Në Universitetin e Çikagos mbahet një leksion mbi arkeologjinë otomane në Jugun e Shqipërisë

Gjurmët e kulturës otomane, të cilat mund të gjenden në Jugun e Shqipërisë, e bëjnë më të plotë studimin e historisë otomane, një histori, e cila vijon të tërheqë një sërë studiuesish. Por udhëtimi për në Teqenë e Melanit disa kohë më parë, i një grupi studiuesish, i krijuan atyre idenë se Shqipëria është vendi që ka potencialin e duhur për të bërë plotësimin e studimeve mbi epokën otomane. Vetë arkeologjia e Jugut, apo detajet që ata i gjetën qoftë në restaurimin e Teqesë së Melanit, kanë bërë që ky udhëtim dhe idetë e dala nga ky projekt, të shndërroheshin në një leksion në një prej universiteteve më të njohura në Amerikë, në Universitetin e Çikagos. Ndërsa në Shqipëri nuk gjejmë detaje apo dokumente të cilat do të na japin elementët arkeologjikë të kësaj periudhe, të cilat i shohim në qytete të ndryshme të vendit, një grup studiuesish të huaj merr iniciativën për t‘i kthyer në orë diskutimesh detajet e zbuluara gjatë një udhëtimi të zakonshëm pune.

Në Çikago i pranishëm në këto leksione ka qenë Auron Tare, i cili ishte edhe organizatori i Projektit të Melanit së bashku me "Mjaft", projekt ky i mbështetur nga organizata suedeze "Trashëgimi pa Kufij" dhe ambasada amerikane. Sipas tij, në këtë takim ka pasur diskutime të shumta mbi potencialet reale që ofron Shqipëria për studimin e historisë otomane në periferinë e perandorisë, si dhe influenca në kulturën dhe arkitekturën e qyteteve të Jugut të vendit. "Po kështu, metodologjia e kërkimeve arkeologjike në këtë fushë, si dhe një numër pyetjesh teorike mbi këtë metodologji ishte një pikë e debateve në këtë prezantim. Në vazhdim, leksioni u përqendrua në marrëdhëniet komplekse të Portës së Lartë me popullsitë shqiptare të një numri trevash, si dhe perspektiva e studimit të këtyre marrëdhënieve për hedhjen dritë mbi influencën e shqiptarëve në historinë e vrullshme të perandorisë, si dhe në një kontekst më të gjerë të kësaj influence te pjesët e tjera të perandorisë", shprehet Tare.

Ky leksion për Shqipërinë në një universitet prestigjioz si ai i Çikagos vjen tre muaj pas një sërë leksionesh që u mbajtën mbi trashëgiminë tonë kulturore. Leksioni mbi "arkeologjinë otomane në Jugun e Shqipërisë" është dhe fillimi i një sërë prezantimesh që do të jenë në këtë universitet për trashëgiminë kulturore shqiptare gjatë këtij viti. Studiuesit e pranishëm në këtë leksion ishin personazhe të njohura të studimit të kulturës otomane në Ballkan dhe ata e vlerësuan Shqipërinë si një vend ku mund të gjenin detaje të tjera interesante, por ndoshta dhe të pazbuluara nga kjo periudhë, e cila është pak e njohur edhe në qarqet tona shkencore. Duke folur për projektin e Teqesë së Melanit, një projekt ku ishin të pranishëm një pjesë e studiuesve të kësaj teze, ata e vlerësuan këtë monument si një pjesë e hallkës së transmetimit të kulturave në këtë zonë.

Sipas Tares, një vend të rëndësishëm në këtë leksion zuri edhe një përshkrim i historisë së Urdhrit të Bektashinjve dhe influenca e tyre në historinë e Perandorisë Otomane. Por leksioni, përveç hapjes së tezave që në Shqipëri janë ende të pastudiuara, hodhi dhe ide bashkëpunimi për të ardhmen me institucionet shqiptare dhe Universitetin e Gjirokastrës për të bërë të mundur që edhe kjo pjesë e historisë shqiptare të jetë e prekshme për studiuesit e huaj, të cilët do të jenë të interesuar për të. Por, ky leksion është një tjetër moment, i cili tregon se potencialet e Shqipërisë në fushën e trashëgimisë kulturore nuk janë efikase vetëm për kulturën tonë, por mund të kontribuojnë edhe në studimin e periudhave, të cilat kanë një kontekst më të gjerë se të historisë së një vendi, siç është ajo e historisë otomane, një periudhë që vazhdon të tërheqë dhe të hulumtohet nga shumë studiues. Por te ne është e vështirë të gjesh studiues të cilët mund të ofrojnë detaje dhe histori të qarta se ku ekzistojnë këto gjurmë, të cilat mund t‘ia ofrojmë një kulture tjetër, për ta bërë më të plotë atë.

Gazeta SHQIP