Shtëpitë më të shtrenjta në botë


E. Kurra

Revista “Forbes” publikon klasifikimin e 10 banesave më të kushtueshme, nga Kolorado në Stamboll. Numri një ndodhet në Angli


Ashtu si çdo vit, revista “Forbes” paraqiti këto ditë listën e shtëpive më të shtrenjta të globit, që janë në shitje, të hartuar nga agjencia e njohur imobiliare amerikane Knight Frank. Vazhdon të mbetet në vend të parë pallati anglez “Updown Court” që, edhe në vitin 2005 mbante rekordin: ajo del në treg me çmimin 139 milionë dollarë. Përbëhet nga 103 dhoma dhe ka një oborr jashtëzakonisht të madh. Nuk është vetëm e bukur: ajo ofron edhe luksin e pesë pishinave, dy fushave tenis, një mjedis për buling etj. Në brendësi të banesës ndodhet edhe një sallë kinemaje me 50 vende, si dhe një mozaik shumë i madh. Nuk mund të mungonin një pistë helikopterësh, disa stalla për kuaj, një dhomë e blinduar (pronarët mund të kërkojnë ndihmë në rast grabitjeje), si dhe një garazh i aftë të strehojë deri në tetë limuzina. Luksi është i pranishëm gjithandej dhe, ngjitur me këtë pallat ndodhet ai i mbretëreshës Elizabet II.
Në vend të dytë klasifikohet vila “Starwood Estate”, që ndodhet në lokalitetin turistik Aspen, në Kolorado të SHBA. Ajo kushton 135 milionë dollarë. Një nga ish-pronarët e saj ishte princi saudit Bandar bin Sultan bin Abdul Aziz, që sapo u largua nga detyra e ambasadorit të vendit të tij dhe e shiti pallatin me 15 dhoma gjumi, 16 banja dhe pishina të mbyllura, fusha tenisi etj. Ndërsa, në vend të tretë, qëndron “Maison de l'Amitie”, një vilë e madhe, e ndërtuar në një nga plazhet e famshme të Palm Beach, në bregun paqësor të Kalifornisë. Ajo ka një çmim prej 125 milionë dollarësh.
Sipas revistës, në vend të katërt ndodhet një banesë turke, në Stamboll, që mban emërtimin anglez “Waterfront Estate”, e cila kushton 100 milionë dollarë dhe është e pajisur me 64 dhoma. Pas saj pasojnë shtëpia londineze “Toprak Mansion” (92 milionë dollarë, me pishinë të mbyllur dhe banja turke hamam), rezidenca njujorkeze "Three Ponds”, pronë, që kushton 75 milionë dollarë), e më pas vila kaliforniane “The Portabello Estate” (75 milionë dollarë dhe pamje përshtypjelënëse mbi një nga pjesët më të bukura të bregut të oqeanit.
E mbyllin top listën “Pierre Penthouse” (70 milionë dollarë), një shtëpi shumë e bukur në qendër të Nju-Jorkut dhe, me çmim të barabartë, dy rezidenca kaliforniane 65-milionë dollarësh: e para në “Locksley Hall” dhe e dyta në “Gold Coast Mansion” të San Franciskos, me stol europian.
“Forbes” tregon edhe mënyrën për të blerë shtëpi shumë më luksoze,. por më të lira, pasi ndodhen në kontinente apo vende jo shumë të lakmuara Kështu, sipas saj, në Afrikë mund të blesh jo vetëm vila apo pallate, por edhe kopshte të vërteta zoologjike në brendësi të tyre. Sipas revistës, blerësit më të shumtë kohët e fundit kanë qenë pasanikët rusë. “Kanë blerë në Londër prona përrallore të patundshme”, thekson “Forbes”, duke shtuar se, ndoshta, në një të ardhme të afërt pasuri të tilla do të bien në duar të të pasurve kinezë.



17/11/2006
KATEGORIA: Kuriozitete
shekulli