Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e larguar Maska e GL_Branch
    Anëtarësuar
    02-11-2003
    Vendndodhja
    Arbany
    Postime
    1,592

    Dëshmia e parë për shqipen e shkruar

    Nga një dorëshkrim që ruhet në arkivin e Dubrovnikut mësohet se për gjuhën e arbërve është folur më parë nga ç‘mendohej

    Dëshmia e parë për shqipen e shkruar

    Guillelmus Adam (1284): "Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe"

    Anisa Papleka

    Studimi dhe interesimi për gjuhën shqipe është shumë i hershëm. Megjithatë, të gjitha burimet e njohura deri sot, i kemi nga të huajt që jetuan në trevat shqiptare ose kishin kontakte me këto treva e me këtë popull. Sipas dëshmive që kemi, për herë të parë bëhet fjalë për gjuhën shqipe në vitin 1284 (jo 1285, siç është menduar deri më tani), në një dokument të Arkivit të Dubrovnikut /Raguzës/ nga 14 korriku i vitit 1284 ku thuhet: "Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe" (Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca). Dëshminë e dytë e kemi nga një autor anonim, që, sipas të gjitha gjasave, ishte prift i urdhrit domenikan, i cili në vitin 1308, gjatë udhëtimit nëpër Ballkan, kur përshkruan Shqipërinë dhe shqiptarët, ndër të tjera shkruan: "Këtu shqiptarët e lartpërmendur kanë një gjuhë të dalluar prej latinëve, grekëve e sllavëve, kështu që nuk merren vesh fare me popujt tjerë" (Habent enim Albani prefati linguam distanctam a latinis, grecis et slavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus).

    Megjithatë, dëshminë e parë që njohim deri sot, qoftë nga dokumentet, qoftë nga dorëshkrimet, qoftë nga burime të tjera të ndryshme, për gjuhën e shkruar dhe librin shqip, e kemi nga kryeipeshkvi i Tivarit, Guillaume Adae.


    Kryeipeshkvi i Tivarit

    G. Adami lindi rreth vitit 1270 në Jug të Francës. Në vitin 1307 e ndeshim në Kostandinopojë. Gjatë kësaj kohe, deri në vitin 1314, Adami udhëtoi nëpër Mbretërinë Bizantine, Azinë e Vogël, Indi dhe Etiopi. Më 1314-ën ndodhet në Persi, ndërsa në vitin 1317 kthehet në Francë. Në vitin 1318, së bashku me pesë shokë të urdhrit, me urdhër të Papa Gjonit XXII, emërohet sufragan i Fran Peruzinskit në kryeipeshkvinë e Sulltanisë (Tigranocertës), në Persi. Këtu emërohet pastaj edhe ipeshkëv i Smirnës. Në fillim të vitit 1324 kthehet në Francë, nga ku, pastaj emërohet kryeipeshkëv i Tivarit më 26 tetor 1324. Është thënë më se njëherë, se këtu ishte dërguar me detyrë të veçantë nga ana e Papa Gjoni XXII, që të jetë vigjilent në kufijtë e Perandorisë Bizantine dhe shtetit heretik serb. Në vitin 1329 kthehet në Francë, që atje, nga Papa i Avinjonit siguroi favore për kryeipeshkvinë e Tivarit. Me këtë rast, Adami kishte marrë me vete shumë dokumente origjinale nga kryeipeshkvia. Ndërkohë, ndërron mendje dhe nuk dëshiron të kthehet në Tivar. Kjo gjë shkakton shqetësime dhe moskënaqësi të madhe te besimtarët e Tivarit, kështu, kanoniku Gjon Zauli, i shkruan Papa Benediktit XII, një letër tepër të rëndë dhe akuzuese, ku lutet që me çdo kusht Adami të kthehet së bashku me gjithë dokumentet që kishte marrë me vete. Pas kësaj, Papa i dërgon urdhër Adamit: "sub poena privationis honoris". Që të kthehet në Tivar. Më në fund kthehet në Tivar në vitin 1337. Këtu shërben deri sa vdes në dhjetor të vitit 1341.

    Në fillim të vitit 1332, Guljelm Adami shkroi me porosi të Papës Gjon XXII, traktatin "Directorium ad passagium faciendum", duke i bërë kështu edhe një relacion Filipit VI Valua, Mbretit të Francës, me titull: "DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM (UDHËZIM PËR TË KRYER KALIMIN [E DETIT]), ku jep të dhëna për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu gjejmë edhe fjalinë e famshme, që e bëri të njohur në histori: "Dhe megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre".

    Kjo fjali është një ndër dëshmitë e para që vërtetojnë ekzistencën e gjuhës së shkruar shqipe. Emri dhe vepra e Guljelm Adamit është pak e njohur në historiografinë tonë, në kontekstin në të cilin u shkrua ajo, në të vërtetë: d.m.th. në atë të kryqëzatave të shek. XIV, kështu që në këtë shkrim do të përqendrohemi kryesisht në këtë kontekst, për të dhënë një kontribut për rolin dhe vendin që zinin shqiptarët në planet kryqtare të shek. XIV. Historiografia botërore e kryqëzatave ka bërë hapa të mëdha në detajimin e ngjarjeve dhe të përhapjes gjeografike të kryqëzatave, në zbulimin e planeve të thurura nga forcat politike dhe religjioze të kohës, në pasojat direkte apo indirekte që patën kryqëzatat në botën mesjetare etj., dhe megjithatë kohët e fundit, kjo historiografi është bërë subjekt për revizime dhe rregullime, duke marrë sërish në konsideratë konceptet e vjetra dhe duke krijuar nga to shkolla të reja mendimi.


    Kryqëzatat dhe roli i tyre në historinë tonë kombëtare

    Dihet tashmë që kryqëzatat filluan me fjalimin e Urbanit II në Clermont-Ferrand në vitin 1095. Epoka e kryqëzatave mori kuptimin e saj të vërtetë në shekullin XIV. Kjo periudhë njihet edhe si epoka e kryqëzatave të vona. Gjysma e parë e shekullit XIV (1292-1344) karakterizohet nga një bollëk në literaturën propagandiste për ringjalljen e kryqëzatave. Gjysma e dytë e shekullit XIV (1344-1396) është periudha e fushatave të vazhdueshme kryqtare në Lindje. Ky shekull përjeton një numër të madh ndryshimesh monumentale në përvijimin e kufijve tradicionalë të territoreve kryqtare. Deri tani, Lufta e Shenjtë ishte kufizuar në zonën e Lindjes së Afërt, kurse në Mesjetën e vonë arriti horizonte të largëta në pothuajse çdo drejtim, përtej Tokës së Shenjtë. Megjithëse qëllimi final i lëvizjeve kryqtare ishte çlirimi i Tokës së Shenjtë, kryqtarët e shekullit XIV përpiqen që ta arrijnë qëllimin e tyre, duke sulmuar qendrat më të rëndësishme të Perandorisë Otomane. Si rezultat, kryqëzatat e reja në shekullin XIV e drejtuan luftën e tyre kundër Anatolisë, Egjiptit, Afrikës së Veriut dhe Ballkanit dhe jo direkt për çlirimin e Tokës së Shenjtë.


    Për kë u shkrua dhe ku ruhet origjinali

    "Directorium Ad Passagium Faciendum" i Guljem Adamit u përdor mjaft në histori. Në periudhën e parë, një kopje e saj u studiua në Koncilin e Baselit, derisa kardinali Cesarini dhe papa Eugjeni IV përgatitën kryqëzatën për në Varna në vitin 1443-1444. Po ky traktat u përdor nga Filipi i Mirë, duka i Burgundisë, nga Jean Miélot në vitin 1455, derisa duka e la atë në krye të një ekspedite për te varri i Krishtit. Sot, dorëshkrime të "Directorium Ad Passagium Faciendum", që njihen, na kanë mbetur vetëm katër. Një dorëshkrim latin i shek. XIV gjendet në Bibliotekën Perandorake të Vjenës, (Cod. 534), një tjetër i gjysmës së parë të shek. XV gjendet në Bibliotekën Publike të Bazelit, (A. I. 28) dhe dy të tjerë nga gjysma e parë e shek. XV me zbukurime dhe iniciale të praruara në flori, ruhen në Bibliotekën Mbretërore të Brukselit (9176 dhe 9188) , i katërti dorëshkrim ruhet në Eskorialin e Spanjës.

    Ideja kryesore e traktatit është urrejtja ndaj grekëve dhe zgjedhja e rrugëve tokësore për t‘u kthyer në Tokën e Shenjtë. "Directorium ad Passagium Faciendum" është ndarë në dymbëdhjetë pjesë, këto të organizuara në dy libra. Në prolog, autori përmend dy shpatat e Zotit për të shpjeguar zgjedhjen e tij: Shpatën e Shën Pjetrit, e cila pret veshin e një ushtari në Kodrën e Ullinjve dhe shpatën e gjyqtarit Gedeon, i cili shkatërroi altarin e zotit të Kananejve, Baalit. Këto dy shpata simbolizojnë luftën shpirtërore dhe luftën shekullore, që në mesjetë përbënin lajtmotivin e shoqërisë fetare. Traktati është i mbushur me referenca dhe citate biblike. Autori ka përdorur aty këtu edhe literaturën latine, që është shkruar për veprat e kryqtarëve të shek. XI dhe XII.


    Përmbajtja e shkurtër e dorëshkrimit "Directorium ad passagium faciendum"

    Shkurtimisht po bëjmë të njohur përmbajtjen e dymbëdhjetë pjesëve të dorëshkrimit. Pjesa e parë përmban katër motivet për të kryer kapërcimin e detit. Pjesa e dytë përmban pesë përgatitjet për t‘u nisur për në Lindje. Pjesa e tretë përmban një përshkrim të katër rrugëve të mundshme për t‘u kthyer në Tokën e Shenjtë: avantazhet dhe disavantazhet e secilës prej tyre. Në pjesën e katërt, autori konfirmon zgjedhjen e rrugës tokësore përmes Hungarisë, duke ndjekur shembullin e Pjer Heremitit në kryqëzatën e parë dhe argumentoi fuqishëm kundër rrugës detare. Në pjesën e pestë paraqiten arsyet që justifikojnë mosbesimin ndaj grekëve. Në pjesën e gjashtë, autori paraqet katër mënyrat më të lehta për të kryer pushtimin e Perandorisë Greke, pastaj llogarit marrjen e Selanikut dhe të Kostandinopojës, në fillim të pjesës së shtatë. Në gjysmën e dytë të pjesës së shtatë, Guljelm Adam tregon domosdoshmërinë e kryqëzatës për të marrë Kostandinopojën. Në pjesën e tetë, ai paraqet pesë mënyra organizimi për të mbajtur nën kontrollin francez dhe katolik perandorinë. Në pjesën e nëntë, autori përshkruan njerëzit që kanë tradhtuar kryqin. Në pjesën e dhjetë, ai kthehet tek avantazhet e një kalimi shumë të shpejtë të detit në krahun e Shën Gjergjit. Në pjesën e njëmbëdhjetë përshkruan edhe një herë pikat e kalueshme gjatë kryqëzatës dhe në pjesën e fundit, paraqet gjashtë arsyet pse triumfi kundër turqve do të jetë i lehtë.

    Guljelm Adami, i cili më parë kishte qenë ipeshkëv i Sulltanideve në Persi dhe në Kostandinopojë, si dhe misionar në mbretërinë greke e në zonat e largëta të Azisë dhe Afrikës, ishte një njohës shumë i mirë i gjeografisë së vendeve të Lindjes dhe sidomos i rrugëve që të çonin në Lindje.

    Ashtu siç nuk kishte qenë rastësi emërimi i Gjonit nga Plano Karpini si kryeipeshkëv në Tivar, i rastësishëm nuk ishte as emërimi i këtij njeriu të fuqishëm në këtë kryeipeshkvi. Kryeipeshkvia e Tivarit kishte një pozicion strategjik shumë të rëndësishëm për të gjitha planet e papatit dhe të kryqtarëve të Mesjetës. Shuflai e quan atë "një armik fanatik të të gjithë shizmatikëve, një Eclaireur të Perëndimit" dhe, në fakt, të tillë e tregoi veten sidomos në traktatin e tij "Directorium ad passagium faciendum".

    Gjatë përshkrimit të gjendjes në Serbi dhe në Shqipërinë e asaj kohe, Guljelm Adami i vendos shqiptarët në anën e latinëve dhe madje i llogarit ata si forcë e rëndësishme në kryqëzatën që ka ndërmend që të ndërmarrë Filipi VI. Ekzistenca e shqiptarëve, të cilët janë një "popull i madh" dhe "këmbëngulin të gjithë te besimi, riti dhe bindja e kishës romane" është një faktor lehtësues për të arritur me sukses pushtimin e mbretërisë së sllavëve shizmatikë. Këtu tregohet edhe gjendja e rëndë e shqiptarëve, të cilët "janë të shtypur nën zgjedhën e padurueshme dhe të rëndë të skllavërisë së atij sundimi të urryer dhe çnjerëzor sllav", kështu që "të gjithë ose secili prej tyre do të donte të zhyste duart në gjakun e sllavëve të sipërpërmendur, po të shikonte të shfaqej tek ata një princ francez, të cilin do ta bënin komandant në luftën kundër kriminelëve të sipërpërmendur sllavë..." Ata janë kaq të shumtë dhe të fortë, saqë duke u mbështetur në ndihmën e tyre "1000 kalorës francezë dhe 5000 ose 6000 këmbësorë, padyshim që do ta pushtonin me lehtësi tërë këtë mbretëri".

    Shikuar në kuadrin e përgjithshëm të popujve ballkanikë, të cilët krahas popujve të Lindjes ishin bërë shënjestër të kryqëzatave katolike, shqiptarët kishin një vend të veçantë në politikat e papatit dhe të kryqtarëve. Ata jo vetëm që nuk shiheshin si popull shënjestër, por përkundrazi si vend bazë dhe si popull në të cilin mund të mbështeteshin për të arritur qëllimet e tyre. Arsyeja, në këtë rast, nuk është predispozita e shqiptarëve për t‘u bërë shërbëtorë të më të fortëve, siç sugjeron studiuesi i mirënjohur Ducellier në artikullin e tij "Genesis and Failure of the Albanian State in the XIV and XV Centuries," por keqtrajtimi i tyre nga sllavët, të cilët, madje, kishin filluar një politikë të dhunshme konvertuese të shqiptarëve në ortodoksinë sllave.








    Shqipëria dhe shqiptarët në "DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM"




    "Kështu, në Evropë janë shumë popuj të krishterë të gjuhëve të ndryshme, të cilët nuk ecin me ne as në besim dhe as në doktrinë. (...) Pas asaj (vazhdon) Sclavonia, ku ka shumë mbretëri si p.sh., Rassia, Servia, Chelmenia, Crovatia, Zenta. Kjo, nga njëra anë, kufizohet me hungarezët, nga tjetra me grekët, nga tjetra në të vërtetë me dalmatinët, me shqiptarët dhe me blachët (sllovenët). Dhe, përmbi të gjitha, krahas këtyre njerëzve, mbretëria e madhe dhe jo kompakte e grekëve.



    Nga Durrësi në Albani, ku njerëzit janë të bindur dhe të devotshëm ndaj kishës romane

    Tjetri do të mund të kishte përparuar përmes Brundusium (Brindisit) qytetit të Apulies dhe prej atje të kalonte përmes krahut të një deti, gjë që zgjat (rreth) 150 milje në Durrës, i cili është qytet i Zotit, princit të Tarentit dhe prej atje për Shqipëri (Albani) (ku njerëzit janë të bindur dhe të devotshëm ndaj kishës romane), prej aty, përmes Blaquiam dhe, më së fundi, duke vazhduar në Selanik. Nga ana tjetër, mund të progresohet nëpërmjet Ydrontum, i cili është po ashtu qytet i Apulias dhe që aty nëpërmjet ishullit të Korfuzit, i cili është gjithashtu pronë e Zotit, princit të Tarentit, për të ardhur në Despotat.



    Shqiptarët dhe latinët

    Ajo që, ndër të tjera, e bën këtë mbretëri të lehtë për t‘u pushtuar, është që aty janë dy kombe: një janë shqiptarët dhe tjetri latinët, (me latinë Adami këtu kupton shqiptarët e besimit të krishterë), të cilët këmbëngulin të gjithë te besimi, riti dhe bindja e kishës romane. Dhe respektivisht ata kanë edhe kryeipeshkvë, ipeshkëv e abatë, fetarë dhe klerikë sekularë të një statusi dhe të një rangu më të ulët. Latinët kanë gjashtë qytete me ipeshkvët e tyre: i pari është Antivari (Tivari), kryeipeshkvi; pastaj Kataro (Kotorri), Dulcini (Ulqini), Suaci (Shasi), Scutari (Shkodra) dhe Drivasti (Drishti), në të cilët jetojnë vetëm latinë; popullsia e tyre, në të vërtetë, janë shqiptarët në të gjitha dioqezat jashtë mureve. Katër qytete janë shqiptare: Polati Major (Pulti i Madh), Polatum Minor (Pulti i Vogël), Sapa, dhe Albania (Kruja), të cilët bashkë me qytetet latine të lartpërmendura janë nën kryeipeshkvinë e Tivarit dhe juridikisht nën metropolinë e kishës së tij. Dhe megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre. Pushteti i latinëve kufizohet pra vetëm me rrethin e qyteteve te tyre. Jashtë qyteteve të tyre, ata kanë prona vreshtash dhe fushash, megjithatë kanë kështjella dhe shtëpi fshati. Por, shqiptarët, meqë janë kombi më i madh, mund të zotërojnë në fusha lufte më shumë se 15000 kalorës, për çdo aktivitet lufte, janë luftëtarë trima e të shkathët sipas dokeve dhe zakoneve të atdheut të tyre. Dhe meqenëse të sipërpërmendurit, si latinët ashtu edhe shqiptarët, janë të shtypur nën zgjedhën e padurueshme dhe të rëndë të skllavërisë së atij sundimi të urryer dhe ç‘njerëzor sllav: populli i shtrydhur, kleri i larguar nga pozicioni i tij dhe i poshtëruar, ipeshkvitë dhe abatët shpesh të burgosur, fisnikët të zhveshur nga trashëgimia dhe të kapur rob, kishat, si ato ipeshkvnore ashtu edhe të tjerat të plaçkitura dhe pa të drejta, manastiret të rinuara dhe të shkatërruara; të gjithë ose secili prej tyre do të donte të zhyste duart në gjakun e sllavëve të sipërpërmendur, po të shikonte të shfaqej tek ata një princ francez, të cilin do ta bënin komandant në luftë kundër kriminelëve të sipërpërmendur sllavë, armiqve të të vërtetës dhe të besimit tonë. Me të lartpërmendurit shqiptarë dhe latinë, 1000 kalorës francezë dhe 5000 ose 6000 këmbësorë, padyshim që do ta pushtonin me lehtësi tërë këtë mbretëri".

    Gazeta Shqip:
    http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=4242

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    08-11-2002
    Postime
    1,509
    Paragrafi i fundit "Shqiptaret dhe Latinet" tregon qe Anisa Papleka eshte nje cope injorante. Dhe eshte fatkeqesi qe Shqiperia te kete historiane te tille. Ajo thjesht ka perkthyer punen e Robert Elsie-t, te bere ketu http://www.elsie.de/pdf/articles/A1991EarliestRef.pdf mbi vellain Brochard (apo Guillaume Adam), prift franceskan francez qe shkeli Shqiperine ne shekullin e XIII.

    Prifti thote troc te meposhtmen:


    Shqiptarët dhe latinët

    Ajo që, ndër të tjera, e bën këtë mbretëri të lehtë për t‘u pushtuar, është që aty janë dy kombe: një janë shqiptarët dhe tjetri latinët, (me latinë Adami këtu kupton shqiptarët e besimit të krishterë), të cilët këmbëngulin të gjithë te besimi, riti dhe bindja e kishës romane.
    Pra thote qe banojne shqiptare dhe latine. Dhe nuk nenkupton fare qe latinet qenkan te besimit te krishtere pasi ne shekullin e XIII te gjithe shqiptaret ishin te besimit te krishtere, po flet thjesht per vllehet. I ketij mendimi eshte edhe Elsie. Anisa jone e ngrate fut ne kllapa budallalleqe qe kthjellojne kllapine e saj.

    Vllehet kishin mbreterine e Vllahise ne shekujt e XII-XIII (me perjashtim te futjes se tij ne dhespotetin e Epirit ne 1204, po pastaj dolen perseri te pavarur) dhe prandaj ishin shume me te izoluar ndaj shqiptareve sesa kane qene me vone. Per vendet ku jetojne ata flet Ana Komnena ne gjysmen e dyte te shekullit XI (Thesali dhe Epir), kurse Benxhamin de Tudela, cifut spanjoll, ne shekullin XII, flet po ashtu per shtetin e pavarur te Vllahise.

    Gjuha e vlleheve ka qene permendur qe ne vitin 579 AD, nga dy kroniste bizantine, Theofani dhe Theofilaktu, te cilet flasin per gjuhen e vlleheve. Te njejten gje kemi nga nje autor grek, Kedrinos, ne vitin 976 AD.

    Vellai Brochard thekson qe edhe shqiptaret edhe latinet jane te shypur prej sllaveve dhe e ka fjalen per pushtimin bullgar e me vone per ate te serbit Stefan Dushani. Viti 1284 eshte nje periudhe midis dy pushtimeve.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Pasiqe : 20-10-2006 më 20:22

  3. #3
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897
    Keto jane gjera qe dihen prej kohesh.Kur lexova titullin u gezova se mendova se ka ndonje te re, por ne fakt gjeta kete postimin tend ..

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    08-11-2002
    Postime
    1,509
    Franceskanet ishin shpesh spiune te papes per te vrojtuar vendet e ndryshme e per te dhene informata. Adami thjesht informonte qe Shqiperia nuk eshte vend i veshtire per t'u pushtuar pasi ka edhe latine ne te. Dhe theksonte qe edhe latinet, edhe shqiptaret jane pro Romes dhe papes.

    Nje raport paksa optimist, po Adami duhet edhe te justifikonte dietat qe e kishin bere te udhetonte gratis neper bote me dukatet e papes. Lipsej pra pak optimizem ne ato qe shkruante, pasi kryqezata e ardhshme varej nga informatat e tij...
    Ndryshuar për herë të fundit nga Pasiqe : 20-10-2006 më 20:22

  5. #5
    i/e larguar Maska e GL_Branch
    Anëtarësuar
    02-11-2003
    Vendndodhja
    Arbany
    Postime
    1,592
    Edhe une kur e pash shkrimin fillim thash paskemi zbuluar ndonje dokument po ma vone qka me pa gjerat qe jane te ditun moti kohe!

  6. #6
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    LooooooooooooL duhet te hulumtosh panderprere

Tema të Ngjashme

  1. "Thoti fliste shqip"
    Nga ALBA në forumin Arkeologji/antropologji
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 26-11-2015, 16:49
  2. Atlantis në Shqipëri
    Nga SyntheticZero në forumin Arkeologji/antropologji
    Përgjigje: 636
    Postimi i Fundit: 01-09-2015, 14:36
  3. Illiristika - Nezir Myrta
    Nga Henri në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 06-04-2011, 17:47
  4. Gruaja në Islam
    Nga Xhenneta-Morina në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 36
    Postimi i Fundit: 23-08-2009, 19:32
  5. Konferencë ndërkombëtare për shqipen standarde
    Nga Beqari002 në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-11-2002, 14:08

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •