Energjia, 8 premtimet e pambajtura të Ekzekutivit.
Qeveria ka mbetur në klasë për sa u përket detyrave që ajo i kishte vënë vetes lidhur me zgjidhjen e problemit disavjeçar të mungesës së energjisë. Edhe pse ka hyrë në vitin e dytë të mandatit, ekzekutivi i koalicionit të djathtë ka dështuar në të gjitha pikat e programit, ku parashikoheshin hapat e zhvillimit në sektorin e energjisë. I shpallur si mandati i "luftës kundër errësirës", në mbyllje të vitit të dytë të qeverisjes, mazhoranca jo vetëm që nuk ka mundur të reduktojë orët e kufizimeve, por i ka shtuar ato në krahasim me një vit më parë. Premtimet e pambajtura janë të shumta, dhe sipas të gjitha gjasave do të klasifikohen në dështimet flagrante të kabinetit "Berisha". Në programin e qeverisë thuhet se "energjia nuk do t‘i mungojë asnjë familjeje dhe asnjë biznesi kudo qofshin ata dhe pa diskriminim. Do të synohet që brenda vitit 2007 të garantohet furnizimi i pandërprerë i energjisë elektrike, objektiv ky që do të sigurohet nëpërmjet kryerjes së reformave të thella dhe investimeve prioritare në këtë sektor". Ky premtim ka rënë automatikisht poshtë që në ditën e parë të vitit 2007, ku kufizimet e energjisë kanë qenë të pranishme në të gjithë vendin dhe sipas të gjitha gjasave, 2007 do të shënojë krizën më të rëndë energjetike pas elektrifikimit të vendit. Një tjetër pikë e programit qeverisës thotë se "do të eliminohen furnizimet diskriminuese rajonale të praktikuara në këto vitet e fundit nga KESH-i dhe qeverisja socialiste", premtim ky që është shkelur në mënyrë flagrante për sa kohë në qytetin e Gjirokastrës, njëkohësisht zonë elektorale e ministrit të Energjetikës Genc Ruli, nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike, ndërkohë që në zona të thella kufizimet shkojnë deri në 18 orë. Një angazhim tjetër i qeverisë thotë se "brenda vitit 2006 do të instalohen matësat në të gjithë vendin e për rrjedhojë do të marrë fund brenda vitit 2006 faturimi aforfe". Edhe ky premtim ka dështuar, për arsye se nuk ka përfunduar ende vendosja e matësve dhe faturimi aforfe vazhdon akoma dhe sot. Në një tjetër pikë të programit thuhet se "do të zvogëlohen në minimum humbjet joteknike dhe do të rriten arkëtimet në mbi 95% nga rreth 88% që ishin ato në vitin 2004". Edhe këtu qeveria nuk e kalon klasën, pasi humbjet teknike dhe jo teknike jo vetëm që nuk janë zvogëluar, por janë rritur me 2% duke shkuar në 37 për qind të energjisë së prodhuar. Qeverisë i mbetet që në dy vitet e ardhshme të përmbysë të gjitha parashikimet e deritanishme dhe të mbajë premtimet edhe pse në dy vitet e para të saj nuk ka bërë asgjë nga ato që ka pasur në dorë.
Premtimet dhe realizimi
24 orë drita në 2007-ën i pambajtur
Eliminim i diskriminimeve i pambajtur
Instalim i matësve në 2006-ën i pambajtur
Eliminim i faturave aforfe i pambajtur
Zvogëlim i humbjeve në rrjet i pambajtur
Import i mjaftueshëm i energjisë i pambajtur
Çmim i leverdishëm i energjisë i pambajtur
Investime të thella i pambajtur
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt