Kryeministri i Bavarisë, për herë të parë në Tiranë në vitin 1984
Djemtë e Shtrausit: Të pathënat e vizitave në Shqipëri
Afrim Imaj
“Do të shkonim për pushime në Greqi dhe duhej të përshkruanim rrugën nëpër territorin shqiptar. Për herë të parë na krijohej mundësia për të parë Tiranën dhe menduam të qëndrojmë aty së paku disa orë.
Por ndodhi që vizita private të merrte karakter zyrtar nga autoritetet vendase dhe kjo na detyroi ta zgjasnim atë disa ditë”. Zbardhet më në fund misteri i vizitës së kryeministrit të Bavarisë në Shqipëri në mesin e viteve ‘80. Për herë të parë dy djemtë e Josef Shtrausit, Max dhe Franc Shtraus rrëfejnë për gazetën “Panorama” të vërtetën për mbërritjen e babait të tyre në vendin tonë, në verën e vitit 1984. Dëshmia e tyre u jep fund dilemave dhe komenteve të shumta të konsumuara qysh atëherë e deri më sot, sidomos nga ish-krerë të politikës komuniste, që deshën ta kanalizonin si një kontribut të tyre. Shtraus ishte i pari personalitet i lartë i Evropës Perëndimore, që vizitonte Shqipërinë qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Ngjarja e rrallë do të trajtohej nga propaganda komuniste herë si shprehje e interesimit të autoriteteve zyrtare gjermane për vendin tonë, herë si sukses i diplomacisë shqiptare për të tërhequr investimet perëndimore. Në varësi nga rrjedha e bisedës në takimet e drejtuesve shqiptarë me mysafirin special, orientohej jehona e vizitës, ku njëherazi me optimizmin për “suksesin e politikës komuniste” shfaqej edhe vrazhdësia nga pakënaqësitë që krijonte një lloj këmbëngulje e Shtrausit për të bërë lëshime, sidomos në qëndrimin ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut. Por, kryeministri bavarez është bindur në vendosmërinë e palëkundur të autoriteteve vendasve për të mos “lëshuar pe” në konseguencën ndaj marksizëm-leninizmit dhe ka vijuar me kortezinë e takimeve, duke u mjaftuar aty këtu me ndonjë rekomandim dashamirës për zhvillimin e Shqipërisë.
“Unë nuk mundja që për pak kohë ta demokratizoja Shqipërinë, ashtu sikundër as shqiptaria nuk kishte si të më komunistizonte mua”.
Duke iu kthyer këtij reflektimi të Shtrausit, pas vizitës në vendin tonë, dy djemtë e tij pohojnë më tej shqetësimin e të atit për barrierat e pakuptimta që parashtronin zyrtarët shqiptarë gjatë takimeve me të. Mesazhet konstruktive e miqësore që ofroi Shtrausi gjatë tre vizitave në Shqipëri, vënë në dukje djemtë e ish-kryeministrit gjerman, të cilët kanë qenë të pranishëm në to jo vetëm nuk u deshifruan qartë, por u keqinterpretuan në mënyrën më vulgare. Për ta, shqiptarët humbën një shans jo të vogël në vigjiljen e proceseve demokratike që do të përfshinte në atë kohë Evropën Lindore...
Max dhe Franc Shtaus i janë përgjigjur pozitivisht interesimit të “Panorama”-s për të sjellë retrospektivën e vizitave të të atit në Shqipëri. Pas kontaktit me ta me postën elektronike, vëllezërit Shtraus kanë preferuar ta zbardhin historinë e vizitave të të atit në Shqipëri nëpërmjet një komunikimi të drejtpërdrejtë. Dhe kanë udhëtuar nga Gjermania në Tiranë falë përkujdesjes së mikut të tyre Klaus, kreu i misionit të PAMEG-ës në Shqipëri. Pastaj kanë mundur të rrëfejnë me detaje gjithçka nga vizita e atit të tyre në vendin tonë në mesin e viteve ‘80. Bashkëbisedimi ka rrjedhur qetë e natyrshëm. Të shkujdesur në pamje të parë, djemtë e ish-kryeministrit të Bavarisë duken të ndjeshëm e të vëmendshëm në atë që tregojnë dhe përpiqen të jenë të saktë në ndodhitë dhe problematikën e vizitave të bujshme të babait të tyre në Shqipëri. Të indinjuar nga varianti i një zyrtari ish-komunist, i cili e ka vlerësuar vizitën e Shtrausit produkt të nismës dhe përkujdesjes të Tiranës zyrtare, qysh në fillim pohojnë se janë gjendur me Shtrausin në vitin 1984 në Shqipëri krejt rastësisht, duke udhëtuar tranzit për në Greqi.
Teksa këmbëngulin për mos ta vënë këtë në diskutim, kujtojnë se momenti i vizitës së parë në Shqipëri kishte të bënte me një ngjarje të rëndë në familjen e tyre. “Ishte vdekja e papritur e nënës shtysa e vizitës në Greqi, e për pajojë edhe në Shqipëri”, shtojnë ata, duke kujtuar momentet para nisjes atë ditë të nxehtë gushti për në vendin tonë. Më tej, në rrëfimin e tyre shpalosen mbresat nga kontaktet e para me pamjet nga Shqipëria, nga bisedat e takimet me drejtuesit e lartë dhe njerëzit e thjeshtë, nga dialogët me shoqëruesit dhe përkthyesit e deri te shija e menysë që servirnin për ushqim punonjësit e rezidencave qeveritare...
Ju keni shoqëruar zotin Shtraus në vizitën e parë në Shqipëri. A e mbani mend kohën në të cilën u gjendët në vendin tonë?
Max: Ishte vera e vitit 1984. Më saktë muaji gusht...
Franc: Ka qenë data 21 gusht kur kemi mbërritur në Shqipëri.
Si lindi ideja që kryeministri i Bavarisë, ky personalitet i lartë, të vizitonte një vend komunist si Shqipëria, ku qysh pas Luftës së Dytë Botërore Tiranën nuk e kishte vizituar asnjë politikan perëndimor?
Max: Vizita e babait tonë në Shqipëri ishte thjesht një rrugëkalim tranzit, një impenjim privat dhe asgjë më shumë. Ishte verë dhe duhej të pushonim si gjithnjë. Këtë herë për arsye familjare zgjodhëm të pushojmë në Greqi. Nuk deshëm të shkojmë si gjithnjë në Francë, ku kishim vilën tonë në bregdet. Sa kishte ndërruar jetë papritur nëna jonë dhe babai mendoi ta ndryshonte mjedisin e pushimeve, për t’iu larguar paksa momenteve trishtuese të shkaktuara nga tragjedia familjare.
Franc: Ishte pra ideja e babait për të bërë diçka ndryshe, gjë që do të thoshte se nuk do të pushonim në vilën tonë në bregdetin jugor të Francës, por në një vend tjetër. Mesa dukej babai kishte zgjedhur për të pushuar Greqinë.
Pra, duhej të pushonit në Greqi dhe u gjendët në Shqipëri...
Max: U gjendëm në Shqipëri krejt rastësisht, në një udhëtim tranzit. Shqipëria ndodhet në mes të rrugës Mynih-Igumenicë, ku ishte destinacioni ynë përfundimtar. Duhej të kalonim në territorin shqiptar, për të mbërritur aty ku kishim menduar për të pushuar. Babai donte që të rrinte vetëm një ditë këtu, të ecte me makinë, të vëzhgonte mjedisin, ta kalonte Shqipërinë vetëm në harkun e 24 orëve. Kjo ishte dëshira e tij për atë moment. Po këtë dëshironim edhe ne. Kalimi nëpër Shqipëri do të ishte kështu edhe një rast i mirë për të parë profilin e një vendi komunist, siç ishte ajo asokohe...
Çfarë përshtypjesh kishit para vizitës së parë në Shqipëri?
Max: Ajo që dinim, së paku ne djemtë e kryeministrit të Bavarisë, ishte imazhi i një vendi të bunkerizuar. Pika më e errët e komunizmit! Kjo ishte përshtypja jonë e përgjithshme për Shqipërinë. Një vend pra stalinist, me një diktaturë nga më të egrat në Evropë dhe me një varfëri të jashtëzakonshme. Dinim gjithashtu që aty mbretëronte diktatori Enver Hoxha dhe vetëm kaq...
Po zoti Shtraus a kishte njohje më të hollësishme për Shqipërinë dhe situatën në të?
Franc: Ai e njihte Shqipërinë ndër të tjera edhe nga disa informacione të shërbimeve sekrete, por siç thoshte shpesh, ngjarjet që kishin të bënin me të në atë periudhe nuk paraqisnin ndonjë interes të veçantë. Shkurt, ishte indiferent dhe nuk priste ndonjë ndryshim nga zhvillimet në Shqipërinë staliniste.
Çfarë ju kujtohen nga parapërgatitjet për të siguruar vizitën në Shqipëri?
Franc: Këtë herë, ndryshe nga rastet e vizitave të tjera, procedura e udhëtimit për në Shqipëri u vlerësua disi delikate. Kjo për sa i përket imazhit që kishte atëherë perëndimi për Shqipërinë. Ne mund të shkonim në Greqi ku kishim vendosur për të pushuar edhe me avion, por gjithnjë në raste të tilla rrugëtimet i bënim në linjat tokësore, madje me “Benz”-in tonë të hapur, tip sportiv, që babai e përdorte sa herë niseshim për diku familjarisht.
Max: Më kujtohet pasditja kur u ulëm në zyrën e babait dhe filluam të planifikojmë vizitën që do të bënim në Greqi, ku do të kalonim pushimet verore. Vështirësia jonë e parë, pengesa jonë e parë ishte Shqipëria. Lidhur me këtë, babai kishte thirrur në zyrë dy këshilltarët e tij, të cilët e orientonin për rrugëkalimin që do të bënim duke përshkuar territorin shqiptar. Njëri prej tyre, zoti Filer, i tha babait se nuk kishim shanse që të kalonim nga Shqipëria dhe i rekomandoi për të kaluar nga Ohri, pa u futur fare në territorin shqiptar. Babait nuk i pëlqeu kjo ide dhe i tha për të komunikuar me ambasadorin e Shqipërisë në Vjenë, i cili mbulonte edhe Gjermaninë, për të plotësuar procedurën përkatëse. I thoni atij, porositi babai, do të na japi apo jo leje që të kalojmë nëpërmjet Shqipërisë. Dhe kështu u vendos për të zgjedhur kalimin nëpërmjet Shqipërisë...
Cili ishte reagimi i ambasadorit shqiptar për lejen e kalimit nëpër territorin shqiptar?
Max: Zoti Filer komunikoi me ambasadorin shqiptar në Vjenë dhe i tha që kryeministri i Bavarisë do që të bëjë një vizitë në Shqipëri. Përse do të shkojë në Shqipëri, i tha ambasadori shqiptar në mënyrë arrogante, duke lënë të kuptojë se nuk ishte i predispozuar për t’i hapur portën Shtrausit. Pasi zoti Filer këmbënguli për të siguruar procedurat nga diplomati shqiptar, nga ana e bashkëbiseduesit nuk u ofrua asnjë zgjidhje, madje u la të kuptohej se Shtrausi në Shqipëri ishte i padëshirueshëm.
Përfundimisht, ambasadori nuk e dha lejen e kalimit për zotin Shtraus?
Max: Kërkesa e zotit Fëler ndaj ambasadorit shqiptar në Vjenë për lejen e kalimit nëpër territorin e Shqipërisë të Shtrausit dhe hezitimi arrogant i diplomatit shqiptar, mesa mbaj mend, i përket ditës së premte, diku nga mbrëmja. Ndërkaq, ditën e hënë, ende në mëngjes, ambasadori shqiptar, që mesa kuptohej kishte komunikuar me shefat e tij në Tiranë, mori në telefon nga Vjena zotin Filer dhe i pohoi se kryeministri i Bavarisë është shumë i mirëpritur në Shqipëri. Domethënë një kthesë 180 gradë.
Me se lidhej kjo kthesë e papritur e diplomatit shqiptar?
Max: Me siguri që dikush nga shefat e tij në Tiranë shikonte diçka më tej se vështrimi i errët i syve të tij. Dhe ndodhi që ai diplomati i akullt e prepotent të bëhej vetëm për 48 orë një njeri i përzemërt e shumë bujar. Sidoqoftë, fakti që dikush e kishte qortuar për sjelljen e çasteve të para, për Shtrausin ishte një mesazh domethënës...
Gjatë aplikimit që bëtë në ambasadën shqiptare në Vjenë si e motivuat vizitën në Shqipëri?
Franc: Aplikimi ynë pranë autoriteteve shqiptare kishte të bënte vetëm me një udhëtim tranzit nëpër Shqipëri. Këtë ua bëmë të qartë edhe zyrtarëve konsullorë. Asnjë qëllim tjetër pra nuk u thamë për vizitën tonë.
Dhe pas kësaj peripecie procedurale u nisët. Kur mbërritët në Shqipëri?
Max: Më në fund, pas kësaj peripecie të rëndomtë, një ditë gushti të vitit 1984 mbërritëm në pikën kufitare të Hanit të Hotit të Shqipërisë. Ishim të tre në një makinë “Benz” të hapur nga lart. Të tre ishim të veshur me pantallona të shkurtra.
Edhe babai, zoti Shtrauz, me pantallona të shkurtra...
Franc: Sigurisht, edhe babai ishte i veshur me pantallona të shkurtra.
Thashë që rrugëtimi kishte të bënte me pushimet verore dhe nuk kishim planifikuar vizita zyrtare, ca më tepër takime protokollare. Edhe makina që kishim marrë për këtë rrugëtim ishte një “Mercedes” i hapur, të cilin e përdornim shpesh familjarisht për ditët e pushimeve dhe për fundjava të ndryshme...
Kush ju priti në Han të Hotit?
Max: Ishte një grup zyrtarësh, që me sa u sqaruam më vonë drejtohej nga zëvendësministri i Jashtëm shqiptar. Me ta ishte përkthyesi, një shoqërues special, i cili ishte përzgjedhur për t’i qëndruar afër Shtrausit në të gjithë itinerarin.
Kuptohet, shoferi, personeli i sigurisë...
Franc: Mbaj mend që ishte një ditë shumë e nxehtë vere dhe gjithçka rreth e qark mbante një ngjyrë të verdhë, në pamjen e grurit të pjekur. Një peizazh gjithsesi trishtues, që me aq sa e vëzhgoje nga jashtë të krijonte imazhin e një vendi të braktisur.
Si vazhdoi procedura në vendkalimin kufitar?
Max: Me sa mbaj mend për gjithçka që kishte të bënte me dokumentet që duhen në të tilla raste, u angazhua një nga zyrtarët e ardhur nga Tirana. Po kështu edhe për mjetin me të cilin kishim ardhur deri aty u kujdes një shofer shqiptar, duke sqaruar Shtrausin se gjatë rrugëtimit tjetër do të udhëtonim me një makinë zyrtare.
Franc: Zyrat doganore ishin vendosur në një godinë të vogël e të mbajtur keq. Në të dyja anët e traut që mbyll kufirin shtetëror pamë ushtarë me helmetë në kokë dhe automatikë në dorë. Një mjedis i vrazhdë të shpalosej para syve. Ndoshta menduam në thellësi do të jetë diçka më mirë...
Kush ishte Franz Josef Shtraus
Franz Josef Shtraus lindi në vitin 1915, në qytetin e Mynihut. Studioi për Histori dhe Ekonomi në universitetin e vendlindjes dhe u diplomua në fundin e viteve ‘30. Në vitin 1957 u martua me Marine Zuiknal. Në vitin 1949 u zgjodh anëtar i Parlamentit Federal dhe në vitin 1953 u emërua ministër Federal për Çëshjet Speciale në kabinetin e dytë të kancelarit, Konrad Adenauer. Në vitin 1955 u caktua ministër Federal i Energjisë Atomike. Në periudhën 1956-1962 kreu detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1961 u zgjodh kryetar i CSU (Bashkimit Kristian Social). Pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Mbrojtjes në vitin 1962, nga një konflikt me botuesin e gazetës “Shpigel”, në periudhën 1966-1978 kreu detyrën e ministrit Federal të Thesarit, duke qenë pjesë e kabinetit të Kiesingerit. Në periudhën 1978-1988 ka ushtruar funksionin e kryeministrit të Bavarisë. Ka marrë disa tituj e grada honorifikë nga shumë universitete të botës. Në karrierën politike është njohur për rivalitetin me Helmut Kohl, një personalitet tjetër ky i Gjermanisë së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Falë këtij rivaliteti rezultoi i pasuksesshëm kandidimi i parë i Kohlit për kancelar në vitin 1976. Po kjo barrierë për të do të binte gjatë kandidimit të dytë në vitin 1980, ku Kohl mundi të fitojë. Gjithsesi, kancelari Kohl do të vazhdonte ta kryente detyrën e kancelarit edhe pas vdekjes së Shtrausit, në vitin 1988.
“Shtraus në Tiranë, si Papa në xhami”
Media gjermane në ditën e nisjes së Shtrausit drejt Tiranës
“Një vizitë absurde dhe pa ndonjë mesazh domethënës”. Ky ka qenë vlerësimi i bërë nga media gjermane për ditën e parë të vizitës së Shtrausit në Shqipëri në gushtin e vitit 1984. Ndërsa kujtojnë shqetësimin e gazetarëve vendas për vizitën “aventurë”, siç e vlerësonin ata rrugëtimin e Shtrausit në Shqipëri, dy djemtë e ish-kryeministrit bavarez pohojnë se çdo gjë rreth kësaj është përcjellë me indiferencë në opinionin publik të Gjermanisë. “Ndër ato pak lajme të shkurtra që zunë vend në median e atyre ditëve, thotë Max, tërhiqte vëmendjen një njoftim telegrafik i një të përditshmeje bavareze, e cila në dy radhë pohonte në mënyrë ironike: “Shtraus në Tiranë, si Papa në xhami!” Asnjë zhvillim të ri nuk priste Gjermania zyrtare pas kësaj vizite jo të zakonshme. Shqipëria e asaj periudhe jo vetëm ishte deklaruar botërisht se nuk do të shkëputej nga rruga e diktaturës së proletariatit, por edhe demonstrohej dita-ditës se do të mbetej e vetizoluar brenda bunkerit komunist. “Trokitja e babait në portat e Tiranës as që kishte për mision dekomunistizimin e Shqipërisë, shtojnë dy djemtë e Shtrausit. Nga aq sa iu dha rasti, ai i dha mesazhet e veta nga pozita dashamirësie dhe në mënyrë konstruktive. Po nuk kishte si të kuptohej zëri i tij në ato ditë të përflakura komuniste”. Gjithsesi, shqiptarët e thjeshtë shpresuan shumë në ndikimin që mund të jepte ky burrë shteti. Po ishin vetëm iluzione...
neser do te lexoni
* Befasia e zyrtarëve shqiptarë gjatë pritjes në pikën e kalimit kufitar në Han të Hotit, kur u përballën me kryeministrin e Bavarisë, veshur me pantallona të shkurtra
* Reagimi i parë i Shtrausit për pamjen e bunkerëve të shumtë përgjatë rrugës automobilistike. Tundimi i përkthyesit Hamlet Bezhani në përgjigje të interesimit për praninë e tyre
* Sigurimi i Shtetit, në ndjekje të vizitës së mysafirit special. Sa e ndjente Shtrausi dhe bijtë e tij sjelljen e dyfishtë të punonjësve të shërbimit, të cilët në mënyrë të fshehtë duhej të raportonin tek eprorët e tyre për gjithçka të re nga kontakti me miqtë nga Bavaria
* Profili komunist i protokollit zyrtar dhe komunikimi i sinqertë i njerëzve të thjeshtë
Gazeta Panorama
11-12-2006
Ruaj Lidhjet