(Marre nga Shekulli)

Ministrat e kulturës nga Serbia, Kosova e Shqipëria janë takuar në Tiranë për trashëgiminë e kulturore. Kthimi i objekteve arkeologjike Kosovës nga Serbia ishte dhe një nga pikat kryesore të diskutimit në takimin e ministrave shqiptar Bujar Leskaj, kosovar Astrit Haraçija dhe atij serb Dragan Kojadinovic. Palët ranë dakord që “ritadhesimi” i objekteve me vlerë të trashëgimisë kulturore të fillojë në janar të vitit 2007.

Ministrat vlerësuan se pa një integrim kulturor mes vendeve të Rajonit nuk mund të ketë integrim në familjen evropiane. Ata ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore e muzeale, si baza për konsolidimin e marrëdhënieve ndërkulturore. “Kultura është e para që duhet të na bashkojë” tha ministri Leskaj i cili vuri në dukje se Shqipëria, Kosova e Serbia kanë tradita të përbashkëta dhe trashëgimi të pasur kulturore.

Ministri Haraçija theksoi se në këtë moment është e nevojshme dhe kërkohet mbështetja e qeverisë së Beogradit për rikthimin e vlerave kulturore të Kosoves, si një ndër kushtet bazë të plotësimit të standardeve për statusin. Ndërsa ministri serb Kojadinovië tha se politika nuk duhet të pengojë ekspertët për bashkëpunimin kulturor dhe vlerësoi faktin se shumë tabu janë thyer mes tri vendeve. Ai bëri të ditur se për bashkëpunimin kulturor mes Kosovës e Serbisë qeveria e Beogradit ka ngritur një fond të posaçëm ku vend të veçantë zë rikonstruksioni i objekteve të kultit në Kosovë.

Gjatë takimit ministri Bujar Leskaj propozoi mbajtjen e ditëve të kulturës serbe në Tiranë vitin e ardhshëm ku prioritet do t’i jepet shkëmbimeve kulturore në fushën e bibliotekave, galerive dhe aktiviteteve muzikore. Në këtë pikë të dy ministrat u angazhuan për përshpejtimin e punës së dy ministrive të kulturës për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor.