
Postuar më parë nga
Qazim RUDI
Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha u dërgojnë telegram përshëndetës enveristëve kosovarë
Deçan, tubim për Enver Hoxhën
Bashkim Shala
Deçan-Kosovë- Qyteti i Deçanit në Kosovë nderon ish-diktatorin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha në 98-vjetorin e lindjes. Ndërkohë që oratorët që e kanë marrë fjalën para fansave të ekzaltuar të Enver Hoxhës e kanë cilësuar atë si “kapedanin më të madh të historisë shqiptare”. Të hënën pasdite dhjetra simpatizantë të Enver Hoxhës dhe adhurues të idevë komuniste dhe kureshtarë të shumtë, kanë brohoritur gjatë për Enver Hoxhën në sallën e pallatit të kulturës që mban emrin e Jusuf Gërvallës. Gjatë gjithë kohës në sallën kryesore të këtij pallati të mbushur plot kanë jehuar këngët kushtuar diktatorit, ndërkohë që fotografitë e shumta të tij kishin mbuluar hapësirat ku po organizohej manifestimi. Për kosovarët të cilët po kujtonin Hoxhën janë lexuar telegramet përshëndetëse drejtuar këtij tubimi edhe nga ish presidenti i fundit komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia dhe e veja e Hoxhës, Nexhmie Hoxha. Një nga organizatorët e këtij përvjetori, kryetari i Shoqatave të Dala nga Lufta të UÇK-së për Rrafshin e Dukagjinit, Abdyl Mushkolaj gjatë fjalës së tij ka përdorur një fjalor mjaft të zgjedhur për ish-diktatorin e Shqipërisë. “Enver Hoxha ka lënë gjurmë të pashlyeshme në 50 vjetët e fundit të historisë kombëtare. Ishte emri dhe vizioni i tij, politika e shtetit shqiptar nën udhëheqjen e tij që në momente shumë kritike për trojet e okupuara jashtë shtetit amë, ka mbajtur gjallë frymën dhe ndjenjën e atdhedashurisë”, ka thënë mes tjerash veterani i luftës së fundit të UÇK-së, Abdyl Mushkolaj. Në manifestimin që kishte mbledhur qytetarë të shumtë pasdite e hënë, janë parë edhe “enveristë” nga Shqipëria, si Musli Rama nga Tropoja si dhe anëtari i kryesisë së LPK-së, Remzi Hasanaj. I fundit i ka thurur lavde ish- liderit komunist duke e quajtur atë mbrojtës të kauzës kombëtare përballë presioneve të jashtme politike që i janë bërë asokohe shtetit shqiptar. Hasanaj ka thënë se vepra e Enver Hoxhës ka qenë frymëzim për breza të tërë dhe se manifestimi i Deçanit është tregues i guximit të njerëzve për të kujtuar veprën e tij. Ditëlindja e 98-të e Enver Hoxhës është shoqëruar edhe me një dokumentar televiziv ku është folur për jetën dhe veprën e tij në krye të shtetit stalinist. Qyteti i Deçanit në Kosovë, i cili shtrihet në jugperendim të këtij vendi në kufi me Shqipërinë është i dyti, pas atij të Ferizajve që përkujton dhe vlerëson figurën e Enver Hoxhës. Qyteti i Ferizajve në Kosovë ka nderuar tre herë radhazi, ish-diktatorin komunist Enver Hoxha. Madje në 21-vjetorin e vdekjes së tij në prill të këtij viti, fansat e Enver Hoxhes në Ferizaj kanë vendosur një pllakatë në njerin nga sheshet e këtij qyteti me emrin e Enver Hoxhës. Ndërkohë që autoritetet vendore të këtij qyteti e kanë cilësuar si të dhunshëm dhe antiligjor vendosjen e kësaj pllakate.
Gazeta Shekulli
18/10/2006
Krijoni Kontakt