Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,424
    Postimet në Bllog
    17

    Plotësohet Sinodi i Shenjtë i KOASH

    Plotësohet Sinodi i Shenjtë

    - Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka edhe 3 episkopë të rinj -

    Në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të datës 11 nëntor 2006, u vendos që të ngrihen në gradën episkopale 3 arkimandritë të Kishës sonë:

    - Arkimandrit Dhimitër Sinaiti, 66 vjeç, u caktua Mitropolit i Gjirokastrës (ku ka shërbyer në 15 vitet e fundit si zëvendësmitropolit. Ai ka qenë pjesëtar i vëllazërisë së njohur murgërore të Sinait, në Egjipt, ku mund të përmendet edhe si një nga studiuesit dhe kataloguesit e dorëshkrimeve të famshme që u zbuluan aty, mes të cilëve edhe dorëshkrimi më i vjetër që njihet i Dhiatës së Re). Në datën 16 nëntor u krye në Kishën-katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, nga Kryepiskopi Anastas, Hirësi Ignati dhe Hirësi Joani shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandritit Dhimitër. Liturgjia dhe Ceremonia e Fronëzimit të Mitropolitit të Gjirokastrës Hirësi Dhimitrit, u bënë në dt. 26.11.2006, në kishën e Kryeengjëjve në Gjirokastër. Ajo u krye në shqip dhe greqisht, sipas specifikës së kësaj mitropolie, gjë që dëshmon harmoninë dhe respektin e ndërsjellë mes besimtarëve.

    - Arkimandrit Nikolla Hyka, 35 vjeç, i cili mori titullin Episkop i Apollonisë. Në datën 19 nëntor u krye në Kishën-katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, nga Kryepiskopi Anastas, Hirësi Ignati, Hirësi Joani dhe Hirësi Dhimitri shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandritit Nikollës.

    - Arkimandrit Andon Merdani, 37 vjeç, i cili mori titullin Episkop i Krujës. Në datën 21nëntor u krye në Kishën-katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, nga Kryepiskopi Anastas, Hirësi Ignati, Hirësi Joani, Hirësi Dhimitri dhe Hirësi Nikolla, shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandritit Andon Merdani.

    Hirësi Nikolla dhe Hirësi Andoni janë shqiptarë nga brezi i klerikëve të rinj të formuar në Akademinë Theologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, Durrës dhe në vazhdim kanë kryer me rezultate të shkëlqyera edhe studime të specializuara theologjike jashtë vendit.

    Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë tashmë përbëhet nga:

    †Kryepiskopi Anastas, Kryetar;

    Mitropoliti i Beratit Ignati,

    Mitropoliti i Korçës Joani,

    Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri,

    Episkopi i Apollonisë Nikolla,

    Episkopi i Krujës Andoni;

    Kryesekretar i Përgjithshëm, Protopresviter Jani Trebicka.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura    
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 26-01-2007 më 03:22

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,424
    Postimet në Bllog
    17
    Nga Fjala e Kryepiskopit Anastas në dorëzimin e Hirësi Dhimitrit Hirësi, Mitropolit i zgjedhur i Gjirokastrës


    I dashur vëlla më Krishtin, Dhimitër,

    “Edhe kemi këtë thesar në enë balte, që të jetë teprimi i fuqisë nga Perëndia dhe jo nga ne” (2 Kor. 4:7).

    ...I shërben Kishës për shumë vite dhe në detyra të ndryshme. Njëkohësisht gjatë 15 viteve të fundit, shërben në mënyrë vullnetare si Protosingjel i Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Që në vitet e para të rrugëtimit tënd në Shqipërinë e rrënuar nga pushteti ateist, more pjesë në sprovat, hidhërimet, shpresat tona dhe luftove së bashku me ne për riungjillëzimin e popullit të vuajtur dhe ringritjen e enorive orthodhokse në zonën e gjerë të Mitropolisë së Gjirokastrës...

    Fjalia më e rëndësishme, që do dëgjohet gjatë kohës së dorëzimit tënd është: “Hiri Hyjnor, që i shëron të gjitha lëngatat dhe i plotëson të gjitha mungesat, të dorëzon ty priftin perëndidashës Dhimitër, Mitropolit të Mitropolisë fort të shenjtë të Gjirokastrës. Le të lutemi për atë, që të vijë tek ai hiri i Shpirtit të Tërëshenjtë”. Me këtë siguri të padenjësisë personale, por në të njëjtën kohë të mëshirës dhe të fuqisë së Perëndisë, që na ngarkon përgjegjësinë episkopale, përparo me qetësi, me guxim, në kryerjen e detyrës tënde baritore.

    Dispono të gjitha fuqitë e tua për riungjillizimin e popullit: me aktivitetin e pandërprerë, predikimin, kryerjen e Mistereve, këshillat personale. Për disa dhjetëvjeçarë, ky vend ishte privuar nga besimi në Shpëtimtarin Krisht dhe nevojat nuk mund të mbulohen lehtë në pak vjet. Le të jemi dashamirës ndaj gjendjes në të cilën ndodhet populli. Pjesa e leximit nga apostulli, që do të dëgjohet pak më vonë, është shumë aktuale. “Pra si do të thërrasin atë, të cilin nuk e besuan? Edhe si do të besojnë atë që nuk e dëgjuan? Edhe si do të dëgjojnë pa pasur predikues?” (Rom 10:14).
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 26-01-2007 më 03:25

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,424
    Postimet në Bllog
    17
    Nga Fjala e Kryepiskopit Anastas në dorëzimin e Hirësi Nikollës

    Hirësi, Episkop i zgjedhur i Apollonisë, Biri im Nikolla,

    ...Në këto vite të jetës sate pranove në mënyrë të habitshme, dhuratat e Perëndisë njëra pas tjetrës. U linde para 35 vjetësh dhe i kalove vitet e fëmijërisë në një kohë, kur Shqipërinë e kishte mbuluar errësira e dendur e ateizmit. Por Perëndia jo vetëm, që të udhëhoqi në kohë në vitet e tua të rinisë në botën e ndritshme të Mbretërisë së Dashurisë, por edhe të ftoi Ta ndjekësh.

    Studiove në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, u bëre klerik, vazhdove studimet e mëtejshme në Fakultetin Theologjik të Athinës me rezultate të shkëlqyera. Fitove me anë të jetës sate të paqortueshme, me sjelljen tënde fisnike dhe korrektesën e madhe, vlerësimin dhe dashurinë e profesorëve dhe bashkëstudentëve të tu. Dhe sot Kisha të nderon me gradën episkopale. “Sepse me hir jemi të shpëtuar me anë të besimit - na thekson pjesa e sotme e leximit nga Apostulli - dhe kjo nuk është prej jush, po është dhuratë e Perëndisë. Jo prej veprash që të mos mburret ndonjë”. (Efes. 2:8)

    ...Të gjitha këto duhet të kenë bosht të qëndrueshëm “në Jisu Krishtin”. Kjo është e fshehta e episkopit Orthodhoks, që jeton më Krishtin. Na frymëzon përjetimi i apostull Pavlit: “Dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron tek unë” (Gal. 2:20). Të vetëm ne, nga ana jonë, nuk kemi asgjë thelbësore për të thënë. Episkopi si pasues i Apostujve, duhet vazhdimisht të ketë ndjesinë se e ka dërguar dikush tjetër; i dërguari kryesor i Perëndisë, Krishti. “Sikundër Ati më ka dërguar mua, edhe unë po ju dërgoj juve” (Joan 20:21-22)…

    Dhe një gjë të fundit biri im. Dy episkopët e Shqipërisë, që kishin para teje titullin e episkopatës dikur shumë të famshme të Apollonisë, qenë njerëz të bekuar në mënyrë të veçantë. Si episkopi Irine, ashtu dhe Episkopi Kozma. Të dy në vitet e persekutimit të egër të besimit, qëndruan të patundur, rezistentë si diamantë dhe shkëlqyen brenda errësirës së thellë me besimin dhe aktivitetin e tyre të pareshtur. Përkujdesu pra edhe ti që të nderosh titullin e Episkopit të Apollonisë, që merr sot, me jetë shenjtërie, krijimtarie, “të mbushur me përdëllim dhe punë të mira”.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,424
    Postimet në Bllog
    17
    Nga Fjala e Kryepiskopit Anastas në dorëzimin e Hirësi Andonit

    Hirësi, Episkop i zgjedhur i Krujës, Biri im Andon,

    ...U linde në një vend, në të cilin disa të pamend kërkuan të shuanin dritën e Diellit të Drejtësisë. Por ti e kërkove nga vitet e rinisë sate; njohe Krishtin dhe u fute në mënyrë të ndërgjegjshme në Kishën e Tij. Në vazhdim vendose t’i përkushtosh të gjithë jetën tënde, duke ndjekur Zotin tonë. Studiove thelogji, si në Akademinë tonë “Ngjallja e Krishtit” ashtu edhe në Fakultetin Theologjik të Universitetit të Athinës, me rezultate të shkëlqyera. U dorëzove klerik, duke e nderuar priftërinë tënde dhe duke fituar vlerësimin, dashurinë, besimin e atyre që të njohën.

    Dhe sot, Kisha të fton të bëhesh Episkop, detyrë që nënkupton një nder të madh, por edhe përgjegjësi të madhe... Episkopi, siç shpjegon shën Ignat Hyjmbajtësi, është “në vend” dhe “sipas tipit të Krishtit” (Magna IV, I). Nuk vepron kurrë duke u nisur nga vetja. E di se është “shërbëtor i Krishtit dhe ekonom i fshehtësirave të Perëndisë”. Zoti ynë në shëmbëlltyrën e tij të njohur për kujdestarin besnik, e lidhi besnikërinë e tij me vigjilencën dhe urtësinë. (Luk. 12:35-48)…

    Hyrja jote, i dashur biri im, në shërbesën episkopale, përkon me festën, sipas traditës kishtare, të Hyrjes së të Tërëshenjtës Nënës sonë në tempull. Virgjëresha është përfundimisht vetë Tempulli i gjallë dhe i përsosur, në të cilin bëhet fjalë të banojë Perëndia. Të gjithë ne, që duam të quhemi bij të Tij, dhe veçanërisht, sa shërbejmë nga një pozitë kishtare e përgjegjshme në misterin e shpëtimit, duhet të ndërgjegjësohemi se para së gjithash, ftohemi të bëhemi edhe ne vetë “tempuj të Perëndisë së gjallë...” Të ecësh gjithmonë me predispozitë lavdërimi, në ngazëllim, sipas shembullit të Nënës së Zotit. “Shpirti im madhëron Zotin dhe mendja ime u ngazëllua më Perëndinë, shpëtimtarin tim”...

    Edhe Shpirti i Shenjtë banoftë brenda teje, të përforcoftë në besim, dëlirësoftë jetën tënde, le të frymëzojë mendimin, vendimet, veprimet e tua. Deri në atë ditë që Zoti do të të thërresë pranë Tij, që të hysh, si kujdestar besnik i mistereve të Perëndisë, në gëzimin e Mbretërisë së Tij.

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,424
    Postimet në Bllog
    17

    Dy episkopë të rinj në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

    Dy episkopë të rinj në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

    Pas propozimit të Këshillit Kleriko-Laik, siç e përcakton Statuti i ri i Kishës sonë, të enjte, 19 janar 2012, në mbledhjen e tij Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, zgjodhi dy episkopë të rinj titullarë. Me këto dy dorëzime Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhet për herë të parë në historinë tij nga 8 anëtarë.
    Në bazë të Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (nenet 17, 18), Sinodi i Shenjtë vendosi me vota unanime si Episkop të Episkopatës dikur të ndritshme të Amantias, arkimandritin Nathanail dhe si Episkop të Episkopatës dikur të ndritshme të Bylisit, arkimandritin Asti. Ata janë anëtarë titullarë me të drejta të plota të Sinodit të Shenjtë (Neni 18 i statutit: Sipas nevojave të Kishës është e mundur të zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë Episkopë titullarë aktivë me detyra të caktuara. Këta quhen kryepriftërinj në shërbim aktiv dhe marrin pjesë në Sinodin e Shenjtë.). Kështu, episkopët e rinj do të mbulojnë sektorë të caktuar të jetës kishtare, Hirësi Nathanaili “Mbikqyrjen e pasurisë së Manastireve” dhe Hirësi Asti “Diakoninë Apostolike” (Shërbimin Apostullor).
    Në datën 21 janar, e shtunë, u krye nga Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen e gjithë Sinodit të Shenjtë, shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandrit Nathanailit, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë.
    Gjithashtu në datën 22 janar, e diel, u krye nga Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen e gjithë Sinodit të Shenjtë, shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandrit Astit, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë.
    Në të dy këto dorëzime morën pjesë edhe shumë klerikë nga Kryepiskopata e Tiranës, nga Mitropolia e Gjirokastrës dhe nga Mitropolitë e tjera, familjarë, miq, bashkëpunëtorë e besimtarë të shumtë, nxënës e mësues të shkollave kishtare etj., të cilët uruan nga zemra “Aksios - I denjë!”.

    Biografi
    Për 20 vjet, Episkopi i Amantias, Hirësi Nathanail Agjioriti, ka punuar dhe ndihmuar në Kishën tonë Orthodhokse, në Mitropolinë e Gjirokastrës. Ai u lind në Trikalla, Greqi, në vitin 1957. Shumë herët jetën e tij ia kushtoi Perëndisë, duke u qethur murg në Manastirin e famshëm të Lavrës së Madhe, në Malin e Shenjtë. Mbaroi aty Akademinë Athonite dhe më pas fakultetin teologjik në Universitetin Aristoteli, të Selanikut. Erdhi në Shqipëri për të ndihmuar, sapo u rrëzua sistemi ateist, duke shërbyer me përkushtim e vetëmohim pavarësisht vështirësive. Duke e folur shumë mirë gjuhën shqipe ai ka predikuar fjalën e Perëndisë, duke pagëzuar e kryer Misteret e Shenjta deri në fshatrat më të thella, duke fituar respektin e thellë të besimtarëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.
    Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti Bakallbashi, u lind në Durrës, në vitin 1974, në një familje shpresëtare orthodhokse, që e ruajti besimin edhe në kohët më të vështira. Që në çastet e para të ringritjes së Kishës u pagëzua dhe filloi të kontribuonte në rininë orthodhokse. Për 10 vjet studioi me bursë të akorduar nga Kryepiskopata në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash dhe fakultetin teologjik në Universitetin Aristoteli, të Selanikut, ku po përfundon edhe studime pasuniversitare. Pas kësaj zgjodhi t’i kushtohej plotësisht Kishës dhe u dorëzua klerik i pamartuar nga Kryepiskopi Anastas (si dhjakon 2003, kryedhjakon 2006, prift dhe arkimandrit më 2009). Ai ka ofruar me përkushtim për 19 vjet shërbimin e tij kudo ku i është kërkuar si katekist, si pedagog i Akademisë Teologjike në Shën Vlash dhe bashkëpunëtor në Qendrën Studentore në Tiranë, në administratën dhe në median kishtare etj.

    Tiranë, 23 janar, 2012
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura    

Tema të Ngjashme

  1. Kisha është Një
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 29-05-2010, 11:25
  2. Letra e Kishës së Romës drejtuar Kishës së Korinthit
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-03-2007, 16:35
  3. Një vështrim i shkurtër historik rreth debatit mbi filoque
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-12-2006, 07:52
  4. DOKTRINA - Kapitulli III: Trinia e Shenjtë
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-03-2005, 23:02
  5. Ortodoksia dhe Shqipëria
    Nga shendelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 258
    Postimi i Fundit: 07-04-2004, 18:16

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •