-
All-llahu ka thënë
I kërkoj All-llahut që me këto shkrime të forumit musliman i t`ju bëjë dobi muslimanëve dha t`a vejë atë në peshën e punëve tona të mira.Gjithashtu i kërkoi All-llahut që mëshirën dhe mirësinë e vet t`ia japë Muhammedit a.s.robit të Tij.Po kështu mirësia e All-llahut qoftë edhe për familjen e Profetit a.s.dhe për gjithë shokët e tij.
Sabri Selmani
Allahu ka thënë:
``Dhe thuaj :``Veproni ,Allahu do T`ta shohë veprën tuaj edhe i Dërguari e besimtarët . ``
(Sure Et Teube,ajeti 105)
-
Anetarët më poshtë kanë falenderuar Sabriu për postimin:
-
-
-
NDIKIMI I ISLAMIT NË JETËN KOMBËTARE TË SHQIPTARËVE
Qysh prej shembjes së komunizmit dhe rikthimit të lirisë së
besimit e të praktikave fetare në Shqipëri rreth kësaj teme
është ndezur debat i ashpër më shumë nga këndvështrimi
politik dhe politologjik, sesa nga këndvështrimi
teologjik-historik dhe fetaro-klerikal. Në këtë debat kanë
qenë të detyruar të përfshihen dhe të rreshtohen sipas
bindjeve, prirjeve e përkushtimeve politike jo vetëm
studiues të mirëfilltë të historisë, të historisë së
religjioneve, teologë e klerikë, por edhe publicistë,
shkrimtarë, politikanë, politologë. Në kuadër të punës
sime politike dhe publicistike qysh nga viti 1991 më është
dashur edhe mua të përfshihem në polemika të shumta dhe të
ashpra në këtë fushë, aq sa disa shpifës dhe provokues pa
kurrfarë mendimi politik nuk kanë nguruar të më etiketojnë
si “fondamentalist islamik”, “binladenist”, “talibanist”,
“ithtar i ajatollahëve”, “antiperëndimor” etj.
Shkruesit që sjellin nga jashtë, sidomos nga Framca, në
Shqipëri islamofobinë e sotme nuk duan kurrsesi të hidhet
një vështrim i ri objektiv e pozitiv mbi vendin e
shqiptarëve në gjirin e Perandorisë Osmane dhe mbi rolin
mirëbërës të Islamit në jetën kombëtare të shqiptarëve.
Debati që nisi para 15 vitesh na gjeti të papërgatitur në
pikëpamje të njohurive historike e teologjike dhe mjaft të
ndrydhur në pikëpamje politike për shkak të disa klisheve
dhe stereotipeve të pasakta të krijuara qysh nga koha e
Rilindjes dhe sidomos gjatë periudhës së sundimit të
diktaturës ateiste komuniste. Një vështirësi tjetër ishte
se njerëz të njohur dhe të reklamuar shumë nga fusha e
historisë dhe e letërsisë, për arsyet e tyre po në
kundështim me arsyen kombëtare, u rreshtuan në frontin e
denigrimit të Islamit edhe në demokraci. Këta u pasuan nga
mallkues të pacipë e të pavlerë të islamizimit të
shqiptarëve, të cilët me ndihma të fuqishme nga jashtë
ngritën një kor shurdhues klithmash për “ndreqjen e mëkatit
të myslimanizimit”, për “revanshizëm fetar të krishterë”,
“për zbythje historike deri në skënderbegizëm mesjetar”,
nën parrullën anakronike “ të rikthehemi në fenë e të
parëve”.
Prandaj, në kushte të tilla merr rëndësi të veçanët debati
politik për vendin, rëndësinë dhe ndikimin e Islamit në
jetën kombëtare shqiptare në të kaluarën dhe sot. Ky debat
nuk është i ri. Ne më shumë kemi nevojë të sistemojmë ato
që i kanë thënë saktë e bukur të tjerë para nesh, se të
vrasim mendjen të prodhojmë argumente të reja.
Strumbullarin e këtij debati të sotëm e gjejmë të ngulur
fort e dukshëm qysh para gati një shekulli në veprat e një
studiuesi të njohur italian të çështjeve shqiptare, Antonio
Baldaçi, që shkruante: “Që nga vdekja e Skënderbeut e deri
sot e vetmja gjë e rëndësishme që ka ndodhur në Shqipëri
është kthimi i tre të katërtave të popullsisë nga të
krishterë në myslimanë. Por ishte pikërisht islamizimi ai
që i dha çështjes kombëtare shqiptare një impuls që deri
dje i mungonte krejtësisht” (gazeta e Tiranës “Panorama”,
5 janar 2004). Kështu një italian gati një shekull më parë
na ka shkarkuar nga barra e rëndë për të përcaktuar saktë
e shprehur qartë se çfarë vendi ka zënë dhe mban Islami në
historinë kombëtare të shqiptarëve dhe çfarë ndryshimi
rrënjësor për mirë ka sjellë e garantuar ai në këtë histori
nga pikëpamja e formimit kombëtar, e përkufizimit,
afirmimit dhe ruajtjes së identitetit e të personalitetit
kombëtar shqiptar në Ballkan.
Meritojnë mirënjohje fjalët e Baldaçit, sepse godasin fort
spekulimet e atyre që islamizimin duan ta paraqesin si
fatkeqësinë më të madhe të shqiptarëve. Janë në radhë të
parë armiqtë më të tërbuar të kombit shqiptar dhe të
myslimanëve shqiptarë, grekët e sllavët me besim të
krishterë ortodoks, që duan ta paraqesin realitetin fetar
të shqiptarëve, ndryshe nga sa ka shkruar Baldaçi, si të
keqen e Ballkanit. Në shtypin e Tiranës kemi lexuar edhe
thëniet e Predrag Simiçit, këshilltarit politik e
diplomatik të Milosheviçit, Koshtunicës, Drashkoviçit se
fatkeqësia për Ballkanin paska filluar qysh kur u
islamizuan shqiptarët. Kjo është tezë e përdorur shpesh nga
propaganda serbe. Ky është thelbi i mendimit politik dhe i
veprës letrare të ministrit të sotëm të jashtëm të Serbisë,
Vuk Drashkoviç, që hapur fare e ka theksuar në polemikat e
tij me shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare. Serbët kanë
arsye të tërbohen nga myslimanizimi i shqiptarëve se për
ambiciet serbe ka qenë vërtetë një fatkeqësi ajo ngjarja e
madhe në jetën kombëtare shqiptare që e ka përcaktuar
Baldaçi. Por ama për ne shqiptarët tërbimi serb, apo dhe ai
grek, makar edhe katolikocentrist, ndaj myslimanizimit të
shqiptarëve, është provë se ky myslimanizim përveç rolit
pasurues e kënaqësidhënës shpirtëror ka luajtur rol të
madh, madje vendimtar, në formësimin dhe ruajtjen e
identitetit kombëtar shqiptar.
