Kur qytetarët i thonë Mjaft keqpërdorimit politik
Armand Shkullaku
Lëvizja Mjaft nuk arriti edhe njëherë dje pasdite të organizojë një protestë të fuqishme qytetare, megjithë fushatën përgatitore dhe suportin e vazhdueshëm të opozitës shqiptare. Aktivistët e kësaj lëvizjeje si dhe nëndega e tyre e Aksionit Civil mundën të mbledhin rreth vetes disa dhjetëra të rinj dhe një grup të përhershëm veteranësh, që nuk mungojnë asnjëherë në tubimet e opozitës.
Për këtë rënie të përkrahjes qytetare ndaj iniciativave të lëvizjes Mjaft ka patur mjaft komente, që nisin nga përdorimi politik dhe deri te privatizimi i saj vetëm nga disa individë. Si mund të shpjegohet që një lëvizje e tillë, që fitoi simpatinë e të gjithë shqiptarëve që në fillimet e saj, që ia doli të mbledhë mijëra e mijëra njerëz pas tragjedisë së 9 janarit apo në dhjetëra protesta të tjera anembanë vendit, sot mezi arrin të tërheqë rreth vetes një grusht simpatizantësh të Partisë Socialiste? Përdorimi politik, protagonizmi, përfshirja e individëve me interesa të caktuara politike, ngushtimi i objektit të lëvizjes, njëanshmëria, etj, mund të jenë elementë të diskutueshëm që shpjegojnë këtë rënie. Por ato nuk janë vendimtarët. Që lëvizja Mjaft të bjerë në këtë nivel të mbështetjes qytetare, ka një arsye më të fortë.
Kjo arsye duhet kërkuar tek abuzimi me të drejtën dhe të vërtetën që ka çuar në zvenitjen e besueshmërisë të lëvizjes Mjaft. Njerëzit nuk dalin në shesh për të protestuar, sepse Erion Veliaj mendon se demokracia është në rrezik, as sepse Mustafa Nano është bindur tash sa vjet se Berisha përbën kërcënim për shqiptarët, as edhe sepse Andrea, Endri, Besiani dhe Edi japin alarmin e instalimit të totalitarizmit. Një situatë e tillë nuk mund të krijohet, qoftë edhe në sinkron me opozitën, me pahir. Ajo duhet të mbarset, të ekzistojë realisht, të ndihet në atmosferë, të peshojë në jetën e qytetarëve, që ti detyrojë ata të dalin në rrugë. Në Shqipëri një situatë e tillë nuk ekziston ose nuk është në ato përmasa sa ti bëjë qytetarët të lënë shtëpitë e tyre dhe të derdhen shesheve për të protestuar. Sigurisht që ka probleme të shumta, ka shtresa sociale me probleme, ka grupe të konsiderueshme individësh të prekur nga shkelje të shumta të pushtetit të ri, ka abuzime dhe shenja korrupsioni, ka nëpërkëmbje të drejtash, përplasje institucionesh, tentativa autoritarizmi, por nuk ka një pakënaqësi popullore në një shkallë të tillë që të justifikojë alarmin e sforcuar të lëvizjes Mjaft. Nuk ka një trysni të tillë nga pushteti sa të çojë në një kundërreagim proteste apo revolte masive, ndaj dhe drejtuesve të lëvizjes dhe Aksionit shpeshherë do tiu duhet të bëjnë thirrje e të shpërndajnë sms për të rritur pjesëmarrjen.
Ky është elementi kryesor që përbën çelësin e një lëvizjeje-protestë qytetare. Por në rastin e grupimit Mjaft, ka edhe faktorë të tjerë që e reduktojnë suportin shoqëror. Një nga këta është edhe mungesa e objektivitetit. Në asnjë rast të vetëm drejtuesit e kësaj lëvizjeje nuk kanë evidentuar një aksion pozitiv të qeverisë apo një veprim të kritikueshëm të opozitës. Shfaqja më e pabesueshme ishte pak ditë më parë, kur raporti i Komisionit Evropian, më pozitivi deri më sot i hartuar për Shqipërinë, u paraqit nga drejtuesit e Mjaft-it si më i ashpri kundër qeverisë. Ky rast abuzimi dhe shumë të tjerë, në një kohë kur njerëzit kanë mundësinë të marrin informacion të paanshëm, e ul ndjeshëm besueshmërinë e kësaj organizate. Dhe aq më pak i jep asaj tipare të tilla për të frymëzuar qytetarët të dalin në protesta.
Fakti se për të ekzistuar dhe për të thithur sa më shumë fonde, mjaft OJF kanë nevojë ta servirin aktivitetin e tyre si të zhvilluar në vende problematike, nuk e bën Shqipërinë detyrimisht një vend të tillë. Alarmi i ekzagjeruar për asgjësimin e demokracisë, thirrjet për të shpëtuar institucionet, kërcënimi i lirive dhe hapësirave demokratike, duke e tejkaluar cakun e së vërtetës dhe të së drejtës rrezikojnë të shndërrohen në apele patetike dhe qesharake. Ato më shumë sesa me shqetësimet e qytetarëve, janë në sinkron me një strategji të pashpallur të Edi Ramës për krijimin e një klime shkeljesh dhe dhunimesh, për të sensibilizuar ndërkombëtarët në atë që mendohet si pika më e dobët e Berishës. Përpjekja e Mjaft-it në këtë drejtim duket se nuk i përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve, por një platforme për të lançuar në politikë një grupim të ri pranë opozitës. Do të qe më e ndershme që vetë drejtuesit e kësaj lëvizjeje të pranonin këtë dhe nuk do të ishte çudi që të kishin shumë më tepër pasues.
Por me mënyrën që kanë zgjedhur, edhe protestat e ardhshme ka të ngjarë të jenë si ajo e pasdites së djeshme përpara Kryeministrisë. Përsa kohë që realiteti që vizatojnë drejtuesit e Mjaft-it nuk i përgjigjet atij që jetojnë qytetarët, edhe alarmi i tyre nuk i ngre dot në këmbë qytetarët.
Krijoni Kontakt