Një vendim i dhembshëm për të cilin duhet të mendojnë ata që udhëheqin Kosovën
Pse mërgimtarët nuk dëshirojnë të kthehen në atdhe?!
--------------------------------------------------------------------------------
Shkruan: Valmor Gjoni - Kanada
Tregimi për mërgimtarët shqiptarë që janë strehuar në vendet perëndimore është plot dhembje. Shqiptarët nga të gjitha trojet etnike në Ballkan u kanë kthyer shpinën shtëpive të veta për një mijë e një arsye, por vendimi i familjeve shqiptare nga Kosova që janë strehuar si refugjatë të luftës në Danimarkë që të mos kthehen në Kosovë është një vendim i rëndë, tmerrësisht i dhembshëm por që në vete fshehë një plagë të rëndë të atyre familjeve dhe shumë familjeve tjera në Kanada, SHBA, Evropë, etj.
Informata e botuar në QIK para disa ditësh se 81 familje shqiptare kanë refuzuar të kthehen nga ai shtet skandinav, ne mërgimtarëve në Kanada nuk na ka befasuar, por e kemi pritur me dhembje të madhe sepse ne veç kemi kaluar një rrugë të tillë të ferrit që të jep një emër: azilant.
Për dallim nga shtetet e Evropës që kanë ligje të rrepta për të huajt, ne në Kanada kemi tjetër tretman sepse ky shtet jo vetëm që na mirëpriti para 7 vjetësh por as nuk na ktheu me dhunë siç bëri Gjermania apo Zvicra. Një trajtim të njëjtë Kanadaja u bëri edhe refugjatëve shqiptarë të Kosovës që u strehuan gjatë luftës në Kosovë. Kanadaja u ka mundësuar edhe atyre kushtet më të mira të mundshme që mund t’u ofrohen imigrantëve dhe refugjatëve. Kështu sot shumë refugjatë të luftës jetojnë dhe punojnë me të gjitha dokumentacionet e rregulluara. Ata e kanë vizituar Kosovën dhe përsëri janë kthyer në Kanada.
Tregime të dhembshme për tunelin kosovar
Tregimet e tyre për Kosovën janë të ngjashme dhe të dhembshme në të njëjtën kohë. “E kam vizituar familjen që kam në Kosovë dhe gjatë dy muajsh kam kërkuar dhe gjurmuar mundësitë që ta kthejë edhe gruan me fëmijë, por shtëpia është e vogël, punë vështirë është të gjesh dhe çka është më tregjike tuneli i Kosovës ende nuk ka dritë...”, ka deklaruar Gazmendi. Cili është tuneli për të cilin flet me shpirt të thyer Gazmendi?! Pse gjithë ai dëshprim me Kosovën kur ajo ka vetëm tre vjet pas përfundimit të luftës?!
Ankesa e parë ka të bëjë me lirinë e shrehjes sepse Alberti nga Kaçaniku që aktualisht është në Toronto thotë se këshilla e parë e nënës së tij kur ai u kthye në Kosovën e lirë ishte: Biro, mos fol me askënd për politikë sepse mund të të shkojë koka! “Gjatë pesë javëve që kam qëndruar në shtëpi më shumë jam mbyllur në vetvete dhe kam vëzhguar se si njerëzit kishin ndryshuar: disa që nuk kishin asgjë tashmë kishin kapital që askush nuk ka guxim të tregojë se si e kishin krijuar”, tregon Alberti duke pohuar se miqtë që i ka atje i kanë thënë se gjendja ka filluar të ndryshojë.
Tregimi tjetër që vjen nga një çift i ri nga një fshat i Drenicës është edhe më rrënqethës. “Askujt që është me LDK-në nuk i kanë rindërtuar shtëpitë atje tek ne”, pohon Arsimi. Gruaja e tij 26 vjeçare poashtu nga Drenica ankohet për heshtjen e tmerrshme që mbretëron atje për shumë padrejtësi që u bëhen njerëzve të LDK-së. Ajo ka humbur të vëllanë që ishte luftëtar i UÇK-së, por i cili mezi ka hyrë në listën e dëshmorëve vetëm pse ai theu kufirin shqiptaro-shqiptar në Koshare. “Ju lutem shumë të mos ma shkruani emrin sepse tash do ta vizitojë familjen dhe mund të kam telashe”, më tha ajo. Storia më e prekshme ishte ajo e familjes e cila para një jave u kthye nga Kosova. “Po më vjen rëndë ta them fjalën time bre v’lla, por kurrë nuk do të kthehem më në Kosovë”, më tha djali 17 vjeçar i familjes Berisha nga Prishtina i cili me lotë në sy tregonte se si i la shokët dhe shoqet e klasës, si e la Prishtinën që aq fort e do. Babi i tij nuk përmbahet derisa tregon se si ata ishin kthyer në Kosovë për të jetuar përgjithëmonë, por që fati i ktheu përsëri në Kanadanë e largët. “Kam punuar në një dyqan të improvizuar në Prishtinë për ta mbajtur familjen gjallë, por gjatë viteve të Republikës së Kosovës kam qenë nënkryetar i Nëndegës së LDK-së në fshat”, tha babai i Albertit.
Zhgënjimi dhe rikthimi në jetën e azilantëve
Kur ishte kthyer në Kosovë nga Kanadaja, Idirizi kishte shpresuar se do të vazhdonte punën, kurse fëmijët shkollën. Mirëpo ky njeri kurrë nuk arriti që ta zgjedhë problemin e lokalit të tij sepse kurrë nuk mundi të hyjë tek zyrtarët e komunës së Prishtinës për ta paraqitur problemin e tij për lokalin e uzurpuar nga një komandant i Llapit. “Mbledhi plaçkat se unë kam luftuar derisa ti ke ikur more klysh i Rugovës”, më tha ai Komandanti i Llapit që si duket e kish të afërt njëfarë Komandant Remin. Sipas Idrizit ky farë Remi ish gjithëçka për Prishtinën. Mirëpo ajo çka ky njeri nuk e kishte pritur kurrë, ishte fakti se as njerëzit e LDK-së që punonin në komunë nuk ia kishin varur fare. Asnjë zyrtar i komunës nuk i kishte dalur në ndihmë dhe Idrizi me pesë anëtarë të familjes, pas tre muaj qëndrimi në shtëpinë gjysmë të rrënuar u kthye përsëri në Kanada.
Tregimet e mërgimtarëve që jetojnë në Kanada, por edhe në disa vende të SHBA-ve janë të ndryshme, por bashkohen në një pikë: Në Kosovë ende është një tunel të cilit nuk do t’i shihet fundi së shpejti.
Ky tunel është i mbështjellë me errësirën e krimit ekonomik e politik që në Kosovë e kanë emëruar kriminaliteti i organizuar, vrasjet që kurrë nuk po zbulohen, kushtet e vështira ekonomike për jetë dhe punë, burokratizimi i tepruar i atyre që kanë zënë nga një karrike, korrupcioni dhe mungesa e perspektivës.
Për të gjitha këto probleme flitet në lajmet që kemi mundësi t’i përcjellim përmes shtypit të rrallë e sidomos përmes internetit. Mirëpo nuk ka rezultate, nuk po zbulohen dhe nuk po burgosen ata që janë të involvuar në krimin e organizuar, nuk po shkruhet se si disa njerëz që para luftës nuk kishin plang as shtëpi tash janë bërë milionerë....
Një shtëpi, pak bukë dhe fjala e lirë
Tregimet e shqiptarëve që aktualisht jetojnë këtu në Kanada si dhe lajmi i QIK-ut për refugjatët nga Danimarka janë njëra anë e medaljes që është shumë shqetësuese. Në aktualitetin që mbretëron në Kosovë është shumë vështirë të dallohen përparimet që atje po ndodhin sepse është e vërtetë që në atje po ndodhin edhe gjëra të mira që pata rastin t’i shoh edhe vetë. Mirëpo derisa ka ende familje që janë pa kulm mbi krye dhe gjendja sociale e shumë familjeve tjera është e rëndë, natyrisht që defektet dallohen më lehtë se përparimet.
Tashmë me zgjedhjen e institucioneve, ata që po udhëheqin Kosovën duhet të mendojnë më shumë pse familje të tëra refuzojnë të kthehen në vendlindje. Apo thënë më mirë pse shumë refugjatë të kthyer në Kosovë po ikin përsëri nga Kosova nëpër shtetet e perëndimit. Nëse ndodhë sindromi i Bosnjës atëherë të gjithë ata shqiptarë të Kosovës që jetuan në shtetet perëndimore do të kërkojnë rrugë legale dhe ilegale për t’u kthyer dhe për të jetuar si azilantë, refugjatë sepse së paku aty do të kenë bukë, shtëpi dhe lirinë e të shprehurit.
Tregimi për mërgimtarët shqiptarë nuk përfundon derisa Kosova të lirohet nga krimi, korrupcioni dhe problemet tjera me të cilat ndeshen njerëzit atje. Mirëpo lotët e Albertit dhe plagosja e ndjenjës për t’u kthe në vendlindje janë më shumë se një dhembje tragjike që nuk është vetëm e tij, por e qindra mërgimtarëve anë e kënd botës...ata e duan Kosovën sikur që e duan fjalën e lirë, një shtëpi dhe punë për të ekzistuar...
Krijoni Kontakt