Lufta e parë morale e shekullit XX u bë në Kosovë
Zakonisht në këso rastesh fjalët janë jo shumë të sakta, jo shumë të pasura, jo shumë origjinale. Sot, jam shumë i prekur, jam shumë i nderuar. Jam i detyruar të përsëris fjalët e zakonshme për një ngjarje që për mua është e pazakonshme. Jam jashtëzakonisht i prekur dhe jashtëzakonisht i nderuar që u mblodhëm sot në këtë qytet, për të marrë një çmim që mban emërtimin e mrekullueshëm “Kepi i shpresës së Mirë- Fahredin Gunga”, që jepet në përkujtim të poetit Fahredin Gunga, të cilin e kam njohur dhe e kam çmuar. Kam pasur fatin, pra, ta njoh dhe ta çmoj.
Kam qenë në Mitrovicë dhe është hera e dytë që ndodhem. Kam qenë në vitin 1972, pra 30 e sa vjet përpara, me mikun tim Azem Shkreli, gjatë vizitës sime të parë bërë Kosovës.
Kam ardhur në një pasdite të ftohtë, ngrinte, dhe Mitrovica më është dukur e trishtuar dhe e pluhurt. Ndoshta, nuk ka qenë e pluhurosur. Rrugët mund të kenë qenë të pastra, por, si duket, ishte ajo ndjenja e robërisë, që ma krijonte tërë këtë përfytyrim. Të them të drejtën, në atë kohë, unë nuk besoja se gjatë jetës Kosova do të ishte e lirë, sepse nuk besoja se gjatë jetës Shqipëria do të ishte e lirë nga komunizmi. Sepse nuk besoja se komunizmi do të përmbysej, ndërkohë që ne do të ishim të gjallë. Por, ndodhi. Shqipëria u bë e lirë dhe pastaj Kosova u bë e lirë. Po, sepse komunizmi u përmbys në këtë botë. Kjo nuk do të ndodhte po të mos përmbysej komunizmi. Këto ishin ngjarje të mëdha për gjithë popujt, e veçanërisht për popullin shqiptar. Shumë popuj e fituan lirinë, por Kosova mbeti përsëri, dhe pastaj ndodhi gjëja më e pabesueshme, gjëja më e kobshme. U ngrit kontinenti evropian, dhe kontinenti verior amerikan. U ngrit aleanca më e fuqishme ushtarake e botës dhe më përparimtarja deri më sot, Aleanca Atlantike. Dhe u ngritën për lirinë e Kosovës. Nuk u ngritën siç mendohej, siç ishte klisheja dikur se gjoja bëhej luftë për naftë, luftë strategjike detare, për arsye ekonomike, por u ngrit për lirinë e një populli. Dhe sot, pothuajse unanimisht, pohohet se lufta e parë morale u bë në shekullin XX.
Në Kosovë nuk kishte vajguri, nuk kishte ndonjë kyç të rrugëve ndërkombëtare që do të bashkonte oqeanet. Kosova ishte thjeshtë një rajon i Ballkanit, i banuar nga një popull i vjetër i Ballkanit, nga shqiptarët, dhe bota perëndimore u ngrit në luftë për lirinë e këtij populli.
Në ndërgjegjen e popullit shqiptar u depozitua një triumf i madh i ushqimit shpirtëror për shekujt e ardhshëm, që gjithë bota u tund për shkak të Kosovës. Për këtë vend po flitet në këto ditë, në këto javë, e që do të flitet ende, siç është folur për Kosovën gjerësisht para se të ndodhte furtuna e madhe. Jemi këtu plot shpresë dhe kjo është fjala e kryefjala e kohës që jetojmë. Këtu lind emri i shpresës, në thelbin e emërtimit të këtij tubimi, në thelbin që Fahredin Gunga i ka dhënë njërës prej veprave më të rëndësishme të tij.
Ka dy lloj shpresash në botë: një shpresë për gjithçka në kuptimin human, filozofik, e disa herë fetar, ku njeriu ka shpresë se një forcë disa herë hyjnore, disa herë të mëshirohet nga Zoti, do t’i japë diçka më të mirë, por ka edhe një shpresë tjetër, më të devotshme, më urgjente, më të afërt, më të prekshme, kjo është shpresa e hakut historik dhe politik për një popull. Ne i kemi të dyja shpresat sot. Populli shqiptar jeton në një ekspansion në kuptimin më të mirë dhe më pozitiv të fjalës. Nuk ka vend absolutisht për dëshpërim. Nuk ka vend për dëshpërim, as për thyerje, as për nguti, as për ligështim moral,sepse thelbi i asaj që ka ndodhur dhe asaj që po ndodh është liria e popullit shqiptar.
Ne të gjithë e dimë që qiejt dhe dherat përmbysen, dhe toka e qielli po të përmbyset, populli shqiptar nuk bie më në robëri.
Nuk kam ndërmend të bëj ndonjë thirrje me tingëllimë nacionaliste, por kjo është një thirrje reale, thirrje humane. Populli shqiptar duke e mbrojtur Kosovën e mbron edhe popullin serb nga demonët e vetë, dhe, herët a vonë, ai popull do ta kuptojë këtë gjë dhe do të jetë mirënjohës ndaj popullit shqiptar, e duan a s’e duanë këtë. Duke e mbyllur këtë fjalë, duke e përsëritur sa i gëzuar jam që erdha për herë të dytë në Mitrovicë, që është e lirë e që do të jetë edhe më e lirë, shpresoj se herën e tretë në qoftë se më bije rasti të vijë, të takoj këtu një tjetër realitet dhe bashkë me lexuesit e mi shqiptarë të jenë midis tyre edhe lexuesit serbë, përfundoi Ismail Kadare.
marre nga Iliria Post
Ruaj Lidhjet