Për fat të keq ka dhe njerëz që flasin e shkruajnë shqip,
që mbase janë dhe me gjak shqiptar të holluar, që pranojnë
tezën e Simiçit, dhe e qortojnë pakëz serbin pse nuk ka
shkuar dhe më tej e të thotë se islamizimi në radhë të parë
ka qenë fatkeqësi e vetë shqiptarëve, sepse i paska ndarë
këta nga Europa, ( kur Europa ende s’ishte tamam
Europë).Këtyre u vjen maraz që islamizimi shqiptarët i
largoi sëpari nga fqinjët serbë e grekë. Kur ata çirren se
Islami ka rrezik t’i lërë jashtë Europës shqiptarët në fakt
shprehin inat që do t’i mbrojë edhe më tej nga përthithja
në shoqëritë sllave dhe greke.
Synimet e propagandës së egër denigruese kundër Islamit, që
nisi në fillim të viteve 1990 me shkrime të shkrimtarëve
të njohur Ismail Kadare, Kiço Blushi, të Neshat Tozajt, më
vonë të Pirro Mishës, Fatos Lubonjës, Skënder Shkupit,
është shprehur në mënyrat më vulgare dhe më provokuese në
librin “Nacional-islamizmi shqiptar. Baleta e Feraj”,
botuar në Tiranë në dhjetor të vitit 2001 dhe ribotuar me
titull të ndryshuar “Kalvari i gjysëhanës” në prill të
vitit 2003. Ky libër i fëlliqur është punë e shumë
mekanizmave dhe grupimeve islamofobe shqiptare dhe të
huaja, ndonëse formalisht ka për autor emrin e një hiçi.
Eshtë e “çuditëshme” se atyre shqiptarëve që u vijnë pas
midesë teorizimet propagandistike si ato të Simiçit, apo
çfardo mallkimi se shqiptarët duke u myslimanizuar paskan
trazuar Ballkanin, nuk u është ndjerë zëri të kundërshtojnë
sa herë u kemi përmendur mendime që provojnë të kundërtën.
Nuk u është ndjerë zëri kur kemi cituar fjalët e një ish
diplomati jugosllav në Tiranë në vitet 1950, Arso Milatoviç
: “Me dëshirën që të çlirohen nga pushteti i fqinjëve
sllavë shqiptarët pranuan Islamin”.(“A i njohim
shqiptarët?”, gazeta “Borba” 26 prill 1988). Citova
Milatoviçin meqenëse është serbo-malazez dhe i ka pas hyrë
thellë studimit të punëve të shqiptarëve. Por ka shumë e
shumë shqiptarë dhe të huaj që me analizat e tyre kanë
arritur pikërisht në atë përfundim se krahas arsyeve
shpirtërore fetare, krahas karakterit e ambicieve
pragmatiste të shqiptarëve, ka qenë nevoja për të ruajtur
identitetin e vet dhe domosdoshmëria politike për t’u
paraqitur komb më vete që i ka shtyrë shqiptarët të
pranojnë Islamin si fe të tyren në shumicën dërrmuese në të
gjitha hapësirat etnike shqiptare në Ballkan.
Ajo që e thonë Baldaçi e Milatoviçi me seriozitet e mençuri
dhe që e përmendin Simiçi e të tjerë me mllef e poshtërsi
ka ndodhur pikërisht në kohën kur etnia shqiptare ngjizej e
formësohej si komb modern, si gjithë kombet e tjerë në
Europë. Samuel P. Hantington thekson në librin “Kush jemi
ne” se : “Kombi, nacionalizmi dhe identiteti kombëtar, në
pjesën më të madhe, janë prodhim i asaj rrjedhës së
rrëmbyeshme të historisë europiane nga shekulli XV në
shekullin XIX” (fq. 28). Hantingtoni pajtohet me
historianin Majkëll Houard se :”Asnjë komb në kuptimin e
vërtetë të fjalës nuk mund të lindte pa luftë...asnjë
bashkësi e vetëdishme nuk mund të krijohej si aktor i ri
dhe i pavarur në skenën botërore pa një konflikt të
armatosur, ose një kërcënim të tillë”.
Historia e shqiptarëve e vërteton këtë nga luftrat e
Skënderbeut e deri në luftrat në prag të shpalljes së
pavarësisë kur u krye procesi i krijimit të kombit
shqiptar. Këtë e mësuam edhe nga Lufta e Dytë Botërore. Por
këtë e pamë sidomos gjatë luftrave më të fundit të
shqiptarëve në Kosovë më 1998-99 dhe Maqedoni 2001, që për
shumë rrethana fatkeqësisht nuk i kanë çuar ende shqiptarët
në arritjen e plotë të qëllimit të tyre kombëtar dhe nuk
kanë larguar përfundimisht kërcënimin ndaj qenies kombëtare
shqiptare, as mundësinë e përleshjeve të reja. Por gjithçka
është brenda rregullit që shpjegojnë politologu Hantington
dhe historiani Houard në SHBA se “Lufta e bëri edhe
shtetin, edhe kombin”.
Sipas Hantingtonit “Interesat kombëtare burojnë nga
identiteti kombëtar. Duhet të dimë kush jemi përpara se të
dimë cilat janë interesat tona”. Njeriu është i dënuar të
ketë identitet, madje jo një por disa identitete. Ndër këto
identitete që ka njeriu nga më të rëndësishmit janë
identiteti kombëtar dhe identiteti fetar. Veçse identiteti
kombëtar është më i qëndrueshëm. Atë nuk e ndryshon dot
vetë, sipas qejfit e rrethanave. Identitetin fetar e
ndryshon sipas vullnetit e rrethanave, por gjithsesi jo në
mënyrë arbitrare dhe të papërgjegjëshme. Detyrimisht duhet
të ketë një ndërvartësi të caktuar midis këtyre dy
identiteve themelore që njeriu të mos dëmtohet. Prandaj
gjatë historisë, kryesisht në atë periudhë që njihet si e
krijimit të kombeve, u krijua një raport i caktuar midis
identiteve fetarë e kombëtarë të shqiptarëve dhe shqiptarët
në shumicën dërrmuese u bënë besimtarë myslimanë, sepse kjo
përputhej më shumë jo vetëm me nevojat e përcaktimit
shpirtëror, por edhe me nevojat e përcaktimit dhe të
identifikimit politik.
Për shkaqet e myslimanizimit të shqiptarëve është shkruar
shumë nga shqiptarë të huaj. Më mirë e më saktë kanë
shkruar studiues të huaj se shqiptarët. Edvin Zhak në
librin me shumë vlera”Shqiptarët” është marrë posaçërisht
me shkaqet e myslimanizimit të tyre (kapitulli XX). Ai nuk
e ka fshehur se nuk ndjehet i lumtur që shqiptarët u bënë
nga të krishterë myslimanë. Ka rreshtuar si faktorë
myslimanizues etjen e shqiptarëve për pasuri, ofiqe,
karakterin e shqiptarit që nuk do të jetë i nënshtruar, që
ka qejf t’i lejojnë të mbajë armën etj. etj. Por ai nuk ka
mundur të largohet nga e vërteta se shqiptarët patën dobi
të mëdha nga myslimanizimi i tyre.
Në botime fanatikësh të rikthimit të shqiptarëve në
krishterim, si për shembull në shkrime të Zef Mirditës,
Ismail Kadaresë, Engjëll Sedajt, (që i ka kundërshtuar aq
mirë Rexhep Hoxha nga Gjakova në librin “Nuk është ashtu”)
Kiço Blushit, apo të propagandistëve të rëndomtë që as
dinë, as duan të mësojnë i mëshohet fort me topuz daulles
së çjerrë të “kthimit të shqiptarëve me dhunë në
myslimanizëm”. Ka dhe hileqarë që në shkrimet e tyre nuk e
fajësojnë përdorimin e drejpërdrejtë të dhunës nga osmanët
si shkakun kryesor të myslimanizimit të shqiptarëve, por u
referohen “formave të tërthorta” të shtrëngimit. Por ka më
shumë studiues seriozë që e hedhin poshtë dhunën e
shtrëngimin si shkak serioz për myslimanizimin e
shqiptarëve . Madje arvanitasi në Greqi Aristidh Kola e
quante një pretendim të tillë “marrëzi të murgjëve”.
Ky debat nuk e vlen të bëhet më. Le të merren me këtë punë
kryeneçët e tuafët. Rëndësi ka të kuptohen drejt rrjedhojat
që pati islamizimi i shqiptarëve për shqiptarët. Duke u
nisur nga dobia që solli islamizimi mund t‘u thuhet
ithtarëve të tezës së kthimit me dhunë nga të krishterë në
myslimanë se duhet t’ua dimë për nder edhe atyre që mund ta
kenë përdorurn atë dhunë për ta bërë myslimanizimin e
shumicës së shqiptarëve, sepse kështu ndikuan në ruajtjen e
identitetit kombëtar shqiptar.
Islamofobët shqiptarë tërbohen kur u thua se pranimi masiv
i fesë islame u siguroi shqiptarëve një faktor të
rëndësishëm përbashkues jo vetëm në sferën shpirtërore,
por edhe në atë politike. Shumë studiues e kanë vënë re dhe
e kanë thënë se trojet etnike shqiptare kanë qenë për
shekuj shesh beteje midis Kishës së Romës dhe asaj të
Konstantinopojës. Prifti francez Faveirial në librin e
historisë së shqiptarëve, shkruar në fund të shekullit XIX
e botuar vetëm vitet e fundit, e thekson fort këtë fakt,
duke dhënë dhe provën se grindja e kishave ka ndikuar në
thellimin e dallimeve të tjera midis shqiptarëe toskë e
gegë. Kjo pikëpamje është mbrojtur fort qysh më parë në
shkrimet në gazetat ”Rimëkëmbja”e “Bota Sot” dhe në libra
si studimi i Hysamedin Ferajt “Skicë e mendimit politik
shqiptar” dhe është sulmuar në mënyrë të veçantë nga
denigruesit e Islamit dhe përkrahësit e “rikonkuistës së
krishterë shqiptare”, sipas shembullit të “rikonkuistës
spanjolle” të 5 shekujve më parë.
Tani ka dalë fare sheshit se sulmet kundër Islamit ndër
shqiptarë i bëjnë ato forca, politika, agjentura dhe
individë të huaj e shqiptarë që duan të prishin lidhjen e
përbashkët shpirtërore dhe fetare të shqiptarëve në gjithë
trojet e tyre etnike dhe të rinisin atë proces negativ
fetar që është zhvilluar për shekuj në këto troje si
rivalitet ekspansionist midis katolicizmit e ortodoksisë.
Për fat të keq në mendimin politik shqiptar ka ende shumë
pikëpamje të turbullta dhe spekulime të mbrapshta për
procesin e myslimanizimit të shqiptarëve, për ndikimin e
këtij myslimanizimi në jetën kombëtare shqiptare dhe për
rrjedhojat që mund të sjellë Islami për integrimet
europiane e perëndimore të shqiptarëve, për të cilat tani
po flitet më shumë për modë e fanatizëm se me arsye të
shëndoshë dhe me objektivitet.
Qysh nga koha e Rilindjes janë vënë re prirje për ta hedhur
mbi Perandorinë Osmane dhe Islamin fajin që shqiptarët u
gjendën në vështirësi për të arritur atë që arritën kombet
e tjerë ballkanikë në fushën politike. Deri burra të shquar
e mendimtarë të zotë si Mehdi Frashëri kanë shprehur
mendime të ngjashme me të “kozmopolitëve” të sotën që
kërkojnë një konvertim të ri fetar të shqiptarëve. Në
“Probleme shqiptare” Mehdi Frashëri bie në pozita
propagandistike kur shkruan : “Feja që e sollën me vete dhe
e përhapën në Shqipëri turqit-osmanllij është një fe në
kundërshtim me zakonet europiane. Shkaku kryesor i
mospranimit të popullit shqiptar qëndron pikërisht në këtë
pikë”. Kjo ishte shkas i lehtë për të spekuluar, por zor të
ishte shkaku kryesor.
Kështu thonë edhe islamofobët e sotëm në Shqipëri dhe në
trojet shqiptare në përgjithësi. Por provat janë të shumta
se nuk është vetëm dallimi në fe që i ka bërë europianët
të mos jenë dashamirë ndaj shqiptarëve. Faktet tregojnë se
në Shqipëri Islamin nuk e kanë sjellë turqit-osmanllij
si”fe të pushtuesit”, por e kanë marrë e pranuar shqiptarët
vetë për ato arsye që i përmendin Baldaçi, Milatoviçi.
Aristidh Kola, Noel Malkolmi, Renco Falaski (bashkëshorti i
Nermin Vlorës) dhe shumë e shumë të tjerë.
Një intelektual më i vonshëm në kohë, por po aq i hollë dhe
i thellë sa Medi Frashëri, zotëri Miftar Spahija, i
diplomuar në Torino në vitin 1939 dhe që jeton në SHBA ku
shkoi para më shumë se gjysmë shekulli si mërgimtar
politik, e ka shpjeguar thellë e bindshëm krejt ndryshe
procesin, kuptimin e rëndësinë e madhe që ka pasur e ka për
shqiptarët myslimanizimi i tyre. Miftar Spahija e vlerëson
si gjë shumë pozitive për shqiptarët rastin kur ”shkrepi
rrfeja turke në Ballkan në betejën e Fushë Kosovës më 1389
dhe shpartalloi Perandorinë e Dushanit”. Sipas tij
shqiptarët treguan mençuri se pranuan fenë islame për të
shpëtuar gjuhën e vet, identitetin e vet. Sipas Spahisë :
“Feja islame u ba protestanizmi i shqiptarnisë...shqiptari
u islamizue se nuk desh me u ba serb, desh me mbetë
shqiptar” dhe “u ba mysliman, ruejti gjuhën, ruejti
kombësinë..,Nuk u ba mysliman se dashti turkun, por se
dashti veten, dashti me qenë i ndryshëm prej serbit”.
Profesori shqiptar në Amerikë këshillon : “Kerkush mos ta
qortojë, as mos ta shaje shqiptarin pse u bane mysliman, se
s’o po na don Europa e kristjane” ( shih librin e Hasan
Hasanit”Miftar Spahija , korifeu i Lumës”, Prishtinë 1995).
Për fat të keq në gjithë trojet shqiptare dhe në diasporë
gjinden ende “intelektualë të mëdhenj” që lexojnë edhe
libra të huaj, që dinë të rendisin edhe mendime të
huazuara e bëjnë kala propagandistike me plagjiate dhe që
për t’u dukur sa më perëndimorë marrin qëndrime si të atyre
amerikanëve që Hantingtoni i quan “elitë
dekonstruksioniste”, meqenëse përbuzin identitetin kombëtar
e nacionalizmin dhe magjepsen me globalizmin e
transnacionalizmin. Madje Fransis Fukujama po përpunuaka
edhe një koncept të ri të quajtur
“trans-humanitarizëm”(për këtë është shkruar në numrat e
fundit të revistës “Foreign Policy”, rubrika “ide të
rrezikëshme”)
Hantingtoni në librin e tij më të ri “Kush jemi ne?” e
analizon problemin e ngjitjeve e të zbritjeve të
nacionalizmit amerikan në SHBA. Ai nacionalizmin amerikan e
sheh si alternativë përballë kozmopolitizmit dhe të
imperializmit amerikan. Kozmopolitizmi do që SHBA të bëhen
si gjithë bota. Imperializmi amerikan do që gjithë bota të
bëhet SHBA. Sipas Hantingtonit edhe SHBA-së i duhet :”Një
qasje nacionale (që ) do të njohë e pranojë atë që e dallon
Amerikën nga shoqëritë e tjera. Amerika nuk mund të bëhet
bota dhe të mbetet Amerikë. Vendet e tjera nuk mund të
bëhen Amerikë e të mbeten ato që janë”(fq 365).
Kur mendimtarët amerikanë shtrojnë nevojën e një identiteti
amerikan për Amerikën, të një nacionalizmi amerikan që të
dallohet e të bashkëpunojë me nacionalizma të tjerë, po ne
shqiptarët pse u dashka të mos shtrojmë edhe më fort
kërkesën e nevojën e një gjëje të tillë në kushtet tona?!
Nacionalizmi shqiptar për nga natyra e tij, ambicjet e tij,
procesi i lindjes së dhimbëshme e zhvillimit edhe më të
dhimbshëm të tij, është krejt i ndrydhur, i përmbajtur, i
frikësuar. Eshtë nacionalizëm i pa ndikuar nga ndonjë
urrejtje dhe fanatizëm fetar agresiv si nacionalizmat
sllavë e grek.. Në vitin 1999 në një seminar diplomatik për
Kosovën në Teheran studiuesja hungareze Erzebet Szabo në
referimin për natyrën e nacionalizmave në Ballkan theksoi
si specifikë të nacionalizmit shqiptar se ai nuk është
fetar. Edhe Hantington ka shkruar në librin e tij: “Në
përpjekjet e tyre për t’u çliruar nga sundimi osman serbët
e vunë theksin në fenë ortodokse, ndërsa shqiptarët
myslimanë e vunë theksin në etninë e gjuhën e tyre” (fq.
24).
Kjo ka ndodhur jo vetëm se shqiptarët kishin tre besime,
por dhe për faktin se shqiptarët fenë islame e kishin
pranuar për ta bërë më të dallueshëm identitetin e tyre
etnik e kombëtar dhe jo për ta ndërruar këtë identitet me
një identitet fetar. Kjo ka ndodhur jo për hir të ndonjë
pune të veçantë të elitave, por më shumë për shkak të asaj
fryme që kultivohet në masën e popullit e të kombit edhe në
mënyrë spontane, instiktive. Tek shqiptarët edhe tani
nacionalizmi instiktiv është më i qartë, më i qëndrueshëm
se ai i kultivuar politikisht. Këtë e dëshmoi entuziazmi që
shpërtheu më 4 shtator 2004 me rastin e fitores së skuadrës
kombëtare shqiptare të futbollit ndaj asaj të Greqisë. Ai
që Hantingtoni e quan “nacionalizëm publik” në Amerikë,
për dallim nga nacionalizmi i dobët elitar, u shfaq edhe në
Shqipëri njësoj. “Elita” intelektualiste mbeti e turpëruar
para publikut.
Prandaj, është keqdashës dhe spekulues pretendimi i disave
se pranimi i fesë islame nuk luajti ndonjë rol të madh në
afirmimin e ruajtjen e identitetit të shqiptarëve përballë
fqinjëve, pasiqë shqiptarët në atë kohë nuk kishin nivel
zhvillimi e organizimi politik që të bënin punëra kaq të
mëdha në mënyrë të vetëdishme e të planifikuar. Por fakti
është se kjo u bë dhe shqiptarët u myslimanizuan në masë jo
në kulmin e fuqisë së Perandorisë Osmane (pra për frikë ose
privilegje), por kur filloi rënia e saj, në shekullin XVII,
kur filloi të dukej ambicja e sllavëve në Ballkan dhe
Rusia e Pjetrit të Madh dhe Jekaterinës II shpalli
politikën e ekspansionit drejt Ballkanit dhe Perëndimit.
Teza e Hantingtonit se dhe Amerikës në politikë nuk i duhet
kozmopolitizëm apo imperializëm, siç propagandojnë mjediset
“elitare dekonstruksioniste” dhe politiko-ushtarake, por
nacionalizëm sikurse e ndjen opionini publik amerikan,
është një përshtatje me atë që thuhet në Kuran “ju bëra në
fise e kombe që të njiheni me njëri tjetrin”. Kështu, na
duken prirje te gabuara ato që vihen re tek disa
intelektualë shqiptarë që ngulmojnë me keqdashje në pohimet
se Islami si fe universale mohon kombin dhe qenka i
papajtueshëm me nacionalizmin. Gabojnë dhe disa të tjerë
që mbeten në pohimet sektare se Islami si fe e vëllazërimit
të njerërzve nuk duhet ta pranojë nacionalizmin, sepse ky
e ndaka dhe e përçaka ummetin mysliman. Këto kuptime të
gabuara ne mendimin politik e fetar shqiptar i ka hedhur
poshtë qysh në vitin 1923 Hafiz Ali Korça me poezinë e tij
të mrekullueshme “Nacionalizma dhe myslimanizma”, ku
shpjegohet se qysh nga fillimi i Islamit nacionalizma e
myslimanizma shkojnë dorë për dorë, siç thekson sot
Hantingntoni në SHBA për bashkëveprimin midis nacionalizmit
e fesë në përgjithësi.
Kemi kështu dhe një amanet fetaro-politik shqiptar të
pajtohemi me Hantingtonin që në SHBA arsyeton sikur është
duke komentuar vjerëshën e Hafiz Ali Korçës dhe shkruan se
: “Feja e nacionalizmi kanë shkuar dorë për dorë në
historinë e Perëndimit...Vendet që janë më fetare kanë
prirje të jenë më nacionaliste... Brenda vendit individët
që janë më fetarë kanë prirje të jenë më nacionalistë” (fq
365). Kjo do të thotë se për një nacionalizëm të
shëndetshëm është i domosdoshëm edhe komponenti fetar.
Nacionalizmi shqiptar është mbrujtur duke pasur
myslimanizmin si komponentin e tij kryesor fetar,dhe më
karakteristik. Të duash të ndryshosh këtë tani do të thotë
të hidhesh në aventurizëm me rrjedhoja të panjohura, por me
siguri shumë të rënda për kombin shqiptar. Prandaj rruga më
e drejtë dhe më e sigurtë është që të punohet për të
forcuar tiparet me të cilat nacionalizmi e kombi shqiptar
kanë ardhur deri në ditët e sotme, jo për të imagjinuar
përmbysje procesesh historike dhe etnologjike. Europa duhet
të na pranojë siç jemi dhe ne duhet t’ia bëjmë të qartë se
do të jemi pjesë e saj si gjithë të tjerët, duke mbetur
shqiptarë.
Studiuesi amerikan i historisë së Shqipërisë e të Ballkanit
Bernd Fisher në një emision të kohëve të fundit në “Zëri i
Amerikës” ka deklaruar se nacionalizmi shqiptar është
nacionalizmi më i dobët në Ballkan. Kjo duhet pranuar si e
saktë. Ka një sërë shkaqesh për këtë. Midis të tjerave
është dhe fakti se feja islame në Shqipëri ka vepruar me të
gjithë vlerat e tolerancës së saj. Feja islame ndër
shqiptarë nuk kultivon e nuk nxit kurrfarë ekstremizmi dhe
urrejtje ose mosdurim mbi baza fetare, etnike e kombëtare.
Pra kjo fe ndikon për mirë në të gjitha drejtimet tek
shqiptarët dhe më gjërë. Ajo u siguron shqiptarëve një
faktor përbashkues shpirtëror, ndihmon në ruajtjen e një
trashëgimie historike që ka kulmuar më krijimin e afirmimin
e kombit shqiptar me fizionominë që ka sot dhe njëkohësisht
bëhet pengesë për çfardo shfaqje të ekstremizmit.
Kështu që gabojnë rëndë ata që paraqiten si “intelektualë”
të shquar e modernistë kur e përshkruajnë fenë islame tek
shqiptarët si faktor që i pengoka ata të përparojnë e të
integrohen në rrjedhat e demokracisë moderne europiane dhe
gjoja sjellka tensione në rajon. Përkundrazi largimi
fetarisht nga Islami do t’i bënte shqiptarët të hynin në
rrugë të këqija, do të shtonte rreziqet ndaj shqiptarëve
dhe pa tjetër do të krijonte tollovi të reja në Ballkan.
Islami tek shqiptarët është gjë e mirë për Ballkanin e
Europën. Nëse ballkanasit dhe europianët nuk arrijnë të
kuptojnë këtë atëherë faji është i tyre.
Abdi BALETA
-
-
Islamofobia dhe shumica e heshtur e muslimanëve shqiptarë
(Letrën e mëposhtme poeti Ervin Hatibi e nisi në një listë popullor on line, pas disa reagimeve të nxehta kundër akteve islamofobike të rradhës në hapësirat shqiptare. Vendosëm ta botojmë me disa shkurtime, duke pasur edhe lejen e shkruesit. Titulli është i redaksisë. sh.r.)
Në një intervistë që kam dhënë para një muaj në një të përditshme, që në faqen e parë të gazetës, me shkronja posteri kam bërtitur qëndrimin tim në lidhje me implikimin në publik të çështjeve fetare: feja nuk do përmendur kaq shumë në publik, se hap probleme në një shoqëri ekuilibrash si kjo e jona, ku për më tepër edhe informimi për çka është fe e çka jo është minimal. Sigurisht, zëri im modest nuk kam pritur të merret si ndonjë urdhër apo këshillë kanonike. Ajo që shoh është se fatkeqësisht ka njerëz që kanë zgjedhur pikërisht të implikohen me çështje fetare, edhe pse nuk kanë njohuri mbi përmasat e efektet e tyre, edhe pse mbase janë të sigurt që cënojnë emocionalite dhe prishin ekuilibra.
Sigurisht që ka njerëz që nuk kanë ndjeshmërinë e duhur, për të mos thënë se ka sigurisht njerëz me agjenda të frikshme, të cilët shfrytëzojnë cakun e papërgjegjshmërisë në lirinë e shprehjes. Histeritë që prodhojnë fobitë e vjetra irracionale perëndimore kundër Islamit, apo frikërat racionale ndaj terrorizmit, kanë armatosur me pushtet edhe zelltarë vendas antimuslimanë, të cilët herë me kujdes e herë me harbim, po tentojnë të prishin fibrat socialë të shqiptarisë. Kriminalizimi sistematik, që pas vitit ’90 i prejardhjes apo përditshmërisë islame të shumicës së shqiptarëve, nuk ka sesi të mos prodhojë ndër ta trauma dhe tensione të cilat në fakt dëmtojnë gjithë shoqërinë. Është shumë e thjeshtë të kuptosh se kundërshtarët, kritikët, shpotitësit e Islamit në fakt, duan apo s’duan, janë varrmihës të shqiptarisë. Edhe sikur minoritet të kishte qenë 90%-shi ballkanik i muslimaneve shqiptarë, asnjë njeri që i thotë vetes shqiptar nuk mund të guxonte të kriminalizonte, delegjitimonte, nënvleftësonte, provokonte kështu si po ndodh ndër ne nga jo pak aktorë publike, qofshin këta politikanë, qeveritarë, klerikë, intelektualë a gazetarë. Kjo ndodh për here të parë në historinë e popullit tonë. Analogjia e trishtuar qe bënte Hysamedin Ferraj një dekadë më parë, tregon se nuk mjafton që një grup të jetë mazhoritar që të ketë peshën që meriton në skenë: afrikanët vendalinj ishin shumicë absolute ne Afrikën e Jugut, por në fakt pushtetin e kishte një grusht te bardhësh dekada me radhë. Kjo që po ndodh ndër shqiptarët, le të shpresojmë se do ndjekë edhe zhvillimin e mëtejshëm te parabolës: ashtu si te bardhët bënë paqe me vendalinjtë dhe ndanë me ta flamurin dhe res publica-n, edhe ndër shqiptarët, besoj, do të vijë një ditë kur shumica e kombit nuk do të ketë më një vend kaq disproporcional në përfaqësimin simbolik, kulturor-politik të shqiptarisë.
Problemi është se unë nuk mendoj se fajin e kanë vetëm naivët, të papërgjegjshmit apo dashakëqinjtë që nuk shohin se duke mohuar apo sulmuar apo shpërfillur islamijetin e shqiptarëve, dëmtojnë kolonën ku mbështetet kombi. Problemi është se edhe përfaqësimi i islamijetit shqiptar, i shkon përbri gjendjes disproporcionale me të cilën ai trajtohet prej të tjerëve. Profilizimi klerikalist apo komunitarist që ka marrë përfaqësimi islam ndër shqiptarët le pa mbuluar një shumicë të heshtur muslimanësh të thjeshtë të cilët nuk e gjejnë dhe nuk mund ta gjejnë dot veten as në retorikat rigoriste-ritualiste të imamëve tanë të rinj, as në agjendat e politizuara globaliste të veprimtarëve të rinj komunitarë e aq më pak në inaktivitetin dhe inferioritetin e organizatave të Islamit “zyrtar”. Kur të pakësohen gjykatësit dhe të shtohen avokatët në minberet e xhamive tona, kur veprimtarët tanë të pushojnë së sjelluri si diasporë dhe të braktisin diskursin minoritar të konspiracioneve alarmiste i cili prodhon vetëm geto që nuk na nxënë dot, vetëm kur organizmat “zyrtare” të Islamit të braktisin profilizimin e tyre si anekse firmash ndërtimi, dhe t’i kthehen mecenatit të kulturës dhe mbrojtjes se traditës e natyrës në vend, vetëm atëherë mbase do të mund të shohim sesi shumica e heshtur muslimane e shqiptarisë vetvetiu do mbrojë dinjitetin e vet. Se feja dhe prejardhja janë dinjitet. Nuk mundet dot shumica e heshtur e muslimanëve shqiptarë të identifikohet me faktet e kryera që ofron retorika eksluziviste e qarqeve të ngushta klerikalo-komunitariste, me stërhollimet frikësuese të detajeve që i ofrohen para thelbit të mëshirshëm të Islamit, nuk mund të pranojë shumica e heshtur e muslimaneve shqiptarë te rrezikojë duke u identifikuar në këto kohë të turbullta me një avangardë që shpesh duket se vepron për interes të të tretëve larg nesh duke shpërfillur historinë dhe çështjen kombëtare. Sa kohë që lokomotiva e imamllarëve dhe veprimtarëve muslimanë nuk do tregojë haptas një itinerar të përgjegjshëm e te besueshëm, nuk ka për t’iu lidhur ndonjë vagon prapa. Dhe për të vazhduar me metafora mjetesh transporti, po kujtoj edhe hadithin fisnik i cili thotë se kur ata që gjenden në kuvertë të anijes, nuk u japin ujë atyre që janë në hambar, ata poshtë në hambar do shpojnë anijen për të pirë ujë deti, e anija e gjitha do të mbytet.
(…) Unë besoj shumë fort se qëllimi më i madh i dashakqinjve të kombit tonë, është që të përzënë muslimanët nga identifikimi me vendin, gjakun dhe gjuhën e tyre. Provokimet këtë qëllim kanë. Ne e dimë mirë se kush thotë që muslimanët shqiptarë janë kolonë. (Kolonë te sjellë nga turku apo kolonë e pestë e terrorizmit aziatik.) Kjo është dëshira e armiqve tanë historikë. Por nuk munden muslimanët shqiptarë ta pranojnë këtë, ata që e bënë shqiptarinë shqiptari, ata që i dhanë emrin nga gjuha kur'anore kombit të tyre (kaum), ata që krenarisht i dhanë formë historisë globale duke qenë pjesëtarë superiorë në qeverisje perandorake, ata që mbajnë dëshminë më të madhe të Islamit në Evropë. Nuk ka president apo shkrimtar apo gazetar apo futbollist që të mundet të turpërojë dot bashkëkombësit e vet, aq sa ata të turpërohen nga kombësia që kanë. Kam pasur fatin të njoh muslimanë anglezë, që ndonëse ultraminoritarë në një komb të krishterë, gjenin krenari islamike në kulturën dhe traditat e veta. Nuk e besoj dot se si ka mundësi që muslimani shqiptar të mërzitet me shqiptarinë, kur historikisht dhe aktualisht, t’i vijë mirë apo keq kujt të dojë, kudo në botë, përmendja e emrit “shqiptar” automatikisht nxjerr edhe mbiemrin “musliman”.
Shqipëria nuk mund të ketë kuptim pa muslimanët e vet, e po ashtu edhe muslimanët këtu nuk mund të kenë kuptim pa Shqipërine (nënkupto edhe Kosovën e ç'ka mbetur jashtë). Nëse dikujt nuk i besohet kjo le të shohë ku janë shqiptarët muslimanë të Greqisë sot.
Edhe sot si në fillim të shekullit të XX-të alternativat e muslimanëve shqiptarë janë tre: ajo e rahmetlinjve shejh Nuh Nexhatit, ajo e Hafiz Ibrahim Dalliut dhe ajo e Haxhi Qamilit (nesë kjo e fundit meriton të quhet e tillë). Ata që janë të mërzitur për gjendjen e fesë në Shqipëri, le të emigrojnë si shokët e shejh Nuhut, (të atit të Nasirudin Albanit), dhe Zoti u dhëntë sukses, siç u jep bijve të hixhretit në rrugën e Tij. Problemi është se nuk i pret më njeri kurrkund. Alternativa e dytë është të durojnë sprovat e kohës dhe të kontribuojnë për mirësinë në rrugë të Zotit, si bënë shokët e Hafiz Ibrahim Dalliut, komentuesit të parë shqiptar të Kur’anit, themeluesit të shkollave kombëtare, që u burgos nga të gjithë, që nga xhonturqit e deri nga komunistët për dashurinë ndaj fesë dhe popullit të vet. Besoj fuqimisht se nuk duhet quajtur alternativë ajo e Haxhi Qamilit, jo se ky i fundit është bërë sot në skenën shqiptare simbol i të keqes absolute, më shumë se Enver Hoxha, po për faktin se aventura e tij, dënuar nga dijetarët muslimanë të kohës, hapi rrugën për delegjitimimin e pandalshëm të muslimanëve në vend. Mjafton të lexojmë kujtimet e Hafiz Dalliut, të cilit ndjekësit e Haxhi Qamilit i shkulën dhëmbët, për të kuptuar sesi tiranasit e më gjerë banorët e Shqipërisë së Mesme morën stigmën e padrejtë si antikombëtarë e reaksionarë, duke u futur ne kategorinë e shqiptarëve te klasës B. Është e rëndësishme ta përmendim edhe joalternativën historike të fillimit të shekullit të kaluar, e cila demonstroi jo vetëm mosnjohje te ligjësive të reja, objektivisht obligative të modernitetit e shteti-komb, por edhe një mosnjohje teknike të balancës së forcave brenda e jashtë vendit.
Këto kohët e fundit, toni i padurimit dhe gjuha e forcës është dukur. Zëra të tillë arrij t’i kuptoj se nuk bartin përgjegjësi deri në fund për çka kumtojnë, por nga ana tjetër prapë mbeten trishtues sepse në një shkallë të zvogëluar deri në karikaturë më kujtojnë joalternativën aventureske që përmenda më sipër. Më shqetëson tolerimi qoftë edhe përmes heshtjes që i bëhet ideve të nxehta dhe gjuhës së forcës. Këto lloj procedimesh që u ngjajnë atyre të tifozëve të futbollit tregojnë qartë sesa larg qëndrojnë projektet e minoritetit avangardist nga ato të shumicës së shoqërisë. Edhe një herë përsëris se ka arsye pse shumica e heshtur e muslimanëve shqiptarë nuk mundet dot të identifikohet me modele të tilla. Kur vihet re se ka njerëz që debatojnë me një seriozitet te habitshëm për tema nga ato akademike e deri tek cytjet personale, por harrojnë të reagojnë energjikisht ndaj papërgjegjshmërive, kjo kthehet në një fajësim për të gjithë.
Nëntor 2006
(Postuar fillimisht në listën alb-muslimstudents)
Ervin Hatibi,
17.11.2006
-
-
KUR DO TË SHPËTOJË BASHKËSIA ISLAME NGA DHIMBJET POLITIKE?
Zgjedhjet e muajit Mars 2004 në Komunitetin Musliman të Shqipërisë ishin zgjedhje të rëndësishme në historikun e xhamisë sonë. Pas afro trembëdhjetë vitesh drejtimi të këtij institucioni përfaqësues të islamit shqiptar nga H. Sabri Koçi, muslimanët e Shqipërisë tashmë kanë një kryetar të ri të xhamisë së tyre, H. Selim Muçën. Muslimanët sunitë shqiptar ashtu si edhe sunitët e tjerë të botës e shohin legacinë e lidershipit të tyre shpirtëror nga profeti Muhamed a.s. Sipas kësaj tradite, për ata pas vdekjes së profetit, e drejta e lidershipit shpirtëror dhe politik të fesë islame i kaloi katër kalifëve të parë të islamit, Ebu Bekrit, Umarit, Osmanit dhe Aliut. Pas vdekjes së kalifit të fundit, hazreti Aliut për të cilin bektashitë festuan edhe Sulltan Novruzin përpara pak ditësh, lidershipi shpirtëror i botës islame u morr nga kalifët Umajadë të cilët sunduan në Damask nga viti 661 deri në 750. Në lidhje me këtë ngjarje në botën islame u krijua edhe përçarja që ekziston sot mes muslimanëve sunitë dhe shiitë. Ndërsa të parët e pranuan defakto marrjen e pushtetit shpirtëror të islamit nga Umajadët pas vdekjes së kalifit Ali dhe pranuan ti binden regjimit, të dytët i rezistuan kësaj ndarje dhe vendosën të mosnjohin pushtetin Umajad.
Megjithatë sundimi i umajadëve në oqeanin e madh islamik i cili shtrihej nga Pakistani e deri në Spanjë, i legjitimizuan umajadët si kalifë të botës islame mbi shumicën e muslimanëve. Edhe pse shumë prej tyre nuk ranë kurrë dakort me incidentin e Qerbelasë ku u martirizua edhe nipi i profetit Muhamed, Huseini në vitin 680, umajadët ishin ata që islamit i dhanë akses në qendrat më të mëdha të botës perëndimore. Në kohën e umajadëve muslimanët arritën të vendosin dhe absorvojnë kulturën helene, bizantine dhe gote-romane e cila në kohë e abasidëve do ta kthente botën islame në avangard të civilizimit botëror. Por incidenti i ardhjes së Muavijës në pushtet, do ti jepte botës islame dy rrymat e mendimit islamik të sotëm që janë Sunitët dhe Shiitët. Ky realitet është prezent edhe në Shqipërinë e sotme, ku ne muslimanët shqiptarë i përkasim dy shkollave kryesore të mendimit islamik: sunizmit të cilit i përkasin shumica e besimtarëve shqiptarë ky hynë sunitët hanefi dhe selefitë e vonshëm, sëbashku me nakshibenditë, bajramitë etj dhe shiizmit i cili përfaqësohet mes nesh nga bektashitë, rufaitë, halvetitë, alevitë etj. Megjithë ndarjet mbi idetë politike dhe praktikat fetare, muslimanët shqiptarë janë të një feje të vetme Islame, edhe pse disa qarqe të caktuara në Shqipëri kërkojnë ti ndajnë Sunitët shqiptarë nga Bektashianët, në mënyrë që ti sundojnë me lehtë dhe margjinalizojnë në politikë.
Moskënaqësia e muslimanëve me pushtetin e umajadëve çoi në vitin 750 familjen e Abasidëve që rridhte nga xhaxhai i profetit Muhamed, Abazi, të merrnin pushtetin e botës muslimane për 6 shekujt më të artë të historisë së Islamit. Abasidët që ndërtuan civilizimin e tyre magjepës në Bagdad, e shtrinë pushtetin e tyre në pjesën më të madhe të botës islame, duke nisur nga Irani e deri në Marok, përveç Spanjës e cila i qëndroi besnike pushtetit umajad deri në njëfarë kohe. Përveç arritjeve kulturore dhe qytetëruese, abasidët trashëguan legjitimacinë shpirtërore mbi botën Islame deri në vitin 1258 kur hordhitë mongole pushtuan dhe dogjën Bagdadin. Megjithatë abasidët që në këtë kohë u strehuan në Egjipt, mundën të ruajnë legjitimacinë e kalifatit shpirtëror mbi muslimanët Sunitë nën sunduesit Mamlukë të Egjiptit deri në vitin 1517.
Edhe pse sulltanët mamlukë të Egjiptit kishin pushtetin e kohës abasidët ruajtën shenjtërinë e trashëgimisë së sundimit shpirtëror mbi muslimanët sunitë, duke trashëguar, siç legjenda thotë, shpatën e Kalifit Umar, sanxhaku sherifin e profetit Muhamed dhe kopjet origjinale të Kuranit të Osmanit. Por lindja mbi rrënojat e Perandorisë Bizantine të shtetit Osman në shekullin e 14të, i cili në vitin 1453 arriti të përmbushë profecinë e Muhamedit, pra të çlirimit të Stambollit nga greko - bizantinët, bindi abasidët se koha kishte ardhur që Kalifatin e Botës Islame ta merrnin osmanët. Gjatë pushtimit të Kajros në vitin 1517 nga sulltan Selimi I, abasidët i dhuruan Javuz Selimit titullin e kalifit të trashëguar ngë profeti Muhamed, sëbashku me shpatën e kalifit Umar, kopjet e Kuranit të Osmanit dhe sanxhakun sherif të Profetit. Nga kjo datë e deri në vitin 1922 sulltanët osmanë do të ishin kalifët shpirtërorë të shumicës së botës sunite islame.
Nga Jemeni e deri në Indonezi, nga Iraku e deri në Shqipëri sunitët e botës do të kërkonin udhëzim shpirtëror tashmë nga Stambolli. Por edhe pse sulltanët osmanë duke filluar nga Selimi I nuk patën shumë pozitë mbi titullin kalif dhe preferonin të quheshin sulltanë, ishte institucioni i shejhulislamit apo kryemyftiut të perandorisë osmane ai që do të administronte pushtetin e kalifit shpirtëror për botën muslimane sunite. Për këtë arsye në faqet e historisë osmane ne mësojme se që nga ditët e Selimit I e deri në vitin 1922 deklaratat për luftë dhe paqe dhe çdo çështje fetare të perandorisë osmane duhej të merrnin aprovimin e ulemave osmanë dhe shejhulislamit i cili do të kthehej tashmë në Papën e botës Islame dhe jepte fetvanë për xhihad apo paqe. Posti i shejhulislamit sunit ishte aq i rëndësishëm sa që në kohën e sulltan Mehmet Fatihut, kur Enea Silvio Pikolimini apo përndryshe Papa Piu II i propozoi sulltan Fatihut të bëhej katolik dhe Papa do ti hapte dyert e Evropës dhe shpallte perandor roman, sulltani i ofroi Papës të bëhej musliman. I tillë Papa do të gjente fenë e vërtetë dhe sulltani do ta bënte shejhulislam të botës. Pushteti i shejhulislamit Osman ishte aq i rëndësishëm në botën sunite sa që në erën e sulltan Selimit I kur i fundit donte të islamizonte me pahir të gjithë shtetasit e tij, ishte shejhulislami ai që ndaloi këtë marrëzi të sulltanit pasi kjo shkonte kundër urdhërit të Kuranit që ndalon dhunën në fe.
Copëtimi i perandorisë osmane në Ballkan dhe Lindjen e Mesme në vitin 1913 ishte një nga dilemat e para që bota muslimane sunite do të përjetonte në administrimin e saj që nga koha e profetit Muhamed. Për këtë arsye fetvaja që shejhulislamët osmanë lëshuan për muslimanët ballkanas dhe ata arab në këto vite, kur të fundit kishin rënë nën sundime të huaja apo shtete kombëtare, ishte që ata të themelonin "dijanetet" apo "meshihatet" apo "komunitetin" e tyre musliman. Me pak fjalë xhamitë e tyre nacionale. Me këtë fetva që kishte edhe bekimin e kalifit, muslimanët shqiptarë themeluan në vitin 1913, për ta konsoliduar në 1923 Komunitetin Musliman Shqiptar. Ky komunitet i krijuar sipas fetvasë së institucionit të shejhulislamit dhe kalifit Osman kishte të gjitha mundësitë për të qënë organizmi legjitim përfaqësues i realiteteve te reja të muslimanëve sunitë shqiptarë dhe të tjerë, të cilët në kundërshtim me shiitët nuk patën kurrë fatin në
histori të rrojnë pa kalifin e tyre shpirtërore, përveç disa rastesh kalimtare.
Por zhdukja e institucionit të kalifit islam në Stamboll në vitin 1923 e la botën sunite islame pa një qendër të sajën. Pa një Vatikan apo patriarkanë ortodokse, të cilën sulltan Mehmet Fatihu me aq mençuri ia ruajti ortodoksisë botërore, dhe për të cilën perëndimi vuan ta gjej sot kur kërkon dialog me islamin. Megjithatë rastet e Bashkësisë Islame të Kosovës apo Meshihatit të Bosnjes kanë qënë raste përgjithësisht pozitive mbijetese të muslimanëve ballkanas në konfrontimet e tyre me regjimet pushtuese apo aparatçikët antimuslimanë të kohëve. Në veçanti, Meshihati i Sarajevës ka qënë aq i suksesshmën në historinë moderne ballkanase sa që nga dyert e tij kanë dalë sa e sa intelektualë me famë boshnjakë.
Por rasti i Komunitetit Musliman të Shqipërisë nuk është edhe aq i suksesshëm. KMSH-ja jonë, siç e kam theksuar edhe në shkrime të tjera, ka parë vazhdimisht presione policore, ushtarake dhe ideologjike nga regjimet që kanë sunduar Shqipërinë në këto 91 vitet e fundit. Duke përfaqësuar shumicën e besimtarëve shqiptarë regjimet e kanë ndrydhur atë historikisht, dhe detyruar të jetë sa më korekt politikisht. Kjo kërkese për 'korektësi maksimale politike' mbush plot faqe në historinë e xhamisë sonë. Që nga epoka fashiste, naziste, komuniste etj dhe deri në ditët e sotme. Kjo u vu re edhe gjatë sundimit të Berishës nga viti 1991 deri në 1996. Në mitingjet e PD-së dilte gjithnjë Hoxha Sabri që mallkonte opozitën. Dhe siç është përsëritur në shumë raste me historinë tonë, kryqëzata Nanoiste kundër Berishianëve nga 97'a e këtej ra edhe mbi sunizmin shqiptar. Kjo kryqëzatë ndjehet edhe sot në mediat tona në trajtimin që ato i bëjnë kuadrove
potencialë të KMSH-së apo çështjeve të brendshme të xhamisë sonë, në të cilat jo rrallë merr pjesë edhe palikari i Janollatosit, Fatos Nano, si në rastin e grabitjes së namazgjasë së Elbasanit.
Ndërhyjra e politikës kohore në xhaminë tonë, mund të shihet edhe në platformën që Hoxha Selim Muça i paraqiti xhematit shqiptar për zgjedhjen e tij. Pika numër 1 e platformës së Selim Muçës nuk ishte përkrahja për fashizmin siç do të kishte qënë në vitet 1940, as mallkimi kundër Nanos si në fillimvitet 1990, por aleancimi dhe zotimi i Hoxhë Selimit për luftën kundër terrorizmit që SHBA-të sëbashku me kryeministrin tonë ortodoks kryejnë për të pushtuar shkretëtirat vajgurore të Arabisë.
Edhe pse muslimanët shqiptarë e kanë të qartë se regjimi i kohës nuk do t'iu lejojë atyre kurrë të ndërtojnë një Xhami të pamvarur, siç Janollatosi ka bërë sot me Kishën e tij dhe Vatikani me të vetët, çfarë muslimanët shqiptarë urojnë në këto ditë historike të xhamisë sonë, është që KMSH-ja jonë të ruajë sa më shumë demokracinë e saj të brendshme dhe integritetin publik. Asaj i nevojitet një spastrim i brendshëm nga figurat e përfolura, reformim, integrim në të i akademikëve, ndërtimi i strukturave moderne, llogaridhënie përpara popullit për aferat e saj, ndërtimi urgjent i një xhamie kombëtare në qendër të Tiranës që do të përmbushë nevojat e besimtarëve të cilët vuajnë nga ideja se ortodoksët dhe katolikët minoritar po ndërtojnë tempuj masiv ndërsa ata qëndrojnë në vend numëro, dhe integrim në atë i të gjithë hoxhallarëve shqiptarë. KMSH-ja nuk duhet të diskriminojë asnjë hoxhë tonin edhe nëse ai është shkolluar në Jemen, Liban, Libi,
Arabi edhe pse kjo nuk mund ti pëlqej ndonjë zëdhënësi sorrist në Tiranë.
Besimtarët shqiptarë tashmë kanë arritur pjekurinë e tyre, dhe siç ata dëshmuan në mbledhjen e KMSH-së në këtë Mars 2004, dinë sesi të denoncojnë banditët brenda xhamisë sonë dhe kundër tyre të ngrejnë komisione hetimore dhe të kërkojnë shkarkime dhe ndjekje penale. Konsensusi që palikarët e regjimit i dhanë Selim Muçës për kryehoxhën tone kësaj radhe nuk është i keq në përgjithësi. Hoxha Selim është një njeri besimtar, ndaj të cilit besimtarët kanë shumë shpresa për rilindje në xhaminë tonë kombëtare.
Përpara KMSH-së sonë sot qëndrojnë shumë probleme si a) ruajtja e pamvarsinë dhe autoqefalinë të xhamisë sonë nga politika e ditës, klanet mafioze brenda dhe jashtë saj dhe orvatjet e politikave globale për t'iu mësuar shqiptarëve fenë, b) të kthejë KMSH-në në një xhami gjithëpërfaqësuese të shqiptarëve c) të kthejë dinjitetin e shqiptarëve musliman në arenat shqiptare dhe ndalojë abuzimet mediatike dhe politike kundër tyre. Dhe finalisht të forcojë ndjenjat fedashëse të popullit tonë. Këtu KMSH-së i del përpara detyra e punimit me urdhërat e tjerë islame të Shqipërisë dhe kthimi i saj në një umbrellë për islamin tonë, i cili duhet të ndjelli krenari për shqiptarët që bombardohen prej 12 vitesh me idetë rikonkuistadore të qarqeve antishqiptare dhe antimuslimane të këtij vendi të cilat klithin për konvertim të shqiptarëve në fenë e Romës apo të Athinës. Pas zgjedhjeve të Marsit 2004 KMSH-ja jonë ka hyrë në ditë historike ndryshimi. Është në dorë të drejtuesve të saj të rinj të legjitimizojnë xhaminë tonë sot përpara popullit dhe Zotit apo të vazhdojnë në rrugët e humbjes dhe turpit që ajo ishte përpara pak muajsh.
Olsi Jazexhi
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt