Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Çfarë është Perëndia që unë adhuroj

    Çfarë është pra, Perëndia që unë adhuroj?
    Ai nuk mund të jetë dikush tjetër, veçse Zoti Perëndi, sepse cili përveç Zotit është Perëndi? Çfarë strehimi tjetër mund të ketë, përveç se Perëndisë sonë? Ti Perëndia im, je suprem, i vetëm në mirësi, i fortë dhe i gjithëfuqishëm, i gjithëmëshirshëm dhe i gjithëdrejtë.
    Ti je më i fshehuri nga ne dhe megjithatë më prezenti ndër ne, më i bukuri dhe megjithatë më i forti, përherë i qëndrueshëm dhe prapë ne nuk mund të të kapim dot.
    Ti je i pandryshueshëm dhe prapë mund të ndryshosh gjithçka.
    Ti nuk je kurrë i ri, kurrë i vjetër dhe megjithatë të gjitha gjërat kanë jetë të re prej Teje.
    Ti je fuqia e padukshme që sjell rrëzimin e krenarëve.
    Ti je përherë veprues, dhe prapë përherë në prehje.
    Ti i mbledh të gjitha në vetvete, edhe pse nuk ndjen nevojë fare.
    Ti mbështet, Ti mbush dhe Ti i mbron të gjitha.
    Ti i krijon ato, i ushqen dhe i sjell ato në përsosmëri.
    Ti përpiqesh që t’i bësh ato të tuat, edhe pse nuk ke nevojë për asgjë. Ti i do krijesat e tua, por me një dashuri të butë.
    Ti i çmon ato, por pa e kuptuar.
    Ti vuan për të keqen, por nuk të prek dhimbja.
    Ti mund të zemërohesh dhe përsëri të jesh i qetë.
    Punët e Tua janë të larmishme, por qëllimi Yt është një dhe i njëjti.
    Ti i mirëpret të gjithë që vijnë tek Ty, edhe pse Ti kurrë nuk i humbe ato.
    Ti nuk je kurrë në nevojë, megjithatë gëzon kur fiton, kurrë nuk lakmon, por prapë i përpiktë në shpërblim me dhuratat e Tua.
    Ne japim me bujari tek Ty, kështu që të mund të kemi një shpërblim; megjithatë, cili nga ne ka diçka që nuk e mori prej teje? Ti na shpërblen për atë që meritojmë dhe megjithatë, nuk i detyrohesh askujt.
    Ti na çliron nga borxhet tona, por as nuk të humbet asgjë.
    Ti je Perëndia im, Jeta ime, Kënaqësia ime, por a mjafton kjo për të thënë për ty? A mund të flasë dikush mjaft kur flet për Ty? Por mjerë ata që heshtin për Ty! Sepse edhe ata që kanë dhuratën e gojtarisë nuk mund të gjejnë fjalë për të përshkruar Ty.
    Cili do të më garantonte që të pushoja i kënaqur në Ty?
    Kujt duhet t’i adresohem për dhuratën e vizitës Tënde në zemrën time duke e mbushur atë gjer në buzë, kështu që unë të harroj të gjithë gabimet që kam bërë dhe të përqafoj vetëm Ty, i vetmi burim i së mirës?
    Përse Ti ke kaq domethënie për mua?
    Ndihmomë të gjej fjalë për ta shprehur. Përse kam shumë vlerë përpara Teje, sa ti të më urdhërosh që të të dua? Dhe nëse dështoj në dashurinë për Ty, Ti zemërohesh dhe më kërcënon me mëri të madhe, a thua se s’mjafton dashuria që s’kam për Ty për të qenë hidhërim në vetvete.
    Ki mëshirë për mua dhe mëshiromë, o Zot dhe Perëndi.
    Tregomë përse je kaq i shtrenjtë për mua. Pëshpërit në zemrën time, unë jam këtu për të shpëtuar ty. Do ta dëgjoj zërin tënd dhe do të nxitoj për të të mbërthyer Ty pas vetes. Mos e fshih fytyrën Tënde prej meje, sepse me kënaqësi do ta takoja vdekjen për ta parë atë, pasi vetëm mosparja e saj do të thotë vdekje me të vërtetë.
    Shpirti im është si një shtëpi, e vogël për të hyrë Ti, por të lutem Ty që ta zgjerosh. Është e rrënuar, por të lutem Ty që ta ribësh. Ka shumë gjëra të cilat nuk do të të gëzonin t’i shikoje: këtë e di dhe nuk e fsheh. Por kush do të na shpëtojë nga këto gjëra? Nuk është askush tjetër përveç se Ti, të cilit unë mund t’i them: nëse unë mëkatova pa dashje, të lutem më ndje. Më mbaj përherë shërbëtorin tënd, larg nga krenaria. Unë besoj dhe në besë gjej fjalë për t’i thënë. Zot, Ti e di që kjo është e vërtetë. Sepse a nuk i kam bërë të njohura fajet e mia përpara Teje? A nuk e largove Ti fajin e mëkatit tim? Unë nuk hahem me ty në gjyqe, sepse Ti je vetë e Vërteta dhe as që kam dëshirë që të zhgënjejë veten, por frikësohem, sepse ligësia do të jetë tradhëtari im. Jo, unë nuk hahem me Ty, sepse, nëse Ti, o Zot, do të kujtosh paudhësitë tona, o Mjeshtër, kush do të kishte fuqi t’i mbante ato?
    Por, edhe pse jam baltë e hi, më lejo të kërkojë dhëmbshurinë Tënde, sepse unë i flas mëshirës sate, jo një njeriu i cili thjesht do të qeshte me mua… .
    Nga shën Agustini

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Miku yt, Jisui

    I dashur mik!
    Doja të të shkruaja dy fjalë dhe të tregoja sa shumë dashuri dhe kujdes kam për ty.
    Të pashë dje kur ecje me shokët e tu.
    Prita gjithë ditën, me shpresën se do të më flisje edhe mua.
    Kur mbrëmja po afrohej, dhurova perëndimin e diellit dhe flladin për të të freskuar, dhe të prita sërish, por ti nuk erdhe.
    U mërzita, por përsëri të dua, se jam miku yt.
    Mbrëmë të pashë kur të zuri gjumi dhe nuk durova dot pa të prekur qepallat, ndaj derdha dritën e hënës mbi fytyrën tënde.

    Të prita sërish, gati për të vrapuar drejt teje, por të nesërmen ti u zgjove vonë dhe nxitove për në punë.
    Pikat e shiut që binin ishin lotët e mi.
    Sot m’u duke shumë i trishtuar.
    Zemra m’u pikëllua, sepse ta kuptoj dhimbjen.
    Miqtë e mi më zhgënjejnë dhe më lëndojnë shumë herë,
    por Unë i dua, edhe ty të dua.

    Ah, sikur vetëm të më dëgjoje.
    Do ta kuptoje se sa të dua.
    I shkrova këto fjalë në qiellin e kaltër dhe në barin e gjelbër.
    Ua pëshpërita gjetheve, pemëve dhe luleve shumëngjyrëshe.
    Ua thashë maleve dhe kodrave dhe e bëra këngë dashurie në zërat e zogjve.
    Të vesha me ngrohtësinë e diellit dhe e parfumova ajrin me aromën e natyrës.
    Dashuria ime për ty është më e thellë se oqeanet dhe më e fuqishme se çdo dëshirë dhe nevojë e zemrës tënde.

    Ah, sikur ta dije se sa shumë dua të të ndihmoj.
    Dua që edhe ti ta takosh Atin Tim.
    Edhe Ai do që të të ndihmojë.
    Edhe Ati është si Unë.
    Vetëm më thirr, o njeri.
    Vetëm më pyet.
    Unë kam shumë gjëra për të të dhënë dhe për të ndarë me ty.
    Por nuk dua të të shqetësoj.
    Do të pres, krijesa ime, sepse të dua.

    Miku yt, Jisui

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Gjithçka që dëshiron ti, Unë jam.

    Eja tek Unë!
    Unë Atë,
    Unë vëlla,
    Unë dhëndër,
    Unë shtëpi,
    Unë strehë,
    Unë veshje,
    Unë rrënjë,
    Unë themel.
    Gjithçka që dëshiron ti, Unë jam.
    Nuk do të kesh nevojë për asnjë gjë kur më ke mua.
    Erdha të shërbej dhe jo të shërbehem.
    Unë edhe shok edhe gjymtyrë, edhe motër edhe vëlla,
    Edhe nënë edhe baba.
    Gjithçka Unë, vetëm ti të dëshirosh të jesh pranë meje.
    Unë i varfër për ty,
    dhe kusar për ty, në kryq për ty,
    brenda në varr për ty,
    Në qiell gjendem për dëshirën tënde përkrah Atit,
    Në tokë u dërgova nga Ati si ndërmjetës për ty.
    Ti për mua je gjithçka!
    Edhe vëlla edhe bashkëtrashëgimtar,
    Edhe shok edhe gjymtyrë e imja.
    Çfarë do më tepër, o njeri?! Perse o njeri vjente mbushesh uje me kove te care

    nga Shën Joan Gojart)

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Unë jam Zoti i kohës së duhur

    Unë jam Zoti i kohës së duhur
    Biri im i dashur. Kohë të vështira e ndërtojnë dhe e forcojnë besimin tënd, sepse ato të mësojnë si të mbështetesh tek Unë.
    Të kam premtuar që kurrë nuk do të të braktis, as do të lë të dështosh, pavarësisht nga situata.
    Ndonjëherë ke probleme të forta në jetën tënde, duken sikur nuk zgjidhen, edhe pse lutesh shumë, por mos harro:
    UNE JAM ZOTI I KOHES SE DUHUR.
    E di saktësisht kur dhe si të takohem me ty.
    E ke vënë re sa herë ke qenë tek vendi i duhur, në kohën e duhur, për të dëgjuar një mesazh të caktuar dhe Hiri im ka zbritur me zbulesë tek ty?
    Këto gjëra nuk janë rastësi.
    Ato janë prova të mënyrës më të lartë me të cilën unë planifikoj hollësitë e jetës tënde.
    Unë dua që të të udhëheq dhe të të siguroj, por ti nuk më dëgjon gjithmonë.
    Unë të jap një urdhër të thjesht dhe ti disa herë pyet veten.
    Biri im, a je në gjendje të dëgjosh zërin Tim?
    A mendon se Unë dua ta bëj të vështirë të më dëgjosh?
    Dhe për më tepër, pse duhet ta bëj?
    Unë di si të flas me ty dhe po të mësoj ta dëgjosh zërin Tim.
    Nëse më dëgjon, atëherë edhe besimi yt do të rritet.
    Shumë herë të kam folur, por ti nuk e ke dëgjuar atë që të kam thënë.
    Megjithatë, më vonë ke menduar: “Do të ketë qenë Fryma e Shenjtë”.
    Dua të kuptosh biri im, që ti e dëgjon zërin Tim”.
    Unë nuk mundoj askënd, ashtu si bën armiku. Mundimi që njeriu vuan, nuk vjen kurrë prej meje.
    Unë i flas zemrës tënde butësisht, ndërsa armiku bërtet dhe përpiqet ta thithë zërin tim.
    Ti nuk duhet të dëgjosh të bërtiturat e tij, dëgjomë Mua, dëgjo zërin Tim.
    Besomë, unë i jam besnik vetvetes.
    I jam besnik fjalës sime.
    I jam besnik Gjakut të Birit tim.
    Të jam besnik edhe ty, biri im i dashur.
    Sa më shumë të më besosh, aq më shumë do ta provosh besnikërinë time.
    Sa më shumë të më besosh, aq më shumë do të shohësh përmbushjen e fjalës sime në jetën tënde.
    Sa më shumë të besosh tek kryqi, aq më shumë do të jesh i lirë nga mëkati, turpi, sëmundja, frika dhe dështimi.
    Prezenca e Frymës sime tek ty është garancia që unë do të të jap gjithçka që të kam premtuar.
    Vula e Shpirtit Tim mbi ty, tregon që Unë tashmë të kam zgjedhur dhe dua të të afroj tek vetja.
    Sa më shumë të besosh tek dashuria që kam për ty, aq më shumë do ta shijosh jetën dhe do të njohësh fitoren në çdo situatë.
    Të kam premtuar që punën që kam filluar në jetën tënde do ta përfundoj, nuk do të të lë.
    Ti je krijuar për të ardhur në qiell tek Unë.
    Gëzohu, gëzohu, gëzohu.

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Më të mëdhatë e gjërave….

    Më të mëdhatë e gjërave….

    Disfata ime më e madhe - të humbas shpirtin!
    Fitimi im më i madh - shpëtimtari im, Krishti!
    Qëllimi im më i madh - të lavdëroj Perëndinë!
    Trashëgimia ime më e madhe – qielli dhe gëzimet e tij!
    Tregtia ime më e madhe - të humbas gjithçka, për të fituar Krishtin!
    Dituria ime më e madhe - të përvetësoj të vërtetat e Shkrimit të Shenjtë!
    Krimi im më i madh - të neglizhoj shpëtimin tim!
    Gëzimi im më i madh - të dëgjoj nga Zoti ditën e shpëtimit të më thotë:
    “të lumtë shërbëtor i mirë dhe besnik”!

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Jisui për mua

    Jisui për mua
    Ky është Jisui për mua
    Fjala - që u bë mish.
    Buka e jetës.
    Flijimi - që u afrua për mëkatet tona në kryq.
    Sakrifica - që ofrohet në meshën hyjnore për mëkatet e mia dhe gjithë botës.
    Fjala - që duhet thënë.
    E vërteta - që duhet treguar.
    Rruga - ku duhet ecur.
    Drita - që duhet të ndriçojë.
    Jeta - që duhet jetuar.
    Dashuria - me të cilën duhet dashur.
    Gëzimi - që duhet ndarë.
    Sakrifica - që duhet ofruar.
    Paqja - që duhet dhënë.
    Buka e jetës - që duhet ngrënë.
    I urituri - që duhet ushqyer.
    I eturi - që duhet shuar etja.
    I zhveshuri - që duhet veshur.
    I pastrehu - që duhet strehuar.
    I sëmuri - që duhet shëruar.
    I vetmuari - që duhet dashur.
    I padashuri - që duhet dashur.
    Leprozi - që duhet t’i lajmë plagët.
    Lypësi - që duhet t’i falim një buzëqeshje.
    I dehuri - që duhet ta dëgjojmë.
    I sëmuri mendor - që duhet ta mbrojmë.
    I vogli - që duhet ta përqafojmë.
    I verbëri - që duhet ta drejtojmë.
    I shurdhëri - për të cilin duhet të flasim.
    Sakati - me të cilin duhet të ecim.
    I dhëni pas drogës - të cilin duhet ta ndihmojmë.
    Prostituta - të cilën duhet ta largojmë nga rreziku dhe ta përkrahim.
    I burgosuri - që duhet vizituar.
    I moshuari - që duhet t’i shërbejmë.
    Për mua Jisui është Perëndia im.
    Jisui është shtëpia ime.
    Jisui është jeta ime.
    Jisui është dashuria ime e vetme.
    Jisui është gjithçka e imja në të gjitha.
    Jisui është gjithçka për mua.

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Gjuha e mirë

    Gjuha e mirë
    Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur”(Jak. 3:2).
    Gjuha e mirë tregon zemrën e mirë, zemrën e një njeriu me vetpërmbajtje.
    Gjuha e mirë është gjithmonë mjet i së vërtetës, i ngushëllimit dhe i paqësimit.

    Mënyrat e zotërimit të gjuhës
    Nuk do ta them atë fjalë, sepse lëndon.
    Nuk do ta kujtoj atë ngjarje, sepse shqetëson.
    Nuk do të flas ashpër, sepse do të pendohem.
    Nuk do të flas keq për tjetrin, sepse është përgojim.
    Nuk do ta ndërpres tjetrin kur flet, sepse është e pasjellshme.
    Nuk do ta them atë shaka, sepse është banale.
    Nuk do të hidhem si këndesi, sepse kjo quhet paturpësi.
    Nuk do të flas shumë, sepse dhe kjo tregon mendjelehtësi.
    Nuk do të përhap një lajm të pakontrolluar, sepse mund të mos jetë i saktë dhe të tjerët ta besojnë.
    Nuk do të flas me nënkuptime, sepse kjo nuk është e drejtë.
    Nuk do të flas kur jam e inatosur, sepse do të pendohem për ato që thashë.
    Do të kujdesem të flasë, kur duhet dhe sa duhet.
    Do ta them lehtësisht diçka të mirë për tjetrin.
    Do të justifikoj disi të afërmit e mi në gabimet e tyre.
    Do të gjej gjithmonë një fjalë fuqizuese për të dobëtit, për ata që kanë dhimbje dhe për ata që kanë të meta.
    Do të përpiqem të flas në mënyrë të sjellshme me të gjithë.
    Do të bëj çfarë mundem, që të krijoj një atmosferë të kënaqshme.
    Do të flas me sinqeritet, pastër, qartë dhe qetësisht.
    Do të përpiqem të dëgjoj më tepër dhe të flas më pak.
    Do të përpiqem të flas me heshtjen time.
    Gjithmonë me ëmbëlsi, me maturi, me mençuri dhe me dashuri.
    Asnjëherë kundër së vërtetës, asnjëherë me inat, asnjëherë me nerva.

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Fjalët e mia për ty

    Fjalët e mia për ty
    1. Në orën e dëshpërimit, ji i sigurt që Zoti asnjëherë nuk të braktis, por jemi ne ata që e braktisim Atë. Kjo, në emër të Zotit është këshilla ime për ty kur ndjehesh i vetmuar; megjithëse kjo mund të jetë e vështirë, megjithëse ti mund të humbësh dëshirën, në mendimet e tua dhe në zemrën tënde gjithmonë thërrit Zotin tonë Jisu Krisht, i cili banon në shpirtin tënd.

    2. Shërbëtorët e Zotit gjithmonë duhet t’i binden vullnetit të Perëndisë, asnjëherë vullnetit të tyre. Është vullneti i Perëndisë i cili na ndalon, ashtu si dikur ndaloi apostujt, që u përpoqën të dinin për të ardhmen. E ardhmja është vetëm në duart e Perëndisë.

    3. Nëse ti jeton në një komunitet me të tjerët, shërbeju atyre ashtu si do t’i shërbeje vetë Zotit, kur jep dashuri mos kërko që ata të ta kthejnë atë, gjithashtu mos prit çmim për përulësinë, as mirënjohje për punët e tua të mira.

    4. Përpara se të thuash diçka, mendohu mirë. Mos ndoshta fjalët e tua do të zemërojnë Perëndinë ose do të mërzisin të afërmin tënd?

    5. Kurrë mos e nënvlerëso të afërmin. Edhe nëse ai ecën në rrugë të drejtë ose jo, Perëndia që ka pushtet ta lejojë ose ta ndalojë rënien e tij, Ai shikon gjithçka.

    6. Kujto që në çdo orë në të cilën plogështia jote shpirtërore largohet nga ty, ajo mund të jetë e fundit në jetën tënde dhe kjo mund të pasohet nga vdekja dhe gjykimi. Qëndro larg nga kënaqësitë kalimtare të mishit….

    7. Asnjëherë mos i shkakto dhimbje të tjerëve dhe asnjëherë mos e kthe ndëshkimin e rëndë, ose dëshpërimin me dëshpërim. Kështu emri yt do të shkruhet në librin e jetës bashkë me emrat e shenjtorëve.

    8. Të lutem biri im, mos neglizho edhe mënyrën më të vogël për të kënaqur Perëndinë. Të shumta janë mënyrat që mund të kënaqësh Perëndinë. I butë në sjellje, ngushëllo të tjerët në pikëllimin e tyre, mbështet ata që u janë bërë padrejtësi, jep lëmoshë, shmangi sytë e tu nga skena që turbullojnë zemrën, largo mendimet e këqija, nxit veten për lutje, ji i duruar, i dhembshur, i drejtë, etj….

    9. Bëj gjithçka që mundesh për të kapërcyer zemërimin dhe me ndihmën e Perëndisë ai do të dobësohet. Nëse ndodh që ti inatosesh, atëherë të paktën mos fol, ik larg personit që të shkakton mërzitje dhe mos e hap gojën, që të mos shpërthejë flaka e zemërimit dhe të djegë shpirtin tend dhe të mos shqetësosh të afërmin tënd. Kur flaka e zemërimit të shuhet dhe të jesh me paqe në zemër, atëherë fol me të afërmin tënd dhe korrigjoje atë.

    10. Bëj të pamundurën për të mos u inatosur me asnjë njeri dhe as me ndonjë gjë. Nuk do të ndodhin gjëra të pakëndshme tek ne nga ato vetë, por gjithmonë nga vullneti i Perëndisë….

    11. Duke ditur të gjitha këto, mos i kushto vëmendje fyerjeve ose personit që të ka mërzitur, sepse sipas fjalëve të etërve të shenjtë, ata që na bëjnë padrejtësira dhe na ofendojnë janë mirëbërësit tanë. Mbaje në mendje se asnjë njeri nuk do të guxonte të të fyejë nëse nuk do ta kishte lejuar Perëndia… .

    12. Asnjëherë mos u bëj i mërzitshëm ose i ashpër. Gjithmonë sillu me të tjerët si një fëmijë i pafajshëm në sytë e Perëndisë. Ji si një baba ose si një nënë për të gjithë ata që sillen pabesisht ndaj teje. Asnjëherë mos lejo asnjë njeri që të marrë vendin e përcaktuar për Perëndinë në zemrën tënde ose në mendimet e tua. Nëse ndonjë krijesë njerëzore ose ndonjë gjë zë vendin e Zotit në zemrën tënde, qoftë ky një njeri (madje edhe po të jetë ati yt shpirtëror) ose ndonjë gjë si para, ose njohuri në funksion të kotësisë dhe krenarisë tënde, ti do të vuash shumë derisa të mësosh të duash Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tënde, deri kur ti do të mësosh ta vendosësh jetën tënde në duart e Perëndisë për çdo moment.

    13. Lejo që punët e dashurisë të triumfojnë edhe atëherë kur nuk ke dashuri në zemrën tënde ndaj të afërmit tënd. Kjo nuk është hipokrizi, kjo nuk është thjesht veprim, por është një përpjekje vetsakrifikuese e një zemre të penduar që përpiqet të imitojë Perëndinë, Zotin tonë në të gjitha gjërat. Bëj vepra dashurie dhe do të mësosh të duash. Kështu dashuria do të bëhet natyra jote e dytë, aq natyrale sa edhe frymëmarrja. Në këtë mënyrë do të mësohesh të bësh vepra dashurie.

    14. Shpëtimi nuk ka të bëjë me oratorinë, por me qëndrimin vigjilent ndaj vetes tënde.

    15. Mos e bëj zakon të argumentosh dhe të grindesh, sepse këto largojnë paqen e shpirtit dhe mbjellin dyshime në zemrën tënde. Kur nxitja e të grindurit të shfaqet në mendjen tënde, kaloje menjëherë me lutje duke thënë: “Zoti ynë Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, ki mëshirë për mua mëkatarin”. Asnjëherë mos beso tek paragjykimet, thashethemet, tek përhapja e fjalëve të këqija ose ëndërrat, dhe asnjëherë mos i beso vetes tënde.

    16. Të jesh mosbesues nuk është një tipar i krishterë. Mos e adopto atë. Ashtu si vetë Zoti rekomandon në Ungjill: “Jini të zgjuar si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat”.

    17. Gjithmonë zgjidh rrugën e mesme. Ekstremet kurrë nuk janë dobiprurëse.

    18. Mposhte të keqen me të mirë. E keqja kurrë nuk mund të korrigjohet me të keqe.

    19. Në kohë dëshpërimi, kur je dekurajuar në shpirt, nxite zemrën dhe mendjen tënde të lutet kështu: “O Zot, më shpëto nga vuajtja! O Zot, sill dritë në errësirën time! O Zot, më ndriço me rrezatimin Tënd.

    20. Nëse je zhytur në melankoli, mos e lër veten tënde pas dore, shko lart në male, shëtit në vende të qeta, shëtit në ajrin e pastër dhe lutu, sepse kjo ndihmon shumë.

    21. Asnjëherë mos e justifiko veten tënde, asnjëherë mos u grind. Gjithmonë ki në mendje karakterin e një personi dhe moshën e tij. Ngushëllo çdo njeri. Asnjëherë mos e lejo veten tënde të inatoset; madje as në zemër, kur të kanë fajësuar padrejtësisht, sepse e keqja lindet nga mendime të këqija. Kur ti je pikë e vrer dhe i zemëruar, madje edhe pse vetëm në mendimet e tua, ti prish atmosferën shpirtërore rreth teje, ndalon punën e Shpirtit të Shenjtë dhe i hap rrugë djallit për të shumëfishuar të keqen. Gjithmonë lutu Perëndisë që të të japë aftësinë për të dashur dhe për të falur të tjerët.

    22. Përdor mendjen dhe gjuhën vetëm për të lavdëruar Perëndinë ose për përmirësimin shpirtëror të të afërmit tënd. Nëse ndjen ngacmim për të bërë thashetheme, kujto mëkatet që ke kryer më parë dhe analizoje veten tënde.

    23. Një plak i vjetër ka thënë: “Diku këtu afër bëhej një instalim elektrik dhe në atë dhomë ishte një dritë llambe. Nëse ti nuk ndez çelësin, atëherë do të qëndrosh në errësirë. Në të njëjtën mënyrë, Krishti ekziston, po kështu edhe shpirti yt, por nëse nuk e ndez çelësin me anë të lutjeve, shpirti yt nuk do ta shohë dritën e Krishtit dhe do të qëndrojë në errësirë e cila është pronë e djallit”.

    24. Mos lejo që jeta të jetë një barrë e rëndë për ty. Jeta është barrë e rëndë vetëm për ata që nuk besojnë tek Perëndia, por për ata që besojnë në Zotin tonë Jisu Krisht, shpresojnë tek Ai dhe e duan Atë, jeta është gjithmonë e durueshme, një dhuratë shumë e çmuar.

    25. Harro të gjitha gjërat që i përkasin rrugës së gjerë. Sipas mëshirës së Tij të madhe, Zoti do të na marrë në Mbretërinë e Qiejve nëpërmjet derës së ngushtë. Rruga tjetër të drejton në shkatërrim.

    26. Të gjitha ato që dëshiroj për ty dhe për veten time është që të jemi të pastër nga mëkatet dhe unë i lutem Zotit të bëj atë çfarë është e pëlqyeshme për Të, në mënyrë që të pastrojë shpirtin tonë dhe të hedh tej mëkatet tona, edhe pse mund të kemi përvoja poshtërimi dhe turpi. Ti edhe unë duhet të jetojmë një jetë sipas porosive të Perëndisë dhe jo të njerëzve.

    27. Vetmia është dobiprurëse për shpirtin tënd. Bindju porosive të Atit tonë që është në qiejt dhe mësoje zemrën tënde të lutet papushim kështu: “Zot Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, ki mëshirë për mua mëkatarin”! Atëherë Perëndia do të banojë në zemrën tënde dhe ti do të fitosh qëndrueshmëri, durim, dashuri dhe përulësi.

    28. Ji i kujdesshëm se mos plogështia të dobëson shpirtin dhe të ndalon së punuari për shpëtimin tënd.

    29. Pa ndërprerë dëshirat tona, është e pamundur për të filluar punën e shpëtimit tonë. Lutu Perëndisë që të të japë fuqi për të prerë dëshirat e tua, sepse ky është mjet i domosdoshëm për shpëtim.

    30. Përulësia fillon tek Zoti ynë i cili e përuli veten e Tij, madje deri në vdekje mbi kryq. Kjo është kurora dhe bukuria e të gjithë virtyteve. Ashtu si shiu është i domosdoshëm për tokën e tharë, kështu është edhe përulësia për shpirtin e njeriut. Një njeri i përulur është ai i cili e konsideron veten si mëkatari më i madh dhe kurrë nuk gjykon të tjerët. Ai është njeri që pranon çdo këshillë dhe fyerje duke qenë i bindur se i meriton ato. Ai është gjithmonë gati t’ju shërbejë të tjerëve me dashuri, nuk numëron veprat e tij të mira dhe nuk flet për to.

    31. Dega e grurit e cila qëndron e gjatë mbi të gjitha të tjerat zakonisht është pa frut, por ajo e cila përkulet poshtë është gjithmonë e mbushur me fruta. Ki një zemër të përulur dhe ti do të fitosh pasurinë e të gjitha gjërave që do të nevojiten për shpëtimin tënd.

    32. Kurrë mos e harro Kishën. Mos u largo nga lutjet e Kishës, veçanërisht nga Liturgjia Hyjnore dhe misteri i shenjtë i Kungimit, sepse nuk kemi jetë pa jetën e Perëndisë të cilën e marrim në Kishë.

    33. Motoja e jetës tënde le të jetë: “Jep gjithçka në këtë botë për Krishtin, por mos hiq dorë nga Krishti për asgjë të kësaj botë”.

    Ti je trupi i Tij!
    Krishti tashmë nuk ka trup, veç tëndit
    As duar, as këmbë, veç të tuat
    Të tuat janë sytë, me anë të cilëve
    Ai vështron botën me dhembshuri.

    Të tuat janë këmbët, me të cilat
    Ai ecën për të bërë të mirën.
    Të tuat janë duart, me të cilat
    Ai bekon botën.


    Ti je duart e Tij
    Ti je këmbët e Tij
    Ti je sytë e Tij
    Ti je trupi i Tij.


    Krishti tashmë nuk ka trup, veç tëndit
    As duar, as këmbë këtu në tokë, veç të tuat
    Të tuat janë sytë me anë të cilëve
    Ai vështron botën me dhembshuri
    Krishti tashmë nuk ka trup në tokë
    Veç tëndit.

    Hyr, Zot Jisu, në shtëpinë e zemrës sime
    Hyr, Zot Jisu, në shtëpinë e zemrës sime. Ty. Më ndihmo që me anë të pendimit të flak mëkatet që e kanë bërë rrëmujë jetën time dhe nuk kanë lënë vend për Ty.
    Kush tjetër veç Teje mund të largojë zbrazëtinë e jetës sime?
    Kush tjetër veç Teje mund të largojë vetminë e tmerrshme, frikën e brendshme, fajin, pasigurinë – të gjitha këto paga të mëkatit që ma bëjnë jetën të errët?
    Eja, Zot, Jisu, unë e hap derën, vërsho tek unë me faljen dhe paqen Tënde, me praninë dhe plotësinë tënde. Hyr tani dhe depërto si Zot.
    Unë të hap çdo derë të shtëpisë së zemrës sime që Ti të mund të mbushësh çdo dhomë me praninë Tënde të hirshme dhe të fuqishme, sepse unë tani e kuptoj, Zoti im, se Betlehemi i vërtetë ku Ti erdhe të lindesh është zemra ime.
    Ja, pse Ti qëndron aty duke trokitur. Eja Zot, eja. Amin.

Tema të Ngjashme

  1. Ikonat ne fene Orthodhokse
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 20-02-2015, 18:30
  2. Fragmente nga Shën Grigor Teologu
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 12-03-2007, 07:40
  3. DOKTRINA - Kapitulli II. Simboli i Besimit
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 21-09-2004, 21:47

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •