Politika hyn edhe në futboll.
Tifozët rusë dhe maqedonas e kthejnë ndeshjen Maqedoni Rusi, arenë fyerjesh ndaj shqiptarëve
17-11-2006
Maqedonasit: "Dhoma gazi për shqiptarët"
Olsi Avdiaj
Lufta për pavarësinë e Kosovës ka zbritur edhe në futboll. Të mërkurën, në takimin mes Maqedonisë dhe Rusisë, i zhvilluar në Shkup mes dy tifozërive ka përfunduar në një dhunë të paparë. Shkak i konfrontimit sërish është bërë pavarësia e Kosovës. Gjithçka ka nisur pas një goli të Rusisë. Tifozët rusë kanë nxjerë një parullë, ku shkruhej: "Kosova është tokë e Serbisë", si dhe kanë nisur të thyejnë karriget dhe gjithçka që kanë mundur të shkatërrojnë...
"Fushatën antishqiptare që shfaqën tifozët rusë dhe ata maqedonas në "Gradski Stadium" të Shkupit, arriti ta dëgjojë edhe vetë kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, me shumicën e ministrave të kabinetit të tij. Në vendet e VIP ave ishin të pranishëm edhe politikanë të tjerë dhe pothuajse i gjithë personeli i ambasadës ruse në Shkup, - na thotë nëpërmjet linjës telefonike, Bujar Kurtaj, gazetar i gazetës "Fakti", i cili vijon tregimin e tij për ngjarjet e dhunshme dhe shfaqjet antishqiptare në manifestuara nga tifozët rusë dhe maqedonas gjatë ndeshjes.
"Rreth 100 tifozë rusë,- thotë ai, - që kanë qenë në stadiumin e qytetit të Shkupit, nuk kanë qenë të qetë gjatë gjithë ndeshjes. Ata dy herë e kanë shpalosur parrullën "Kosovo srpska zemla" (Kosova është tokë serbe). Në këto çaste, ultrasit maqedonas, jo vetëm kanë duartrokitur, por në kor kanë nisur të këndojnë këngën e tyre tradicionale ku fyhet gjithçka që është shqiptare dhe nuk harruan të lëshojnë thirrjet "Dhoma gazi për shqiptarët"! Më pas, në rastin e shënimit të golit të dytë, tifozët rusë janë konfrontuar sërish me forcat speciale maqedonase dhe kanë shpalosur edhe një parrullë tjetër, ku shkruhej: "Serbët dhe rusët, përgjithmonë vëllezër". Gjatë trazirave në stadium, sipas një komunikate që na ka ardhur në redaksi nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë, tifozët rusë kanë plagosur edhe tre policë maqedonas, ndërsa këta të fundit kanë arrestuar 19 tifozë, prej të cilëve 16 rusë dhe tre serbë", - përfundon fjalën e tij gazetari, Bujar Kurtaj.
Skena të tilla antishqiptare të tifozëve maqedonas nuk shfaqen për hetë të parë në fushat e futbollit të vendit fqinj. Por kësaj here duket se tensioni për pavarësinë e Kosovës po kalon edhe analet diplomatike. Ai ka zbritur në fushën e futbollit dhe ndeshja Maqedoni Rusi është shembulli i tensionit në rajon për statusin përfundimtar të Kosovës.
Sporti Shqiptar
Krijoni Kontakt