Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 23 prej 23
  1. #21
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,030
    Postimet në Bllog
    17
    Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës (pranverë 1880)

    Fitoret e shqiptarëve kundër ushtrive malazeze dhe jehona e tyre në arenën
    ndërkombëtare patën pasoja të thella në Shqipëri. Ato e përforcuan më tej bindjen e
    shqiptarëve se tashmë ishin në gjendje t’i mbronin trojet e tyre jo vetëm pa ndihmën
    e ushtrive osmane, por edhe kundër vullnetit të Portës së Lartë. Besimi që fituan te
    forca e tyre e armatosur, e ngriti në një shkallë më të lartë vendosmërinë për të
    kundërshtuar me armë çdo ndërhyrje të re të Fuqive të Mëdha ose çdo orvatje të re të
    qeverisë së Stambollit në dëm të trojeve të tyre amtare.
    Pas disfatës që pësoi në Velikë e në Pepaj, knjaz Nikolla iu drejtua përsëri Fuqive
    të Mëdha dhe këto, nga ana e tyre, i bënë përsëri presion Perandorisë Osmane për ta
    çuar deri në fund dorëzimin e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë u përgjigj se ishte
    e gatshme ta kënaqte Malin e Zi, por jo në Plavë e në Guci. Duke parë vendosmërinë
    luftarake të shqiptarëve dhe paaftësinë ushtarake të Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha
    pranuan në parim ta rishikonin vendimin që kishin marrë në Kongresin e Berlinit. Me
    këtë rast u bënë disa propozime për ta kënaqur Cetinën me vise sllave në veri ose në
    jug të Malit të Zi, por nuk u pranuan. Më në fund ndërhyri Italia, e cila, nëpërmjet
    ambasadorit të saj në Stamboll, kontit Korti (Corti), sugjeroi që t’i jepeshin Malit
    të Zi viset e Hotit e të Grudës së bashku me një pjesë të Kelmendit, të cilat
    banoheshin gjithashtu nga popullsi shqiptare. Fuqitë e Mëdha menduan se popullsia e
    këtyre viseve, duke qenë katolike dhe jo myslimane, nuk do ta kundërshtonte
    bashkimin e saj me Malin e Zi të krishterë. Porta e Lartë nuk solli ndonjë pengesë.
    Vetëm knjaz Nikolla, i bindur se do të kishte përsëri telashe me shqiptarët,
    protestoi rreptësisht. Por më në fund, duke parë këmbënguljen e të gjitha Fuqive të
    Mëdha, u detyrua të përulej. Kështu, më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha
    miratuan propozimin italian, që njihet me emrin “vija Korti”, për t’i dhënë Malit të
    Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve
    u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880.
    Fakti që Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi u detyruan, pas 20 muaj
    përpjekjesh pa rezultat, të hiqnin dorë nga vendimi i Kongresit të Berlinit në
    lidhje me Plavën e Gucinë, shënonte një fitore të re diplomatike që arritën
    shqiptarët në arenën ndërkombëtare. Protokolli i Stambollit, i nënshkruar nga
    ambasadorët e tyre më 18 prill 1880 për Hotin e Grudën, ishte po aq i padrejtë sa
    edhe neni i Traktatit të Berlinit për Plavën e Gucinë. Viset e Hotit e të Grudës, së
    bashku me ato të Kelmendit e të Kastratit, ishin pjesë e pandarë e Malësisë së
    Madhe, kurse nga ana administrative vareshin nga vilajeti i Shkodrës. Banorët e
    tyre, krejtësisht shqiptarë dhe me tradita të lashta luftarake liridashëse, ishin
    bashkuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit qysh me themelimin e saj. Për këtë arsye,
    më 1 mars 1880, sapo arritën lajmet e para rreth propozimit italian, pra një muaj
    para se të nënshkruhej Protokolli i Stambollit, krerët e tyre, të mbështetur nga
    banorët e krejt Malësisë së Madhe, zbritën në Shkodër dhe shpallën se ishin të
    vendosur të kundërshtonin çdo vendim që do të merrej në dëm të viseve të tyre. Në
    mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e Hotit, të
    Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha,
    në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre, në
    rast se Fuqitë e Mëdha do ta miratonin projektin “Korti”.
    Kushtrimi që lëshuan banorët e Malësisë së Madhe vuri në lëvizje popullsinë e të
    gjitha krahinave të vendit. Gjatë atyre ditëve shqiptarët, myslimanë e të krishterë,
    u lidhën më shumë se kurrë me njëri-tjetrin. Kudo u shpreh vendosmëria për të
    mbrojtur Hotin e Grudën deri në pikën e fundit të gjakut. Shqipëria u përgatit
    kështu përsëri për luftë.
    Meqenëse Hoti, Gruda, Kelmendi e Kastrati bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, barra
    e organizimit të luftës mbrojtëse i takonte Komitetit Ndërkrahinor të këtij
    vilajeti. Qysh nga 25 marsi 1880, Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare në
    Shkodër ishte në mbledhje të vazhdueshme dhe filloi të merrte masat e nevojshme
    ushtarake për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Më 3 prill 1880 u zhvillua në Shkodër
    një kuvend krahinor, ku morën pjesë përfaqësues të popullsisë së qytetit e të
    Malësisë. Kuvendi vendosi të kundërshtohej me çdo kusht lëshimi i Hotit e i Grudës.
    Ai u dërgoi një peticion Fuqive të Mëdha, në të cilin thuhej, ndër të tjera: “Kemi
    vendosur që të derdhim pikën e fundit të gjakut para se të hynim nën zgjedhën e një
    qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në mbrojtjen e atdheut tonë”. Më 11
    prill 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, ashtu siç kishin vepruar edhe dy
    komitetet e tjera ndërkrahinore, formoi menjëherë Shtabin Ushtarak të vilajetit me
    detyrë që të merrte masat e duhura për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të
    Shtabit Ushtarak u vu Hodo Sokoli, një kolonel i karrierës. Midis anëtarëve të tij
    bënin pjesë jo vetëm përfaqësues nga qyteti, si Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban
    Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrezi etj., por edhe mjaft krerë malësorë të regjur në
    luftëra, si Dedë Gjoni dhe Ismail Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga
    Gruda, Nikë Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati
    etj. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës i bëri thirrje të veçantë Preng pashë Bibë
    Dodës, i cili deri atëherë nuk kishte marrë pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare,
    duke e emëruar, në rast se do të ishte i gatshëm, nënkryetar të Shtabit Ushtarak.
    Formimi i Shtabit Ushtarak u pasua nga gatishmëria që treguan krahinat e ndryshme të
    vendit për të dërguar vullnetarë sipas zakonit nga një burrë për shtëpi, kurse viset
    e Malësisë së Madhe u zotuan të mobilizonin të gjithë burrat e aftë për armë.
    Shtabet ushtarake, të formuara në vilajetet e Kosovës dhe të Janinës, njoftuan se
    ishin gati të dërgonin forcat e tyre vullnetare sapo të ndihej nevoja. Por Shtabi
    Ushtarak i Shkodrës, duke parë gatishmërinë e masave popullore, i konsideroi të
    mjaftueshme forcat luftarake të mobilizuara vullnetarisht në vilajetin e vet. Në të
    njëjtën kohë, Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës lëshoi një shpallje, me anën e së
    cilës, pasi vinte në dukje vendosmërinë e mbarë vendit për të mbrojtur trojet e
    atdheut, u kërkonte vullnetarëve të qëndronin në gatishmëri, në pritje të zhvillimit
    të ngjarjeve.
    Zemërimi e vendosmëria e shqiptarëve arriti kulmin pasi u nënshkrua nga ambasadorët
    e Fuqive të Mëdha Protokolli i Stambollit, më 18 prill 1880, me emrin “Protokolli
    mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Me këtë rast u përsëritën protestat
    telegrafike drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Në të njëjtën kohë filluan
    përgatitjet ushtarake. Më 19 prill u zhvillua në Shkodër një miting i madh popullor,
    një nga manifestimet më masive që kishte parë qyteti deri atëherë. Në miting, midis
    entuziazmit popullor, Hodo Sokoli, në një fjalim të zjarrtë që mbajti para mijëra
    qytetarëve dhe malësorëve, deklaroi ndër të tjera, se përballë veprimeve që po
    kryente Porta e Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe për të
    shpëtuar atdheun nga fatkeqësi të tjera që do të sillte sundimi i mëtejshëm i saj,
    shqiptarët duhej t’i këpusnin lidhjet me Perandorinë Osmane dhe ta merrnin vetë në
    dorë fatin e atdheut të tyre. Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta që ndodheshin
    në miting, hoqën publikisht spaletat e uniformës ushtarake e dekoratat e sulltanit
    dhe deklaruan se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në
    vijën e kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u bashkuan
    me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e Veriut.
    Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen, disa dhjetëra
    anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta, të cilët, së bashku me Shtabin
    Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880,
    sipas Protokollit të Stambollit, trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga
    pikat e tjera që i takonin Malit të Zi. Por, ashtu siç ndodhi në Plavë e Guci, edhe
    në Hot e Grudë forcat shqiptare i zunë këto pika para se të afroheshin ushtritë
    malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë
    shqiptarë, në gatishmëri për të kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze.
    Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës,
    pika më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën me pararojat e ushtrisë së
    Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë e malësorë, të cilët u bënë
    thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive
    të Mëdha. Ushtritë malazeze nuk u bindën, por kërkuan të marshonin për të marrë në
    dorëzim kalanë e Tuzit. Atëherë pararojat shqiptare hapën zjarr kundër pararojave
    malazeze. Kështu, tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja e armatosur
    ndërmjet tyre.
    Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, nën
    drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të furishëm kundër forcave
    kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg të lumit Cem. Të dyja palët luftuan
    me vendosmëri për disa orë rresht. Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u
    tërhoqën për në Podgoricë, duke lënë disa të vrarë e të plagosur.
    Fitorja e Rzhanicës dhe e Helmit ngjalli entuziazëm në mbarë Shqipërinë. Komiteti
    Ndërkrahinor i Shkodrës, duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze, vendosi
    t’i mbante forcat luftarake në kufi dhe të siguronte armë martina për vullnetarët
    shqiptarë të pajisur pjesërisht me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë qëllim
    u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura
    të Shkodrës u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në të holla e në drithë. Në këto
    rrethana Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin e vet të lëkundur po
    cilësohej nga opinioni publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit
    Ndërkrahinor për të mobilizuar mirditorët dhe për t’i sjellë në Tuz.
    Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane,
    por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes
    Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur
    në Tuz u rivendos administrata osmane. Me qeverisjen e tyre merrej Komiteti i
    Lidhjes Shqiptare për Shkodrën, që kishte ngarkuar në Tuz një Komision të kryesuar
    nga Hodo Sokoli, i cili ushtronte pushtetin ekzekutiv si një institucion shtetëror i
    Lidhjes Shqiptare.
    Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880, knjaz Nikolla protestoi pranë
    Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë osmane një notë kolektive,
    me të cilën e shtrëngonin që t’i dëbonte forcat shqiptare nga kufiri për t’u hapur
    rrugën forcave malazeze. Por Porta e Lartë nuk e kishte më situatën në dorë.
    Përveçse nuk donte të hapte konflikt me shqiptarët, ajo nuk kishte as forca të
    mjaftueshme në Shkodër për të zbatuar kërkesën e Fuqive të Mëdha.
    Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën kufitare numri i
    vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë të tjerëve që qëndronin në
    gatishmëri në shtëpitë e tyre për t’u nisur në luftë sapo të lëshohej kushtrimi.
    Sipas njoftimeve që kishte Shtabi Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20
    batalione malazeze me afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura
    me topa e artileri. Morali i vullnetarëve shqiptarë ishte aq i lartë, sa nga radhët
    e tyre doli propozimi që të ndërmerrej një mësymje kundër ushtrive malazeze për ta
    detyruar knjaz Nikollën që të hiqte dorë një herë e përgjithmonë nga lakmia e tij
    për trojet shqiptare. Këtë ide e përqafoi jo vetëm Hodo Sokoli, kryetari i Shtabit
    Ushtarak të Shkodrës, por edhe Ali pashë Gucia, kryetari i Shtabit Ushtarak të
    Kosovës, i cili për më tepër u zotua ta fillonte mësymjen me forcat e veta nga Plava
    e Gucia, në thellësi të territoreve malazeze. Nuk pritej veçse miratimi nga Komiteti
    Kombëtar i Lidhjes Shqiptare. Por udhëheqësit e tij, për t’iu shmangur ndërlikimeve
    ndërkombëtare që do të shkaktonte mësymja shqiptare, nuk e pranuan propozimin e dy
    shtabeve ushtarake. Sipas tyre, presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave
    kufitare në Hot e Grudë, ishte i mjaftueshëm për t’i detyruar Fuqitë e Mëdha të
    rishikonin Protokollin e Stambollit.
    Në fakt lufta për mbrojtjen e Hotit e të Grudës pati jehonë të thellë jashtë
    Shqipërisë. Interesimi i publikut evropian për konfliktin shqiptaro-malazez u rrit
    më shumë. Pothuajse të gjitha gazetat kryesore të Evropës Perëndimore dërguan ato
    javë korrespondentët e tyre të posaçëm në Shkodër, shumica e të cilëve u detyruan të
    vinin në dukje atdhetarinë e lartë që frymëzonte qëndresën shqiptare. Fuqitë e Mëdha
    u bindën përfundimisht se as Protokolli i Stambollit nuk mund të zbatohej me anën e
    presionit diplomatik. Anglia me Rusinë propozuan një ndërhyrje ushtarake të
    përbashkët të Fuqive të Mëdha kundër shqiptarëve të përqendruar në kufi, por
    Austro-Hungaria me Gjermaninë kundërshtuan. Më në fund fitoi qëndresa shqiptare.
    Pasi pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë e
    Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë për t’i
    dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së
    bashku me rrethinat e tij. Heqja dorë e Fuqive të Mëdha nga vendimi që kishin marrë
    më 18 prill 1880 ishte fitorja e tretë diplomatike që korrën shqiptarët, brenda 6
    muajve, në arenën ndërkombëtare. Por vendimi i Fuqive të Mëdha për t’i lëshuar Malit
    të Zi Ulqinin me rrethinat e tij shtroi përsëri detyrën e ngutshme të mbrojtjes së
    tërësisë së atdheut, të cilit po i shkëputej tani një pjesë më e rëndësishme dhe
    jetike.

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,030
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Historia e Malësisë

    Shqiptarët e Malit të Zi festojnë 50-vjetorin e Besëlidhjes së Malësisë

    Nga Samir Kajosevic 14:57 | 29/06/2020

    Emri:  Hodza-skup-stara-e1593174323400.jpg

Shikime: 92

Madhësia:  47.3 KB
    Foto nga takimet para Besëlidhjes në Tuz. Foto: Stjefen Ivezaj.

    Këtë qershor shqiptarët në Mal të Zi shënuan 50-vjetorin e Besëlidhjes së Malësisë ku u mor një zotimi historik për të hequr dorë nga gjakmarrja, e cila kishte shkatërruar komunitetet e tyre për shekuj me radhë.

    Emri:  Hodza-skup-stara-e1593174323400.jpg

Shikime: 92

Madhësia:  47.3 KB
    Foto nga takimet para Besëlidhjes në Tuz. Foto: Stjefen Ivezaj.

    Komuniteti etnik shqiptar i Malit të Zi është krenar për mënyrën se si ata kanë mbajtur një marrëveshje të arritur 50 vjet më parë, në qershor 1970, për të ndaluar gjakmarrjen që për shekuj me radhë ngujoi komunitetet atje në konflikte gjysmë të harruara.

    Më 28 qershor 1970, fise dhe familje nga zona me shumicë etnike shqiptare e Malësisë në afërsi të Podgoricës njoftuan “Besëlidhjen e Malësisë”.

    Ata u zotuan të hiqnin dorë nga kodi i tyre i lashtë dhe t’i jepnin më në fund vrasjeve të pamëshirshme të njerëzve të pafajshëm.

    Një nga pjesëmarrësit e Besëlidhjes, Martin Ivezaj, tha se njerëzit e Malësisë e kishin mbajtur fjalën e tyre. “Ne vendosëm të bënim një marrëveshje rreth besës, e cila është pjesë e një tradite që e respektojnë shumica e shqiptarëve. Tashmë kanë kaluar 50 vjet dhe unë dhe të gjithë të tjerët në Malësi mund të dëshmojmë se si njerëzit e mbajtën premtimin e tyre”, tha Ivezaj për BIRN.

    Gjakmarrja shkaktoi mijëra vdekje

    Gjatë disa shekujve, tradita e vrasjeve sy për sy u përhap në të gjithë Shqipërinë, Kosovën dhe pjesë të Malit të Zi dhe është akoma e pranishme në disa prej këtyre komuniteteve.

    Sipas traditës, familje të tëra mbahen përgjegjëse, ose fajtore, për veprimet e ndonjë prej anëtarëve të tjerë të tyre. Vrasjet për gjakmarrje besohet se kanë shkaktuar mijëra vdekje, në disa raste duke shuar familje të tëra.

    Vrasjet për gjakmarrje bazohen në të ashtuquajturin Kanuni i Lekë Dukagjinit, i krijuar në shekullin XV midis fiseve të veriut të Shqipërisë, nga një fisnik vendas i quajtur Lekë Dukagjini.

    Sipas Kanunit, familja e një personi të vrarë e kishte për detyrë të hakmerrej për vrasjen dhe viktimat mund të ishin çdo anëtar mashkull mbi 18 vjeç i familjes së vrasësit.

    Një imam vendas dhe pjesëmarrës në marrëveshje, Rexhep Lika, tha se kjo kishte shkaktuar një sërë hakmarrjes të dhunshme në Malësi dhe madje edhe jashtë saj.

    “Për shekuj me radhë, në Malësi kishte gjakmarrje dhe vrasje të njerëzve të pafajshëm”, tha ai për BIRN.

    “Më vonë, ndërsa kufijtë u hapën dhe njerëzit tanë shkuan në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, konflikte lindën në Shtetet e Bashkuara, por njerëzit vriteshin në Malësi dhe anasjelltas”, tha Lika për BIRN.

    Fiset dhe vëllazëritë ndalën grindjet vdekjeprurëse

    Emri:  Pater-Gjergji-3-e1593174776229.jpg

Shikime: 89

Madhësia:  68.6 KB
    Peshkopi katolik Gjergj Marstjepaj në një nga takimet në Malësi. Foto: Arkiva e kishës katolike në Tuz.

    Gjatë gjysmës së parë të vitit 1970, u formua një bord koordinimi për të biseduar me familjet, fiset dhe vëllazëritë për ndalimin e mosmarrëveshjeve vdekjeprurëse.

    Në kryesimin e takimit morën pjesë figura lokale përfshirë Gergj Daku Gjokaj, klerikë katolikë si frat Gjergj Marstjepaj dhe drejtues të komunitetit islamik si Rexhep Lika.

    Mbledhja përfundimtare u parapri nga takime me fshatra, vëllazëri dhe fise në të gjithë Malësinë. Pas disa muajsh bisedime, mbledhja e fundit u mbajt në një kinema lokale në Tuz me qindra pjesëmarrës.

    Kreu i bordit të koordinimit, Gjergj Daku Gjokaj, u bëri thirrje pjesëmarrësve t’i jepnin fund gjakmarrjes që kishte shkaktuar vdekjen e dhjetëra të rinjve. Në atë kohë, 40 familje në Malësi ishin prekur nga gjakmarrja dhe të paktën 150 njerëz ishin vrarë jashtë vendit.

    “Ligjet tona tradicionale dërguan në varr para kohe shumë nga vëllezërit tanë. Nuk është e nevojshme që çdo problem të zgjidhet me armë”, tha Daku në mbledhje.

    Në mbledhjen e tyre të fundit, të gjithë përfaqësuesit njëzëri ranë dakord se vrasjet duhet të ndëshkohen nga shteti, jo nga ligjet tradicionale.

    Më 28 qershor 1970, u shpall “Besëlidhja e Malësisë”. Ajo thoshte se “hakmarrja” do të kryhej nga shteti dhe se familjet nuk duhet të rrezikohen nga hakmarrjet personale.

    Sipas marrëveshjes, pasi një vrasës vuan dënimin e tij me burg, ai nuk duhet të marrë ndihmë nga të afërmit e tij, pasi ai do të vazhdojë të jetë fajtor për të gjithë pjesën tjetër të jetës së tij dhe se duhet të kujdeset vetë për veten e tij.

    Vrasja në Podgoricë e vuri në provë marrëveshjen

    Emri:  Liko-Mani-Cunmuljaj-e1593174894929.jpg

Shikime: 91

Madhësia:  18.0 KB
    Liko Mani Cunmulaj. Foto: BIRN.

    Autori i librit “Tridhjetë vjet të Besëlidhjes”, Nikolle Berishaj, tha se ky ishte akti i parë i tillë midis shqiptarëve kudo në rajon.

    “Besëlidhja ishte, në praktikë, një marrëveshje sistematike, e cila i dha fund akteve të hakmarrjes. Më vonë në Kosovë pati me qindra pajtime, por nuk kishte asgjë që i bënte njerëzit të ndalonin vrasjet siç bëmë ne”, tha ai për BIRN.

    Marrëveshja u vu në provë vetëm dy ditë pas mbledhjes në Tuz. Më 30 qershor 1970, Mark Kola Lucaj vrau Leke Kola Gojcajn ndërsa ai ishte duke shkuar në punë. Disa media raportuan se marrëveshja në atë moment kishte marrë fund.

    Mijëra njerëz u mblodhën në funeralin e Gojçajt për të dëgjuar se çfarë do të thoshte xhaxhai i tij, Nuo Vuksani Gojcaj, për hakmarrjen. Një nga pjesëmarrësit e Besëlidhjes dhe një anëtar i këshillit të pajtimit, Liko Mani Cunmulaj, tha se Juncaj mori një vendim historik për të ardhmen e Malësisë.

    “Ai falënderoi Malësinë dhe i edhi keq për veten dhe vëllazërinë e tij. Pastaj u ngrit dhe tha: ‘Vëllai im u vra, por ai është i vogël në krahasim me Malësinë. Malësia është shumë e madhe dhe unë do ta fal vëllain tim për Malësinë. Malësia le të vazhdojë në rrugën që ka vendosur.’ Të gjithë e duartrokitëm”, tha tha Cunmulaj për BIRN.

    Që prej marrëveshjes, grindet midis familjeve në Malësi kanë rënë ndjeshëm. Ka pasur disa vrasje lokale, por jo më gjakmarrje.

    Gjakmarrja ende realitet në Kosovë dhe Shqipëri

    Pavarësisht marrëveshjes në Malësi, gjakmarrja është akoma një realitet si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Në Shqipëri, më shumë se 1,600 familje jetojnë nën një dënim me vdekje të përhershme për shkak të gjakmarrjes. Para vitit 1992, kur fushata e pajtimit në Kosovë mbaroi, atje ishin vrarë të paktën 1,200 vetë.

    Emri:  Lek_dukagjini.jpg

Shikime: 91

Madhësia:  31.5 KB
    Portret i Lekë Dukagjinit nga Simon Rrota. Wikipedia.

    Rexhep Lika mendon se ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët në rajon të bien dakord për ta ndalur gjakmarrjen.

    “Tani nuk ka nevojë të hakmerret sepse policia dhe shteti bëjnë punën e tyre,” tha ai.

    “Mendoj se shqiptarët do ta marrin një ditë këtë vendim, sepse nuk është e nevojshme të vriten njerëz, siç ndodh akoma në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë”, përfundoi Lika.

    BIRN

  3. #23
    SHKOZA
    Anëtarësuar
    28-08-2004
    Vendndodhja
    Prizren
    Postime
    619

    Për: Historia e Malësisë

    Malësia
    Malësia është një prej krahinave përbërëse të pjesës veriore të trojeve shqiptare. Populli i gjithë kësaj treve shfaq tradita të përbashkëta dhe ruan gojëdhëna që lidhin fiset e ndryshme me njëri-tjetrin, e që, përtej verifikimit të vërtetësisë së tyre historike, i japin Malësisë një karakter të përbashkët që kërkon studimin e saj në tërësi si krahinë etnografike.

    Ndër fiset shqiptare të Malësisë, për të cilat kemi shkruar ose do të shkruajmë artikuj të veçantë në të ardhmen, janë:

    Rezultatet gjenetike në Malësi (eng: DNA results from the Albanian Highland)
    Rezultatet gjenetike në Malësi
    Bytyçi
    Gashi
    Gruda
    Hoti
    Kastrati
    Kelmendi
    Krasniqja
    Kuçi
    Lohja
    Nikaj
    Reçi
    Rrjolli
    Shkreli
    Trieshi
    Vendndodhja, kufijt, pjesët përbërëse
    Sipas Rr. Zojzit, Malësia si krahinë etnografike, është zhvilluar kryesisht në trojet që në Mesjetë ishin pjesë e Pultit. Megjithëse sot vetëdija e përbashkët e prejardhjes nga popujt e Pultit thuasje është shuar, emri “Pult” ende përdoret si emër krahine, por vetëm për trojet e fiseve Xhan, Plan e Kir. Pas shembjes së sistemit mesjetar feudal të principatave arbërore, emri “Pult” vazhdoi të përdorej për disa shekuj, por me organizimin e ri shoqëror në Male, e gjithë krahina filloi të përmlidhej në termin “Malësi”.

    Disa prej traditave që e dallojnë popullin e Malësisë si një grup i veçantë i shqiptarëve të veriut, si përdorimi i lahutës, vallja e shpatave, Eposi i Kreshnikëve, Kanuni i Maleve, organizimi shoqëror me bazë Malet si dhe vetë-emërtimi si Malësi e malësorë (kjo e fundit haset edhe në treva të tjera, si psh. “Malet e Dibrës”). Po ashtu, fiset malësore kanë trashëguar gojëdhëna që i lidhin me njera-tjerën: sipas një gojëdhëne shumë të njohur, fiset Hot, Triesh, Krasniqe, Nikaj, Piper e Vasojeviç rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët; po ashtu, fiset Kastrat, Bardhët e Gashit, një pjesë e Lohjes, Reçit, Rrjollit dhe Kirit, thuhet se janë me prejardhje nga Kuçi, sot në Mal të Zi; fisi Bytyç dhe Markajt e Margegajt e Krasniqes mbahen një fis me Shkrelin, një pjesë e Planit mbahen me prejardhje nga Kelmendi, etj.

    Malësia në Shqipëri sipas Rr. Zojzit
    Malësia në Shqipëri sipas Rr. Zojzit
    Zojzi tregon se Malësia përfshin gjithë trevat nga Lumi i Skatinës (kufiri Tropojë-Has) në lindje, duke vazhduar përgjatë Drinit si kufi jugor, deri në Liqenin e Shkodrës dhe skajet më veri-perëndimore të trevave shqiptare, që sot gjenden në Mal të Zi. Brenda këtij territori ka edhe popuj që sipas traditës kanë ardhur nga zona e Dukagjinit, si Shala e Shoshi, që u vendosën në toka që sot njihen edhe si Dukagjini i Ri, dhe një pjesë e Mërturit që u vendos mbi Drin, në jug të Nikajve. Pjesë e grupit të bajraqeve të Dukagjinit u bënë më vonë edhe fiset të tjera të territorit të Malësisë, si Toplana, Temali dhe fiset e Pultit. Kurse ndër 12 Malet e Malësisë, Zojzi numëron nëntë që formuan Malësinë e Madhe: Trieshi, Hoti, Gruda, Piperi, Vasojeviçi, Kelmendi, Kastrati, Shkreli dhe Kuçi; dhe tri që formuan Malësinë e Vogël, ose siç njihet ndryshe sot, Malësinë e Gjakovës: Krasniqja, Gashi e Bytyçi.

    Me qenë se në zonat fushore që Zojzi përfshin në Malësi ka pasur lëvizje të shumta të popullsisë, në rezultatet e mëposhtme do të përmendim vetëm ato nga trevat malore të Malësisë së Madhe në Shqipëri e Mal të Zi – mbi Koplik dhe deri në Plavë –, nga tri fiset e Pultit të cilat politikisht janë lidhur me Dukagjinin e Ri, por në gojëdhëna lidhen më ngushtë me fiset malësore, dhe nga Malësia e Gjakovës.

    Rezultatet gjenetike në Malësi
    Deri sot (maj 2021) kemi 106 rezultate nga Malësia, sipas fisit: Berishë (4), Bytyç (4), Gash (8), Grudë (3), Hot (7), Kastrat (4), Kelmend (12), Kir (2), Krasniqe (22), Lohje (5), Nikaj (6), Plan (3), Reç (7), Rrjoll (1), Shkrel (11), Shoshi (1), Triesh (1), Xhan (2), pa fis (3). Numri i përgjithshëm është i mjaftueshëm për të nxjerrë disa përfundime të qëndrueshme, por për të dhëna më të plota dhe përfundime më të hollësishme do të duhen më shumë rezultate sidomos nga trevat e fiseve Triesh, Grudë dhe Kojë e Kuçit, nga Plava, Gucia, Juniku dhe Pulti. Shpërndarja e haplogrupeve dhe nëndegëve në Malësi (n=106), dhe në dy nënndarjet kryesore, Malësi e Madhe & Pult (n=60), dhe Malësi e Gjakovës (n=56) është si më poshtë:

    Search:
    Haplogrupi Nëndega Gjithsej Malësia e Madhe
    & Pulti Malësia e Gjakovës
    E-V13 35.8% 40% 30.4%
    E-Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310 13.2% 21.7% 2.2%
    E-Z5018>S2979>L241>PH2180 10.4% 5% 17.4%
    E-Z5018>S2979>FGC33614>Y93102 3.8% 8.7%
    E-Z5018>Y145455 1.9% 3.3%
    E-Z5017>CTS9320>Z17107 0.9% 1.7%
    E-Z5017>Z19851>A18833 0.9%
    E-Z5018>S2979>Y3183>BY168279 0.9% 2.2%
    E-V13 pa nëndegë të përcaktuar 3.8% 6.7%
    J2a-M410 (M67) 1.9% 3.3%
    J2b-L283 41.9% 28.3% 58.7%
    J-Y21045>PH1751>Y52453 25.5% 58.7%
    J-Y21045>PH1751>FT134628 3.8% 6.7%
    J-Z1297>Y23094>Y82533 7.5% 13.3%
    J-Z1297>Z1295>Y81278>FT125046 3.8% 6.7%
    J-Z1297>Z1295>Z631>Z1043 0.9% 1.7%
    J2b-M205 (Y22059) 4.7% 8.3%
    R1a-M417 (Y2608) 1.9% 3.3%
    R1b-M269 14.2% 15% 13%
    R-Z2103>BY611>Z2705>A24000 3.8% 8.7%
    R-Z2103>BY611>Z2705>FT49932 2.8% 5%
    R-Z2103>BY611>Z2705>Y32147 2.8% 5%
    R-Z2103>BY611>Z2705>BY147912 1.9% 3.3%
    R-Z2103>BY611>Z2705>BY218801 0.9% 2.2%
    R-Z2705 pa nëndegë të percaktuar 1.9% 1.7% 2.2%
    Siç dallohet në tabelën e mësipërme, malësorët janë një popull mjaft homogjen, pasi mbi 90% e gjithë linjave atërore u takojnë vetëm tri haplogrupeve: E-V13, J2b-L283 dhe R1b-M269. Duke parë nëndegët dallohet se homogjeniteti vjen kryesisht nga përhapja e gjerë e një numri relativisht të ulët fisesh të mëdha. Për shembull, rezultatet nga Krasniqja janë në pjesën dërrmuese të linjës J2b-L283>Y52453, të Shkrelit J2b-L283>Y82533, të Kelmendit E-V13>BY62310, të Bytyçit R1b-Z2705>A24000, etj. Kjo mund të dallohet fare qartë edhe në hartën e rezultateve, ku shenjat me ngjyrë të njëjtë gjenden pranë njëra-tjetrës. Në fakt, ndër gjithë trojet shqiptare, Malësia shfaq karakteristikat më të forta të bashkësive të tilla të ndërtuara mbi lidhjet e gjakut në vijë atërore. Brenda Malësisë, treva më homogjene është Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe më pas pjesa veriore e Malësisë së Madhe, kurse Pulti, dhe sidomos Rranzat, shfaqin diversitetin më të lartë.

    Lidhjet gjenetike mes dy njësive përbërëse të Malësisë përmblidhen sidomos në linjat atërore rreth 1200-1500 vjeçare E-V13>PH2180, J2b-L283>PH1751 dhe R1b-Z2705, të cilat përbëjnë rreth 26-30% të linjave atërore në Malësi të Madhe dhe Pult, dhe rreth 90% të linjave atërore në Malësi të Gjakovës. Këto lidhje duhet të jenë mjaft të vjetra, me gjasë që nga Mesjeta e hershme, pasi deri tani, nuk është gjetur asnjë lidhje gjenetike më e re se 1000 vjet.

    Nga ana tjetër, linjat atërore E-V13>BY62310, J2b-L283>Y82533, J2b-L283>FT125046, J2b-M205>Y22059 shfaqen në Malësi të Madhe dhe mungojnë ose gjenden rrallë në Tropojë, kurse E-V13>Y93102, e cila lidhet me fiset Berishë dhe Mërtur, gjendet dendur në Tropojë por mungon në Malësi të Madhe.

    Malësia si pjesë e Gegërisë
    Në krahasim me trevat e tjera të Gegërisë, Malësia paraqet disa veçori. Së pari, bie në sy përqindja e lartë e haplogrueve që lidhen me popujt paleo-Ballkanikë, sidomos e haplogrupit J2b-L283, i cili është edhe shumë i larmishëm në këtë rajon. Edhe E-V13 ka përqindje e larmi të lartë, kurse R1b-M269 është relativisht e rrallë, por nëndega R-Z2705 gjendet shpesh dhe ka larmi të lartë.

    Nga ana tjetër, haplogrupet që lidhen me popujt që u vendosën në Ballkan gjatë mijëvjeçarit të parë e.s., janë në përqindje shumë të ulët, gjë që sugjeron se gjurmët e dyndjeve gjermanike, avare, sllave, etj., ndër popullsinë e Malësisë janë pothuajse të papërfillshme. Raste më të vona (psh rreth Mesjetës së vonë) të asimilimit të ndërsjelltë gjuhësor, nëse kanë ndodhur, me siguri duhet të kenë përfshirë kryesisht pasardhës të popujve të lashtë të Ballkanit. Në treva të tjera shqiptare, I1-M253, R1a-M417 dhe I2a-Y3120 gjenden në dendësi më të lartë.

    Tabela e mëposhtme thekson veçoritë gjenetike të malësorëve, sipas haplogrupit:

    N E-V13 R-M269 J-L283 I-Y3120 R-M417 I-M253 J-M410 J-M267 I-M223
    J-M205 E-M123
    Malësorët 106 35.8 14.2 41.9 1.9 1.9 4.7
    Gegët e tjerë 601 26 21.1 18.1 6 7.3 6.7 1.3 2.3 0.7 0.5 1.5
    Në nivel nëndegësh, veçoritë kryesore janë përqindjet dhe larta të E-BY62310 dhe J-Y82533 që janë më të rralla tjetërkund. Përveç përhapjes së gjerë e në fise të ndryshme, E-BY62310, E-PH2180 dhe R-Z2705 paraqesin edhe larmi të lartë, dhe janë gjetur edhe ndër familjet anase, pra duhet të kenë prani të hershme në Malësi. Kurse disa degë të shpesta në troje të tjera shqiptare, si E-Z17107, E-Y17322, E-Y146086, R-Y168201, R-FGC40202, R-L1029, I-Y3120, J-L70 dhe I-S25733 deri tani ose mungojnë tërësisht, ose janë shumë të rralla. Nuk përjashtohet që disa prej tyre të gjenden në Malësi në të ardhmen, por rezultatet e deritanishme tregojnë se nuk janë ndër linjat kryesore atërore të krahinës.

    Gojëdhënat për prejardhje nga Bosnja
    Një pjesë e madhe e fiseve malësore kanë ruajtur gojëdhëna që e lidhin prejardhjen e tyre me treva në veri e veri-perëndim të trojeve shqiptare, në Bosnje. Zojzi ngre hipotezën se mbërritja e tyre në Malësi daton në shekujt e parë të mijëvjeçarit të dytë. Të dhënat gjenetike nuk e mbështesin mundësinë e prejardhjes nga Bosnja të paktën prej fillimit të Mesjetës, ndoshta edhe më herët. Secili prej fiseve Hot, Kelmend, Bytyç, Kuç, Kastrat, Shkrel kanë lidhjet e tyre gjenetike 1000-1500 vjeçare me rezultate nga treva më jugore e lindore si Lura, Dibra, Kruja, Elbasani e Librazhdi. Fiset Krasniqe, Nikaj e Gash i Gurit, përveç lidhjeve rreth 800 vjeçare mes tyre, lidhen më tej me rezultate të tjera nga veriu i Shqipërisë, Kosova, Dibra, etj. Lidhur me gojëdhënat rreth Bosnjes, mund të lëmë të hapura tri mundësi: ose gojëdhënat janë të gabuara në këtë rast, ose lëvizje të tilla kanë ndodhur gjatë Mesjetës së hershme dhe më herët, ose me termin “Bosnje” mund të jetë kuptuar treva e Sanxhakut në Mal të Zi, me të cilën ekzistojnë më shumë lidhje gjenetik.

    Fiset e Malësisë në Kosovë dhe në ultësirën veri-perëndimore
    Gjatë shekujve, fiset e Malësisë kanë lëvizur vazhdimisht nga zonat malore drejt atyre më fushore, në disa raste për kullota dimërore, në raste të tjera për t’u vendosur përfundimisht në ultësirë ose në qytete. Prania e familjeve të vetëdijshme për fisin e prejardhjes në fushat e nën-Shkodrës, në Krajë e Anamal, si dhe në shumë pjesë të Kosovës, ka shtyrë shumë autorë të hamendësojnë mbi prejardhjen e këtyre familjeve.

    Nga krahasimi i 71 rezultateteve nga familje të tilla me ato të fiseve të njëjta në Malësi, del se rreth 55-60% e këtyre familjeve kanë “kushërinj” gjenetikë në Malësi (këtu kemi llogaritur vetëm anëtarët nga Kosova ose zonat fushore të Shqipërisë që ruajnë gojëdhënën se vijnë nga një fis malësor, pra anëtarët e fiseve të Dukagjinit si Berishë, Thaç, Shalë, Fan, etj., dhe familjet e këtyre zonave që nuk i takojnë asnjë fisi, nuk janë përfshirë). Rreth 30-40% mund të jenë bashkuar me fiset malësore pa patur lidhje gjaku me ta. Bashkime të tilla me kanë qenë të shpeshta, për arsye politike dhe ekonomike. Duhet theksuar se përqindja e lidhjeve gjenetike mund të pësojë rritje të lehtë nëse rezultate të reja zbulojnë lidhje që nuk janë shfaqur deri tani. Po ashtu, duhet përmendur se ka pasur edhe raste kur të fiseve ose vëllazërive malësore që janë shpërngulur tërësisht, dhe për këtë arsye nuk kanë lidhje me malësorët e sotshëm, pavarësisht prejardhjes nga e njëjta trevë. Sidoqoftë, është e qartë që në trevat fushore veriore ka pasur ndërthurje mes familjeve malësore dhe atyre vendase.



    Përditësimi i fundit: 24.05.2021



    Burime:

    Zojzi, Rr. (2018)[1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

    Doja, A. (1999). Morphologie traditionnelle de la société albanaise. Social Anthropology. 7 (1): 42. doi:10.1017/S0964028299000038.

    Durham, E. (1909). High Albania. London: Edward Arnold.
    ATDHEU MBI TE GJITHA

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Mosekzistenca historike e "Jezusit" dhe e "Pavlit"
    Nga Qafir Arnaut në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 153
    Postimi i Fundit: 06-03-2015, 11:37
  2. Pasqyra e temave historike
    Nga Fiori në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 31-05-2011, 15:43
  3. Historia e Grudajve
    Nga RaPSouL në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-01-2009, 21:37
  4. Perse Duhet Studiuar Historia E Luftes Se Ftohte?
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 14-11-2005, 02:57
  5. Menyrat e shkruarjes se historise (Historia Virtuale)
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-11-2002, 15:40

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •