Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 14
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,424
    Postimet në Bllog
    17

    Shën Katerina e Aleksandrisë - 25 nëntor

    Shën Katerina, martire e madhe


    Parathënie

    Zoti Jisu Krisht me mësimet e tij të jashtëzakonshme dhe me madhështinë e pakrahasueshme të sakrificës, do të emocionojë me mijëra shpirtra në të gjithë botën.

    Feja e Krishtit për tre shekuj përndiqet, por megjithatë bën çudira. Kisha lavdëron ndeshjet dhe sakrificat e shenjtorëve. Dita e së kremtes së shenjtorëve emërohet "dita e lindjes", sepse këtë ditë ata hynë fitimtarë në jetën e përjetshme dhe morën kurorën e pavdekshme të lavdisë.

    Epifani, episkop i Qipros, Atë i madh i Kishës, shkruan: "Ai që nderon Zotin, nderon dhe Shenjtin!"

    Shën Grigor Theologu i shkruante perandorit Julian, i cili përndiqte Kishën: "Nuk pate respekt për ata që u vranë për Krishtin? As nuk u trembe nga luftëtarët e mëdhenj, Joani, Pavli, Jakovi, Stefani, Llukai, Andrea, Thekla, të cilët me zjarr dhe hekur, me përbindësh dhe tiranë u ndeshën me vullnet, për të mos tradhtuar as me fjalë shpresëtarinë?"

    Niqifori, Patrik i Konstandinopojës shkruan: "Lutem dhe nderoj lipsanët e respektueshëm të shenjtorëve si klinika shpirtërash dhe trupash, sepse pritën shpirtra të pastër dhe të shenjtë.

    "I çuditshëm është Perëndia ndër shenjtorët e tij". Me shenjtorët që janë në tokë Zoti bëri çudira.

    Në Shkrimin e Shenjtë shkruhet: "Shumë janë nderuar miqtë e tu, o Perëndi".

    Një nga figurat më të mëdha të Kishës së lashtë është Shën Katerina, lavdia e martirëve. Në të gjithë botën u bë e njohur e bekuara. Me trimërinë dhe guximin e saj për Krishtin, me pastërtinë dhe dëlirësinë e saj të shkëlqyer tërhoqi shumë shpirtra në dritën e Jisu Krishtit. U tregua banesë e Shpirtit të Shenjtë, nuse e Krishtit, Mbretit qiellor. Kush i mendon të gjitha këto, i duket sikur futet brenda një parajse mendore, të mbushur me lule virtytesh të mrekullueshme dhe të këndshme. "Ti na krijove, o Zot, dhe zemra jonë është e shqetësuar deri sa të prehet tek Ti".


    Katerina njeh Krishtin

    Shën Katerina lindi në Aleksandri në shek. e 3-të pas Krishtit. Ishte bijë e perandorit Kostand, i cili kishte vdekur. Atëherë perandor ishte pagani Maksent, më 305-313.

    Shën Katerina kishte bukuri engjëllore dhe të pakrahasueshme. U edukua me kulturën greke dhe njohu Homerin, Virgjilin, Aristotelin dhe Platonin. Studioi edhe librat e shkencës mjekësore të Esklipit dhe të Hipokratit. Mësoi tërë retorikën. Të gjithë e admironin urtësinë e saj. Shumë krerë të pasur të senatit kërkuan te nëna e saj të martoheshin me të. Nëna e saj ishte një e krishterë e fshehtë nga përndjekja që kishte filluar Maksimiliani kundër besimtarëve. Të afërmit dhe nëna e saj e këshillonin të martohej që të mos kalonte mbretëria e të atit në dorë të ndonjë të huaji. Por Shën Katerina megjithë pasuritë, lavdinë dhe nderimet që kishte, dëshironte të rronte në virgjëri. Mirëpo, kur pa që e shqetësonin, u tha:

    "Gjeni një të ri i cili të ketë lavdi, pasuri, bukuri dhe urtësi, sepse nuk pranoj të marr një më të ulët se veten".

    Nëna e saj kishte një atë shpirtëror të shenjtë, i cili asketonte jashtë qytetit, në një vendqëndrim të shkretë. Mori atëherë Katerinën dhe shkuan të këshilloheshin. Asketi i dëgjoi fjalët e saj të urta. Ai mendoi ta tërhiqte në besimin e Krishtit dhe i tha:

    "Njoh një njeri të mrekullueshëm që të kalon në të gjitha dhuntitë dhe në të tjera gjëra të pallogaritshme. Bukuria e tij mund në shkëlqim diellin. Urtësia e tij sundon gjithësinë. Pasuria e tij shpërndahet në të gjithë botën. Mirësjellja e tij, prejardhja e tij është e papërshkrueshme".

    Vajza mendoi se ai thoshte për ndonjë person të shquar të kësaj bote dhe pyeti: "I biri i kujt është që ka kaq shumë cilësi të mira?" Ai u përgjigj: "Ky i ri nuk ka atë në këtë botë. Lindi në mënyrë mbinatyrore nga një virgjëreshë e Tërëshenjtë dhe shumë e sjellshme, e cila u vlerësua nga shenjtëria e saj të mbetet e pavdekshme në shpirt dhe trup. U ngjit në qiell. Lutet për të gjithë; shenjtorë dhe engjëj e nderojnë si mbretëreshë të gjithë krijesës."

    "Eshtë e mundur ta shikoj këtë të ri për të cilin tregon kaq gjëra të mrekullueshme?"

    "Në qoftë se bën çfarë do të them, do bëhesh e denjë të shohësh fytyrën e Tij të shumëndritshme."

    "Të shikoj një njeri me mend dhe të respektueshëm. Besoj tek ato që më thatë".

    Atëherë asketi i dha një ikonë të Shën Marisë me foshnjën hyjnore në krahë dhe i tha: "Kjo është Gjithmonëvirgjëra, Nëna e Tij. Merr këtë ikonë dhe pasi të mbyllësh derën e dhomës tënde, bëj lutje për gjithë natën. Lutju me besim Nënës së Tij, e cila quhet Mari, që të të tregojë Birin e saj. Atë që dëshiron zemra jote. Lutjet e ngrohta ngjiten si temjam përpara fronit të Tij."

    Katerina u mrekullua nga fjalët e njeriut të shkretëtirës. Mori ikonën dhe shkoi në pallat. Gjithë natën u mbyll në dhomë dhe lutej me përzemërsi. Nga lodhja fjeti. Atëherë sheh në vegim Shën Marinë dhe Foshnjën Hyjnore. E papërshkrueshme qe lavdia dhe bukuria e tyre! Ndritnin më shumë se dielli. Krishti kishte kthyer fytyrën e Tij drejt së ëmës. Atëherë dëgjoi Shën Marinë të thotë me zë të ëmbël:

    "Shiko, Biri im, shërbëtoren tënde sa e bukur dhe e mirë që është".

    Foshnja Hyjnore u përgjigj:

    "Eshtë e errët dhe e shëmtuar. Nuk mund ta shoh fare".

    Shën Maria i thotë përsëri:

    "A nuk është më e urtë nga të gjithë oratorët? E pasur dhe e sjellshme!"

    "Nëna ime, ajo është e paditur dhe e varfër. Nuk mund ta shikojë fytyrën time."

    Të lutem, Biri im i dashur, mos përbuz krijesën tënde, por jepi mundësi të shikojë lavdinë tënde dhe fytyrën tënde hyjnore që dëshirojnë engjëjt ta shikojnë."

    "Le të shkojë tek prifti që i dha ikonën. Le të bëjë çfarë ta këshillojë ai. Atëherë do të më shikojë."

    Në mëngjes Katerina shkoi me pak gra në asketinë e priftit. Me lot i tregoi vegimin dhe kërkoi këshillën e tij.

    Oshënari foli për misteret e mrekullueshme të besimit orthodoks. Foli për bukuritë e papërshkrueshme të parajsës. E ftoi afër kryqit të tij.

    "Këtë orë të qetë të fton Perëndia! Të bëhesh fener i ndritshëm në kishën e tij. Që shumë shpirtra të tjerë të gjejnë rrugën e shpëtimit nga rrezatimi yt. Nga rruga e përulësisë do të udhëhiqesh në pallatet qiellore".

    Katerina besoi me gjithë zemrën e saj.

    "I bekuar është Zoti i të Krishterëve. Dua të bëhem e krishterë që të ndjek Jisu Krishtin. Të luftoj për mbretërinë e Tij!" Ajo pranoi pagëzimin e shenjtë.

    Nga Dorothea që quhej (me të vërtetë dhuratë e Zotit ishte), mori emrin Ekaterina, që do të thotë "tri kurora". Të tri kurorat ishin: ajo e urtësisë, e pastërtisë shpirtërore dhe e martirizimit. Atëherë, ndërsa e shenjta nxori njeriun e vjetër dhe veshi njeriun dhe stolinë e Zotit, shkoi në pallat dhe gjithë natën lutej e pangrënë dhe me lot, derisa e zuri gjumi.

    Atëherë pa në vegim Shën Marinë me Foshnjën Hyjnore që shikonte Katerinën me shumë mirësi. Nëna e Zotit pyeti Krishtin, nëse ishte e pëlqyeshme vajza. Krishti u përgjigj:

    "Tani u bë e lavdishme dhe e pasur dhe me shumë urtësi. Eshtë stolisur me kaq dhunti, saqë meriton të bëhet Nusja ime e përjetshme".

    Atëherë Katerina ra në tokë me lot, duke thënë:

    "Nuk jam e denjë, o Zot i shumëlavdishëm, të vij në mbretërinë Tënde qiellore, por më bëj të denjë të bashkërenditem me shërbëtorët e Tu".

    Shën Maria mori dorën e djathtë të vajzës dhe tha:

    "Jepi, Biri im, unazën e fejesës, dhe bëje të denjë të hyjë e lavdishme në Mbretërinë Tënde. Atëherë, Zoti i dha një unazë shumë të bukur, duke thënë:

    "Që sot do të jesh Nusja ime e përjetshme. Do të jesh afër meje, fener i ndritshëm që do të udhëheqësh shpirtra të pavdkeshëm dhe të çmuar në mbretërinë Time të përjetshme".

    Që nga ai çast Katerina iu kushtua Nuse Dhëndrit qiellor dhe u mbush zemra e saj me dashuri hyjnore për të ëmblin Krisht.

    Çfarë lumturie gjejnë shpirtrat që njohin Krishtin dhe lidhen me të përjetësisht!

    Të krishterët e Aleksandrisë e pritën Katerinën me himne dhe me këngë shpirtërore. Katerinën nuk e emociononin gëzimet e kota të botës. Me vullnet të shenjtë filloi të punonte për lavdinë e Krishtit.

    I flaktë dëgjohej predikimi i saj hyjnor që jepte gëzim dhe lehtësim. Ishte engjëll ngushëllues i të varfërve, i të sëmurëve dhe i të mjerëve.


    Përpara Mbretit Maksent

    Atë kohë, mbreti Maksent nxori këtë urdhër: "Unë, mbreti Maksent, ftoj të gjithë sa janë nën pushtetin tim, të mblidhen në tempull që të nderojnë perënditë e mëdha. Kush përbuz urdhrin tim, do të dënohet ashpër."

    Atëherë, u mblodh mizëri njerëzish që të bënin therrore për perënditë e rreme.

    Mbreti solli theror 130 dema, ndërsa zotërinjtë e tjerë më pak. Shën Katerina shikonte këtë mashtrim të frikshëm në të cilin binin njerëzit. E nxitur nga vullneti hyjnor, mori disa të krishterë dhe shkoi në tempullin pagan. Qëndroi tek dera dhe bukuria e saj engjëllore tërhoqi shikimet e të gjithëve. Lajmëroi pastaj mbretin se kishte diçka të rëndësishme për t'i thënë. Mbreti urdhëroi të afrohej. Katerina u përkul dhe me guxim i tha:

    "Duhet në fillim ti, o mbret, të njihje mashtrimin që keni, duke adhuruar si zotër idhujt. Eshtë turp të luteni për krijesa të rreme. Një është Zoti! I përjetshëm dhe i pavdekshëm, i cili për shpëtimin tonë u bë njeri. Ky Zot i plotfuqishëm nuk ka nevojë për therore të tilla, por vetëm do që të mbajmë porositë e tij."

    "Na ler të mbarojmë me theroret dhe pastaj do të dëgjojmë fjalët e tua", tha mbreti.

    Kur mbaroi therori i pakuptimshëm e ftoi Shenjtoren në pallat dhe i tha: "Më trego ç'janë dhe ç'nënkuptojnë fjalët që the?"

    "Unë jam bija e ish-mbretit Kostand, quhem Katerina dhe kam studiuar oratori, filozofi dhe shkencat e tjera. Por të gjitha këto i përbuza dhe u bëra e krishterë, Nusja e Zotit Krisht".

    Mbreti admiroi urtësinë dhe bukurinë e saj. Kujtoi se ishte ndodnjë hyjni nga ato që adhuronte. Mbreti e shfaqi këtë mendim dhe e shenjta iu përgjigj:

    "Mbret jam prej balte dhe argjili. Zoti më gatoi dhe më nderoi me ikonën e tij dhe me shembëllesën e tij. Në qoftë se do të shkallmosh errësirën dhe mashtrimin, do të njohësh Perëndinë e vërtetë.

    Emri i Tij zhduk perënditë e tua dhe, nëse dëshiron, mund të ta vërtetoj". Mbreti, duke parë diturinë e Shenjtores u frikësua mos e mundte dhe tha: "Eshtë e padenjë të diskutojë mbreti me gra. Do të ftoj oratorët e mi të urtë dhe atëherë, do të besosh ato që them unë", dhe urdhëroi të burgosnin martiren. Shenjtorja e qetë u tha: "Rrojmë qetë, kur jemi në padukje për Zotin Krisht".


    Bashkëbisedim me oratorët

    Martirizimi i oratorëve


    Mbreti dërgoi letra në gjithë qytetet e pushtetit të tij.

    "Unë, mbreti, përshëndes gjithë të urtët dhe oratorët paganë. Ju ftoj të vini këtu shpejt, që t'i mbyllni gojën një vajze të urtë që mohon perënditë tona. Pregatituni me kujdes të ndesheni burrërisht. Mos neglizhoni për faktin se keni të bëni me një grua. Tregoni urtësinë tuaj, sepse nga sa e pashë unë, ajo ia kalon dhe Platonit të shquar për dituri."

    Kur tha këto mbreti, një orator, më i shquari ndër ta, tha:

    "Edhe sikur të jetë gruaja më e urtë e botës do të mundet, po të diskutojë me ne. Urdhëro që të vijë"

    Maksenti ishte plot me gëzim, duke shpresuar që do të mundte urtësinë e vajzës të mbushur me hirin hyjnor.

    Atëherë urdhëroi të silnin martiren. Ishin shumë njerëz të mbledhur në teatër për të parë përfundimin.

    Por, përpara se të arrinin të dërguarit tek Shenjtorja, zbriti nga qielli Kryeengjëlli Mihail i rrethuar me një dritë qiellore dhe i tha: "Mos u tremb, bijë e Zotit, sepse Zoti do të të japë urtësi në urtësinë tënde që të mundësh të 150 oratorët. Jo vetëm këta, por dhe shumë të tjerë, do të besojnë me anën tënde që të merrni të gjithë kurorën e martirit".

    Kur u paraqit përpara të urtëve Katerina, oratori që i kishte thënë mbretit se do të fitonin, i tha:

    - Ti je ajo që mohon perënditë tona?

    - Unë jam, - i tha qetë Shenjtorja. Gjithmonë fliste me mirësi dhe ëmbëlsi.

    - Poetët tanë të mëdhenj i quajnë të pavdekshëm, si guxon ti dhe i mohon? Ti që njohe urtësinë e tyre?

    - Urtësinë time ma fali Zoti im, i cili është Burimi i urtësisë. Perënditë tuaja nuk ekzistojnë. Krishti është gjithë dashuri dhe i fton të gjithë afër Tij!

    Oratori tha:

    - Mos u mashtro ti e tërëurta të lutësh të Kryqëzuarin. Shenjtorja u përgjigj:

    - I Kryqëzuari është Perëndia i vërtetë, Krijuesi i gjithë botës. U bë njeri për ne. Ndenji i uritur dhe i etur për shpëtimin tonë. Mësoi të tjerët, bëri mrekullira, pranoi dhe vdekjen për të zgjidhur dënimin tonë dhe hapi dyert e parajsës. Kërkoni me gjithë shpirt Zotin dhe do të përtërihet shpirti juaj. Do mbushet me ngushëllim, lehtësim dhe guxim. Eshtë i vetmi që nuk na braktis kurrë. Krishti është pasioni i zemrës sime. Na fton afër Tij: "Ejani të gjithë sa jeni të lodhur dhe unë do t'ju jap prehje". Nuk do të vonohem tju vij në ndihmë dhe përkujdesje. "I madh është Zoti ynë dhe mrekullira bëri e djathta e Tij". Të gjitha kalojnë, vetëm pamja e Jisuit ngelet në shekuj!

    Me fjalë të mbushura me urtësi, çuditi e gjithëurta filozofin, i cili mbeti pa zë.

    Mbreti, duke e parë atë të mposhtur, urdhëroi të tjerët të diskutojnë me martiren, por ata thanë:

    - Nuk mund t'i bëjmë ballë të vërtetës, madje, duke parë të mposhtur dhe kryetarin tonë.

    Atëherë mbreti u inatos. Urdhëroi të ndiznin zjarr në qendër të qytetit dhe të digjnin oratorët. Filozofët, që dëgjuan vendimin, ranë në këmbët e Shenjtores duke iu lutur t'i falte Zoti për ato që mëkatuan nga padija. Tani besonin tek Perëndia i vërtetë dhe dëshironin të pagëzoheshin dhe të merrnin Hirin e Shpirtit të Shenjtë.

    Fytyra e Shenjtores mbetet e ndritshme dhe paqësore. Ishte kaq e urtë, sa asnjë lloj krenarie nuk tregoi për fitoren e saj. Shën Katerina, mbushur me gëzim hyjnor, u tha:

    - Lum ju, sepse latë errësirën dhe ndoqët dritën e së vërtetës. Latë mbretin e vdekshëm të tokës dhe erdhët tek i Pavdekshmi dhe Qiellori. Ecni drejt atdheut qiellor. Zjarri, që ju frikëson, do të bëhet pagëzim dhe shkallë qiellore. Do t'ju pastrojë shpirtin nga çdo njollë dhe trupin tuaj. Si yje të ndritshëm do t'u çojë tek Mbreti qiellor, i cili do t'ju bëjë të lumtur, sepse nga fortuna e kësaj jete shkoni në atdheun e përjetshëm.

    Këto tha Shenjtorja dhe u bëri të gjithëve shenjën e Kryqit të nderuar në ballë. Mos u trembni, rrëfyet në emër të Tij.

    - Do merrni kurorën e fitores nga Mbreti i shekujve. Ecni në paqen e Zotit!

    Ushtarët hodhën oratorët në zjarr më 17 nëntor. Mbasdite shkuan disa njerëz shpresëtarë të mbledhin lipsanet. I gjetën të gjitha të padëmtuara dhe të plota. Zjarri nuk i kishte djegur. Shpirtrat e tyre u ngjitën në paqe drejt qiellit. Kjo është pika e parë e miqësisë së tyre me Perëndinë. Me këtë mrekulli shumë besuan te Krishti dhe lavdëronin emrin e Tij. Varrosën martirët me shumë lavde në një vend të përshtatshëm.


    Martirizimi dhe burgosja e Shenjtores

    Mbreti e kishte gjithë mendjen te Shenjtorja. Nga që nuk mundi ta mposhte me argumente filozofike, u mundua ta bindte atë me premtime duke thënë:

    - Më dëgjo, o e urta princeshë, të këshilloj si baba i dashur dhe i dhimbsur t'u falesh perëndive dhe sidomos Hermesit që të stolisi me dhuntitë e filozofisë. Do të të jap gjysmën e mbretërisë time. Do të jetosh bashkë me mua te pallatet.

    Shenjtorja, si e matur që ishte, iu përgjigj:

    - Mbret, mos u bëj hipokrit. Unë jam e krishterë. Erdha të bëhem Nuse e Krishtit, të cilin e kam të vetmin Dhëndër dhe këshillues, stoli dhe zbukurim të jetës sime të falur Virgjërore. Dëshiroj mundimin më shumë se çdo purpur mbretëror dhe kurorë. Nuk do ndahem nga Shpëtimtari im i ëmbël Krisht.

    Këto tha dhe ngriti lart Kryqin që mbante. Mbreti u egërsua dhe u përgjigj:

    - Mos më detyro të fyej pa dashur vlerën tënde. Lëre këtë pikë.

    - Mos më frikëso. Kryqi është simboli i fitores. Do të më jetë shok i burgut tim dhe i martirizimit tim. Me pikëllimet e përkohshme po më dhuroni lavdi të pavdekshme. Do të besojnë shumë njerëz te Krishti im. Gjithashtu dhe nga pallati juaj do të besojnë dhe do të më dërgojnë në ato banesa të shenjta të parajsës. Çfarë dobi do të keni, në qoftë se fitojmë gjithë botën? Çdo gjë është si ëndërr. Të gjitha do të kalojnë.

    Këto tha Shenjtorja. Zoti e bekoi nga lart dhe u përmbush profecia e saj. Atëherë mbreti urdhëroi t'i hiqnin purpurin mbretëror dhe ta rrihnin egërsisht, pa mëshirë. I binin fort për dy orë rresht, deri sa i çanë trupin e pastër. Gjaku rridhte papushim dhe skuqte tokën. Shenjtorja qëndronte me kaq burrëri dhe trimëri, sa të gjithë e admironin. Sytë e saj shikonin lart. Shpirti i saj donte të shkonte te Krishti, por ora nuk kishte ardhur akoma.

    Në darkë Maksenti dha urdhër ta burgosnin dhe të mos i jepnin bukë dhe ujë për dymbëdhjetë ditë, deri sa të mendohej se me çfarë mënyre ta vdiste.


    Mbretëresha dhe Porfirioni besojnë tek Krishti

    Faustina, e shoqja e mbretit, kishte dëshirë të njihte Shenjtoren. Gjeti rast, atëherë, kur mungonte nga qyteti i shoqi. Ftoi komandantin e kampit Porfirin dhe i tha mendimin e saj dhe vegimin që pa:

    - Natën e kaluar pashë në vegim Katerinën që qëndronte midis shumë virgjëreshave të reja, të veshura me stoli të bardhë. Aq shkëlqim vinte nga fytyra e saj, saqë nuk mund ta shikoja. Kur më pa, më uli pranë saj dhe më vuri në kokë kurorë të artë duke më thënë: "Zoti Krisht ju dërgon këtë kurorë". Të lutem Porfir, të gjesh mënyrën ta vizitoj këtë vajzë.

    - Do ta plotësoj dëshirën tënde zonjë, - u përgjigj ai.

    Ndërsa ra nata, mori Porfirin dhe njëzet ushtarë dhe shkuan në burg. Atje brenda, në errësirë, pa Augusta pamjen e dëshiruar të martires, të rrethuar me Hirin e shkëlqyeshëm Hyjnor. U mahnit nga bukuria e saj dhe shkëlqimi i fytyrës së saj. Ra ne këmbët e Shenjtores me lot duke thënë:

    - Tani jam me fat dhe e lumtur, sepse të njoha. Dëshiroja të shikoja fytyrën tënde dhe isha e etur si dreri të dëgjoja fjalët e tua të ëmbla. Tani, dhe nëse lë jetën dhe mbretërinë time, nuk do të mërzitem. Kënaqet zemra ime që merr nga pamja jote e bukur një dritë të re, sikur të agojë një agim i ri i ëmbël. Je e lumtur dhe plot zell, sepse beson një Zot të tillë, nga i cili merr kaq dhurata dhe hire.

    - E lumtur je dhe ti, mbretëreshë, se shikoj engjëjt e shenjtë të vënë në kokën tënde kurorë të ndritshme. Do ta marrësh pas tri ditëve me pak tortura që do durosh dhe do shkosh tek Mbreti i vërtetë, të mbretërosh përjetë.

    - Kam frikë nga torturat dhe për tim shoq Maksent, sepse është shumë i ashpër kundër të krishterëve.

    - Ki guxim, brenda zemrës tënde, për besimin që ke, do të banojë Krishti. Do të të forcojë në orët e vështira të torturave. Këtu përkohësisht do të vuash, por atje lart, do gëzosh dhe do prehesh përjetë.

    Shenjtorja, kur fliste, kishte shprebjen e një engjëlli të frymëzuar.

    Atëherë Porfiri pyeti Shenjtoren:

    - Çfarë meritash fal Krishti për ata që besojnë tek Ai? Dua dhe unë ta njoh dhe të bëhem ushtar i Tij.

    - Nuk mundet gjuha të rrëfejë meritat që fal Krishti dhe sa të tjera që Zoti Njeridashës ka përgatitur për ata që duan dhe zbatojnë porositë e Tij Hyjnore. Krishti zotëron fronin më të lartë. Mbështetuni në Përkujdesjen e Tij Hyjnore, në duart e Tij të plotfuqishme dhe do të gjeni prehjen e jetës pa mbarim. Përgatitni stolinë për nusëroren e Zotit. Ejani afër Mësuesit që sakrifikoi jetën për ne. Mos u grindni për gjërat e kota të botës. Me lindjen e Diellit Hyjnor do të shndrisin shpresëtarët e Zotit dhe të drejtët. Le të lartësohet shpirti ynë në bukuritë e përjetshme të parajsës.


    Ushqim nga Perëndia. Tortura të reja.

    Krishti i mëshirshëm nuk e braktisi Shenjtoren. I dërgonte ushqim çdo ditë me një pëllumb. Pastaj vetë Zoti erdhi dhe e vizitoi me shumë lavdi bashkë me ushtrinë e Tij qiellore. Forcoi durimin e saj dhe i dha guximin duke i thënë:

    - Katerina, mos u tremb, jam bashkë me ty! Shiko titujt dhe kurorat e fitimtarëve. Me durimin tënd do të tërheqësh shumë në emrin Tim dhe do të fitosh shumë kurora.

    Këto i tha Ai Shenjtores natën e fundit.

    Në mëngjes pasi u ul mbreti në fronin e tij, urdhëroi të sillnin martiren para tij. Shën Katerina shkoi në pallat e mbushur me Hirin Hyjnor dhe me ndriçimin e ëmbël të fytyrës, saqë, ata që ishin rreth saj, habiteshin. Por edhe mbreti, kur e pa, u habit. Priste ta shikonte të dobësuar dhe e pa të ndriçuar nga Hiri i Shenjtë. Mendoi të dënonte rojet, por Shenjtorja i tha:

    - Asnjë njeri, mbret, nuk më dha ushqim. Më ushqente Zoti im Jisu Krisht, i cili kujdeset për shërbëtorët e tij.

    Mbreti u çudit me atë hir dhe ndriçim që kishte dhe donte ta mposhtëte me premtime, duke thënë:

    - Për ty ia vlen mbretëria, o vajzë e bukur. Ti ia kalon dhe perëndive nga bukuria. Eja të sjellësh therore për perënditë. Do të bëhesh mbretëreshë. Do të ngjitesh në fronin tim. Mos jep shkak që bukuria jote të humbasë në tortura.

    Shenjtorja u përgjigj:

    - Unë jam tokë dhe argjil. Çdo bukuri si lule vyshket dhe si ëndërr zhduket ose nga sëmundja, ose nga pleqëria, ose nga vdekja. Unë i përkas Krishtit tim. Zemra ime është e mbushur me flakën hyjnore të dashurisë së Tij.

    Kur fliste Shenjtorja, një prefekt i quajtur Hurrasaden, tha:

    - Unë, mbret, gjeta një metodë me të cilën një vajzë do të mundet, dhe të vdesë me një vdekje të ashpër. Të urdhërosh të bëjnë katër rrota prej druri. Rreth tyre të ngulin brisqe dhe hekura të mprehtë. Dy nga rrotat të lëvizin djathtas dhe dy të tjerat majtas dhe në mes të vendosin të lidhur këtë të krishterë. Kështu duke lëvizur rrotat ta shqyejnë tërësisht.

    Mbreti e pëlqeu mendimin e tij dhe, për tri ditë, rrotat u ndërtuan.

    Atëherë, mbreti i tha Katerinës:

    - I shikon këto rrota? Do të marrësh një vdekje të hidhur, në qoftë se nuk u falesh perëndive.

    - Ta thashë shumë herë vendimin tim. Dashuroj mbi të gjitha Krishtin tim. Mos humb kohën, - u përgjigj Shenjtorja me guxim.

    Atëherë e lidhën Shenjtoren tek rrotat. Shenjtorja shikonte drejt qiellit dhe lutej. Zëri i saj si vesë mistike dëgjohej përreth.

    - 0 Jisui im, Shpëtimtari im, mos më braktis. Këtu në tokë sa e madhe është dhimbja, sa i rëndë është Kryqi. O Krishti im, shpresa ime e ëmbël, strehim i sigurt, qëndro me mua.

    Atëherë një ndriçim hyjnor ndriçoi zonën. Melodi engjëjsh u dëgjuan. Çfarë bukurie! U shfaq Zoti!

    - Katerinë, guxim, jam afër teje Unë, Jisui, mos u përkul. Të përcaktova në Kishën time si shembull virtyti dhe urtësie. Për pak do të gjendesh në atdheun e përjetshëm. Shiko tingujt e fitimtarëve.

    - 0 Zot, në këtë lartësi më caktove? Eja, o Jisu, mos u vono; shpirti im ka etje për Ty. Atje lart si ndriçon nuk mund ta shpjegojë. Zot, dëgjoj vazhdimisht zërin Tënd të më ftojë. Kërkon të kemi dashuri me njëri-tjetrin dhe të falim ata që na urrejnë.

    - Dëgjo, Katerinë, qëndro besnike tek Unë. Eja këtu tek gëzimi i përjetshëm. Eja tek Ati.

    - Po, Krishti im, le ta dëgjoj zërin tënd që më fton. Si të përshkruaj melodinë qiellore të engjëjve? Atje, në vendin Tënd qiellor, çfarë harmonie dhe mirësie mbretëron! Për të gjitha këto madhështi që na përgatite, çfarë të dhurova, o Zot?

    - Katerinë, më fale gjakun dhe jetën tënde. Eja në qytetin qiellor.

    Atëherë një engjëll i Zotit u shfaq brenda një drite hyjnore, i cili e ndihmoi Shenjtoren. E zgjidhi nga prangat. Hiri hyjnor e ruajti Shenjtoren të plotë dhe të padëmtuar nga rrotat. Ata që gjendeshin aty, kur e panë këtë mrekulli të çuditshme, thërritnin:

    - I madh është Zoti i të krishterëve!


    Martirizimi i mbretëreshës

    Kur mësoi ngjarjet, mbretëresha Augusta doli nga dhoma e saj dhe me guxim qortoi mbretin:

    - Me të vërtetë, ti lufton Perëndinë e vërtetë të të krishterëve dhe torturon shërbëtoret e tij, - i tha.

    Kur dëgjoi mbreti këto fjalë të pabesueshme, u bë më i egër se përbindëshat. La Katerinën dhe u kthye nga e shoqja.
    Augusta dëshmoi për Krishtin me guxim dhe atëherë, mbreti urdhëroi t'i pritnin kokën. Ajo e pranoi me gëzim vendimin dhe i tha Shenjtores:

    - Shërbëtore e Perëndisë së vërtetë, lutu për mua.

    Shko në paqe Augusta, të mbretërosh me Krishtin Përjetë.

    Mbretëreshës së lumtur iu pre koka më 23 nëntor të vitit 305 pas Krishtit. Shpirti i saj, me martirizimin, u ngjit plotësisht i bardhë drejt qiejve. Komandanti i kampit Porfiri shkoi në fshehtësi natën me ushtarët e tij dhe e varrosën lipsanin e nderuar të saj.


    Martirizimi i Porfirit dhe i ushtarëve besimtarë

    Në mëngjes, mbreti donte të dënonte përgjegjësit e varrimit. Atëherë u paraqit Porfiri me ushtarët e tjerë në
    gjyq, duke thënë:

    - Dhe ne jemi të krishterë, ushtarë të Perëndisë së vërtetë. Atëhere mbreti mori frymë thellë dhe tha:

    - U fika, humba Porfirin e mrekullueshëm, komandantin e kampit. Po dhe ju, o ushtarë, përbuzët perënditë atërore? Urdhëroi që, Porfirit dhe dyqind ushtarëve t'u pritet koka. Ishte 24 nëntor.


    Martirizimi i fundit i Shenjtores

    Të nesërmen, sollën Katerinën në gjyq. Mbreti me pikëllim i thotë:

    - Duhej të të kisha ekzekutuar, por të fal, që të mos humbi një vajzë e bukur dhe e tërëurtë. Sillu therore perëndive dhe do të të bëj mbretëreshë.

    - Pse më premton kot, o mbret. Jeta dhe lavdia e kësaj bote nuk më gënjen. Unë, Perëndinë dhe Zotin tim të përjetshëm, nuk e mohoj. Asgjë nuk më ndan nga Ti, o Dhëndër Qiellor. Le të himnizojë shpirti ynë Zotin.

    Maksenti dha urdhër t'i prisnin kokën jashtë qytetit. Morën Shenjtoren ushtarët dhe e çuan në vendin e ekzekutimit. Me qetësi hyjnore martirja e madhe me trimëri shkonte drejt sakrificës. E ndiqnin shumë njerëz, burra , gra, fëmijë të vegjël. Të gjithë qanin dhe vajtonin me hidhërim. Shenjtorja e qetë, u fliste:

    - Mos qani, vëllezërit e mi. Vdes për të jetuar përjetë. Shkoj te Krishti im, te Kreu i martirëve, i cili është për ta bukuria dhe lavdia. Na fton te bukuritë e papërshkruara të parajsës. Në qoftë se si njerëz jetojmë në këtë botë, si të krishterë i përkasim një bote tjetër të përjetshme. Atje lart në qytetin qiellor do t'i lutem Zotit për ju. Do t'i kërkoj të dërgojë dritën e Tij, që të arrijë për të gjithë ora e faljes. Atëherë, të gjithë do të takohemi në një dritë më të ndritshme afër fronit të Zotit.

    Shenjtorja shpërtheu në një vajtim pa zë. Kur arriti në vendin e martirizimit, iu kthye të gjithëve me mirësi dhe, me sa fuqi kishte, tha ngadalë:

    - Sot, vëllezërit e mi, nga kjo jetë largohem dhe drejt botës së përjetshme shkoj. Tani erdhi ora e largimit tim. Me dashurinë të rroni që tani e tutje, vetëm me dashurinë. Krishti të jetë e vetmja mbështetje dhe shpresë për ju. O Zoti Krisht, a më fton? Lum të ftuarit në darkën e Zotit. Të faleminderit që vdes si martire për Ty! Me gëzim mbaroj rrugën time dhe dhiakoninë që mora për të pohuar emrin tënd. Le të mbretërojë paqja te vëllezërit dhe le të udhëhiqen të gjithë në kopshtet e përjetësisë në atdheun qiellor.

    Në atë kohë u dëgjuan zërat e idhujtarëve:

    - Në vdekje po të çojmë, ku është Perëndia yt? Mohoje atë se nuk ekziston.

    Shën Katerina i shikon me mirësi, ngre duart me prangat e rënda lart dhe u thotë:

    - Ekziston shpresa që është reale, ekziston dashuria që është e përjetshme, ekziston Perëndia që është më i fortë mbi të gjithë.

    Fytyra e saj mbetet paqësore dhe e ndritshme. Ngre lart shikimin e saj dhe thotë lutjen e fundit në tokë:

    - Zot Jisu Krisht, të faleminderit që drejtove hapat e mi drejt Teje. Zgjat duart e Tua të Shenjta, o Zot, për ne që u plagosën në Kryq. Prano shpirtin tim që ndahet sot nga dashuria për Ty. Falmi fajet e bëra nga padija ime. Laji ato me gjakun që derdhe për ne dhe për martirizimin tim. Mbaj trupin tim të padukshëm nga ata që e kërkojnë. Ruaje ku Ti vetë dëshiroje, o mbreti im. Shtjer sytë nga lartësia Jote, Zot, mbi këtë popull që gjendet këtu. Udhëhiqi në dritën Tënde. Bëj, o Zot, që të të njohin të gjithë. Jepu, o Zot, atyre që për mua ftojnë emrin Tënd të Tërëshenjtë, duke kërkuar shpëtimin. Që të lartësohet emri Yt hyjnor dhe i Atit e i Shpirtit të Shenjtë, në jetë të jetëve. Amin.

    Pastaj pa me qetësi, dhe besimtarëve që e ndiqnin u tha:

    - Vdekja është fillimi i përjetësisë. Të doni Kishën, e cila ju udhëheq te Kryeprifti i përjetshëm. Të lutem, o Zot, atyre që kërkojnë ndihmën time t'ua japësh dhe t'ua plotësosh kërkesat. Dhe uli kokën.

    Xhelati ngriti lart shpatën, o çfarë çasti i tmerrshëm! dhe preu kokën e saj të nderuar me 25 nëntor të vitit 305 pas Krishtit. Përreth u përhap qetësi, ngjitet në lartësinë e qiellit Shën Katerina. Një ndriçim hyjnor ndriçoi zonën, u dëgjuan himne engjëllorë. Lipsani i martirizuar pret vizitorë qiellorë. Erdhën engjëjt dhe me shumë respekt morën lipsanin e nderuar dhe u ngritën lart mbi tokë. Me himne hyjnore, engjëjt përcollën lipsanin e shenjtë dhe e vendosën në majën më të lartë të malit Sina. Besimtarët e krishterë, që shikonin të përcillej Shenjtorja në lartësi, u gjunjëzuan dhe psalën: "Cili Perëndi është aq i madh sa Perëndia ynë? E madhe është fuqia Jote, o Krisht, fuqia e martirëve të Tu".

    Trupi i nderuar mbeti për shekuj lart në majën e malit Sina. Në shek. e 6-të, në kohën e Justinianit, perandorit të Bizantit, u ndërtua manastiri në malin Sina. Murgjit në majë shikonin dritë. Me mundim u ngjitën dhe gjetën lipsanin e shenjtë të paprishur dhe me miro. Me himne e përcollën në manastirin e malit Sina, i cili që atëherë mori emrin e saj. Lipsani i shenjtë i Shën Katerinës deri sot lëshon miro dhe është burim mrekullish. Kështu i lavdëron Zoti ata që Atij i thurin lavde. Kjo është jeta e Shën Katerinës, e së Tërëshenjtës dhe e së tërëurtës. E dashuroi Zotin Jisu Krisht me gjithë zemrën e saj dhe sakrifikoi të gjitha për lavdinë e Tij. Tani, në lavdinë e qiellit, përjetësisht, lutet për të gjithë ne. Fitimtare dhe trime është mes nesh Shën Katerina. Fener i orthodhoksisë. Kujtimi i saj festohet ditën e martirizimit të saj rnë 25 nëntor. Dëshmorja e madhe Shën Katerina, pas kaq përpjekjesh dhe luftrash gëzon tani qetësi të përjetshme, pas një ndeshjeje aq të madhe, ajo gëzon tani fitoren e përjetshme. "Cili Perëndi është aq i madh sa Perëndia ynë!"
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Fiori : 08-11-2006 më 22:49

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-10-2006
    Postime
    5
    Materiali për shën Katarinën është i mrekullueshëm!!!!
    Besimi është mrekulli e madhe.

    Ju përshëndet m. Shpresa

  3. #3
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Shume e vertete!

    Ishte pikerisht gjaku i ketyre martireve, besimi i tyre i patundur qe ndryshuan rrjedhen e historise.

    Por perseri, njerezimit i duhet shume kohe qe te arrije te kuptoje qofte dhe nje grimce nga pasioni i tyre.
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  4. #4
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Sot eshte festa e Shen Katerines, URIME ata qe e festojne !
    Ndryshuar për herë të fundit nga NoName : 24-11-2006 më 21:32

  5. #5
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,461
    Postimet në Bllog
    1
    Ky eshte shembulli qe duhet te ndjeke seicili qe i thote vetes i Krishtere Orthodhoks.
    Sot ne diten e kesaj martireje te madhe uroj te gjithe vajzat dhe grate me emer Katerina, Katja, Kate, Katina, Keti, Ketrina.
    Ndryshuar për herë të fundit nga ilia spiro : 25-11-2010 më 03:11
    Duaje te afermin tend si veten

  6. #6
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,461
    Postimet në Bllog
    1
    Ka nje dallim ne historine e kesaj martireje dhe eshte fakti se ishte vete e para qe u perball me mbreterit pagane, pa e thirrur ose pa qene e spiunuar nga ndokush.... dhe shpalli hapur besimin ne Krishtin.

    Mbreti solli theror 130 dema, ndërsa zotërinjtë e tjerë më pak. Shën Katerina shikonte këtë mashtrim të frikshëm në të cilin binin njerëzit. E nxitur nga vullneti hyjnor, mori disa të krishterë dhe shkoi në tempullin pagan. Qëndroi tek dera dhe bukuria e saj engjëllore tërhoqi shikimet e të gjithëve. Lajmëroi pastaj mbretin se kishte diçka të rëndësishme për t'i thënë.
    eshte vertet e cuditshme..arrin ne lartesi te papara dashuria e saj per Zotin..
    uroj sot te gjitha sa kane emrin Katerina, Katja, Katina, Keti, Ketrina.
    Ndryshuar për herë të fundit nga ilia spiro : 25-11-2011 më 06:37
    Duaje te afermin tend si veten

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Diella1
    Anëtarësuar
    07-03-2011
    Postime
    1,162


    Nje shenjtore per te cilen kam shume respekt.....

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: Shën Katerina e Aleksandrisë - 25 nëntor

    Sot Kisha jonë e shenjtë kremton Shën Katerinën.Gëzuar ditën e emrit të gjithë atyre që e festojnë !


  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-01-2010
    Postime
    1,126

    Për: Shën Katerina e Aleksandrisë - 25 nëntor


    Kujdestari i lipsaneve ne manastirin e Shen Ekaterines me lipsanin e kokes se saj (foto e vitit 1929)

  10. #10
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-01-2010
    Postime
    1,126

    Për: Shën Katerina e Aleksandrisë - 25 nëntor


    Lipsanet e Shen Ekaterines koka e saj dhe dora e majte

  11. #11
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-01-2010
    Postime
    1,126

    Për: Shën Katerina e Aleksandrisë - 25 nëntor


    Lipsani i dores se majte i Shen Ekaterines. Kjo dore sipas tradites se krishtere eshte e paprishur dhe pikerisht ne kete dore gjate nje vegimi Shpetimtari i vendosi nje unaze te cilen ajo e pa ne dore kur u zgjua.

  12. #12
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-01-2010
    Postime
    1,126

    Për: Shën Katerina e Aleksandrisë - 25 nëntor


    Ikone ruse e Shen Ekaterines e cila sot ruhet ne Shtutgart te Gjermanise

  13. #13
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-01-2010
    Postime
    1,126

    Për: Shën Katerina e Aleksandrisë - 25 nëntor


    Pikture e El Greco-s ndermjet viteve 1610=1614. Ne te paraqitet martirja e madhe Ekaterina.

  14. #14
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-01-2010
    Postime
    1,126

    Për: Shën Katerina e Aleksandrisë - 25 nëntor


    Shtylla ne te cilen mendohet se iu pre koka martires se madhe Shen Ekaterines. Ajo sot ruhet ne kishen katedrale te manastirit patriarkal te Shen Saves ne Aleksandri te Egjiptit.

Tema të Ngjashme

  1. ~ 28 Nëntori - Dita e Flamurit ~
    Nga PrInCiPiEl në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 25-11-2010, 14:58
  2. Dita e clirimit te Shqiperise
    Nga Albo në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 56
    Postimi i Fundit: 17-01-2009, 08:48
  3. Festimi i 94 vjetorit të pavarsisë
    Nga Fiori në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 25-12-2006, 16:25
  4. Katalog shenjtorësh
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-12-2006, 10:31
  5. C'ti Them Nënës , Nëntor Thuamë???
    Nga Elna Durrësi në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 29-11-2002, 17:45

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •