Sipas ekspertëve, një punë që nuk ka lëvizje zakonisht ndikon negativisht në organizmin tonë dhe sidomos në peshën tonë. Më poshtë ju do të njiheni me një guidë të detajuar për të humbur disa kilogramë edhe duke ndenjur ulur në skrivani

Çdo tri orë, hani diçka

Nëse gjatë ditës nuk hani aq sa duhet, zakonisht përfundoni në darkë shumë të uritur, ku gjendeni të paaftë për t‘i rezistuar patateve të skuqura. "Koncepti i tri vakteve tradicionale në ditë tashmë nuk ekziston më. Madje, nuk duhet të rrish më shumë se tri orë pa ngrënë asgjë", tregon Ian Marber, dietolog. Kështu që mes vakteve ose në zemër, zgjidhni të hani një mollë, fruta të thata ose karota. Në këtë mënyrë, do të keni energjinë e duhur për të bërë pak aktivitet fizik në darkë. Simon Waterson, trajnuesi personal i yjeve këshillon një gjë të lehtë si një frape ose një banane, një orë para aktivitetit.

Stresi i takimeve

Në varësi të organizimit, stresi ndikon ose në shtim ose në pakësim peshe. "Stresi lëshon hormone si cortsioli dhe adrenalina, të cilat rrisin nivelin e glukozës", shpjegon Ian Marber. "Nëse kjo energji nuk përdoret, mblidhet në formën e yndyrnave". Subjektet që rrezikojnë? Në mënyrë të çuditshme gratë e dobëta.

Dietologu këshillon për këtë shëndet të padëshiruar: aktivitet fizik, meditim dhe aktivitet seksual, por edhe një dietë të pasur me vitamina C, B5 dhe magnezium(i pranishëm te zarzavatet, te drithërat, frutat e detit, arrat dhe lajthitë). Të gjitha këto ndihmojnë për të rregulluar nivelin e adrenalinës. Pa harruar edhe gjumin, i cili është relaksi më i mirë i trupit dhe i gjithë organizmit.

Kush fle pak është i destinuar të shtojë në peshë

Një studim i realizuar nga universiteti "Chigago" tregon se kush fle 4 orë gjumë, qoftë edhe për dy net në vazhdim, bën që të ndodhë një përzierje e substancave kimike, të cilat ndikojnë direkt në peshë. Nivelet e leptinës, të cilat kontrollojnë ushqimin rriten në 20 për qind, ndërsa substancat kimike të cilat paralajmërojnë urinë shtohen në po të njëjtën përqindje. Ndër të tjera, një studim i realizuar nga universitetit "Columbia" tregon se njerëzit të cilët flenë katër orë në natë kanë 73 për qind më shumë mundësi që të shëndoshen në krahasim me atë të cilët flenë nëntë orë. Kështu që për të pasur një trup perfekt, duhet të mbani një linjë të caktuar: 8 orë janë ideale.

Bëni pushim

"Nuk ka dyshim se po të hani diçka dhe po të bëni pauza të ndryshme gjatë ditës, do të jeni më produktivë", thotë Carl Honore, autor i librit bestseller "In praise of Slow". "Por zakonisht, njerëzit e përdorin këtë pauzë për t‘u rehatuar në karrige dhe për të ngrënë diçka që e kishin porositur më parë. Është mirë që kohën që keni caktuar për çlodhje mendore t‘ia dedikoni vetëm kësaj gjëje". Këshilla e dietologut është: "Lëreni punën dhe shkëmbeni ndonjë llaf me kolegun tuaj, duke bërë një xhiro të shkurtër në oborrin e ndërtesës së punës suaj. Nëse keni me të vërtetë uri, merrni ndonjë gjë të lehtë si banane ose fruta të thata, të cilat lëshojnë energji gradualisht në vend të vaktit klasik të kafes dhe biskotave".

Në 6 orë punë në zyrë, digjen vetëm 600 kalori

Që është më pak me atë që konsumohet në një orë noti. Shumë pak sigurisht. "Nëse punën e keni të mbyllur dhe pa asnjë mundësi për të lëvizur, bëni mirë që ta planifikoni ditën tuaj duke u marrë pasditeve me aktivitete sportive. E nëse nuk e keni edhe këtë luks, atëherë për të mbijetuar në zyrë është mirë që sapo të çoheni nga karrigia të bëni ushtrime duke lëvizur trupin", tregon trajnuesi personal, Simon Waterson. "Kjo është e barabartë me "ngrohjen e motorit", i cili duhet të punojë gjithë ditën".

Tri arsye të mira për të bërë gjimnastikë para se të shkoni në punë?

Së pari: "Pas gjimnastikës, do të ndiheni më mirë si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo mendore", thekson Waterson.

Së dyti: "Ju shkathtëson" dhe së treti, ju ndihmon që të mbani nën kontroll ushqimin. Kjo ua u bën më të lehtë refuzimin e tentativave klasike.

Kush e fillon mirë ditën...

Asnjëherë mos harroni pa ngrënë mëngjesin, sepse jeni vonë për punë. Rreziku është se nga nxitimi dhe uria më pas do të merrni një briosh dhe të bëheni "të varur nga karbohidratet", sepse dihet se një karbohidrat tërheq tjetrin. "Nëse e nisni ditën me shumë karbohidrate, do të futeni në një rreth vicioz nga ku është e vështirë të dilni. Rreth orës 11:00 do ta gjeni veten duke ngrënë prapë gjëra të ëmbla", shpjegon Marber. Truku është i lehtë: konsumoni proteina në mëngjes për të ekuilibruar nivelin e sheqerit në gjak. "Ata të cilët hanë në mëngjes çerealë, kos dhe dy feta proshutë ose një vezë të zier e kanë më të vështirë që gjatë ditës të kërkojnë biskota. Bëni mirë që në sirtarin e skrivanisë tuaj të mbani fruta për çdo emergjencë".

Zakone të dashura, por të jo të mira

Bëhet fjalë për kafenë me biskota, apo festat e ditëlindjes, të cilat festohen në zyrë, të cilat kanë një rit të pashmangshëm me ushqimin. Përse nuk arrijmë t‘u themi jo?

"Është aftësia për t‘u përshtatur në vendet e caktuara të punës. Askush s‘do që të prishë traditën", tregon psikologu i ndërmarrjeve, Robert Yeung. Si t‘ia bëjmë? Yeung sugjeron që të shfaqni një imazh të mirë para kolegëve tuaj. "Rezistoni dhe mësoni të thoni jo. Nëse nuk u pëlqen torta, mund ta lini në pjatë. Nuk do ju vë re askush".

Brenda zhurmave

Zile telefonash, mesazhesh... Besojeni ose jo, edhe zhurmat mund t‘ju shëndoshin. Doktoresha Laura Klein(studiuese në universitetin e "Penn State" në Pennsilvani) ka realizuar eksperimentin e mëposhtëm. U ka kërkuar 29 burrave dhe 34 grave që të formojë puzzle në dhoma të ndryshme. Një pjesë e tyre ishin vendosur në kushte përqendrimi optimal: qetësi e plotë, pjesa tjetër ishin të vendosur në një dhomë të zhurmshme ku punonte një trapan. Gjatë formimit të puzzle-it, doktoresha u ofroi të dyja grupeve nga një ushqim të lehtë. Vuri re se grupi që ishte vendosur në dhomën e zhurmshme, hëngri më shumë në krahasim me pjesën tjetër. Ndër të tjera, grupi që ishte vënë në dhomën e zhurmshme kërkonte më tepër ushqime me yndyrë si: patate, djathë dhe çokollatë. Kjo u vu më tepër re te gratë.

"Në jetën e përditshme, gratë gjenden shpeshherë përballë stresit dhe zakonisht, hanë më shumë se burrat. Pas një jave rraskapitëse, ato e gjejnë çlodhjen tek ushqimi i shumëllojshëm që bëjnë në fundjavë", shpjegon Klein.

Kështu që bëni mirë, që telefonin ta mbani pa zile, si dhe ta lini atë në zyrë teksa bëni pushimin e drekës.

Truke antiushqim

Po proteinave që në mëngjes.

Në vend të kafes, pini një gotë çaji jeshil.

Mbani gjithmonë me vete fruta të thata(bajame, arra ose lajthi) për të marrë një energji të lehtë

Pini shumë ujë gjatë ditës. Gjashtë gota janë ideale për hidratimin perfekt.

Jo vetëm ushqimi mund të jetë shkarkuesi i energjive tuaja negative. Provoni të shikoni një bimë ose një lule. Disa studime kanë treguar se të përqendroheni te diçka pozitive, është mënyra më e shpejtë për t‘u ndier mirë dhe për të ecur me ritmin e duhur.

Gazeta SHQIP