Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,347
    Postimet në Bllog
    17

    OSBE: Shqipëria humbi një shans për të plotësuar standardet në këto zgjedhje

    Grunnet vlerëson zgjedhjet lokale


    Shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Tiranë, Jorgen Grunnet, tha se Shqipëria kishte humbur një shans tjetër në plotësimin e të gjitha standardeve ndërkombëtare me zgjedhjet e djeshme lokale.
    Në një intervistë për BBC-në, zoti Grunnet tha se përmbushja e rekomandimeve të bëra nga misioni i ODIHR-it pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005 filloi me shumë vonesë.

    Gëzim Guri bisedoi me zotin Grunnet dhe fillimisht e pyeti se cili ishte përfundimi i vëzhguesve ndërkombëtare për procesin e deritanishëm.

    Grunnet- Konkluzioni ynë një ditë pas këtyre zgjedhjeve është se ishte një garë demokratike, shumë konkuruese e kështu me radhë, por këto zgjedhje ishin përsëri një rast i humbur për Shqipërinë për të përmbushur të gjitha angazhimet e OSBE-së, të Këshillit të Evropës si dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
    Misioni i ODIHR-it ka qenë në Shqipëri që nga 13, apo më saktë nga 12 dhjetori. Është fakt që pas zgjedhjeve parlamentare të 2005-s, ODIHR-i bëri disa rekomandime për përmirësimin e kodit elektoral dhe agjë nuk u bë për këtë, thuajse deri disa ditë pasi presidenti kishte dekretuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
    Vetëm afrimi i datës së zgjedhjeve i shtyu forcat politike që të arrinin një kompromis më 12 janar. Kjo bëri të munduar mbajtjen e zgjedhjeve më 18 shkurt.
    Kjo është kritika kryesore dhe, siç e kemi theksuar disa herë, kjo vjen nga mungesa e besimit midis dy kampeve kryesore në jetën politike të Shqipërisë, si dhe nga mungesa e vullnetit për të bërë kompromise.

    BBC-Çfarë shansi ka humbur Shqipëria pas këtyre zgjedhjeve, zoti Grunnet?

    Grunnet- Çfarë shansi? Nëse ka zgjedhje, kjo është një mundësi e re që Shqipëria t'i tregojë botës se është në gjendje që të zhvillojë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo nuk u vu re plotësisht në zgjedhjet lokale. Sigurisht që kishte edhe elemente pozitive. P.sh listat e zgjedhësve ishin më të mira se në zgjedhjet e mëparshme. Kishte një angazhim më të madh në këto zgjedhje. Vetëm për kryetarë bashkish konkuruan mbi njëmijë vetë. Ndoshta më zhgënjyese ishte pjesëmarrja në votime që nuk arriti shifrën 50%.

    BBC- Sigurisht, zoti Grunnet që këtu luan një rol edhe vota e munguar e shumë emigrantëve që figurojnë në listat e zgjedhësve, apo jo?

    Grunnet- Po, kjo është e vërtetë dhe kjo ka luajtur një rol. Por kjo nuk iu përgjigjet të gjitha pyetjeve.

    BBC- Mund të jeni më specifik për angazhimet e papërmbushura në këto zgjedhje?

    Grunnet- Po, Partitë politike përsëri nuk arritën të përmbushin përgjegjësitë e konsiderueshme që iu njeh ligji në kodin elektoral. Këto forca politike janë përgjegjëse për përgatitjen dhe kryerjen e zgjedhjeve, me fjalë të tjera vënia në veprim e makinerisë zgjedhore.
    Ndonëse dita e zgjedhjeve ishtë përgjithësisht e qetë, vetëm me disa incidente të vogla që nuk ishin serioze, votimi pati probleme proçeduriale dhe në disa vende edhe tension.
    Nëse kthehemi në fazën përgatitore të zgjedhjeve, klima dominuese që e rrethoi këtë proces ishte pasiguria dhe mungesa e besimit të ndërsjelltë mes lojtarëve kryesorë në këto zgjedhje.

    BBC- Pra, me sa kuptojmë zoti Grunet vërejtjet tuaja kanë të bëjnë kryesisht me periudhën përgatitore të zgjedhjeve dhe sjelljen e forcave politike gjatë kësaj periudhe?

    Grunnet- Po, por kjo situatë pasigurie vazhdoi edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së 12 Janarit kur partitë politike arritën një kompromis që mundësoi mbajtjen e zgjedhjeve.

    BBC- Zoti Grunet cilat ishin përfundimet kryesore nga vëzhgimi i ditës së zgjedhjeve?

    Grunnet- Kishte disa parregullsi, si moshapja në kohë e disa qendrave të votimit, madje disa qendra nuk u hapën fare. Arsyeja për këtë në disa raste ishte se komisioni i qendrës së votimit nuk ishte i pranishëm dhe në disa raste të tjera kishte probleme me mbërritjen në kohë të materialeve të votimit. Gjithashtu përfundimi i procesit të votimit në disa zona ishte shumë kaotik dhe jo i administruar si duhet.

    BBC- A mendoni se parregullsitë që ju evidentuat në faza të ndryshme të procesit zgjedhor mund të kenë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë Bashkinë e Tiranës ku ishte edhe gara më e ashpër?

    Grunnet- Unë nuk dua të flas me hamendje. Ne nuk i dimë aspak rezultatet prandaj është e vështirë për mua t'i përgjigjem kësaj pyetje, por dua të them se kishte shumë raste të administratimit të pasigurtë të të gjithë procesit zgjedhor, të cilat ne po i evidentojmë. Ajo që ne nënvizojmë dhe që është shumë e rëndësishme për përmirësimin e procesit elektoral në Shqipëri është që të krijohet një sistem i besueshëm dhe uniform i rregjistrit të gjendjes civile dhe identifikimit të qytetarëve.

    BBC- A do të luani ju rol në këto përmirësime që duhen bërë?

    Grunnet- Ne jemi gjithmonë të gatshëm që të ofrojmë ndihmë dhe unë jam në dijeni të një projekti që është ndërmarrë kohët e fundit, me financimin e Norvegjisë dhe disa donatorëve të tjerë. Ky projekt do të mbështetet edhe nga zyra e OSBE-së në Shqipëri.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e saimiri-uk
    Anëtarësuar
    13-01-2003
    Vendndodhja
    All over Albania
    Postime
    252
    OSBE: Shqipëria humbi një shans për të plotësuar standardet në këto zgjedhje
    Shqiperia e humb shansin pasi shqiptaret jane njerez te korruptuar, driteshkurter dhe partizane.
    Nuk jane ne gjendje te kerkojne cfare ju nevojitet per te jetuar si duhet dhe behen partizane fanatike te cdo lloj grupi politik. Cmenduria shkon deri aty saqe thuhet "nuk duam drita, nuk duam pune, vetem filani ose X mos te vije ne pushtet". Derisa ti ktheje kembet nga dielli ky brez Shqiperia do vazhdoje te caloje. Shpresojme qe mbas 40 - 50 vjetesh te kete shprese per ndryshim me rrenje.
    Persa na perket ne jashte "shtetit" jemi bere si qen qe "lehim" dhe theksoj lehim pasi nuk kafshojme.
    I have a dream, but I need a team! por te tere jane njerez pa vlere!
    Per "pill sames" edhe per disa vite.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,347
    Postimet në Bllog
    17
    Gjata: Militantizmi po e vonon procesin zgjedhor

    Intervistoi: Laura Konda

    Për të biseduar mbi vlerësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi ecurinë e procesit zgjedhor, Zëri i Amerikës intervistoi me telefon për programin televiziv “Ditari” kryetarin e këtij Komisioni, zotin Çlirim Gjata.

    Zëri i Amerikës: Zoti Gjata, fillimisht, si do t'i komentonit vlerësimet që ka bërë ODIHR-i, që i ka cilësuar zgjedhjet si nje shans i humbur, jeni dakord me këtë?

    Çlirim Gjata: Do të doja që më parë, drejtuesit e lartë politikë të të gjitha krahëve të bënin vlerësimet e tyre me këtë, sidomos në Parlament, forcat pjesëmarrëse në parlameet, të cilat bënë edhe ligjin përkatës për këto zgjedhje. Përsa më përket mua si Kryetar i KQZ-së, por edhe si qytetar, sinqerisht ndjehem i dëshpëruar që ky process u quajt i tillë. Unë do të doja të veçoja anën e mire të këtij raporti, atë që ai ka thënë për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rezulton se në qoftë se ka patur diçka të mire në këtë proces, ajo vjen nga puna e këtij Komisioni.

    Zëri i Amerikës: Deri në ç'masë ka ndikuar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve presioni i partive politike ndaj administratës zgjedhore në përgjithësi, sepse kjo është edhe ndër kritikat e ODIHR-it?

    Çlirim Gjata: Kjo ndikon deri në atë masë, aq sa ka patur edhe mbyllje të disa qendrave të votimit, qëndrime të njëanshme nga ana e KQZV-ve, e deri tek qëndrimet e fundit të largimit, apo vendnumërimit të votave. Ka patur edhe incidente të tipit, të tillë, që i është ndaluar shtetasve e drejta e votës, ose ju është hequr e drejta e votës, me arsyetime fare absurde. Ka një kontradiktë në procesin zgjedhor në Shqipëri, për çfarëdo lloj zgjedhjeje. Ne kemi një process zgjedhor shumë të komplikuar., është shumë i ngarkuar dhe shumë i vështirë për qytetarinë qoftë në momentin e votmit, apo deri në marrjen e rezultateve. Po kështu, është shumë i komplikuar edhe për administratën zgjedhore, sidomos të nivelin e dytë dhe të tretë të Komisioneve Zgjedhore dhe të qendrave të numërimit. Ka një dokumentancion të pafund, ci cili duhet plotësuar për të arritur ato që mund të quhen standarte, ndërkohë që mund të ishte shumë më i thjeshtë; megjithatë, nuk është koha tani për të bërë kritika, por Çështja qëndron në faktin që ne arritëm t’i bëjmë këto zgjedhje, megjithë kushtet tepër, tepër të rënda që u paraqitën, ne arritëm t’I bëjmë këto zgjedhje. Kemi patur një ligj, vetëm 5 javë para dates së zgjedhjeve, ndërkohë që Komsioni i Venecias e ka përcaktuar që minimumi 5 muaj para datës së zgjedhjeve, ligjit duhej të kishte përfunduar. Gjithashtu, vetëm 4 javë para dates së zgjedhjeve u ngritën komisionet dhe jo me 7 anëtarë, por me 13. Po ashtu, tre javë para zgjedhjeve patëm kandidatët, që vazhdoi me një process ankimor. E kështu, vazhdoi zvarrisja e bazës materiale, që u vonua; kjo solli vonesë pas vonese; megjithatë, KQZ ja arriti që ditën e shtunë, pra një ditë para datës së zgjedhjeve, të shpërndante bazën materiale zgjedhore, fletët e votimit, kutitë, në çdo KQQV-ve, të cilat nuk janë pak, por 384. Këtu ka patur mangësi; nuk janë zhvilluar zgjedhje për këshill, apo për ndonjë kandidat në ndonjë komunë, apo bashkie tek tuk, por kjo ka ardhur vetëm për shkak të mangësive që vijnë nga vonesat. Ndërsa përsa i takon ditës së votimit, ajo përgjithësisht ka qenë e qetë. Votimi ka shkuar mirë në Shqipëri. Shikoni, ka një tradicion të mirë në Shqipëri. Gjithmonë ditët e votimit në Shqipëri kanë qenë të qeta, se incidente ka patur, por ajo që do të shënoja unë si incidentin më të rëndë, ishte ngjarja e qendrës së votimit në Kombinat, ku ju hoq e drejta e votës qytetarëve. Fatkeqësia më e madhe qëndron, se KQZ, megjithëse është Insitutucion Kushtetues, nuk ka asgjë në dorë mbi administratën zgjedhore poshtë. Pra, ligji ja ka kufizuar të gjitha kompetencat. Imagjinoni, edhe një sekretar, mund të marri edhe një vulë dhe të largohet, bllokon tërë procesin e numërimit, apo të votimit dhe KQZ nuk ka çfarë bën. Ka një disnivel jashtëzakonisht të madh, midis nivelit professional të KQZ-së; ne kemi një staf juristës, të përgatitur, me përvojë, kemi një staf shumë të mirë ndihmës, ndërsa niveli i komisioneve poshtë, është nivel militantësh partiakë, që pa folur kuptohet për kulturën, apo anën profesionale, i binden 100 për qind kandidatit përkatës të partisë. Kjo është një kontradiktë shumë e madhe që vihet re edhe sot në çështjen e numërimit të votave.

    Zëri i Amerikës: Pra, ju mendoni që ky militantizëm po e vonon procesin?

    Çlirim Gjata: Absolutisht po. Pamundësi ligjore, dhe mungesa e kompetencave të Komisionit për të ndërhyrë, me iniciativa, për të rivendosur gjendjen, as edhe mjete nuk kemi.

    Zëri i Amerikës: Në këto kushte, deri ku ka ecur numërimi i votave dhe a mund të na jepni një vlerësim paraprak për zona të ndryshme?

    Çlirim Gjata: Numërimi i votave në përgjithësi ka ecur mirë. Kanë dalë rezultatet e para. Deri tani në KQZ kanë ardhur rreth 20 tabela përfundimtare rezultatesh dhe vazhdojnë të vijnë edhe të tjera. Pra, tregon që procesi i numërimit ka vazhduar i qetë. Gjithashtu, pa incidente mund të them se po vazhdon edhe në Tiranë, pavarësisht se po shkon gjatë dhe po zvarriset për vetë specifikat. Dhe përsa i përket incidenteve, siç e cilësuat edhe ju rastin e Bushatit, unë mund të specifikoj edhe raste të tjera, si ai Mamurrasit, Bushatit, ku patur ushtrim dhune, edhe në jug të vendit, në Patos, ka aty-këtu, si largimi i një sekretari, largimi i një grupi komisionerësh, apo ndërhyrje edhe nga jashtë, e të tjera. Madje, mund t’ju them se kam pare media edhe sot, ka patur deputetë që hynin nëpër vendet e numërimit të votave. Çfarë duan deputetët aty? Lerini, njerëzit të mbarojnë punën e tyre, në fund të fundit, komisonerët e tyre janë, vetë i kanë emëruar. Edhe deputeti duhet të futet aty brenda, tani!

    Zëri i Amerikës: Në këto kushte, kur pritet të shpallet rezultati i zgjedhjeve?

    Çlirim Gjata: Mund të shkojë gjatë kjo. Tani kemi procesin e numërimit. E rëndësishme është që të mbyllet procesi i numërimit. Sot ditë unë e fillova me një optimizëm të pazakontë. Mendova që gjërat po shkonin mirë, numërimet po shkonin mirë, raporti sot ishte një dush i fohtë, vetëm na ngroh ajo që i kishte vënë pikat mbi I; punën e KQZ-së e kishte vlerësuar, u bë e disata herë që vlerësohet.

    Zëri i Amerikës: A keni cilësuar zona të pavlefshme dhe në cilat prej tyre do të ketë rivotim?

    Çlirim Gjata: Akoma jo, sepse nuk ka përfunduar akoma procesi i numërimit. Prandaj, siç ju thashë edhe më parë, kemi një proces shumë të koklavitur. Në vend që të ndërhyjmë me shpejtësi, të ndërhyjmë, aty ku nuk janë bërë votimet, të ndërhyjmë që të bëhen, ne duhet të presim që të përfundojë gjithshka, të shpallen rezultatet përfundimtare, të mbarojë procesi ankimor, deri në ankimin e fundit edhe në kolegj, e pastaj të caktojmë zonat e pavlefshme, apo aty ku nuk janë bërë zgjedhje fare.

    Zëri i Amerikës: Si do ta cilësonit punën e vëzhguesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë në zgjedhje?

    Çlirim Gjata: Bashkëpunuese dhe shumë frytdhënëse. Do të thoja, me përjashtim të një vendimi nga rregulli i vëzhgimit, por që kjo duhet rregulluar edhe me ligj në të ardhmen, apo edhe me akt të KQZ-së, duhet të tregohemi më të kujdeshëm qoftë ne, qoftë vëzhguesit, por në vija të pvrgjithshme, me sa informacion kam, sepse sot kanë filluar raportet e para, mbroj të njëjtën pikëpajme si gjithmonë, që raportet e vëzhguesve, qoftë vendorë, qoftë të huaj, kanë qenë frytdhënëse për punën tonë.

    Zëri i Amerikës: Dhe a e kane pasqyruar mediat me objektivitet procesin?

    Çlirim Gjata: Këtë mund t’ju përgjigjesha më vonë, pasi të marr mendimin e miqve të mi, apo familjarëve, sepse ajo që kam pare më pak, ka qenë media.

    Zëri i Amerikës: Zoti Gjata ju faleminderit dhe ju urojmë punë të mbarë në mbarë procesin e zgjedhjeve.

  4. #4
    Akulli Maska e DiGiTeX
    Anëtarësuar
    30-04-2002
    Vendndodhja
    Diku Rreth Botes
    Postime
    368

    OSBE-ODHIR: Zgjedhjet e së dielës, disi zhgënjyese

    Kreu i misionit te vezguesve te OSBE-ODHIR Jorget Grunet tha sot se zgjedhjet e djeshme vendore ne Shqiperi ishin disi zhgenjyese.
    Sipas kreut te ODHIR, u vu re nje mungese besimi mes paleve, ndersa votimi ishte demokratik dhe zgjedhesit ishin te informuar per alternativat.
    Sipas tij ne Shqiperi mungon besimi tek gjendja civile e cila duhet te behet funksionale ne te ardhmen.
    Ndersa persa i perket medias, OSBE mendon se ka pasur nje pasqyrim te balancuar nga ana e tyre.
    OSBE e ka vleresuar te mire punen ne KQZ-se e cila i ka kryer detyrat dhe pse me vonese.
    Ndersa sipas Joseph Borg, perfaqesues i Keshillit te Europes, jane vene re vonesa ne hapjen e qendrave.
    Sipas tij jane vezhguar 120 qendra votimi dhe listat jane te mira se ne zgjedhjet e kaluara.
    Verejtje te tjera kane qene, pjesmarrja jo e mjaftueshme e grave komisionere, veshtiresia e invalideve per te hyre ne disa qendra votimi si dhe mungesa e fshehtesise ne disa nga qendrat
    OSBE-ODHIR ka vezhguar dje zgjedhjet ne te gjithe vendin dhe ka bere nje raport paraprak per zgjedhjet vendore ne Shqiperi.
    "Merrja te mirėn tė ardhmes, hidhja te keqen tė kaluarės"

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e King_Arthur
    Anëtarësuar
    27-04-2006
    Vendndodhja
    Detroit U.S.A por me zemer dhe shpirt ne elbasanin tim.
    Postime
    2,411
    si nje komisioner qe mori pjese ne votime dhe perfaqesoja PD pati shume mungesa ne materiale dhe qe nje problem i madh puna me certifikata e cila ka filluar puna me certifikata vetem nje ore perpara mbylljes se qendres se votimit .
    qendra 2369 ne elbasan ku beja pjese dhe une ka patur shume incidente mes dy forcave politike per certifikatat vetem me ardhjen e kryetarit te KZQV te Elbasanit u vendos te punohej me certifikata . dhe boja nuk ishte ne standartet e kerkuara e cila fshihej shume shpejt . u vu re nje pjesmarrje e madhe ne votim por shume votues jane kthyer pasi kishin certifikata dhe urdheri na kishte ardhur mos te pranonim votimin me to .

Tema të Ngjashme

  1. Procesi i Pavarësimit të Kosovës
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 12-10-2012, 06:23
  2. Përgjigje: 500
    Postimi i Fundit: 16-10-2009, 14:46
  3. Mocioni, Berisha flet për gjithçka, por jo për Fazlliç
    Nga njemik në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 19-12-2008, 10:44
  4. Përgjigje: 116
    Postimi i Fundit: 17-10-2007, 23:58
  5. Janullatos: Nuk ka përparim me djegien e kishave dhe xhamive
    Nga Jesushaus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 08-04-2004, 07:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •