Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    Shqiperia eshte Evrope Maska e iliria e para
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Cunami ne Indonezi zgjati per disa minuta, kurse ne trojet tona 500 vjet.
    Postime
    4,907

    Komunitetet fetare në Shqipëri marrin nismën e krijimit të Këshillit Ndërfetar

    Shqipëria ka marrë përsipër nismën e krijimit për herë të parë të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, një nismë e marrë nga kryetarët e komuniteteve fetare tradicionale të Shqipërisë.Në mbështetje të kësaj nisme, në fillim të javës që vjen do të organizohet edhe një simpozium titulluar “Harmonia dhe dialogu fetar”, simpozium që do të mbahet në Hotel “Tirana International”.Simpoziumi organizohet nga liderët fetarë të katër komuniteteve tradicionale: Mysliman, Orthodhoks, Katolik dhe Bektashi, ndërsa mbështetet nga USAID/World Learning dhe organizata "Fetë për Paqe".Sipas organizatorëve ky, simpozim shërben për të forcuar më tej bazat teorike të bashkëpunimit ndërfetar institucional, i cili në një të ardhme të afërt mendohet të konkretizohet me krijimin e "Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë".

    Ne të do të përshëndesin liderët fetarë, tema të cilat janë përgatitur nga vetë komunitetet fetare dhe do të mbahen nga klerikë të larte të këtyre komuniteteve.
    Në fakt, sikundër është pohuar gjithnjë, rasti “Shqipëri”, është një rast shëmbullor i bashkëjetesës së besimeve në rrugën e gjatë të historisë.Bashkëjetesa e tre besimeve fetare është një prirje e pazakonte në një rajon, ku shpesh feja është lidhur me nacionalizmin dhe me keqpërdormin e besimit janë shkaktuar luftra vëllavrasëse.Shkencëtarët, studiuesit e sociologjisë politike dhe të asaj fetare, qofshin të huaj apo vendës, kanë përdorur terma që përmbajnë ndryshime në formën e nuancave.Historianët e fesë dhe teologët flasin për “ekumenizëm ndërfetar”. Njohësit e mesjetës dhe etnologët përdorin termin “konvergjencë ndërfetare”. Sociologët dhe historianët shekullarë priren nga termat “tolerancë”, “bashkëjetesë” apo “harmoni fetare”.

    Në vitin 1967, gjatë regjimit komunist në Shqipëri u ndaluan të gjitha llojet e besimeve duke u mbyllur kishat, xhamitë, teqetë dhe shkollat fetare.Per 21 vjet Shqipëria qe i vetmi vend ateist në botë.Më 1990, pas lëvizjes demokratike, besimi fetar u la i lirë dhe në vend u rindërtuan të gjitha kishat e xhamitë dhe mjaft objekte të tjera të besimit fetar, si dhe u hapen shkolla të ndryshme fetare.
    Por kombi shqiptar ka nderin që i dha botës Anjezë (Gonxhe) Bojaxhiun, e quajtur Nënë Tereza (1910-1997), e lindur në Shkup nga një familje shqiptare.
    Nënë Tereza që krijoi në Kalkuta të Indisë Kongregacionin e Misionarëve të Bamirësisë, njihet si bamirësja më e madhe e botës.Për punën e saj të madhe iu dhanë shumë çmime e diploma te ndryshme, dhe me 10 dhjetor 1987 në Oslo iu dha çmimi "Nobel" për paqen.

    G.S. TV A1
    Lumi ka ujin e paster ne burim


    Kombi mbi te gjitha

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Simpoziumi “Harmonia dhe dialogu ndërfetar” në Shqipëri

    Me mbështetjen e kryetarëve të Komuniteteve Fetare Tradicionale, të cilat janë angazhuar në formimin e Këshillit Ndërfetar Shqiptar, u zhvillua Simpoziumi me temë “Harmonia dhe dialogu ndërfetar”. Ai u mbajt në kryeqytet, në datën 27 shkurt, në mjediset e “Tirana International Hotel”. Për realizimin e kësaj veprimtarie bashkëpunuan Religions for Peace / USAID / World Learning dhe Komiteti i Kulteve.

    Simpoziumi u hap me fjalët përshëndetëse të drejtuesve të të katër komuniteteve fetare tradicionale. I pari e mori fjalën Kryetari i Komunitetit Mysliman, Hafiz Selim Muça, i cili theksoi se dialogu, harmonia dhe bashkekzistenca janë vlerat më të çmuara të kombit tonë. “Detyra jonë mbetet forcimi i kësaj bashkëjetese, sepse besimtarët e kanë kuptuar bashkekzistencën.”

    Ndërsa në përshëndetjen e tij, Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi, tha ndër të tjera se: “…Ne kemi vendosur së fundi të shprehim me anë të një strukture formale, krijimin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, atë çka qenë realitet në jetë. Në këtë mënyrë, ne shpresojmë, së pari, të forcojmë zërin e komuniteteve fetare në jetën publike të Shqipërisë; së dyti, të ofrojmë një model për bashkekzistencën fetare dhe bashkëpunimin harmonik në mbarë Ballkanin; dhe së treti, të marrim pjesë në mënyrë aktive në strukturën globale të Konferencës Botërore të Feve për Paqen, organizmit botëror që punon bashkërisht për të parandaluar luftën dhe varfërinë, si edhe që të mbrojë planetin tonë. Pra, ne nuk do të qëndrojmë të izoluar në rajonin tonë, por do të marrim pjesë në përpjekjet globale për të krijuar një dialog ndërfetar dhe bashkëpunim për paqen botërore”.

    Më tej, e mori fjalën për Komunitetin Katolik, Arqipeshkvi i Tiranë-Durrës Imzot Rrok Mirdita. Sipas tij: “Të flasësh për dialog fetar në Shqipëri nuk do të thotë të punosh për të shuar konfliktet sepse shqiptarët e kanë projektuar të ardhmen e tyre fetare shumë paqësore”. Kryetari i Komunitetit Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi, theksoi se takimi dhe idetë për harmoninë ndërfetare janë një ogur i bardhë për vendin tonë. “Ka ardhur koha që t’i tregojmë botës se kemi një traditë dhe histori dhe kulturë fetare të mrekullueshme. Le të jemi ne shqiptarët qytetarë të epokës së re fetare”.

    Simpoziumi vazhdoi me temat që kishin përgatitur përfaqësuesit e komuniteteve tradicionale në Shqipëri. Z. Sajmir Rusheku, nënkryetar i Komunitetit Mysliman. foli për temën: “Dialogu ndërfetar, obligim hyjnor”. Komunitetet fetare tradicionale duhet të thellojnë bashkëpunimin dhe të kontribuojnë në reduktimin e fenomeneve negative të shoqërisë për ripërtëritjen e jetës”.

    Referati i dytë me temë “Harmonia fetare në Shqipëri dhe sfidat e së ardhmes” u mbajt për Komunitetin Orthodhoks nga Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni i cili ndër të tjera tha se: “Fetë dhe veçanërisht komunitetet tona fetare, ftohen të japin kontributin e tyre esencial nga pasuria dhe përvoja e tyre e thellë shpirtërore në zbutjen dhe shërimin e këtyre plagëve, si mbartësit dhe përfaqësuesit më autokton dhe më të besueshëm të vlerave shpirtërore, morale, etike e kulturore të shoqërisë. Në këtë këndvështrim, sfidat e së ardhmes kërkojnë nga ne që të jemi vigjilent e të bashkuar, me përkushtim e mirëbesim ndaj njëri-tjetrit në përmbushje të angazhimit dhe të misionit tonë përpara Perëndisë dhe njerëzve.”

    Ipeshkëv Xhorxh Frendo, ipeshkëv ndihmësi Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës kishte përgatitur temën: “Fetë dhe toleranca fetare”, të cilën e lexoi Don Henri. Në kumtesë thuhej se askush nuk mund të na i çrrënjosë besimin. “Me rritjen e pluralizmit është rritur tensioni. Roli i vërtetë i fesë është ta ulë këtë tension.” Z. Ilir Dedei, nga Komuniteti Bektashian, referoi për temën “Harmonia dhe toleranca fetare në Shqipëri, traditë unikale e paqes ndërfetare”. Ai tha se harmonia fetare është duke u forcua në rrafshin shpirtëror, moral dhe kombëtar. Një aspekt i tolerancës është respektimi i objekteve të kultit. Dialogu i shqiptarëve duhet të konsiderohet një proces i gjatë historik.

    Në fund të simpoziumit, përshëndetën edhe kryetari i Komitetit të Kulteve, Z. Rasim Hasanaj, drejtori i projektit të USAID / World Learning në Shqipëri, përfaqësuesja shqiptare e projektit të organizatës “Fetë për paqen”, znj. Albana Hila, Rev. Verbjon Horsfjord, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Europian i liderëve fetarë dhe Dr. Brajan Uolker, drejtor i “Feve për Paqen” në Britaninë e Madhe.


    Isidor Koti
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 23-03-2007 më 13:18

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Ne e bashkuam zërin tonë për paqe dhe pajtim...

    Përshëndetja e Kryepiskopit Anastas, President nderi i “Fetë për paqen”, drejtuar Simpoziumit

    Të gjithë besimtarët në Shqipëri për dekada kanë vuajtur një persekutim ekstrem dhe veçanërisht midis viteve 1967-1990, një nga persekutimet më të egra të historisë. Pas rënies së regjimit komunist dhe ringjalljes së jetës fetare, ne, udhëheqësit e komuniteteve tradicionale fetare, bëmë më të mirën jo vetëm për të pasur marrëdhënie të mira dhe për të vizituar njëri-tjetrin gjatë festave të mëdha, por, për më tepër, për të zhvilluar një miqësi të sinqertë dhe bashkëpunim të harmonishëm midis nesh dhe midis komuniteteve tona fetare.
    Në kohë kritike ne e bashkuam zërin tonë për paqe dhe pajtim në vendin tonë dhe në vitin 1999, i ofruam strehim, ndihmë dhe dashuri mijëra refugjatëve nga Kosova. Gjatë gjithë këtyre viteve, ne kemi punuar në mënyrë të ndërgjegjshme së bashku për liri fetare, harmoni dhe solidaritet.
    Ne kemi vendosur së fundi të shprehim me anë të një strukture formale, krijimin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, atë çka ka qenë realitet në jetë.
    Në këtë mënyrë, ne shpresojmë, së pari, të forcojmë zërin e komuniteteve fetare në jetën publike të Shqipërisë, ne nuk do të qëndrojmë të izoluar në rajonin tonë, por do të marrim pjesë në përpjekjet globale për të krijuar një dialog ndërfetar dhe bashkëpunim për paqen botërore. Me këtë rast, do të donim të shprehnim mirënjohjen tonë për ndihmën praktike dhe financiare, që ne kemi marrë nga zyrat qendrore të Feve për Paqen, seksioni i Evropës, për të realizuar këtë zhvillim struktural. Ne do të donim gjithashtu të përshëndesim pjesëmarrësit e nderuar të këtij Simpoziumi, duke iu uruar sukses të plotë dhe mendimtari krijuese.

    * * *

    Themeli i çdo vendimi të përbashkët për një bashkekzistencë paqësore midis komuniteteve fetare, më tej edhe me grupe jo-fetare, mund dhe duhet të bazohet mbi respektin për Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe atë për lirinë e ndërgjegjes. Në ditët tona, si studiuesit e krishterë ashtu dhe ata islamikë i aprovojnë pak a shumë këto deklarata. Të gjitha komunitetet fetare duhet të kërkojnë për bazat e një antropologjie të shëndetshme nga thellësitë e doktrinës së tyre dhe nga faqet më të mira të traditës së tyre, duke theksuar një respekt të sinqertë për çdo qenie njerëzore, për dinjitetin e personit njerëzor. Ky mund të jetë terreni në të cilin, duhet të kultivohet një Dialog Ndërfetar konstruktiv. Njëkohësisht, ne duhet të luftojmë për zhvillimin dhe mbizotërimin e këtyre principeve me anë të etikës së udhëheqjes dhe edukimit të anëtarëve tanë.
    Ne, udhëheqësit e komuniteteve fetare, duhet të shkojmë më thellë në burimin e besimit tonë dhe, gjatë momenteve kritike, ne duhet të ngremë një zë të kthjellët dhe profetik, duke i ofruar dashuri të vërtetë viktimave të dhunës dhe të shmangim viktimizimin tonë për shkak të shfrytëzimit nga entitete politike, financiare ose të një lloji tjetër. Në shumë rajone, ne mund të vërejmë një radioaktivitet të madh të urrejtjes. Ky është kërcënimi më i rrezikshëm për paqen dhe bashkëjetesën paqësore, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Për t’u përballur me këtë, ne kemi nevojë për disa gjëra që kanë kosto dhe janë të rralla: falje, pajtim, dashuri. Këto nuk mund të jenë produkt i faktorëve teknologjikë. Janë fryte të një ndërgjegjeje fetare të ndriçuar dhe të pjekur, e cila vë në lëvizje kreativitetin dinamik të njerëzve. Në këtë nivel, kontributi i komuniteteve fetare të shëndosha është i pazëvendësueshëm.
    Vetëm me anë të kësaj bashkekzistence paqësore të komuniteteve fetare është e mundur të arrihet një progres social i vërtetë. Të krishterë dhe myslimanë në Shqipëri, ne përpiqemi të respektojmë këto principe, për të jetuar së bashku dhe për të bashkëpunuar në mënyrë të harmonishme.
    Kthjelltësia e tolerancës fetare dhe guximi i dashurisë duhet të kapërcejnë dyshimin e verbër, i cili shkakton një zinxhir konfliktesh. Në shekullin e njëzet e njëtë, në mbarë botën dhe në veçanti në Ballkan, ne jemi të ftuar - pavarësisht komunitetit, pavarësisht prejardhjes etnike dhe fetare, në të cilën bëjmë pjesë dhe kemi lindur - të përpiqemi që të jetojmë në mënyrë paqësore, me respekt të ndërsjellë dhe solidaritet. Unë shpresoj se në këto çështje kontributi i Këshillit të sapoformuar Ndërfetar të Shqipërisë do të jetë vendimtar.

    Tiranë, 27 shkurt 2007
    Ngjallja

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Harmonia fetare në Shqipëri dhe sfidat e së ardhmes

    - Nga tema e mbajtur në Simpoziumin “Harmonia dhe dialogu ndërfetar” nga Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës Andoni -

    ....Do të doja të identifikoja dhe të ndalesha shkurtimisht në mënyrë treguese në disa nga sfidat me të cilat janë duke u ndeshur komunitetet fetare, si dhe disa ide lidhur me përqasjen ndaj tyre në dobi të ruajtjes dhe forcimit të këtyre vlerave.
    Në përpjekjen e tyre për ringritjen e institucioneve fetare, komunitetet fetare tradicionale në Shqipëri u përballën me mungesa e nevoja të mëdha si nga ana materiale e monetare ashtu edhe nga ana njerëzore, d.m.th. mungesa e klerikëve dhe e mësuesve të fesë, ku numri i atyre që kishin mbijetuar nga periudha komuniste ishte i pakët dhe i pamjaftueshëm. Në mungesë të shkollave të specializuara fetare në vend, një pjesë e kandidatëve u dërguan nga ana e komuniteteve për studime jashtë vendit, në qendra dhe shkolla të ndryshme fetare. Ajo që u vu re më vonë ishte se, një pjesë e këtyre studentëve, të shkëputur nga realiteti i përditshëm shqiptar dhe të influencuar nga botëkuptime e ide radikale - botëkuptime që për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk përfaqësojnë medoemos mendimin e përgjithshëm të shkollave ose qendrave shpirtërore nga të cilat vinin, shfaqnin tendencat e një fryme gjykuese e madje përbuzëse ndaj besimtarëve të feve të tjera, si dhe shmangien nga çdo lloj kontakti me ta. Këto tendenca, do të thoja, diku më pak e diku më shumë, janë vënë re në të gjitha komunitetet tona fetare.
    Duke qenë të vetëdijshëm pra për këto tendenca, mendoj se sigurimi i kushteve dhe mundësive për edukimin e klerikëve dhe mësuesve të rinj të fesë në Shqipëri vjen si një nevojë e domosdoshme. Kandidatët e rinj kanë nevojë të informohen dhe të instruktohen përkrah dijeve fetare dhe me vlerat e trashëguara të harmonisë dhe vëllazërisë fetare në Shqipëri. Gjithashtu, duke pasur parasysh specifikat e vendit tonë dhe të përbërjes fetare të tij, kandidatët kanë nevojë të instruktohen e të ndihmohen në zbatimin konkret të porosive dhe urdhërimeve të fesë së tyre në kushtet e një realiteti shqiptar dhe jo të adoptohen forma dhe modele që nuk i përfillin ato.
    Një rrezik tjetër, nga i cili nuk bëjnë përjashtim edhe grupimet fetare, është rreziku i gjykimit dhe i vlerësimit të tjetrit me syzet e paragjykimit dhe të dyshimit. Fenomene të tilla është e natyrshme që të shfaqen dhe të zhvillohen sidomos në formacione të dalluara dhe të ndryshme siç janë ato fetare në rastin tonë. Për këtë, mendoj se duhet si komunitete fetare të gjejmë mënyra dhe forma për t’i prezantuar njerëzit tanë me njëri-tjetrin, duke iu dhënë mundësinë të njohin nga afër dhe direkt besimtarët e grupimeve të tjera. Një gjë e tillë sigurisht do të rriste mundësitë për një lidhje më miqësore e më vëllazërore midis tyre, duke larguar paragjykimet dhe dyshimet dhe duke u dhënë mundësinë për të biseduar e diskutuar për çështje e tema që i preokupojnë.
    Iniciativa të tilla patjetër kanë brenda riskun, për këtë është e domosdoshme mbarëvajtja dhe mbikëqyrja e duhur e aktiviteteve dhe iniciativave të tilla, pasi në rast të kundërt dëmi do të ishte i madh... Në periudhën e zgjatur transitore që po kalon vendi ynë, shpeshherë komunitetet tona fetare janë ballafaquar me një boshllëk ligjor dhe me një trajtim të copëtuar të pasurisë dhe pronave të tyre si dhe shumë çështje të tjera të cilat janë evidentuar nga vetë këto komunitete.
    Në këtë përpjekje të përgjithshme për plotësimin dhe rregullimin e këtyre boshllëqeve e mangësive, do të ishte më e udhës dhe më efikase që për çështje që në total dhe në parim i përkasin të gjitha komuniteteve, vetë ato të bashkërendojnë përpjekjet dhe të dalin të bashkuara dhe në një zë në mbrojtje të interesave të tyre të përbashkëta. Përpjekje të tilla me siguri që përveç rezultateve më të shpejta do të ndihmonin dhe në krijimin e një klime bashkëpunimi më të ngushtë dhe një atmosfere mirëbesimi ndërmjet vetë komuniteteve, duke dhënë njëkohësisht dhe një dëshmi të mirë përpara të tjerëve.
    Të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të vazhdueshme që shoqëria e sotme shqiptare është duke pësuar, ndryshime që jo rrallëherë mbartin me vete dhe shumë probleme e madje trauma të rënda, duke filluar që nga familja si baza e shoqërisë...
    Në këtë vrull kaotik e çoroditës, fetë dhe veçanërisht komunitetet tona fetare, ftohen të japin kontributin e tyre esencial nga pasuria dhe përvoja e tyre e thellë shpirtërore në zbutjen dhe shërimin e këtyre plagëve, si mbartësit dhe përfaqësuesit më autoktonë dhe më të besueshëm të vlerave shpirtërore, morale, etike e kulturore të shoqërisë. Në këtë këndvështrim, sfidat e së ardhmes kërkojnë nga ne që të jemi vigjilentë e të bashkuar, me përkushtim e mirëbesim ndaj njëri-tjetrit në përmbushje të angazhimit dhe të misionit tonë përpara Perëndisë dhe njerëzve.

    Ngjallja

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Modeli e realiteti i bashkëjetesës fetare në Shqipëri

    Ermal Hasimja*

    Me rastin e Pashkëve, personalitetet publike të vendit do të përsërisin ritualin e vizitave ceremoniale dhe atë të ritheksimit të faktit, se ne shqiptarët kemi arritur të “shmangim konfliktin fetar”. Ky shkrim është ngritur mbi një diskutim që mbajta në një konferencë ndërkombëtare mjaft të vlefshme të organizuar në Tiranë nga kolegu im Mentor Nazarko. Teksa të gjithë pjesëmarrësit, vendës dhe të huaj, qëmtuan dhe konstatuan hollësitë e modelit shqiptar të bashkëjetesës, të krijohej përshtypja se në fakt të gjithë ishin të mendimit se normaliteti duhet të kishte qenë konflikti dhe se kjo bashkëjetesë na qenkësh diçka e kërkuar, e planifikuar dhe e arritur mjeshtërisht nga shqiptarët. Por personalisht nuk jam aspak dakord me një pikëpamje të tillë. Jo vetëm sepse nuk tregon realitetin, apo se e shikon botën si shesh betejash fetare, por edhe sepse pikërisht duke lavdëruar bashkëjetesën mbjell në mendjen tonë idenë e konfliktit.
    Rreth vitit 1920, tri gra amerikane dhe një shoqërues 12-vjeçar mysliman nga Shkodra udhëtojnë në zemër të bjeshkëve shqiptare të veriut. Gjejnë strehë në një shtëpi katolike tipike, të sigurtë se mikpritja vendore nuk do t’i zhgënjejë. Por diçka nuk shkon siç duhet. Miqtë presin gjatë një darkë që vonon. Në dy të mëngjesit, më në fund “darka” shfaqet dhe bashkë me të edhe sqarimet e vonesës së pazakontë: të zotët e shtëpisë kishin vetëm mish derri për t’u ofruar miqve, por nuk mund ta bënin këtë për shkak të djalit të vogël mysliman që nuk mund të hajë mishin e derrit. Prandaj ishin detyruar të dërgonin dikë në një katund në anën tjetër të malit për të gjetur diçka për myslimanin 12-vjeçar. Kjo ishte arsyeja e vonesës.
    Ky episod përshkruhet në vetë të parë nga një autore e njohur, Rose Wilder Lane dhe është pjesë e një libri, të përkthyer edhe në shqip, që përshkruan udhëtimin e saj në Shqipëri. Ngjarja simbolike e merr kuptimin nga një kod që flet për burra, nder dhe mikpritje. Ky kod nuk flet për katolikë, myslimanë apo të “tjerë”. Ndarja e shqiptarëve në këto kategori, në fakt, është kryer tradicionalisht nga të huajt dhe rrallë nga vetë shqiptarët.
    Në ditët e sotme shumëçka ka ndryshuar: komunizmi u vendos dhe u rrënua, kishat dhe xhamiat u shkatërruan dhe u rindërtuan, njerëzit panë 11 shtatorin në televizion dhe disa madje lexuan Samuel Huntington-in, duke kërkuar shpjegime për rrëmujën e madhe ndërkombëtare që na rrethon. Por diçka nuk ndryshoi: kodi. Në Shqipëri, ne flasim për të pasur e të vobektë, qytetarë të zhgënjyer dhe politikanë të korruptuar, albumin e fundit të Shakirës dhe ndeshjen e ardhshme të Kombëtares. Por zakonisht nuk përmendim ndarazi myslimanët, katolikët, ortodoksët ose bektashinjtë (përveçse për festa). Shumica e shqiptarëve vazhdojnë të mos e dinë fenë e kolegëve apo shokëve të tyre të përditshëm, fqinjëve...dhe disa ndoshta as të vetën.
    E përbashkëta e funksionimit të marrëdhënies sonë me fenë është mënyra sesi e përdorim fjalorin fetar. Ne e ngjizim botën përreth nesh përmes gjuhës dhe ligjërimit tonë.
    Diçka që nuk formulohet gjuhësisht, thjesht nuk ekziston. Për këtë arsye, një ligjërim që nuk prodhon terma antagonistë, nuk prodhon konflikte. Ka vetëm një mënyrë për të ndezur konflikte fetare përmes veglave gjuhësore: manipulimi i kodit të komunikimit dhe ngritja e një ligjërimi të veçantë në një pozicion sundues, ose thënë ndryshe: monopolizimi i gjuhës dhe lënia jashtë, përmes delegjitimimit, e ligjërimit të të “tjerëve”. Anasjelltas, ka dy mënyra për të parandaluar konfliktet fetare: shmangia ose zhdukja e gjuhës fetare, si dhe krijimi i kushteve për legjitimimin e pluralizmit të ligjërimit.
    Rilindja nacionaliste shqiptare shmangu ligjërimin fetar për të mbikaluar forcat centrifugale, regjimi komunist e shkatërroi atë për të ndaluar konkurrencën ideologjike dhe së fundmi, tranzicioni demokratik inkurajoi pluralizmin për të siguruar lirinë dhe stabilitetin.
    Të fokusohemi te ky i fundit. Sot, ne kemi të gjithë lirinë e nevojshme fetare të garantuar nga Kushtetuta. Kjo është e mjaftueshme për Shqipërinë, por me sa duket jo dhe aq për vende të tjerë, të cilët, ashtu si Shqipëria, kanë disa bashkësi fetare. A do të thotë kjo se ne zotërojmë disi sekretin ose formulën e bashkëjetesës fetare? Të shumtë janë ata që tundohen nga një përgjigje me një “po” të fortë. Unë mendoj ndryshe.
    Autorë të shumtë shqiptarë dhe ndërkombëtarë kanë theksuar atë që ata quajnë “modeli shqiptar i bashkëjetesës”. Por duhet të jemi të kujdesshëm teksa luajmë me fjalët. Një model i bashkëjetesës është shumë i ndryshëm nga një model i shpjegimit të bashkëjetesës. Një model i bashkëjetësës nënkupton ekzistencën e një projekti qëllimplotë që mëton të sigurojë bashkëjetesën. Në fakt, shqiptarët nuk pritën demokracinë për të bashkëjetuar paqësisht me njëri-tjetrin. “Performanca” jonë në këtë aspekt është e lavdërueshme edhe në regjime të tilla si ai i Perandorisë Osmane ose regjimi autoritar i mbretit Zog. Shumë argumente janë hedhur për të mbështetur atë që quhet “modeli shqiptar i bashkëjetesës”. Të gjithë këta argumente rreken të përkufizojnë atë që është bërë për të shmangur konfliktin. Shumë pak ose asnjë hedhin shikimin tek ajo...që në fakt nuk është bërë. Unë mendoj se ajo që nuk është bërë është shumë e vlefshme për të shpjeguar bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Dhe ajo që nuk është bërë është saktësisht formësimi i njëanshëm i gjuhës së hapësirës publike mbi baza fetare.
    Gjuha na jep formë neve në të njëjtin çast kur ne shqiptojmë fjalët. Diskutimi mbi marrëdhëniet fetare në Shqipëri është ilustrimi më i mirë i kësaj. Ndërkohë që flasim për mënyrat për të shmangur konfliktet fetare, ne krijojmë idenë e konfliktit fetar dhe bëhemi pjesë e tij.
    Krijojmë gjithashtu idenë se konflikti është gjendja e natyrshme e marrëdhënieve fetare. Por natyrisht, malësorët që strehuan amerikanen Rose Wilder Lane dhe shoqëruesin e saj mysliman, do të befasoheshin së tepërmi nga një pikëpamje e tillë. Nuk kishte asnjë ligj apo polici që t’i shtrëngonte njerëzit të zbatonin çfarëdo ligji në bjeshkët e humbura veriore. Por kjo nuk ishte një arsye automatike për të vrarë këdo që të del përpara.
    Nuk ka prirje të natyrshme për konflikt. Konflikti gatuhet, ndërtohet, përgatitet, shpallet, mediatizohet. Thënë ndryshe, një konflikt duhet të shkruhet apo të shqiptohet që të ekzistojë. Në Shqipëri nuk ka konflikt, sepse askush nuk e shkruan apo e shqipton konfliktin, ose nga një pikëpamje tjetër, sepse askush nuk do ta lexonte apo dëgjonte konfliktin. Mungesë kërkese, mungesë oferte. Por mungesa apo shmangia e konfliktit nuk është domosdoshmërisht prodhim i një projekti strategjik ose i një modeli që ne mund të pres/ngjisim në situata të tjera konfliktuale. Në këto situata, konflikti është shqiptuar e shkruar dhe gjuha tashmë është përdhunuar, polarizuar dhe monopolizuar nga secili grup apo bashkësi. Eshtë paradoksi i monopolizimit plural. Secili pretendon dhe ruan monopolin e tij kuptimor mbi gjuhën e vet dhe kuptimin që i jep kjo gjuhë konfliktit. Secila palë flet tashmë gjuhën e saj dhe mbron të Vërtetën e saj. Vetëm këtu mund të mendojmë për një model strategjik bashkëjetese si një përgjigje ndaj një situate konflikti. Ky model do të ngrihej mbi krijimin ose rikthimin në një gjuhe plurale dhe do të synonte asgjësimin e së Vërtetës. Në një shoqëri demokratike paqësore, e Vërteta fetare është thjesht një pikëvështrim dhe gjithsecili ka të drejtën themelore për të besuar në të pa u ndaluar të tjerëve të besojnë në të vërtetën e tyre.
    Rasti i Shqipërisë na ofron disa pikënisje për dy parakushte për një bashkëjetesë paqësore të natyrshme:
    1. Një ndarje e fuqishme e politikës nga feja. Pas konflikteve fetare, në të shumtën e rasteve fshihen motivime politike. Feja është thjesht një mobilizues i ndjeshëm.
    2. Liberalizimi i ligjërimit dhe përfshirja legjitime e të gjithë ligjërimeve në kuvendimin shoqëror, me përjashtim të atyre raciste apo të ndonjë kategorie tjetër diskriminuese.
    Karakteristika më e rëndësishme e funksionimit politik shqiptar (në kuptimin e gjerë) është në fakt përjashtimi i ligjërimit fetar nga ideologjitë apo programet partiake. Një nga arsyet kryesore është pamundësia për të kapitalizuar votat e shumicës (shumicë virtuale për shkak të mospraktikimit), në vendin e vetëm në Ballkan ku legjitimiteti i brendshëm është pjesërisht prodhim i legjitimitetit të ardhur nga institucionet ndërkombëtare. Njësoj si në Kosovën fqinje, partitë politike janë të pakonsiderueshme nga pikëpamja zgjedhore dhe në debatet e hapësirës publike. Nga kjo pikëpamje, përpjekjet për interpretimin e historisë së shqiptarëve ose traditave tona fetare si të lidhura me identitete specifike zanafillore janë shumë më të rrezikshme se të gjithë konfliktet e rëndomtë si ato për vendosjen apo heqjen e një kryqi.

    *Universiteti Evropian i Tiranës

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    U zhvillua ceremonia e hapjes së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

    Ditën e enjte, 22 tetor, në mjediset e hotel “Tirana International”, u bë ceremonia e hapjes së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Krijimi i këtij këshilli u mbështet nga “Konferenca Botërore Fetë për Paqen” (Kryepiskopi Anastas është President nderi i këtij organizmi) dhe e ka fillesën që nga viti 2005, ndërsa në vitin 2007 u regjistrua si organizëm.
    Bashkëthemelues të tij janë krerët e të katër komuniteteve fetare tradicionale: Hirësia e Tij, Haxhi Selim Muça, Fortlumturia e Tij Anastasi, Imzot Rrok Mirdita dhe Haxhi Dede Reshat Bardhi.
    Veprimtarinë e çeli sekretari i KNFSH, z. Genard Hajdini, dhe më pas përshëndeti Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, i cili theksoi ndër të tjera se "…Kjo është vlera jonë e përbashkët dhe ky është virtyti ynë i rrallë, të cilin jo vetëm do ta eksportojmë kudo që të mundemi, por do ta ndajmë me shumë dëshirë me vendet dhe popujt e tjerë anembanë globit. Prandaj edhe jam sot këtu, jo vetëm për të kremtuar hapjen e një Këshilli kaq të nevojshëm e të dobishëm për mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërfetare në vendin tonë, por edhe për t’ju siguruar rreth mbështetjes së palëkundur personale e institucionale gjatë ndërmarrjes suaj kaq të vlefshme e të rëndësishme në shërbim të paqes, mirësisë, tolerancës, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare".
    Pastaj përshëndetën kryetarët e të katër komuniteteve fetare tradicionale.
    Temën kryesore të takimit e mbajti Prof Dr. Joseph Ellull, nga Malta.
    Më pas, veprimtarinë e përshëndeti Episkop Gunnar Stolset, nga Norvegjia, ish-anëtar i komisionit të Çmimit Nobel për paqen, bashkëthemelues dhe moderator të Këshillit Evropian të Liderëve Fetarë, në kuadrin e Konferencës Botërore Fetë për Paqen.
    Në fund u shfaq edhe një filmim i shkurtër për themelimin dhe veprimtarinë e deritanishme të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

    Thoma Dhima

    Për më tepër informacion: http://www.rfp-europe.eu/index.cfm?id=264191
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 25-10-2009 më 00:24

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË – INTER-RELIGIOUS COUNCIL OF ALBANIA

    Tiranë, më 20 gusht 2009

    LETËR E HAPUR

    Familja natyrale, midis një mashkulli dhe një femre, është dhuratë e Zotit dhe përbën bërthamën më të fortë të shoqërisë shqiptare


    Shkëlqesisë së Tij,
    Z. Sali Berisha,
    Kryetar i Këshillit të Ministrave
    Popullit shqiptar

    Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë përmes Këshillit të Presidencës në të cilin bëjnë pjesë krerët e katër Komuniteteve Fetare Tradicionale në Shqipëri: Shkëlqesia e Tij Z. Haxhi Selim Muça (Kryetar i Komunitetit Musliman), Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos (Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë), Shkëlqesia e Tij, Imzot Rrok Mirdita (Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike Shqiptare) dhe Shkëlqesia e Tij, Z. Haxhi Dede Reshat Bardhi (Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane) deklaron:
    Jemi në kundërshtim të plotë me iniciativën e qeverisë për hartimin e ligjit për njohjen e martesave homoseksuale në Republikën e Shqipërisë. Shprehim me indinjatë shqetësimin tonë për rrezikun që i kanos ky ligj shoqërisë shqiptare. Kombi ynë ka respektuar bërthamën e shoqërisë; familjen. Pavarësisht vështirësive të shumta që po kalon ajo në këto vite tranzicioni e ndryshimesh të mëdha social-ekonomike, familja shqiptare ka ditur ta ruaj karakterin e saj të shenjtë dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në mbrojtje të identitetit, dinjitetit dhe mirëqenies kombëtare. Iniciativën e mësipërme e vlerësojmë si sulm për dobësimin e familjes natyrale midis
    një mashkulli dhe një femre, e cila është dhuratë e Zotit dhe përbën bërthamën më të fortë të shoqërisë shqiptare.
    Politika formon struktura e institucione, ndërsa besimi formon zemrat dhe moralin
    shpirtëror të kombit. Njëzëri, shprehim vullnetin tonë të përbashkët në mbrojtje të familjes, të ardhmes së fëmijëve tanë dhe vlerave të saj, ashtu siç na mëson feja dhe të parët tanë, dhe bëjmë thirrje për heqje dorë nga miratimi i këtij projekt-ligji. Ne duhet të bëjmë atë çka është e drejtë, jo për sytë e botës “moderne”, por përpara Perëndisë, dhe vetëm atëherë mund të presim që Ai t’i dëgjojë lutjet tona dhe të na bekojë në rrugën e përparimit e zhvillimit të vërtetë.


    Me dashuri,
    _______________
    Haxhi Selim Muça
    (Kryetar i Komunitetit
    Musliman)

    _______________
    Fortlumturia e Tij, Anastasi
    (Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë)

    _______________
    Imzot Rrok Mirdita
    (Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Kisha Katolike Shqiptare)

    _______________
    Haxhi Dede Reshat Bardhi
    (Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 25-10-2009 më 00:40

Tema të Ngjashme

  1. Si mund të ulet ndikimi grek në shqipëri ?
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 192
    Postimi i Fundit: 14-08-2011, 17:46
  2. Esse dhe artikuj të muslimanëve
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 09-12-2010, 09:31
  3. Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 645
    Postimi i Fundit: 15-10-2007, 19:27
  4. Miti i 'tolerances fetare' në Shqipëri
    Nga Qafir Arnaut në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 33
    Postimi i Fundit: 05-08-2006, 05:26
  5. Forumi Mysliman: Presidenti Moisiu ka fyer ndjenjat tona
    Nga Davius në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 88
    Postimi i Fundit: 30-11-2005, 16:53

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •