Në konkursin ndërkombëtar të arteve pamore marrin pjesë 35 artistë

Konkursi “Onufri” starton më 13 dhjetor

Konkursi ndërkombëtar i arteve pamore “Onufri” do të çelet me 13 dhjetor në Galerinë e Arteve në Tiranë. Marrin pjesë rreth 35 artistë shqiptarë e të huaj, të cilët do të prezantojnë punët e tyre si foto, piktura, performanca, video dhe projekte interaktive në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur për rreth një muaj. Gjatë kësaj kohe juria do të përzgjedhë artistët fitues të konkursit “Onufri”.

Konkursi

Në edicionin e 13-të të këtij konkursi, tashmë tradicional, marrin këtë vit pjesë 35 artistë, shtatë prej të cilëve të huaj. Vitin e kaluar fituesi këtij edicioni u shpall Ali Oseku me ciklin e pikturave “Gjurmë”. Piktori madje u shpreh se kjo ishte hera e fundit që ai merrte pjesë në këtë konkurs.

Çmimin e dytë e fitoi suedezi Knutte Wester, ndërkohë që vendi i tretë i ka takuar piktorit shqiptar, Adrian Isufi. Përveç tri çmimeve tradicionale ka qenë dhe një çmim special, me të cilin është kurorëzuar bashkëpunimi Elsa Martini dhe Herbert Stoger, ndërkohë që pjesëmarrës në konkurs ishin 26 artistë shqiptarë e të huaj, të cilët u prezantuan në zhanre e gjini të ndryshme si piktura, performanca, video dhe projekte interaktive. Juria përbëhej nga Nestor Jonuzi, Najada Hamza, Rubens Shima dhe kritiku i artit me famë evropiane, Pino Bonano.

Onufri

Konkursi Ndërkombëtar i Arteve Pamore Bashkëkohore mban emrin e piktorit më të madh të artit mesjetar shqiptar të shekullit XVI. Kjo veprimtari zhvillohet me miratimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nën drejtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve që nga viti 1998. “Onufri” organizohet prej një kratori apo grupi kuratorësh dhe hapet në muajin dhjetor të çdo viti. Pjesëmarrësit shqiptarë dhe të huaj aplikojnë në mbështetje të konceptit kuratorial dhe marrin të drejtën për të qenë pjesëmarrës vetëm prej kuratorit apo grupit të kuratorëve

Blendina CARA