri 1948 nuk ishte si të tjerët. Ata e ndiejnë thellë mungesën e Edipit, i cili me humorin e këndshëm e të çiltër krijonte një atmosferë të ngrohtë në gjirin e familjes. Nihati ka vënë përpara disa libra, dhuratë e Edipit për Vitin e Ri.
Xhevria përpiqet t'ua lehtësojë brengën fëmijëve. Përgatit diçka që edhe ata të bashkohen në këtë festë me të tjerët. Shpresa për kthimin e të shoqit ende nuk i është fikur.
Por, më 13 janar 1948 vjen në Peshkopi përgjigjja e Gjykatës së Lartë Ushtarake. Dymbëdhjetë të dënuarit, të mbledhur në një dhomë, dëgjojnë vendimin e formës së prerë. Më shumë i gëzohen shikimit me njëri-tjetrin se sa shpresës që mund të sillte vendimi i Gjykatës së Lartë.
Për Edipin mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës Ushtarake Peshkopi - dënim me vdekje. Kjo nuk e befason, nuk e ligështon. Ai e kishte nënshkruar vdekjen me dorën e tij me letrën drejtuar Enver Hoxhës. Jani Konomit dhe Hysni Alimerkos, u falet jeta. Një indiferentizëm i pashembullt deri në ironi. Me mospërfillje dëgjojnë vendimin e Gjykatës së Lartë edhe të tjerët. Qëndrimi i të dymbëdhjetëve është një sfidë ndaj diktaturës. Këtë e shohin edhe gjykatësi, prokurori e shefat, të cilët e kishin menduar krejt ndryshe reagimin e tyre.
Ditët kalonin njëra pas tjetrës. 14, 15, ... 17 janar. Në këtë datë mbushen plot tetë muaj nga dita e arrestimit. Gjatë kësaj periudhe Edipi disa herë e kishte përjetuar vdekjen. Sjell në mend ato çka kishin ndodhur me të në këta tetë muaj dhe çuditet se si gjendet ende gjallë.
18 janar 1948. Ora po shkonte 0130. Komandanti i skuadrës urdhëron policët të marrin armët. Edipi e ndjen se i kanë mbetur pak çaste. Ngrihet në këmbë dhe qëndron para derës së qelisë. Ajo hapet gjithë zhurmë. "Qenke bërë gati, ë? ... Dil atëherë", i thotë kryepolici. E përplasin në makinë. Kalojnë vendin ku tetë muaj më parë e kishin arrestuar. Pastaj makina i afrohet kthesës tek lagja Bulke. Ajo rrëshqet mbi një shtresë të hollë akulli, mbuluar me një borë të ashpër, pa arritur të kalojë brrylin e fortë të kthesës. Duket sikur nuk don të ecë në rrugën e krimit. Më në fund arrijnë në vendin e ekzekutimit, tek varreza e përbashkët ku kanë gjetur vdekjen nga plumbat dhjetra të tjerë. Policët e zënë për krahu, por Edipi i kundërshton. "Mos më mbani, eci vetë." - u thotë atyre. Përpara xhelatëve qëndron kryelartë. "Cila është fjala e fundit?" - e pyesin. ' Shqipëria! - përgjigjet Edipi. Një breshëri plumbash e rrëzon përdhe.
Lajmi i vrasjes së Edipit u përhap rrufeshëm. E mësoi nga shokët e klasës edhe i biri, Nihati. Edhe Xhevria e ndjen se i shoqi nuk rron më, por përmbahet. Edipi, pas të vëllait, ishte viktima e dytë e diktaturës. Edhe ky pa varr...
Fundi i Edipit lë pas një tragjedi të re. Për dekada të tëra pasardhësit do t'i ndiqte hija e tij, përbuzja, kërcënimi, por mbijetojnë me dinjitet.
E P I L O G
Ç'paradoks! Edhe në dhé të huaj, madje, në Turqi, njerëzit që për vite e dekada të tëra punuan kundër saj, kanë një varr ku prehen eshtrat e tyre. Në Shqipëri mijëra, dhjetra mijëra bij të saj pa varr. Edhe Edipi, pa varr ose e shumta një varr të përbashkët, anonim për të afërmit, për brezat.
Por paradokset nuk mbarojnë këtu. Edhe sot ky varr mbetet anonim. Anonim ata që përpiu në gjirin e tij e po ashtu edhe ata që me një urdhër kryen veprën makabre.
Edipi ecën drejt tij krenar, pa menduar për lapidar a përmendore (i meriton ato). Ngritja e tyre ose vendosja e një pllake përkujtimore me emrat e të rënëve është një detyrim moral e qytetar, por mbi të gjitha i shtetit që e quan veten demokratik. Është respekt për gjakun e derdhur në emër të idealit kombëtar e demokratik, por edhe një kujtesë për brezat.
Edipi ecën drejt tij i bindur se e ka kryer detyrën ndaj vendit dhe bashkëqytetarëve, se tërë jetën kishte luftuar e punuar për liri, demokraci dhe përparim. Ecën drejt tij i bindur, siç i shkruan nga burgu të bijës, Lirisë, se "vdes si shqiptar".
Edipi gjithë jetën ëndërroi e punoi për një Shqipëri të lirë, demokratike, me kufij etnikë, autoritarë e miq tradicionalë. Në emër të tyre nuk rreshti së luftuar, madje me diktaturën e diktator pa shpirt. Me kurajo të lartë qytetare e civile ngre zërin edhe kundër Enver Hoxhës, të cilin e akuzon për tradhti kombëtare. U përlesh me diktaturën i bindur, siç i shkruan nga burgu të bijës, Lirisë, se "Ëndrra ime që Shqipëria do të bëhet si dua unë, do të realizohet".
Krahas heroikes, jeta dhe vepra e Edipit mbart në vetvete tragjizmin dhe shpresën. Tragjizmi i tij është i tërë shqiptarëve. Tragjizmi qëndron në terrorin, mungesën e lirisë, në varfërinë e tejskajshme të popullit, në tradhëtinë ndaj idealit kombëtar.
Edipi shpreson në një të ardhme më të mirë të vendit të tij, të lulëzuar e pa diktator. Në të, bijtë e tij, do të ndjehen të lirë e do të rrojnë në harmoni e dashuri mes njëri-tjetrit. Jeta e tyre do të shkojë si në vaj. Ata do të rriten plot dinjitet dhe veten do ta ndiejnë bij shqiptarë.
Vitet kalojnë dhe ëndrra e Edipit thërret. Ajo nxjerr në rrugë qindramijëra vetë. Ajo lexohet në fytyrat e gjithë shqiptarëve. Shqipëria rilindi përsëri. Rilindi ideali i Edipit, ëndrra e tij, Rilindi shpresa, jeta. Në themelet e saj është gjaku i Edipit dhe i mijra të tjerëve.
Krijoni Kontakt